PARTI KOMUNISTE APO PARTI TERRORISTE
Mendime e vlerësime rreth librit me të njëjtin titull të Enver Memishaj – Lepenica/
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Në fund të vitit 2013, studjuesi i njohur tashmë në fushën e historisë Enver Memishaj – Lepenica nxorri në dritë librin e tij të trembëdhjetë “Parti komuniste apo parti terroriste”
Në këtë libri me afro 600, faqe autori ka përmbledhur dokumenta historike të Ballit Kombëtar, të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar.
Libri hapet me gjykime dhe mendime të Prof. Dr. Beqir Metës, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, dhe udhëheqësit të Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërit.
Sapo nis e shfleton këtë libër të bije në sy fakti se autori siç thotë edhe vetë ai, ia ka hequr të drejtën vetes që të mbaj qëndrim rreth dokumentave që botohen në libër, por ua lë këtë të drejtë lexuesve që të shfaqin lirshëm përshtypjet, mbresat dhe ndiesitë e tyre ndaj dokumentave që autori boton, në këtë libër.
Libri është i ngjeshur me dokumenta interesante që pasqyrojnë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore 1939- 1944, me përplasje idesh, me deklarata të shumëllojta, me fakte, me argumenta, me kurthe, intriga, vrasje, tmerre, krime që u vunë re kur në gjirin e popullit tonë nisi vëllavrasja, një virus hibrid ky i ardhur nga jashtë, i cili bëri hatara të papara e gjëma të padëgjuara.
* * *
Siç dihet, nevoja e luftës për çlirim nga pushtuesit, nxorri në dritë si një domosdoshmëri imperative krijimin e dy forcave kryesore politike, të cilat i vunë detyrë vetes që ta orientonin e ta udhëhiqnin popullin tonë në luftë kundër armiqëve nazifashistë: atë të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste, më pas doli edhe Lëvizja e Legalitetit. Të dyja forcat u shprehën për mobilizimin e popullit në luftë, por bazat ideologjike dhe mënyrat e organizimit të asaj përpjekje qenë krejtësisht të ndryshme.
Balli Kombëtar qe e para forcë që reagoi kundër ekspasionit fashist, ku nëpërmjet “Dekalogut”, të hartuar prej përsonalitetit të shquar të historisë sonë, Mid`hat Frashërit lëshoi kushtrimin dhe i bëri thirrje popullit për luftë, për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër armiqëve për realizimin e idealit kombëtar për një Shqipëri të lirë Etnike, demokratike me baza shoqërore moderne për flamurin kuq e zi , për një Shqipëri të drejtuar nga shqiptarët të cilët nuk ishin kursyer në çdo kohë e rrethanë për të mirën e shpëtimin e këtij vendi.
Edhe komunistët kishin në programin e tyre luftën kundër pushtuesve, por lanë jashtë vëmëndjes Shqipërinë Etnike e veçanërisht Kosovën, dhe për të realizuar qëllimin e tyre patën më shumë favore të ndihmuar prej disa faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Komunistët u favorizuan nga fakti se pjesa dërrmuese e popullit ishte e pa rasimur, të varfër dhe, si pasojë të varfërit duke mos pasur mundësi për analiza të thella u besuan premtimeve boshe dhe ëndërrave të bujshme. Komunistët propoganduan se kasta e vjetër politike ishte plakur dhe e lodhur, ishte e paaftë të përballonte lëvizjen e re demokratike.
Edhe aleatët duke parë këtë lloj gjëndje pothuajse përkrahën komunistët. Po ashtu influencoi edhe përçarja e brendshme. Balli Kombëtar ishte për republikë, Legaliteti, veriorët, nuk qenë dakort me ta sepse shumica mbështesnin mbretërinë. Kjo gjendje lehtësoi udhën e komunistëve për të dalë hapur, kundër platformës së Ballit Kombëtar dhe udhës drejt marrjes së pushtetit. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtari ftuan komunistët ose Nacionalçlirimtaren, për bashkëpunim e bashkërendim të forcave në luftë, edhe pse u bë Marrëveshja e Mukjes, komunistët të nxitur prej jugosllavëve: Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës e tradhëtuan Mukjen, minuan linjat e mirëkuptimit, mobilizuan çetat partizane dhe i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar, u nxit vëllavrasja, e cila solli dëme të papara e pasoja fatale për vendin. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtar u tradhëtuan pabesisht prej komunistëve, Nacionalçlirimtares, ata nuk bënë krime në popull, por vazhdimisht e ftuan popullin që të bashkohej pa dallim krahine për luftë për çlirimin e vendit. Ata kundërshtuan propogandën demagogjike të Nacionalçlirimtares se gjoja Balli Kombëtar lindi si reaksion i Frontit Nacionalçlirimtar, apo si një krijesë e pushtuesit dhe provuan se ata ishin një alternativë me një program për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit.
* * *
Këtë pamje të Luftë së Dytë Botërore 1939 – 1944, ka marrë përsipër ta tregojë Enver Lepenica në librin që analizojmë “Parti Komuniste apo parti terroriste”, në një formë të re: pa foluar ai vetë, por nëpërmjet dokumentave të Ballit Kombëtar, të nxjerra me mundim nga arkivat e Shtetit shqiptar.
Në këtë pikpamje libri paraqet interes për lexuesin dhe studjuesin e historisë, pasi kemi një vështrim të ri të historisë, e pa njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar.
Autori librit vë të gjith potencialin mendor dhe i server lexuesit një libër me vlera, me fakte tronditëse, krime të papara çnjerzore, plane djallëzore, prapaskena të rrafinuara, kurthe të mirëkurdisura të udhëheqies komuniste kundër Ballit Kombëtar, duke vrarë e prerë këdo që nuk mendonte si ata.
Dokumente të shumta, që autori ka sjellë në këtë libër, pasqyrojnë skenën tragjike të Lëvizjes Antifashiste: vëllavrasjen e inicuar prej Jugosllavëve dhe e zbatuar në praktikë nga Nacionalçlirimtarja, shkakëtoi gjakderdhje në gjirin e popullit shqiptar, skenarë serial tragjik me vrasje primitive ta luftëtarëve të Ballit Kombëtar, vrasje që nuk ishin parë as në mugëtirat e shekujve të kaluar.
Dokumentat provojnë se ishin vënë në shënjestër intelektualë përparimtarë që e donin vendin e tyre dhe lirinë, por ishin kundër ideologjisë komuniste, për këtë “faj”, komunistët e Enver Hoxhës, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut realizuan eleminimin fizik të tyre nëpërmjet atentateve të njëpasnjëshme. Kjo tragjedi e popullit tonë u pasqyruar edhe në vajet dhe këngët e popullit. Një nënë dukatase lëshon klithmën:
Vendin e mbuloi zija,
Se na u vra djalëria,
I vrau dhelpër Partia!
Dokumentat që ka publikuar në këtë libër Enver Lepenica, flasin me emra konkret dhe për krime konkrete: Më 29 janar 1944, Shefqet Peçi, një kriminel legjendar me urdhërtë Enver Hoxhës pasi kapi dhe vrau filozofin, që ishte shkëputur nga ideologjia komuniste, Zai Fundon, e lidhi pas kalit dhe e tërhoqi zvarrë, për të ngjallur frikë, tmerr, terror e panik në popull. As në zakonin e hershëm të gjakmarrjes nuk keqpërdorej viktima, përkundrazi para se të qëlloheshin u bëhej thirrje që të mos vriteshin në pabesi, pastaj kufomën e kthenin mbarë e i vihej diçka e but nën kokë. Këto ishin zakonet e popullit tonë, ndërsa terroristët komunistë me zakone dhe urdhëra të marra nga serbët u tregun të pa shpirt dhe shpërfillës të çdo lloj zakoni e traditë të mirë të popullit tonë.
Dokumentat që siell Enver Lepenica, autori librit, provojnë se politikanët e shquar të Ballit Kombëtar u përpoqën vazhdimisht që të mos prisheshin marrëdhëniet me komunistët, Nacionalçlirimtaren, dhe gjithmonë tentuan të shmangin konfrontimet, të ndalin gjakderdhjen, kështu kur kapeshin robër nga ana e Ballit Kombëtar, respektoheshin dhe liheshin të lirë, e kundërta ndodhte me komunistët ata i torturonin dhe i vrisnin ballistët.
Në këtë libër autori ka botuar dokumenta me fakte tronditëse kriminale, dëshmi të llahtarshme krimesh, krime të pa imagjinueshme kundër popullit të pafajshëm sipas urdhërave që komunistët merrnin nga padronët e tyre jugosllav.
Në dokumenta del qartësisht përçarja që me aq kujdes kanë mbjellë në tokën shqiptare Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të sjelljeve të ulta çnjerzore që mbollën vazhdimisht urrejtje ndaj kundërshtarëve të tyre politik ballistëve dhe zogistëve, duke krijuar disa ndiesi çnjerzore dhe larg traditës sonë: djali partizan kërkonte të gjente baban t`i jepte një kokërr plumbi, sepse nuk qe partizan si ai!, vëllai partizan mohon vëllan sepse ishte luftëtar i Ballit Kombëtar!, motra partizane nuk qan për vëllan sepse ishte ballist!, Halim Xhelo, Dukati, mohon babanë dhe veten e quan Halim Stalini!, etj., etj.
Dokumentat e botuara, në këtë libër, flasin për emra dhe mbiemra konkret të vrarë pabesisht, në prita, si kundërshtar të komunistëve, apo pse ishin dëshmitar të veseve çnjerzore të Enver Hoxhës si: Skënder Çami, Veli Vasiari, Tasim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, Zefa Kadare, Javer Hrushiti, Kol Tromara etj., etj.
Në dokumentat e shumta del i qartë dhe pohohet nga vetë komunistët se qëllimi final i tyre ishte marrja e pushtetit me grykën e pushkës, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, propogandës demagogjike se nën udhëheqien e tyre populli do të jetonte i lumtur dhe do të hanin me lugë floriri!. Për këtë qëllim komunistët luftuan më shumë për eleminonin pa gjyq të kundërshtarët e tyre politik, sesa luftën kundër pushtuesit.
* * *
Libri “Parti komuniste apo parti terroriste”, të shtyn në mendime të thella, leximi tij, e detyron lexuesin të kthejë kokën prapa dhe të shoh se ç`ka ngjarë të tokën e tij, në fshatin e tij, në fisin e tij, pra të reflektojë për atë që ka ndodhur, kështu më ngjau edhe mua: libri më futi në mendime të thella për vendlindjen time, Smokthinën, ku kuçedra komuniste hodhi kthetrat makabre dhe e përgjaku rëndë atë me gjak vëllai. Krahina jonë Smokthina, nëpërmjet këngëve, që për atë kohë ishin edhe shtyp, edhe kronikë, edhe arkiv, demaskoi e denoncoi pa mëshirë këtë gjakderdhje që erdhi si mallkim, si pasojë e vëllavrasjes. Tragjikisht shembujt janë të shumtë:
Djalin 20 vjeçar të Isak Metes, në pragmartese, e rrëmbejnë nga fshati, Ramica, dhe e torturojënë aq barbarisht sa ai dha shpirt në duar të komunistëve vlonjatë. Populli e përjetësoi në këngë:
Një kuje te xha Isaku,
Rëndë u godit oxhaku,
Si krua derdh lotët plaku,
Se nxinte brenda konaku…
Helmi për humbjen e jetës së këtij djaloshi, qe aq i madh sa nuk e nxinte brenda konaku, dhe shumë preks është amaneti që djaloshi 20 vjeçar u lë të afërmve të tij para se të largohet nga kjo botë:
Vëllezër, prindër mos qani,
Me gazep po më del xhani,
Dhe ti nënë mos u sëmur,
Se vuaj e heq torturë,
Jam kurban për diktaturë…
Po ashtu nëpërmjet këngës, populli ka gdhendur në kujtesë Fejzo Rukën, kundër të cilit komunistët derdhën plumba pabesije në një pritë, për të vetmin faj se ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar:
Mbi Ramicë të zunë pusinë,
Ktheu Fejzo me partinë,
Hiq shkabën dhe vur yll,
Ja lëshuan breshërinë,
Të dy çapokët ia grinë…
Një bir i denj i Smokthinës Edison Musaraj, në librin e tij “Smokthina dhe smokthinjotët”, akuzon rëndë komunistin e kësaj krahine Mevlan Dervishin me njësitin e tij gueril:
Se mohuan nënë e babë.
Dhe për prind njohën Dushanë,
Dhe për nënë partinë putanë…
Në dokumentat e librit të Enver Lepenicës, që analizojmë, janë evidentuar krimet e Njësitit gueril terrorist komunist të Smokthinës nën udhëheqien e Mevlan Dervishit dhe Bako Dervishit, që kanë vrarë pabesisht në prita, pa asnjë faj, mbi 25 fshtarë të tyre, vëllezër të tyre, sepse ata nuk u pajtuan me Partinë Komunistë që urdhërohej nga Dushan Mugosha, si: Halim Derraj, Hasan Osmën Deliaj, Muharrem Derraj, Mahil Shaban Leskaj, Qani Liçaj, Malo Zigur Lelaj, Hysni Jaupaj, Murat Sullaj, Hasan Muçohasani, etj.
Populli gjith zgjuarsi në krijimtarinë e vet lavdëron ata që nuk bënë krimë dhe derdh urrejtje ndaj atyre që bënë vëllavrasjen:
Smokthinë të treti meraku
Mxorre një celulë nga barku,
Të mbyti kërma e gjaku,
T`u nxi porta e oxhaku,
Dëgjuat ca popoviçër,
Ca rrufianë ca dobiçër
Në Tërbaç s`u vranë as qentë,
Ju smokthinjotë pse u çmëndët?!…
* * *
Libri i Enver Lepenicës “Parti komuniste apo parti terroriste”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, është shumëvlerësh. Ky libër të tërheq për vërtetësinë e ngjarjeve, të provuara me dokumenta, ku ne disa raste trishtohe e ligështohe kur njihesh me krimet makabre të vëllavrasjes dhe pasi e mbaron së lexuari këtë libër me dokumenta bindesh plotësisht se Balli Kombëtar nuk u mund me argumenta e drejtësi, por me intriga, prapaskena, pabesi, hipokrizi e kurthe karakteristike për komunistët shqiptarë.
Nuk është hera e parë, që Enver Lepenica, të dallohet për studime të thelluara, të vlerësuara edhe nga personalitete të shquara të historisë.
Ai i ka vënë vetes si detyrë të çmontojë e të çvidhos mekanizmin e egër të diktaturës komuniste dhe të denoncojë krimet që ata ushtruan për afro 50 vjet ndaj popullit shqiptar.
Kur njihesh, nëpërmjet dokumentave të këtij libri, me krimet komuniste, del e qartë se Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, nga Hysni Kapo e Manush Myftiu, e kupton se ata veç krimeve në luftë, ushtruan dhunë dhe terror edhe në kohë paqie. U pushkatuan dhe u shfarosën pothuajse të gjith komandantët e komisarët që udhëhoqën njësitet e armatosura gjatë luftës, eleminuan dhe mënjanuan gjith personalitetet e luftës, vranë aspirantët e vërtetë të demokracisë.
Në krye të kësaj bande për afro 50 vjet qëndroi Enver Hoxha, kriminel shumëplanësh, paranojak, diktator specifik, kësaj mostre i duhen faturuar edhe mëkatet që u bënë pas vitit 1990, sepse shumë elementë të atij sistemi “të kalitur në kudhrën e Partisë së Punës”, infiltruan në partitë e pas 90-tës duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë së brishtë shqiptare.
Lexuesi shqiptar duke lexuar librin që analizojmë do të njohë nëpërmjet të dokumentave të vërtetat historike të asaj kohe, dhe kështu do të ndihmohet për të mësuar historinë e vendit të tij, sepse vetëm e vërteta i bën njerzit më të lirë fizikisht dhe moralisht dhe për këtë ka dhënë ndihmesën e tij edhe Enver Lepenica me veprën e tij.
T`I KTHEJMË HISTORISË SË SHQIPËRISË HERONJTË E SAJË
Studiuesi Enver Memishaj – Lepenica flet në “Nacional” për nevojën e rishikimit të historisë/
Intervistoi Qazim SHEHU/
Q. Shehu: Prof. Dr. Alqi Naqellari dhe shkrimtari Novruz Shehu kanë përmbledhur në një libër voluminoz vlerësimet që janë bërë për 11 veprat tuaja. Cilat janë temat e trajtuara në veprën tuaj?
E. Lepenica: Ju falnderoj ju dhe gazetën, për intervistën dhe gjej rastin të falnderoj me mirënjohje dhe emocion të veçantë, personalitetet e njohura z. Naqellari dhe z. Shehu për analizën dhe vlerësimin që i kanë bërë veprimtarisë time në fushën e studimeve historike dhe publiçistike.
Unë kam trajtuar në veprën time dhe në publiçistikë, tema, ngjarje dhe personalitete historikë të lëna në harresë ose që vepra e tyre pa të drejtë është falsifikuar si dhe denoncimin e krimit, dhunës dhe terrorit komunist.
Kështu psh. kam botuar dokumenta për Hysni Lepenicën, Komandant i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, figurë e pastër historike që për të pa fakte është hedhur shumë baltë dhe gurë, kam evidentuar pushkatimet pa gjyq që bënë komunistët e Vlorës nën urdhërat e Dushan Mugoshës dhe Hysni Kapos gjatë viteve 1943-1944, sulmin që këta komunistë bënë mbi fshatrat e Vlorës dhe grabitjen e pasurisë, duke djegur shtëpitë e nacinalistëve, psh në Lepenicë dogjën 12 shtëpi, në Gjorm 22 shtëpi etj.
Kam marrë për herë të parë në studim pseudonimet e përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste dhe fenomenet që shoqëruan këtë ngjarje historike.
Një vëmëndje të veçantë i kam kushtuar denoncimit të krimit dhunës dhe terrorit komunist mbi bazën e rezolutës së Këshillit të Europës dhe të Kuvendit të Shqipërisë.
Në bashkëpunim me personalitete të shquara si Visar Zhiti e Agim Musta kemi botuar në dy vëllime prej 1200 faqesh “Antologjinë e plagëve nën terrorin komunist”, në të cilën kemi përmbledhur shkrime të autoriteteve të kulturës shqiptare mbi terrorin komunist në Shqipëri.
Po kështu kam bërë vlerësime dhe kritika për shumë libra historik dhe ato që përshkruajnë terrorin komunist e ushtruar mbi popullin tonë gjatë sundimit të sistemit diktatorial komunist etj.
Kam qënë shumë aktiv në shtypin e përditshëm me artikuj, ekonomik, politik, propogandistik, shoqëror dhe historikë.
- Q. Shehu: Si është vlerësuar nëpërgjithësi vepra juaj ?
E. Lepenica: Botimi librit “Enveri i Lepenicës”, prej zotrinjëve Naqellari dhe Shehu është një vlerësim i madh për mua. Në këtë libër autorët kanë përmbledhur të gjitha vlerësimet që u janë bërë të 11 veprave të mia.
Veprat e botuara janë vlerësuar nga personalitete të shquara të kulturës dhe historisë sonë.
“Hysni Lepenica…” është vlerësuar nga Prof. Dr. Hysni Myzyri etj.
Libri “Përdorimi i pseudonimeve…” është vlerësuar nga Prof. Dr. Beqir Meta, akademik, i cili shprehet: “Libri është një botim interesant dhe shume i dobishëm për historinë e kësaj periudhe. Autori me durim dhe me këmbëngulje ka gjurmuar në shtypin e kohës, në arkiva, në literaturën historike, dhe ndër kujtimet e bashkëkohësve për të zbuluar pseudonimet e pjesmarrësve në luftë, si dhe momentet kur ata i kanë përdorur këto pseudonime. Kjo ka qënë një punë e madhe hulumtuese dhe njëkohësisht mjaft e vështirë”
Libri “Emblema e një epopeje” është vlerësuar nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut me këto fjalë: “Enver Memishaj – Lepenica i shtron dhe analizon ngjarjet dhe problemet, duke i vënë ato në kandarin e drejtësisë së shkencës historike. Vërtet libri përshkohet nga një ndjenjë e fuqishme atdhetare e autorit për figurat historike që ka marrë në studim. Por, ai nuk nguron të mbajë dhe qëndrimin e tij ndaj mangësisë, kufizimeve që shfaqen tek “herojtë” etj, pra ai nuk idealizon historinë, por e pasqyron atë në mënyrë realiste objektive”.
Libri i fundit, i njëmbëdhjeti, “Major Ahmet Lepenica … “ është vlerësuar nga Prof. Dr. Bradhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, dhe nga Prof. dr. Uran Asllani që thekson: “Në tekstin zyrtar të Historise së Kombit Shqiptar, për periudhen 1913-1920, mungojnë emrat e shumë personazheve historik me rëndesi të madhe kombëtare, si udhëheqësit e Luftës së Vlorës më 1920, etj… Këtë mangësi historike, për zonën e Vlorës, vepër pas vepre, po përpiqet ta evidentojë sakt dhe ta plotësojë Enver Memisha- Lepenica… me një konseguencë prudente shkencore… Ky autor përmend, ndërthur dhe i vë në një veprimtari intensive historike 696 emra personash dhe personalitetesh, kryesisht nga Labëria, por edhe, me tej nga Shkodra, Malesia e Madhe, Kosova etj”. Vlerësime ka pasur edhe nga personalitete të tjerë, historianë, studjues, publiçiste dhe gazetarë si Prof. Agron Tufa, Dr. Iliaz Gogaj, Dr. Bujar Leskaj, Fari Balliu, Agim Musta, Eglandina Alliaj, Çobo Skënderi, Kostaq Xoxa, Gëzim Llojdia, Shpresim Kasaj, Fari Shaska, Kastriot Frashëri, Ferdinand Hysi, Izet Shehu Thanas Hoda nga Amerika Skënder Qëndro Gëzim Zilja, etj. Të gjithë këta kanë shkruar artikuj kritikë dhe vlerësues për veprat e botuara prej meje, të cilët i falnderoj me mirënjohje dhe përulje.
- Q. Shehu: Vepra juaj e fundit është “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”. Ku qëndron rëndësia e Luftës së Vlorës ?
E. Lepenica: Bota nuk e njohu Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, kështu më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të ishte autonome, nën sovranitetin e Sulltanit. Edhe vete Ismail Qemali telegramet që ju drejtoi Fuqive të Mëdha i formuloi në mënyrë diplomatike pa përmëndur pavarësinë por duke thënë se shqiptarët kishin formuar një qeveri të përkohëshme.
Më pas, më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, me një princ të huaj që erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914.
Lufta e Parë Botërore: 4 gusht 1914 -11 nëndor 1918, e përmbysi Pavarësinë e Shqipërisë, pasi më 26 prill 1915, në Londër u nënshkrua ndërmjet fuqive të Antantës dhe Italisë një pakti i fshehtë, sipas të cilit, Shqipëria coptohej ndërmjet fqinjëve: Italisë, Greqisë dhe Serbisë.
Shteti shqiptar mbetej Durrësi dhe Tiranë me në krye Esat Pashë Toptanin, nën protektoratin italian. Në përfundim të luftës, më 18 janar 1919, në Paris u mbajt Konferenca e Paqes e cila i vazhdoi punimet edhe gjatë vitit 1920 dhe çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës.
Pra në janar të vitit 1920, Shqipëria ishte e coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.
Në këto kushte patriotët shqiptarë mblodhën Kongresin e Lushnjës, vendimet e të cilit u muarën në një kohë kur Shqipëria vazhdonte të ishte e coptuar dhe e pushtuar nga Italia, Greqia dhe Serbia.
Në këto kushte patriotët vlonjatë më 5 qershor 1920 filluan luftën kundër pushtuesve italianë. Një komitet i formuar nga patriotë, emroi Komandant të Përgjithshëm Ahmet Lepenicën, një ish oficer i Perandorisë Osmane, i cili me zotësi ushtarake, me trimëri dhe atdhetari e udhëhoqi këtë luftë në fitore, që mbaroi më 2 gusht 1920.
Kështu vendimet e Kongresit të Lushnjës morën vlerë ekzekutive kur u firmosën me gjakun e 400 dëshmorëve të Luftës së Vlorës.
Q. Shehu: Cili është qëndrimi që mbajnë historianët sot për Luftën e Vlorës ?
E. Lepenica: Ka një mirëkuptim të plotë, të të gjithë historianëve dhe studjuesve të cilët në libër janë citur se Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës rishpallën Pavarësinë e harruar të Shqipërisë dhe bota u detyrua nga Lufta e Vlorës të njohë Shqipërinë si shtet më 17 dhjetor 1920.
- Q. Shehu: Po major Ahmet Lepenicës, përse duhet të zërë vend në historinë e Shqipërisë?
E. Lepenica: Së pari duhet thënë se kjo vepër është botuar në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, sepse major Ahmet Lepenica edhe pse ishte oficer i Turqisë, ishte bshkëpunues i kryngritjeve të viteve 1911 – 1912, mbrojtës me armë i Pavarësisë Kombëtare 1912 – 1914, dhe një nga 14 burrat e shquar që rishpallën Pavarësinë Kombëtare me Luftën e Vlorës 1920, ku major Ahmet Lepenica ishte komandanti i asaj lufte.
Pra vlera dhe rëndësia historike e major Ahmet Lepenicës qëndron pikërisht në faktin se ai udhëhoqi në fitore luftën që vendosi fatin e Shqipërisë.
Në libër mbi bazën e dokumentave të shumtë arkivorë, të shtypit, folklorit dhe kujtimeve të bashkëkohësve është përshkruar edhe më tej veprimtaria atdhetare e major Ahmet Lepenicës.
Për të gjitha këto vepra dhe kujtimi i major Ahmet Lepenicës pret t`i ngrihet busti në qendër të Labërisë.
Ky libër për herë të parë:
— përshkruan plotësisht Luftën heroike të Vlorës, 1920,
— zbulon madhështinë e figurës historike të major Ahmet Lepenicës, dhe ja kthen këtë figurë historisë sonë kombëtare,
— përshkruan të dymbëdhjetë anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me në krye Osmën Haxhinë,
— përshkruan Shtabin e luftës, ushtarakë që udhëhoqën Luftën e Vlorës, ish oficerë të shkëlqyër të Perandorisë si kapiten Qazim Koculi, major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi etj dhe jo ashtu siç kanë falsifikuar komunistët se udhëheqësit e luftës ishin fshatarët pa shkollë,
— evidenton atdhetarë të Vlorës si Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti etj të cilët vunë pasurinë e tyre, për luftën, se pa këtë pasuri të agallarëve të Vlorës lufta nuk bëhej,
— fshatarët vlonjatë dhe tepelenas mbajtën peshën kryesore të luftës, ata bënë luftën të vetëm prej datës 5 deri në 10 qershor 1920 se vetëm pas kësaj datë erdhën ndihma dhe lufta mori karakter kombëtar.
- Q. Shehu: Cila është vepra që keni në duar ?
E. Lepenica: Kam përfunduar dhe do të shpie në shtyp një vepër tjetër historike “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”. Gjatë 100 vjetëve, evidentohen 43 prefektë, nëpunës të lartë të shtetit që i kanë shërbyer Vlorës. Prej tyre 30 shërbyen me përkushtim në periudhën 1912 – 1944, por që patën nga komunistët një përfundim tragjik, u pushkatuan, u burgosën ose vdiqën në burgjet e zeza komuniste, u internuan nga fashistët dhe komunistët dhe u mbuluan me harresë apo me shpifje e falsifikime.
Ata që dikur i kishin shërbyer me përkushtim shtetit, u bënë jetë të harruara, ja pra se përse është e domosdoshme për të shkruar, për të thënë të vërtetën dhe për t`i kthyer historisë personazhet e sajë të merituara.
Botuar në gazetën ‘Nacional”, Tiranë, nr. 188, dt. 3-10 mars 2013, f. 19
LAMTUMIRE ALFRED ZIJAJI!
KOHA I KISHTE REZERVUAR BREZIT TONË NJË VEPËR TË MADHE ATDHETARE/
Nga Enver MEMISHAJ/
Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha në telegramin e ngushëllimit që i dërgoi familjes së të ndierit Alfred Zijai, theksoi atë meritë që të tjerët e “harruan” apo nënvleftësuam se njeriu të cilit po i shtinin një dorë dhe për në banesën e fundit kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike.
Alfred Ziaji la pas gjurmë të pa shlyera jo vetëm në historinë e futbollit shqiptar, por edhe në historinë e lavdishme të qytetit të tij, Vlorës, prandaj është më mirë të pyesim se si rrojti ky bir i shquar i Vlorës dhe jo si vdiq në një moshë fare të re, 52 vjeçare.
Për jetën e tij heroike po flas me lot në sy në këtë shkrim.
* * *
Viti 1990, ishte viti që bëri epokë në historinë e shqiptarëve. Shqiptarët, u ngritën për lirinë e tyre dhe i dhanë fund sundimit të komunistëve gjakatarë. Ata hynë në udhën drejt një shteti demoktarik dhe ligjor si e gjithë Europa.
Në dhjetor të këtij viti në Tiranë u themelua Parta Demokratike. Vlonjatët, me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë.
E ndjenin se po afronte ndryshimi i madh. Alfred Ziaji, duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon luajti një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë.
Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 në Vlorë ishin strukturuar dy grupe demokratike:
Grupi Afrim Jupit, siç u quajt më vonë nga populli, që përbëhej nga: Afrim Jupi, Manol Bono, Maksim Hitaj, Irma Halili.
Grupi Roland Tafilit, sipas emërtimit që atij i vuri populli, që përbëhëj nga: Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Bujar Borshi.
Ndërmjet këtyre grupeve qëndronte Alfred Ziaji, me njohje dhe shoqëri me grupin e Roland Tafilit, i cili me aftës, me autoritet dhe meritat e ti, me porosi nga Gramoz Pashko i bashkoi të dy grupet.
Këta nuk kishin dijeni të qarta se si do arrihej përmbysja dhe ndryshimi epokal, por ata adhuronin lirinë, kishin intuitën, dëshirën, vendosmërinë, guximin dhe trimërinë. Në kushtet e terrorit komunist, veprimtaria pothuajse zhvillohej ilegalisht.
Ata nuk e kishin zgjeruar mbledhjen për të ruajtur konspiracionin dhe pra për të mbrojtur veten. Megjithatë këta bij të denjë të Vlorës e vranë frikën, prandaj kur unë përdor fjalën guxim dhe trimëri nuk bëj asnjë hiperbol por vetëm pohoj një realitet. Të gjithë ata që e jetuan atë kohë mizore, e dinë fort mirë se për çdo fjalë të lëshuar pa dashje apo me shaka kundër regjimit, nuk i zinte gjumi me netë të tëra, se mos shoku apo miku i spiunonte, se mos vëllait apo motrës i shkiste goja dhe përfundoje në burg.
Kordinatori i dy grupeve, Alfred Ziaji, pasi kishte biseduar me profesorin e ekonomisë, Gramos Pashko dhe kishte marrë prej tij miratimin që të vinin të deleguar nga Tirana, për formimin e Komisionit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, caktoi ditën e shtunë më 29 dhjetor 1990 të takoheshin në shtëpinë e tij.
Autoi i këtij shkrimi, e njihte mirë çiftin e bukur Ziaji, Kujtimin dhe Irfanen, Çifti ishte prerë për njeri tjetrin, të bukur të dy, por bukurinë më të madhe e kishin në shpirt dhe në sjelljen e tyre. Kujtimi kishte humbur dy vëllezër, në kushte që nuk u sqaruan asnjëherë dhe për këtë ai shikohej si “armik populli”.
Karakteri dhe shpirti tij demokratik, intuita dhe guximi e futën në udhën e luftës për përmbysjen e dikaturës komuniste, prandaj ai hapi dyert e shtëpisë së tij, pa mendur për pasojat që mund t`i vinin.
Në këto rrethana vrulli më 29 dhjetor 1990 u formua Komisioni Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike Vlorë nga disa intelektualë trima e të mençur si: Afrim Jupi, Roland Tafili,
Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha, Alfred Zijai, Bilal Çela, Manol Bono, Aleks Tahiri, Bujar Borshi, etj, të cilët treguan në atë moment madhor historik se ishin trashëgimtarë të denjë të
të parëve të tyre, mishërim i atij shpirti të lirë vlonjat që ka bërë emër e ka zënë vend nderi në historinë tonë.
Pasi diskutuan si të deleguarit edhe të pranishmit edhe pse kishte mendime të kundërta si për kthimin e pronave mbrojtur nga Bujar Borshi dhe Ventigjar Hamzaraj, pavarësisht nga
rezervat që patën grupet ndaj njeri tjetrit, pranuan dhe vendosën të gjithë njëzëri, formimin e Komisionit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Vlorës dhe firmosën proçesverbalin përkatës.
Kryetar i partisë u zgjodh Afrim Jupi, dhe sekretar Roland Tafili.
Fillimisht mbledhjet e PD-së janë zhvilluar pothuajse ilegalisht në shtëpinë e Kujtim Zijait dhe më pas në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt. Mbledhje janë zhvilluar edhe në shtëpinë e Afrim Jupit, atje janë bërë edhe takime të Sali Berishës me drejtuesit e PD-së së Vlorës.
Alfred Ziaji, Kreshnik Çipi dhe Rrapo Taho si aktivist të shquar e kthyen të gjith skuadrën e futbollit “Flamurtari” me PD-në, duke ushtruar një ndikim të madh tek të gjithë qytetarët.
* * *
Po kush ishte në atë kohë Alred Ziaji ?
Ai kishte lindur në Vlorë në vitin 1961. Përfaqësuesi tipik i mënçurisë dhe guximit të rinisë vlonjate. Ishte diplomuar në Akademinë e Sporteve, dhe në fakultetin e Drejtësisë. Futbollist i shquar i “Flamurtarit” të Vlorës dhe i kombtares së Shqipërisë. Pedagogia e tij, në Akademinë e Sporteve, Mimoza Pashko, në vitin 1986 e kishte njohur me bashkëshortin e saj, pedagogun e ekonomisë në Universitetin e Tiranës Gramos Pashko, me të cilin lidhi miqësi. Bindjet e tij dhe kjo lidhje miqësore e shpunë atë në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Një mik i tij, Mihal Çela, e kishte prezantuar me Ventigjar Hamzarajn, i burgosur politik, dhe ky e prezantoi me vëllezërit Shaska, Farinë dhe Bedrinë dhe së bashku diskutonin dhe propogandonin kundër diktaturës komuniste. Më pas u bashkuan edhe me Roland Tafilin dhe Hasko Hoxhën dhe u përgatitën për themelimin e Partisë Demokratike. Ai thotë se: “Radjon, “Zërin e Amerikës” e dëgjonim tek shtëpia e Ventigjar Hamzarajt, dhe më pas propagandonin idetë që dëgjonim atje”.
* * *
Për të propaganduar idetë demokratike që përfaqësonte Partia Demokratike, për bërë të ditur themelimin e Partisë Demokratike në Vlorë, Komisioni Nismëtar thirri në një miting.
Nuk është gabim që dita e themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës të quhet data 6 janar 1991, sepse këtë ditë populli i Vlorës duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike doli në
shesh, konfirmoi dhe miratoi Partinë Demokratike. Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike të Vlorës, tashmë ishte plotësisht i ligjshëm, i zgjedhur dhe miratuar nga populli.
Ishte një miting historik, madhështor dhe që do të mbahet mënd gjatë nga vlonjatët. Ne që morëm pjesë në atë miting dhe që më vonë u bëmë pishtarë të udhës demokratike të vlonjatëve
e kuptuam se historia e qytetit tonë po hynte në një epokë të re fatlume për Shqipërinë, duke lënë pas një epokë vuajtje, mjerimi dhe lotësh. Fati i kishte rezervuar brezit tonë këtë vepër të madhe atdhetare
Alfred Ziaji kujton se: “Më 6 janar ishte ndeshja e futbollit ndërmjet “Flamurtarit dhe “Elbasanit”. Nga mitingu ne shkuam në ndeshje të cilën e fitoi Elbasani 2 me 1. Por kur ne bëmë golin i gjithë stadiumi shpërtheu në entuziazëm u ngrit në këmbë me dy gishtat lart, gjë që tregonte se qytetarët vlonjatë e kishin aprovuar themelimin e Partisë Demokratike dhe se ishin me të”. Policia kishte bllokuar rrugët gjoja që të mos kishte ngjarje të pa parashikuara, po në fakt ajo synonte të ndalonte popullin që të merrte pjesë në miting, dhe kështu të ulte autoritetin e Partisë Demokratike në popull. Rrapo Taho ka udhëhequr Lagjen e Re, dhe në krye të demonstruesve ka çarë rrethimin e policisë që të mbeteshin rrugët e lira për të shkuar populli në miting. Po kështu policia refuzoi mbajtjen e mitingut, me pretekstin absurd se gjoja ajo ishte e angazhuar me ndeshjen e futbollit “Flamurtai” -“Elbasani”, dhe se kërkesa për mitingun duhej
firmosur dhe vulosur nga qëndra në Tiranë .
Më 13 mars 1991, u bë Kuvendi i Parë i Partisë Demokratike të Vlorës, ku ndërmjet 20 anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie figuronte edhe emri plot dritë i Alfred Ziajit, siç mbeti I tillë gjatë gjithë jetës tij.
Në intervistën e parë, më 23. 6. 1991, që ka dhënë si kryetar i Partisë Demokratikë z. Afrim Jupi ka deklaruar ndërmjet të tjerave: “Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë…
* * *
Vlera e xhestit epokal të 9 burrave që formuan Komisionin Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, ose më saktë, Partinë Demokratike qëndron në atë, se ata filluan dhe çelën një
epokë të re për historinë e Vlorës, prandaj vitet kalojnë dhe ata rrisin përmasat e tyre.
Ishte koha kur kishte mbaruar rezistenca e individit dhe tashmë kushtet kishin thirrur në skenën shoqërore, rezistencën e partive politike. Këta ishin të parët që vranë frikën dhe u rritën në sytë e
vlonjatëve dhe gjithë Shqipërisë. Askujt nuk i shkonte në mëndje se si do të shkonin më tej zhvillimet politike dhe shoqërore, aq më tepër për mungesën e informacionit, prandaj të gjitha ata që, që në ditën e parë që u sanksionua rezistenca meritojnë të vlerësohen dhe të dallohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ata u bënë aktorët e jetës politike e shoqërore. Ata burra u ngritën mbi dhunën që brente vëndin.
Vështirë të gjesh njësi matëse për të vlerësuar veprën e këtyre burrave që themeluan Partinë Demokratike dhe të atyre vlonjatëve që, që të nesërmen u bashkuan me Partinë Demokratike dhe nuk u ndanë prej saj edhe në ditët e terrorit komunist të viteve 1997 – 1998, ata bënë epokë.
Një qytet njihet dhe identifikohet prej emrave të mëdhenj që ai nxierr e rrit dhe këta burra që, që nga 6 janari i vitit 1991, ecën pa u ndarë nga Partia Demokratike, janë prej këtyre emrave të
mëdhej të qytetit të tyre. Nderim të veçantë meritojnë një shumicë e qytetarëve vlonjatë, të cilët mbasi mbaruan misionin e tyre historik u kthyen në shtëpitë dhe hallet e tyre, ose vazhdojnë të japin kontribute pa këruar asnjëherë grada dhe ofiqe, këta dhe vëtm këta, këta “njerzit e pa
njohur”, përbëjnë vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare.
Të nënët qytetarët e shquar vlonjat ndërmjet të cilëve edhe emri plot dritë e lavdi i Alfred Ziajit, gdhëndën një datë historike, 29 dhjetor 1990 dhe 6 janar 1991, ndërsa Vlora ende nuk u ka kthyer borxhin këtyre burrave t`i bëjë qytetar nderi të sajë. I kam pyetur edhe për pasurinë, nismëtarët e parë të Partisë Demokratike dhe ata të gjithë më janë përgjigjur me një fjali të
vetme:
– Pasuria jonë janë idetë tona që triumfuan mbi diktaturën.
Ja pra pse duhej përmëndur dhe përse duhej vlerësuar i paharruarai Alfred Ziaji, Vlora duhet të jetë krenare për këta bij të denjë të sajë.
Në vitin 1990, ata qenë të bukur dhe me flokë të zes, sot atyre u janë thinjur flokët por zëmrën e kanë të re, si në vitin e lavdishëm 1990.
* * *
S h ë n i m:
Për më shumë shih: Enver Memishaj “Lëvizja demokratike në Vlorë 1990 – 1991”, Tiranë 2011