• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA-të, partneri kryesor strategjik i Kosovës

June 30, 2016 by dgreca

-Kryeministr, Isa Mustafa, priti në takim drejtorin e Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Thomas Yazdgerdi, i cili shoqërohej nga ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie/

PRISHTINË, 30 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim drejtorin e Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Thomas Yazdgerdi, i cili shoqërohej nga ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e shumanshëm në Kosovë si dhe për fokusimin e Qeverisë në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, avancimin e proceseve integruese euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.

Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe partneritetit me SHBA-të.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përherë partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Thomas Yazdgerdi, vlerësoi të arriturat në Kosovë duke çmuar punën e institucioneve të Kosovës.

Yazdgerdi, po ashtu, shprehu përkrahjen e mëtejme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha fushat.Gjatë takimi është biseduar edhe për çështje të tjera që lidhen me zhvillimet politike në Kosovë si dhe në rajon.

Filed Under: Komente Tagged With: Mustafa, partneri kryesor, SHBA-të, strategjik i Kosovës

Kosova për vazhdimin e Misionit të EULEX-it

June 10, 2016 by dgreca

Në foto: Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri parë, Hajredin Kuçi dhe zëvendëskryeministri Kujtim Shala në mbledhjen e qeverisë së Kosovës/
-Qeveria kosovare miraton projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë/

-Kryeministri Isa Mustafa: Qeveria vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë/

-Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi:  Mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti/

Nga Behlul Jashari-Gazeta DIELLI/ PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 92-të të rregullt, të 24-tën në vitin 2016, në të cilën ka miratuar projektligjet që ndërlidhen me vazhdimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

 Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa tha se qeveria e Republikës së Kosovës mbetet edhe më tutje e përkushtuar fuqimisht për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si një nga prioritet më të rëndësishme të qeverisjes së saj.

“Qeveria e ka mbështetur dhe do t’i mbështesë me të gjitha mjetet institucionet e drejtësisë, prokurorinë, gjyqet dhe policinë që ta bëjnë punën e tyre në luftën kundër krimit dhe ndjekjen e shkelësve të ligjit, në mënyrë që vlerat vitale të shtetit tonë dhe qytetarëve t’u sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të jetuar dhe për të punuar”, tha ai.

Qeveria, vijoi Mustafa, vlerëson rolin e EULEX-it dhe përkrahjen e madhe dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fuqizimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

“Sot, me rastin e aprovimit të këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Njëkohësisht, vijoi ai, qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqendrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim.

“Ne jemi të vetëdijshëm se për vazhdimin e mandatit të EULEX-it duhet të vendoset në Kuvendin e Republikës së Kosovës jo më larg se më datë 14 qershor të këtij viti. Meqenëse është një afat i shkurt dhe kohë pushimesh, e që deputetët të njihen paraprakisht me përmbajtjen e këtyre projektligjeve, sepse kërkohet një shumicë e cilësuar, ne kemi vendosur që sot t’i procedojmë këto dy projektligje dhe që kurdo që paraqitet nevoja, të plotësojmë çdo kusht të nevojshëm formal”, theksoi kryeministri kosovar.

Ai njoftoi se, ditëve të fundit ka pas diskutime në nivel të institucioneve kosovare, respektivisht presidentit, kryetrarit të Kuvendit, qeverisë, përfshirë institucionet vendore të drejtësisë.

“Ka pasur takime edhe me përfaqësues të BE-së dhe të SHBA-ve, që janë dakorduar që edhe më tutje të vazhdojmë prezencën e misionit të EULEX-it në Kosovë”, theksoi Mustafa.

Kryeministri tha se është i informuar se presidenti i Republikës së Kosovës i ka dërguar letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Mogherini, ku së bashku me falënderimin për kontributin e EULEX-it viteve të fundit në sistemin e drejtësisë, poashtu është kërkuar që ky mision të vazhdojë me prezencën e vet në Kosovë edhe në vitet e ardhshme.

“Qeveria e Kosovës pret që në një të ardhme të afërt të kemi përgjigje pozitive edhe nga BE-ja, në mënyrë që të sigurohet baza ligjore dhe kushtetuese e vazhdimit të misionit të EULEX-it, që mos të ketë moment vakumi në trajtimin e rasteve penale, civile dhe kushtetuese, që janë në kompetencë të EULEX-it, që qytetarëve që janë subjekt i këtyre procedurave të mos iu cenohet e drejta për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, u shpreh Mustafa.

Si qeveri, siguroi ai, mbetemi thellë të përkushtuar që të ndërtojmë një shtet demokratik, të zhvilluar ekonomikisht si pjesë të familjes së vendeve të BE-së, gjithnjë duke thelluar partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e drejtësisë, por edhe në të gjitha fushat tjera dhe jemi të bindur se këtë mund ta bëjmë vetëm së bashku me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një nga aleatët tonë kryesorë në shtetndërtimin e vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.

 Qeveria e Kosovës, më tutje, miratoi Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

 Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar Projektligjin.

“Ashtu sikur e dimë tanimë, mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon me datën 15 qershor të këtij viti, sikurse që është paraparë në letrat e shkëmbimit të Presidentes në atë kohë dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014. Ne jemi të informuar se Presidenti i Republikës ka dërguar letër po ashtu për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe në këtë drejtim Ministria e Drejtësisë qysh në shtator të vitit 2015 ka hartuar një plan strategjik për transferimin e kompetencave”, tha Kuçi.

Ky plan, vijoi zëvendëskryeministri i pare, është ndarë në disa çështje që ka rëndësi të veçantë për institucionet qendrore, por edhe në raport me përfaqësuesit e BE-së. “Deri më tani kemi pasur si rrjedhojë të konkludimit të shumë negociatave të përbashkëta që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it dhe në muajt që kemi kaluar po ashtu kemi pas përfaqësues edhe të BE-së nga Brukseli, respektivisht edhe nga komanda për operacione civile por edhe përfaqësues të tjerë të BE-së që janë në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës, jemi munduar që ta koordinojmë në mënyrën më të mirë dhe ta unifikojmë këtë proces, duke e koordinuar aktivitetin në plotëni me presidentin e Republikës, me kryeministrin, me kryetarin e Kuvendit, po ashtu edhe me përfaqësuesit e gjyqësorit të Kosovës, përfshirë Këshillin Gjyqësor, Prokurorial, kryetarin e Gjykatës Supreme, kryeprokurorin e Shtetit nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë.

Natyrisht, vijoi ai, gjatë procesit të negocimit ne kemi tentuar t’i harmonizojmë qëndrimet dhe kompetencat tona.

“Kemi ardhur në përfundim që mandati i EULEX-it të vazhdojë edhe për së paku dy vite në Republikën e Kosovës, që nënkupton deri në qershor të vitit 2018. Po ashtu, jemi pajtuar së bashku me BE-në që EULEX-i të transferoj një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore të cilat konsiderohen të transferueshme dhe mund të trajtohen me sukses nga institucionet vendore. Në këtë drejtim, po ashtu, kemi propozuar që një numër i rasteve të cilat kanë filluar më herët të mbetën në kompetencë në kuadër të EULEX-it dhe transferi i tyre të jetë në mënyrë diskrecionale nga EULEX-i për një arsyetim dhe llogaridhënie që mund të jetë te institucionet vendore”, tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri i parë theksoi se, pozicioni, po ashtu, i BE-së por i dakorduar edhe me ne është që mandati i tre gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës të vazhdojë dhe në rastin eventual që ndonjëri nga ata të tërhiqet zëvendësimi do të jetë me gjyqtarë vendorë.

“Jemi pajtuar që të ketë vazhdim të mandatit të gjyqtarëve të EULEX-it në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës në panelin e AKP-së dhe në panelet e tjera. Po ashtu, jemi pajtuar që të vazhdohet edhe më tutje në mbështetjen e EULEX-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe funksionalizimin e plotë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës, respektivisht në very”, tha Kuçi.

Kontributi i EULEX-it, vijoi zëvendëskryeministri i parë, do të vazhdojë edhe në shërbime tjera mbështetëse, qoftë ato procedurale, penale, hetimore, mjekësi ligjore, njësitë rajonale policore dhe të tjera.

“Natyrisht përmes shërbimeve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit te disa institucione ku nuk do të ketë kompetencë ekzekutive.  Në këtë drejtim ne kemi ngritur çështje që kanë të bëjnë në veçanti me raste të reja që i quajmë ne dhe ka nevojë që të ketë parasysh secili që të hartohet një plan strategjik i cili do të jetë i koordinuar me misionin e EULEX-it që parasheh afatet kohore dhe mënyrën e transferimit të kompetencave, por edhe hapjen e rasteve të reja. Çështje me rëndësi që është ngritur gjithsesi ka mbetur saktësimi i politikës së mundësisë për marrjen e rasteve të reja, që kjo paraqet një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit tonë deri më tani dhe po ashtu në raport me BE-në. Politikat e tilla të mundësisë së marrjes së rasteve të tilla duhet të definohen qartë edhe në rastin e ligjit, por edhe rrethanat e jashtëzakonshme që i kemi quajtur ne, që parashihen në raport edhe me BE-në. Në këtë drejtim ka mundësi që sipas shkëmbimit të letrave të ketë përjashtim për rastet e reja në këtë proces, në veçanti për panelet me shumicë të cilat do të jenë me kërkesë të arsyetueshme të kryetarit të Gjykatës Supreme dhe me kërkesë të EULEX-it dhe miratim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku në raste të caktuara mund të jenë të panelit të përbërë nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it. Po ashtu, dua të them që transferimi i këtyre lëndëve te institucionet vendore mund të bëhet në cilëndo fazë me një arsyetim të veçantë. Ndërsa duhet të pranojmë faktin se nuk kemi arritur të konkludojmë në tërësi marrëveshjen finale me BE-në sa i përket qëndrimit të rasteve të reja që mund të merren nga prokurorët e EULEX-it pa një pëlqim paraprak nga kryeprokurori i shtetit. Natyrisht se është një mision në interesin tonë por besoj edhe të vetë BE-së të kemi një mision të BE-së edhe për një kohë në Republikën e Kosovës për krijimin e kapaciteteve tona dhe po ashtu të kemi parasysh që t’i ngrisim kapacitetet tona dhe të jenë të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë që duhet. Këto dokumente sot paraqiten për miratim në qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i pare, Kuçi.

Më pas, kryeministri Mustafa tha po ashtu se qeveria do të mbetet gjithmonë e hapur deri në mbledhjen e Kuvendit, që çdo çështje edhe më tutje duhet të harmonizohet ose të plotësohet çdo formalitet ligjor i nevojshëm.

 Kabineti Qeveria, pas shqyrtimit aprovoi edhe plotësim-ndryshimet e Projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të Ligjit në Republikën e Kosovës.

 Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar këtë pikë.

“Natyrisht, në reflektim të letrës së presidentit të Republikës së Kosovës dhe të projektligjit paraprak që miratuam, që besoj se do të miratohet fillimisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pastaj do të reflektoj edhe në këtë projektligj që ndërlidhet me ndryshimet e mundshme për mandatin e  EULEX-it në Kosovë.

Ky projektligj ka për qëllim që t’i përshtat ndryshimet që ndërlidhen me ligjet në vijim, që ka të bëjë me mandatin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në vendin tonë. Ligji për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës natyrisht se do të pësojë ndryshimet e veta, po ashtu edhe ndërlidhet edhe me ligjet e tjera që ka kompetenca misioni i EULEX-it në Kosovë. Në veçanti, Ligji mbi juridiksionin dhe kompetencat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit që ndërlidhet me mandatin për sundimin e ligjit në vendin tonë si dhe Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, tha Kuçi.

Ai vijoi se, në reflektim të letrës, këtu parashihet edhe mundësia e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për dy vitet e ardhshme që mendoj Kuvendi i Kosovës në ligjin paraprak do të reflektoj. “Natyrisht që ky Projektligj, e përmenda edhe më herët pikën që e ka dalluese e të gjitha tjerat takuese, e ka atë që ka të bëjë me rastet e reja. Unë jam i bindur që me propozimin tonë do ta zëmë afatin kohor për miratim në Kuvendin e Kosovës, se data 15 në orën 24:00 do ta zë Kosovën me një vendim për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Në këtë drejtim besoj që edhe Qeveria e Kosovës, edhe Presidenca, po edhe Kuvendi i Kosovës, do të kryejmë detyrat tona në mënyrë që me datën 16 misioni i EULEX-it të ketë bazën legale për funksionim në vendin tone”, përfundoi Kuçi.

 Kryeministri Mustafa, tha se sipas procedurës, Kuvendi njëherë duhet të aprovojë Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare, i cili pastaj krijon bazë që aprovohet ndryshimi dhe plotësimi i projektligjeve që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it.

“Kështu që, ky Projektligj mund të trajtohet në Kuvend vetëm pasi që të aprovohet i pari. Qëllimi jonë ka qenë që ne t’ua prezantojmë këtë Projektligj deputetëve, në mënyrë që ata ta lexojnë dhe ta kenë të njohur. Pastaj, në qoftë se Kuvendi kërkon ndonjë procedurë formale tjetër nga ne, ne ndërkohë do të plotësojmë të gjitha procedurat formale”, tha kryeministri Mustafa.

 Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane KfW Frankfurt Am Main për programin “Masat e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesat Publike në Nivel Komunal në Kosovë”.

 U aprovua edhe projekt-rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Eulexi, Kuci, Mustafa

Kryeministri Mustafa: Nuk duhet të lejojmë zgjatjen e agonisë së Trepçës

June 4, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: Duhet të zgjidhet përfundimisht statusi i Trepçës. Jo vetëm që janë të lidhura efektet ekonomike, por Kosova ka edhe emocione të veçanta për Trepçën/

 -Kryeparlamentari Kadri Veseli vuri theksin te nevoja e një konsensusi të brendshëm: Transformimi dhe aftësimi i Trepçës, burim i zhvillimit të Kosovës/

 -Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunëshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para afër 17 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi colonial/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Qershor 2016/ Nuk duhet të lejojmë zgjatjen e agonisë së Trepçës, tha sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke shtuar edhe se problematika që lidhet me gjigantin e dikurshëm të ekonomisë nuk është e lehtë.

Ai foli në tryezën “Ecuritë e transformimit të Trepçës”, ku u prezantuan studime të rastit dhe refleksione për Ligjin mbi Trepçën. Pjesëmarrës ishin edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministrat Blerand Stavileci e Hykmete Bajrami, përfaqësues të komisioneve parlamentare, menaxhmenti i Trepçës, përfaqësues të ambasadave dhe ekspertë ndërkombëtarë e vendorë.

Duke iu referuar faktit se më këtë çështje janë marrë edhe në vitet e pasluftës dhe se është fjala për një gjigant ekonomik që është trashëguar e që ka qenë historikisht i rëndësishëm për ekonominë dhe për zhvillimin e Kosovës, kryeministri tha se për Trepçën jo vetëm që janë të lidhura efektet ekonomike por Kosova ka edhe emocione të veçanta për Trepçën.

 “Prandaj, është një çështje e cila është mjaft komplekse dhe e cila kërkon zgjidhje, dhe mua më vjen mirë që sot kemi studime të rastit nga vende të ndryshme të cilat do të prezantohen këtu dhe të cilat do të na japin format e zgjidhjeve që janë shfrytëzuar në vendet e tjera për rastet e ngjashme ose për raste përafërsisht të njëjta”, tha kryeministri.

 Duke iu referuar faktit se vitin e kaluar është vendosur në Kuvend që të sillet një ligj i veçantë për Trepçën, kryeministri Mustafa tha se duhet të zgjidhet përfundimisht statusi i Trepçës.

 “Kemi marrë tre hapa të rëndësishëm. Kemi formuar një komision qeveritar i cili ka punuar në ligjin për Trepçën, është angazhuar komisioni parlamentar që të punoj së bashku me ju në mënyrë që të ofrohen studimet e rastit dhe Agjencioni Kosovar i Privatizimit është duke punuar studimin e fizibilitetit për Trepçën. Janë tre aktivitete të cilat po zhvillohen paralelisht për të cilat ne nuk dëshirojmë që në asnjë rast të sjellim vendime politike, por dëshirojmë që vendimet tona të cilat do të merren në Kuvendin e Republikës së Kosovës të jenë vendime të bazuara në përvoja, që kanë arsyeshmëri ekonomike dhe do të mundësojnë që Trepça në të ardhmen të punojë mbi baza të profitabilitetit, si element i ekonomisë së tregut. Ndërsa, formën e organizimit ta gjejmë atë që është më e përshtatshmja”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës që të punojë dhe që të kapen afatet, duke pas parasysh se afati përfundimtar është para nëntorit që të përfundohet me ligjin për Trepçën dhe me organizimin e ri të Trepçës.

 “Por, unë nuk e konsideroj se me ligj ne i zgjidhim të gjitha problemet. Ligji është një bazament i cili ofron strukturën organizative, ofron marrëdhëniet e brendshme, ofron çështjen e përkohshme pronësore të rregullimit të Trepçës. Do t’i kemi pastaj problemet debitore dhe kreditore dhe janë çështje tjera që janë të hapura të cilat natyrisht do t’i zgjidhim në të ardhmen. Por, nuk jemi për atë që ta zgjasim më tutje këtë agoni të Trepçës dhe unë ju falënderoj për kontributet që i keni dhënë dhe do t’ju falënderoj shumë edhe për prezantimin e studimeve të rastit”, tha kryeministri Mustafa.

Tryeza u mbajt nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i cili vuri theksin te nevoja e një konsensusi të brendshëm lidhur me Trepçën, i cili do të mbështetej në disa pika. 

Fillimisht, theksoi kryetari Veseli, do të duhej të ketë një participim të sektorit privat në Trepçë, pa pjesëmarrje substanciale të të cilit nuk mund të ketë revitalizim të prodhimit, të minerave dhe të metalurgjisë.

“Kujdesi ndaj punëtorëve dhe komunitetit përreth kësaj industrie do të duhej të ishte maksimal.  Këta punëtorë kanë sakrifikuar gjithçka nga vetja e tyre, jo vetëm për këtë industri. Për më tepër, ata ishin pararendës në çdo iniciativë për lirinë e vendit. Prandaj, ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj këtij procesi. Ndoshta do të duhet konsideruar edhe mundësinë që një pjesë e aksioneve të Trepcës t’u takojnë atyre”, theksoi kreu i Kuvendit.

Veseli shtoi se një kujdes i veçantë i duhet kushtuar edhe mjedisit. 

Në vazhdim, ai tha se Trepça është ajo e cila është esploatuar në mënyrë të pamëshirshme. 

“Edhe ashtu kreditori me i madh në Trepçë është qeveria e Kosovës dhe punëtorët e saj. Të tjerat do të duhet trajtuar me kujdesin më të madh, meqenëse kanë qenë në kohë të errëta dhe me shumë dilema të ndërlidhura me regjimin e Milosheviçit. Prandaj, na duhet një ekip më i mirë i ekspertëve ligjorë për ta mbrojtur kauzën tonë. Kështu që, në këtë strategji ne duhet të mendojmë urgjentisht për këtë punë. Në fakt, ndoshta do të duhej të ngrisim padi për dëmet qi i janë shkaktuar Trepçës dhe mjedisit përrreth”, tha kryeparlamentari kosovar, Veseli.

Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën  së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.

Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunëshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para afër 17 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.

Në Trepçë, në dy miniera – Stantërg dhe Artanë, me rritje të prodhimit të xehes dhe koncentratit mbi 20%, viti 2014 shënonte prodhim rekord që nga viti 1999 i përfundimit të luftës dhe i fillimit të lirisë së Kosovës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: agonia e Trepces, Mustafa

Kosova feston Ditën e Evropës

May 9, 2016 by dgreca

-Më shumë se 20 aktivitete për 9 Majin – Ditën e Evropës/

 -Kremtimi Ditës së Evropës 2016 – në vitin e  hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës dhe të udhëtimit pa viza të qytetarëve kosovarë  të propozuar nga Komisioni Evropian/

-PRESEDENTI THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS /

-Kryeministri Isa Mustafa: E shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO/

-AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ/

-Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitit historik  të Pavarësisë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Maj 2016/ Mbi 20 aktivitete zbavitëse, sporti, edukative dhe kulturore mbahen gjatë festimeve të për 9 Majin –  Ditën e Evropës 2016 në qytete të ndryshme të Kosovës. Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se mes aktiviteteve do jenë loja për kupën e Evropës UEFA 2016, e basketbollit dhe vrapimit; koncertet nga bendi suedez “Vita Bergen” dhe bendi kroat “Lollobrigida”; ekspozita e fotografive të kryeqyteteve evropiane të kulturës 2016; kuizi shija e Evropës, vogëlsirat e saj, me kuzhinat e vendeve të ndryshme të BE-së, si dhe këndi i fëmijëve evropianë.

Aktivitetet qendrore do të nisin më 9 maj 2016 në ora 13.30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do marrinin pjesë edhe  Bekim Ҫollaku, ministër i Integrimeve Evropiane dhe Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.

Njëkohësisht do të mbahen një numër aktivitetesh edhe në Mitrovicën Veriore, mes të cilave “Pikturoni të ardhmen tuaj evropiane” dhe koncerti për Ditën e Evropës.

 Kremtimi Ditës së Evropës këtë vit ndodh në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi, në 1 prill, të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe pas propozimit të Komisionit Evropian për udhëtimin pa viza të qytetarëve kosovarë.

EKSPOZITA ME FOTOGRAFI “KOHËRAT PO NDRYSHOJNË”

Po ashtu, bëhet e ditur se, për Ditën e Evropës 2016 Ambasada e Republikës Çeke në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special në Kosovë do të bëjë hapjen e ekspozitës me fotografi “Kohërat po ndryshojnë” (“The Times They Are A-Changin”) sot në mbrëmje në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë. Ekspozita është organizuar në dritën e ngjarjeve Havel@80 që mbahen në mbarë botën në shenjë të përkujtimit të trashëgimisë së Václav Havel-it dhe përvjetorit të 80-të të ditëlindjes së tij në vitin 2016.

Njoftimi dërguar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së thekson se,Václav Havel, poeti i demokracisë së shekullit 20-të, u dha shpresë jo vetëm miliona njerëzve në Evropën Lindore, por edhe popujve në tërë botën të cilët besojnë se të drejtat e njeriut janë universale. Popujve të cilët besojnë se mund dhe duhet të luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të ndihmojnë njerëzit në komunitetin e tyre dhe globalisht.

Iniciativa Havel@80 prezanton Václav Havel-in për popujt në mbarë botën si një njeri të rëndomtë me ndikim të jashtëzakonshëm për jetërat tona. Ekspozita me fotografi dokumentuese në bardh e zi prezenton Havelin për qytetarët e Kosovës si një disident, president dhe një qytetar, dhe ilustron momente të sinqerta nga jeta e tij jozyrtare dhe intime dhe prapa skenave derisa Haveli ishte president. Fotografi Oldřich Škácha, i famshëm për fotografitë e tij bardh e zi të disidencës çeke dhe të Vaclav Havelit në veçanti, ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Havelin prej vitit 1960 deri kah fundi i jetës së Havelit.

MUSTAFA: KOSOVA KA VLERA PËR BASHKIMIN  EVROPIAN

Në Ditën e Evropës,sot, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përkujton se 66 vjet më parë, Evropa u ngrit mbi të kaluarën e saj dhe filloi një rrugëtim të ri, të ndërtuar mbi parimin e bashkimit të vlerave.
“Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira.
Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë. Ne duhet të dëshmojmë me vendosmërinë tonë për ta luftuar e çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar dhe të zbatojmë standardet e demokracisë”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
Ai vijon se, tash që kemi nënshkruar dhe kemi filluar të zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe, pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, kemi marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave e presim të marrim datën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, aspiratat tona shkojnë duke u rritur.
“Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me disa rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha. Tashmë talentët e shumtë në sporte të ndryshme, kanë fituar mundësinë për të garuar me konkurentët e tyre evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet simbolet e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Kosova është tashmë pjesë e UEFA dhe shpejt edhe e FIFA”, shprehet kryeministri kosovar.
Unë, vijon Mustafa, e shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Qeveria e koalicionit që unë drejtoj është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Është rruga e ndërtuar edhe nga paraardhësit tanë. Procesi i integrimit evropian të Kosovës është axhenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi”, thekson ai.
Kryeministri Mustafa siguron se, qeveria ka një axhjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një axhendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
“Kosova po prodhon stabilitet në rajon, ka marrëdhënie të mira me fqinjët. Ne e kemi të qartë se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj vende me probleme fqinjësore, prandaj për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit. Marrëveshjet me Serbinë dhe fqinjësia e mirë, si parakusht për integrim në BE, përkrahet nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe më tepër se 2/3 e Kuvendit, i cili në vitin 2013 ka vendosur kornizat e këtij dialogu”, shprehet Mustafa.
Nëpërmes dialogut, vijon ai, ne kemi arritur integrimin e komunitetit serb në Kosovë, edhe në veri të vendit, dhe tani po punojmë së bashku që axhenda jonë politike të jetë ekonomia dhe integrimi Euro-Atlantik.
“Kjo gatishmëri dhe përkushtim i Kosovës për të ecur përkrah vlerave evropiane, jam i bindur se do të ndikojnë tek 5 shtetet hezituese ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”, vlerëson kryeministri Mustafa.
Ai vijon se, rezultatet e reformave të qeverisë dhe këtij përkushtimi janë të dukshme dhe të matshme. “Institucionet financiare ndërkombëtare kanë konstatuar një rritje ekonomike gjatë vitit 2015, rreth 3.6%, por ne jemi fort të përkushtuar që kjo rritje të jetë më e madhe.
Duke u bazuar në luftën tonë kundër evazionit fiskal, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër keqmenaxhimit, por edhe duke kursyer mjete, ne kemi arritur që ta rrisim asistencën sociale për 25%, ndërsa janë rritur edhe pensionet, pa i prekur parametrat buxhetor, për të cilët jemi dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore”, thotë Mustafa.
Ai shton se, për të inkurajuar investimet e jashtme dhe për të forcuar sektorin e brendshëm privat, ne kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore fiskale, që e bën më të favorshme klimën e të bërit biznes.
“Kosova ka resurse të mëdha njerëzore, energjetike, minerare dhe turistike. Jemi duke negociuar me kompani nga BE dhe SHBA që këto resurse t’i aktivizojmë në shërbim të zhvillimit të vendit”, thekson Mustafa.
Ne, vijon kryeministri i Kosovës, kemi popullatën më të re në Evropë, prandaj jemi duke ndërmarrë reforma që sektorin e arsimit ta ndërlidhim me tregun e punës.

“Zhvillimi ekonomik i Kosovës, ngritja e standardit jetësor të popullatës dhe integrimi Euro-Atlantik janë synimet tona strategjike, por në këtë rrugëtim kemi nevojë për përkrahje nga miqtë evropianë dhe SHBA”, përfundon Mustafa.

9 MAJI – FESTË ZYRTARE E KOSOVËS

Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot, në Ditën e Evropës, shkruan: Në këtë ditë, në vitin 1950 Robert Schuman, Ministri i Jashtëm i Francës, dha atë që sot e njohim si Deklarata e Schuman, me të cilën janë vënë themelet e projektit më të suksesshëm ndërkombëtar. Liderët e Europës treguan guximin dhe vizionin që mbi hirin e luftës të lidhin marrëveshje për të punuar së bashku për një të ardhme në paqe e prosperitet për të gjithë, duke filluar me Traktatin e Parisit e deri te BE-ja që kemi sot. Që nga ajo ditë, shtetet e BE-së nuk kanë parë luftë, por vetëm zhvillim e mirëqenie.Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Europian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime, siç janë përkushtimi për paqe dhe dialog, për bashkëpunim ekonomik, treg të lirë dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, drejtësi dhe sundim të ligjit, për shoqëri multi-kulturore në të cilën askush nuk diskriminohet dhe të gjithë janë të barabartë.Kjo e ka bërë Bashkimin Europian projektin më të suksesshëm ndërkombëtar, synim për të gjithë popujt e Europës dhe model për tërë botën.

Gëzuar ditën e Europës, destinacionin e ardhshëm të Kosovës.

VESELI: KOSOVA, MË AFËR SE KURRË ME BASHKIMIN EVROPIAN

 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’:

 Sot është dita e Evropës që përkujton deklaratën historike të Robert Schuman 66 vite më parë ku shpalosi së pari idenë largpamëse të krijimit të institucioneve ndër-shtetërore mes vendeve që vetëm pak vite më herët kishin bërë kundër njëri-tjetrit luftën më të madhe që ka njohur njerëzimi. Ajo deklaratë shërbeu si vendosja e gurit të themelit drejt ndërtimit të Bashkimit Evropian prandaj konsiderohet si dita simbolike e paqes, unitetit dhe solidaritetit evropian. Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimin e Liberalizimit të Vizave, Kosova sot gjendet më afër se kurrë me Bashkimin Evropian. Megjithatë për Kosovën kjo nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste por edhe një ditë reflektimi mbi përgjegjësitë që secili nga ne ka në procesin e integrimit dhe domosdoshmërinë e përqëndrimit dhe angazhimit më të madh në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dërgoi per Diellin sot këtë deklaratë: 

Në Ditën e Evropës, që sigurisht është një ditë e shënuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, s’kemi si të mos shprehemi të pakënaqur me trended zhvillimore që janë parakusht i anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE.

Fakti që Kosova, është e fundit në rrugëtimin e saj drejt Evropës së Bashkuar, e pamundëson çdo lloj egzaltimi, edhe për rekomandimin e fundit për liberalizimin e vizave.

Sot për sot, të vetmit faktorë të rëndësishëm në këtë rrugëtim kanë mbetur vlerat evropiane dhe përcaktimi i palëkundur propërendimimor i qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që “punët e shtëpisë” janë në shpërputhje me këtë përcaktim.

Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe sundimi i rendit dhe ligjit, mbeten dy sfidat krysore për institucionet e vendit.

Qytetarët e Kosovës, meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë popujt tjerë evropianë, dhe ata nuk mund të penalizohen për shkak të qeverisjeve të papërgjegjshme.

Evropa nuk duhet që vetëm të na paraqesë kushte për anëtarësim, por edhe të na ndihmojë në realizimin e këtyre kushteve. Rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë mund të jetë e gjatë, por ajo është e paalternativë!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditën e Evropës, Kosova feston, Mustafa, Thaci

Kryeministri i Serbisë Vuçiç nesër në Kosovë…me leje

April 2, 2016 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë lejen që të vijë në Kosovë dhe kjo për mua nuk paraqet asnjë problem/

PRISHTINË, 2 Prill  2016-B.Jashari/ Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbërrin nesër në mëngjes në veri të Kosovës, ku nis vizitën në orën 08:00 flotacionit të Trepçës në Leposaviç.Vizita është paralajmëruar në faqen zyrtare të qeverisë së Serbisë, ndërsa sipas medias në Beograd drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, ka deklaruar, se “kryeministri të dielën do të vizitojë veriun e Kosovës dhe disa, siç ka thënë, vende më të rëndësishme në të cilat jetojnë serbët”.Nuk paralajmërohet ndonjë takim me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili, gjatë një vizite sot në qytetin më të madh jugor të Kosovës, Prizren, sipas raportimeve të medias i është përgjigjur interesimit edhe rreth vizitës së homologut serb, Vuçiç.

“Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë lejen që të vijë në Kosovë dhe kjo për mua nuk paraqet asnjë problem”, citohet kryeministri Mustafa nga media në Prishtinë.

Në dialogun në nivel të lartë kryeministror Kosovë-Serbi, në Bruksel, janë zhvilluar 30 raunde, së fundi në 27 janar 2016, prej tyre 7 të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç. Takimet e krerëve të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

 Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.

Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.

Filed Under: Rajon Tagged With: ka leje, Mustafa, Vuçiç nesër në Kosovë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT