Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Lindi më 26 shkurt 1924 në Shkodër dhe që në rini, me mbështetjen e arsimtarit dhe të muzikantit shqiptar, Atë Martin Gjoka, do të brymosej në liceun klasik “Illyricum” me parimet bazë të këngës klasike kryesisht religjoze. Pas çlirimit të vendit, i shtyrë edhe nga rrethanat, e pa të udhës braktisjen e trupës së liceut “Illyricum” dhe rreth viteve 1947-1950 punoi pranë Korit të Përgjithshëm të Shtetit e më pas pranë Ansamblit të Ushtrisë, si solist dhe si korist.
Përmes pjesëmarrjes në disa festivale, figura e tij do të kristalizohej si një nga yjet në ngjitje të operistikës shqiptare. Shteti shqiptar, si pjesë e marrëveshjeve me shtetet e lindjes e dërgon për studime të riun Kaçaj të garojë pranë Konservatorit “P.I. Tchaikowsky” në Moskë, ku spikati me talentin e tij. Pas ardhjes në atdhe do të bëhej pjesë e Teatrit të Operas dhe të Baletit dhe pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Kaçajt do t’i ndërpritej karriera artistike në vitin 1973, kur do të dënohej me akt-akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”.
Rapsodi plak tek filmi “Skënderbeu”, Don Bazilio tek opera “Berberi i Seviljes”, Gjini tek opera “Mrika” e shumë role të tjera të luajtura prej tij në opera apo në filma te ndryshëm, do të groposeshin gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Pas vdekjes, në vitin 2009, dekorohet nga institucioni i Presidentit të Republikës me dekoratën “Nderi i Kombit”.
Më poshtë, paraqitet Kaçaj në rini, një foto e tij shkëputur gjatë ekzekutimit të rolit të rapsodit plak në filmin “Skënderbeu”, si edhe një kërkesë për shtim burse akorduar në emër të tij.