Kosovë-Komisioni Qeveritar: Shënjim i gabuar i vijës kufitare me Malin e Zi/
-Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës ka raportuar Komisioni Qeveritar për çështjen e kufirit me Malin e Zi/
-Komisioni paraprak gjatë punës së tij ka tejkaluar autorizimet e precizuara në vendimin Qeveritar, vlerësoi krytari i Kmisionit të ri/
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kuvendin e Kosovës, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e këtij Komisioni, ka raportuar Komisioni Qeveritar për çështjen e kufirit me Malin e Zi, i emëruar nga nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Në njoftimin zyrtar të Kuvendit bëhet e ditur edhe se: Vlerësimi i punës së komisionit paraprak për çështjen e Kufirit me Malin e zi, ka qenë mandati dhe autorizimi ynë nga Qeveria, tha në fillim të fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit, Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komisionit Qeveritar.
Duke folur për të gjeturat, përkatësisht mangësitë e punës së Komisionit të mëhershëm, ai vlerësoi se Komisioni paraprak gjatë punës së tij, ka tejkaluar autorizimet e precizuara në vendimin Qeveritar. Për më shumë, vijoi Bulliqi, Komisioni paraprak ka bërë interpretim të gabuar të fakteve hartografike, dhe si rrjedhojë, një shënjim të gabuar të vijës kufitare më Malin e Zi.
Duke folur për të gjeturat që ata kanë evidentuar gjatë punës së tyre, Bulliqi më pas vuri në spikamë se, Komisioni që ai ka udhëhequr është bazuar në: analizën e dokumenteve hartografike, të gjeturat hartografike, dokumentet që paraqesin kontrollonin efektiv të kufirit me Malin e Zi, si dhe një vendim të Kuvendit të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK).
Në vijim, Bulliqi dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë paraqitur një mori faktesh, siç janë: investimet infrastrukturore në zonën e kontestuar, si dhe harta të ndryshme.
Komisioni Qeveritar, (duke e cilësuar fakt të ri në raportin e punës së tyre), paraqitën edhe një rast të një aksidenti automobilistik në zonën e kontestuar kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Lidhur me këtë, përfaqësuesi i Komisionit qeveritar tha: “Autobusi i aksidentuar, (më 09.11.1981), në Çakorr, ashtu edhe kompania e sigurimeve ishte nga Mali i Zi. Të gjitha procedurat janë kryer nga organet e KSAK-së dhe asnjë institucion i Malit të Zi nuk është përfshirë në këtë rast”.
Pas kësaj përfaqësuesit e këtij Komisioni, u shprehën se raporti i paraqitur sot është preliminar dhe sqaruan më pas se, në mungesë së kohës së mjaftueshme nuk kanë arritur që ta përfundojnë atë.
Në vijim, ata u janë përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit, të cilët vendosën që vendimin lidhur me raportin ta marrin nga mesi i këtij muaji.