Kosova në Samitin e BERZH në Londër
-Kryeministri Isa Mustafa në Samitin e Investimeve prezanton mundësitë dhe resurset ekonomike të Kosovës. -Kryeministrit Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, pasi është pritur me ceremoni zyrtare në samit, u takua fillimisht me drejtorin e BERZH-it për Danimarkën, Irlandën, Lituaninë dhe Kosovën, Ove Jensen/
Londër, 22 shkurt 2016/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ka prezantuar mundësitë dhe potencialet e Republikës së Kosovës për investitorët e huaj.Kryeministri Mustafa, në këtë samit të rëndësishëm ku ishin të pranishëm edhe kryeministrat e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, ka prezantuar reformat e ndërmarra nga Qeveria në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Në këtë drejtim, kryeministri ka kërkuar përkrahjen e BERZH-it dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare.Punimet e samitit u hapën nga presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili foli gjerësisht për përkrahjen që kjo bankë do të ofrojë për vendet e Ballkanit Perëndimor, për projektet konkrete në infrastrukturë, energji dhe në fusha të tjera.
Ministri i Shtetit për Tregti dhe Investime i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Maude, foli për mundësitë e zhvillimit ekonomik, të tërheqjes së investimeve dhe përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për rajonin në këtë drejtim.Kryeministri Isa Mustafa tha se ky takim ofron një mundësi të veçantë të koordinimit të aktiviteteve për zhvillim ekonomik, për bashkëpunim rajonal dhe për ndërlidhje me institucionet më të rëndësishme financiare.“Ndër aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal gjithsesi mbetet edhe bashkëpunimi ekonomik. Si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova tashmë është angazhuar në projekte të ndryshme rajonale të cilat janë qenësore për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për krijimin e lehtësirave për biznese vendore, në mënyrë që ato të kenë qasje në tregjet rajonale dhe në tregjet e tjera më të gjera. Po ashtu, përmes këtyre projekteve dhe proceseve po përmirësojmë qasjen edhe të investitorëve të huaj në vendin tonë. Në mënyrë që të arrihet kjo, Kosova është angazhuar në dimensione të ndryshme të bashkëpunimit rajonal”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa më tutje përmendi pajtimin që është arritur me qeveritë e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, për agjendën e interkonektivitetit, e cila përbën një kthesë të jashtëzakonshme për infrastrukturën e vendeve të Ballkanit.Kryeministri Mustafa veçoi edhe agjendën e Berlinit për ndërtimin dhe lidhjen e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, që mundëson rritje ekonomike, vende të reja të punës, tërheqje të investimeve të huaja dhe progres të përbashkët në zhvillimin ekonomik.“Kosova ka një popullatë të re, multikulturore dhe multietnike, dhe shumë dinamike. Jemi duke bashkëpunuar edhe në krijimin e shkathtësive të nevojshme për qytetarët tanë, në mënyrë që ata të jenë konkurrues në vendet e rajonit dhe në vendet evropiane”, tha kryeministri Mustafa, duke folur gjerësisht edhe për reformat substanciale të Qeverisë së Kosovës që ndërlidhen me implementimin e prioriteteve strategjike sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.Në lidhje me bashkëpunimin me BERZH-in, kryeministri Mustafa tha se do të punohet në investimet në bujqësi, në mënyrë që të rriten tokat bujqësore dhe prodhimtaria e brendshme primare dhe përpunuese, si dhe në projekte që ndërlidhen me investime që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës dhe me ndërtime tjera.
Gjatë samitit, kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe të pranishmit e shumtë, investitorë dhe ekspertë të ekonomisë, kanë biseduar për mundësitë investuese dhe potencialet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin ekonomik.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në konferencën për medie, me ç’rast u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe aspekte tjera zhvillimore. Pasdite, kryeministri Isa Mustafa, do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti dhe do të takojë personalitete të tjera të rëndësishme.Gjatë vizitës në Londër, kryeministri Mustafa është i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Kryeministri Mustafa: Rugova, politikan e Prijës, një model shembullor i veprimit politik
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në manifestimin përkujtimor me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova/
Prishtinë, 21 janar 2016/
E nderuara familje e Presidentit Ibrahim Rugova,
Të nderuar përfaqësues të të gjitha subjekteve politike që jeni sot së bashku me ne,
Faleminderit shumë për pjesëmarrje,
Të nderuar ambasadorë,
I nderuari ambasador i Shqipërisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe përfaqësues tjerë diplomatik,
I nderuari Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Gjergji,
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë Islame,
Të nderuar deputetë, ministra,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Kryetarë të komunave, veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dhe të gjithë ju që jeni prezent këtu në prezencë shumë të madhe, sepse po i bëni një nderim shumë të madh për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes në amshim, po e kujtojmë me nderimet më të larta Kryetarin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dijetarin e burrështetasin tonë, Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Vdekja e hershme e Presidentit Rugova, në janarin e acartë të vitit 2006, ishte goditja më e rëndë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Ai iku pikërisht në shtegun e fundit të procesit të gjatë e të rëndë për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, sepse, siç thoshte vetë Presidenti Rugova, Kosova de facto ishte e pavarur që nga qershori i vitit 1999.
Dhjetë vite më parë, qytetarët e Kosovës i dhanë në mënyrë madhështore lamtumirën e fundit Presidentit të tyre, për ta pohuar edhe një herë besimin për filozofinë e tij të veçantë politike, besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë politika dhe institucionet e këtij vendi.
Siç ndodh përherë me prijës të mëdhenj, populli i Kosovës, gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, duke i sfiduar temperaturat ekstreme të ulëta, tregoi nderimin dhe dashurinë e pashembullt për Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lumë i pandalshëm në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar të vitit 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike, të cilat po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967, kurse Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, nën mbikëqyrjen e semiologut Roland Barti. Rugova doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1984. Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.
Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne, në të cilat u shqua si me veprën e tij jetësore Vepra e Bogdanit 1675-1685, ashtu edhe me studimet e tjera të shumta, në të cilat ai trajtoi me profesionalizëm dhe ndjeshmëri të rrallë teorike e estetike autorët dhe veprat më me ndikim të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore.
Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë social-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik.
Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.
Sikundër në krijimtarinë dhe studimet letrare, edhe në veprimtarinë e tij si prijës kulturor e politik, Dr. Ibrahim Rugova ishte krejtësisht i veçantë. Nga pozita e kryetarit të ish-Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai e kundërshtoi me vendosmëri dhe me dinjitet të admirueshëm intelektual e kombëtar propagandën e errët të qarqeve intelektuale e zyrtare të Serbisë kundër shqiptarëve, e sidomos kundër elitës intelektuale dhe institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës.
Ngadalë, por bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, shtator 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës më 24 maj 1992.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004. Po ashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës. Së këndejmi, është fare e natyrshme dashuria e pamasë, madje adhurimi që qytetarët e Kosovës kanë shfaqur, e shfaqin sot dhe do ta shfaqin përgjithmonë për njeriun që iu priu në kohërat më të vështira, Ibrahim Rugovën.
Sot, në dhjetëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim, me bindje pohojmë se e ardhmja vetëm sa do ta forcojë këtë lidhje të fuqishme të qytetarëve të Kosovës me idetë, me veprimet kulturore dhe politike, me vizionin e Ibrahim Rugovës për Kosovën dhe të ardhmen e saj euroatlantike.
Presidenti Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës hyn në domenin e ideve të mëdha, jetësimi i të cilave kërkon dije, urtësi dhe sakrifica të jashtëzakonshme.
Ne patëm bekimin e Zotit që në rrethanat më të vështira nëpër të cilat kaluam si vend e si popull, patëm një Prijës si Ibrahim Rugova, një njeri me fjalë të buta, po me qëndrime të forta, një lider që fliste me elipsa, por përçonte mesazhe të sakta e jetëgjata, një intelektual të rrallë që e njihte shkëlqyeshëm traditën e etnisë së tij shqiptare, të cilën, pastaj, e ndërlidhte në mënyrë brilante me dijet e modernitetit, të humanizmit dhe të civilizimit evropian.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës sot, po punon më përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar para më shumë se dhjetë vjetësh Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Qeveria e Kosovës sot e ka në preambulën e veprimit të saj fuqizimin e partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore evropiane.
Institucionet e Kosovës sot, me shumë sfida, po e vazhdojnë me vendosmëri dhe konsistencë rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.
Ne vazhdojmë të jemi besnik të paepur të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur që ta ushtrojmë dhe ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë.
Kosova është në rrugë të mbarë të bëhet shtet i zhvilluar ekonomikisht, vend i dijes dhe prosperitetit, i admiruar dhe i dashur nga qytetarët e saj.
Rugova fliste dhe shkruante me ëndje për potencialet tona zhvillimore, për bukuritë dhe pasuritë natyrore, për të zotët e tokës në vendin e tyre, vlera këto që i japin vulën këtij vendi e i shtojnë dinjitetin këtij populli.
Me duart e tij të shtrira përpara, Rugova nuk mohonte se ne kemi dallime dhe se dallimet janë të natyrshme, por tregonte se ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjera që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.
Rugova peshonte sfidat tona, kultivonte arsyen e çdo veprimi, durimin për përballimet e rënda, vlerësonte rolin e miqve dhe dashamirëve. Këto vlera na nevojiten edhe sot, kur po kalojmë një rrugë jo të lehtë, por të domosdoshme, kur po bëjmë kthesa të mëdha dhe të rënda politike në interes të vendit tonë.
Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo platformë u bë program politik i të gjithë shqiptarëve në Kosovë, u bë busulla jonë drejt integrimeve euroatlantike.
Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe për forcimin e kohezionit të popullit të Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës, duke i vendosur në qendër të diplomacisë së tij kryeqytetet e vendimmarrjes botërore.
Gjithashtu, Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, Flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë”.
Njohës i shkëlqyeshëm i historisë dhe i kulturës shpirtërore e materiale të popullit të tij, Rugova i pohoi kudo me forcë vlerat më ekzemplare të popullit të Kosovës, si: bujaria, mikpritja, nderimi i mikut, harmonia ndërfetare dhe ndëretnike. Me këtë qasje, ai e riktheu përsëri Kosovën në vëmendjen e kryeqendrave të mëdha botërore.
Të gjithë ne sot jemi dëshmitarë të të arriturave kolosale të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Shohim se janë përmbushur shumë nga idealet e Presidentit Rugova, idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Konstatojmë po ashtu se kemi shumë për të bërë për ta integruar Kosovën në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian, për ta rritë ekonominë, për ta përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, për ta forcuar shtetin e së drejtës. Sot Kosova është shtet sovran dhe i pavarur i pranuar nga mbi 110 shtete.
LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje presidentin e saj Historik, Ibrahim Rugova.
Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, po këmbëngulës, që synonte ta edukonte me konceptet e mendimit dhe të humanizmit skenën e ashpër të politikës.
Rugova, krijues e mendimtar, qëndron në zenitin e vlerave të letrave shqipe; Rugova, politikan e Prijës, është një model shembullor i veprimit politik.
Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë familjen e tij!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës dhe Republikën e Kosovës!
Kryeministri-Opozites: Protestoni të qetë dhe në mënyrë paqësore
-Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 69-të/
-Kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore/
Prishtinë, 8 janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti pasdite mbledhjen e 69-të, të dytën brenda ditës së sotme.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore. “Kjo para së gjithash, sepse Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstrojë dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet. Organet shtetërore do të përkujdesen me përgjegjësinë më të madhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta ruajtur jetën e qytetarëve, pronën publike dhe pronën private. Ato do të veprojnë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, që ashtu sikur janë sjell me integritet gjatë tërë kësaj kohe, të punojnë bashkërisht në proceset zhvillimore dhe në forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që zgjidhjet për të gjitha çështjet të bëhen brenda institucioneve legjitime dhe legale përfaqësuese dhe kushtetuese.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë pa asnjë luhatje në realizimin e synimeve zhvillimore, integruese dhe euroatlantike të vendit tonë dhe se këto synime janë në interes të çdo qytetari, janë në interes të Kosovës në tërësi, në interes të stabilitetit në rajon dhe në interes të tanishmes dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke u nisur edhe prej rrethanave të reja të krijuara, theksoi se përkundër hapave të mëdhenj që janë ndërmarrë, siç janë nënshkrimi i MSA-së, përmbushja e të gjitha kritereve për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritja në javët e ardhshme edhe i rekomandimit prej BE-së dhe fokusit maksimal për themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës, institucionet e vendit, siç u shpreh Thaçi, për fat të keq po ballafaqohen me sfida të panevojshme, të papritura dhe fare të paarsyeshme, kërcënime për protesta të dhunshme, që do të cenonin procesin e liberalizimit të vizave, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, do të lëndonin bashkëpunimin e shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Prandaj, është në interes të të gjithëve që të shikojmë drejt një perspektive të përbashkët të agjendës shtetërore dhe në asnjë rrethanë konfrontuese sepse tek e fundit kush e udhëheq vendin vendos, kështu vendosin qytetarët e vendit dhe jo disponimet e tre-katër individëve. Institucionet e vendit janë legjitime, të dala nga zgjedhjet fer, të lira, demokratike, transparente, të pranuara nga të gjithë spektri politik kosovar, edhe prej atyre tre-katër liderëve që po protestojnë, dhe në anën tjetër i kemi institucionet legale të vlerësuara lart edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj edhe siç e tha kryeministri Mustafa, vlerësoj se është në interes të të gjithëve që të kemi një reagim më të balancuar dhe më të arsyeshëm të opozitës. Megjithëse nuk ka arsye për të protestuar, por është si pretekst për marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e tyre, që është pretendim për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Prandaj, vlerësoj se duke u nisur prej këtyre rrethanave, mendoj se do të ishte me rëndësi që ne të vazhdojmë me agjendën tonë, ndërkohë opozita e dhunshme, të themi shumë hapur, është duke i rrezikuar të gjitha të arriturat e Republikës së Kosovës. Por, sido që të jetë, ne kemi besim të plotë në qytetarët e Kosovës që, siç e tha edhe kryeministri, kanë dëshmuar gjithmonë pjekuri të lartë politike, dhe shtetërore dhe orientim perëndimor. Tek e fundit kjo që po ndodhë këto ditë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të konceptit qeverisës të mirë pro-perëndimor dhe të atij anarkist, të mos durimit për t’i pritur zgjedhjet në kohë kushtetuese dhe ligjore. Sido që të jetë, të gjithë janë të vetëdijshëm se zgjedhjet do të mbahen në 2017 lokalet dhe në 2018 të përgjithshmet. Natyrisht se ata që i kanë shërbyer vendit gjithmonë edhe do të jenë të shpërblyer, ata që e kanë dëmtuar, rrënuar por edhe prishur imazhin e vendit tonë do të ndahen jo mirë, përsëri”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës mori vendim për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për Pagesën e shpenzimeve administrative në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në kontestin e ngritur nga kompania “ACP Axos”.
Po ashtu, Qeveria mori vendim për angazhimin e kompanisë ligjore “Patton Boggs” për ndërmarrjen e veprimeve procedurale – përgatitore me karakter urgjent pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në çështjen e ngritur nga kompania “ACP Axos” lidhur me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës./b.j/
Kosovë-2016-ta, vit i ndryshimeve
*President Jahjaga’s 2016 New Year’s Message /
* Ambasadori amerikan Delawie: Do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016/
* Veseli: 2016-ta, qoftë një vit i mirëqenies dhe i mbarësisë /
* Mustafa: 2015-ta me suksese, 2016 vit i punës, shpresës dhe besimit/
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në mesazhin me rastin e Vitit të Ri 2016 shprehet se, ky vit që po e përmbyllim na dëshmoi se kemi shumë punë para nesh, shumë pritje për t’i përmbushur. “Megjithatë, ishte vit që na bashkoi në kërkimin e një Kosove ndryshe”, theksoi ajo.
Ne, vijoi Jahjaga, nuk jemi dorëzuar kurrë, as atëherë kur përndiqeshim, as tash kur lista e prioriteteve sa vjen e rëndohet.
“Nuk kam asnjë dyshim që me gjithë këtë forcë dhe kurajo dhe me dashurinë që të gjithë e ndjejmë thellë në zemrat tona për Kosovën shtetin tonë, viti 2016 do të jetë vit i ndryshimeve. Për një jetë me te mire”, tha presidentja kosovare.
Ne, shtoi ajo, kemi vlera të palëkundura, forcë të hatashme dhe parime të qarta. “Ato do te vazhdojnë të jenë udhërrëyesi ynë në këtë vit të ri”, përfundon Jahjaga me urimin gëzuar Vitin e Ri./b.j/
***
President Jahjaga’s 2016 New Year’s Message
Honourable citizens of the Republic of Kosovo
I wish you a very successful New Year, in good health, wellbeing, in comfort and abundance in your families.
The year we are leaving behind proves that there is still a lot of work ahead of us, lots of expectations to fulfil. However, it was a year which got us all together, in search for a different Kosovo.
We have never given up, not then when we were persecuted, and not now when the list of priorities keeps on getting longer and longer.
I have no doubt that with all this strength and love which we all feel deep in our hearts for Kosovo, for our state, that 2016 will be a year of changes. For a better life.
We have unwavering values, immense strength and clear principles. They will continue to be our guide during the New Year as well.
I wish you pleasant holiday and a Happy New Year.
***
Ambasadori amerikan Delawie: Do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015-B.Jashari/Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në një mesazh të dërguar nga Ambasada në Prishtinë uron Vitin e Ri 2016 duke paralajmëruar realizimin e suksesit të madh.“Do të vazhdoj ta mbështes Kosovën në rrugën e saj si shtet shumetnik, demokratik, me një të ardhme në qendër të Evropës. Së bashku, ne do ta bëjmë suksesin e madh realitet në vitin 2016!”, thekson mesazhi i ambasadorit amerikan në Kosovë, për Vitin e Ri.
***
Veseli: 2016-ta, qoftë një vit i mirëqenies dhe i mbarësisë
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Me rastin e Festës së Vitit të Ri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në prag të ndërrimit të motmoteve, qëndrova në familjen e Fadil Rexhepit në Gadime të Epërme të Lipjanit, veteran i UÇK-së. Olsës së vogël, e cila ishte fëmija i parë i lindur në Kosovë në vitin 2015, i urova ditëlindjen e saj të parë.
Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, të gjithë qytetarëve tanë, grave dhe burrave, fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve, shërbyesve civilë, punëtorëve të sektorit privat dhe sipërmarrësve, arsimtarëve, studentëve, profesorëve universitarë, mjekëve, fermerëve, veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, policëve dhe ushtarëve të Kosovës, qytetarëve me nevojave të veçanta, bashkatdhetarëve tanë kudo në botë, Gëzuar Viti i Ri 2016!
Qoftë një vit i mirëqenies në familjet tuaja dhe i mbarësisë në punë e shoqëri!”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit Veseli.
Mustafa: 2015-ta me suksese, 2016 vit i punës, shpresës dhe besimit
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015-B.Jashari/Republika e Kosovës po e përmbyll edhe një vit me suksese, pavarësisht nga vështirësitë e saj, tha kryeministri Isa Mustafa, në mesazhin me rastin e Vitit të Ri 2016.“Nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, hap i madh i Kosovës në proceset integruese për zhvillimin e vendit”, theksoi fillimisht ai.
Ai theksoi se janë bërë reforma të mëdha, të cilat shtruan rrugën për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe punësim, në vitet në vijim.
“Siguruam pensionet për veteranët e UÇK-së, rritëm ndjeshëm asistencën sociale dhe pensionet për prindërit tanë kontributdhënës, të cilët na sollën këtu ku jemi, me sakrifica të paimagjinueshme. Në vendin tonë vazhdon të dominojë optimizmi, vullneti, dashuria dhe solidariteti për njëri-tjetrin”, u shpreh Mustafa.
Gjatë këtij viti, vijoi ai, u ballafaquam me sfida dhe situata të paparashikuara, ishim dëshmitarë të tensioneve të rënda politike.
“Besoj shumë se është koha e duhur që të gjithë t’i kthemi traditës tonë mbresëlënëse politike të unitetit dhe konsensusit politik, në periudha të rëndësishme për vendin. Gjërat që na bashkojnë janë shumë më shumë sesa ato që na ndajnë”, tha kryeministri kosovar.
“Jemi në prag të liberalizimit të vizave, të avancimit të proceseve tjera integruese euroatlantike, të transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Vendet mike, në krye me SHBA-të, po bëjnë përpjekje maksimale që ta bëjnë Kosovën anëtare të Kombeve të Bashkuara”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai u shpreh besimplotë se Viti i Ri 2016, do të jetë vit i punës, shpresës dhe besimit. “Vit i mirëkuptimit tonë! Është çasti më i duhur që të reflektojmë së bashku dhe që me forcën e vullnetit me të cilën fituam lirinë dhe krijuam shtetin, të angazhohemi që ta bëjmë Republikën e Kosovës anëtare të denjë të familjes së madhe evropiane”, tha kryeministri kosovar, Mustafa.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- …
- 10
- Next Page »