• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Murat Gecaj,me shpirt Atdhedashurie

March 9, 2015 by dgreca

Esse nga Përparim Hysi/
Për t’i thënë gjërat më hapur: kushdo që do shohë shkrimin, do shtrojë pyetjen e drejtpërdrejtë: kush është Babushi? Dhe fill pas kësaj vjen pyetja tjetër: si paska mundur të “zhvendosë” moshën? Për të mos lënë lexuesin që të futet në hulli të panjohura, po shpjegohem.
Babushi është Profesor Murat Gecaj. Dhe ky titull “Profesor” nuk është honorofik, por i mbrojtur me djersën e ballit si një diturak në fushën e pedagogjisë dhe në atë të publicistikës. Sado me tituj shkencorë ( doktor i shkencave pedagogjike qysh nga viti 1992 dhe më 1996 “Profesor i asociuar), ai është më i thjeshtë se thjeshtësia dhe i kudondodhur në të gjitha eventet: shkencore, publicistike, artistike, kulturore. Ka një përkim të çuditshëm tek Murat Gecaj: sado që është 75-vjeç, ai është aq dinamik sa të jepë përshtypjen e një mesoburri aq vital, sa zë i beson një thënieje të tij: nuk jam 75, por 57-vjeç. Dhe vërtet: kushdo që e sheh për herë të parë, kështu e çmon.Prag gjashtëdhjetave dhe aq. Unë që e njoh, disi më më mirë, ia di sekretin kësaj “zhvendosjeje moshe”. Burimi është diku tjetër: tek Katrina, bashkëshortja e Muratit.
Mos më kujtoni se jam pak i njëanshëm. Po dua të jem i saktë: thotë Gëtja diku:” Nëse një burrë i moshuar (Babushi është i tillë sipas datëlindjes), është i mbajtur mirë dhe nuk e tregon moshën, merita është e gruas së tij: ka grua të mirë. Nga kjo anë, Babushi, ka patur fat. Tek them kështu, nuk shkruaj me apriori, por nisem nga fakte.
Unë, zonjën e nderuar Katrinën e Babushit, nuk e kam takuar asnjëherë. Vetëm kam folur në telefon dhe, megjithëse nuk e kam takuar, e kam formuar opinionin tim për të. Dhe ja përse:

– Alo! Jam Përparimi.
-Urdhno!
-A mund të flas me Babushin?
– Babushi ka ik.
– Ku?
-Në tubime.Dikush po promovon një libër a ka një takim në shkollë.
-Po a gjithmonë kështu bën?
-Po, mor. Nuk ka ditë a mbassditet.
Pas këtyre bisedave që janë bërë të zakonshme, kur e kërkoj Babushin, si “ngacmues” që jam, një ditë i them Katrinës:
– Po pse nuk e bën “dalje” mor atë burrë?
– Po e du,se asht i mirë “dreqi”.
E solla për lexuesin, për ta njohur më mirë këtë “dreq” që vërtet është i mirë. Po në këto replika që sjell, nuk është vështirë që të ravijëzohet portreti i një zonje të nderuar si Katrina, të cilës i kërkoj ndjesë që e citoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa i marr lejen.
E mendoj ndonjëherë Babushin si një element kimik dhe them: në vetitë kimike do ishin të tilla që të përcaktonin dinamikën e një njeriu, Babushin, Mendeljevi do ta fuste tek zhiva. Se zhiva nuk mbahet në dorë. I tillë është Babushi: dinamik, i mpulsiv dhe i gjendshëm si askush. Me karakter burrëror, trashëgues i geneve nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.
Ka një biografi të pasur pune: gati 60 vjet me shtypin që nga “Pionieri”, “Bashkimi” dhe për 22-vjet me radhë në gazetën “Mësuesi”. Siç lexuat dhe më lart, nuk ka qenë një gazetar dhe aq: ka qenë diturak që ka ngulur kokën në shkencën për të cilën punonte dhe,ndaj ka mbrojtur ata tituj shkencorë. Sado që ka kohë që ka dalë në pension, ky “zhvendosës i moshës” është aq aktiv sa të çudit. Po ta ndjekësh në veprimatritë ku merr pjesë, në shkrimet që boton, atë nuk e ndjek dot. Sikur të qe objekt i gjeografisë, atë nuk e hedh dot në hartë. Shkrimet e tij i gjen në tërë botën. Është “internetist” që nuk ka shok. Në Evropë e gjen në Angli, Itali, Zvicërr dhe,sidomos, në Suedi ku me bashkëshokun e tij të penës, shkrimtarin Viron Kona, sikur janë bërë “suedezë”. Me gjithatë, këtij atributi”suedez”, do t’i kthehem sërishmi.E gjen në Amerikë e Kanada dhe kudo ku ka adresa “online në internet.
Po para se të vijë tek objekti i essesë sime, dua t’ju them që Profesor Murat Gecaj ka në biografinë e tij letrare të botuar deri tani 13 libra (të gjinive të ndryshme) dhe të 14-tin e ka në procesbotimi. Dhe mos kujtoni se ai ndalon me kaq: nga një “57-vjeçar” priten plot libra të tjerë,që flenë në “ordinator” për arsye financiare. Shteti dhe minsitria e kulturës qoftë dhe për një diturak si Profesor Murat Gecaj, deri tani nuk është bërë e gjallë.

* * *
Shkrimi im modest i kushtohet një eventi të gëzueshëm për Babushin. Miqtë e tij në Suedi, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku bën të mundshëm botimin e librit të Babushit “Me shpirt Atdhedashurie”
Libri ka 8-pjesë.
Në pjesën e parë, janë përshtypje për kolegë e miq nga Suedia. Padyshim, kur e lexon shikon jo vetëm ato lidhje aq miqësore e Babushit dhe “suedezit tjetër”, Viron Konës, me shqiptarët në Suedi, por dhe atë alkimi miqësie,sa të zjarrtë aq të ngrohtë. Pa dyshim, kjo “alkimi” nuk ka ndodhur për sytë e bukur, por qoftë Babushi dhe qoftë Viron Kona jo vetëm kanë kontriubuar me shkrime, por dhe kanë “shkëmbyer tepsitë” me shqiptarë që banojnë sa në Boras të Suedisë,aq dhe në ndonjë qytet tjetër. Kjo miqësi reciproke bëhet më inkadeshente se ka dhe suedezë që janë dëshmitarë të këtij kontributi.

Në pjesën e dytë, ka skica e reportazhe miqësore. Si lexues, nuk ke si mos ndalesh në “dymbretëreshat”: njëra- mbretëresha e Suedisë dhe tjetra: hipotetike . Është shqiptarja Teuta Halili (ka emrin e mbretëreshës ilire). Po kështu njihesh me “sozinë” e Vaçe Zelës aliaz Pagarusha që për fat të mirë është ende gjallë. Po këtu njohesh me vajzën që i ka shkruar presidentit Bush jr dhe ka marrë letër nga ai(Fjala për vogëlushen Sara Titka).
Pastaj, Babushi, hynë në fushën e tij: me ishgazetaren Albana Melyshi(tani në Amerikë). E gjen në “Ditën luleve” në shkollën Dora D’Istria. Shkruan me mirënjohje për 5 çupat e mësuesit veteran Elez Gashi.
Në pjesën e tretë:
Shkruan për tubimin kulturoro-shkencor të profesor Alfred Uçit për “Estetikën e Migjenit”.Mandej kujton përmjet shkrimit të Mësueses së Popullit,Urti Osmani, për mësuesin e merituar Shefki Osmani.
Për Kolec Traboinit që ka tri gëzime në një ditë. Për komandantin e aviacionit,Edip Ohri.Për Ali Ibër Nezaën,sipas poetes Ganimet Thaçi.
Në pjesën e katërt:
Për mësuessen Lumturi Vladi dhe libra të saj. Për poeten Reshite Çoba dhe librin esaj “Unë gruaja R…”.Për Merita Gjonin që na rrethon me “duar dashurie”; me Nafie Saliun me” Mos e vrisni dashurinë” dhe më e veçanta, sipas meje, është poetja Mimoza Agalliu.Ka mbaruar për histori e gjeografi; për biokimi; për infermieri dhe është dhe poete.
Mandej, ka një varg poetesh të tjera, që Babushi i ka përfshirë në këtë pjesë,si: Lida Lazaj, Enkelenda Kondi,Zyba Hasa,Shpresa Vreto,Enkelenda Tahiri, Mirëvjen Ilazi e të tjera. Një vend të veçantë ka dhe për dy poete ulqinake:Albana Rrashi e Flutura Mustafa.
Në pjesën e pestë ka shkrime përkujtimore,si: për “Papa Klemenitn XI-Albani”: për aktoren Besa Imami. Për të pavdekshmin dhe buzagazin, Riza Lahi; për mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtarin e ndjerë,Skënder Hasko; për të ndjerën dhe të bukurën Rozi Theohari.
* * *
Në pjesën e gjashtë ka portrete miqësh e shokësh,si: Dritëroi është dhe “Tropojan”: për këngëtaren Dila Gecaj që ” ka lindur bashkë me këngën”;me një shok që e ka takuar pas 60-vjetësh(GJeto Vocaj); pë mësuesin dhe gazetarin të porsadalë në pension, përmetarin,Sejdo Harka.
Në pjesën e shtatë, ka një skicë” Nderim për mësuesët dhe pedagogët tanë” dhe, veç kësaj, një shkrim për një mësues veteran Rexhep Demi që ka hapur shkollë shqipe në Çamëri në vitin 1899.
Ashtu si “bakllavaja” që hahet në fund, dhe në librin e Profesor Muratit, në pjesën e tetë, ka diçka të “ëmbël”: janë katër poezi të tij dhe ca sentenca të tij. Kur thosha që Babushi me Viron Konën janë “suedezë” nuk është se trilloja. Ja “suedezi” Babush i ka kushtuar një poezi sinjifikative Suedisë. Aq mbresa ka prej Suedie,sa dhe poezinë e ka titulluar: “Suedi, e bukura Suedi!” ( Suedi.e bukura Suedi/ dua të jem zog, të vij të shikoj…/.Poezia tjetër është “Dy koburet e Isë Boletintit”,.E treta për nënën”Silueta e nënës” dhe e katërta” Ah, ky mars 1991″ (sa dhimbje e kujtime më sjell…). Në fund fare, meditime që kanë vlerë sentencash.
Duke e mbyllur shkrimin tim, pyes veten: ku e gjen këtë energji kaq brilante ky, Babushi? Dhe përgjigjen e gjej: Babushi dhe Katrina janë të lindur në mars. A nuk është marsi -mbret i luftës. Ndaj Babushi është kaq i gjallë e dinamik.I hanë “brirët” për “luftë”, po jo për luftë militare e kobëndjellëse, po për jetë të gjallë e luftarake. Si marsianë ( datëlindjte i kanë aq afër me njëri-tjetrin,sa kanë gjetur një të mesme:datën 20 mars si datëlindje) unë ju uroj jo vetëm jetë të gjatë që të dy, por vetëm gëzime e suksese. Rrofshë Babush për kontrbutin që jepë në gjithë këto evente me kaq vlerë.
Tiranë, 9 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Murat Gecaj, perparim Hysi

NË NJË KËSHTJELLË LEGJENDARE TË PREKAZIT

March 5, 2015 by dgreca

Në përvjetorin e rënies së Adem Jasharit/
Nga blloku i shënimeve /
Nga: Prof. Murat Gecaj/
Sot, po shikoja me vëmendje dy data në kalendar…Ato lidhen me jetën dhe lavdinë e njërit ndër trimat më të shquar atdhetarë, të Kosovës e mbarë trojeve shqiptare, pra me emrin e Adem Jasharit. Ditëlindja e tij është simbolike: 28 nëntor 1955, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë sonë. Por dhe datërënja e tij heroike, 7 mars 1998, ka breda simbolikën e veçantë, pra ajo na kujton 7 Marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap shkolla e parë shqipe…
I përqendruar në këto dy data, në përkujtim të Heroit të madh të Kosovës, Adem Jashari, shfletova faqe të ditarit tim. Kështu, së bashku, le të lexojmë disa radhë në të, shoqëruar dhe me fotografi.
x x x
“Nëntor, 2000…
Në varganin e stërgjatë të vizitorëve, nga qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe mbarë trojet tona amtare, në fshatin e dëgjuar Prekaz, isha edhe unë. Ndieva emocione të patreguara, kur atë mbrëmje shkela për herë të parë në pragun Kështjellës legjendare të Jasharajve. Na priti buzagas e krahëhapur vëllai i Ademit, Rifat Jashari. Ndërsa në odën e shtruar me qilima, gjetëm djalin e Ademit, Lulëzimin, me pjesëtarë të tjerë të familjes. Dëgjuam tregimet rrënqethëse të tyre për ato ditë të paharruara, pamë fotografi dhe botime të ndryshme. U përpoqëm të krijonim në kujtesë ato skena sa të dhimbshme, por dhe aq heroike. Baca Rifat foli me zë kumbues:
“Ishin afër 5 mijë forca serbe. Ata u sulën si bisha të tërbuara kundër 12-13 luftëtarëve të Kullës sonë. Masakra e armiqve ishte e pashoqe. Nga familja jonë u vranë e u masakruan 20 veta: fëmijë, gra e pleq. Ndërsa nga e gjithë lagja dhanë jetën e tyre për lirinë 54 veta. Nga Prekazi 109 veta dhe nga gjithë komuna e Skënderajt u vranë në luftën e fundit kundër agresorëve serbë 1.028 veta…”.
Këtu, ai e ndali pak tregimin e na vështroi si kreshnik dhe na u drejtua: “Por kemi mbetur mjaft e do të qendrojmë fort, se çdo gjë ia falëm vatanit. Lulëzimin e fejuam tash vonë. Nipa e mbesa do ta mbushin prapë këtë truall…Jemi të lumtur, se u thye përgjithnjë kufiri shqiptar-shqiptar, që na ndante padrejtësisht. Detyrë e madhe për ne tashti është: Të bëjmë shtet dhe të gjithë së bashku të shikojmë kah çështja jonë kombëtare…”.
Pastaj biseda jonë rrjedh për Adem Jasharin dhe shokët e tij trima. Ndërsa unë mbaj shënime e meditoj…
Epopeja heroike në Kullën e Jasharajve u shkrua në disa faza, që po i përshkruajmë shkurt më poshtë.
Rrethimi i parë
Ishte mëngjesi i ftohtë i 30 dhjetorit 1991. Në kullën e Jasharajve ishin bashkë të tre vëllezërit: Rifati, Hamza dhe Ademi. Pasi e kishin ndjekur hap pas hapi veprimtarinë e tyre, forcat policore serbe vendosën që ata t’i rrethonin dhe t’i fusnin në një darë të hekurt, nga mendonin se nuk do të delnin dot. Pra, donin që me çdo kusht t’i kapnin të gjallë. Ishin çaste të vështira e vendimtare. Trimat e Jasharajve vepruan me gjaftoftësi dhe me guxim të pashoq. Nga magnetofoni, vinte zëri i komandantit të policisë serbe: “Dorëzojuni, se jeni të rrethuar e nuk shpëtoni dot të gjallë!” Ndërkaq, me veprime të matura e të shpejta, Ademi me dy vëllezërit arritën ta çanin rrethimin, duke qëlluar me breshëri kundër armiqve dhe duke plagosur disa prej tyre. Jehona e kësaj qendrese u përhap menjëherë në tërë krahinën. Drenica u ngrit e tëra në këmbë. Burra e të rinj të armatosur krijuan kolona të gjata drejt Prekazit.
Që nga ajo ngjarje, Prekazi jetoi ditë në liri, serbët nuk shkelën më në tokën e bekuar shqiptare.
Rrethimi i dytë
Megjithatë, siç thotë populli, “uji flë e hasmi nuk flë”. Policia dhe ushtria serbe vëzhgonin e përgatiteshin që të sulmonin në befasi. Ata grumbullonin forcat dhe mjetet në fabrikën e municionit të Skënderajt, që u shërbente si kazermë. Prej andej, dukeshin si në pëllëmbë të dorës, jo vetëm Kulla e Jasharajve, por dhe më gjerë.
Më 22 janar 1998, kur ende nuk kishte zbardhur dita, armiqtë iu afruan Kullës së Jasharajve dhe befas e rrethuan atë nga të katër anët. Një njësi e posaçme armike, e pajisur me minahedhës, mortaja dore e armë automatike, sulmoi me shpejtësi. Po, a ishin trimat kosovarë në gjumë? Jo, ishin zgjuar dhe i përgjonin lëvizjet tinzare të armiqëve: Baca Shaban, Hamza, Besimi, Fitimi, Kushtrimi…Sakaq, këta ia nisën furishëm kundërsulmit të tyre.
Lajmi i kësaj qendrese u përhap anë e mbanë, në mbarë Kosovën dhe e shtoi besimin e fitores përfundimtare të luftës mbi pushtuesit serbë. Ndërsa armiku përsëri përgatitej për hakmarrje.
Por, tashmë, po forcohej dhe UÇK-ja. Një muaj më vonë, në fshatin Likoshan u zhvillua një përleshje e përgjakshme ndërmjet një grupi të vogël të saj dhe policisë serbe. Ashtu siç pohonin burimet serbe, u vranë, së paku, gjashtë armiq. Por u plagos edhe një luftëtar i lirisë.
Pas kësaj, pushtuesit serbë ndërmorën një sulm të ashpër hakmarrës, kundër fshatrave Likoshan e Qirez. Përvç forcave policore, sulmuan edhe mjaft tanke e dy helikopterë. Bilanci ishte tragjik: u vranë 24 veta, nga të cilët 4 kishin qendruar me armë në dorë. Masakruan dhjetë meshkuj të familjes Ahmetaj dhe vranë një grua shtatzënë, me fëmijën e tmerruar në gjoks. Sapo morën vesh, Adem Jashari me bashkëluftëtarët, u erdhën në ndihmë, duke i tërhequr të plagosurit dhe njerëzit e mbetur gjallë e të tmerruar.
Rrethimi i tretë
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Adem Jashari shkoi në Kullën e tij dhe bisedoi me bashkëluftatarët e familjes. I njihte armiqtë mirë dhe e dinte se cili ishte qëllimi përfundimtar i tyre. Pra, duheshin bërë përgatitje të shumta për ngjarje e luftime të reja, kundër serbëve. Sigurisht, kjo gjë kërkonte zgjuarësi, trimëri, guxim e sakrifica. Kishte patur ndonjë mik dashmirës, që i kishte këshilluar të largoheshin, për t’u shpëtuar goditjeve të pritshme. Por ishin të lidhur aq shumë me trojet amtare, me shtëpinë, ku kishin lindur dhe ishin rritur, sa ishin bërë njësh me to. Pra, betimi i tyre ishte: “Kurrë nuk i lëshojmë, për së gjalli, këto troje, se dheu e toka janë tonat…Serbi nuk ka asnjë punë këtu dhe duhet të largohet, sa më pare, në skutat e veta!”
Dhe erdhi një ditë tjetër e madhe, që do të ruhet e pashlyer, brez pas brezi. Ishte dita e qendresës së pashoqe të Adem Jasharit, por dhe aq e dhimbshme për familjen, Prekazin, Drenicën, Kosovën, UÇK-në e mbarë Shqiptarinë. Ishte data 5 mars 1998. Nëpër terrin e natës, si korba të zinj, lëviznin forcat serbe, në kolonë dhe me armët ngjeshur, deri në dhëmbë. Kur i morën masat, që Jasharajve mos t’u vinte ndihmë nga ndonjë drejtim i mundshëm, gjeneralët e zinj serbë bënin shënja në hartën luftarake të Prekazit, me lapsat e tyre të kuq. Në qendër të saj shënohej, posaçërisht, Kulla e Jasharajve. Sipas planit të parashikuar, armiqtë e rrethuan përsëri Drenicën, se donin ta gjunjëzonin e ta gjakosnin për vdekje.
Në Kullën e pamposhtur ndodheshin 22 pjesëtarë të familjës Jasharaj, përveç Rifatit, Muratit, Bekimit e Lulëzimit, që ishin në mërgim dhe Ilirianës, Shqipes, Fazliut e Marigonës, që një ditë më parë kishin shkuar te dajtë, në fshatin Akrashticë. Rrethimi armik sa vinte e ngushtohej, gjë që e vërente mirë edhe Adem Jashari me të tjerët, që ndodheshin zgjuar. Para se të dilte plotësisht drita, ky iu drejtua të pranishmëve: “Sot. do të kemi luftë. Pra, të qendrojmë, si na ka hije dhe mos ta lëshojmë vatanin tonë. Me fat na qoftë!”
Çastet kalonin me vështirësi dhe po vinte ora e betejës së madhe, legjendare. Artileria e rëndë villte zjarr papushim, po kështu tanket i drejtoheshin Kullës së pamposhtur. Ndërsa aty secili e kryente detyrën luftarake, të caktuar nga komandanti Adem Jashari: baca Shaban, Hamza, daja Osman, Bashkimi, Besimi, Fitimi, Kushtrimi, Adilja, Feridja, nëna Zahë, Selvija…Dikush qëllonte mbi armiqtë dhe dikush tjetër i mbushte krehërat me fishekë. Po qendronin me armë në dorë dhe ata pak banorë të lagjes, që ishin ndodhur atë natë në shtëpitë e tyre.
Lufta vazhdonte e ashpër. Por, ah, plumbi i mallkuar armik ia përshkoi trupin Adiles, që ishte dëshmorja e parë e lirisë, në këtë Kullë. Megjithatë, nuk u ligështuan. Sulmi armik vazhdoi gjithë ditën e natën tjetër, por dhe të pasnesërmen. Tri ditë luftë e rreptë dhe Kalanë nuk e morën dot. Veç qëllonin nga larg me topa. Më në fund, një predhë goditi prapa kthinën, ku ishin shumica e pjesëtarëve të familjes. U vranë menjëherë 13 veta: nëna Zahide, Zarifja, Feridja, Selvetja, Hidajetja, Valdetja, Afetja, Liria, Fatimja, Blerimi, Igbali, Igbalja dhe Blerina. Shpëtoi vetëm Besarta, që u bë dëshmitare e asaj dite tragjike e të tmerrshme.
Ndërsa komandant Ademi u jepte zemër të gjithëve. Sakaq edhe këtë Burrë kreshnik e mori plumbi në gjoks, por qendroi në këmbë, nuk ra përdhe. Se të parrëzuar ishim mësuar ta shihnim këtë Hero të Kombit dhe i tillë do të mbetet në përjetësi. ”Gjenerali i kryengritjeve popullore”, e patën quajtur bashkëkohësit, Isa Boletinin. Po kështu, “Gjeneral i qendresës mbarëkosovare”, meriton të quhet edhe Adem Jashari. I fundit në këtë betejë, për jetë a vdekje, ra Kushtrimi 13-vjeçar.
Kishin rënë për lirinë e dëshiruar ndër mote, 20 pjesëtarë të Kullës së Jasharajve dhe po kaq të familjes së gjerë Jasharaj. Po kështu, figuronin të zhdukur ose të vrarë 14 veta, me mbiemrin Jasharaj dhe disa veta të Prekazit ose që u kishin ardhur në ndihmë atyre, nga fshatrat e tjerë. Në varrezat e Fushës së Pajtimit, nën tytat e policisë serbe, u dërguan të prehen në përjetësi, 53 dëshmorë.Të gjithë u betuan, se atyre do t’ua merrnin hakun shumëfish. Dhe rrokën armët, deri sa u çlirua përgjithnjë Kosova: Shqipja 18-vjeçare, Bashkimi 20-vjeçar, Sahiti, Musa, Hatixhja, Xhemilja, Ragipi…”.
Mars, 2015…
Përsëri, në Kullën legjendare të Jasharajve, tani hyjnë e dalin vizitorë të panumërt. Në përvjetorin e rënies heroike të kyetrimit Adem Jashari e të familjarëve të tij, por dhe të dëshmorëve të shumtë, nga Prekazi i Kosovës, ata përkujtojnë e nderojnë të gjithë të rënët. Por, natyrshëm, i gëzohen Republikës së pavarur të Kosovës, që ecën pa u dalur në rrejedhat e demokracisë europiane. Se kjo ishte ëndërr dhe e kryetrimit Adem Jashari, e gjithë martirëve të atij trualli të stërlashtë shqiptar.
Tiranë, 5 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: LEGJENDARE TË PREKAZIT, Murat Gecaj, NË NJË KËSHTJELLË

KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

February 13, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
1.Në fillimin e “Rrugës së Dibrës”, në Tiranë, ndodhet edhe një lokal me emrin domethënës “Muza”. Pamja e brendshme e tij është plot shijë artistike, pasi aty janë të vendosura edhe disa piktura të bukura. Ishte rasti i parë që shkoja aty, bashkë me mikun tim, publicistin e poetin Jaho Margjeka apo me poetet Lida Lazaj, Manushaqe Toromani etj. Ndoshta, kushte të drejtë një mik i yni, i cili e vlerësoi këtë lokal “stehez të ngrohtë” të krijuesve kryeqytetas.
Kështu, pra, ne u ndodhëm në miqësinë e mjaft krijuesve e botuesve të njohur, si në poezi e prozë dhe publicistikë. Për të gjithë ne, “sebebqari” ishte poeti i njohur Kolec Traboini, autor i afër 25 librave. Ai na kishte ftuar me dashamirësi, që të merrnim pjesë në përurimin e librit të ri poetik, me titullin paksa intrigues, “Fajin e ka Hekuba”. Poezitë zënë gjithësej 155 faqe dhe janë ndërë në katër pjesë. Në hyrje të vëllimit, ka shkruar disa faqe vlerësuese, Anton Gojçaj.
Organiuzatorët e kishin menduar këtë tubim jo siç veprohet zakonisht, pra pa “ceremonira” të mërzitshme, me leximin e temave të parapërgatitura nga njerëz të ndryshëm. Por ishte një bashkëbisedim I natyrshëm, aty rreth tavolinave, duke ngritur edhe nga një gotë e duke folur, si për këtë libër të ri dhe, në përgjitësi, për krijimtarinë e autorit K.Traboini.
2.
I pari e mori fjalën e mirëseardhjes shkrimtari Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Për të pranishmit, ai lexoi poezinë e frymëzuar të K.Traboinit, që ia ka kushtuar kolegut e mikut të ndjerë, Frederik Rreshpja. Në vazhhdimësi, Ilia Dedi lexoi poezinë “Si mund të iket krejt kështu?(Mikut tim, Riza Lahi)”, duke theksuar se lexuesve tanë u nevojiten krijime të tilla bashkëkohore. Poezi nga autori K.Traboini lexuan edhe Dodona Qose e Agron Calleku, që është krijues dhe pronar i lokalit “Muza”. Ndër të tjera, ai i ftoi kolegët e miqtë e tij që, sa herë të dëshirojnë, do të jenë të mirëpritur në këtë mjedis të tyre të ngrohtë.
Duke çmuar disa nga vlerat kryesore të këtij vëllimi poetik, por dhe duke lexuar poezi të zgjedhura prej tij, njëri pas tjetrit, e morën fjalën: Dedë Malaj, Ilia Terpini, Riza Braholli, Jaho Margjeka, Minella Kureta, Fatime Kulli, Kujtim Dashi dhe kolegë e miq të tjerë të autorit. Përveç të tjerash, ata nënvizuan se në krijimet e K.Traboinit është ravijëzuar jo vetëm ndjeshmëria e tij e veçantë poetike, por dhe në vargjet e tij ka ditur të nderojë vendlindjen dhe të jetë pasqyrë e mirë e traditave atdhetare të paraardhësve të vet, që janë të njohur, si në Malësi dhe më gjerë.
Meqenëse ndonjë nga folësit në këtë përurim nuk e shpjegoi, se përse e ka “fajin” Hekuba, po shënoj këtu që këtë titull e ka njëra nga poezitë e bukura të këtij vëllimi. Ndër të tjera, autori shkruan:
Po të mos kishte lindur Paridi,
Po të mos kisha lindur dhe unë,
Gjërat do të ishin ndryshe,
S’do përjetoja këtë kalvar mundimesh,
Ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka hekuba,
Hekuba dhe Nëna ime! (2013)
Në mbyllje të tërë veprimtarisë, autori Kolec Traboini i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ai njoftoi se e ka në përfundim një poemë të gjatë, e cila ndoshta do të na mbledhë përsëri, në atë mjedis të këndshëm.
Tiranë, 12 shkurt 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: KOLEC TRABOINI E DI, Murat Gecaj, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

PËRUROHET “TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE”

January 30, 2015 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/
1. I lindur në Rosujën ilire të Bujanit, aq të njohur për lashtësinë dhe vlerat e saj të çmuara historike e kulturore, jo vetëm në 12 vitet e para të jetës sime atje, por dhe në 8 vitet e shërbimit tim (1966-1973), me rininë e kulturën në rrethin e Tropojës, si dhe nga leximet e ndryshme, me autorë të kësaj krahine ose jo dhe tani përmes librit të ri studimor të Skënder Haklajt, jam njëri nga dëshmitarët e shumtë të traditave të mrekullueshme, që mbart krahina jonë e dashur, Malësia e Gjakovës. Ky është një studim i veçantë në llojin e vet dhe i botuar në një libër, i cili e ka titullin domethënës, ”Tropoja e mrekullive shpirtërore”(Tiranë, 2014). Akademiku Vasil R. Tole është konsulent shkencor i tij dhe ka shkruar hyrjen, ndërsa redaktore letrare e teknike Suela Kolpepaj dhe me ballinë të punuar Agim H.Doçi.
Përurimi i këtij libri u organizua nga Bashkia e qytetit ”Bajram Curri”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Qarkun e Kukësit, deputetin e Tropojës, Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe Shoqatën ”Tropoja”. Bashkëkraninas të autorit, shkrimtarë e poetë, punonjës të fushave të ndryshme të jetës dhe të kërkimeve e botimeve, të artit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, e kishin mbushur sallën ”Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, gjë që sigurisht e kishte dhe simbolikën e vet.
Përshëndetjen e rastit për pjesëmarrësit në këtë tubim mbresëlënës e bëri kryetari i Bashkisë së qytetit ”B.Curri”, Agron Demushi. Pastaj pata kënaqësinë që unë të flisja, shkurtimisht, si për traditat e mrekullueshme artistike, kulturore e shpirtërore të popullit të Malësisië së Gjakovës (Tropoja) dhe për vlerat e përgjithshme të studimit të Skënder Haklajt.
Pra, autor i këtij libri është ky mik i imi i kahershëm dhe djalosh tropopjan me zemër atdhetare. Në gjithësej 340 faqe e në 8 kapitujt e tij dhe përmes disa fotografive domethënëse, aty flitet bukur për tradita, doke e zakone; gojëdhëna, mitologji dhe vende historike e legjendare; për kullat karakteristike dhe gatimet tradicionale të krahinës; për veshjet e instrumentët popullorë dhe për lojërat me elemente kërcimi, për moshat e vogla etj. Sigurisht, për këto tema Skënderi ka shkruar e folur bukur e me pasion edhe për faktin, sepse që në fëmijëri, ka jetuar, është rritur dhe mëkuar në mjedise me tradita të tilla të rralla e frymëzuese. Posaçërisht, vetë ai, gjatë jetës iu përkushtua me pasion të veçantë, valleve popullore të krahinës, duke u bërë kërcimtar e koreograf i talentuar dhe, tanimë, studiues i zellshëm i pasurive shpirtërore, me burimin nga gurra e pashterrshme e popullit artist të Malësisë së Gjakovës.
Janë domethënëse fjalët, që ai i ka shkruar në hyrjen e librit të tij dhe me kaq sinqeritet: “Padyshim, që shkolla rreth oxhakut ka qenë udhërrëfyesi i parë në jetën time. “Leksionet” dhe pleqësitë e zgjuara të saj u bënë ëmbëlsira e dashurisë sime për traditat, doket dhe zakonet tropojane. Oda e burrave është shtytsa themelore e shpirtit tim, e cila më nxiti dhe më ndihmoi të kërkoj, të studioj e të shkruaj, për vlerat tradicionale, shpirtërore e kulturore të popullit, në shtrirjen dardanmalase-Tropoja e sotme”.
2.
Të pranishmit në përurim dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë për atë krahinë, Besnik Dushaj; kryetari i Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi dhe Akademiku Vasil Tole. Ndërsa nga Ramiz Lushaj u lexua tema, që kishte përgatitur prof.dr.Shefqet Hoxha, ”Mësues i Popullit”. Aty paraqiteshin vlerat e shumanshme të librit të autorit Skënder Haklaj, i cili është bazuar fort dhe me aftësi profesioinale, në traditat e mrekullueshme popullore të vendlindjes së tij.
Aktori Llesh Nikolla lexoi pjesë nga ky libër, ndërsa në ekran u dhanë pamje për atë dhe jetën e autorit. Pjesëmarrësit dëgjuan edhe disa vargje, që kishin thurur për autorin e këtij libri të ri, kushtuar traditave popullore në krahinën e tyre, Nuredin Lushaj e Xhevdet Malaj.
Pjesë e bukur e tërë këtij tubimi, në qendër të të cilit ishin traditat shpirtërore dhe kulturore në Malësinë e Gjakovës, ishin edhe vallet e shkathëta të një grupi me vajza e djem nga ajo krahinë. Me ata u bashkua edhe valltarja e njohur, qysh shumë vite të shkuara, Hajrie Haklaj. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht edhe kënga me lahutë e rapsodit Gjovalin Prroni.
Në emër të UAKSH, Azgan Haklaj e Xhevdet Malaj i dorëzuan autorit të këtij libri, Çmimin ”Jeronim de Rada”. Ndërsa e reja Jerinda Goçi i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.
Në mbyllje të gjithë kësaj veprimtarie përuruese, Skënder Haklaj i falënderoi përzemërsisht folësit dhe pjesëmarrësit, si dhe gjithë ata, që e mbështetën atë në realizimin e saj.
Pasi secili i ftuar mori me nënshkrim një libër dhuratë, nga djali i autorit të tij, bisedat e përbashkëta ata i vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast.
Tiranë, 30 janar 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: “TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE”, Murat Gecaj, PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT

NUMËR FESTIV I GAZETËS “NIKAJ-MËRTUR”

January 2, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
Në ditët e fundit të vitit të kaluar dhe në pragun e Vitit të Ri 2015, që sapo filloi, u shtyp e doli në qarkullim nr.12, i gazetës periodike, adhetare, shoqërore e kulturore, të krahinës Nikaj-Mërtur, në Malësisnë e Gjakovës (Tropojë). Organin e shtypit në fjalë e boton Shoqata “Nikaj-Mërtur”, me kryetar Av.Gjin Niklekaj, drejtor Pashk Preka e kryeredaktor Dedë Qokaj.
Kësaj radhe, këtë gazetë, të ilustruar dhe me 20 faqe, e ka mundësuar biri i krahinës, Kolë Hysenaj. Tërë numrat e saj janë shpërndarë falas, si për anëtarët e Shoqatës dhe lexues të tjerë të interesuar.
Duke e shfletuar këtë numër gazete, në faqen e parë është titulli, “Qeveria e sotme e Tiranës t’i japë jetë projektit gjigand për Nikaj-Mërturin”, shoqëruar me një hartë të madhe. Ndërsa në brendësi, në faqen e dytë bien në sy shkrimet, “Shoqata ‘Nikaj-Mërtur’ hapë fushatën zgjedhore” dhe “Media, arkiv i vlerave tona”(nga D.Qokaj). Më tej, tërë faqja e tretë i është kushtuar shfaqjes së organizuar, pak ditë më parë, në amfiteatrin “Blu Sky” të Shkodrës, shoqëruar edhe me disa fotografi (nga M.Gecaj). Në këtë koncert festiv, me producentë Prekë Mrishaj dhe Zamira Korançe, interpretuan jo vetëm këngëtarë e valltarë nga krahina Nikaj-Mërtur, por dhe të ftuar të tjerë, si nga Shkodra e Tirana. E veçantë ishte, se aty kënduan aq bukur edhe Dila Gecaj, e ftuar nga Nju Jorku e Lindita Gjoka, e ardhur nga Athina etj.
Në faqet vazhduese janë botuar shkrime të tillë, si “Nikaj-Mëturi në kulmimet dhe thyerjet e historisë” (nga prof. Lush Susaj), shkrimi i Nikollë Lokës për librin e dr. Mark Palnikaj, kushtuar bajraktarit të Mërturit, Tunxh Miftari. Me interes janë dhe dy shkrime të tjerë, po nga M.Palnikaj, ku flitet për prejardhjen e fiseve Nikaj e Mërtur dhe jepet mendimi që të shkruhet një historik për to. Po në fushën e historisë, është shkrimi tjetër, që ka autor L.Susaj, “Nuk ka pasur bashkëqeverisje, as bashkëfajësi shqiptare-osmane”.
Siç dihet, kjo krahinë me plot tradita dhe bukuri të rralla natyrore, shquhet dhe për numrin e madh të krijuesve të saj, si poetë e shkrimtarë, artistë e studiues etj. (Në faqen 15 janë botuar emrat e disave nga ata). Kështu, në këtë numër, gazeta i ka lënë vend, në dy faqe të saj, poezive të frymëzuara të Jak Përpalit. Ndërsa, po në dy faqe, Ylli Prebibaj ka shkruar për dëshmi e fakte, për zhvillimin e arsimit shqip, në këtë krahinë e më gjerë. Dy shkrime për zhvillimin teknik në Nikaj-Mërtur kanë autor dr.Mark Palnikaj. Ndër të tjera, ai nënvizon se, realisht, ai nisi atje pas viteve ’60-të, të shekullit të kaluar.
Nikajmërturasit, jo vetëm që kanë organizuar disa herë veprimtari të bukura, por dhe përfaqësues të tyre kanë marrë pjesë në festimet e shoqatave simotra. Kështu, një shkrim i tillë, nga M.Gecaj, i kushtohet veprimtarisë së përvitshme kulturore-artistike, në Malin e Dajtit, nga Shoqata “Bytyçi”, me me kryetar av.Agron Gjedia. Ndërsa publicisti Ndue Ukcamaj ka botuar shkrimin, “Mirash Gjoni, Homeri i Eposit Shqiptar”.
Në faqen e parafundit të kësaj gazete është shkrimi i redaksisë, “Një vendim zakonor, në dobi të nikajmërturasve-Përfaqësues të dy fiseve të zonës marrin vendimin për kufizimin e shpenzimeve mortore”.
…E përgëzojmë stafin e gazetës “Nikaj-Mërtur”, për numrin e ri, që përgatiti dhe shpërndau për lexuesit e saj. Gjithashtu, shpresojmë e bësojmë që ajo do të botohet në vazhdimësi, me mbështetjen bujare të bashkëkrahinasve ose dashamirësve të tjerë.
Tiranë, 2 janar 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: “NIKAJ-MËRTUR”, I GAZETËS, Murat Gecaj, NUMËR FESTIV

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT