• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një jetë …disa histori” Dibra

June 25, 2016 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Dibra, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht…

Një heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet…një heshtje që dhemb sidomos kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë të përvuajtur.

Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur.Kur varfëria dominon , shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as e pagjallë.Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi  të rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të të ikurve.Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës, arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi, banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende estrada, Prefektura Posta…Përtej cdo objekti ka shumë histori të pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të pëshpërisnim dicka jo pa krenari.

Qyteti hesht edhe kur duhet të tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë ,shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur përmendet tradita e gatimit, jetesës , pastërtisë.Qyteti hesht edhe kur në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit…

Kur po ndërtohej Rruga e Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën, jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve gjithashtu…asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte…e vetmja media lokale transmetonte non-stop filmat: “Kapedani” dhe ” Kumbari” madje kujtoj se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.

Qyteti që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që s’ndal.

Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ...disa histori'', Dibra, Marjana Bulku, nje jete

Shqiponjat e vogla, shtojzavallet e Kulturës shqiptare në Ontario, Kanada

April 17, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Viti 2011, nuancat e formimit akademik të drejtuesit Ramazan Kellezi miqësitë mes fëmijëve të emigrantëve prej trevave të ndryshme, gjuha shqipe, ruajtja dhe përcimi i traditës…një tërësi faktesh që të cojnë tek ai grupim mjaft i njohur në Kanada por edhe më gjerë emërtuar si “Shqiponjat e Vogla” të Ontarios janë identiteti ynë etnografik-kulturor ku tingujt, ritmet dhe kostumet shkrihen natyrshëm duke i dhënë një përmasë patriotike të gjitha mjediseve kanadeze ku mblidhen shqiptarë. Ishin falenderimet e profesor Kristian Bukuroshit që më kthyen përsëri në ato evente ku mjafton prezenca e ”Shqiponjave te vogla” dhe festa ndizet natyrshëm sepse vitaliteti fëminor është nxitësi dhe frymëzuesi i cdo ndjesie të bukur.Janë veprimtaritë e shumta ku Shqiponjat e vogla performojnë, kronikat ekselente të Pasyrës shqiptare të Ilir Lenës, promocionet e pareshtura të hitit komunitar shqiptaro-kanadez Ruki Kondaj që ndofta bëjnë që fjala ime të duket e tepërt dhe dyshoj nëse mundet ta përcjellë si duhet atë realizëm pse jo, edhe magjik. Por unë nuk mund të jem indiferente ndaj efekteve që shkakton prezenca fizike e tyre në mjediset ku ato performojnë.Si unë edhe shumë të tjerë ku natyrisht të parët janë prindërit e këtyre artistëve që mjeshtri Këllezi nuk resht duke i falenderuar , janë pikërisht ata që me kohën e tyre dhe të fëmijëve të tyre i  investojnë kaq shumë  kulturës tonë .

Për ti përshkruar Shqiponjate vogla do duhen ngjyra kostumesh, thurje mjeshtërish artizanë, tinguj të lashtë vallesh e ritme koreografësh. Por unë do ti quaj thjesht shtojzavalle që duket sikur vijnë nga e shkuara jonë plot larmi e mister dhe sjellin aq shumë gëzim, kureshtje dhe elementet e festës që e ndryshon ritmikisht atmosferën dhe fton në kërcim gjithkënd bujarisht .Ato do të mbeten Shqiponjat e vogla edhe pse shumë prej tyre tashmë studjojnë e do të studjojnë kolegjeve me emër e nesër do të jenë profesionistë të fushave që ofron ky vend i madh, pa i harruar kurrë ritmet e valles dinamike shqiptare.Po vazhdoj ti konsideroj zana që me hapat e tyre plot ritëm mbrojnë atë histori që fliste edhe përmes valleve tona sa lirike aq edhe epike. Prezenca e Lili Cingut e bën edhe më historik vallëzimin e Shqiponjave të vogla që nuk u mungojnë festave ,ngjarjeve, duke u bërë kështu pjesë e një historiku që fillon në vitin 2011 kohë kur Koreografi Ramazan Këllezi mori përsipër krijimin e grupit, pregatitjen e tij dhe prezantimin e valles shqiptare në mjediset shqiptaro-kanadeze duke e cuar atë përtej kohës, gjeografisë, mu në gjirin e gëzimit dhe miqësisë.Vallja ky mit i lashtë sa vetë njerëzimi që transmeton emocionet më të bukura të tij simbol i festës dhe gëzimit familjar, bashkëudhëton pa u ndarë me të bukurën në cdo ngjyrë veshje, në cdo tingull muzike, në cdo ritëm hapash aq sa ndjehesh e përfshirë kur e ke pranë po aq emocion përjeton kur ia percepton madhështinë që as koha nuk e vjetërsoi kurrë, përkundrazi. Shqiponjat e vogla e mbajnë gjallë gëzimin, festën, vallen shqiptare dhe pasionin. Ato janë vlerë e produksioneve që lind pas punës dhe përkushtimit. Është një mënyrë argëtuese për tju mësuar fëmijëve që rriten larg Shqipërisë traditën tonë muzikore koreografike dhe etnografike ku jo pak vend zë gjeografia e kostumeve tona dhe historia. Është një tjetër produkt i atij mozaiku pafund me të cilin Bashkësia Shqiptaro Kanadeze identifikon vlera, akumulon vlera, ia ve në dispozicion mjediseve shqiptare dhe më gjërë duke i shumfishuar dhe trashëguar brezave që do pasojnë. Është shërbimi më i mirë që mund ti bëhet kombit, është investim kulturor që na bën të ndjehemi bashkë edhe pse distanca jo vetëm gjeografike na ndajnë. Shqiponjat e vogla, ju zana që me artin tuaj jocudibërës por real, gjallëroni e zbukuroni festat, e mbroni në mënyrën më paqësore, pa debate e kundërshti kulturën shqiptare kudo ku shkelin hapat tuaja të strukturuara mjeshtërisht nga njerëzit e pasionit që nuk njeh moshë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kanada, Marjana Bulku, në Ontario, Shqiponjat e vogla, shtojzavallet shqiptare të Kulturës shqiptare

VATRA si m’u duk

April 10, 2016 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/NEW YORK/

Aty mund të “takosh ” Portrete historike që koha nuk i fshiu, as distancat e largëta që na ndanë, foto historike që flasin sa një mijë fjalë dhe fjalë që mbartin larminë informative të qindra fotove edhe pse bardhë e zi. Aty mund të kuptosh se cfarë ishte dhe është transparenca,dallon  se si ato kontribute që shqiptarët e Amerikës ia dërgonin vendit amë publikohen në mënyrë të detajuar jo si reklamë por si mirnjohje, jo si mburrje por si detyrim që vjen natyrshëm nxitur nga atdhedashuria.Aty mund te ndjesh se si shkruhet dhe ruhet historia edhe pse permes debatesh .

Për herë të parë Vatrën e vizitova me artisten e madhe shqiptare Tinka Kurti e m’u duk sikur po asistoja në ndonje nga rolet e saj gjigande ende te painterpretuara,ekluzive,sidomos kur ajo i afrohet botimit me foton e Nanë Terezës dhe reciton vargje që i kishte shkruar për të në vitin 1997.Në fakt nuk ishin thjesht vargje por tingellonin si lutje që artikuluar prej Artistes se Popullit Tinka Kurti mbartin fuqi të jashtëzakonshme (sa keq që nuk asistuam me kamerat e Albanian Culture TV një moment si ky). U perlot, na perloti…sic vetem artistet dijne.

Portretet historike qe duket sikur te urojne mirseardhjen ne Vater  e që për mua janë aq të dashur edhe nga pikpamja letrare; Konica dhe Noli, më flasin shumë mbi dualitetet tona historike shpesh konfliktuale për shkak të moskuptimit apo mospranimit të pluralizmit të ideve.Ata janë në dy këndet e sallës modeste të sistemuara si dy kreret e simbolit tone mbi flamur dhe pasaporta per te cilin te huajt pyesin jo pa kureshtje, mirmbajtur shkelqyer dhe që prezantohen në mënyrë të palodhur nga editorialisti i Diellit dhe ciceroni (nëse mund ta quaj kështu) i këtij muzeumi të improvizuar shqiptar tashmë, Zotit Dalip Greca, mu në New Yorkun gjigand. Me sytë e fiksuar pas Konicës nëpër mendim më vijnë aktet e tij aq qytetare e pro shqiptare, personazhet delikatë e kualitativë që ndesheshin me realitetin e egër synatë që mbillte politika e padrejtë për të asfiksuar të drejtën, të bukurën, të moralshmen. “Unë doja të zbusja shkëmbin…” një mision i pamundur zulluland…

E pamundur ti ikësh asaj cka izolimi nuk na la të dijmë rreth këtyre shqiptarëve të mëdhenj që i bëjnë nder gjithkujt.Ata e njohën aq mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, e bënë aq të njohur atë në botën gjigande, shkruajtën për të, kontribuan letersise,politikes diplomacise , u zhgënjyen, nuk e harruan kurrë Shqiperine edhe kur ajo i mohoi sepse ndërtuan Shqipërinë tjetër, atë që e pagëzuan 104- vjet më parë me emrin Vatra. E ruajtën Shqipërinë edhe kur asaj i bënte roje kufiri me gjëmba, e deshën Shqipërinë edhe kur ajo dhunohej nga diktatura, e mbrojtën atë kur lakmitë e gërryejtën, e sollën deri në ditët tona me libra e shkrime, ngjarje e veprime që meritojnë mirënjohje dhe nderim. Sa debitore është letërsia shqipe ndaj të madhit Faik Konica duke ia mohuar kryevendin në piramidën e letërsisë shqiptare dhe historisë së saj të realizmit socialist aspak realist.Sa debitor eshte shteti shqiptar ndaj atyre qindra persekutimesh te padrejta qe mbartin fisniket qe lane Shqiperine por historite e tyre shkruhen e ruhen ne Vater. Aty kupton se historia është plurale, ajo flet përmes të shkuarës dhe të tashmes duke tentuar të nesërmen. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi pronë e partive apo mllefeve personale. Vatra ne syte e mi është një copëz e vogël Shqipërie që e duan njerëzit e mëdhenj, të thjeshtët dhe të zakonshmit por që e lartësojnë veprat e mira, ato që xhelozitë dhe smirat, tinëzitë dhe babëzitë nuk i arrijnë dot.

Muret e vatrës janë histori, plot me shkrime, ngjarje, personazhe që historia jonë e shkruar njëanshmërisht, e diktuar nga miopizmi diktatorial nuk na i mësoi kurrë. Mjediset e Vatrës mbartin plot ndodhi, promovime e ngjarje te thjeshta e madhore që e mbajnë atë në jetë.Nëpër bisedat tona me zotin Greca kemi përsëritur se nxënësit që mësojnë shqip në SHBA pse jo edhe në Shqipëtari  kanë rastin më të mirë që ekskursionet studimore ti kryejnë në Vatër. ”Është si teqe”, -shprehet Greca, në kuptimin se aty qoftë edhe duke e vizituar ndjen një lloj qetësimi që të sjell takimi me etërit e Kombit tonë, ata që e lindën e që ndofta mund ta rilindin sërishmi Kombin dhe vetveten duke mos ia asfiksuar historinë. Në librin me përshtypje të vatrës janë plot emra që hyjnë e dalin, kontributorë dhe dashamirës, kritikë dhe nihilistë, indiferentë dhe nga ata që kanë dhënë mjaft nga djersa dhe mundi i tyre sepse Vatra është një copë atdhe diku në Amerikën e largët, ku flitet shqip, festohet shqip, debatohet shqip ëndërrohet shqip.

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku, si m'u duk, Vatra

Ditë historike të Kulturës Shqiptare në Ontario

March 28, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Është një ditë e zakonshme pune në selinë e legjislativit kanadez, por për shqiptarët, jo vetëm të Kanadasë besoj se një ditë si kjo do të lerë gjurmë historike. Jo pse është veshur me ngjyra kuq e zi, as pse kostumet tona kombëtare perfomojnë mes tingujsh apo edhe heshtur, jo vetëm pse dhjetra shqiptarë janë ulur në mes të tempullit ku demokracitë rriten maturisht,,,por sepse sot flet SHQIP tradita përmes ligjit që e mbron, kohës që nuk e zvetënon dhe rrënjëve të hershme që e risollën të gjallë, të larmishme trashëgimninë tonë kulturore, vlerën që jeton më gjatë se ne m’u në zemër të qytetërimit perëndimor: Kanada.

Shkëlqimi i kësaj dite i ka rrënjët tek ato dhjetra e dhjetra përpjekje që Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze ka ndërmarë që prej tre vitesh duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetin shqiptar që jeton në Kanada, i vjetër dhe i ri, me institucionet shtetërore që kanë mundësi ti mbështesin këto lloj pasurish kulturore me ligj, për ti njohur, mbrojtur dhe trashëguar. Janë përpjekjet e Zonjës Ruki Kondaj, Presidente nderi e Bashkësisë shqiptaro-kanadeze, bashkëpunëtorëve te saj të palodhur, si dhe vullnetit dhe gadishmërisë së Znj. Laura Albanese, propozuese e ligjit që e shpalli muajin nëntor, muaj të trashëgimnisë sonë kulturore në Kanada. Ajo bëri një prezantim të historisë shqiptare, valëve të emigracionit ku me tone prekëse theksoi dy protagonistët e krenarisë dhe historisë shqiptare; Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Fjala e saj pushtoi sallën, ku nuk munguan duartrokitjet e përfaqsuesve parlamentarë, madje po aq historike do të mbeten edhe fjalët e hirësisë së tij, zotit Brad Duguid i cili përsëriti në ”You adopted me” pasi ndjehej i mrekulluar nga historia e vyrtytëshme dhe festat e shqiptarëve të Kanadasë aq sa dëshirën të festojë me ta nuk e fsheh aspak.

Është ngjarja që ndoshta na bën të mendojme thellësisht se sa i vlefshëm është identifikimi i komuniteteve etnike përmes kulturës,,,është vlera që na bashkon, është dëshmia që na qartëson origjinën kur fëmijët tanë në emigracion mund të harrojnë edhe shqipen si gjuhë…është e shkuara jonë që rron në të ardhmen që po jeton jasht Shqipërisë kaq e sigurt…është kujdesi që përkëdhel këto pasuri shekullore që janë rrënjët tona, është pasuria jonë që pasuron edhe komunitete kaq të zhvilluara që nuk reshtin së falenderuari për kërë bashkëjetesë.

Ky akt përligj natyrshëm buzëqeshjen krenare të Ruki Kondajt, shqiptarizmën që nuk shuhet të Laura Albanese, gjallërinë e mjeshtrit Ramazan Këllezi që energjitë artistike duket se ia ka përtërirë akoma më shumë Kanadaja e largët, fjalën e matur dhe të mencur të Profesorit Kristian Bukuroshi i cili ka mposhtur moshën dhe i ndjek me vlerësime maksimale ditët e ngjarjeve të tilla që bëjnë histori, lotët e Ilir Lenës që edhe pse pronar i ekranit, emocionet nuk i shmang dot teksa flet për këtë ditë që Kanadaja ua dhuron këtyre shqiptarëve të mirë, e ku natyrisht konkluzionet e mencura te zotit Iliaz Loku te ndihmojne ne ndertimin e opinioneve objektive rreth kesaj shqerie tashme 25 vjecare. Unë pata rastin që të flas me disa prej tyre, ish kryetarë, anëtarë të këshillit të nderit të Bashkësisë shqiptaro-kanadeze ku nuk mungonte as kryetari që e ka drejtuar i pari këtë bashkësi, zoti Murat Hashani.

Këtu sot, me të drejtë gjithkush ndjehet pjesëtar i kësaj Bashkësie, madje edhe unë,,,teksa shoh familjet e hershme që emigruan në Kanada,intelektualët që emigruan më vonë dhe këtu arritën të bëjnë sukses, Lili Cingun që mjellmezon duke vallëzuar duke sfiduar edhe vitet,,, thellësisht i jam mirënjohëse në heshtje strateges Kondaj dhe të gjithë atyre që pranojnë modestisht se falë saj gjërat ndodhin.   Këtu gjithcka është pasuri kombëtare, Tringa Rexhepi që këndon, Ana Gorja që ka mberritur Hollivudin dhe është aq modestisht e bukur, torta muzeale ku mjeshtërisht janë mbivendosur aq bukur pasuritë tona aq sa të vjen keq ta presësh, artistët që interpretojnë,,,thënë thjesht është një mjedis klasik, patriotik dhe modern ku anglishtja dhe shqipja vallëzojnë bukur.

Është si një familje e madhe e bukur, është një copë Shqipërie vitale që jeton në Kanadanë e largët, është një ditë që rishkruan historinë tonë nga fjala brilante dhe sigurisht historike e katër parlamentarëve që herë pas here përsërisin shqip “jam krenar që jam shqiptar” kaq shumë është rrënjosur Shqipëria që ju rrëfeu për besën, nanë Terezën, Skënderbeun nëpërmjet Bashkësisë shqiptaro-kanadeze dhe televizionit Pasqyra Shqiptare. Është historia jonë që na bashkon përmes të vërtetave të bukura, përmes trashëgimnisë, asaj vlere që na bashkon dhe na përjetëson ndër shekuj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ditë historike, Marjana Bulku, në Ontario, të Kulturës Shqiptare

Arlinda SHQIPTARE e Bukureshtit

March 12, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Ajo është pranverore, miqësore gjithmonë e dashuruar me skenën dhe me artin lirik për të cilin edhe ka studjuar,por koncerti i fundit ” në sallën e Teatrit Kombëtar të Bukureshtit , shpalosi anën madhështore që fshihet pas cdo artisti.

Nuk ishte vetëm reklama me simbolin shqiptar kuq e zi që pushtoi godinat dhe kryeqendrat e kryeqytetit rumun,por edhe efektet e forta që skena përcjell, dashamirësia e publikut , vemendja e medias, e të tjera elemente artistike me ngjyra patriotike dhe tingujt klasikë.

Ishte Arlinda shqiptare e Bukureshtit e cila edhe pse jeton në Rumani duket qartazi që Shqipërinë e ka pjesë të pandarë të jetës së saj jo vetëm gjenetikisht,por edhe artistikisht.

  • ”Dua ta ngre ngrej në piedestal vendin tim”-shprehet ajo me një lloj krenarie që në kohë të tilla të egra na nevojitet cdonjërit.

Perfomanca e fundit pati surprizën më të bukur që një shqiptar i mirë mund ti bëjë atdheut: dashurinë ,mallin, bukuritë gjeografike e etnografike si dhe investimin artistik që Shqipërisë nuk i ka munguar asnjëherë përmes prezencës së artistëve të mrekullueshëm shqiptarë me tingujt e të cilëve jemi rritur (Lorenc Radovani). Akti skenik përcolli dimensionin madhështor që arti mundet ti falë pëditshmërisë, asaj plot strese e probleme, ku politika kërcënon dhe dhunon nga ekranet…skena si kjo  na thotë se dashuria për atdheun nuk vdes kurrë.

A nuk na e pohuan këtë shkrimtarët?! Artistët  në skenë e përjetësojnë duke na prezantuar Shqipërinë perëndeshë bukurie.

Bagazhi muzikor i Arlindës,zëri i saj si prej Tefta Tashkoje, eksperienca e muzikantëve shqiptarë, ngjyrat e flamurit tonë dhe imazhet e bukura shqiptare me mure kështjellash të përjetëshme,në skenën evropiane ku interpretohej shqip dhe duartrokitej rumanisht flasin shumë mbi historitë tona të përbashkëta…

Rozafa , Shkodra, ëndrra evropiane e Shqipërisë në Bukureshtin që nuk resht së qeni i bukur edhe prej vezullimeve artistike shqiptare aty.

Fuqia e artit është e pamasë, ajo tejkalon largësitë dhe barrierat duke zbutur shpirtrat dhe miqësuar njerëzit,,,një përmasë humane kjo ,që ky akt artistik përbashkues sapo na e rikonfirmoi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arlinda SHQIPTARE, e Bukureshtit, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT