• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A-ja e përzgjedhjes së liderëve tanë

December 9, 2016 by dgreca

2-lindita-komaninga Lindita KOMANI/

Si të dallohet perversi nga joperversi, qelemëzi pra nga jo qelemëzi, i zvjerdhuri nga jo i zvjerdhuri. Kjo duhet të jetë A-ja në punën e mençur për të përzgjedhur liderët tanë të sotshëm e të ardhshëm.

Si vallë ta bësh këtë dallim? Sigurisht që kur personi në konsiderim ka pasur probleme fizike, mendore, sjelljeje në familje, shkollë, me gra, me burra e fëmijë, personi herët apo vonë do t’i manifestojë të njëjtat gjëra në marrëdhënie me përgjegjësi kolektive, si ato me popullin që do e trajtojë si rrogoz ku fshin këmbët, ato me përfaqësuesit e popujve të tjerë. Një cikël perversioni e përjetuam të plotë.

Na zuri fëmijë e tani nuk po na lëshon ende dhe si prindër fëmijësh (kam parasysh bashkëmoshatarët këtu që janë prindër). Po kështu prindërve tanë iu dogj jeta dhe shpresat nën perversionin pararendës. Pra duhet me zënë mend përfundimisht. Rini e Pasrini, po qe se vini re perversin, qelemëzin, të zvjerdhurin e radhës që përpiqet të ngjitet e të kapë pushtet, mos ia jepni dorën, as fjalën, as mendjen. Të paktën mos të bëheni personalisht përgjegjës për gjëmën e radhës.

E shkruar me 8 Dhjetor

Filed Under: Komente Tagged With: A-ja e përzgjedhjes, Lindita Komani, së liderëve tanë

Dita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare

December 5, 2016 by dgreca

1-lindita-komaniDita Ndërkombëtare e Punës Vullnetare. Në Austri e përkujton Ministri i Jashtëm me një postim. Në një popullsi prej rreth 8,5 milionë banorë, mbi 3 milionë angazhohen vullnetarisht në shoqata e organizata të formave të tjera dhe japin ndihmën e tyre për një shoqëri më të mirë. E mësojnë thuajse që në djep që kjo është një sjellje normale në jetesën në shoqëri. Nga kjo sjellje austriake u infektova edhe unë në kohën që jetoja aty. Sigurisht që infektimi nuk ndodh te kushdo, se duhet të kesh prirje altruiste të lindur. Pavarësisht zhgënjimeve të shumta që mund të kem pësuar nga marrëdhëniet me njerëz që mezi presin për “viktima” vetësakrifikuese për të përfituar nga puna falas që ata/o bëjnë, apo mosbesimit që mund të kenë pjesëmarrësit në një nismë shoqërore si pasojë e prirjes së theksuar drejt mosbesimit që kemi si popull, mund të them se angazhimi vullnetar është diçka me vlerë. Ke plotësim shpirtëror, si pjesë e një komuniteti ndihmon në një çështje që është me vlerë për ty e mund të jetë edhe për shoqërinë si e tërë, duke bashkëvepruar për një të mirë të përbashkët, njeh njerëz e ku i dihet se ku të çojnë edhe lidhjet që krijohen me këtë rast. Aktualisht praktikuesit e rregullt të këtij sporti në Shqipëri konsiderohen si budallenj. Por unë besoj që kur përqasja ndaj kësaj teme të ndryshojë, me dëshirë e jo me dhunë shtetërore si në diktaturë me të djelat e pastrimit apo aksionet që prindërit tanë i njohin mirë, punët si shoqëri do të na shkojnë më mirë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dita nderkombetare, e Punës Vullnetare, Lindita Komani

Ardiani dhe Arditi

October 18, 2016 by dgreca

…-Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty…/

Nga Lindita KOMANI/*1-lidnita-komani

Kur binte shi, deri te gjuri u mushte plot me ujë. Edhe ishte ftoftë shumë, nuk kishte asi lloj kushte. As maskë s’kishe, vetëm nji palë doreza na kanë dhon, mu për vete, vetëm një palë doreza m’kanë dhon.

Më 15 qershor (ishte dita e parë). Vajta në punë, turni i dytë, në orën 3. I thashë unë: A ka vend për punë? M’thanë po. M’dhanë dorezat.
I thashë përgjegjësit të madh (për punë)… Ai edhe tha… M’dhanë dorezat, vajta, bona turnin e dytë atë ditë, pastaj ai tha, do të kthena turnin e tretë. U ktheva turni i tretë, çdo natë pastaj, ndejta unë n’punë. Edhe m’u kishte bezdis.

Ne punoshim tetë orë. Nga ora 11 e merrshim deri n’orën 7. Kishim si proçes t’punës, si t’i jipshin ato. Ishe 8 orë, kishe me 8 mijë lekë. Ishe edhe me 10 që ishe lopata.

N’lopatë. Me gjithë vëllain.

Kishte sa t’dush kishte (bashkëmoshatarë). Edhe 15 vjet, aty.

Jo (nuk isha i siguruar).

Ne i merrshim n’dorë, atje lart tek zyrat (pagesat).

Po (ka pat aksidente), njori biles ka thy komën atje, po mbrapa që e kam lon unë punën. Edhe at ditë kur morrëm rrogat, ishte me kom të thyme, me paterica ishte tu ec. Nuk e di (si ndodhi), se e kasha lon unë punën, e s’e kam pa.

Ka pas t’vdek te fusha poshtë. E ka pas zon traktori. Ka pas qenë traktori me goma rrumbullake prej hekri, edhe kanë qenë si thumba, që u ngulnin n’dhe, që mos rrshqiste. Edhe ai e ka pas shty.

Këtu është emri i vëllajt, me gjithë mbiemrin këtu. Kurse ktu o vëllaj.
Po (më merr malli për Arditin).

Ardiani tregon tatuazhin me fytyrën e vëllait. Mban shtrënguar lart mëngën e këmishës me kuadrate dhe përkul kokën që ta shohë edhe ai vetë tatuazhin e freskët. Arditi shfaqet me buzëqeshjen e fëmijës së rritur para kohe, nga hallet dhe nevoja për të gjetur vetë zgjidhje për to. Ardiani përlotet e zëri i humb.

Po (për shkollën u futa në punë). Ndihmonim familjen, blenim rrobat e shkollës, librat, t’gjitha.

Ardiani fshin lotët.

Po si s’du unë drejtësi (për Arditin). Drejtësia duhet, edhe mos me e pas vëlla duhet bo se drejtësia të jetë gjithmonë. Ata e zejmë sikur ka qenë në… ke ura e Beshirit ka qenë një stallë lopë. Edhe aty kanë pas qenë myt lopë, aty ka vajt me pa se sa kren janë myt, këtu të paktën t’kishte ardh me ngushllu. Këtu s’ka ardh asnjë.

Arditi ul kokën mënjanë.

*(Duke parë e dëgjuar “Kodrina e vdekjes” nga Publicus…)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ardiani dhe Arditi, Lindita Komani

Sa KUQEZI jemi ne vërtet?

August 21, 2016 by dgreca

NGA LINDITA KOMANI/*

Duhet thënë. Një komb shqiptar që mendohet se po bëhet duke numëruar se cili futbollist po vjen nga Kosova apo diaspora shqiptare, andej ku ajo ndodhet e pandarë nga kufij, që t’i bashkohet kombëtares kuqezi, në fakt nuk është duke u bërë. Kombi nuk bëhet me futboll, as duke luajtur futboll e as duke bërë tifozllëk futbollistik. Mania kuqezi sado sinqerisht e natyrshëm të dalë nga shpirti e sado mirë të orkestrohet e inskenohet në mënyrë të organizuar, mbaron me mbarimin e ndeshjes së radhës dhe me 3 ditët e famshme që sikurse e parashtron edhe mençuria e popullit, mjaftojnë për të harruar çdo gjë. Kombi mbetet zvarrë në mes këtyre ditëve ndeshjesh që janë aq të rralla sa të rralla janë eliminatoret për kampionatin europian apo botëror.

Jetojmë fatmirësisht në sistemin e njeriut të lirë i cili me aftësitë që zotëron, ka të drejtën të lëvizë kudo që mendon se vlerësohet dhe trajtohet me dinjitet. Futbollisti ashtu si edhe shkencëtari, artisti, profesionisti në fusha të tjera dhe njeriu i thjeshtë që kërkon një të ardhme më të mirë për familjen e tij, mund të lëvizë kudo. Për sakrificat që ai bën, nuk do t’ia dijë njeri, ato i njihen dhe i përfliten vetëm kur bëhet figurë aq lart në rendin e publikes shqiptare sa të ketë vëmendjen e të gjithëve. Por, nëse për artistët e shkencëtarët madje edhe emigrantët që punojnë punë më pak të dukshme, nuk thotë gjë njeri se pse zgjedhin të punojnë në një vend të caktuar, për futbollistët duket sikur kalohet në ndërkryerje për t’i bërë të ndihen keq se pse kanë zgjedhur një skuadër tjetër e jo atë kuqezi. Forma madhore të panjohura më parë duket se po merr ky lloj sulmi me rastin e kalimit të një pjese të futbollistëve shqiptare me origjinë nga Kosova, në skuadrën e futbollit të këtij shteti.

Në vend që tani të ishim duke folur për çështje të kombformimit, si: rrugë, ekonomi, kulturë, kufij, politikë, zhvillim të përbashkët me Kosovën, dhe këto t’i shihnim si tema të përditshme në rubrikat e lajmeve, në mediat e shkruara dhe ato televizive, lexojmë e bëhemi pjesë emocionalisht e sulmeve të rënda që po bëhen mbi futbollistët. Eshtë për t’u zhgënjyer rëndë që burim për këto sulme bëhen analistë, të cilët pikërisht edhe për shkak të pozicionit të privilegjuar që kanë në shoqëri, në vend që me tema të qenësishme t’i paraprinin debatit të kombformimit që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh, merren me futbollistët dhe i hedhin benzinë zjarrit fashisto-komunistoid që është ndezur për të stisur një imazh kombëtarizmi i cili synon të mbulojë e kompensojë defiçite të tmerrshme në çdo fushë të shtetit tonë, e pse jo të gjenerojë të ardhura të pamata për grupin që e manaxhon futbollin këtu.

Futbolli shqiptar nuk do të kishte ndarje, nëse drejtuesit e tij të zgjedhur këtu në Shqipëri do të ishin aq vizionarë sa të hapnin dyert dhe të mirëprisnin drejtuesit e futbollit shqiptar edhe përtej kufijve shtetërorë; të punonin të gjithë në mënyrë të koordinuar tyre e pa parë kufij, për të krijuar një federatë mbarëshqiptare e cila mban si krerë të saj përfaqësues nga të gjithë territoret shqiptare, e cila punon për të zgjedhur talentet më të mirë e për t’i ndihmuar të bëhen për vete e shembull frymëzues për të tjerë. Edhe nëse është zhvilluar ndonjë debat televiziv për temën e kombëtares së futbollit e ndonjë analist jo detyrimisht futbolli është shprehur mbi temën e organizimit të përbashkët mbarëkombëtar të futbollit, reagimet nga analistë të tjerë kanë qenë ose rrëzuese ose zhurmuese. Moderatorët mund të mos kenë insistuar më tej, ashtu sikurse publiku do të kishte dëshiruar që të ndodhte e gjithçka ka mbetur si një temë e parrahur mirë deri në fund.

Kush duhet të jetë nismëtar për federatën mbarëkombëtare? Tifozat Kuqezi kanë vite që janë vetorganizuar në mënyrë shembullore, pa kërkuar e harxhuar fonde shtetërore, por thjesht duke investuar kohën, vullnetin, paratë e tyre. Pa bujë e se ua ka dashur zemra e mendja, ata kanë krijuar e rritur atë që pa frikë mund ta quash Federata Mbarëkombëtare e Tifozëve. A mos ka ardhur koha që tifozat kuqezi të bëjnë përpara e të kërkojnë me vullnet të plotë të organizojnë një federatë mbarëkombëtare e cila të ngrinte në tjetër nivel diskutimin e paçuar deri në fund? Nuk është për t’u habitur që nëse ata merrnin përsipër ta nisnin e drejtonin, ata jo vetëm të arrinin ta organizonin në mënyrë perfekte, por të mundësonin një frymë tërësisht të re dhe të nevojshme për krejt sportin shqiptar.

Nëse dalim jashtë futbollit, duke parë arritjet e olimpistëve nga Kosova dhe problemet e lidhur me ekipin e olimpistëve nga Shqipëria, me shaka ose jo është për t’u propozuar që gjithë sportistët shqiptarë, të garojnë nën organizmat respektivë sportivë të Kosovës. Duke pasur konkurrencë direkte nga shqiptarë që e kanë me zemër mirorganizimin dhe zhvillimin e sportit si dhe trajtimin me dinjitet të sportistëve dhe sakrificës së madhe të bërë prej tyre e familjeve të tyre, ndoshta drejtuesit e organizmave sportive këtu në Shqipëri do të ndëgjegjësoheshin që nuk kanë monopol mbi shpirtin sportiv shqiptar dhe si ata ashtu edhe qeveria shqiptare që buxhetin e sportit duket se po e harxhon vetëm për futbollin, do të detyroheshin të bënin një ndryshim rrënjësor në përqasjen e tyre ndaj sportit dhe riformulimin e politikave shtetërore në këtë drejtim.

Ndërkohë duke kapërcyer kufijt e temave sportive: kush duhet të kujdeset për debatet që shkojnë në linjë me temën e kombformimit? Në nivel individësh e grupesh që përgjithësisht nuk bien në sy, sepse nuk janë nën dritën e mediave, ka mjaft përpjekje për t’u afruar e bërë realisht një. E kjo ndodh në çdo fushë të jetës. Njerëzit e thjeshtë në këtë aspekt janë shumë më përpara se drejtuesit e zgjedhur apo të pazgjedhur të tyre, shumë më përpara se analistët të cilët çdo ditë kanë platformën e duhur për të bërë çdo gjë e që nuk e bëjnë. Por përpjekjet e tyre nuk mediatizohen mjaftueshëm ose edhe nëse kjo ndodh, ndodh atëherë kur ata që bëjnë përpjekjen kanë miqësi me gazetarët dhe gazetarët e bëjnë për hir të miqësisë mbulimin mediatik. Sigurisht që këtu janë për t’u përmendur edhe rastet kur për mbulimin mediatik kërkohen tarifa të majme reklame. Kjo është në linjë me kombformimin? Në këtë këndvështrim, një propozim konkret për mediat e gazetarët si burimi njerëzor që i mban ato në këmbë do të ishte: përse nuk bëni edhe ju një akt konkret në axhendën e mundshme të kombformimit, si për shembull të krijoni një organizatë të përbashkët përtej kufijve për të mbrojtur veten tuaj dhe gazetarinë shqiptare nga pushtetet autoritare që na drejtojnë? Për të mbrojtur e edukuar brezat e rinj mbi cilësinë e të shkruarit e përdorimin e gjuhës shqipe në shkrime e diskutime mediatike që aktualisht e dini edhe ju vetë mirë se në ç’nivel është? Kështu do të jepnit edhe ju shembull konkret ndërtues organizmash mbarëkombëtare që mund të jetë në linjë me një axhendë kombformimi shqiptar. E meqë këto ditë po flitet për një takim në Nish të kryeministrit të Shqipërisë me homologun serb, të ushtrohet trysni me opinionet tuaja që në këtë takim kryeministri të mos guxojë të bëjë marrëveshje në emër të Kosovës apo që ndikojnë direkt e indirekt mbarëvajtjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, kur ai është nuk është i zgjedhur prej shtetasve të saj.

Po në këtë këndvështrim, edhe një propozim konkret për opinionistët më të rinj, të gjithë që si adoleshentë apo edhe më të rinj se kaq kemi përjetuar afrimin me Kosovën që nga koha e luftës pas mesit të viteve ’90 e deri më sot: Shfrenojeni fantazinë, të dashur bashkëmoshatarë. Ju jeni të përgatitur më së miri dhe jeni rritur më shumë me frymën e të përbashkëtës mbikufitare sesa brezi paraardhës që njeh ndasinë, kufijtë dhe mungesën e informacionit e për këtë arsye edhe krijimin e stereotipeve të gabuar në mendje. Shkruani më shumë në platforma elektronike, jepini peshë mendimeve tuaja të formuara me frymë perëndimore, dhe shtroni ato tema të kombformimit që të rriturit një Zot e di pse nuk guxojnë t’i shtrojnë e trajtojnë në mënyrë të plotë e pa komplekse.

Gusht 2016

  • Redaksia e Diellit e falenderon autoren Lindita Komani qe e ndau kete shkrim me lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: jemi ne vërtet?, Lindita Komani, Sa KUQEZI

Çfarë perspektive për Kosovën?

December 3, 2015 by dgreca

nga: Lindita Komani/

Duke ndjekur zhvillimet e javëve të fundit në Kosovë, si në sallën e parlamentit ashtu edhe në rrugët e kryeqytetit Prishtinë, nuk mbetet gjë tjetër veçse të shpresosh që të gjithë që janë përfshirë e kuptojnë se çfarë po ndodh e çfarë kontributi po japin në mënyrë aktive e pasive në shndërrimin në parashtet të një shteti të krijuar me mundime.

Në një ditë si kjo e sotshmja, përkujtohet lindja e Ibrahim Rugovës dhe e nderojnë atë pasardhësit në detyrë në LDK të cilët pak i kanë lënë kësaj partie nga pesha dhe fryma e fillimit të viteve ’90. Ajo kohë mblodhi të rinj e të moshuar në urtinë e rezistencës jo të dhunshme, në aktivizim masiv popullor që në ato përmasa e me atë vlerë, nuk është parë më pas as aty e as nga kjo anë e kufirit në Shqipëri. Të moshuarit e asaj kohe nëse sot janë gjallë, me siguri që pas përjetimit të vuajtjeve të paraçlirimit, çlirimit, pavarësimit, krijimit të shtetit e degradimit gradual të tij, kanë gjëra për të thënë. Të rinjtë e asaj kohe, tashmë në mesin e të 30-ave e 40-ave, po ashtu me siguri që kanë gjëra për të thënë. Sa po i shprehin? Ne ç’mënyrë po i shprehin? A është lufta me gazlotsjellës alternativa e vetme shpëtuese për Kosovën?

Ndërkohë që jemi të tronditur nga sa po ndjekim, për më tepër duke marrë parasysh gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet edhe vetë Shqipëria aktualisht, me kaos politik e stanjacion ekonomik, pa ide e strategji për rrugëdalje, shpresojmë të shohim urtinë të fitojë e të udhëheqë drejt zgjidhjeve. Një letër e gazetarit Enver Robelli drejtuar Albin Kurtit, ndarë dje në rrjetet sociale, dukej një përpjekje e parë serioze për t’i bërë njerëzit të shohin se ka alternativë tjetër. Një takim i katër njerëzve me mend në Nju Jork i bërë publik me një foto po ashtu në rrjetet sociale duket gjithashtu si një shenjë tjetër që të urtët (të rinj aktivë të viteve ’90 e më pas në Kosovë e Diasporë) kërkojnë të tjera mundësi e tregojnë direkt e indirekt se po kërkojnë për këtë. (Me shaka ose jo dukej si një lloj mbledhje e një Këshilli të Emergjencës që nëse ende nuk është krijuar, vlen të krijohet e mundësisht të përfshijë edhe të ngjashëm nga kjo anë e kufirit.)

A është egërsuar populli deri në atë farë mase sa të dojë të rrëzojë shtetin? Njerëzit duan prosperitet e perspektivë për veten e fëmijët, siguri e stabilitet në një shtet i cili luftohet nga fqinji i vet ish-pushtues që të mos njihet ndërkombëtarisht.

Sa prosperitet e perspektivë kanë njerëzit aktualisht në Kosovë? Largimi masiv me autobuzë nën sytë e policisë e mediave gjatë këtij viti ka qenë një shenjë e qartë që nuk janë ekzistente. Përballë kësaj njerëzit kanë luksin e drejtuesve të shtetit të cilët nuk kanë justifikimin më të vogël për arritjen e tij. (Kjo vlen njësoj edhe për nga kjo anë e kufirit.)

Sa siguri e stabilitet kanë në shtetin e tyre? Trazira politike që vetëm se është thelluar me hedhjen e gazit lotsjellës dhe arrestimet e ditëve të fundit, nuk jep shpresë për mirë. Acarimi ndaj sistemit politik, me zgjedhjet politike demokratike që në mënyrë të përsëritur nuk po shërbejnë për t’i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit, vetëm se po shtohet. Manovrat për krijimin e qeverisë që u nis me tjetër konstelacion fitues e përfundoi me tjetër, vetëm se presin në besë mirëbesimin mes politikanëve dhe çka dukej e nisur për të mundësuar ndryshim kthehet në varrezë për shpresën. (Ngjashëm mund të shkruhet edhe për zhvillimet nga kjo anë e kufirit.)

Kësaj çorbe fatkeqe i shtohet loja e fundit që fqinji ish-pushtues luajti dhe e cila bëri të mundur që Kosova të mos anëtarësohej dot në UNESCO. Me një llogari të thjeshtë, Kosova, në mos të votojë thjesht kundër Zajednicës, do të ishte me mend që ta shtynte për një kohë vendimin e marrë zyrtarisht prej saj, të paktën deri kur Kosova të njihet si shtet nga Serbia e të jetë anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare pa pengesë nga ky vend fqinj.

Në këtë pikë, për të mos krijuar heronj lotsjellës e për të treguar që shteti është shtet e nuk do të zbresë në parashtet, është koha për liderët politikë që kanë ruajtur urtinë e elitën që qëndron e tërhequr në jetën e vet, të bëjnë më të mirën e mundshme që politikanët të kuptojnë që janë aty për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe për të mbajtur në këmbë e forcuar shtet e kjo nuk ndodh duke arrestuar e mbajtur në burg pjestarë të opozitës, nuk ndodh duke hedhur gaz lotsjellës. Të kthehet sadopak nga ajo urti e rezistencë e jashtëzakonshme që populli i Kosovës dëshmoi se ishte në gjendje të rriste brenda vetes e që e çoi drejt kërkesës së drejtë për pavarësi e shtet. Nëse duhen me çmos forma protagonizmi për t’u profiluar më tej si politikanë e liderë popullorë, atëherë le të shfaqen këto në kuadër protestash masive në krye të popullit e në kërkim zgjedhjesh të parakohshme, qeverie teknike që është në gjendje të sigurojë mbarëvajtjen e shtetit e të zbusë gjendjen e rënduar. (Në një gjendje të ngjashme ndodhemi edhe nga kjo anë e kufirit, me trazimin e përgjithshëm dhe pasigurinë ekonomike që janë arsye të forta që vendin herët ose pak më vonë do e çojnë në zgjedhje të parakohshme.)

Mos të harrohet që ndërkohë që këto po ndodhin, policia italiane në bashkëpunim me policinë e Kosovës arrestoi katër persona të dyshuar se mund të bëjnë akt terrorist, nga i llojit që fundos çdo lloj përpjekjeje që është bërë sa për gjithë kohërat bashkë për të arritur këtë privilegj që kemi, të jetojmë në liri e demokraci sado e gjymtuar qoftë ajo. Në kushtet e një lufte që duket se po kalon përmidis territoreve tona, me këtë bagazh njohurish në qarkullim, me dy shtete që duhet të mbajnë fort njëri-tjetrin se të afërm më të rëndësishëm të paktën në këtë kontinent nuk kanë, është arritur mosha e pjekurisë e kjo moshë nuk lejon më gabime.

2 Dhjetor 2015

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfarë perspektive, Lindita Komani, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT