• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mithat Frashëri: “Partia ime është Shqipëria”

August 5, 2014 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA*/
Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.
Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.
Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.
Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.
Mithati qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohërave dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.
“Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.
U lind 125 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.
“Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe e mbrojti gjithnjë e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.
Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët, – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.
Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.
U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.
I armatosur me kulturat e qytetërimet e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.
Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.
E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.
Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.
Pse të mos e themi: pati edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:
“Dosti: kush do të fitojë?
Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.
Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.
Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si shkuan fatet e të dyve.
Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.

Referenca

1. Akademia e Shkencave e RPSSH: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 1985, f. 289
2. Dashnor Kaloçi: “Hasan Dosti-Historia e vërtetë si u formua Balli Kombëtar”, nga interneti.
* Në përkujtim të 125-vjetorit të lindjes
*BOTUAR NE “DIELLI” VITI 2005, NR. 2
Ne Foto:Mithat Frasheri ne moshen e rinise

Filed Under: ESSE Tagged With: : “Partia ime, Anton Cefa, është Shqipëria”, Mit'hat Frasheri

SHQIPTARËT I LAJTHISIN NË KAOS – MIT’HAT FRASHËRI,PËLLUMB XHUFI, FATOS LUBONJA ETJ

April 4, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Tek Opinion, Blendi Fevziu kishte ftuar të zakonshmit duke patur si temë të bisedës Mit’hat Bej Frashërin, të birin e Abdyl Frashërit, të nipin e Naim e Sami Frashërit, publicistin, shkrimtarin, përkthyesin, albanologun, diplomatin, veprimtarin e çështjes kombëtare, kryetarin e Ballit Kombëtar dhe kryetarin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një antikomunist me bindje europiane. Alias Lumo Skëndo, i cili më 1929 në testamentin e tij do të shkruante: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.” Një kokë e madhe nga ato që i bëjnë kombet. Që njihen me emrin si “Baballarë të Kombit”. I përndjekur në gjallje dhe pas vdekjes nga regjimi monstruoz dhe i lënë në harresë, i mbuluar nga hija e pluhuri nga tranzicioni makabër.
Nuk kisha kohë që të harxhoja kohë tek Blendi Fevziu, por qëllova të isha e pranishme gjatë dalldisjes së Pëllumb Xhufit një historian i njohur, që në plot raste mban qëndrime serioze, por edhe në plot të tjera lajthit. Siç ishte rasti në fjalë, kur në “tentativën” në thojza për ta zbardhur figurën poliedrike të burrështetasit të madh, nga ata që duhen dekada të tjera që të rilindin prapë, Xhufi e akuzoi Mit’hat Frashërin se paskish dërguar grupe diversantesh për të kryer “akte terroriste” në Shqipërinë komuniste!!!!
Skile ky Pëllumb Xhufi, i cili si njeri me format të plotë profesional, do të duhej të ishte nga ata intelektualë që të përgatiste dosjen e krimeve të diktaturës komuniste, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të mbuluara e të fshehura, sepse historianët shqiptarë kanë lidhje me të shkuarën në një nivel të tillë sa nuk i lejojnë vetes të bëjnë as katharsis.
Pëllumb Xhufi është bashkëshorti i mbesës së kunatit të Enver Hoxhës, burrit të motrës së diktatorit, Bahri Omarit, të cilin diktatori e pushkatoi, por ndërkohë mori në mbrojtje të bijtë e Bahriut, siç është Luan Omari, me vajzën e të cilit është i martuar Xhufi. Luan Omari duke patur një jetë komode dhe me plot privilegje gjatë regjimit komunist asnjëherë nuk e ka denoncuar krimin e dajës së tij kundër të jatit. Dhe sot Pëllumb Xhufi në vend të merret me krimet e diktaturës, na del me pretendime se krime paska kryer Mit’hat Bej Frashëri që sa pati frymë e luftoi regjimin kriminal të dajës të vjehrrit të tij!
Pëllumb Xhufi, me formatin e një shkencëtari të mirëfilltë, i dërdëllis publikut shqiptar broçkulla që nuk i beson assesi për vete dhe sot 23 vite pas deklarimit të rrëzimit të diktaturës, ai me arrogancë dhe në mënyrë të pacipë na del me teza të cilat janë mbrojtur nga historia e diktaturës për 50 vite, me qëllim që të justifikoheshin krimet e kryera. Kur diktatori ka shkuar në ferr, të lajë hesapet për shqiptarët që ka vrarë, Xhufi akuzon njërin nga Baballarët e Kombit për akte terroriste.
Në këtë show të neveritshëm të Pëllumb Xhufit reagoi Fatos Lubonja duke marrë si shembull një lajm që posa e kishte dëgjuar nga BBC, sipas të cilit disa të rinj në Poloni që kishin përdorur në një reklamë fotografinë e Leninit, ishin detyruar ta hiqnin menjëherë foton dhe t’i kërkonin ndjesë opinionit publik, i cili kishte reaguar menjëherë dhe shumë ashpër.
Fatos Lubonja duke iu referuar shoqërisë në Poloni tha se shoqëria atje është e një vendi normal. Sepse Shqipëria nuk ka shoqëri normale, jo se shqiptarët janë njerëz me bisht, por sepse kjo shoqëri ushqehet me një shtyp jo normal, nga opinionbërës jo normalë dhe udhëhiqet nga politikanë jo normalë.
Dhe një vend që nuk e di ende historinë vazhdon të mbetet në qorrsokak, sepse i lejon vetes të trushplahet nga historianë paskrupullt që vazhdojnë ta manipulojnë edhe historinë, edhe opinionin publik duke e mëkuar për çdo ditë me helmin e propagandës staliniste.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj Lubonja, Mit'hat Frasheri, pellumb xhufi, Shqiptaret lajthisin

Në Nju Jork, u kujtua ditëlindja e ‘Gjeniut të Kombit’, Mithat Frasherit

March 17, 2014 by dgreca

Ditën e diele, me 16 Mars, në Nju Jork, në Producers Club Theater Fredi Tollja prezantuan në fillim të këtij aktiviteti, një film dokumentar me të njëjtën emër, dedikuar jetës dhe veprës së Mit hat Frashërit,realizuar nga Pëllumb Lamaj/

Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK CITY : Në qytetin e Nju Jorkut, disa blloqe larg rrugës Lexington (Hotelin Winthrop) është kujtuar ‘Gjeniu i kombit’, Mit hat Frasheri, i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, pinjolli i familjes së njohura të Frashërlinjëve, me rastin e ditëlindjes së tij 25 marsin 1880.  Njëqindetridhjetekatër vejtori i ditës së lindjes së tij, u mbajtë dje në qytetin e Nju Jorkut, nën kujdesin e pronarit shqiptar të kino-tetarit Producers Club, zotit Alfred Tollja, dhe e inicioi dhe udhëhoqi zoti Pëllumb Lamaj.
Aktiviteti në përkujtimi i ditëlindjes së Mit hat Frasherit, nisi me vendosjen e një kurore me lule të freskta në varrezat publike “Ferncliff” New York, ku prehen edhe eshtrat e tij, më pasë u bë një vizite të shkurtër në ish vendin ku ndodhej hoteli Winthrop, (Nju Jork – SHBA), vendi ku mbylli syt një herë e përgjithmonë, një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX-të.
Ky aktivitet në kujtim të ditëlindjes së tij vazhdoi në kinotetarin Producers Club me shfaqjen e filmit dokumentar mbi jetën e veprën Mit’hat Frashërit, një realizmim i bukur, ky, realizim i ish të burgosurit politik Pëllumb Lamaj, i cili jeton në shtetin Nju Xhersi, dhe ka vuajtur 11 vjet në burgun e tmerrshëm të Spaçit, duke u arrestuar qysh në moshën 19 vjeçare.

Ditën e diel, në Nju Jork, në Producers Club Theater Fredi Tollja, prezantuan në fillim të këtij aktiviteti, një film dokumentar me të njëjtën emër, dedikuar jetës dhe veprës së Mit hat Frashërit, realizuar nga Pëllumb Lamaj .

Duke i folur për figurën e tij, Lamaj u shpreh se : “Mit’hat Frashërit, që në atë kohë vinte në dukje se, “Shqipëria, është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vendet evropiane dhe SHBA-në”. Kjo ishte pika kryesore e programit të Mit’hat Frashërit, theksoi ai e cila u shkel brutalisht nga komunistët që pushtuan Shqipërinë, pas nëntorit të vitit 1944. Nëse kjo platformë e Mit’hatit do të ish aplikuar që në atë kohë, atëherë sot vendi ynë do të kishte standarde të tjera jetese. Sepse, lideri i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, e bazonte alternativën e tij, mbi humanizmin dhe rritjen e standardeve të jetesës, duke pasur në qendër të vëmendjes integritetin e vendit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ai zotëronte shumë mirë gjuhët e huaja: gjermanisht, persisht, turqisht, frëngjisht, arabisht, greqisht”, tha zoti Lamaj.
Më pas ai komentoi edhe filimin e realizuar prej tij  – duke thënë se ky film është i ndarë në katër pjesë dhe i kushtohet gjithë jetës së tij. “Në pjesën e katërt, sqaroi Lamaj është edhe zëri origjinal i tij, dhënë në B.B C në vitin 1949….Unë, shtoi Lamaj kam përdorur disa skena filmike të rrëzimit të bustit të diktatorit dhe disa ekzekutime origjinale që egzistojnë në arshivat e shtetit…Unë dokumentarin e kam futur në You-Tube , pra megjithëse e kam bërë me shpenzimet dhe mundin tim, e kam dhënë falas thjeshtë që bota shqiptare të mësojë historinë ashtu si është, e pacensuruar dhe të pa-tjetërsuar nga historiografia sllavokomuniste” pohojë zoti Pëllumb Lamaj.
Shpesh të kujtuarit e këtyre datave të ndodhura vite më parë, në diasporë, tha mikëpritësi i kësaj veprimtarie zoti Alfred Tollja, na shërbejnë edhe si një moment analize apo reflektimi për ne në disaporë, për të parë ashtu si nuk kemi pasur mundësin të shohëm ose njohim hsitorinë e vërtet të Shqipërisë, dhe se çfarë bën këto figura të ndritura të kombit tonë, sidomos gjatë kohës që qëndruan në mërgim – kohë kur regjimi diktatorial i anatemoi ata, si armiqë të vendit tonë. Mbasi faleminderojë zotin Lamaj, për veprimtarinë në kujtim të 144 vjetorit të lindjes së pinjollit të Frashërillnjëve, Tollja u shpreh se : “Mit’hat Frashëri,  është quajtur me të drejtë si nacionalist në politikën shqiptare, duke shkruar letra, promemorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Ka qenë kundër komunizmit në Shqipëri, madje si e pamë edhe në filmin dokumentar ai e ka konsideruar tragjedi fitoren e tyre, në 44-tën. Falë njohjes së disa gjuhëve të huaja, sipas shkrimve ai u përpoq në fushën diplomatike, brenda e jashtë Shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish-katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit e Shkodrës. ”, u shpreh Tollja. Në fund të kësaj veprimtarie u shtrua një koktel nga mikëpritësi, dhe disa nga pjesëmarrësit, Agim Ternova, Eduard Dilo dhe Edmond Sejko, folën gjerësisht për njërën nga figurat më të spikatura të kombit tonë  Mit hat Frasheri , i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nga familjet njohura të Frashërit, me rastin e ditëlindjes së tij 25 marsi 1880.

Filed Under: Komente Tagged With: ditelindja, Mit'hat Frasheri, Pellumb Lamaj, u perkujtua

Mit’hat Frashërit dhe alarmi i tij për grekët

September 18, 2013 by dgreca

*Mesazhet qe vijne nga njeri prej apostujve ë shqiptarizmës/

*Autoqefalia e kishes ortodokse është domosdoshëmri, duan apo nuk duan grekët/

Debatet e bëra në Përmet para ca kohësh për problemet e shtëpisë së kulturës dhe tendencat alla greke për uzurpimin e saj në emër të kishës me nxitje Janullatosi dhe greke, po aq sa edhe debatet për heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga institucionet, ka krijuar një klimë të veçantë të padëshirueshme. Në këto kohëra të trazuara për ne shqiptarët që gjithnjë nuk kemi marrë hakën tonë si në troje dhe në vlerësimet nga Europa, kemi lënë pas dore ato përpjekjet e bëra nga figurat e nderuara të kombit që bënë Rilindjen Kombëtare të shekullit 19 me Abdyl Frashërin, Samiun dhe Naimin dhe të tjerë, po aq sa edhe Fan Nolin që bëri autoqefalinë e kishës sonë ortodokse.

I kemi lënë në hije, sepse kështu e deshi koha e tranzicionit, por në fakt jemi në një shekull të ri për të cilin ne shqiptarët themi se duhet të bëhemi faktori më solid për përparimin tonë si komb, por edhe në drejtim të vendosjes së autoritetit të figurave që janë pjesa më e nderuar e këtij kombi. Ne flasim se Ismail Qemali u bë theleuesi i shtetit shqiptar, por jam i bindur se themelet e këtij shteti i hodhën rilindasit në bashkëpunim të Jugut me Veriun, të Toskëve me Gegët. Kështuqë pasadhësit e tyre, siç është Mit’hat Frashëri, i cili aq shumë bëri për këtë vend dhe mendimet e tij dhe thëniet e tij në kohë për qëdnrimet eddnryshme që mbahen sot, ato duken sikur janë thënë enkas për këtë kohë të re. kur ne sot bëjmë veprime dhe xheste antidemokratike, ne i japim më shumë argumenta antishqiptarëve për të na u kundërvënë siç kanë bërë grekët dhe serbët.

Nëse diktatori Hoxha që nga ardhja në pushtet hoqi portretet e personaliteteve që i bënin nder kombit me këshillat e jugosllavëve, po aq shumë edhe u retushuan figura të tilla edhe nga fotografitë për t ëkënaqur shijet primitive të Enverit, roikthimi në po të njejtat veprime na risjell në kohën e së shkuarës, kur edhe Europës dhe Amerikës i thamë ndal duke bunkerizuar diktaturën. Koha pret shqiptarët si gjithë Europa dhe jo qeverisje kudnër Europës që gjithnjë na tërheq veshin për paudhësitë q ëbëjmë.

***

Kur vjen puna tek qëndrimet e sotme të Janullatosit dhe klerikëve të tij me ndihmën dhe yshtjen e Greqisë zyrtare, Mit’hat Frashëri është sa i vërtetë aq edhe racional, kur ai në Athinnë, në datë 7 nëntor 1925, i jep një informacion të detajuar lidhur rreth bisedimeve të tij me autoritete të larta të shtetit grek, pikëpamjet e tyre të gabuara për ortodhoksët shqiptarë, numrin dhe karakterin etnik, çështjen e shtimit të shkollave greke për minoritetin, kundërshtitë për autoqefalinë e kishës shqiptare.

Çfarë thotë Mit’hat Frashëri, fjalët e tij duket sikur janë shkruar edhe për këtë johë :

“Z.Ministër! Si vazhdim ne telegrafi im i 4 Ct, relatif me konvensionin për nënshtetësinë dhe tendenca që çfaqetë në Ministri Helenike për të bashkuarë këtë çështje me atë të shkollavet greke:

Më 3 Ct, vajçë ne Drejtori Gjeneral të kuvendonj se amiral Haxhi Qiriakoja si axhami dhe provizor nukë mirretë me punët e zyravet. Kisha një tok sende për t i thënë, midis të tjerave ajo e Maxhar Dinos, e pesë fëmijëvet shqiptarë në Konicë që (veç shtëpivet) u kanë marrë dhe drithët e arësë. Për Maxharin më dha fjalë se të nesërmen do ta thëresë vetë ta pyesë dhe të kupëtojë punën. Edhe me të vërtet kështu bëri. Që me 4 Ct, Maxhar Dinoja u la i lirë në Athinë duke u detyruarë që të paraqitetë çdo ditë në polici. Për Koniciotët më dha fjalë se do të shkrojë në Konicë. Për punën e konvensionit më tha se do jipetë një afat i ri, po shtoj, edhe Shqipërija nukë mban zotimet e saj, dhe duke thirurë Z.Kolokotroni çeli çështjen e shkollavet greke. I thashë se po bisedonj jo zyrtarisht, me qenë se nuk kam no një autorizim, as që Qeverija ime më ka bërë no një komunikim gjer më sot.

Kupëtova se:

1. Greqija beson që në Shqipëri ka dyqind e tridhjetë mijë ortodoksë-grekër, prej të cilëve vetëm 300 janë shqipëtarë, që duanë Shqipënë; të tjerët janë grekër dhe duanë greqishtenë;

2. Se kisha Shqipëtare duhet të jetë autonome dhe jo autokefale;

3. Se ortodoksët shqipëtarë duanë mprojturë prej Greqisë;

4. Se Z.Ahmet Zogu ka bërë zotime për këtë punë kur ishte në Beligrad;

5. Se tani duhetë që edhe Shqipërija të bëjë një marrëveshje, një konvension për këta sende me Greqinë.

Me një fjalë Zoti Ministrë, Greqija kërkon të lozë përkundrejt Shqipërisë atë rol që ka lojturë Rusi e Carëvet përkundrejt Tyrqisë së Sulltanëvet. Refutova pretendimet e Ministrisë Greke, po, me qenë se ishte bërë vonë, prëmë vajta dhe pashë Kolokotronin, në zyrë të ti. Biseduamë afëro një orë e 15 minuta. I dhashë të kupëtojë se çështja e Minoritetevet, me qenë se kemi 20.000 grekofonë, në Shqipëri nukë duhet të përdoretë si veglë politike, se kështu ka qenë edhe teori e Greqisë (me anë të delegatit të saj Politis) në Shoqëri të Kombevet, më 1924;

Se, me ingjerencën që po bën Greqija në Shqipëri, po çel udhën për ingjerencën sllave në Maqedoni;

Se, as në Poloni s ka më shkolla ruse, as në Maqedoni shkolla bullgare, as në Rumeli Orientale shkolla greke, as në Rumani shkolla greke, as në Çekosllovaki shkolla gjermane për sllavët;

Se, Shqipërija po mban me të hollat e saja shkolla greqishte për grekofonët, jo për hatërin e Greqisë, po për hatërin e Shoqërisë së Kombevet, me qenë se çështja e Minoritetevet ka të bëjë me S.d.N dhe jo me Greqinë;

Se, Greqija duke u përzjerë me punët e brendëshme të Shqipërisë, do të bëhetë shkak që të ftohenë të dy Shtetet dhe mbase Shqipërija të kërkojë një mik tjatrë;

Se, Shqipërija nukë do të permetojë që një Shtet i huaj të përzihetë në punët e saj të brendshme;

Se, Z.Ahmet Zogu, edhe në ka bërë no një premtim si njeri privat në Beligrad, ky premtim s ka të bëjë me qeverinë Shqipëtare.

Sa për kishën, për të cilën Z.Kolokotroni thoshte që është gati të verë në shërbim tënë ndërhyrjen e tij, i thashë se Shqipëria është gati të çojë një komision në Patrikanë, ku Patriku të vendosnjë se do ta njohë autokefale, gjë e cila duhet t i vijë mirë edhe Greqisë që është shtet ortodoks, dhe jo të jemi të varurë nga patrikana e cila sot është nënë influencën tyrke me qenë se Patriku vetë dhe gjithë parësi e Fanarit janë nënështetas tyrq. Si mbarova këto kuvendova, si pa dashurë, e suallmë fjalën mbi situatën e Shqipëtarëvet në Greqi; mbi shtrëngimet që vuajnë; mbi mënyrën me të cilën qeverija greke i ndalon që të rrojnë, ose i shtrëngon që të ikënë; mbi programin sistematik që ndiqetë nga ana e qeverisë qendrore greke për këto sjellje, me gjithë deklaratat e bëra në Lausanne dhe në Genevë; mbi të përzënët e 35.000 Shqipëtarëvet të Kostur dhe Fllërinës; qysh tani ata të mjerë vijnë në Shqipëri. Edhe konkludova: Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; po prapë Greqija do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, me dru dhe të rahurë, më teprë se 60.000 Shqipëtarë.

Argumentet e mija e impresionuanë Z-in Kolokotroni. Po këto fjalë dua që t ja them sot ose nesrë, edhe Z-it Pangalos, edhe Z-it Kaftanxhogllu, edhe Ministrit të ri që u emërua die. Sot ose nesrë do të kem një bisedim të gjatë me zheneral Kondulin, mbi të cilin do të bënj një raport të veçan. Ju lutem, passi të studiohetë ky raporti im, të më rrëfehetë kthielltazi pikëpamja e Qeverisë sënë. Ju lutem prapë të mbahem në kurent të demarshevet, kërkesavet dhe pretendimevet që bën Ministri grek, do verbalisht do me nota. Do të qe fort nevojë që të më komunikohenë mua kopjet e notavet ose teksti i bisedimevet.

Pranoni, ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mia me nderim”.

***

A mund të thotë kush tjetër më shumë se çfarë ka thënë e trajtuar realisht dhe shqiptarisht një pinjoll i njerëz prej familjeve më shërbëtore ndaj kombit si gjithë Frashëllinjtë dhe gjithë ata që bënë gjithçka për kombin.

Ndoishta akademikët tanë të nderuar do të duhet të jenë në lartësinë e duhur për të risjellë në kujtesën e kombit burrat e shtetit si Mit’hat Frashëri që i bën kombit ato shërbime që nuk po i bëjnë sot qeveritarët tanë të rinj dhe që fatkeqësisht ua hoqën portretet dhe ua fshehën veprat. Kur ne harrojmë figurat e nderuara dhe veprat e tyre të lartësuara, detyrimisht që në mes tonë do të futen Janullatosit dhe grekët, serbët dhe “viçët” e tjerë të antishqiptarizmit.

Përgatiti : Hyqmet ZANE

Filed Under: Analiza Tagged With: alarmi per greket, Mit'hat Frasheri

Nihat Bakalli, vazhdues i veprës së Mid’hat Frashërit

July 26, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/       

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova

 Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë.

Nihat Bakalli është një përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, veprimtar dhe kryetar i Ballit Kombëtar për Diasporën, vazhdues i denjë i veprës së Mid’hat Frashërit, intelektual i spikatur, qëndrestar antikomunist, demokrat i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe i ditëve tona.

U lind në Shkodër më 12 janar të vitit 1931, në një familje patriote dhe qytetare shkodrane. I ati, i përndershmi hafiz Ymer Bakalli, që kishte studiuar për teologji dhe psikologji në Turqi, ishte një patriot i njohur, pjesëmarrës në luftën e Koplikut dhe në mbrojtje të Shkodrës në vitet 1918-’20 kundër pushtuesve serbo-malazes. Antizogist i burgosur, pjesëtar i opozitës demokratike të viteve ’30, antifashist dhe antikomunist i vendosur, ai e urrente më së shumti komunizmin, që prishi fe dhe atdhe. U burgos dhe u internua në kampin famëkeq të Tepelenës nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës.

Nihati i mori mësimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes. Qysh nxënës, mori pjesë në lëvizjen studentore antikomuniste në vitet 1947-1948 në Shkodër, bashkë me Bardhosh Danin, Mark Cacajn, Ibrahim Dërgutin, Hilmi Hoxhën, Ferid Myftiun etj., duke bërë propagandë antikomuniste dhe protesta. Nihati kujton në librin e tij me kujtime “Nga një vit në tjetrin”: “Në këtë grup, veprimi më i madh ka qenë kur unë dhe Bardhoshi kemi shkruar një parrullë antikomuniste në një faqe të murit të gjimnazit: “Poshtë komunizmi! Jashtë rebelët”! Për t’iu shmangur regjimit të egër, u ndamë u organizuam në grupe të vogla prej tre vetësh, ndërsa mbledhjet i bënim në shtëpinë time…”

Por, grushti i egër i pushtetit ra mbi studentët: Bardhosh Dani, Ibrahim Dërguti dhe Mark Cacaj u vranë gjatë orvajtjes për t’u arratisur, ndërsa Ethem Bakalli, Ahmet Bushati, Mërgim Dani, Viktor Luka dhe Njazi Uruçi u burgosën. Nihati dhe Zyhdi Baja u arratisën në vitin 1950 nga Shqipëria, për t’i shpëtuar arrestimit.

Si i arratisur politik, Nihati, fillimisht u lejua të ndiqte studimet e larta për albanologji, e mandej për drejtësi në Universitetin e Beogradit. Por, për veprimtari kombëtare shqiptare, tok me mjaft shqiptarë të arratisur në Jugosllavi si Anton Çeta, Hasan Kaleshi, Abullah Zajmi, Ali Alia, Agim Vicrri, Murat Isaku, Elez Ndreu, Skënder Kastrati, Zyhdi Baja etj, Nihati u burgos nga UDB-ja dhe u dërgua në kampin e përqendrimit të Gerovës, ku vuajti jashtëzakonisht bashkë me të burgosurit e tjerë nga Shqipëria e Kosova.

Nihati u arratis nga kampi i përqendrimit dhe kaloi në Trieste, në kampin e “Santa Bara”, mandej në Strasburg, për të vazhduar studimet universitare për drejtësi, si student në Kolegjin “Evropa e Lirë”. Nga Franca u transferua në Romë, ku u bashkua me refugjatët e vjetër të Ballit Kombëtar: Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, Zef Pali, Dom Zef Shestani, etj., me të cilët bashkëpunoi ngushtë. Në Romë, punonte dega e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ku Nihati dha kontributin e tij, sidomos në kapërcimin e mosmarrëveshjeve midis grupimeve politike të djathta. Ndërkohë, vazhdoi studimet universitare për drejtësi, të cilat i përfundoi në Neë York të SHBA, ku emigroi si shumica e shqiptarëve të mërguar nga Shqipëria. Atje vijoi përpjekjen e Ballit Kombëtar për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike, të integruar në botën e lirë Perëndimore.

U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar në Diasporë në Kongresin VII në Detroit dhe bashkëpunoi me udhëheqësit kryesorë historikë të nacionalizmit shqiptar: Vasil Andonin, Abaz Ermenjin, Hasan Dostin, Zef Palin, Sulejman Meçon, Qazim Prodanin, Jani Dilon etj.

Si publicist, bashkëpunoi me fletoret “Flamuri” dhe “Besa”, si edhe me revistat “Albania” dhe “Shërbestari i Shqipërisë”, ku botoi një sërë arikujsh me vlerë kombëtare . Ka mbajtur për mëse 30 vjet, si drejtor dhe si folës, radion e Ballit Kombëtar “Zëri i Shqiptarëve të Lirë”, prej vitit 1965 e deri në vitin 1993, kohë në të cilën u përmbys diktatura komuniste në Shqipëri. Radioja “Zëri i shqiptarëve të lirë” ka mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmës, ka mbrojtur çështjen shqiptare në botë, ka demaskuar regjimin gjakatar të Enver Hoxhës dhe ka mbështetur çdo lëvizje që zhvillohej nga Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare në SHBA dhe Europë. Nihat Bakalli drejtoi radion dhe kumtoi idetë e lirisë, të nacionalizmit shqiptar e të antikomunizmit, pa iu lodhur dhe pa iu trembur kërcënimeve të armiqve të kombit e të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Nihat Bakalli dhe radioja e tij, kanë mbrojtur dhe ndërkombtarizuar çështjen e Kosovës,, luftën e saj për çlirim dhe bashkim me Shqipërinë, sipas parimeve të pavdekshme të Shqipërisë Etnike të të madhit Mit’hat Frashëri.

Nihat Bakalli ka marrë pjesë në të gjitha tubimet dhe demonstratat e Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes Kosovare në SHBA dhe Europë, përpara institucioneve ndërkombëtare për çështjen shqipare, por edhe për të protestuar për krimet e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës që po e mbyste popullin shqiptar dhe po e mbyllte krejtësisht Shqipërinë. Ja ç’thotë ai në librin “Nga një vit në tjetrin”: Mund të përmend Konferencën shkencore kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, si edhe tubimin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” më 1978. Seancën e parë e drejtoi dr. Ramazan Turdiu, seancën e dytë, dr.Nihat Bakalli… Për këtë është shkruar e botuar një libër i posaçëm… Mund të zë në gojë edhe dy kuvende, njëri kushtuar Lëvizjes Studentore kosovare më 1981, tjetri Kryengritjes Antikomuniste të Malësisë së Madhe, prirë nga patrioti e luftëtari i lirisë, Preng Cali…”

I zgjedhur kryetar i Komitetit të Ballit Kombëtar për Diasporën, Nihat Bakalli, luftoi edhe më tepër për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e Kosovë, si edhe për të siguruar ndihmën e madhe të SHBA për Shqipërinë dhe për çlirimin e Kosovës, po ashtu edhe për të ndihmuar Ballin Kombëtar në Shqipëri, bashkimin e tij, veçanërisht Partinë e Ballit Kombëtar Demokrat, për të pasur një përfaqësim të denjë dhe aktiv në politikën e sotme shqiptare. Ndërkohë, ai ka mbështetur përpjekjet e të djathtës shqiptare, të partive të traditës nacionaliste dhe ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë demokratike, por ka kritikuar edhe gabimet e politikës shqiptare në tranzicion, sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjen tonë kombëtare dhe integrimin euro-atlantik.Nihat Bakalli ka trajtuar e promovuar historikisht, por edhe në librin e tij “Nga një vit në tjetrin”, një sërë figurash madhore të Ballit Kombëtar si Mid’hat Frashëri, Vasil Andoni, Abaz Ermenji, Zef Pali, Sulejman Meço, Halil Maçi, Luan Gashi, Dom Zef Shestani, Jani Dilo, Hafiz Jusuf Azemi, Dr. Vasil Dhimitraj, Martin Camaj, Arshi Pipa etj, si edhe ngjarje të rëndësishme kombëtare e politike.Le të shënojmë këtu disa rreshta nga shkrimi i Nihat Bakallit për Zef Palin, një nga figurat e shquara të Ballit Kombëtar: “Udhëheqësit tanë, që nuk i kemi ma në mesin tonë, udhëheqës të kalibrit të Mid’hat Frashërit, të Zef Palit, Hysni Lepenicës, Safet Butkës, Skënder Muços, vëllezërve Kazazi, Haki Tahës, Preng Calit, Mark Sadikut, e të vargut të gjatë të Dëshmorëve e të punëtorëve të Lirisë, këta udhëheqës, pra, na e kanë lanë amanet se, në qoftë se kemi një pikë gjaku shqiptar në dej, në qoftë se nuk duam të shkrihemi e të mbarojmë në harresë, në qoftë se na dhimbset kombi i shtypun e i coptuem, atëherë le ta sjellim kokën kah historia dhe le të kundrojmë aty sesa ka vuejtë kombi ynë nga kamba e të huajve”.Në SHBA, ka punuar në Bankën amerikane, i specializuar në lidhjet bankare ndërkombëtare, deri në qershor të vitit 1996, kur doli në pension.Është nderuar me titullin “Qytetar nderi i qytetit të Shkodrës”.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: Mit'hat Frasheri, Nihat Bakalli, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT