Në Dubai organizohet konferenca ndërkombëtare për një nga gjuhët më të përhapura në botë, me më shumë se 422 milion folës dhe me një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e qytetërimit dhe kulturës humane. Numri i njohësve të arabishtes është rritur ndjeshëm vitet e fundit, edhe për shkak të veçanësive kulturore që mbart kjo gjuhë.
Mbrojtja e vlerave të gjuhës arabe dhe strategjitë për shtrirjen e mëtejshme të kësaj gjuhe, ishin fokusi i konferencën së dytë ndërkombëtare “Arabishja sot dhe sfidat për të ardhmen”, që u mbajt në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga data 7-10 maj 2013. Pjese e kësaj konference ishin gjuhëtarë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme shtetërore e private nga vende të ndryshme të botës.
Vendi ynë, Shqipëria, përfaqësohej nga drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), Dr. Ramiz Zekaj, i cili gjatë konferencës prezantoi nivelin e shtrirjes dhe rëndësinë që ka pasur gjuha arabe në Shqipëri, veçanërisht në përhapjen e fesë dhe kulturës islame, por edhe më gjerë. Ai bërë një ekspoze të qartë për të pranishmit në lidhje me realitetin e organizimit arsimor e social shqiptar, trashëgiminë kulturore me alfabet arab në Shqipëri e rajon, si dhe nevojën për transkriptimin e këtyre teksteve, me përmbajtje të rëndësishme shkencore e kulturore.
Një ndër qëllimet kryesore të konferencës ishte realizimi i koordinimit të përpjekjeve të vendeve të rajonit, për të thelluar interesimin mbi gjuhën arabe, fuqizimin e vlerave dhe rolit të kësaj gjuhe në ruajtjen e identitetit arab, përdorimit të drejtë të saj në programet arsimore, në media e institucionet shtetërore e private, studimin dhe kapërcimin e vështirësive në realitetin e shoqërisë arabe si dhe gjetjen e mënyrave efikase të mësimit të kësaj gjuhe për të huajt.
Gjatë ditëve të konferencës u shqyrtuan edhe përpjekjet e qeverive dhe institucioneve të ndryshme shtetërore në mbrojtje të gjuhës arabe dhe realitetit të letërsisë në këtë gjuhë, në nivel rajonal e ndërkombëtar. Gjithashtu, pjesë e kumtesave ishin edhe çështje të tilla, si: gjuha zyrtare arabe dhe trajtimi i saj në universitete publike e private dhe roli i përkthimit në mbrojtjen dhe mësimin e saj të jo arabëve.
Sipas Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Zhvillimit Social të Emirateve, princit Nahjan bin Mubarak bin Al Nahjan, ky takim i nivelit ndërkombëtar, vjen si rezultat i interesimit të vazhdueshëm të vendit të tij për të mbrojtur, forcuar dhe përhapur gjuhën arabe, duke i shërbyer kështu mbrojtjes së identitetit arab. “Mbrojtja e gjuhës arabe është detyrë islame e kombëtare, kushtetuese e domosdoshmëri për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, historisë së lavdishme, zhvillimit të sotëm politik, social e ekonomik si dhe forcimi i saj do të thotë forcim i marrëdhënieve me vendet fqinje, ato të rajonit dhe të mbarë botës” – u shpreh në sesionin e hapjes së kësaj konference zyrtari i lartë arab.
Sot gjuha arabe flitet nga më shumë se 422 milionë njerëz në të gjithë botën, ku pjesa më e madhe e arabfolësve janë në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore. Për shkak të vlerave të veçanta leksikore, sintaksore dhe ligjërimore, vitin e kaluar, arabishtja, zyrtarisht është bërë pjesë e UNESCO-s dhe 18 dhjetori është vendosur të jetë edhe dita ndërkombëtarë e gjuhës arabe, kjo për shkak të shtrirjes së gjerë të kësaj gjuhe në gjitha vendet e botës.