• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSINE KOKALARI- NE KUJTIM TE ZHAN DARKES SHQIPTARE

January 28, 2019 by dgreca

“Bermude të Gjirokastrës: “Musine, Ismail, Enver”/1 musine Kokalra

Nga Shpend Sollaku Noé./(retrospektive)/
Vështirë të gjendet një qytet tjetër kaq i vogël sa Gjirokastra që të ketë ndikuar aq shumë në historinë apo kulturën e një vendi. Dikush këtë e shpjegon me përpjekjet e qytetarëve të saj për të mbijetuar në një vend të tillë të izoluar, me pak banorë, më mundësira të kufizuara për zhvillim ekonomik, ku gjithçka ishte e kursyer përveç gurit, ku duhej kursyer parimisht dhe, veç të tjerave, larg prej qendrave të rëndësishme ku vendosej edhe fati i tyre. Dikush tjetër, sidomos të kaluarën e saj, e shpjegon si një ekzaltim të qëndresës ndaj të huajt të një fortese të fundit kufitare, politike apo kulturore. Ndonjë tjetër shkon edhe më tej, duke gjetur zgjidhjen e gjithçkaje gjirokastrite në ADN-në e banorëve të saj, me arësyetimin e thjeshtëzuar: lindin të tillë, për tʼju imponuar të tjerëve.

Pavarësisht nga reflektimet, faktet thonë që janë të shumta ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe personazhet e lindur në atë qytet që janë imponuar në rang kombëtar si në histori, ashtu edhe në kulturë apo shkenca.

Por unë këtu do të merrem vetëm me tre prej tyre, që të tre në vështrim të parë shumë larg njeri-tjetrit. Por që jetët dhe veprimtaritë e tyre i kanë patur të lidhura nëpërmjet shumë fillesh, diku të nëndheshme, diku tjetër mëse të dukshme: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe Musine Kokalari.

Për të parin është folur shumë, për tragjeditë e krijuara prej diktaturës së tij të përgjakshme, viteve të fundit edhe për veset e tij private. Personalisht më intereson pak nëse ai ishte apo jo i denjë për Gay Pride. Raste figurash historike që kanë qenë gay, të deklaruar ose jo, janë të shumtë. Është shkruar që edhe Michelangelo, Aleksandri i Madh apo edhe të tjerë të mëdhenj të kulturës apo të historisë deri në kohën e sotme kanë qenë homo apo biseksualë. Ky fakt, për studiuesit, është krejt i parëndësishëm për tʼi vlerësuar ata si të mbetur në histori apo kulturë e arte për veprën e tyre. Edhe Enveri ka për të mbetur përgjithmonë në historinë shqiptare. Nuk fshihen me një të rënë të lapsit pesëdhjetëvjetë nga jeta e një populli. Sa më shpejt të shihet realisht dhe me gjak të ftohtë kjo figurë makbethiane, aq më shpejt shqiptarët do të kthehen në qytetarë normalë, që gjykojnë, por nuk shajnë e mallkojnë. Por kjo nuk do të thotë të tolerohen manifestime nostalgjikësh me portretet e tij.

Nëpërmjet shumë fijesh figura e diktatorit tonë është lidhur qoftë më atë të Kadaresë, qoftë me atë të Musine Kokalarit. Lidhjet ndërmjet kësaj tresheje kanë qenë dhe mbeten kaq të rrezikshme për ne që pëpiqemi tʼi interpretojmë, saqë ndodhemi shpesh në gjendjen e një piloti mu në mes të Trekëndëshit të Bermudeve, duke rrezikuar seriozosht rënien në pikiatë apo zhdukjen pa lënë gjurmë. Aq shumë intriga në mes këtyre të treve, aq urrejtje, aq hakmarrje, aq kryeneçësi për tʼi rezistuar tiranit, aq egërsi për të errësuar tjetrin deri në eliminim.

Midis dy të parëve, Hoxhës dhe Kadaresë, më shumë se një raport dashuri-urrejtje, ka qenë një mbështetje e njëri-tjetrit, siç duhet të bëjnë dy gjirokastritë model; herë për konveniencë prej të të dyve, herë për nështrim total të të dytit ndaj të parit, herë për imponim me anë të frikës të të parit me të dytin; një kombinim i përsosur i kulaçit me kërbaçin, ose: më shumë kulaç sesa kërbaç. Nga ky fakt Kadareja ka qenë gjithmonë i ndier herë si më i përkëdheluri i regjimit, hërë më i kërcënuari, kur fama apo veprat e tij rrezikonin të tejkalonin ato të diktatorit. Sidoqoftë që të dy e shfrytëzonin njeri-tjetrin deri në palcë: Hoxha – Kadarenë për tʼu përjetësuar në letërsi, ndërsa shkrimtari për të patur liri veprimi në shkrimet e tij, liri deri në masën që nuk duhej të minonin autoritetin e diktatorit.

Tjetër gjë ka qenë raporti i Enverit me Musinenë. Njiheshin që në rini. Në një nga botimet e fundit për Musinenë, lihet të kuptohet që Hoxhët kishin kërkuar që të fejonin Musinenë me Enverin, gjë që paskërka qenë kundërshtuar nga Kokalarët. Kjo i paskërka dhënë shkas edhe ndjenjës së vazhdueshme hakmarrëse të Hoxhës në periudhën e mëpastajme. Ky detaj mund të ishte një gjetje e mirë për një telenovelë, por kundërshtohet me vendosmëri nga pasardhësit e vajzës Kokalari. Nuk mund të jetë e vërtetë, pasi Musineja ishte mjaft e vogël kur Enveri kish kohën e fejesës.

Xhelosia e diktatorit ndaj saj duhet parë së pari në prizmin politik.

Hoxhët dhe Kokalarët ishin farefis, dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë një sekret. Hoxha pra i ka pasë njohur mirë ata, por jo vetëm prej lidhjes fisnore. Gjirokastra ishte shumë e vogël. Intelektualët e saj numëroheshin me gishta. Ata banonin në një lagje. Ishin nga familjet më të vjetra të qytetit. Me vëllain e Musinesë, Hamitin, Enveri kish bërë shkollën që nga klasa e parë e deri në mbarimin e shkollës së mesme. Madje që të dyve u doli njëkohësisht bursa dhe njëkohësisht u nisën të studiojnë jashtë. Dy vëllezër të Musinësë kanë qenë profesorë të Enverit në liceun francez të Gjirokastrës. Enveri, për mënyrën e të sjellurit dhe për lidhjen e mëvonshme me komunistët, është parë, jo vetëm nga Kokalarët, por edhe vetë nga familja e tij, si një renegat dhe si i padenjë. Jo rastësisht diktatori ose e përmend pak, ose e injoron fare të atin në kujtimet e tij, duke marrë si përfaqësues të denjë të familjes xhaxhain, Hysenin. Inatet ndaj familjes së tij, por sidomos ndaj Kokalarëve, do të trasformoheshin shpejt në hakmarrje, veçanërisht ndaj Kokalarëve, që u kushtoi këtyre të fundit disa dënime me vdekje e mjaft vite internimi. Pa dyshim krijesa më e dhimbshme në kuadrin e kësaj hakmarrjeje të përbindshme ishte Musineja. Së pari, sepse ishte një intelektuale e fortë dhe e përgatitur; së dyti, dhe sidomos, si kundërtshtare politike. E reja Kokalari kish guxuar të themelonte një parti politike, atë Socialdemokrate, taman në kohën kur pluralizmi politik ishte sanksionuar si një herezi. Goditja u fundit e hakmarrjes së diktatorit ndaj saj mori shkas sidomos nga qëndrimi në gjyq i Musinesë. Kur të tjerë ishin dridhur në seancat penale të diktaturës, kishin kërkuar mëshirë, kishin qarë dhe ishin deklaruar të penduar, duke pranuar edhe dënimin me vdejke ndërsa thonin «rroftë partia», ajo kish qëndruar e pathyer, kish vazhduar tʼi sfidonte edhe para trupit gjykues, pa u lëkundur as edhe një grimë nga idealet e lirisë që mbronte prej kohësh. Këtë gjë Hoxha nuk kish për tʼia falur kurrë sa qe gjallë.

Musineja, nga ana e saj, e ka injoruar diktatorin pothuaj në të gjitha kujtimet e lëna me shkrim, përveç ndonje ironie të hollë, të cilës i nënkptohej qartë adresa.

Po Kadareja në çʼraport ka qenë me Musinenë? Në të gjitha veprat e tij me temë Gjirokastrën, ai është përpjekur vazhdimisht të errësojë apo të denigrojë gjithçka që ka të bëjë me Kokalarët apo kushërinjtë e miqtë e tyre. Tek «Kronikë në Gur», për shembull, dihet sesi e përshkruan Aqif Kashahun, nip i Kokalarëve. Po ashtu, sipas Kokalarëve, mendohet të jetë Musineja modeli i personazhes së vajzës së shkolluar që sʼbënte gjë tjetër veç dilte nëpër dritare.

Jashtë kontekstit të këtij romani, Enveri kish njohur Myfitin, vëllain e Aqif Kashahut, me të cilin kish qenë bashkëstudent. Enveri i ka pasë shprehur dëshirën Myfitit që ta martonte me njërën nga motrat e tij, por vëllai i Aqifit nuk kish pranuar. Shumë në Gjirokastër e komentojnë një përshkrim të tillë të Kashahut nga Kadareja, si një haraç të paguar diktatorit, ndaj atij mbiemri që dikur atë e kish «përçmuar». Kusuri është vetëm heshtje. Asnjë koment i Kadaresë, as edhe prej dy rreshtash, për librat e botuar nga Musineja, as edhe për faktin sesi ajo ka qenë si një zë i veçantë në enciklpedinë francese Larousse, në vitet 1945-1950.

I tillë ka qenë edhe qëndrimi i Musine Kokalarit ndaj Ismail Kadaresë, të paktën me shkrim, të paktën për aq sa kam mundur të lexoj prej kësaj autoreje: heshtje e plotë.

Deri tani kemi folur për mite: Miti i diktatorit që ende duhet zbërthyer siç duhet; miti i Kadaresë në të cilin ka meritë ai vetë por edhe diktatori që e lançoi: miti i Musinesë ku, në mënyrë paradoksale, edhe diktatori ka luajtur një rol të dorës së parë për ta bërë të pavdekshme, pikërisht duke e persekutuar.

Si paraqitet sot raporti në mes të këtyre tre miteve të Gjirokastrës?

Ai i diktatorit vazhdon të jetojë tek nostalgjikët. Dje ishte kryesori. Pas tij vinte sigurisht Kadareja. Musineja ishte fare e panjohur për turmat kombëtare.

Në një kohë të dytë ( vitet ʼ90) ndodhi parakalimi i Ismailit në dëm të Enverit. Ai ka patur edhe propozime që nuk i ka pranuar, për tʼu bërë president i Shqipërisë. Musineja, ndërkaq, sapo kish nisur të nxirrte kokën, si një manushaqe e brishtë, poshtë një shkëmbi, pas një dimri të zgjatur e të akullt.

Mitet vlejnë për turmat. Atyre nuk u intereson as të njohin në thellësi veprën dhe moralin e Enverit. As të lexojnë librat e Ismailit. As të thellohen e të njohin më tepër një vullkan të nënujshëm si Musineja. Turmat dijnë të bëjnë vetëm dy gjëra: ose të adhurojnë, ose të urrejnë. Është detyrë e studiuesve të vërtetë dhe, sidomos e shtetit, të ndajë mitin e tyre nga realieti.

Çʼqëndrim ka mbajtur shteti shqiptar ndaj këtyre tre miteve, të këqinj, të dyshimtë apo të kristaltë qofshin?

Rreth Enver Hoxhës janë bërë shumë botime, përgjithësisht denigruese, përgjithësisht nga privatët. Shteti shqiptar nuk e ka cilësuar kurrë ligjërisht apo formalisht atë si një diktator. Në Shqipëri janë lejuar manifestime të nostalgjikëve, gjë që nuk ndodh në Itali apo në Gjermani, ku janë ndaluar me ligj grumbullime që himnizojnë Musolinin apo Hitlerin. Kushtetuta shqiptare nuk shprehet qartë për këtë problem. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit janë dekoruar edhe eksponentë të ish-diktaturës, diçka e palejueshme kjo për një qeveri që pretendon të jetë europeiste. Është rindërtuar prej kohësh shtëpia e djegur e Enverit, në lagjen Palorto, në trajtën e Muzeut Etnografik. Atje gjenden edhe pak objekte të familjes Hoxha, pa dicitura, si dhe një bust i anesë, nënës së Enverit, i mbuluar nga pluhuri, i fshehur në një kthinë, pas një dere të vjetër, me kurriz të kthyer hyrjes, që unë e hapa rastësisht, për të parë se ku të shpinte. Gjatë vizitës tonë të fundit në atë muze, kushërinjtë e Hoxhës që banojnë aty pranë na thanë, edhe pa i pyetur: Enverin këtu e kanë akoma frikë, dhe prej nesh trëmben!

Edhe shtëpisë së Kadaresë, në skaj të Sokakut të të Marrëve, i ka pasë rënë zjarri. Por me të shteti është duke u marrë seriozisht. Edhe pse në mënyrë të ngadalshme, nuk kanë munguar fondet dhe atje punohet për të ndërtuar një fortesë që do të jetë Muzeu Kadare. Brenda saj pashë një skuadër muratorësh, por edhe modifikime që prishnin traditën gjirokastrite. Nga këto lloj modifikimesh jashtë tradite të ndërtesave dhe rrugicave vuante në përgjithësi e gjithë zona historike e Gjirokastrës, për të mos përmendur ato të braktisurat në degradim.

Shtëpia ku lindi Musine Kokalari, ndërkaq, nuk ka parë as edhe një qindarkë ndihme nga shteti apo nga fondacionet e kamufluara «joshtetërore». Rekuperimi i saj ka qenë vetëm vepër e përkushtimit të mbesës së Musinesë, Arjeta, dhe të të shoqit Yzeir Ceka. Ata, me sforcimin e tyre, arritën sa ta sjellin atë Muze deri në fazën e fundit, atë të mbushjes me materialet e duhura, të kataloguara me kujdes që më parë. Por, mesa duket, zjarri në Gjrokastër do të vazhdojë të jetë protagonist. Një ditë të premte, më 21 nëntor 2014, rreth orës njëzetë të mbrëmjes, ai do të bënte shkrumb, në pak minuta, gjithçka që qe ndërtuar e rekuperuar në Muzeun Kokalari. Prej tij tani kanë mbetur vetëm ngrehinat e mureve. Një humbje e madhe kjo jo vetëm për Kokalarët, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë. Ngushëllimi i vetëm është që janë shpëtuar të gjitha materialet arkivore. Vetëm me forcat e Arjetës dhe Yzeirit, ai Muze nuk mund të rindërtohet. Bashkia e Gjirokastrës vazhdon të jetë indiferente, Tirana gjithashtu. Për një vlerë të tillë kombëtare, të gjithë ne dashamirësit do të japim ndihmesën tonë. Por, sado që të bëjnë privatët, roli i shtetit shqiptar këtu është i pazëvendësueshëm. Në kthimin të prekshëm për të gjithë, të mitit të kristaltë, që shkon drejt superimit të Kadaresë e Hoxhës; Musine Kokalarit.

Filed Under: Featured Tagged With: Mermude te Gjirokastres, Musine Kokalari, Shpend Sollaku Noe'

MUSINEJA – E VDEKSHMJA E MBETUR PEZULL

March 10, 2018 by dgreca

1 Shpendi ok

nga Shpend Sollaku Noé/

Ka libra që nuk i lexon dot më tutje se kapitulli i parë, ka të tjerë që i le përgjysëm, dhe nuk të vjen ndërmend as pas një dite çʼke lexuar në faqet e tij. Ka të tjerë që u kthehesh vazhdimisht, pasi të duket se gjithmonë ke humbur diçka gjatë leximit, pasi të duket vetja një polumbar i paaftë për të arrirrë deri në thellësinë e funddetit që ato botime prezantojnë. Në kategorinë e këtyre librave që duhet tʼu kthehesh pa dyshim bën pjesë edhe ky botim: «Musine Kokalari – letërkëmbime, shënime, kujtime».1 Musine Kokalari

Secili nga këto momente zë një vend të rëndësishëm në kutimin e një jete sa të vështire, aq edhe dinjitoze. Qoftë në kujtimet, qoftë në shënimet apo edhe në letërkëmbimin e paraqitur në këtë libër bie në sy një tendencë e qartë për tʼi thënë gjërat ashtu sic kanë qenë e për tʼi lënë pak ose aspak vend intepretimeve. Siç e shkruan edhe Bibika Kokalari – autorja e kësaj përmbledhjeje, Musineja e tregon vetë historinë e saj.

Pa e filluar akoma leximin, goditesh emocionalisht që në kopertinën e parë: Një Musine fare e re  mes lulesh e bari, si një zhardhok i zambakëve të jugut, drejt lulëzimit të plotë. Nuk duket si foto e vjetër; ngjan më tepër si shoqet tona të gjimnazit, në vitet ʼ70. Godet edhe historia e Bibikës në kopertinën e pasme. Ashtu si edhe presantimi që u bën këtyre dokumentave historike po ajo, rrëfimi sesi e njohu Musinenë, që nga marsi i viti 1981, deri në korrikun e 1983-isht.

Emocionet këmbejnë kurs kur Musineja flet për veten, nëpërmjet korrespondencës së saj. Që nga letra e parë, e datuar 31.12.1972, dërguar Musinesë nga Platon Kokalari e deri tek ajo dërguar këtij të fundit prej Musinesë, lexuesi ka mundësi të mësojë detaje të panjohura të jetës së saj. Ky kapitull mbyllet me listën në proçesverbalin e trishtë që risjell varfërinë në të cilën u detyrua të jetojë një nga personalitetet më të shquara të dizidencës shqiptare: një raft ushqimi; një etazher; 178 libra, një stufë zjarri; dy karrige; gjashtë enë ushqimi, mbulesa, një dyshek, një minder dërrase.

Ndersa vija re këtë inventar varfërie të thellë, mendova sesi ajo grua inteligjente shkruante e lexonte: në listën e saj të pasurisë nuk kishte asnje tavoline!

Pastaj: Çʼne 28 vepra të Hoxhës në etazherin e saj? I ka blerë për tʼu tallur, e kanë detyruar tʼi blejë? Ia kanë dhuruar me dhunë?

Në të gjitha dokumentat që ka lënë pas, ajo nuk merret fare apo e injoron plotësisht diktatorin.

I të njëjtës ngarkesë emocionale, por kësaj here të gjitha në veten e parë, janë shënimet e Musinesë të mbajtura në shtratin e lëngimit të herëpashershëm në spital. (periudha shkurt 1981- maj 1983, faqe 89-106, që mbyllen me një autobiografi të shkurtër dorëshkrimore).

Mbi të njëjtën vragë ngrihet edhe kapitulli «Mbi jeten time». Ai nis me Parashtesë të fletores numer 1, 8 faqe: 109-142). Është një libër më vete, me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për familjen Kokalari, por për të gjithë historinë e Shqipërisë. Unë veçova ndonjë kuriozitet, nga faqja 121, ku theksohet zbrazja e Gjirokastrës nga bejlerët, në vitin 1920, por edhe dicka me vlera të forta simbolike familjare: hyrjen e mënyrës evropiane të të jetuarit.

Kapitulli «Kujtime të përgjithshme dhe të shkëputura» shënon ndryshimin jo vetëm demografik të familjes së Musinesë (lindja e Hektor Kokalarit). Në këtë vlagë ndër më të bukurat janë dialogët e faqeve 148-149, rreth lindjes së Kasandrës. Po në këtë kapitull fillojmë të ndeshemi edhe me tmerrin që fillon të ndiejë e brishta Musine në drejtim të komunizmit. Janë ato vite kur ajo nis ta ndiejë veten demokrate.

«Une rashë në burg dhe u varrosa për së gjalli nga diktatura e proletariatit. Nxënësja e të ndriturit Sami ».

Këto janë rreshtat e fundit të kujtimeve të Musine Koikalarit. Të mbetura pezull, midis dhimbjes dhe përçmimit për injorancën dhe krimin e ardhur në pushtet.

Në këtë libër nuk është miti.

Ai, sidoqoftë, nuk ridimensionohet. Ndër faqet e këtij vellimi na ridel parasysh Musineja e brishtë, delikate, ajo e sëmundjeve, ajo e vdekshmja: Për këto aresye një Musine që «zbret» në nivelin e njeriut të zakonshëm, që nuk na bën të mburremi me të –  ashtu sikur bëjmë me mitin e saj – por që na e provokon lotin vazhdimisht. Në këto rreshta, edhe të kyrsyer, na ngulitet në mendje një Zambak në fazën e pragdimrit, që humbet petalet, pastaj edhe gjethet, dhe shderrohet akoma në një zhardhok, nën tokën e ngrire. E sigurtë, që ajo do të nxjerrë kryet në të gjitha pranverat pasardhëse, për çdo herë me ngjyra akoma më të ndritshme. Me aromë akoma më tepër dehëse. Me petale e kërcenj të ndrydhura prej zinxhirëve, të shqyera nga telat me gjemba. Me vdekjen pezull mbi krye.

Filed Under: Opinion Tagged With: E VDEKSHMJA E MBETUR PEZULL, Musine Kokalari, Shpend Sollaku Noe'

MUSINE KOKALARI DHE HESHTJA E ZBULUAR

January 12, 2018 by dgreca

1 KOKALARI-front

Shkruar nga LAURA FARANDA-Perktheu per DIELL-in:EUGJEN MERLIKA/*

1musine visar zhiti  Mё 4 dhjetor 2017, nё Universitetin “Sapienza” (“Dija”) tё Romёs u zhvillua njё ditё studimesh, kushtuar Musine Kokalarit (1917 – 1983), shkrimtare, poete, aktiviste shqiptare e Nёntёqindit, qё prej vitit 2007 e nderuar me dekoratёn mё tё lartё qytetare tё Nderi i Kombit : njё rehabilitim politik dhe njё rivlerёsim letrar qё dёmshpёrblejnё vonё historinё dramatike tё njё vajze – uragan, e ndjeshme pёr çёshtjen  e sapolindur femёrore, e zotuar politikisht nё kёrkimin e njё rruge demokratike, kundёrshtare e çfarёdo diktature, e dёnuar pёr kёtё nga regjimi komunist me burgim e izolim tё detyruar qё nga viti 1946 deri nё çastin e vdekjes sё saj tragjike.

1 Musine okay 1.JPG

Dita e studimeve filloi me paraqitjen e njё libri tё bukur, tё nxjerrё nga shtёpia botuese Viella, nёn kujdesin e Simonetta Ceglia-s dhe Mauro Geraci-t, “Jeta ime universitare. Kujtime tё njё shkrimtareje shqiptare nё Romёn fashiste (1937 – 1941). Njё vёllim i mirёpritur nё mёnyrё kuptimplote nga seria e çmuar “Kujtesa e rikthyer. Burime pёr historinё e grave”, e drejtuar nga Marina Caffiero dhe Manola Ida Venzo, e menduar si njё detyrim stinёs rinore tё Musine Kokalarit qё, gjatё viteve universitare tё kaluara pranё Fakultetit tё Letёrsisё sё “Sapienza”-s, mbajti njё ditar nё gjuhёn italiane nё tё cilin pёrshkroi ditё mbas dite aventurёn e saj romane.

Me njё parathёnie tё saktё e plot pasion tё vёllimit Mauro Geraci (profesor i jashtёm i Antropologjisё kulturore nё Universitetin e Mesinёs), na shoqёron pёr dore nё grumbullimin sistematik tё pёrshtypjeve, lёvizjeve historike e kulturore, turbullirave jetёsore, intuitave pёruruese politike qё studentja e re dhe e shkёlqyer zbulon gjatё qёndrimit roman nёpёrmjet njё ushtrimi tё vazhdueshёm antropologjik tё dёgjimit, tё vёzhgimit, tё tёrheqjes kritike. Nga ana e saj Simonetta Ceglie (historiane dhe arkiviste pranё Arkivit tё Shtetit tё Romёs) na bёn tё hyjmё nё tekstin duke e quajtur historike vlerёn dёshmuese, duke rindёrtuar mjedisin universitar tё epokёs, duke na kthyer gjithё dokumentat qё pajisin redaktimin e dorёshkrimit (nga letёrkёmbimi vetiak me familiarёt, miqtё, tё njohurit nga fondi Kokalari, sot i dorёzuar pranё Arkivit qёndror tё Shtetit tё Tiranёs ; nga qёndrueshmёria origjinale e dorёshkrimit tek kriteret e zbatuara nё kopjimin dhe botimin e tij)

Libri na paraqitet si njё lloj rrugёtimi nё kthim tek topografitё simbolike rinore tё njё shkrimtareje tё gjithanёshme, tё zotuar herё nё prodhimin poetik vetiak (Kolla e vdekjes, 1937), herё nё pёrmbledhje poetike e tregimtare tё traditёs gojore tё bashkёsisё sё origjinёs (Rreth vatrёs ; …… Si ndryshon jeta, 1944), herё sё fundi nё njё shkrim luftarak e pёrvёlues, i botuar mbas vdekjes nё dy vёllime tё 2000 dhe 2004 (Si lindi Partia socialdemokrate. Artikuj, shёnime, esé, e kujtime dhe Antologjia e plagёve. Nёn terrorin komunist). Njё rrugёtim, ai i Jetёs sime universitare, qё i lejon lexuesit tё shtrijё kuptimin e kthimit – kthimi i Musinesё n’atdhe – nё kёrkim tё njё origjine, tё njё burimi identitar, tё njё peme gjenealogjike qё do tё pёrligjte dёshirёn pёr tё kthyer nё ndihmesё politike njё pёrvojё formuese tё pasur e tё gjithanёshme.

Pёrshkrimet e ditёve tё studimeve janё pёrvijuar nё kёtё perspektivё, si etapa tё mundёshme tё njё udhёtimi, tё njё takimi tё ndёrlikuar me rrugёt e unit tregues tё Musine Kokalarit, duke filluar nga pёrshёndetja hyrёse, prekёse dhe pёrsiatёse e Emanuela Prinzivalli-t, Drejtore e Departamentit tё “Historisё, Kulturave e Besimeve” qё ka nxitur dhe mbёshtetur nismёn. Jo mё pak tё sakta pёrsiatjet e referuesve Franco Altimari, Marina Caffiero, Ardian Ndreca, Anna Rosa Iraldo, Luigi Lombardi Satriani dhe tё vetё kujdestarёve Geraci e Ceglie. I pasur dhe i rrjedhshёm ka qenё projekti i punёs sё ripёrtёritjes botuese tё shkrimtares nё Shqipёri, i propozuar nga Persida Asllani, Drejtore e Bibliotekёs Kombёtare tё Tiranёs. I dhimshёm dokumenti i dёrguar nga Visar Zhiti, poet e studjues shumё i vёmendshёm ndaj Musine Kokalarit ; jo mё pak nxitёs leximi i Rando Devoles, qё e ka zgjatur pёrvojёn e Musinesё deri nё atё tё grave tё Shqipёrisё bashkёkohore, me mёrgimet, traditat dhe modernizimin. Shumё prekёse, sё fundi, prania pjesёmarrёse dhe e plotё e familjes Kokalari, e pёrfaqёsuar zyrtarisht nga pёrshёndetja hapёse e stёrmbesёs Linda, qё ka mbёrritur nё Romё pёr tё ripёrshkuar kujtimet e Musinesё nё tё njёjtin skenar nё tё cilin janё zhvilluar, mbas mё shumё se shtatёdhjetё vitesh nga shkrimi i tyre.

Kёshtu teksti bёhet shkak pёrsiatёs pёr njё vёshtrim tё pёrbashkёt tё siglёs kritike dhe pёrbёrjes njerёzore tё Musine Kokalarit, Muzёs shqiptare tё rikthyer nё tё tashmen : qё nga ёndrra universitare nё vuajtjet e pёsuara nё vetminё e palejueshme tё njё gjёndjeje burgimi tё ashpёr e mё pas tё njё mёnjanimi, njё pёrjashtimi nga jeta shoqёrore nё atё fshat Rrёsheni, ku gjithsecili ishte i detyruar t’a injoronte nёn ndalimin absolut qё t’i thonte njё fjalё.  

Duke shfrytёzuar tё mirёn e pozicionit tim strategjik (fjala ime ishte parashikuar pёr nё fund tё seancёs sё paradites) mendova menjёherё se mund t’i lejonja vetes njё shtesё lirie pёr njё lexim tё parapёlqyer tё librit dhe autores sё saj. Nё tё vёrtetё e kisha menduar qё nga leximi i faqeve tё para tё vёllimit qё u bё shkas pёr tubimin roman, nga tё parat konsiderata hyrёse, si njё nderim pёr pёrgatitёsin pёr shtyp qё i kishte kushtuar heshtjes njё monografi tё pёrsosur antropologjike, ende aktuale (Geraci 2002), por edhe si njё strategji tё pazakontё dёgjimi tё njё historie jete tё njё “vajze – uragan”, qё rridhte drejt njё fundi tё papranueshёm, aq mё shumё tё dhimshёm sa mё shumё tё nёnёshtruar poshtёrimit tё heshtjes.

Musine Kokalari dhe heshtja e zbuluar m’u duk titulli mё i pёrshtatёshёm pёr tё pёrmbledhur nё njё metaforё tё vlefshme si dashurinё interpretuese me tё cilёn Mauro Geraci e ka mbёshtjellё qё nё faqet e para tё parathёnies sё tij, po ashtu  edhe rrugёn e pёrherёshme tё fatit tё njё gruaje qё sillte ndёr mёnd tё tjera gra, tё tjera trupa, tё tjera histori, tё tjera mungesa. E nёse ёshtё e vёrtetё – siç kujtonte Calvino nё tregimin e mrekullueshёm Njё mbret nё dёgjim (Calvino 2011) – se pёr çdo trup ka njё fillim, pёr çdo zё njё prani, asnjёherё mё shumё se nё kёtё rast zёri i Musinesё kthehet nё njё prani historike duke thurur (me njё veprimtari tё kushtuar dijeve mё tё larta tё njё modeli femёror tё zanafillёs sё herёshme) retorikat e njё heshtjeje tё ngjeshur me kuptim.

Do tё pёrpiqem tё jap, edhe nё kёtё seli, heshtjen e Musinesё nё kuptimin e saj antropologjik, duke depёrtuar nё siglёn e saj semantike, nё andrallat e njё zёri me ndёrprerje, nё pёrvojat e qeta tё kundrimit tё jetёs sё njё studenteje tё ngarkuar me shpresa, nё vetёizolimin e dhimshёm tё njё luftёtareje tё guximёshme, nё mospajtimet e papranueshme tё njё historie pa zё.

Do tё mundohem tё kujtoj mbi tё gjitha fuqinё kritike tё njё izolimi nё rritje, tё njё heshtjeje qё kthehet nё ligjёrim, nёse ёshtё e vёrtetё ajo qё kujton vetё nёna e Musinesё, e cila duke i qёndruar pranё nё stinёn e gjatё tё internimit politik, kuptoi mirё jehonat e memecёrisё sё saj tё detyruar nё pёrdorimin politik si njё sfidё, armё mbrojtjeje kundrejt provokimeve tё vazhdueshme, mbikqyrjeve, marrjeve nё pyetje dhe shpagimeve politike.

Njё heshtje kёmbёngulёs edhe e stёrholluar ajo e Musinesё, qё duhet kuptuar edhe si mjet pёrgjigjeje ndaj “asgjёsё shoqёrore” tё detyruar nga shёrbimet e fshehta, si njё solipsizёm i njё autori tё hekurt e tё çakёrdisur. Heshtja e njё martireje, do tё thoshim, qё pёrballon me krenari e dinjitet gjymtimin e njё trupi e tё njё mendimi. Heshtje e pёrsёritur dhe e ftohtё ajo e institucioneve (mё parё politike, mё pas shёndetёsore), pёrballё kёrkesave tё besuara shkrimeve drithёronjёse tё njё Musineje tё sёmurё pёr vdekje, tё goditur nё gji, tё goditur nё zemёr, trupi i sё cilёs – njё pasqyrё tingёlluese e njё vetmie tё prerё – kёrkon dinjitet dёgjimi.

Por rrugёtimi nё heshtje i Musine Kokalarit fillon herёt, mё parё se burgosja e saj politike, shumё mё parё se sa zёri i saj tё mbytet nga tmerri i njё regjimi. Fillon nё shenjёn e njё pedagogjie femёrishte, ndoshta tё pёrfshirё nё lidhjen familiare e shoqёrore tё pёrkatёsisё. Shёmbull i njё harmonie dhe urtёsie qё fitohen me kohё, nё vitin e parё tё studimeve universitare, heshtja ёshtё pasoja e njё farё vёshtirёsie gjuhёsre dhe tё njё vetёdijёsimi tё ri : gjuha italishte, e mёsuar nё vitet e formimit shkollor nё Shqipёri, kёrkon   njё rilindje qё inkurajon njё stinё tё njё inkubacioni tё heshtur. “Muajt e parё nuk hapnja gojё”, kujton nё autobiografinё e saj, duke vёnё nё dukje se si gjёndja e saj e vёshtirё ndahej edhe me shoqe tё shkollёs qё vinin nga “vёnde tё tjera italiane”, e mateshin pёr herё tё parё, si ajo, me njё gjuhё letrare aq tё ndryshme nga ajo e folura nё sferёn shtёpiake dhe e dorёzuar sё folmes sё shifruar tё ndjenjave. Heshtja e detyruar e muajve tё parё gjen shpёrblim nё vajin çlirues tё orёve tё natёs dhe nё njё botё ёndёrrash, tё shёndetёshme qё nxit zgjimin drejt njё jete tё re. Duke pёrshkuar me mendim mbrapa skenarёt qytetarё, rrugёt e gjalla, ngazёllimin e njё tregu, Musineja nuk mungon tё rrёfejё bezdinё e zhurmёs qytetare, mospajtimin me zёrat dhe turmat, kur me trupin e saj tё hajthёm ajo kalon nё majё tё gishtave shqetёsimin.

Pёrsёri heshtjes i dorёzon peshёn e njё trupi qё rifiton “me hapa tё mёdha” prani dhe emocione nё kundrimin e njё refleksi tё ujit tё lumit nё brigjet e Teveres, tё njё varri etrusk, tё njё Koloseu “tё zhytur nё njё heshtje tё thellё”, nё njё mёndje me vizitorёt tё kthyer nё memecё nga mrekullitё e historisё.

Heshtjes sё saj i bёjnё jehonё tё tjera zёra femёrorё, tё vjedhur gjatё njё qёndrimi tё shkurtёr mbi njё stol tё lagjes nomentane : ankimet e dy kamariereve nё drejtim tё zonjave tё rrepta ose lёvdatave nё adresё tё tё vegjёlve tё tyre  nga dy nёna tё reja : llafe , shkruan Musineja, tё mbrujtura simbas shkallёs sё kulturёs ose tё gjёndjes shoqёrore, zёra qё ndjellin gёnjeshtra tё pa tё keq, por tё cilave “ёshtё mёkat tё mos i besosh”, sepse mishёrojnё jehona tё dёgjuara historish femёrore qё ushqehen me skenarё tё thjeshtё vetiakё tё njё sfere shtёpiake nё tё cilёn jeta rrjedh nё shenjёn e harmonisё gjinore, qё mё sё shumti ndёrpritet me dёgjimin e burrave.

Heshtje dhe cilёsi dёgjimi ushqejnё edhe udhёtimet e kthimit tё Musinesё nё Shqipёri : vera tё kaluara me shoqen e shkollёs, gjithmonё gazmore, nё kundёrshtim me natyrёn e saj tё heshtur ; çaste soditёse pёrballё njё peisazhi detar, ditё tё kaluara “vetёm duke dёgjuar”, pёr tё mbledhur rrёfenjat, kёngёt, zakonet popullore tё Gjirokastrёs, vёndi i banimit, tё kumtuara asaj si njё dhuratё nga gra tё rritura, nёna e gjyshe, tё befasuara pёrballё njё interesimi kaq tё pazakontё pёr botёn e tyre.

Njё heshtje melankolike shoqёron Musinenё studente gjatё kthimeve nё Romё, kur vjeshta e zhvesh natyrёn, n’ata çaste vetmie nё tё cilёt mendimi, pёr arsye tё pakuptueshme e tё pashprehёshme i lё rrugё tё lirё njё humori shurdh e tё mbyllur. Duke bёrё levё mbi heshtjen ajo pёrballon detyrёn e ndihmёs nё spital, nё fillim kundrejt njё tё afёrmi tё ri shqiptar, i sёmurё me tuberkuloz e i shtruar nё Romё, qё ditё mbas dite do t’a shohё tё shuhet pa derdhur asnjё pikё loti ; mё pas kundrejt njё nipi tё vogёl, i detyruar tё qёndrojё i shtruar me muaj e tё pёsojё disa ndёrhyrje korigjuese pёr njё ndrydhje tё lindur tё kёrdhokllёs : “ nuk flisnja pothuajse kurrё dhe shoqja mё linte tё qёndroja”. Nё verёn e gjatё romane, kushtuar kurave tё nipit dhe zgjedhjes sё argumentit pёr tezёn e diplomёs, heshtja do tё ishte shoqja e pushimit te mbasditёs nё njё qoshe tё qetё tё Veranos, nёn qiparisёt e heshtur qё i kujtonin fёmijёrinё nё tё cilёn e ndrojtur dhe e heshtur, nё dimrat e ashpёr tё vendit tё saj ajo dёgjonte fishkёllimёn e mprehtё tё majave tё hazdisura tё erёs.

Nё shenjёn e njё heshtjeje tё çorientuar Musineja priti edhe dashurinё e njё djali tё ri, emri i tё cilit nuk do tё zbulohet kurrё ; njё koleg studimesh qё nё fillim fiton respektin e saj, me tё cilin shkon me njё shpirt miqёsor e qё sё fundi kthehet nё njё ndjenjё dashurie e cila i nuk sjell qetёsi por njё luftё tё thellё nё brёndёsinё e saj. Kёshtu, ndёrsa djali ankohet pёr heshtjen e saj tё cilёn e merr pёr njё shenjё mangёsie ndjenjash, Musineja pyet veten nёse njё lidhje shumё e ngushtё do tё rrezikonte tё vinte nё dyshim pasurinё e saj tё patjetёrsueshme, lirinё. Nё fund tё historisё sё ndrydhur e tё brejtur nga gjёra tё vogla tё pёrditёshme, Musineja vjen nё pёrfundimin se nёse dashuria ёshtё e bukur “mё e bukur akoma ёshtё liria e shpirtit, kur ai nuk ёshtё i burgosur nё njё mendim tё vetёm qё thith gjithshka, por qё endet si njё gjё e egёr [….] Njeriu ёshtё lindur pёr tё jetuar vetёm.” (Kokalari, 2017, 185).

Nё stinёt e fundit romane ditёt kalojnё mes zotimesh, pritjesh e mallit pёr t’ardhmen : megjithёse ngjarjet historike t’atyre viteve frymёzojnё njё vёshtrim zhgёnjimi, kthimi nё Shqipёri ёshtё pёr tё njё kthim nё “vendin e brёndshёm”, thirrja e tё cilit i duket Musinesё si i fundmi veprim i detyrueshёm, nё fund tё njё pёrvoje sendёrtuese tё drejtuar nё shenjёn e asaj rreptёsie etike e cila do tё kthejё Muzёn apo Tacitёn e rinisё sё parё nё njё disidente intelektuale tё papajtueshme. Nё katёr vitet qё kalojnё nga kthimi nё atdhe e deri tek arrestimi, gjykimi i shpejtё e dёnimi, zёri i saj dёgjohet i fuqishёm dhe i qartё : do tё jetё Zёri i lirisё, si organi i informacionit tё partisё tё sapolindur socialdemokrate dhe si zё i padisё sё mjerimit tё shoqёrisё fshatare, tё dallimeve politike, tё rreziqeve tё njё populizmi komunist pёr tё cilin ajo shpejt kupton fuqinё shkatёrruese e tё dhunёshme. Do tё jetё zёri qё kёrkon votime demokratike, qё i bёn thirrje pёrfaqёsive diplomatike tё Vendeve perёndimore, qё ndihet nё tё gjithё fuqinё e tij shpёrthyese nga Shteti komunist.

Ёshtё njё zё nё heshtje apo njё zё i heshtjes sё zbuluar qё infekton dhe dёnon nё mёnyrё tё prerё. Cilitdo, qё nё vitet tepёr tё ashpra tё burgimit, mundohet t’i nxjerrё rrёfime, pendime apo tёrheqje Musineja i pёrgjigjet me njё parimёsi qё do t’i kushtojё heshtjen pёr gjithё jetёn.

Si njё shtojzovalle mali, si zana Eko, zonja e vetmisё sё maleve, si tregimi mitik i njё zёri depёrtues, Musineja do tё bёhet e njёjtё me vetminё e tё vetmit tё dashur tё saj : njё popull i munduar dhe i dёnuar nga regjimi i ndyrё me heshtjen politike, me shmangien zanore, me tretjen melankolike. Por nёse ёshtё e vёrtetё se nuk mund tё pёrfytyrohet heshtja pa bashkёthurjen e tё folurit, heshtja e Musinesё meriton sot nё njё formё tё re njё dёmshpёrblim historik. Duhet lёruar fusha semantike, ёshtё e nevojshme tё kthehet nё polifoninё e saj historike dhe poetike.

Mbi shkrimet dhe trashёgiminё etike, politike, antropologjike tё Musine Kokalarit do tё flitet ende shumё. Pёr heshtjen e saj nё kujtimet rinore mbetet njё gjurmё kuptimplotё qё na thёrret nё njё mёnyrё tё re dёgjimi e qё ёshtё e mbyllur nё shenjat e pashlyera tё trupit tё saj tё raskapitur, nё telin e ndryshkur tё dёnimit, edhe mbas vdekjes, nё rrugёn e kryqit tё zgjedhёs, nё njё lidhje qё ysht frikёn pёr kthimin e tё vdekurvet. Mbas dy vitesh lutjesh tё paplotёsuara klinikёs onkologjike tё spitalit tё Tiranёs Musineja u la tё vdiste nga tumori nё gji. Edhe e vdekur vazhdoi tё pёrfaqёsojё njё armike tё rrezikёshme dhe trupi i saj u vu tё heshtё nga njё lidhje e duarve. E zbuloi kёtё nipi i saj, Hektori, qё nё çastin e nxjerrjes sё eshtrave, nё janar 1991, mbasi i kishte nxjerrё ato pёr t’i pastruar nga balta, preku me dorё mbetjet e njё veprimi skajor tё pёrjashtimit, tё kryer ndoshta nga policёt e ngarkuar me kontrollin e pёrditshёm tё Musinesё, ende nё agoni. Varrimi tragjik dhe i thjeshtё i kryer tё nesёrmen e ndёrrimit jetё, duke sfiduar armiqёsinё e regjimit, pёrshkruhet nga njё mik, edhe ai ish i dёnuar politik, si njё veprim i shpёtimit tё vёshtirё tё trupit tё saj, nё tё kundёrt i paracaktuar tё zhdukej, siç bёhej me kufomat e disidentёve tё pushkatuar.

Mbas rivarrimit e duke filluar nga 1993 Musine Kokalari u rehabilitua nga historia shoqёrore e letrare e Shqipёrisё me titullin “Martire e Demokracisё”. Zёri i mungesёs, prania nё mungesё, Musine Kokalari kthehet sot tё flasё si pёrfytyrim i njё heshtjeje tё zbuluar. Dhe tё njё poshtёrimi qё meriton shpёrblim.

Riferime bibliografike

Calvino Italo  Njё mbret nё dёgjim, Nёn diellin e jaguarit, Mondadori Milano 2001 : 49 – 77

Geraci Mauro Heshtja e zbuluar. Shfaqje tё mungesёs nё poezinё popullore nё Siqili.  Meltemi, Romё 2001

Kokalari Musine, Kolla e vdekjes, nё “Shtypi” (La Stampa), 56, 24 korrik 1937

            -, Rreth vatrёs,  Mesagjeritё shqiptare, Tiranё 1944

-, Sa u tunt jeta, Mesagjeritё shqiptare, Tiranё 1944

-, Si lindi Partia socialdemokrate. Artikuj, shkrime, ese dhe kujtime. Nёn kujdesin e P.S. Kokalari, Naim Frashёri, Tiranё 2000

            -, Antologjia e plagёve. Nёn terrorin komunist nёn kujdesin e K.Katit, 2 vёllime, Qendra shqiptare e Rehabilitimit tё traumёs dhe torturёs, Tiranё 2004

            -, Jeta ime universitare. Kujtime tё njё shkrimtareje shqiptare nё Romёn fashiste.(i037 – 1941) Nёn kujdesin e S. Ceglie dhe M. Geraci, Viella, Roma 2017

Laura Faranda, profesore e Antropologjisё kulturore nё Universitetin “Dija”(Sapienza) tё Romёs, gjatё rrugёtimeve tё kёrkimit tё saj studjon antropologjinё e botёs sё lashtё; antropologjia simbolike, me njё vёmёndje tё veçantё ndaj marrёdhёnieve mes  trupit, identitetit tё gjinisё dhe gjuhёs sё emocioneve ; antropologjia e proçeseve mёrguese ; etnopsikiatria dhe psikiatria koloniale ; pakicat etniko – fetare dhe proçeset e ndёrmjetёsimit kulturor ndёrmjet Italisё dhe Tunizisё, nё tё tashmen e nё tё shkuarёn. Ёshtё autore e shumё botimeve. Ndёrmjet titujve mё tё vonё janё : Jo njё mё pak, Ditarё tё shkurtёr pёr njё antropologji tё ndёrmjetёsimit shkollor (2005) ; Udhёtime kthimi. Itinerarё antropologjikё nё Greqinё e lashtё (2009); Zonja e Blidёs. Suzanne Taleb dhe parandjenja e etnopsikiatrisё (2012) ; Jo mё nё jugё tё Lampeduzёs. Italianёt nё Tunizi ndёrmjet sё shkuarёs dhe tё sotmes (2016).

***

*KUMTI I NJЁ “DITE STUDIMESH” NЁ UNIVERSITETIN E ROMЁS

Fakti qё, mё 4 dhjetor 2017, Universiteti “Sapienza” i Romёs i kushtoi ish studentes sё tij tё letёrsisё, Musine Kokalari, njё “ditё studimesh”, mendoj se ёshtё njё ngjarje me rёndёsi nё jetёn kulturore tё shqiptarёve. E veçanta e asaj dite, tё mbushur me kumtesa studjuesish tё njohur nё panoramёn universitare italiane, nё prani tё familjes Kokalari, qёndron nё respektin e thellё dhe nё konsideratёn e lartё qё rrethoi kujtimin e asaj bije fisnike tё Gjirokastrёs dhe njёra nga gratё mё tё kulturuara tё Shqipёrisё sё kohёs, Musine Kokalarit. Ishte nё nderin e universitetit mё tё madh tё Italisё tё kujtonte njё studente shqiptare tё tij me rastin e botimit nё italisht tё kujtimeve tё saj qё lidheshin me atё Vёnd e tё botuara nёn kujdesin e dy profesorёve italianё me titullin “Jeta ime universitare. Kujtime tё njё shkrimtareje shqiptare nё Romёn fashiste (1937 – 1941). Nuk ishte thjesht njё veprim sentimentalizmi gjesti i Universitetit “Sapienza”. Studiuesit e ndryshёm, mes tё cilёve edhe profesor Ardian Ndreca, nёpёrmjet kumtesave tё tyre ndёrtuan pёrfytyresёn e Musine Kokalarit, jo vetёm si njё “studente e shkёlqyer” e njё universiteti italian, por edhe tё asaj si njё poete, shkrimtare e publiciste e shquar qё bёri emёr nё Vendin e saj, jo vetёm me veprat e botuara, por edhe me qёndrimin e saj nё jetёn shoqёrore, kryesisht si njё luftёtare e paepur pёr idealet njerёzore tё mishёruara nё qytetёrimin perёndimor, qё bindjet e saj nuk i vuri asnjёherё nё dyshim, as para diktaturёs mё tё ashpёr komuniste tё Vendit tё saj.

Mendoj se pёr ne ka edhe njё motiv tjetёr tё veçantё pёr tё qёnё tё kёnaqur nga tubimi i katёr dhjetorit nё Romё. Musine Kokalari nuk qe vetёm studentja e nderuar e Sapienzёs, pёr tё cilёn ai universitet mund tё krenohet edhe gati mbas tetёdhjetё vitesh. Ajo qe edhe njёra nga viktimat mё tё shkёlqyera tё regjimit komunist tё bashkёqytetarit tё saj nё Shqipёri. Viktimat e komunizmit, fatkeqёsisht, nё Itali e mё gjёrё nё Evropёn Perёndimore janё si “bijtё e njerkёs”, pёr tё cilёt nuk parapёlqehet tё flitet shumё nga kultura zyrtare. Ngritja nё piedistal e Musine Kokalarit ёshtё jo vetёm vlerёsimi i merituar i figurёs sё njё shqiptareje tё rrallё, por edhe dёnim i qartё dhe i prerё i njё regjimi lirivrasёs, qё ka nё ndёrgjegjen e tij mizore jo vetёm jetёn e gjymtuar tё shkrimtares gjirokastrite, por dhe ato tё njё brezi tё tёrё intelektualёsh atdhetarё, qё pёrbёnin ajkёn e kombit e qё u goditёn pёr vdekje pa mёshirё, duke paragjykuar tmerrёsisht fatet e Shqipёrisё, qё vuajti pёr gjysёm shekulli sundimin e kundёr vlerave nё tё gjithё drejtimet.

Simpoziumi i Romёs mendoj se duhet tё na nxisё pёr tё kryer njё provim ndёrgjegjeje, nё lidhje me punёn tonё nё vitet paskomuniste mbi heqjen e pluhurit tё harresёs mbi vlerat e vёrteta tё kombit ende tё mbuluara, ende tё pёrdhosura nga kultura zyrtare, ende tё panjohura e tё pazbuluara, me pёrjashtime tё rralla tё nismave vetiake e familjare, nisma qё nuk gjejnё pёrkrahjen e duhur nё kontekstin e pёrgjithshёm tё veprimtarisё kulturore shtetёrore. Pa u zgjatur shumё nё kёtё argument, do t’a pёrfundoj pёrsiatjen time tё thjeshtё me njё pyetje qё i drejtohet  jo njё personi tё vetёm, cilido qoftё roli dhe pozita e tij, por njё tёrёsie njerёzish tё fushave tё ndryshme tё jetёs shqiptare, qё nga ajo studimore e kulturore deri tek ajo politike : a nuk do tё kishte qёnё nё nderin e kёsaj shoqёrie, tё kёtij shteti e tё institucioneve tё tij, qё njё fakulteti letёrsie tё njё universiteti shqiptar t’i vihej emri i nderuar i Musine Kokalarit ? Mendoj se ai emёr do t’i jepte hir atij institucioni, do t’a stoliste me vlerёn e pёrjetёsisё qё bart nё vetvete.

Sa pёr kumtesёn e profesoreshёs Laura Faranda, tё cilёn u mundova t’a pёrkthej me shumё kёnaqёsi, mendoj se ёshtё njё ndihmesё e vlefshme nё portretizimin e shkrimtares e publicistes sonё, “Muzёs shqiptare tё rikthyer nё tё tashmen”,mbasi e trajton atё nga njё kёnd vёshtrimi mjaft origjinal e tё pazakontё, duke vёnё nё dukje vlerat e veprave tё saj, por edhe tё heshtjeve qё kanё shoqёruar karakterin dhe jetёn e saj.

“Mos besoni se heshtja ёshtё urtia e tё marrёve : ajo ёshtё me kohё e vend nderi i t’urtёve, qё nuk kanё dobёsinё por virtutin tё heshtin”.

Kёshtu shprehej rreth katёqind vite mё parё Thomas Browne, njё mjek e filozof i njohur anglez. Besoj se kjo perlё e gjykimit njerёzor i shkon pёr shtat edhe Musinesё sonё, nё interpretimin qё bёn profesoresha Faranda nё kumtesёn e saj tё vyer.

Janar 2018                                                                             Eugjen Merlika

Filed Under: Featured Tagged With: DHE HESHTJA, E ZBULUAR, Eugjen Merlika, Laura faranda, Musine Kokalari

“Bijtë e Shqipes”përkujtuan dy Bijat e Kombit:Sabiha Kasimati & Musine Kokalari

November 6, 2017 by dgreca

“Bijtë e Shqipes” në Philadelphia përkujtuan e nderuan Sabiha Kasimatin e Musine Kokalarin me rastin e përvjetorëve të tyre të lindjes/
1 sadik salle
Nga Sadik ELSHANI/
1 sabiha Musine
                    Ndër veprimtaritë e shumta që organizon shoqata “Bijtë e Shqies” në Philadelphia, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato përkujtimore, në të cilat përkujtohen e nderohen figura të ndritura të historisë, artit, shkencës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Një veprimtari e tillë u zhvillua në fund të tetorit (28 Tetor 2017), në mjediset e shoqatës, ku u përkujtuan dhe u nderuan dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme: Sabiha Kasimati (1912 – 1951), me rastin e 105 vjetorit të lindjes dhe Musine Kokalari (1917 – 1983), me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Për të përcjellur këtë veprimtari ishin mbledhur me dhjetëra bashkatdhetarë. Në tavolinën kryesore ishin vendosur portretet e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit dhe në mes tyre një vazo me lule. Veprimtarinë e hapi zoti Tajar Domi, kryetar i shoqatës, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe bëri një pasqyrë të shkurtër për punën dhe veprimtaritë e shoqatës, duke theksuar rëndësinë, porosinë dhe vlerat e kësaj veprimtarie. Pastaj ai ia dha fjalen z. Sadik Elshani, i cili e mbajti materialin kryesor të kësaj veprimtarie titulluar: “Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme”.
1 Sadik Elshani
Qysh në fillim ai vuri në dukje shumë gjëra të përbashkëta që kishin në mes tyre këto dy gra të jashtëzakonshme, dy intelektuale të rralla, dy gra të guximshme: “Të dyja kishin lindur jashtë Shqipërisë, në Turqi, ishin të bukura, intelegjente, të zonjat, të parat shqiptare në limitë e tyre përkatëse, të dyja patën njohje me Enver Hoxhën dhe të dyja patën një jetë tragjike. Kur mendoj për jetën e tyre në mend më vijnë vargjet e Mjedës te vjersha “Bilbili”: “Vetë bukuria, o i shkreti/Kenka për ty nji kob””. Në vazhdim ai pastaj foli veç e veç për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, duke paraqitur disa të dhëna jetëshkrimore dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për rëndësinë e këtyre dy figurave të rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë kombëtare.
1 Bijte e shqipes
Sabiha Kasimati ishte gruaja e parë që e kishte mbaruar shkollën e lartë franceze në Korçë. Në vitin 1936 fitoi një bursë për të studiuar jashtë vendit dhe ishte përcaktuar për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Në vitin 1941 përfundoi studimet, ku me sukses mbrojti edhe doktoraturën. Edhe pse kishte oferta per te punuar jashtë, ajo u kthye në Shqipëri.
 Pas ardhjes së komunistëve në pushtet më 1945, ajo filloi një bashkëpunim me biologun, profesor Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. Këtu iu dha rasti që t’i fillonte hulumtimet ihtiologjike, duke i dhënë asaj një vend brenda Institutit në kuadër të Seksionit të Botanikës.
Më 19 shkurt të vitit 1951 ndodhi një shpërthim bombe në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Autoritetet shqiptare të asaj kohe, pa kurrëfarë fakte, si fajtorë i konsideruan një grup prej 22 intelektualëve, përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Këta u pushkatuan pa gjyq në natën e 26/27 shkurtit 1951. Jeta e Sabihasë u shua në mënyrën më barbare në kulmin e pjekurisë së saj shkencore e intelektuale, duke lënë një zbrazëti në jetën arsimore e shkencore të Shqipërisë, pikërisht kur Shqipëria kishte nevojë për njerëz të kalibrit të Sabiha Kasimatit e shumë të tjerëve. Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës e faunës së Shqipërisë, u botua në vitin 1955, por nën emrin e shkencëtarit sovjetik, Anatolij Poljakov, si dhe dy studiusve shqiptarë.
Sabiha Kasimati ishte e para femër shqiptare që mori doktoraturën, e para shkencëtare shqiptare. Ishte një grua e jashtëzakonshme, një intelektuale e rrallë që me tërë përkushtimin e saj iu përvesh punës për zhvillimin e shkencës shqiptare, ndërtimin e institucioneve të larta shkencore. Ajo jo vetëm që ishte një shkencëtare e një kalibri të lartë, por ishte edhe një intelektuale e angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare, e shqetësuar për fatin e kombit, vendit të saj. Ajo u indinjua pa masë kur regjimi komunist kishte filluar të eliminonte elitën kombëtare. Meqënëse e kishte shok shkolle Enver Hoxhën, ajo kërkoi një takim me të dhe me guxim e kishte ballafaquar diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucëtarët?!” Kuptohet, ky ballafaqim e kishte zemëruar shumë Enver Hoxhen dhe ky ballafaqim njëherësh kishte qenë edhe nënshkrimi i dënimit të saj me vdekje.
Edhe në hetuesi Sabihaja mbajti qëndrim burrëror dhe nuk u përkul para xhelatëve të kombit. Me hetuesinë e shkurtër të Sabihasë u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, të cilit ajo me kurajon karakteristike të saj, ndër të tjera ia tha këto fjalë që tingëllojnë edhe profetike: “Ju jeni kriminelë dhe tiranë, që kërkoni të nënshtroni shqiptarët me terror, por do të vijë dita që këto mizori do t’i paguani.” Dhe këto fjalë të Sabihasë tani i ka dëshmuar edhe vetë historia.
Shkencëtari i vërtetë është edhe trim, i guximshëm dhe nuk pranon asgjë përveç të vërtetës. E tillë ishte Sabiha Kasimati, ajo nuk mund të qëndronte indiferente para një katastrofe njerëzore që ishte duke e kapluar Shqipërinë.
Në vazhdim të kësaj veprimtari Zoti Elshani foli edhe për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, duke theksuar se ajo ishte e para shkrimtare femër në Shqipëri, intelektuale, disidente dhe e para femër shqiptare që formoi një parti politike, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë. Studimet për letërsi i përfundoi në Rome në vitin 1941 me një studim për Naim Frashërin. Ka botuar tri permbledhje me tregime: “Siç më thotë nënua plakë” (Tiranë, 1941), “… sa u tunt jeta” (Tiranë, 1944), “Rreth vatrës” (Tiranë, 1941). Gjatë studimeve ka mbajtur edhe një ditar, i cili do të botohet së shpejti. Ndërsa ka lënë një dorëshkrim për jetën e vet: “Mbi jetën time”. Brenda një kohe të shkurtër Musineja u afirmua si një shkrimtare serioze, me brumë, si një mjeshtre e tregimit dhe sipas Lasgush Poradecit, ajo kishte sjellur diçka origjinale, nje stil të ri në letërsi dhe ishte një talent i pamohueshëm. Veprimtarinë e saj letrare e politike Musineja e filloi në një periudhë të turbullt, të trazuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty nga fundi i luftës komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit e saj pa gjyq  dhe për këtë ajo ishte e mllefosur, e indinjuar dhe kërkonte drejtësi e shpagim. Për këtë shkak dhe për shkakun se ajo më 1944 ishte themeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare dhe organit të saj, “Zëri i lirisë”, ajo u arrestua më 17 janar 1946. U dënua me 20 vjet burg dhe për 18 vite qe burgosur në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua më 1964 dhe menjëherë u internua në Rrëshen, ku u caktua të punojë si fshesare. Aty edhe vdiq nga kanceri në vitin 1983. Dikur e dënuar si armike e popullit, ajo sot është shpallur Qytetare Nderi e Qytetit të Gjirokastrës, nga Presidenti i Shqipërisë është shpallur Martire e Demokracisë, ndërsa një shkollë fillore në Tiranë e mban emrin e saj.
Në gjyq Mysineja mbajti një qëndrim dinjitoz, të përjetësuar me atë foton me velin e zi në kokë, vel që nuk do t’i hiqej kurrë gjatë tërë jetës së saj tragjike. Është ai qëndrim i grave burrnesha shqiptare: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mun të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen” – ajo deklaroi në gjyq.
“Çfarë tmerri, çfarë trishtimi, çfarë zhgënjimi, kur një intelektuale si Musine Kokalari përfundon fshesare në Rrëshën?!” – u shpreh z. Elshani dhe vazhdoi: “Shpesh mendoj sesi Musineja ka mundur t’i përballojë këto tmerre, një grua që tërë jetën kishte studiuar, kishte punuar për të arrirur diçka, një grua me plot ëndrra, shumë plane për te ardhmen, për zhvillimin e kulturës në Shqipëri, emancipimin e vendit. Por ja që fatin e saj e kishin në dorë injorantët, të padijshmit, cinikët, kriminelët. Si ka mundur të qëndrojë Musineja pa u çmendur?! Siç duket ajo kishte krijuar disa mekanizma mbrojtës, duke jetuar fizikisht në një botë të tmerrshme dhe shpirtërisht në një botë tjetër, në botën e saj, ku ndihej e qetë.”
Zoti Elshani e përfundoi paraqitjen e tij duke bërë një vlerësim të lartë për këto dy gra të jashtëzakonshme, shembëlltyrë e intelektualit të angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare e vlera të larta njerëzore: “Janë përmendore, simbole të qëndresës, fisnikërisë, trimërisë shqiptare. Janë mishërim i fjalës “burrneshë”, që populli ynë e ka krijuar për gra të tilla… Ato e meritojnë nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetëm për të arriturat e tyre profesionale, por edhe qëndresën, guximin e tyre për t’u përballuar me diktaturën dhe vetë diktatorin. Kur diktatura i kishte gjunjëzuar edhe burrat, intelektualët e shquar të Shqipërisë, ishin pikërisht këto dy gra që e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jetën e tyre… Populli ynë i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shumë të tjerëve. Le të jetë kjo veprimtari e shoqatës sonë një shënjë mirënjohje e respekti për jetën dhe veprën e tyre të ndritur.”
Meqënëse më 2 tetor ishte ndarë nga jeta albanologu i njohur, Robert Elsie (1950 – 2017), organizatorët vendosën që në këtë veprimtari të thuhen disa fjalë edhe për këtë ambasador të kulturës shqiptare. Për jetën dhe veprën e Robert Elsie-t foli gazetari i njohur dhe ish kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Llazar Vero. Figurën e Robert Elsie-t ai e vlerësoi lart, duke e radhitur atë në mesin e albanologëve më të njohur, më punëtorë, më prodhimtarë e më të përkushtuar. Robert Elsie ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për ta bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë. Duke gjurmuar nëpër arkivat e qyteteve të njohura të botës, Robert Elsie ka zbuluar shumë materiale të panjohura për historinë e Shqipërisë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Robert Elsie përktheu mjaft vepra letrare të letërsisë shqiptare, përfshirë këtu edhe “Lahutën e Malcis”, që ishte një punë  mjaft e vështirë. Për punën e tij madhështore në fushen e albanologjisë, Zoti Vero e cilësoi Robert Elsie-n si një institucion, akademi më vete.  Për ta përjetësuar dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Robert Elsie kishte lënë testamentin që të varrosej në Alpet Shqiptare, në Theth. Tani ai është bërë pjesë e përjetshme e botës shqiptare.
Për ta bërë këtë veprimtari sa më cilësore, organizatorët kishin bërë edhe një përzgjedhje me disa video ku flitej për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, si dhe kronikat për veprimtaritë që ishin zhvilluar në Tiranë e Prishtinë me rastin e këtyre përvjetorëve. Jo rastësisht ishte përzgjedhur edhe “Sonata e dritës së hënës” (“Moonlight Sonata”) e Betovenit. Kur më 1931, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Institutit Qiriazi, mësuesja e pianos, Aferdita Osmani, kishte lozur këtë pjesë muzikore, Musineja kishte mbetur e mahnitur, ishte frymëzuar nga kjo pjesë. Shkrimtarja Eglantina Mandia librin për jetën e Musine Kokalarit që është një rrëfim artistik, e ka quajtur “Sonata e hënës”. Kjo pjesë e veprimtarisë u mbyll me këngën “Nuse e panusëruar”, kënduar nga grupi Argjiro dhe i kushtohet Musine Kokalarit me rastin e 100 vjtorit të lindjes së saj. I tillë ishte fati i jetës së Musinesë, ajo kurrë nuk e vuri velin e bardhë të nusërisë, por tërë jetën e mbajti velin e zi  të trishtimit.
Veprimtaria u mbyll me koktejlin tonë tradicional: “Bukë e kripë e zemër”. Gjatë veprimtarisë si dhe gjatë koktejlit bashkatdhetarët këmbenin mendime për jetën, veprën e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit e Robert Elsie, shprehini adhurimin për veprën e tyre dhe shprehnin keqardhje për fatin tragjik të Sabiha Kasimatit e Musine Koikalarit.
Sadik Elshani
Filadelfia, Tetor 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: bijte e shqipes, Musine Kokalari, perkujtim, Sabiha Kasimati, Sadik Elshani

Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje te bukura

October 29, 2017 by dgreca

Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje te bukura, dy mendje te ndritura, dy gra te jashtezakonshme/pastedImage-5

Me rastin e 105 vjetorit te lindjes se Sabiha Kasimatit (15 shtator1912 – 26 shkurt 1951) dhe 100 vjetorit te lindjes se Musine Kokalarit (10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983)/

pastedImage-4

NGA SADIK ELSHANI*/

Nder veprimtarite e rendesishme te shoqates sone jane edhe ato perkujtimore, ne te cilat perkujtojme e nderojme figura te ndritura te historise, artit, kultures, shkences e tradites sone kombetare. Per pese vite me radhe kemi organizuar nje veprimtari te quajtur “Fjalet e gjuhes se zjarrte nder shekuj”, ku kemi perkujtuar te gjitha ato figura qe kishin ditelindje te plote ne vitin perkates. Per figura dhe ngjarje te rendesishme kemi zhvilluar veprimtari te posaçme. Siç jane: 600 Vjetori i lindjes se Skenderbeut, 100 vjetoret e lindjeve te Nene Terezes, Migjenit, Petro Markos e Esad Mekulit, 80 vjetoret e lindjeve te Dritero Agollit e Ismail Kadarese, e shume te tjera.pastedImage-2

Edhe veprimtaria e sontme eshte diçka e veçante, nderojme dy gra te jashtezakonshme, dy intelektuale te rralla, dy gra te guximshme: Sabiha Kasimatin e Musine Kokalarin. Sabiha Kasamati e Musina Kokalari nuk ishin motra binjake te bashkangjitura, por kishin shume gjera te perbashketa ne jeten e tyre: te dyja kishin lindur jashte Shqiperise, ne Turqi, ishin te bukura, intelegjente, te zonjat, te parat shqiptare ne lemite e tyre perkatese, te dyja kishin njohje me Enver Hoxhen dhe te dyja paten nje jete tragjikke. Kur mendoj per jeten e tyre ne mend me vijne vargjet e Mjedes te vjersha “Bilbili”:

“Vete bukuria, o i shkreti/Kenka per ty nji kob”.

Tani t’I themi disa vjale veç e veç per secilen prej tyre.

Sabiha Kasimati

Sabiha Kasimati lindi me 15 shtator te vitit 1912 ne Ederne (Adrianapoje) te Turqise, ku babai i saj, atdhetari Abdurrahman Kasimati (1865 – 1943), nga Libohova, kishte kohe qe punonte ne ate qytet. Ne vitin 1927 familja e saj u kthye ne Shqiperi dhe fillimisht u vendosen ne Korçe e pastaj ne Elbasan. Ne Shqiperi ka studiuar ne shkollen e larte franceze te Korçes, nga e cila u diplomua ne vitin 1930 si gruaja e pare qe e kishte kryer kete shkolle. Gjate shkollimit te saj te mesem shok klase e kishte Enver Hoxhen. Pas diplomimit ajo punoi si mesuese ne shkollen femerore te Korçes, ku dha lendet e gjuhes frenge dhe edukates morale. Me pas kaloi ne shkollen shqiptaro – amerikane ne Kavaje, ku perveç lendeve te gjuhes frenge dhe edukates morale dha edhe biologji. Ketu iu shtua pasioni per shkencen e biologjise.

Ne vitin 1936 fitoi nje burse per studime jashte vendit dhe ishte percaktuar per te studiuar ne Fakultetin e Shkencave Bilogjike ne Universitetin e Torinos. Ne veren e vitit 1941 perfundoi me sukses studimet ne Torino, ku me sukses mbrojti doktoraturen. Universiteti i ofroi asaj poziten e asistentit, sepse ajo kishte qene nje studente e shkelqyer. Ajo nuk pranoi dhe u kthye ne Shqiperi. Pas kthimit ne Shqiperi punoi ne Tirane ne Istitutin Pedagogjik Femeror ”Nena Mbretereshe”, ku nje nga nxeneset e saj ishte Nexhmije Hoxha. Pas ardhjes se komunisteve ne pushtet ne vitin 1945, ajo filloi nje bashkepunim me biologun, profesor Selaudin Toto, me qellim te organizimit te Institutit te Shkencave ne Tirane. Ketu iu dha rasti qe t’i fillonte hulumtimet ihtiologjike, duke i dhene asaj nje vend brenda Institutit ne kuader te Seksionit te Botanikes.

Me 19 shkurt te vitit 1951 ndodhi nje shperthim ne Ambasaden e Bashkimit Sovjetik ne Tirane. Nga ky sulm nuk kishte asnje te plagosur, por autoritetet shqiptare te asaj kohe si fajtore i kosideruan nje grup prej 22 intelektualeve te rinj qe punonin asokohe ne Tirane, perfshire ketu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavaresisht nga mungesa e çdo prove te fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi me 20 shkurt 1951. Me 25 shkurt 1951 gjykata (pa gjyq) i denoi qe te gjithe me vdekje. Denimi u ekzekutua naten e 26/27 shkurtit 1951 ne afersi te fshatit Menik, disa kilometra ne perendim te Tiranes. Trupat u varrosen ne nje varr te ceket ne fushe.Vepra e saj shkencore, punimet ne fushen e flores dhe faunes se Shqiperise, u botua ne vitin 1955, por nen emrin e shkencetarit sovjetik, Anatolij Poljakov, si dhe dy studiusve shqiptare, Ndoc Filipi e Ndoc Raka. Ne vitin 2011, me rasti e 60 vjetorit te vrasjes se saj, Presidenti i Republikes se Shqiperise, Bamir Topi, e nderoi me medaljen, Nderi i Kombit.Sabiha Kasimati ishte e para femer shqiptare qe mori doktoraturen, e para shkencetare shqiptare. Ishte nje grua e jashtezakonshme, nje intelektuale e rralle. Ajo me tere perkushtimin e saj iu pervesh punes per zhvillimin e shkences shqiptare, ndertimin e institucioneve te larta shkencore. Ajo jo vetem qe ishte nje shkencetare e nje kalibri te larte, por ishte edhe nje intelektuale e angazhuar me ndergjegje te larte kombetare, e shqetesuar per fatin e kombit, vendit te saj. Qysh heret e verejti se gjerat nuk ishin duke shkuar mire ne Shqiperi, regjimi komunist kishte filluar me eliminimin e elites kombetare. Pushkatimi i Selaudin Totos, drejtorit te Institutit te Shkencave, beri qe ajo te ndryshoje teresisht kunder regjimit komunist. Ajo e njihte mire “Udheheqesin e lavdishem”, ia njihte te metat e tij, nivelin e tij te ulet intelektual. Prandaj, nuk duronte te mos i shprehte mendimet e saj per nje injorant, manipulues, student i deshtuar, qe ishte Enver Hoxha. Gjera te tilla shkencetari i vertet nuk mund t’i duroje, ajo nuk mund te qendronte indifferente para nje katastrofe qe ishte duke e kapluar Shqiperine. Shkencetari i vertete eshte edhe trim, i guximshem dhe nuk pranon asgje perveç te vertetes. E tille ishte Sabiha Kasimati. Meqenese e kishte shok shkolle Enver Hoxhen, ajo kerkoi nje takim me te. Me guxim e kishte ballafaquar diktatorin: “Kam ardhur te te them se ti po vret gjithe intelektualet. Dua te te pyes se me cilet ke ndermend ta ndertosh Shqiperine, me teneqexhinjte apo me kepucetaret?!” Ndersa Enver Hoxha iu ishte pergjigjur: “Boll lexove iluministet franceze, te keshilloj te lexosh Marksin e Leninin.” Kuptohet, ky ballafaqim e kishte zemeruar shume Enver Hoxhen. Naku Spiru, te cilin Sabiha e kishte shok, pas dy ditesh e kishte ftuar per kafe e bisede dhe e kishte keshilluar qe ta mbyllte gojen. Ky ballafaqim me Enver Hoxhen kishte qene edhe nenshkrimi i denimit te saj me vdekje. Ne listen e te denuarve me rastin e bombes ne ambasaden sovjetike, emri i Sabiha Kasimatit dhe disa te tjereve nuk figuronte. Emrin e Sabihase, Reiz Selfos, Manush Peshkepise, Qemal Kasaruhos, i kishte shtuar vete Enver Hoxha, sepse te gjithe keta ishin nga Gjirokastra dhe e njihnin mire diktatorin.

Edhe ne hetuesi Sabihaja mbajti qendrim burreror dhe nuk e uli nivelin e dinjitetit te saj. Me hetuesine e shkurter te Sabihase u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe minister i Puneve te Brendshme, te cilit ajo me kurajon karakteristike te saj i tha keto fjale qe tingellojne edhe profetike:

“Kam qene kunder ketij pushteti, sepse ai nuk pajtohej me ideologjine e botekuptimin tim evolucionist. Une nuk kam qene kurre e mendimit qe me nje akt revolucionar te arrihej ne socializem apo demokraci. Une vete nuk kam kryer ndonje atentat as kam marre pjese ne ndonje mbledhje, ku eshte marre vendim per akt terrorist. Ju jeni kriminele dhe tirane, qe kerkoni te nenshtroni shqiptaret me terror, por do te vije nje dite qe keto mizori do t’i paguani.” Dhe keto fjale te Sabihase tani i ka deshmuar edhe historia.

Jeta e Sabihase u shua ne menyren me barbare ne kulmin e pjekurise se saj shkencore e intelektuale, duke lene nje zbraztesi ne jeten shkencore e arsimore te Shqiperise, pikerisht kur Shqioeria kishte shume nevoje per njerez te kalibrit te Sabiha Kasimatit e shume te tjereve.pastedImage-3

Musine Kokalari

Ne kuadrin e veprimtarise se shoqates sone “Fjalet e gjuhes se zjarrte nder shekuj” eshte perkujtuar edhe Musine Kokalari me rastin e 90 vjetorit te lindjes se saj. Musine Kokalari ishte e para shkrimtare femer ne Shqiperi, intelektuale, disidente dhe e para femer shqiptare qe themeloi nje parti politike: Partine Socialdemokrate Shqiptare. Ajo lindi me 10 shkurt 1917 ne Adana, ne Turqine Jugore, ne nje familje atdhetare me prejardhje nga Gjirokastra. Se bashku me familjen u kthye ne Shqiperi ne vitin 1920. Fillimisht u vendosen ne Gjirokaster, ku Musineja kreu shkollen fillore. Ndersa pas nente vitesh familja Kokalari do te vendosej ne Tirane. Qysh ne femijeri ishte ne shoqeri me librat, sepse vellau i saj, Vejsimi, e kishte nje librari ne Tirane ne mesin e viteve te tridhjeta. Ne vitin 1937 ajo mbaroi shkollen e mesme “Nena Mbretereshe”. Ne janar te vitit 1938 vajti ne Rome per te studiuar letersi ne Universitetin “La Sapienza”. Studimet i perfundoi ne vitin 1941 me nje studim per Naim Frasherin. Qyteti i Romes me trashegimin shumeshekullore historike e kulturore i ofroi asaj nje bote magjepse, i hapi nje dritare per t’u takuar me nje bote te qyteteruar, me nje nivel te larte intelektual, i hapi asaj horizonte te reja per filozofine e jetes, frymezime per jeten, per letersine. Tani synimi i saj ishte qe kur te kthehej ne Shqiperi te behej shkrimtare, ta ndante pervojen e saj jetesore me te tjeret, te ndihmonte ne emancipin e gruas dhe te vendit. “Une u formova me bindjen e thelle kulturore humaniste qe e larteson njerine si individ si ne marredhenie me te tjetret ne shoqeri e ne pune” – shkruan Musineja per pikepamjet, botekuptimet e veta.

Ne vitin 1941 botoi permbledhjen e pare 80 faqeshe me dhjete rrefime rinore ne proze te shkruara ne dialektin e Gjirokastres: “Siç me thote nenua plake”. Jane keto rrefime te frymezuara nga folklori dhe nga mundimet e perditshme te grave te Gjirokastres. Tri vite me vone, me 1944 botoi nje permbledhje te vellimshme me skica e tregime me titull: “…sa u tunt jeta”. Po ne te njejtin vit botoi edhe permbledhjen e trete me tregime me fryme popullore: “Rreth vatres”. Tani Musineja ishte afirmuar si nje shkrimtare serioze, me brume, si nje mjeshtre e tregimit, qe sipas Lasgush Poradecit, ajo kishte sjellur dicka origjinale, nje stilt e ri ne letersi dhe ishte nje talent i pamohueshem. Ja çka shkruan vete Musineja per krijimtarine e vet: “Krijimtaria ime e shkurter, pjeserisht e botuar, pjeserisht e humbur, mbeshtet mbi tabanin kombetar te shtratit etnik dhe ne realitetin objektiv te kushteve te veçantate te zhvillimit te diferencuar…”.  Edhe pse eshte kryesisht e njohur si tregimtare, ajo ka shkruar edhe disa poezi te fuqishme lirike, moderne e plot ndjenja rinore. Gjate studimeve ka mbajtur edhe nje ditar, i cili se shpejti do te botohet. Ka lene edhe nje doreshkrim per jeten e saj te titulluar: “Mbi jeten time”.

Aty nga fundi i Luftes se Dyte Boterore Musineja hapi nje library. Ishte antifashiste dhe u ftua te behej anetare e Lidhjes se Shkrimtareve, te themeluar me 7 nentor, nen kryesine e Sejfullah Maleshoves. Ajo ishte e mllefosur, e indinjuar dhe kerkonte drejtesi per dy vellezerit e saj te pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist. Per kete shkak dhe per shkakun se ajo me 1944 ishte themeluese e Parties Socialdemokrate Shqiptare dhe organit te saj, “Zeri i lirise”, ajo u arrestua me 17 janar 1946. U denua me 20 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranes. Per 18 vite qe burgosur ne burgun famekeq te Burrelit, e veçuar ne vezhgim te vazhdueshem dhe e ngacmuar nga zyrtaret injorante. U lirua me 1964 dhe u internua ne Rreshen, ku u caktua te punoje si fshesare. Aty edhe vdiq nga kanceri ne vitin 1983. Dikur e denuar si armike e popullit, ajo sot eshte shpallur Qytetare Nderi e qytetit te Gjirokastres, nga Presidenti i Shqiperise eshte shpallur Martie e Demokracise, ndersa nje shkolle fillore ne Tirane mban emrin e saj.

Ne gjyq Musineja mbajti nje qendrim dinjitoz, te perjetesuar me ate foton me velin e zi mbi koke, vele qe nuk do t’i hiqej kurre gjate tere jetes se saj tragjike. Eshte ai qendrim i grave burreresha shqiptare. Ajo deklaroi ne gjyq:

“Mbas Mbledhjes se Mukjes, kam marre pjese ne Ballin Kombetar si socialdemokrate dhe kam qene pergjegjese e gazetes “Zeri i lirise”, ne te cilen kam botuar artikuj ku flitet per çeshtjen e Kosoves ne baze te Kartes se Atlantikut… Kriteri per lufte ishte jo per qellimin e perfitimit te disa klikave, por per demokratizimin e vendit…” Dua te theksoj se vellau i saj, Hamiti, e ka shkruar librin “Kosova djepi i shqiptarizmit”.

Po ashtu, ne gjyq ajo deklaronte:“Une s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund te quhet faj. Ju fituat ne zgjedhje, por ne burg nuk duhet te jem… Une jam nxenese e Sami Frasherit. Me mua ju doni te denoni Rilindjen”.

Siç u permend me lart, Musineja la nje doreshkrim per jeten e saj dhe ne nje paragraf e ka  permbledhur jeten e saj:“Njoha kulturen demokratike, njoha tragjedine e permbytjeve te medha revolucionare. Njoha nje gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me perplasje andej-kendej. Njoha punen e punetorit me norme individuale, njoha punen e krahut me norme kolektive ne bujqesi e ndertim. Njoha vetmine e vetekerkuar, shoqerine e rastit ne burg dhe gjithe ndryshimet qe pasojne nga ky termet i panderprere per te konsoliduar diktaturen e proletariatit. Nganjehere them me vete se nuk fitova gje qe mbeta gjalle. Kam 38 vjet qe nuk di ç’domethene familje. Ndoshta do te ishte mire te kisha mbyllur syte njehere e pergjithmone. Keshtu merrnin fund edhe vuajtjet me gjithe gjendjen tragjike.”

Cfare tmerri eshte ky kur dikush shpetimin e kerkon te vdekja! E tille ishte jeta tragjike e Musine Kokalarit. Dhe shpesh mendoj sesi Musineja ka mund t’i perballoje keto tmerre, nje grua qe tere jeten studion, punon per te arritur diçka, nje grua me plot endrra, shume plane per te ardhmen, per zhvillimin e kultures ne Shqiperi, emancipimin e vendit. Por ja qe fatin e saj e kishin ne dore injorantet, te padijshmit, ciniket, kriminelet. Si ka mund te qendroje Musineja pa u çmendur?! Siç duket ajo kishte krijuar disa mekanizma mbrojtes, duke jetuar fizikisht ne nje bote dhe shpirterisht ne nje bote tjeter, ne boten e saj te imagjinuar ku ndihej e qete, e patrazuar.

“Ne oden time te vogel, balle meje kam vene fotografine e iluministit te shquar Sami, te poetit Naim, te patriotit Sotir Kolea, punonjesit te gjuhes shqipe dhe levizjes kombetare Jani Vreto, te arsimtarit Koto Hoxhi, mendimtarit Naum Veqilharxhi, te nderuarit De Rada dhe te urtit Aleksander Xhuvani. Ne vetmine time nuk jam vetem” – shkruan Musineja ne doreshkrimin per jeten e saj. Kjo ishte shoqeria dhe ngushellimi i Musine Kokalarit, per t’i ikur atij realiteti te tmerrshem qe po ia shkaterronte jeten.  Musineja ishte e vdekur per se gjalli.

Sabiha Kasimati e Musine Kokalari ishin dy intelektuale te rralla, dy gra te jashtezakonshme, shembelltyre e intelektualit te angazhuar me ndergjegje te larte kombetare e vlera njerezore. Ishin dy yje qe u shuan pa arritur shkelqimin e tyre te plote. Jane permendore te qendreses, fisnikerise, trimerise shqiptare. Jane misherim i fjales “burrneshe” qe ka krijuar populli yne per gra te tilla. Me punen e tyre, me vepren e tyre, ato thyen pengesat (barrierat), paragjykimet me te cilat po ballafaqohej shoqeria e atehershme shqiptare. Ato te dyja paten oferta per te punuar jashte, por ato u kthyen ne Shqiperi per te dhene ndihmesen e tyre per zhvillimin e shoqerise, artit, kultures, shkences shqiptare, zhvillimit te gjithembarshem te Shqiperise dhe per t’u bere shembull edhe per shume vajza te reja shqiptare, sepse siç ka thene profesor Aleksander Xhuvani: “Emancipimi dhe edukimi i gruas shqiptare asht themeli i edukates shoqnore, themeli i perparimit tone si shtet dhe si komb.”

Ato meritojne nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetem per te arriturat e tyre profesionale, por edhe per qendresen, guximin e tyre per t’u perballuar me diktaturen dhe vete diktatorin. Kur diktatura kishte gjunjezuar edhe burrat, intelektualet e shquar te Shqiperise, ishin pikerisht keto dy gra qe e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jeten e tyre. Regjimi, pushteti qe eliminon eliten kombetare, qe denon personalitete si Sabiha Kasimati e Musine Kokalar e shume njerez te tjere te pafajshem, eshte nje regjim çnjerezor, i rrezikshem per ardhmerine e vendit. Regjime te tilla qe intelektualin e bejne fshesar e teneqexhiun e bejne shtetar, nuk gezojne jetegjatesi dhe jane te parapercaktuar te shkaterrohen. Populli yne i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shume te tjereve. Le te jete kjo veprimtari e shoqates sone nje shenje mirenjohje e respekti per jeten dhe vepren e tyre te ndritur.

Gjitmone qofshin te kujtuara e te nderuara!

Sadik Elshani

Philadelphia, 28 tetor 2017

*Shenim: Ky shkrim u paraqit ne veprimtarine qe shoqata “Bijte e shqipes” organizoi me 28 tetor 2017, me rastin e 105 vjetorit te lindjes se Sabiha Kasimatit e 100 vjetorit te lindjes se Musine Kokalarit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Musine Kokalari, PERVJETORET, Sabiha Kasimati, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT