-Procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian/
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, në të cilin është prezantuar Raporti Vjetor i donatorëve për vitin 2014 si dhe prioritetet e ardhshme të qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve tha se Republika e Kosovës, ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
“Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve. Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve dhe për një perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim është fillimi i një rruge të gjatë, që do të bëhet për t’iu ofruar Bashkimit Evropian. “Një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ”, theksoi kryeministri Mustafa./b.j/
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Forumin e Nivelit të Lartë
Kam kënaqësi të veçantë që sot të marrë pjesë në hapjen e takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve.
Veçmas jam i lumtur që këtë po e bëjmë një ditë para se të shkoj në Strasburg, së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që është një marrëveshje tepër e rëndësishme për ne, sepse hap dyert tona që ne të kemi marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe të kemi një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian.
Ne kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit dhe ky progres është arritur falë partneritetit dhe bashkëpunimit që kemi pasur me ju së bashku.
Dëshiroj të nënvizoj përkushtimin tonë për të vazhduar me reformat e gjithmbarshme për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe për një perspektivë të qartë të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Jemi të vetëdijshëm që procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, është një fillim i një rruge të gjatë, që do ta bëjmë për t’iu ofruar Bashkimit Evropian, në një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë.
Qeveria e Republikës së Kosovë ka miratuar Programin e saj qeverisës dhe ne kemi vendosur zhvillimin ekonomik në epiqendër të punës tonë. Çdo resurs në dispozicion, e kemi vendosur në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përmes zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe integrimeve euroatlantike.
Reformat e para të cilat ne i kemi bërë, kanë dhënë rezultatet e para. Kemi përmbyll një fazë të rëndësishme të reformave fiskale, të cilat kanë hyrë në fuqi nga shtatori i këtij viti; kemi arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar e cila krijon kushte që të kemi investime kapitale më të mëdha dhe llogarisim se investimet kapitale do t’i shtojmë për 400 milionë euro në vitet e ardhshme; kemi aprovuar dhe kemi filluar implementimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, deri më 31 dhjetor të vitit 2008, dhe këtë ligj tani po e zbatojmë; po e bëjmë ndryshimin e ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit mbi Financat Publike, dhe jemi të gatshëm që nga data 1 janar i vitit të ardhshëm të fillojmë me prokurimin elektronik; kemi zbatuar pagesën e përvojës në punë, dhe përmes kësaj kemi arrit që të ardhurat reale personale t’i rrisim mesatarisht 6 për qind, mirëpo ka diferencë në këto të ardhura, varësisht nga përvoja e punës, kështu që edhe me këtë kemi bërë përmirësimin e standardit të individëve që punojnë në shërbimin civil, në arsim, në shëndetësi dhe në fusha të tjera; kemi siguruar mjetet për rritjen e ndihmave sociale për rreth 25 për qind, dhe kemi përfshirë një numër të madh të familjeve që janë në gjendje të pavolitshme sociale, dhe po ashtu kemi siguruar mjetet për vitin e ardhshëm që të bëjmë rritjen e pensioneve për kontributdhënësit, dhe kjo rritje e përgjithshme është rreth 30 për qind në krahasim me mjetet që kemi pasur deri më tani, mirëpo natyrisht do të shfrytëzohet për të gjitha shtyllat e kontributdhënësve, për individët, për familjet, dhe për pensionet invalidore.
Prandaj, mbetet që më vonë komisionet tona, së bashku me pensionistët, të përcaktojnë rangimin e njerëzve për shfrytëzimin e këtyre mjeteve në bazë të këtyre shtyllave.
Më e rëndësishmja është se të dhënat tregojnë se ekonomia ka filluar të marrë rrugën e duhur. Kemi një rritje ekonomike e cila është solide dhe të cilën dëshirojmë që ta rrisim edhe më tutje në vitet në vijim. Dhe unë mendoj se përmes politikave fiskale dhe masave tjera ne do t’i arrijmë synimet tona sa i përket rritjes ekonomike e cila mundëson që të përballojë fluksin e të papunëve që çdo vit hynë në tregun tonë të punës.
Jemi në fazën përfundimtare për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të shërbej si udhërrëfyese për zhvillimin ekonomik në të ardhmen, përmes së cilës ne do t’i përcaktojmë prioritetet e prioriteteve në zhvillimin ekonomik.
Dëshiroj t’ju falënderojë gjithë juve që kemi ofruar një përkrahje të madhe në përcaktimin dhe definimin e kësaj strategjie të cilën e kemi në vijim.
Ne jemi të interesuar që t’i ndërmarrim të gjitha masat e reformave të nevojshme për të tërhequr më shumë investitorë të jashtëm. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, mirëpo edhe këtë Ligj do ta bashkërendisim me ju në mënyrë që ai t’i plotësojë të gjitha standardet që parashihet nga BE dhe nga vendet tjera, me të cilat dëshirojmë të kemi marrëdhënie ekonomike dhe të kemi tërheqje të investimeve.
Jemi të interesuar që të hapim vende të reja të punës, të kemi shërbime më cilësore publike, të kemi kujdes më të mirë shëndetësor, të kemi arsim cilësor, e po ashtu të kemi mundësi që të rinjve tanë t’u sigurojmë perspektivë në Kosovë.
Falënderoj ministritë tonë që drejtpërdrejtë kanë punuar në këtë fushë, Ministrinë e Integrimeve Evropiane për punën e madhe dhe Ministrinë e Financave, dhe shpreh gatishmërinë tonë që si Qeveri të përkrahim gjithë këto nisma dhe këtë punë që po bëhet. Kemi angazhuar çdo resurs për këtë qëllim. Tani po hartojmë Buxhetin për vitin 2016. Fondet e BE-së janë duke mbështetur sektorët kyç të zhvillimit tonë, siç është energjia, bujqësia, rritja e konkurrencës. Për herë të parë, BE-ja do t’i ofrojë Kosovës mbështetje direkte buxhetore në vlerë prej 25 milionë euro. Në këtë kuadër, Këshilli Kombëtar për Investime po bënë përgatitje të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për financimin në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.
Po punojmë edhe në realizimin e projekteve tona në kuadër të iniciativës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila ka të bëjë me sigurinë e infrastrukturës e cila na bie në nivel të njëjtë me vendet e BE-së në të ardhmen. Të gjitha reformat që ne po i bëjmë, nuk janë të lehta. Por, as progresi që e kemi arritur gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë i lehtë. E kemi bërë bashkë me ju dhe jemi të bindur se do t’ia dalim t’i realizojmë edhe gjitha synimet tona.
Jemi të interesuar për paqe në rajon, jemi të interesuar për partneritet të qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare dhe për partneritet të plotë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, sepse ne vlerësojmë kontributin që këto vende kanë dhënë në zhvillimin demokratik të Kosovës, deri më tash.
Jemi të vendosur të vëmë themelet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, të krijimit të një infrastrukture të domosdoshme moderne, të mbështesim sa më shumë dhe me të gjitha masat zhvillimin e sektorit privat, të mbështesim sistemin e pavarur gjyqësor, në mënyrë që ky sistem të sigurojë kushte stabile për funksionimin e ekonomisë dhe kushte të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët.
Në fund, shpreh mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e juaj të vazhdueshme dhe dëshiroj që sukseset e ardhme të jenë suksese tona të përbashkëta.
Mustafa, takon kryetarin e EPP Joseph Daul
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndodhet në Bruksel, pasi kohë më përpara, ka marrë një ftesë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini për një darkë të përbashkët pune, sonte me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, u takua sot me kryetarin e Partisë Popullore të Evropës, Joseph Daul.
Njoftimi dërguar sonte nga LDK bën të ditur se, në këtë takim, Mustafa ka marrë përkrahje për punën e tij të palodhshme si lider i qeverisë së Kosovës.Mustafa e ka njoftuar Daul me vendimet e qeverisë së Kosovës gjatë ketij mandati, me detajet e marrëveshjes së koalicionit të shumicës dhe me prioritetet qeverisëse të koalicionit për të ardhmën.
Gjithashtu, Mustafa është zotuar se qeveria qe ai udhëheq po punon shumë për të çuar përpara procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, dhe se me vendosmëri të madhe po e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mustafa theksoi se prioritet i qeverisë së tij mbetet zhvillimin e ekonomik i vendit. Ai po ashtu kerkoi përkrahje nga EPP-ja në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane.
Daul e ka përgëzuar kryetarin Mustafa për punën e qeverisë së tij dhe i dha mbështetje atij dhe LDK-së në arritjen e synimeve politike dhe qeverisëse. Ai u shpreh i tronditur thellë për keqtrajtimin e kryeministrit Mustafa në Parlamentin e Kosovës. Daul edhe njehere theksoi se për EPP respekti për institucionet demokratike është thelbësore për diskursin politik në vend.
LDK-ja është anëtare e Partive Popullore të Evropës, përfundon njoftimi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndodhet në Bruksel, pasi kohë më përpara, ka marrë një ftesë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini për një darkë të përbashkët pune, sonte me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Ne shkojmë të ftuar dhe në shtëpinë e mikut, ne ulemi me të ftuarit tjerë”, shprehet Mustafa duke shtuar se, Mogherini ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e deritashëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ajo, institucionet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantë të këtij procesi.
Ne kemi mbështetjen e tyre të plotë që secila marrëveshje që arrihet të jetë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thekson Mustafa.
Gjatë kësaj darke pune, vijon ai, ne do të mund të bisedojmë për ecurinë e deritanishme të bisedimeve dhe lidhur me zbatimin e tyre në praktikë.
“Kosova është e barabartë në këtë proces dhe ne do të insistojmë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
Ne kemi dorëzuar në Bashkimin Evropian një raport lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe presim nga Bashkimi Evropian të na mbështesë për krijimin e parakushteve për zbatimin e marrëveshjeve, ashtu siç janë nënshkruar”, thekson Mustafa.
Ne, vijon ai, do të insistojmë në zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në tërë Kosovën.
“Ne do të këmbëngulim që Serbia të zbatojë marrëveshjet ashtu siç janë dhe do të jemi të vendosur të aplikojmë reciprocitetin nëse paraqitet nevoja”, bën të ditur kryeministri i Kosovës.
Mustafa përfundon se, me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyllë problemet me të cilat përballet që prej përfundimit të luftës dhe të hapë perspektivën e saj zhvillimore dhe integruese.
KOSOVË – GJYKATA SPECIALE RIKTHEHET NË 3 GUSHT NË AXHENDËN E SEANCËS PLENARE TË KUVENDIT
-Mustafa: Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës/
-Thaçi: Që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Gusht 2015/ Gjykata Speciale rikthehet në 3 gusht në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve.
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të hënën, në 3 gusht, në orën 10:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar në Kuvend nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky ishte vendimi i djeshëm i Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, e cila u mbajt ndonjë orë pas mbledhjes së qeverisë së Republikës së Kosovës.
Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës, është shprehur kryeministri kosovar Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ai përkujtoi se, Kuvendi kosovar e ka shqyrtuar në 26 qershor amendamentin numër 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i cili është proceduar nga qeveria pas aprovimit në 7 mars 2015.
“Amendamenti është përkrahur nga 75 deputetë, por nuk i ka arritur votat e mjaftueshme prej dy të tretave, përkatësisht të 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në takimin e qeverisë të datës 27 qershor kemi shprehur përcaktimin tonë që pas konsultimeve të nevojshme me deputetë të riprocedojmë në Kuvend të njëjtin amendament kushtetues”, tha ai.
Kryeministri Mustafa tha se, ndërkohë janë zhvilluar takime me deputetë dhe me grupe parlamentare në të cilat është biseduar lidhur me nevojën e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të mundësojnë themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specializuar.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, konsideroj që ne nuk e kemi asnjë pengesë kushtetuese që amendamentet të cilat janë aprovuar njëherë në qeveri të riprocedohen në Kuvend me kërkesë që t’i shqyrtojë edhe njëherë dhe të marrë vendim për aprovimin e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe që ka për vendin aprovimi i këtyre amendamenteve”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se, arsyeja e riprocedimit të amendamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i ka marrë Kosova në Ligjin për ratifikimin e letrës së Presidentes së Kosovës me Baroneshën Ashton të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 2014.
“Prandaj, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërsa Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe se është e zonja që të përmbushë zotimet e saj para komunitetit ndërkombëtar, zotime të cilat janë ratifikuar me ligj. Kosova përmes aprovimit të këtyre amendamenteve demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin e qeverisë së saj për rend dhe ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë, por njëherit poashtu shprehë bindjen se votimi i tyre në Kuvend është në dobi afatgjate të Kosovës”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës theksoi se, themelimi i Dhomave të Veçanta sipas këtyre amendamenteve është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjikë, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Gjatë riprocedimit kemi pas parasysh poashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, vijoi Mustafa.
Ai u shprehu besimin se aprovimi i këtij amendamenti është në dobi të shtetit të Kosovës dhe të zotërimit të drejtësisë mbi çdo dyshim të mundshëm.
“Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amendamente kushtetuese e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, pasi që rikthimi dhe fuqizimi i kësaj rezolute sjell në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe vlerat e ndërtuara që nga periudha e shpalljes së pavarësisë”, theksoi kryeministri Mustafa.
Unë, vijoi kreu i qeverisë, pres që vendimi për ndryshimet kushtetuese të përkrahet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe opozitës.
“Kjo është një çështje që i takon tërë vendit, ashtu siç është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë ndihmuar vendin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe partneriteti me BE-në. Janë në interes të pozitës dhe të opozitës dhe të gjithë qytetarëve të Republikë së Kosovës. Ne poashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend të izoluar nga vendet mike. Na nevojitet përkrahja e tyre për integrimet në BE, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për investime dhe zhvillim ekonomik dhe për forcimin e shtetit ligjor. Këtë duhet ta bëjmë së bashku me partnerët strategjikë në rrugën e integrimeve tona euroatlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Prandaj, përfundoi kryeministri kosovar, duke pas parasysh rëndësinë e themelimit të Dhomave të Veçanta, unë ju ftoj që ta përkrahni riprocedimin e këtij amendamenti, përkatësisht amendamenteve kushtetuese, dhe poashtu Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më shpejtë ta thërrasë seancën dhe të aprovojë këto amendamente.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit që të riprocedohet për këtë çështje të rëndësishme të themelimit të Gjykatës Speciale.
“Vlerësoj se është e rëndësishme edhe për të kaluarën, për të sotmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ne kemi marrë obligimet si institucione para bashkësisë ndërkombëtare, në një proces të një bashkëpunimi të ngushtë, të një transparence të plotë, por edhe të një bashkëpërgjegjësie mund të themi lirisht”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi shefi i diplomacisë kosovare, edhe letërkëmbimet që kanë ndodhur duke u bazuar në vendimet e Kuvendit në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian janë edhe një përgjegjësi e re që del para institucioneve tona.
“Mendoj se kjo çështje është ajo që duhet të largoj ndasitë politike, përkundrazi është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që të vazhdohet menjëherë me çështjen e Stabilizim-Asociimit, pastaj me rekomandimin për liberalizimin e vizave, me anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO, edhe në Interpol edhe me aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, vlerësoj se është një standard të cilin Kosova e plotëson më mirë se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe që do të mirëpritet prej të gjithë partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë dhe që do të kemi një mbështetje të fuqishme, gjithashtu edhe në të ardhmen”, theksoi Thaçi.
Pra, vijoi ai, ky votim apo ky kalim në Kuvendin e Kosovës në ditët e ardhshme do të mund t’i hap Kosovës një kapitull të ri, kapitullin e fuqizimit të integrimeve euroatlantike për Kosovën, por edhe ruajtjes, kultivimit dhe thellimit të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Dhe, pastaj ne të procedojmë axhendën tonë shtetërore, në mënyrë që të kemi një mbështetje edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Por, që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente sikur sot që po prodhojmë si qeveri e Kosovës dhe në ditët e ardhshme edhe si Kuvend i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Ai përfundoi se, mbetet me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë që edhe deputetët kësaj radhe do të votojnë pa ndonjë hezitim në drejtim të asaj që të përmbyllet edhe kjo sfidë apo bashkëpërgjegjësi e politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëronte riprocedim i Gjykatës Speciale dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i 26 qershorit i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi, tre partitë opozitare, me gjithësej 31 deputetë, edhe në deklarata të veçanta, edhe ditëve të fundit, u rishprehën kundër riprocedimit në Kuvend të Gjykatës Speciale. Opozita shprehu kundërshtime edhe me largim nga mbledhja e djeshme e Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar të mos procedohen ndryshimet kushtetuese për Specialen.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, një debat të gjerë ngjalli edhe propozimi për mocion procedural i grupeve parlamentare opozitare lidhur me procedimin në seancën plenare të radhës të Projektrezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999. Propozimi u përkrah edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë, mirëpo u kontestua në kuptimin procedural. Rrjedhimisht, nuk mori përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Kryesisë për të hyrë si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.
Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland:THEMELOJENI GJYKATEN SPECIALE!
Mustafa-Nuland: Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj
PRISHTINË, 13 Korrik /ATSH-B. Jashari/.- Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, dje pasdite në Prishtinë zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministrin e parë e Ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi dhe me Kryetarin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se për këtë mbështetje të përhershme, Republika e Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin Qeverisë së Kosovës për fuqizimin mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Komunikata e dërguar nga Kryeministria kosovare thekson se, gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë dhe më gjerë. Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Amerikane Nuland biseduan për progresin që po arrihet në Kosovë, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe për progresin në dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Nuland biseduan edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën themelimi i tyre, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike. Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland edhe për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Kosovë-Jahjaga në takim me Nuland: Pres që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.
Njoftimi i dërguar nga Presidenca kosovare bën të ditur se, Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është i rëndësishëm dhe vlerësoi se rruga evropiane e saj, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kushteve në rrugën evropiane.
Nuland-Veseli:Kosova dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati poashtu takim me Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, Victoria Nuland.
Kryetari Veseli falënderoi Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Po ashtu Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut dhe gjykata speciale.
Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.
Thaçi: Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik
Zëvendëskryeministri i parë e Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar:
“U takova me Zëvendës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon përfshi procesin e dialogut në Bruksel, Forcat e Armatosura, krijimin e dhomave të veçanta si dhe zhvillimin ekonomik”.
“Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik bazuar në vlera të përbashkëta”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.
Haradinaj: Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të
Edhe Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takimin me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, ka njofuar në mbrëmë në ‘Facebook’: “Sot, pata nderin të pres në takim, Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.
Mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e znj. Nuland. Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të”, është shprhur ai.
Nuland intervistë për RTK-në: Më mirë themelojeni vet Gjykatën sesa OKB-ja
Ndihmës sekretarja e shtetit amerikan Victoria Nuland ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zhgënjyer kur nuk janë votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Spesiales.
Në një intervistë për RTK-në Nuland tha se themelimi i Gjykatës do ta ndihmojë edhe SHBA-në në mënyrë që Kosova të ecë përpara.
“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, ka thënë Nuland.
Ajo po ashtu ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje
“Ne nuk duam që të ndodhë kjo sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve”, ka thënë Nuland.
Ajo ka folur edhe për korrupsionin si dhe dialogun me Serbinë.
Nuland tha se nëse Kosova dëshiron që të ketë investime nga jashtë atëherë duhet të luftohet korrupsioni.
Zyrtarja amerikane ka folur edhe për terrorizmin ku sipas saj Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shtypi: Nuland merr premtime për themelimin e Speciales
“Nuland merr premtime për themelimin e Speciales”, është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm të Prishtinës.
“Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Veseli, i kanë premtuar ndihmëssekretares amerikane, Victoria Nuland, se Kosova do ta themelojë vetë Gjykatën Speciale”, thekson shtypi i sotëm kosovar.
KOSOVA DO DËMTOHEJ NGA ÇDO ASIMETRI PUSHTETESH
Mustafa: Asociacioni i Komunave, ndër temat më të vështira/
PRISHTINË, 5 Korrik/.-Çdo asimetri pushtetesh do të jetë e dëmshme për Kosovën, thekson kryeministri kosovar Isa Mustafa lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që është një nga temat e doalogut me Serbinë në Bruksel.
“Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm jo vetëm i të ardhmes evropiane të Kosovës por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, shprehet sot kryeministri Mustafa, ndërsa shton se, “akoma mbeten shumë çështje të cilat duhet të dialogohen”.
“Jemi në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, të përmbylljes së plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave dhe kemi nevojë për tërheqje të investimeve të jashtme dhe kapitalit të jashtëm për zhvillim ekonomik. Të gjitha këto dhe shumë procese tjera kushtëzohen me stabilitetin e brendshëm dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thekson kryeministri kosovar.
Ai vijon se, “Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër pala serbe ishte insistuese që asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që kryejnë këto punë të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”.
“Çdo zgjidhje e cila, pa marrë parasysh formën, do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional, sepse do të prodhohej një sistem jofunksional dhe joperspektiv, i cili do të na shtyj që me dekada të merremi me vetveten”, shkruan Mustafa.
“Ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhjen më të mirë e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të tjerë të vendit tonë. Jemi të gatshëm që të shpenzojmë edhe shumë kohë e energji për zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, e cila do të krijoj stabilitet për vendin tonë, stabilitet regjional dhe perspektivë evropiane. Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tone”, përfundon kryeministri i Kosovës në një postim sot në ‘Facebook’./B.Jashari/
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- Next Page »