-Ministri Bajrami u prit në Mal të Zi nga ministri i Arsimit dhe ministrja e Shkencës-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami po qëndron në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku sot ka pasur takime të rëndësishme me udhëheqës të institucioneve më të larta të arsimit dhe shkencës, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit.
Ministri Bajrami është pritur nga ministri i Arsimit i Malit të Zi, Predrag Boskoviç, me të cilin është pajtuar për bashkëpunim në të gjitha nivelet e arsimit. “Me ministrin Boshkoviç, u pajtuam për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të përvojave akademike universitare në të mirë të ngritjes së cilësisë, e po ashtu edhe në aspektin e integrimeve regjionale dhe evropiane”, bëri të ditur ai.
Ne, theksoi ministri Bajrami, u pajtuam plotësisht që të ndihmojmë arsimin shqip në të gjitha nivelet në Mal të Zi, që të krijojmë një cilësi në shkollat shqipe, duke siguruar mësimdhënës të përgatitur, por edhe kushte të mira për mësim. “Do të mbështesim shkollat shqipe këtu me të gjitha mundësitë që kemi në një platformë të bashkëpunimit ndërshtetëror”, tha ministri kosovar.
Po ashtu, ministrat e arsimit të të dy shteteve kanë biseduar edhe për nevojat që ka arsimi shqip në Mal të Zi dhe mundësisë për të pranuar më shumë studentë në Universitetin e Prishtinës për përgatitjen e mësimdhënësve për mësimin në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për lehtësimin e procedurave të njohjes reciproke të diplomave.
Ministri Bajrami e ka falënderuar homologun e tij malazez edhe për gatishmërinë që t’i mundësojë Republikës së Kosovës të ndihmojë arsimin shqip në Mal të Zi me tekste. “Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të zhvillojë bashkëpunimin në arsim me platforma patriotike, por reale. Interesat e komunitetit, interesat e mësimit në gjuhën shqipe këtu janë jetike dhe ne kemi arritur konsensus të plotë që të bashkëpunojmë me një vullnet pozitiv”, tha ministri Bajrami.
Ministri kosovar Bajrami është pritur edhe nga ministrja e Shkencës e Malit të Zi, Sanja Vllahoviç, me të cilën ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për projkete të përbashkëta shkencore, por edhe për projektet evropiane si Erasmus+, Horizon 2020, ku dy shtetet mund të konkurrojnë për fonde dhe studime të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Të dy ministrat kanë biseduar edhe për shkëmbime akademike të profesorëve të të dyja vendeve dhe janë pajtuar që së shpejti ky bashkëpunim të konkretizohet me një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Ka një vullnet jashtëzakonisht të mirë midis dy shteteve që të ecim përpara në rrugën tonë evropiane edhe me raporte jashtëzakonisht të mira e miqësore, ku arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të shënojmë rezultate të mira”, tha ministri.
Ministri Bajrami gjatë ditës është takuar edhe me Komisionin Parlamentar për Arsim të Malit të Zi, të kryesuar nga Branka Tanasijeviç.
Gjatë ditës së nesërme, ministri Bajrami do të takohet edhe me udhëheqës të Komunës së Ulqinit, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe përfaqësues të partive politike shqiptare për të biseduar për nevojat e arsimit shqip.
KOSOVA DREJT DY MARRËVESHJEVE ME GJERMANINË DHE MALIN E ZI, QEVERIA MIRATON NISMAT
-Ekskluzivisht për Gazetën Dielli/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015- Qeveria e Republikës së Kosovës miraton nisma për dy marrëveshje, me Gjermaninë dhe me Malin e Zi.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor (marrëveshjen kornizë) me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.
Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe krijon mundësi më të mira të bashkëpunimit afatgjatë të Kosovës me Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar që financohet në kuadër të IPA-s 2014-2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
SOT QEVERIA, NESËR KUVENDI, KOSOVA DREJT RISHIKIMIT TË BUXHETIT TË SHTETIT
Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin qeveritar me procedurat e rishikimit të Buxhetit në Kuvendin e Kosovës, duke bërë të ditur se Projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet e Kuvendit me ndryshime të vogla.
Kryeministri Mustafa theksoi se të gjithë jemi koshientë lidhur me kapacitetin e Buxhetit dhe lidhur me mundësitë tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit. Kryeministri po ashtu e vlerësoi faktin se Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe nxjerrin pastaj nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.
Qeveria e Republikës së Kosovës u mblidh sot, ndërsa nesër mbahet seanca plenare e Kuvendit për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar.
Votimi me shumicë e miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë.
Në prezantimin e Projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të Qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar Qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
QEVERIA E KOSOVËS ANGAZHOHET QË TË GJITHË QYTETARËT TA NDJEJNË VETEN TË SIGURT
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kosovare, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariç, ka ngritur para kabinetit qeveritar çështjen e disa problemeve ndaj të kthyerve në disa komuna të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e pronave dhe jetës së qytetarëve si dhe dënimin e akteve të dhunës. “Gjithsesi se ne kërkojmë dhe do të kërkojmë si Qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet. Ne e dënojmë çdo sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Mirëpo, duhet të bashkëpunojmë, duhet të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, të komunikojmë”, tha ai. Unë si kryeministër, dhe të gjithë ministrat, vijoi Mustafa, jemi të gatshëm që të jemi në ato mjedise ku mund të kemi probleme të tilla.
“Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të ndërmerren masa ligjore. Ne mund të zhvillojmë një bisedë të veçantë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe me organet e tjera në mënyrë që të shohin se çfarë masa do të ndërmerren për të krijuar siguri të plotë të qytetarëve tanë. Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si Qeveri, është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të sigurt dhe që mos të ketë probleme të tilla, që nesër problemet mos t’i dallojmë se a po ndodhin ndaj serbëve apo ndaj shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe duhet të ndërmerren masat e tilla”, tha kryeministri Mustafa.
MBLEDHJA E 38-TË E RREGULLT E QEVERISË MUSTAFA
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 38-të të rregullt dhe miratoi vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhje është miratuar Udhërrëfyesi për vlerësimin ex-post të legjislacionit në Republikën e Kosovës. Vlerësimi ex-post është mjet i rregullimit më të mirë që është definuar me Strategjinë për Rregullim më të mirë 2014-2020 në Kosovë. Ky vlerësim i mundëson administratës publike që të mbledh të dhëna për një akt juridik: sa është zbatuar, sa janë arritur qëllimet e aktit juridik, sa ka realizuar akti efektivitetin e kostos, si dhe për sfidat në realizim dhe implementim të aktit. Këto informata do t’ju shërbejnë institucioneve për të vendosur nëse legjislacioni duhet të ndryshohet apo zëvendësohet me dispozitat të reja.
Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe Koncept dokumentin për fushën e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës. Analiza e përgjithshme e gjendjes së statistikave zyrtare në Kosovë, sipas këtij koncept dokumenti, rekomandon shqyrtimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Statistika zyrtare në Kosovë.
Plotësim ndryshimet e ligjit do të bëjnë harmonizimin me legjislacionin evropian dhe do përmbushen obligimet që dalin nga fusha e statistikave zyrtare në procesin e integrimeve evropiane.
Kosova dhe Mali i Zi drejt marrëveshjes ndërshtetërore për kulturë
-Inicohet ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015/-Kosova dhe Mali i Zi dakordohen që të finalizojnë sa më shpejtë një draft marrëveshje për bashkëpunim kulturor, e cila aktualisht ekziston.
Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me homologen e tij nga Mali i Zi, Dragica Miliç, me të cilën janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit kulturor mes të dyja institucioneve.
“Jemi duke punuar në finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim kulturor për ta bërë formalizmin e saj nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shpresojmë që sa më shpejtë të bëhet nënshkrimi i saj nëpërmjet të dy ministrave tanë”, tha Hoti.
Ai kërkoi bashkëpunim me Malin e Zi posaçërisht në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet galerive, muzeve dhe institucioneve tjera, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor si dhe një sërë çështjes tjera të rëndësishme.
Edhe zëvendësministrja Miliç kërkoi formalizmin sa më të shpejtë të marrëveshjes për bashkëpunim kulturor në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ajo shprehu mbështetje për shkëmbim përvojash edhe në fushat e tjera të rëndësishme kulturore.
Nga Ministria kosovare bëhet e ditur se, Hoti dhe Miliç gjithashtu ranë dakord që për vitin e ardhshëm, të dyja ministritë të hartojnë buxhete për fillimin e mbajtjes së javëve kulturore në mes të dyja shteteve, duke filluar nga parashikimi i vitit të ardhshëm buxhetor.
Zëvendësministri Hoti, në kuadër të vizitës së tij në Mal të Zi, u takua edhe me përfaqësuesen e Drejtorisë së Diasporës në Ministrinë e Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi, Elvina Bektesi, me të cilin diskutuan mundësinë e një bashkëpunimi të përafërt mes tyre, dhe Ministrisë në Diasporës të Kosovës.
Hoti u takua edhe me Zoran Gjukanoviç, shef i Departamentit për Monitorim, Kërkim, Informim dhe Publikim të Informacioneve në kuadër të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit të Malit të Zi. Të dy ranë dakord për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve bashkëpunuese.
Zëvendësministri Hoti është takuar edhe Genc Nimanbegun, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe deputet në Parlamentin malazez.
Hoti dha mbështetjen e Ministrisë për të ofruar ndihmë në përmirësimin e jetës kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Nimanbegun kërkoi nga zëvendësministri Hoti që Republika e Kosovës të ofrojë mbështetje shtetërore financiare dhe konkrete ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është duke u tkurrë gjithnjë e më shumë në të gjitha drejtimet.
Gjithashtu, gjatë bisedës u iniciua ideja që shqiptarët në Malin e Zi të organizojnë një konferencë donatorësh gjithëkombëtare, prej ku do të mund të mbuloheshin nevojat emergjente që kanë shqiptarët në Matë zi, qofshin ato arsimore, shëndetësore, kulturore, ekonomike.
Gjatë vizitës në Mal të Zi zëvendësministri Hoti është shoqëruar edhe nga Lazar Raduloviç, kryetar i Partisë Malazeze të Kosovës.
SHQIPTARËT NË MAL TË ZI,NUK KANË FLAMUR TJETËR PËRVEÇ ATIJ KUQ E ZI
Nga Xheladin ZENELI/
Paraqitja me flamurin shqiptar e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve “Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera,me rastin e ekspeditës së tyre tradicionale në malin e Rumisë, me 7 Qershor 2015, në rend të parë, nxiti reagimin e gazetës “Dan”,e njohur me reagimet e saja denegruese ndaj shqiptarëve.Një akt i paprecedent në etikën dhe normat e informimit bëri gazeta “Dan” kur lajmëroi organet policore në Mal të Zi dhe kërkoi nga ata që të hetohet “incidenti” i ngritjes së flamurit shqiptar në Rumi si dhe të hetohet ligjëshmëria e përdorimit të tij ( pra, flamurit shqiptar) në vende publike (!?) . Ky është një rast i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë i një shteti që e quan vehten “demokratik” ku një medium informativ vihet në shërbim të organeve policore dhe duke kërkuar intervenimin e policisë, tejkalon dukshëm kompetencat e veta dhe sjell në pikëpyetje ate se cili është misioni i vërtetë i këtij mediumi dhe për ke punon gazeta “Dan” !?.
Tani t’i kthehemi pak ligjëshmërisë së përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi.Kur gazeta “Dan” kërkon hetimin e ligjëshmërisë së (mos)përdorimit të flamurit shqiptar në vende publike,nga organet e sigurimit, ato arsyetohen me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë , aprovuar nga Kuvendi i Malit të ZI, në vitin 2011,përkatësisht neni 23 i këtij Ligji i cili dënon përdorimin e flamurit apo simbolit kombëtar të një “shteti tjetër”,në vende publike,pa lejen e autoriteteve përkatëse.Ironia më e madhe është se ,sipas Ligjit famëkeq në fjalë, shpalosja e flamurit shqiptar ,në mënyrë paqësore, në majën e malit Rumi konsiderohet si “prishje e rendit dhe qetësisë ” (!?). Kurse djegja flamurit shqiptar në mes të sheshit të qytetit të Tivarit nga tifozët vendas e ekipit të hendbollit të Serbisë, (para fillimit të ndeshjes kundër Malit të Zi ),me 10 Qershor, nuk iu prishi qetësinë autoriteteve malazeze dhe as që nxiti ndonjë reagim të gazetës ” Dan”.
Thelbi i problemit qëndron në ate që Kuvendi i Malit të Zi ,i cili aprovon ligje të tilla absurde, konsideron flamurin kombëtar shqiptar si flamur i “shtetit të huaj”, dhe jo flamur i një popullate autoktone siç janë shqiptarët në këtë republikë. Ligji për Rendin dhe Qetësinë është Ligj antikushtetues dhe neni 23 i këtij Ligji duhet të anulohet. Vetë Kushtetuta e Malit të Zi, pjesa e saj ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja 2 ),thotë:
“Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”.
Një liri e kufizuar është një liri e mohuar
Që flamuri shqiptar nuk gëzon përdorimin e lirë dhe të plotë të tij në Mal të Zi, dëshmojnë jo vetëm ngjarjet e fundit : ajo në malin Rumi apo ndëhyrja policore me 1 Maj 2015 në Budvë ku nxënësve shqiptar iu ndalua përdorimi i flamurit të tyre kombëtar por edhe raste të tjera të mëparshme ku veçohet ai i vitit 2012 , me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,atëherë kur në pragun e SHM ” Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, u muar në polici nxënësi shqiptar i kësaj shkolle,vetëm sepse shpalosi flamurin e popullit të tij dhe këndoi këngën “Xhamadani vija,vija…”.
Edhe Ligji për zgjedhjen,përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale ( i vitit 2013),gjithashtu kufizon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.Neni 9 i këtij Ligji përcakton përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale “në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë përbëjnë popullatën shumicë ,në ditët e festave nacionale të popullit pakicë,para objektit të vetëqeverisjes dhe administratës lokale,krahas simboleve shtetërore,shfaqen edhe simbolet nacionale të popullit pakicë e cila përbën mbi 15% të popullatës së kësaj vetëqeverisje lokale …” ( !?). Pra, një e drejtë e cila përkufizohet me përqindje nuk e është e drejtë e plotë por është e drejtë gjysmake dhe si e tillë nuk përmbush kriteriumet apo standardet e lirive të mirëfillta demokratike
Qeveria e Malit të Zi dhe organet e saja vendim-marrëse,si duket nuk e kanë të qartë apo së paku pretendojnë që të mos e kuptojnë faktin se flamuri shqiptar ,për shqiptarët në Mal të Zi,nuk mund të trajtohet si flamur i një” shteti tjetër” ,por flamuri i tyre kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e ndarë e një populli i cli ka një gjak, një gjuhë ,një histori dhe NJË FLAMUR : flamurin kuq e zi me shqiponjën dykranare. Po ky flamur, është dhe do të jetë simboli i tyre i identifikimit kombëtar pa marrë parasysh se në cilin vend jetojnë ata dhe nga i cili shtet administrohen, pra duke përfshirë edhe shqiptarët në Mal të Zi.
S’ka dyshim se fobia ndaj flamurit dhe simboleve shqiptare është në rritje e sipër në Mal të Zi dhe kjo e ka burimin tek institucionet e shtetit të Malit të Zi siç është Qeveria dhe Kuvendi i tij ,të cilat aprovojnë dhe zbatojnë ligje antikushtetuese,antidemokratike dhe ligje kundër të drejtave të një populli i cili për nga gjuha,kultura,historia dhe për nga simbolet e tij kombëtare,është i veçantë dhe dallohet nga popujt e tjerë që jetojnë në Mal të Zi.
Me qëllim që në të ardhmen t’ju shmangët inskenimeve të panevojshëme të
” incidenteve me flamurin”, duhet që menjëherë të ndryshohen ligjet e lartëpërmendura në at mënyrë që t’ju mundësohet shqiptarëve në Mal të Zi e drejta elementare dhe e natyrshme e përdorimit të lirë dhe të pakufizuar të flamurit dhe simboleve të tyre të kombëtare.
Sepse një e drejtë e kufizuar është një e drejtë e mohuar.
Xheladin Zeneli
17 Qershor 2015
Kufiri KOSOVE-MALI I ZI: A po i shkojnë Kosovës edhe 12 mijë hektarë?!
Ndonëse kanë kaluar më tepër se tri vite në takime dhe diskutime, çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka mbetur ende e pazgjidhur. Banorët e brezit kufitar ( Kosovë- Mal i Zi) theksojnë se kërkesat e Malit të Zi janë të papranueshme.
Përfaqësuesi i banorëve të brezit kufitar( Kosovë-Mal i Zi), Ali Lajçi, i cili njëherësh është anëtari (në cilësinë e vëzhguesit) i Komisionit për demarkacionin e kufirit, ka thënë për Telegrafin se Mali i Zi po tenton që njëanshëm ta zgjidh problemin e kufirit me Kosovën.
Sipas tij, shënjimi i kufijve sipas asaj që parashihet të bëhet tani, është totalisht i papranueshëm për banorët e brezit kufitar, duke shtuar se “Komisioni i ngarkuar për zgjidhjen e kësaj çështje, është treguar i ngathët përballë këtij problemi”.
“Nëse realizohen kërkesat e palës malazeze, Kosova do t’i humb 12 mijë hektarë nga territori i saj. Zonat që Mali i Zi pretendon se janë pjesë e territorit të tij, kanë qenë të banuara vazhdimisht me banorë shqiptarë. Në vijën kufitare Kullë, Kosova dëmtohet rreth 5 kilometra (hyrje brenda territorit), nëse gjendja mbetet e tillë. Mijëra hektarë do t’i humbim më këtë marrëveshje në qarkoren Qakor-Moknë-Kullë”, ka theksuar ai.
Çështja e demarkacionit do të prolongohet derisa të respektohen interesat e banorëve të asaj pjesë, duke shtuar se “duhet të riformatohet Komisioni dhe të riformatohen kërkesat. Përndryshe, çështje do të mbetet sikurse tash, pa zgjidhje”.
Në anën tjetër, Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror në sqarimin e bërë për punën dhe angazhimin e tyre, thekson se ata kanë shqyrtuar, analizuar dhe debatuar me ekspert, me zyrtar të lartë të Qeverisë Kosovës, me kryetar komunash dhe me qytetarë vazhdimisht çështjen e brezit kufitar.
Sipas tyre, për më shumë së tri vite komisioni ka kërkuar rregullisht dokumentacion lidhur me vijën kufitare nga të lartë cekurit.
“Gjatë analizave janë marrë për bazë të dhënat zyrtare kadastrale, hartat topografike, atlaset e ndryshme, skicat, është hulumtuar edhe terreni, janë bërë matje nga komisionet shtetërore. Veçanërisht është diskutuar me kryetarin e komunës se Pejës, ish kryetarin e komunës, Ali Berisha dhe tani me kryetarin aktual Gazmend Muhaxheri, me ekipet e tyre për vijën kufitare, të cilin e menaxhojnë dhe e posedojnë dokumentacionin në kadastrën e Pejës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ata theksojnë se Komisioni pret nga qytetaret dhe të gjitha institucionet e vendit që të ofrojnë ndihmën e tyre me dokumente apo në forma të ndryshme, të cilat do të mund të qartësonin çështjet pretenduese që kanë në bëjnë me shënimin e vijës kufitare.
Ndërsa, sa i përket dokumentacionit të përdorur nga ky komision për shënjimin e kufirit, ai sipas tyre, është i bazuar në dokumentacionin relevant shtetëror si vijon: Kufiri i Kosovës në harta kadastrale, 1974, 1988, 2015, Harta topografike me shkallë1:25.000, të viteve 1963, 1987, në Hartat topografike të KFOR-it nga qershori i vitit 1999, Atlase të ndryshme tematike, 1974, 1988, 2015, Harta historike të periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme.
“Madje janë trajtuar, dokumente, shkresa, foto-skicat dhe koordinatat nga matjet e viteve ,1931/32, 1974-1988-2015, prej të cilave janë përpiluar dhe janë duke u përditësuar hartat kadastrale në shkallë 1:2500, për vijën kufitare me Malin e Zi. Është në përfundim edhe atlasi i gjithë dokumentacionit të trajtuar nga komisioni”, sqarohet në këtë njoftim.
Si dokument në shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ky Komision ka përdorur edhe bazën e të dhënave të Komunës së Pejës me zonat kadastrale, ku sqarohet se kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi fillon prej tre kufirit Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi, me lartësi mbidetare 2366 metra dhe vazhdon nëpër kreshta malesh, të lartësive shumë të pa përshtatshme, deri te tre kufiri Kosovë, Mal i Zi, Serbi në lartësinë mbidetare 2155 m.
“Informatat në vijim për Zonat Kadastrale të Komunës së Pejës, janë nga baza e të dhënave të zyrës kadastrale në Pejë dhe në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Të dhënat për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, përveç komunave Junik, Deçan dhe Istog(Burim), janë njëkohësisht të dhëna kadastrale pronësore-juridike të Komunës Pejë. Të dhënat e bashkëngjitura, janë nga viti 1974, në përputhshmëri me të dhënat e caktuara për kufi, sipas Pakos së Ahtisaarit, që ishin në fuqi me datë 31 Dhjetor 1988. Pakoja është ratifikuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës me 17 shkurt 2008”, thuhet në këtë njoftim.
Ndryshe, të enjten mbahet seanca plenare ku zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi do të jetë në interpelancë për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- Next Page »