• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Satirë / Propozim modest për themelimin e një partie të re politike në Shqipëri

September 14, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/Studiues

Kjo javë qe e mbushur plot e përplot me habere të reja; ndryshime dhe riciklime në kabinetin qeveritar, demokraci Bashiste, davete politike Gaspardhjane, dosje SPAKU me dhe pa Luleshtrydhe brënda, etj por crème de la crème qe lajmi mbi themelimin e një partie të re politike.U gëzuam shumë me thënë të drejtën se N+1+1 i Partive Politike në vend (132 të tilla të rregjistruara) është i vogël dhe i pamjaftueshëm për ndryshimin e Regjimit dhe Populizmi e Propaganda Politike janë ende të pakta në Atdheun tonë të boshatisur…

Të frymëzuar nga nisma politike e mësipërme (e cila është me pëlqim amerikan, sigurisht) por edhe nga rrethanat (boshatisja e vendit) thamë me vete: “Në djall të vejë! Pse të mos e nisim edhe ne themelimin e një partie të re politike?!” E meqë çdo shqiptar i thjeshtë e fisnik e ka në gen që të jetë Skënderbe mbi kalë, Kapidan e Kumandar dhe të ketë jeniçerët e vet, çetën e vet dhe çerdhen e vet të militantëve, përse të mos kemi edhe ne tonën?! Për këtë qëllim kemi hartuar një propozim modest të cilin e hedhim në mexhlis për konsumim publik për lexonjësit tanë.

Puna më e vështirë për shkrimin e këtij propozimi qe “çështja e emrit”.Emri është një çështje delikate dhe mjaft sensitive; gjykatoret të mbërthejnë prej zverku e s’të lënë që të shkosh pa të shtrydhur më parë mirë e mirë, polici të rras në hapsanë ndërsa shtetet të bëjnë madje që të ndryshosh edhe emrin për çështjen e emrit.Kështu që s’ka shaka me emrat! Pa e bërë dy, nisëm kërkimet. Partia e Gomerëve, Partia e Dashurisë, Partia e Rakisë, Partia e Bordellove Publike dhe e Kanabisit ishin të zënë me kohë e me vakt si emra.Kështu që pasi e vramë ca rradaken, gjetëm diçka më origjinale, më përfaqësuese dhe më internacionale dhe vendosëm ta quajmë “Partia WWW” (dabëllju, dabëllju, dabëllju).Flamurin politik nuk do ta kemi as të kuq, as blu dhe as lejla (një kombinim ky mes të kuqes dhe blusë, për ata që e njohin Teorinë e Ngjyrave) por bojë hiri (Ngjyrën e zezë na e kishin përvetësuar më parë për fat të keq Piratët e Detrave dhe ata të Kalifatit). Ndërsa logoja do të jetë 3W me dy vija paralele poshtë.Arsyeja?! Vu-Vu-Vu rrjedh vaj si lum dixhital!

Do të jemi një parti dixhitale; dmth pa zyra fizike, pa erë fizike dhe pa struktura fizike fare.Në parti s’do të kemi as Hierarki, as Kryetarësi dhe as Nënkryetarësi pasi të gjthë jemi Kryetarë. Duke qënë se të gjithë jemi Kryetarë, ne as nuk votojmë dhe as nuk zgjedhim askënd.Anëtarësia do të jetë e hapur dhe pa kuotizacione, dmth nuk do t’ju marrim leka, paunxha, evro apo dollarë të çdo shteti të botës as dorazi, as me llogari bankare, as me Bitcoins dhe as me “Go Fund Me” apo platforma të tjera. Si 132+1 Partitë e mësipërme as edhe ne nuk do të kemi ndonjë program politik por ndryshe prej tyre që ju premtojnë “parajsa me thasë” dhe ju japin “Noc Rrokun” pas çdo zgjedhjeje elektorale, ne as nuk ju premtojmë dhe as nuk ju zhvasim asgjë. Ne ju japim thjesht kohën tuaj, kohën tonë për ndryshim.

Si parti dixhitale me një “log dixhital”(kuvend) do ti japim përparësi diskutimeve, rrahjes së mendimeve, pranimit të mendimeve ndryshe por edhe të komenteve ndryshe (tek këto të fundit shqiptarët shkrijnë krejt talentin e tyre).As nuk do ti fshijmë, as nuk do ti filtrojmë komentet e tyre por do ti lëmë ashtu “sade” dhe transparente si për njëri-tjetrin ashtu edhe për hafijet e Pushtetit.Duke qënë transparentë në gjithëçka neve nuk do të na duhen as mbikqyrësit dhe as patronazhistët dixhital.Nocioni i një “zyre propagande e mbyshur cyt me data analysts, spin-doctors dhe fabrikator gënjeshtrash” do të jetë i huaj për ne.Kjo për arsyen e thjeshtë se me 80 e kusur vite propogande Populli është lodhur me marifetet e Artizanëve të Errësirës dhe një prej arsyeve që Atdheu boshatiset përbindshëm çdo ditë është pikërisht e njëjta ta-ta-ta e vjetër dhe kushtet e këqija të jetesës.Duke e parë realitetin me sytë tanë ne nuk e simulojmë dhe tjetërsojmë atë për ti bërë propagandë dhe për të gënjyer në mënyrë foshnjarake njëri-tjetrin.Ne nuk do të largojmë apo dëbojmë askënd prej Partisë tonë.Nëse dikush dëshiron me pëlqimin e tij që të hyj apo të dalë prej radhëve tona ai është vetëm një “log in” dhe një “log out” larg.Performancën tonë si Parti do ta masim si Perandorët Romakë në Koloseum, dmth “me gishtin sipër” (pëlqim) apo “me gishtin poshtë” (mospëlqim).Nëse e dhëntë ndonjëherë Perëndia- ky Demijurg i Madh i Botëve që të masivizohemi në kohë e hapësirë dhe të krijojmë qeverinë tonë, kjo e fundit do të jetë gjithashtu një qeveri dixhitale dhe proçedura e miratimit po e njëjta, dmth me gishta.Vetëm propozimet do ti bëjmë “me dorën virtuale ngritur”, pra si Spartanët e Lashtë.Duke qënë një qeveri dixhitale dhe rrjetesh sociale është e kuptueshme për rrjedhojë që jemi gjithashtu edhe “një qeveri klikimesh”.Ndryshimi i vetëm është që Ne nuk ndjekim në parim Juvenalin “ku survejuesi survejohet” dhe as nuk heqim kënd nga puna “për mosngritje a mosulje gishtash”.Ne as nuk ndëshkojmë dhe as nuk shpërblejmë pasi partia jonë dhe qeveria jonë dixhitale nuk e quan spiunllëkun punë.

PS: Propozuesit të këtij projekti në këtë çast është duke iu kalamendur koka dhe po i rrëshqet pena nga dora kështu që po e lë shkrimin përgjysmë për të bërë gjumin e zhegut.Në një çast të dytë do t’ju informoj gjerë e gjatë për këtë ndërmarrje utopike dhe synimet e saj.

Filed Under: Fejton Tagged With: Melsen Kafilaj

Fenomenologjia e Politikës Shqiptare sipas Faik Konicës

September 4, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues/

 Faik Konica (1875-1942)

C:\Users\Admin\Desktop\Faik-Konica-e1484826607719-696x464-696x430.jpg

Achtung! 

Ky artikull përmban fjalë dhe imazhe sensitive të cilat dëmtojnë rëndë Injorancën, Dallkaukllëkun Politik, Arrivizmin Proverbial dhe Sarafët e Interesit Kombëtar.Këshillohet që ti rrinë larg Pleqtë- Çiliminj, Militantët me zemër të dobët, “Doktorët (Ph.D.-të) me tesera partiake të Universitetit të Zullulandit” dhe “Gishtagoret Facebookiane të Gubernës”.Autori i veprës dhe ai i artikullit nuk mbajnë përgjegjësi penale për pasojat e tij post-lëçitëse.

Në Provintzën tonë, ashtu si në çdo cep tjetër të botës me të njëjtin emër dhe rank ekziston një mentalitet i lashtë homicid që këdo që thotë të Vërtetën e mbërthejnë në shkëmb, e zënë me gurë deri sa të jap firomën e fundit, e kryqëzojnë, e syrgjynosin dhe më e keqja nga të gjitha e vrasin kolektivisht me harresë.Një prej formave të mësipërme do ti ndodhte edhe Faik Konicës, personit me “Beretta M1934” tek koka (për ata që s’dinë  të këndojnë kartë dhe i mësojnë gjërat vetëm duke i parë si Ikonat), një erudit dhe një intelektual par excellence i cili gjatë gjithë jetës i këshilloi Shqiptarët sesi “të vrisnin mëndjen” dhe jo ti derdhnin gjakun vetvetes apo tjetrit, duke e përbuzur katërcipërisht këtë akt barbar.Por në një vend në të cilin jeta e Kurmit ka vlejtur gjithmonë më tepër se jeta e Mëndjes dhe kur kjo e fundit është trajtuar përherë si ndonjë çikërrimë, akti i thënies të së Vërtetës me zë të lartë në Agora është cilësuar gjithmonë një heresia graviora për Ne shqiptarët; akt që meriton linçimin dhe harresën.

Konica, i cili ndryshe nga aradha e “Intelektualëve-Partizanë” të cilët kanë thurur “Epopenë e Popullit Tonë në vargje”, duke e glorifikuar Shqiptarin e lindur para Adamit si më të mirin, më të bukurin, më të përsosurin dhe më të zgjuarin e Dheut ka vënë buzën në gaz teksa e ka dëgjuar këtë gomarllik me brirë dhe pasi ka heshtur cazë ka kumtuar: “Pa daleni njëherë, o të uruar! NE nuk jemi omfalosi i Botës!” Pikërisht, të treguarit të gjërave Vulgut ashtu siç janë, dmth “troç” dhe jo si në Kohën e Perëndive apo të Heronjve, plot imagjinatë poetike por pa refleksion, siç do të shprehej Vico do ta bënte Konicën tonë “të urryer”, “ekscentrik” (sipas një kritiku Marksist) dhe aspak “popullor”.Konica asnjëherë nuk do ti binte kavallit bukolik të Romantizmës për të magjepsur pas vetes Gjindjen por klarinetës së Dennerit; kjo e fundit përherë e qartë (clarus-lat) në tingujt e saj realist.

          Koleksioni i plotë i Revistës “Albania” (1897-1909) të botuar nga Faik Konica

I rehabilituar fare vonë në Atdhe, ky njohës me themel i Psyche-s dhe Botëkuptimit Shqiptar do të ishte gjithashtu një vëzhgues i mprehtë dhe një zhbirues i thellë i fenomenologjisë së politikës shqiptare.Vëzhgime tepër të vyera, të cilat këta të fundit as nuk i këndojnë nëpër librat e Tij dhe as nuk i nxënë mend.Ler ti marrim me radhë disa prej këtyre konstatimeve.

1. Mbi Kultin e Adhurimit të Individit në politikë

Duke konstatuar që Shqiptarët kapen më tepër pas Individëve specifikë sesa pas Çështjes Kombëtare apo Interesit Kombëtar (diçka që ndodh edhe në ditët tona) dhe e adhurojnë Njëshin sikur ta kishin Perëndi, Konica shkruan tek “Albania”: “Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët.Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari.”

2. Mbi mungesën e Idealizmës dhe Vizionit politik të Udhëheqësve tanë

“Populli im humbet për mungesë vizioni”- thotë Libri (βίβλος).Duke përsijatur mbi këtë fenomen politik recidiv të çdo kohe Konica konkludon: “Me një njeri pa qytetari, pa fuqi mendore dhe pa idealizmë në krye të Shtetit, shpresa jonë për një Shqipëri të zhvilluar në shëndet e bukuri është një shpresë e humbur.”

3. Mbi Hajninë politike dhe zaptijellëkun

Hajnia, si mjet mbijetese siç u shpreh njëherë Budi shpirtbardhë është një fenomen proverbial ndër shqiptarë.Po aq e lashtë është edhe hajnia politike.Për këtë fenomen që s’ka shumë nevojë për koment, Konica shkruan: “Qeveritarët tanë s’janë veçse një gang (bandë- shën. im) hajdutësh dhe sodomitësh që e rrjepin dhe e çnderojnë përditë Popullin”. A nuk janë të tillë edhe sot?!

4. Mbi Partitë politike

Partitë politike mbijnë përditë si puna e kërpudhave pas shiut në Shqipëri.Sipas raportit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023 na rezulton se janë 132 të tilla.Pra shumë herë më tepër se spitalet (54) dhe bibliotekat publike (12 të tilla) në vend.Për këtë “shumim folesh matrapazësh dhe dallaverexhinjsh” ja sesi shkruan Konica tek “Dielli” 100 vjet më parë: “Pamë këto ditë një provë tjetër të themelimit “të dy partive të reja”.Asnjë nga këto dy parti s’ka ndonjë gjë të re brënda, as njerëz të rinj, as parime të reja; njerëzit janë ata që kemi njohur edhe më parë në disa partira të tjera…the same old damned thing; një grup njerëzish që nuk i lidh as një e shkuar e përbashkët as dashuria për një ideal të përbashkët por vetëm ca inate dhe interesa të çastit.Ky themelim (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i dy partive të reja të cilat janë pa kokë, pa trup dhe veçan pa frymë nuk është gjë tjetër veçse një lodër fjalësh- një ndryshim etikete, ndryshim që Shqiptarët pas zakonit të tyre e quajnë përparim.”

5. Mbi fryrjen e Administratës Publike me militantë dhe të paaftë 

Nëse mendoni që Administrata Publike aktuale ka një legjion militantësh dhe një tabor të tërë “robotësh” dhe “ekspertësh”, mos u habisni. S’keni parë dhe dëgjuar gjë akoma! E kemi “traditë” që nga themelimi i Shtetit të Parë Modern Shqiptar që më 1912-tën.Dhe tradita vazhdon pa ndërprerje nga njëra qeveri në tjetrën pavarësisht ideologjisë apo ngjyrës së flamurit partiak.Ja fjalët në mur të Konicës: “Në politikën e brëndshme, “guvernat” që morën fuqinë, në vënd që të afronin e të mblidhnin elementët e mirë të përndarë tutje tëhu, këta të fundit i mprapsnë dhe thirrnë nga të gjith’anët e botës Shqiptarët më të prishur nga karakteri, me pak fjalë njerëz të turpit e të litarit.Në vënd që të pakësonin numrin e memurëve dhe rrogën e tyre dhe të zgjidhnin më të zotët e vendit, përkundrazi ndodhi e kundërta; numri i memurëve u rrit shumë herë më tepër se në kohën e Turqisë po ashtu ju rritën edhe rrogat”…

6. Mbi drejtimin e Politikës së Jashtme dhe emërimet e Ambasadorëve nëpër botë

“Çudirat” me emërimet e Ambasadorëve apo abuzimet me këtë post i cili pasqyron dinjitetin e Shtetit në shkallën më të lartë vazhdojnë edhe një shekull më pas.Mbi këtë fenomen, Konica në 1923-shin e largët do të shkruante: “Një shëmbull të bukur të mënyrës me të cilën drejtohet politika e jashtme e Shqipërisë e gjejmë tek fakti i çuditshëm ndonëse jo i papritur që “guverna” e Tiranës dërgon në Beograd një Ministër të Klasit të Parë ndërsa në Romë një Ministër të klasës së parë! A kemi të bëjmë me budallenj apo me zuzarë? Pa dyshim me zuzarë. Xhepi, Inati, Qejfi dhe jo kuptimi (…) me mendimin e së Nesërmes rregullojnë politikën e jashtme të Shqipërisë”.

7. Mbi humbjen e Besimit Publik tek Politika Shqiptare

Besimin publik, sociologu britanik Russell Hardin e definon si një marrdhënie të veçantë  ndërmjet dy palëve në lidhje me një veprim apo një varg veprimesh që kanë të bëjnë me të Mirën Publike (Common Good).Ja sesi e shpreh këtë humbje të besimit publik të Shqiptarëve te politika Konica ynë: “Po pse të humbim kohën? Populli u dënd me gënjeshtra prej klikës së natës dhe të turpit.Ka humbur besimin tek politikanët.Dhe Populli s’ka faj se politikanët nuk e meritojnë aspak këtë besim.Politikanët janë tallur dhe vazhdojnë ende që të tallen me të.Ai është lodhur me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat fytyra të cilët ndërrojnë partitë e flamurin por jo natyrën e tyre prej zuzari të errësirës duke i vënë kështun kazmën Shqipërisë.A ësht’ e drejtë që qetësia, zhvillimi, jeta e një Kombi të vihen në rrezik nga një bandë vagabondësh pa ndërgjegje?”

Si përfundim, mund të themi që këto konstatime të Konicës mbi Politikën janë të çmuara jo vetëm për përshkrimin e detajuar të fenomeneve dhe aftësinë e tyre dritëhedhëse por gjithashtu shërbejnë edhe si intruktore të mira për të Ardhmen.Sepse, siç do të shprehej edhe profesori i Konicës në Harvard, George Santayana “kush nuk mëson prej gabimeve të së Shkuarës është i destinuar që ti përsëris ato edhe në të Ardhmen”.Gabime të cilat një Popull me mëndje dhe zemër të fjetur si Ne vazhdon që ti përsëris edhe 100 vjet më pas… 

                                                                                                                           Melsen L. Kafilaj

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Melsen Kafilaj

Profesor Peter R. Prifti, kontribuesi i parë shqiptar i prestigjiozes diturore “Encyclopædia Britannica”

August 21, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues

C:\Users\Admin\Desktop\Peter R. Prifti.jpg

Peter R. Prifti (1924-2010)

Silens loquor! (Ndonëse i heshtur, ende flas) Pikërisht kjo frazë latine e një ore diellore nga Padova e Shek. XIV-të më erdh ndër mënd këtë përvjetor të trembëdhjetë “heshtje fizike” të Profesor Peter R. Priftit, një prej personaliteteve më të spikatura të Diasporës Shqiptare në Amerikë dhe një figurë e papërsëritshme intelektuale.Kjo heshtje fizike e Profesorit dhe kalimi i tij në amëshim, të pasuara nga një heshtje akoma edhe më e gjatë institucionale në lidhje me këtë personalitet të shquar intelektual nuk ka sesi të mos çmeris teksa sheh “njerëz prej çeçeje” që ngrihen përditë, promovohen dhe të na reklamohen “si gurë qosheje” të Akademizmit Shqiptar ndërsa emri dhe veprat e tij lihen në hije.

Edhe pse E Drejta e Pashkruar Njerëzore e kërkon që për të ndjerin të flasësh gjithmonë mirë, sot nuk do të flas në këtë mënyrë vetëm për hir të këtij zakoni të lashtë sa vet jeta por për arsyen dhe faktin e thjeshtë që Profesor Peter Prifti nuk ka nevojë për puthadorë, nderime të sheqerosura apo apoteoza Olimpi; Vepra e tij flet më mirë për të! Studimet dhe kontributet e Profesor Priftit janë të panumërta (në gjuhësi, letërsi, histori, antropologji kulturore, politikë, etj) por unë do të theksoja disa prej tyre si më përfaqësueset.

Së pari, Profesor Peter Prifti është kontribuesi i parë shqiptar në burimin më të pasur, më të besuar dhe më të përpiktë dituror; në prestigjiozen “Enciklopedinë Britanike”.Ky kontribut i tij konsiston në 4 artikuj; 1) “Shqipëria nga Epoka e Gurit në Kohën Tonë,” 2) “Historia e Shqipërisë,” 3) “Mbi Letërsinë Shqipe” dhe 4) “Mbi Ismail Kadarenë”. Eshtë interesante të vëresh që asnjë prej intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit nuk ia nxë goja që ta përmënd këtë fakt.Po përse gjithë kjo heshtje?! Arsyet tashmë dihen.Smirë, xhelozi, shpirtvogëlsi, etj…dukuri tepër të zakonshme në kësisoj rrethesh të mbyllura, të cilët shpesh janë si puna e Mafias: “vrasin njëri-tjetrin”. Por Diellin po ashtu si Të Vërtetën nuk mundet ti mbulojë dot kush me shoshë.

Së dyti, tek Profesor Peter Prifti shquajmë një prej ambasadorëve dhe apologjetëve më të shkëlqyer të Historisë dhe Kulturës Shqiptare.Ai jo vetëm që promovoi imazhin e një Shqipërie të Qytetëruar dhe Europiane por gjithashtu sa herë që ky imazh u cënua, u nëpërkëmb apo u shpërfytyrua prej ndonjë tabloidi të papërgjegjshëm (Time Magazine, National Revieë, Neësëeek, US Neës & Ëorld Reports, etj) programi televiziv (CBS Broadcast)  apo ndonjë gazetari të painformuar perëndimor, u angazhua devotshmërisht që t’ju shkruaj, ti informoj, t’ju argumentoj madje shpesh edhe ti furnizoj me informacione apo ti detyroj moralisht që të kërkojnë falje vetëm e vetëm që nderi dhe dinjiteti i emrit “Shqipëri” dhe atij “Shqiptar” të vihen në vendin e duhur.

Ai nuk ngurroi aspak që të evidentonte, ekspozonte dhe “të korrigjonte” falë gjuhës, morisë së fakteve dhe argumentimeve të tij brilante edhe artikuj të publikuar në enciklopedi serioze si: Encyclopaedia Britannica, Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia, etj. Dhe këtë gjë Ai nuk e bëri i shtyrë prej Unit të papërmbushur, megalomania apo grafomania por sepse udhëhiqej nga besojma se imazhin e mirë të Shqipërisë kudo në botë duhet ta farkëtojmë dhe mbrojmë po vet Ne shqiptarët. Profesor Prifti ishte një njeri patriot, një patriot në kuptimin klasik që George Orwell i jep kësaj fjale.

Së treti, këtë patriotizëm të spikatur ai e tregoi jo vetëm me angazhimin e tij aktiv në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan apo në krye të “Vatrës” dhe të “Diellit” por me një çështje e cila për të ishte “leitmotiv jete”; Çështjen e Kosovës. Paperi i tij shkencor “Kosovo in Ferment” (1969) i punuar gjatë kohës si researcher në Qëndrën për Studime Ndërkombtare të Massachusetts Institute of Technology (MIT) shërbeu si një burim i dorës së parë për Departamentin Amerikan të Shtetit për tu informuar mbi diskriminimin serb dhe gjëndjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Gjithashtu, së bashku me Profesor Arshi Pipën dhe intelektualë të tjerë patriotë ai shkroi një sërë artikujsh, letrash dhe op-ed me qëllimin e vetëm ndërgjegjësimin e opinionit publik amerikan mbi këtë çështje.Vepra e tij “Confrontation in Kosova: The Albanian-Serb Struggle” (1999) është një hulumtim i detajuar historiko-social-politik, vijim i paperit të nisur në MIT i cili rresht me nisjen e Luftës së Kosovës.Profesor Priftit do ti bëhej zemra mal nga gëzimi teksa do ta shihte Kosovën martire si një vend të lirë e të pavarur në vitin 2008, nën garancinë e idealit të tij demokratik, Amerikës.Një ideal për një tjetër ideal, të cilin e dëshmoi në gjallje të vet.

Si përfundim, mund të themi që ky intelektual i cili u shua si një yll dhe jo si një kandil që e fik çdo lloj ere, përmes veprës së vet (pavarësisht Vlerë-Mohuesve) do të vazhdoj të na flasë në çdo kohë.Për të qëndron denjësisht konstatimi emblematik i Ciceronit: “Mors terribilis iis, quorum cum vita omnia exstinguuntur, non iis quorum laus emori non potest!” (Vdekja është diçka e tmerrshme për ata që shuhen përgjithmonë nga jeta, jo për ata që lënë një emër të pavdekshëm pas!)

                                                                                                                         © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj, Peter Prifti

Apatia e Shqiptarëve sipas Nebil Çikës

August 18, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues

C:\Users\Admin\Desktop\Nebil-Çika.jpg

Nebil Çika-I Vjetri (1893-1944)

Emri “Nebil Çika” Gjindjes nuk i thotë asgjë. Madje, si për çdo mentar tjetër “të përbuzur” prej saj si bën kurrëfarë përshtypje.Ndaj kolosëve të mendimit dhe mendimit “ndryshe” (shpesh edhe ndaj veprimeve konkrete) Gjindja është përherë apatike.Pikërisht për këtë apati të spikatur të shqiptarëve, do të shkruante mes të tjerash në veprën e tij “Njëmëndësija Shqiptare: Studim Politik dhe Psikologjik”(1943) Nebil Çika. Çika, gazetari, publicisti dhe themeluesi i “Minervës”(1932), një prej revistave letraro-kulturore më në zë të Kohës, nuk do të qëndronte duarkryq por do ti kundërvihej fenomenit në fjalë përmes fuqisë së mëndjes dhe të veprimit.Por ç’është apatia, lind pyetja?!

C:\Users\Admin\Desktop\s-l1600.jpg

                            Botimi i Parë i “Njimëndësija Shqiptare” (1943)

Apatia (ἀπάθεια), një fjalë kjo me origjinë greke, nëse i referohemi “Le Dictionnaire grec-français” të helenistit të madh francez Anatole Bailly në dy shpjegimet që ai jep ka kuptimet e mëposhtëme: 1) mungesë ndjeshmërie emocionale dhe 2) pandjeshmëri, indiferencë (Bailly, 1935:199). Por si lidhet kjo mungesë simpatie, pandjeshmërie dhe indiference me ne shqiptarët?! Çfarë përkufizimi i jep asaj dhe si e trajton Çika fenomenin në fjalë?! Ja sesi shprehet Ai:

     “Rrethi ynë shoqëror, pjellë e ndikimeve telurike (të tokës) dhe politike gjatë shekujve t’errta robërije, është tepër apathik.Apathi do të thotë pa-aftësi për tu impresionuar, për t’u emocionuar.Kjo paaftësi lind paaftësinë për vullnet, pasi vullneti është përfundimi i një lëvizjeje të ndërlikuar ndijimesh (sensacionesh) dhe idesh që luftojnë brënda nesh njëri me tjetrin për të marrë komandën.Kur s’ka emocion e vullnet jeta merr kuptimin materialistik të saj, që është ta kuptosh shoqërinë njerëzore si shoqëri shtazësh.Por jeta njerëzore s’do të qe më e lartë se ajo e kafshëve po të mos ishte një përpjekje e vazhdueshme kundrejt një frymërije (spiritualitet) sa më të kulluar që të jetë e mundur” (Çika, 2007:21).

Çika jo vetëm që gjurmon arsyen pse shoqëria shqiptare është apatike por gjithashtu ai thekson se paaftësia për të mos u impresionuar, për të mos na bërë përshtypje ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin përreth nesh dhe mos ushtrimi i vullnetit për të ndryshuar vetveten dhe realitetin tonë, dmth squllja e këtij vullneti na ul në të njëjtën shkallë dhe na barabit me shtazët. Apatiku ka disa karakteristika specifike, të cilat autori në fjalë kujdeset që të na i përshkruaj dhe jap njëra pas tjetrës.Le ta ndjekim më tej në arsyetimin e tij:

      “Apatiku mendon vetëm për barkun e tij, për “bukën e fëmive’ si ç’do thoshte Ismet Toto ose për gradën që ka në hierarkinë zyrtare.Ky njeri i cili varet nga ata që kanë arin dhe fuqinë nuk është gjë tjetër veçse një mishërim (inkarnacion) i kuptimit materialist të jetës (Lexo: Përshtatja dhe Darvinizmi Social- shën. im).Veç kësaj, apathiku është një disfatist në fushën e përparimit kombëtar, ai ka një dokërr t’amshueshme për të mos bërë asgjë që nuk i shërben stomakut të tij delikat: “s’mund të bëhet gjë në këtë vend; s’të lënë të bësh gjë” thotë sot e njëzetë vjet më parë.Por asnjë prej apathikëve nuk u shfaq kurrë me një vepër në dorë.Por ka dhe më: apathiku është edhe mostoleronjës ;një mendim apo ide tënden, të kundërt me të tijën ai ta pret më dysh me ironi a tallje që fshehin ose shfaqin në mënyrë të nënkuptuar akuza kundër teje.Por shkaku i vërtetë i këtyre akuzave është ky: Duke qënë se apathiku  nuk punon dhe nuk lëviz aspak, pret gjithashtu që edhe të tjerët të mos punojnë dhe të mos lëvizin si ai” (f.22). 

Këto karakteristika të apatikut, sidomos në drejtim të së Mirës Publike kam pasur rastin që ti vëzhgoj nga afër në çdo protestë të Shoqërisë Civile në të cilën kam marr pjesë.Rasti më i fundit qe protesta kundër shkallmimit të Sheshit të Flamurit në Vlorë.Apatikë, të cilët në kaleidoskopin e formave të tyre njerucërore jo vetëm që na dekurajonin dhe përtallnin nëpër rrjetet sociale por madje edhe na filmonin duke na zbardhur dhëmbët pranë kafeneve teksa marshonim përgjatë Bulevardit.Ajo e cila për Ne ishte një detyrë qytetare, një përgjegjësi morale dhe gjithashtu kombëtare, për apatikun disfatist që ankohet e qurravitet Facebuqeve 24 orë në 24 me demek “për të Ardhmen e Kombit dhe Mbarëvajtjen Kombëtare” por që nuk e luan menderen nga karriget e mejháneve dhe se bën qejfin qeder  për hir të Kauzës, ishte një kënaqësi dhe spektakël i shkurtër 5-minutësh, për të hedhur në Tik-Tok e Instagram “parakalimin e të Marrëve”…Nuk ka sesi të mos bëj përshtypje dhe të vësh duart në kokë që je pjesë e një shoqërie aq apatike për fatin e së Ardhmes së vet…

Pikërisht, kjo trajtë vepruese e Apatisë të trajtuar nga Nebil Çika më erdh ndër mënd teksa të ashtuquajturit“qytetarë të kafeneve” bënin sehir me Ne dhe shpërfytyrimin e simbolit të tyre qytetar dhe kombëtar; “Sheshin e Flamurit”.Ja sesi e përshkruan mentari sarandiot fenomenin në fjalë:

         “Një nga trajtat më vepronjëse të apathisë që sundon rrethin tonë shoqëror dhe që pengon veprimtarinë mendore (vita contemplativa) dhe atë aktive (shën. im) është gogoli i kompromentimit.Kur i shfaqa aty shpejt një shoku se isha duke u përgatitur për të shkruar një libër mbi gjëndjen tonë, ky më tha: “Ç’të duhet ty kjo punë tani?! Pse të kompromentohesh kot?”Këto fjalë i kam dëgjuar shpesh.E kuptoj se ç’do me thënë.Mos të kompromentohesh do të thotë t’i ikësh një përgjegjësie të ndodhshme, të kesh frikë nga ajo dhe të rrish duarlidhur në Vëndin tënd.Eshtë, dmth t’a mohosh vetiakësinë tënde, është të jesh rob, është të vesh pas një ere që mund të fryj nesër, është një hesap egoist dhe paralizonjës që bën për të qënë gati për çdo gjë që mund të ngjasë; është pra, ta mendosh veten tënde të shtrenjtë e të shenjtë dhe ti ikësh detyrës që ke si pjesëtar i një shoqërie e cila pret të ndriçohet dhe të ndryshohet (shën.im) prej teje”(f.22)

“Qytetarët e kafeneve”, në pandjeshmërinë e tyre të ftohtë ndaj Publikes por edhe nga frika e gogolit të kompromentimit zgjodhën që të bënin sehir dhe të na duartrokisnin, tamam si ata spektatorët e lindur për Shoqërinë e Spektaklit.Apatikët, një shoqëri e cila në fakt duartrokiste mbi arkivolin e saj.Edhe artistët më të mëdhenj të Artit Makabër (L’Art Macabre) do ta kishin zili si tablo.Ndërsa, Ne të kompromentuarit…

Por përse vazhdojmë të shkruajmë ende teksa jemi të vetëdijshëm që qarkohemi nga ky rreth  indiferentësh?! Përgjigjia jonë shkrihet së bashku me atë të Nebil Çikës: “Nëse pra, unë po e marr edhe sot pëndën në dorë, këtë e bëj sepse më shtyn gaileja e së nesërmes, jo vetiake por kombtare.”

                                                                                                                          © Melsen L. Kafilaj

Filed Under: ESSE Tagged With: Melsen Kafilaj

Oriental apo Oksidental? Mentaliteti i udhëheqësve tanë politikë sipas Fan Nolit dhe Krist Malokit 

August 14, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues             

C:\Users\Admin\Desktop\Fan-S.-Noli rouge.jpg
C:\Users\Admin\Desktop\Kmaloki.jpg

Në një prej artikujve të saj më kuptimplotë, të botuar në “The Washington Post” historjania dhe gazetarja penëhollë Anne Applebaum shkruan: “Jetojmë në një kohë dhe kulturë të atillë ku ngjarjet dhe idetë e rëndësishme injorohen”.Një e vërtetë e dhimbshme për të cilën në fakt s’ke sesi të mos reflektosh. Por të reflektosh, për një popull i cili nuk e ka parë ende me sy diellin e Intelektit, siç do shprehej diku Branko Merxhani është “një punë fillozofësh” për ne shqiptarët, me pak fjalë një vërë në ujë, një përpjekje e kotë teorike e pa kurrëfarë dobie e cila nuk sjell asgjë të mirë në jetë.(Çuditërisht, një përkufizim të tillë “për atë që fillozofon” e ruan ende në ditët tona edhe Fjalori i Akademisë së Shkencave).Por një komb i cili nuk beson tek fuqia e Ideve për të transformuar realitetin e tij kolektiv dhe që nuk përfiton prej nektarit të mendimit të mentarëve të vet më brilantë e meriton plotësisht që të sundohet prej demagogëve, autokratëve dhe diktatorëve (siç ka ndodhur dhe do të vazhdoj të ndodhë).

Porosinë dy shekullore të Hajnes “Kushtojuni rëndësi fuqisë së ideve dhe mendimtarëve tuaj” nuk ke sesi të mos e zbatosh kur ke në mesin tënd një plejadë mendimtarësh të cilët në kohë e hapësira të ndryshme kanë bërë një anatomi të shkëlqyer të Psyche-s, Botëkuptimit dhe Problematikave shqetësuese të Kombit, problematika të cilat vazhdojnë të na përndjekin si Stihi Mitike edhe në kohën tonë.Sot për të analizuar njërën prej këtyre problematikave do të ndalem tek dy prej tyre, Fan Noli dhe Krist Maloki. 

Të shqetësuar nga problematika e Mentalitetit të Shqiptarëve dhe drejtimi i vizionit të tyre, të dy mendimtarët në fjalë e rimarrin këtë çështje të shpalosur më parë nga Ideologët e Rilindjes Kombëtare dhe e shtrojnë më tej për diskutim.Për Ideologët e Rilindjes, mentaliteti i shqiptarëve dhe Krerëve të tyre është padyshim Oriental ndaj duhet punuar fort për ta drejtuar dhe ekspozuar Kombin ndaj dritës së Perëndimit.Këtu është me vënd që ti kujtojmë Lexuesit tonë vargjet e Naimit:          

                                                   Jak’o dit’e uruar

                                                   që lind nga perëndon,

                                                   At’ anë e ke ndrituar

                                                   e ne pse na harron.

Si dishepull i kësaj Fryme, Ismail Qemali “Babai i Shtetit të Parë Modern Shqiptar” do ta drejtonte vendin kah Vizioni Perëndimor, e më specifikisht nga Britania e Madhe, një vend ky me traditë demokratike 800 vjeçare dhe një prej demokracive më të vjetra evropiane.Por teksa vizioni është diçka e cila mund të çohet lehtësisht si pikësynim dhe të shtypet në letër me 5 minuta pune në makinë shkrimi, mentaliteti është diçka e cila nuk mund të ndryshohet me një të rënë të lapsit dhe “Et voila!” Flakja tej e fesit të kuq, shallvareve “alla turka” apo xhybesë dhe zëvëndësimi i tyre me kapelën “alla frënga”, kravatën-kryq dhe redingotat e Inglezit nuk e bënë Shqiptarin automatikisht “Oksidental”.5 shekuj sundimi Osman dhe gati 7 shekuj sundimi Bizantin kishte shtresëzuar në botëkuptimin e tij mëndësinë, karakteristikat dhe veset më të këqija të Perandorive respektive.Një prej tyre do të ishte padyshim Mentaliteti Oriental i Arhondit (Zotit të Madh) dhe Bejlerbeut. 

Ismail Qemali, i cili ishte edhe vet pjesë e Parisë së Bejlerbejve, do ta vuante mbi kurrizin e tij këtë mentalitet gjatë kohës në krye të qeverisë jetëshkurtër të Vlorës.Mentaliteti i mësipërm nuk e njeh nocionin e Publikes por vetëm atë të Domenit Vetiak dhe të pushtetit personal apo familjar të Beut dhe të Oxhakut të tij.Shteti, nqs ka një të tillë funksional përfytyrohet si një ngastër e madhe toke në të cilën Beu ka pjesën, rolin dhe autoritetin e tij si I Pari i Vendit.Një prej shkaqeve për dështimin e Qeverisë së Vidit dhe më vonë asaj të Fan Nolit për moskryerjen e një sërë reformash do të ishte pikërisht ky mentalitet; mentalitet i trashëguar edhe nga I Pari i Zogollëve, nga “Shoqëria e të Trembëdhjetëve” të Byrosë Politike të PPSH-së apo edhe nga liderët politikë të pas 90-tës dhe Parvenu-ja e tyre. Neo-Bejlerët e kohës tonë jo vetëm që janë si një pikë e vetme uji në mëndësi me paraardhësit e tyre por i imitojnë gjithashtu edhe në dukje (Vishen me salltanete të larta, duan ndërtesa dhe maja kullash të larta për të banuar, punuar apo rrufitur kafenë e ditës, poltrona të larta për të ulur menderet e tyre të rënda apo edhe makina të larta për të udhëtuar apo për tu englendisur).

Një tjetër derivat i mentalitetit të Arhondit dhe Bejlerbeut është edhe ai i Kolltukofagisë. E cekur fillimisht si fenomen tek revista “Albania” e Faik Konicës, me termin në fjalë ajo do të shfaqej për herë të parë në librin “Krimet e Politikës” të Terenc Toçit të botuar në vitin 1922, për të cilën dhe kemi shkruar më parë (Shih: https://gazetadielli.com/anatomia-e-destruktivitetit-te-politikes-shqiptare-1922-2022-sipas-terenc-tocit/ ) dhe do të vijonte më pas me fjalimin parlamentar brilant të Fan Nolit “Shakaxhiu i Përparimit dhe Pesë Anarkitë” në vitin 1923 dhe në artikullin “Oriental apo Okcidental” të Krist Malokit të botuar në “Hyllin e Dritës” në vitin 1937.Po ku konsiston ky mentalitet, lind pyetja?!

Imzot Noli, i cili me “Shakaxhinj Përparimi” na e lëviz në tru me shpejtësinë e neutronit këtë “Erë Reformatorësh Perëndimorë” nga Zogu tek Rama (1922-2023), kujdeset që të na i përcjell me tone Manikeiste dhe Biologjiste fenomenin në fjalë. Ja sesi shprehet Ai: “Këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë përfyten e përleshen për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit.Këtu kemi Idealin e Kolltukofagëve; krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.” 

Kolltukofagia, e cila ka të bëj në vetvete me uzurpimin dhe moslëshimin e pozicioneve kyçe në shtet, administratën publike, sektorët strategjikë, parti, etj është e ndërlidhur edhe me një mëndësi tjetër tipike orientale; Akraballëkun, dmth “Përkrahja që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme” (Shih: Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i Akademisë së Shkencave).Kjo e fundit, e ulur këmbëkryq jo vetëm në Pushtetin Qëndror dhe atë Lokal por në çdo Institucion tjetër të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe ato të Edukimit.

 Për kolltukofagun, ideal jete është deviza: “Amaç, araçları meşru kılar” (Qëllimi justifikon mjetin).Profesor Krist Maloki, një fenomenolog i stërvitur dhe njohës i mirë i këtij mentaliteti e përshkruan atë si më poshtë: “Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma; për t’i sigurue vetes këto të mira ai përdor çdo mjet; bâhet, kur e don nevoja, edhe Patriot e Tradhëtar, Monarkist e Bolshevik, Përparimtar e Reaksionar…e bile edhe shok i fortë me të tjerë.Vendi ku majmet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për të.Jo sepse e don por sepse e shfrytëzon.Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbjeje dhe skrupulli.”

Për Kolltukofaginë, të cilës në politikë k/analistët i kanë vënë së fundmi edhe termin përkëdhelës “Kryetarokraci” (Shih: Mentaliteti i Arhondit dhe Bejlerbeut), Bejlerët e Mëdhenj fron-uzurpues të Shek.XXI janë të gatshëm që të marrin madje edhe hunjtë si në Mesjetë për mbrojtjen e saj, të të kërcënojnë me jetë apo edhe të blejnë duke ta vuvosur gojën me një shuk dollarësh (nëse janë gdhirë me humor të mirë në ditën e shënuar).Ligji nuk është çfarë thotë Kushtetuta, Statuti, Neni apo Pika në fjalë por çfarë do I Madhi.Dhe çfarë do I Madhi, bëhet! Diçka e cila na kujton paksa Thrasimakun e “Republikës” 2500 vjet më parë, i cili pohon se “Drejtësia dhe Ligjet janë gjithmonë në avantazhin e më të Fortit.”

Një pikë tjetër tek e cila do të ndalem në këtë artikull dhe që Profesor Maloki e cek edhe më sipër është Mentaliteti i Llokmës dhe Ryshfetit. Orientali, për aq kohë sa është në krye të karriges e sheh pozicionin e tij politik dhe administrativ “si një lopë të majme Egjipti, të cilën “ta mjelë” në maksimum sa here që ja kërkon interesi vetiak. Dhe në fakt ai që bëhet kurban prej këtij mentaliteti është gjithmonë Atdheu.Sa më lart në krye të kolltukut Orientali, aq më e madhe edhe llokma e ryshfeti që ai ha.Kështu psh, nuk është e rastësisshme që sipas kësaj logjike të kemi raste të njohura e të panjohura abuzimi Kryebashkiakësh 20 përqindsh, Ministrash-Mamuthë tenderash e madje edhe Zv.Kryeministrash e Kryeministrash; të gjithë flamurtarë pretendues të Liberalizmit dhe Oksidentalizmit në dukje por në thelb zemërushqyer me idealet më të errëta të Orientit.Të ndodhur përballë faktit dhe të ekspozuar gjatë këtyre 30 e kusur vitesh demokraci ndaj kësaj mëndësie piramidale, në Popull është rikthyer sërish në qarkullim pikëpyetja e vjetër Osmane: “Sa është haraçi i të Madhit?!”

Pra, a janë Oriental apo Oksidental liderët tanë?!

Kushdo që i ka shquar karakteristikat e mësipërme në persona konkretë përtej së Majtës e së Djathtës e ka marr tashmë një përgjigje.

                                                                                                                             © Melsen Kafilaj

Filed Under: Politike Tagged With: Melsen Kafilaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT