Nga GIAN ANTONIO STELLA/
E përktheu Eugjen Merlika/
Herkuli i vogël gjithënjë në këmbë, në shekull Luigi di Maio ia doli mbanë. I rrëzuar nga votimi në Abruzzo, në Sardegna, në Basilicata, në Piemonte dhe në Evropianet, në mes të gushtit dukej se kishte rënë nokaut një herë e përgjithmonë. Çfarë thua: si kukulla e Karoselit të vjetër, e veshur mirë e me kravatë si ai, ka dalë në shesh përsëri. Madje ka marrë ministrinë e Jashtëme. Urime. E sigurtë është se shkon në Farnesina mbasi ka unazuar një sërë shumë të gjatë rrëshqitjesh, kacafytjesh, gafash, shpërthimesh…. Për Zotin një gabim trashanik si ai që i shpëtoi mbi Amerikën e Jugut mund edhe të ndodhë. A e kujtoni? E kishte me Renzin të cilit i tha mjaft në facebook saqë bëri një kollotumbë të paharrueshme duke paditur Matteon e urryer se “kishte pushtuar me arrogancë gjënë publike si në kohët e Pinochet-it në Venezuelë”. Po si, u hodh përpjetë webi: ngatërron diktatorin kilian me ndonjë tjetër udhëheqës karaibas? Në Shangai, më 2018, shkoi më keq. Në dy mbledhje e quajti udhëheqësin kinez Xi Jinping kështu : “Ping”. Për t’u mbajtur mënd. Më pak zëmërdhemshur qenë izraelianët kur në petkun zyrtar të nënkryetarit të Dhomës së deputetëve, vizitoi me të besuarin Alessandro di Battista fshatin Bil’in, duke paditur qeverinë e Tel Aviv-it se i ndalonte delegacionit të tij të hynte në rripin e Gazës dhe u betua: “ “Atë që themi ne e bëjmë: nëse L5Y do të vijë në qeveri, do të njohim shtetin e Palestinës. Një nismë, për t’a thënë diplomatikisht, pak e nxituar.
I pajisur me një anglishte jo tamam në lartësinë e rolit të ri, por me një të folur të rrjedhëshme dhe tërheqëse (në Pomigliano d’Arco dikush e quan Giggi “gojëtari”) nuk duhet të ketë shumë probleme: Gianni De Michelis, i vendosur nga Bettino Craxi në Farnesina, u praktikua në gjuhën në dy muaj. Problemet mund t’i ketë më shumë për karakterin tymues, shpesh të treguar në këto vite, krejtësisht të papërfillshëm kundrejt kundërveprimeve të Vendeve të tjera. Siç ka ndodhur për ngulmimin me të cilin ka folur e stërfolur mbi daljen e Italisë nga euro, duke u shtyrë edhe dy vjet më parë, në dhjetorin 2017, katër muaj para votimeve që do të fitonte, të thonte në një intervistë televizive: “Nëse do të arrihej në referendum, të cilin e quaj si mjetin e fundit, është e qartë se un do të votonja për daljen sepse do të nënkuptonte se Evropa nuk na ka dëgjuar”. Për të mos folur për marrëdhëniet me “makinën evropiane”, të sulmuar në ballë të gjërë deri në majin 2018 duke bërë një front të përbashkët me Matteo Salvinin: “Ne kemi kundër eurokratët të zgjedhur nga kurkushi. Sigurisht qendra drejtuese ka frikë, i trembet ndryshimit. Lidhjet evropiane duhen rishikuar sepse n’Evropë luhet loja më e rëndësishme për të financuar të gjitha masat ekonomike që i japin të drejta shoqërore italianëve”. Sigurisht, mbas votës përcaktuese të dhënë nga Lëvizja në zgjedhjen e Ursula von der Leyen (në sajë të këshillës së Giuseppe Conte-s?) si kryetare e re e Komisionit evropian, është e mundëshme që Evropa të jetë më e gatëshme të hapë një fazë të re me drejtuesin e ri politik grilin. E të harrojë disa dalje të tij. Si ajo e vitit 2015 në dobi të Ukip-it të Nicholas Farage. Sigurisht ai mbulohej duke thënë se “do të jetë rrjeti ai që do të vendosë” se me kë do të rrijmë apo të mos rrijmë por ai ishte shumë i rrjeshtuar në krah të fanatikut më të madh të Brexit-it: “Do të jetë kryeministri i ardhshëm anglez e me të n’Evropë do të bëjmë një grup të përbashkët”.
Veç pasojave të “mosmarrëveshjeve”, t’i quajmë kështu, me amerikanët mbi mos pranimin e njohjes së Juan Guaidò si president i Venezuelës e më shumë mbi hapjen ndaj Kinës nëpërmjet memorandumit të vetmuar dhe veç mërive të vjetra me Angela Merkel (e mërzitur, duket nga zgjedhja italiane mbi Farnezinën), ministri i ri i jashtëm duhet të qepë, mbi të gjitha, marrëdhëniet me Francën e Emmanuel Macron-it. Nuk do të jetë e lehtë. Jo vetëm Di Maio ishte lidhur së bashku me mikun e tij më të mirë, Matteo Salvinin, me armiken më të keqe të presidentit francez, pra Marine Le Pen, por ishte mburrur në dhjetor: “Jam krenar: kërkesat e francezëve në sheshe kundër Macron-it ne i kemi vënë në ligjin e bilancit”. Sikur të mos mjaftonte kjo, në janar kishte hedhur një thirrje të frymëzuar nga kryengritja në sheshet franceze: ”Jelek-verdhë mos u tërhiqni! Nga Italia jemi duke ndjekur betejën tuaj nga dita që jeni dukur për të parën herë, duke ngjyrosur me të verdhë rrugët….”. Pastaj kishte zbrazur gjithë armët kundër ministrit të Brëndshëm parizian Christophe Castaner. Pra i kishte dhënë jelek-verdhëve, për inat të kazanave të plehrave të përmbysur dhe vetrinave të prishura, patentën e të qënit demokratë të sinqertë: “E dijmë mirë se lëvizja e juaj është paqësore”.
Sikur të mos mjaftonte akoma, kishte dashur të takonte për t’i inkurajuar dy drejtues të lëvizjes përtejalpeve duke twituar: “Era e ndryshimeve ka kapërxyer Alpet!” Një e shtënë me të vërtetë e tepruar. Me një mea culpa përfundimtare para telekamerave të “Çfarë kohe bën” të Fabio Fazios: “Jo, nuk do t’i takonja më. Jam larguar prej tyre. Kur pashë se një pjesë e jelek-verdhëve donte të krijonte një listë shkova t’i takonja. Por zbuluam se kishin ide pak të dhunëshme dhe shkatërruese”. Na falni vonesën…. Çfarë do të bëjë tashti si drejtues i diplomacisë italiane? Kushedi…. Një gjë është e sigurtë: në rolin e tij tejet të brishtë, këshilla e parë i ngjet një fjale t’urtë të Venetos të dashur për alpinët: më parë se të flasësh hesht.
Corriere della sera, 5 shtator 2019 E përktheu Eugjen Merlika