• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa pritet në Berlin me ceremoni shtetërore

June 30, 2015 by dgreca

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa takohet të martën në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Berlini zyrtar ka organizuar pritje me ceremoni të larta shtetërore. Por edhe pritjet nga delegacioni i Kosovës janë të mëdha.

Kancelarja Angela Merkel pret sot (30.06) kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, me nderimet më të larta shtetërore. Ata të dy së bashku do të parakalojnë edhe para gardës së nderit, që organizohet për përfaqësuesit e shteteve. Takimi me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga Mustafa, i cili fillon në mesditë, pritet të zgjatë rreth dy orë. Gjermania dhe Berlini zyrtar po përballen për momentin me një krizë shumë të rëndë financiare në Greqi. Por as kjo nuk ka ndikuar në shtyrjen, apo shkurtimin e takimit me delegacionin e Kosovës. Zëvendësja e zëdhënësit të Qeverisë, Christiane Wirtz, ka bërë të ditur se kancelarja pret që nga dora e parë të informohet për gjendjen në Kosovë dhe për ecurinë e dialogut me palën serbe. Në këtë takim do të bisedohet për raportet bilaterale dhe mundësinë e thellimit të marrëdhënieve, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në kumtesën zyrtare.

Nga delegacioni i Kosovës mësojmë se ata janë të interesuar për thellimin e raporteve bilaterale, afrimin e mëtutjeshëm me Berlinin dhe Bashkimin Evropian, si dhe për shtimin e investimeve gjermane në Kosovë. Shtimi i investimeve do të jetë një prej temave kryesore në takimet, që delegacioni i Kosovës do të ketë ditën e dytë me përfaqësuesit e landit të Baden- Würtenbergut, por edhe me përfaqësues të institucioneve gjermane në Berlin.

Vizita në Berlin menjëherë pas bisedimeve në Bruksel

Takimi në Berlin mbahet menjëherë pas bisedimeve në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të prira nga kryeministrat Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Në këto bisedime janë prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe; çështja e energjetikës; telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi “Parku i Paqës”, mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Kryeministri Isa Mustafa ka deklarauar se nga vizita në Berlin pret thellimin e raporteve me këtë vend mik. Por pala kosovare do të ketë vështirësi të argumentojë mosthemelimin e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të disa pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pala kosovare është e hendikepuar me këtë vendim”, deklaroi Mustafa për RTK.

Gjermania ka shtuar interesimin për Ballkanin Pertëndimor në disa vitet e fundit. Sinjalet e para shumë të qarta për domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve në këtë rajon janë dërguar gjatë vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, në gusht të vitit 2011. Interesimi i Gjermanisë dhe vendeve perëndimore për Ballkanin është shtuar në veçanti pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe mundësisë që Moska të shtrijë influencën e saj edhe në Ballkan. Vitin e kaluar, me iniciativën e kancelares Merkel është mbajtur edhe konferenca e Berlinit, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nesër në Berlin kancelarja pret delegacionin e Kosovës. Ndërsa së shpejti do të vizitojë edhe Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Gjatë këtyre vizitave Merkel do të ritheksojë domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, si një prej parakushteve për afrimin me Bashkimin Evropian. Por edhe zbatimin e reformave të domosdoshme në këto vende. Serbia shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Por pikërisht Gjermania është vendi, i cili më së shumti insiston që negociatat me Serbinë të fillojnë me kapitullin 35, i cili nënkupton normalizimin e plotë të raproteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pritet që në fund të dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, të nënshkruhet edhe një marrëveshje, e cila do të rregullonte raportet mes këtyre dy vendeve.

Filed Under: Kronike Tagged With: merkel, Mustafa, pritet

Për çfarë tjetër mund të flasin shqiptarët?

April 11, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Çuditërisht Europën apo edhe kontinentin këtej, nuk i shqetëson aspak tryezat e dy qeverive shqiptare. Si ajo e para pak muajve në Prizëren. Dhe po si ajo e para pak ditëve në Tiranë. Konkretisht më 23 mars 2015. Madje me një reliev mural alla i pallatit sekretarial të Kinës së largët. Me moton …një tokë-një popull-një ëndërr. Kur kësaj radhe qeveria e Kosovës manifestohej me një Kryeministër të ri, zotin Mustafa. Por i shqetëson një bisedë pas një nominimi me titullin qytetar nderi në një qytet po shqiptar, si Ulqini i Malit të Zi. Fjala e tyre e lirë në një botë të lirë. Dhe nuk e di pse gjithkund cilësohen si deklarata. Kur ajo ishte një intervistë, një bisedë për dy njerëz që lauroheshin për paqen. Aq më tepër që njëri nga këta, Hashim Thaçi, ish komandant lufte, ish Kryeministër i Kosovës. Mund dhe ka arsye dy herë më shumë se çdo Kryeministër të dehet me lirinë e jetës. Çuditërisht nga ana tjetër nuk kuptojë as vërshimin e qortimeve që po i bëhet Kryeministrit tonë, vetëm pse foli për një ëndërr njerëzore me emrin Shqipëri. Pyetja ime është fare e thjeshtë: Për çfarë tjetër mund të flasin shqiptarët? Të përfaqësuar në dy shtete. Shqiptarë të ndarë. Për çfarë ? Mirë se i ka mbytyr urrejtja për njëri-tjetrin, grindjet, e janë plot forcë inati. Që as e respektojnë nji fije shoqi-shoqin. Për çfarë? Kur ulen e bisedojnë si burra shteti.? Si burra shtetesh. Në një muzg shqiptar në shtet të huaj. Të flasin për Tibetin, për pavarsinë e tij nga Kina.? Të flasin për afrimin e ditës së djeshme atë mes Amerikës pragmatiste dhe Kubës së rrënuar nga demagogjia e një gjenerali kufomë? I cili në moshën e tretë u kujtua t’i lejojë vetes sadisfaksionet e Amerikës. Uniformat e bejsbollit etj? Për çfarë duhet të flasin shqiptarët? Për luftën politike midis Erdoganit dhe Fetullah Gylenit? Për Isisin.? Për luftën civile të Sirisë? Për fundin pa demokracinë e ëndërruar të Pranverës Arabe? Për fatin e dëshpëruar të Greqisë me nivelin më të lartë të diskriminit rracor.? Për Serbinë që po rron me dhjamin e ish Jugosllavisë.? Për Maqedoninë që vjedh haptas kulturë e emra, statuja e heronjë sa nga Bullgaria e sa nga Greqia e sa e sa nga Shqipëria? Për kë të flasin shqiptarët? Për veten e tyre do flasin, për ëndrrat e tyre. Dhe mirë bën që folën? Detyrimet nuk janë të përjetshme, aq sa të bëhet vasal dhe i tërhequr hundësh një popull i vjetër. Çuditërisht thonë për Edi Ramën se i ka hyp vetja në qejf. Se kujton se është edhe Kryeministër i Kosovës. E quajnë nacionalist. Çuditërisht analistët e krahut të tij. Se tani u mësuam me atë avazin që opozita dhe gazaterët opozitarë, atë punë kanë. Të kundërshtojnë. Avaz modern ky i demokracisë së re. Po për kë pra duhe të flasin shqiptarët? Për gjermanët. Vetëm gjermanët kanë të drejtë të bashkohen? Shqiptarët jo.
Unë do thosha që, përpara se ta qortojmë Edi Ramën. Duke menduar se po bëjmë këshilluesin e duhur drejt Europës. Por jo vetëm Edi Ramën, por mbarë spektrin politik shqiptar. Do të ishte më e udhës që tu kujtojmë atyre më shpesh të metat, në marrëdhëniet reale nga e përditshmja shqiptare. Karshi kundërshtarit dhe aleancave me gjobëvënie. Përshëmbull është e pa hijshme kur liderët e politikës në vendin amë, këshillojnë për bashkëpunim, për marrëdhënie korrekte me kundërshtarin etj. Liderët shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Kur këta vetë në dheun amë, janë marrë vesh në raste me pikatore. Edhe pse vendi ka shkuar në gjëndje të jashtëzakonshme. Edhe pse Italia sillte kamionë me ushqime e të tjera gjëra. Këtu duhen qortuar në masë, të gjithë. Pa përjashtim. Për mbartjen dhe rritjen e borxhit. Për sforcot doganore midis shteteve shqiptare. Për ekipet kombëtare. E plot të tjera. Sepse nëse do ishin të sheshuara këto, do kishm ego tjetër për Europën. Neve nuk na mungon aftësia. Nuk na mungojnë energjitë. Puna është se i harxhojmë kundër njëri-tjetrit. Ndaj kemi frikë të flasim. Ndaj ngelëm tërë jetën duke bërë detyra shtëpie.
Si Edi Rama, si Hashim Thaçi kanë të drejtë. Nuk jemi ne, por Europa që ka nevojë për ne. Në një farë mënyre apo një tjetër, shqiptarët janë faktor i gjallë. Normale që do flasin për fatin e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, mund të flasin, Mustafa, Për çfarë tjetër, Rama, Thaci

Ditët e vështira të qeverisë Mustafa

April 1, 2015 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar në vija të përgjithshme draft-raportin e punës së Qeverisë së Kosovës gjatë 100 ditëve të para të punës.
Ky raport, është miratuar nga qeveria një ditë para se Mustafa të ballafaqohet në interpelancë me opozitën në Kuvendin e Kosovës, pikërisht për këtë çështje.
Mustafa ka pranuar se ka marrë nën drejtim qeverinë në një periudhë jo të lehtë, kur pakënaqësitë politike e sociale në vend ishin në rritje.
Në rend të parë, ai ka përmendur protestat e partive opozitare të 24-27 janarit në Prishtinë, të cilat eskaluan edhe në dhunë, si dhe migrimet e paligjshme masive të qytetarëve jashtë vendit.
Megjithatë, ai është shprehur i bindur se do të kthehet besimi i qytetarëve gjatë mandatit katër vjeçar.
“Ne e kemi filluar mandatin në një gjendje mjaft të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj. Me fillimin e grevave të punonjëseve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve, me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat, me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete të Kosovës, edhe në Prishtinë të cilat kanë eskaluar edhe në dhunë. Me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit Trepça në likuidim, si edhe me fluksin e migrimeve të paligjshme”, ka thënë Mustafa.
Zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë, ndryshimi i politikave fiskale janë përmendur nga Mustafa si prioritete ekonomike.
Si sukses të parë, ai ka veçuar edhe miratimin e Ligjit për ndalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, kurse si sfida jo të lehta, Mustafa ka veçuar themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte dhe sidomos formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Kryeministri Mustafa ka thënë se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës kërkon edhe përkrahjen e deputetëve serbë, pasi që procedura kalon fillimisht përmes ndryshimeve kushtetuese.
“Ne do të vazhdojmë bisedat edhe me Listën Serbe në mënyrë që të sigurojmë që të kemi 80 vota për aprovimin e ndryshimeve kushtetuese dhe më pastaj menjëherë do të shkojmë me miratimin e Ligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës”.
“Do të thotë, nuk është një proces i lehtë, sepse për ndryshimin e Kushtetutës ne kemi nevojë të kemi shumicën e dyfishtë, pra të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe të deputetëve nga radhët e minoriteteve”, ka thënë Mustafa.
Sidoqoftë, edhe nëse kalohen pengesat eventuale nga deputetët serbë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), Mustafa ka konfirmuar edhe një herë se FAK do të ketë disa kufizime në veri të vendit, të populluar nga shumica serbe.
“Është e saktë dhe ka një pajtueshmëri me Aleancën Veriatlantike që në veri FAK të mos shkojë pa marrëveshje me ta (NATO-n)”, ka theksuar Mustafa.
Sa i përket bojkotit të Listës Serbe që po u bën institucioneve, Mustafa ka thënë se pret kthimin e këtij subjekti politik, ngase nuk ka parë arsye që bojkoti të vazhdojë tutje.
Lista Serbe, pati ngrirë pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.
Jabllanoviq i kishte cilësuar si “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
“Nuk kanë ndonjë kërkesë të veçantë për kthimin e tyre. Kërkojnë të zbatohet marrëveshja për koalicion që kemi me ta dhe unë mendoj se nuk ka problem të implementimit të marrëveshjes. Por, as unë nuk e kam të qartë pse po vonohen. Ata kanë thënë se do ta shqyrtojnë dhe do ta bëjnë marrëveshjen mes tyre dhe do të kthehen”, ka thënë Mustafa.
Të enjten, në seancën e pasdites, Mustafa pritet të ballafaqohet me opozitën pikërisht në lidhje me 100 ditët e para të punës së Qeverisë së Kosovës.(Zijadin Gashi)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ditët e vështira, Mustafa, te qeverise

Mustafa: Marrëveshja siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës

February 10, 2015 by dgreca

Aleksander Vuçiç: Kemi bërë gjithçka për popullin tonë në Kosovë/
PRISHTINË, 10 Shkurt/- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se marrëveshja e arritur në Bruksel siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa thekson se “sot në mëngjes përfunduam një marrëveshje shumë të rëndësishme, e cila siguron funksionimin e gjyqësisë në gjithë territorin e Kosovës. Falenderoj përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogerini dhe anëtarët e delegacionit, zv kryeministrin Hashim Thaçi, Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuci, Ministren Edita Tahiri, Ministrin e integrimeve Evropiane, Bekim Collaku, Blerim Shala dhe Valon Halimi, këshilltarin tim për çështje të emigracionit dhe migrimit. Falenderoj edhe ekipet profesionale që punuan gjatë dhe me përkushtim për këtë fushë të rëndësishme”.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, të kryesuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, në takimin e natës së kaluar në Bruksel të raundit të 24-ët të dialogut në nivel të lartë, të parit të kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç. Ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, marrëveshja u arrit pas më shumë se katër orë bisedimesh.
Vuçiç: Kemi bërë gjithçka për popullin tonë në Kosovë/
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Bruksel, ka bërë gjithçka për popullin e tij në Kosovë “në rrethana dhe kushte jo të lehta”.
Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur në orët e para të ditës së sotme marrëveshje për drejtësinë.
“Pres dhe besoj që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet tona të rënda në dialogun me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq në Beograd, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, problem në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë do të jetë numri i gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Kosovë.
“Kemi luftuar që të kemi shumë vende, por çështja është se a do të kemi mjaft njerëz që të kryejnë këtë punë”, ka thënë Vuçiq.

MARREVESHJA
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, të kryesuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, në takimin e natës së kaluar në Bruksel të raundit të 24-ët të dialogut në nivel të lartë, të parit të kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.
Ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, marrëveshja u arrit pas më shumë se katër orë bisedimesh.
Në një komunikatë të Mogherini thuhet se të dy kryeministrat “përmbyllën një kapitull kritik për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e qytetarëve në terren”.
Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e marrëveshjes.
Mogherini tha se “të dy kryeministrat zhvilluan debate gjithëpërfshirëse për një varg çështjesh, si dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiç kanë rënë dakord të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute të migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatën e Mogherinit.
Përfaqësuesesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, takoi mbrëmë në Bruksel duke nisur nga ora 18:00 fillimisht kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa e pastaj atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe më pas u vazhdua me takimin e përbashkët.
“Ka përfunduar pas orës 02:00 takimi në Bruksel. Palët kanë nënshkruar marrëveshje për drejtësinë”, ka raportuar media kosovare nga bisedimet.
Pas takimit kryeministri Mustafa tha se marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë.
I pyetur nëse janë diskutuar tema të tjera në dialog, Mustafa u shpreh se nuk ka pasur kohë për të tilla.
Ai ka thënë se nuk do të hapen tema të reja, pa u shuar institucionet paralele në veri të Kosovës me theks të veçantë “Mbrojtja Civile”.
Kryeministri serb Vuçiç tha se “me arritjen e marrëveshjes Gjykata e Mitrovicës do të ketë 9 prokurorë shqiptarë e 9 serbë”.
Në këtë proces takimesh kryeministrore Kosovë-Serbi për herë të parë ndërmjetësoi përfaqësuesesja e re e lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila ka pasuar Baroneshën Catherine Ashton, ndërmjetësuesen e 23 raundeve të kryeministrave të mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, aktualisht zv/kryeministra e ministra të jashtëm, pjesëmarrës edhe në takimin e mbrëmshëm.
Thaçi dhe Daçiç kanë zhvilluar takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, ndërsa në 19 prill 2013 kanë nënshkruar Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.
Kryeministri kosovar Mustafa në konferencën e fundit për shtyp në Prishtinë, në 3 shkurt, ka theksuar se “jemi shumë të interesuar që të bëjmë integrimin e veriut, që të krijojmë ura të bashkëpunimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, veçanërisht me komunitetin serb, të vazhdojmë dialogun në Bruksel për të zgjidhur të gjitha problemet dhe çështjet që i konsiderojmë se janë të diskutueshme dhe të debatueshme me qeverinë serbe për të krijuar një stabilitet në rajon dhe për të ardhur deri te gjendja që Serbia do ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne do të punojmë në këtë aspekt”.
Dje, Kryesia e Kuvendit kosovar u njoftua dhe e mirëpriti shkresën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet të cilës ai shpreh gatishmërinë për ta njoftuar Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.
Nga takimi i 31 marsit 2014, i cili ishte i 23-ti dhe i fundit Thaçi-Daçiç, bisedimet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, të nivelit të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd për normalizim marrëdhëniesh kanë pasur një ndërprerje prej afër 10 muajsh, gjatë së cilës kohë, fillimisht në Serbi e pastaj në Kosovë janë zhvilluar zgjedhje, nga të cilat dolën qeveritë e reja të dy shteteve dialoguese.

Filed Under: Rajon Tagged With: marrveshja, Mongerini, Mustafa, Vucic

BUKURIE OMERBASHA, NJË JETË PLOT DHIMBJE, NJË DASHURI PAFUND PËR JETËN

March 23, 2014 by dgreca

–   Historia e një gruaje që edhe pse qëndroi 17 vite e rrëzuar në shtrat, gjeti forca të ringrihej dhe të riecte sërish.Për 13 vite nuk ia përcaktuan diagnozën në Shqipëri.Pas 17 vitesh u ngrit në këmbë.

 Nga Dalip Greca/

Me 25 Mars u mbush një vit nga dita kur ndërroi jetë Bukurie Omerbashi (Berisha). Bashkëshorti, Mustafai udhëtoi nga Nju Jorku drejt Floridës (Jacksonville) për  t’i bërë  ritet e pasvdekjes; për ta kujtuar e nderuar. Ikja e Bukuries, ashtu si dhe vetë jeta e saj, ishte e veçantë. Iku shumë shpejt, edhe pse vuajtjet nuk i qenë ndarë gjatë të gjithë jetës. Iku jo nga sëmundjet për të cilat mjekohej, por nga një e ligë, që s’dukej, një nga ato sëmundjet që as emrin nuk e përmendim. Sëmundja e keqe qëndronte fshehurazi në trupin e saj dhe e kafshoi për vdekje, tinëz. Deshi të merrte avionin dhe të shkonte në Tiranë, atje t’i mbyllte sytë dhe të shlodhej në përjetësi, por vetë sëmundja ia kishte zënë keqazi pritën; Jo, thanë mjekët në Barnabas Hospital NY, nuk mund të udhëtojë, në asnjë mënyrë jo. Është e rezikshme.I mbylli sytë këtu në Tokën e Premtuar dhe prehet në varrezat në Jacksonville, Florida. Pranë ka fëmijët, nip e mbesa, që shkojnë dhe çmallen shpesh.

Bukuria, e bukur si vetë emri që mbante, ishte ca e pafat në jetë, pasi një  sëmundje e panjohur për kushtet e Shqipërisë e paralizoi, duke e kthyer në një invalide që s’mundëte të çohej në këmbë për gati dy dekada.

Po kush ishte Bukuria? Pat lindur në Fier më 1943, në një familje kosovare , me origjinë nga Mitrovica. Familja u shpërngul nga Fieri në Tiranë më 1946. Në vitin 1957 njohu njeriun me të cilin do të lidhte jetën, intelektualin Mustafa Omerbashi, me të cilin u martua më 1961. Në vitin 1976, prestarja e fabrikës së këpucëve në Tiranë, e ndjeu veten keq. Si me komandë u rrëzua dhe nuk mund të ringrihej më në këmbë. Një sëmundje e padukshme e kishte sulmuar duke e paralizuar. Pas këtij momenti, shtëpi e saj, u bë Spitali Neurologjik në kryeqytet, Tiranë. Mjeksia shqiptare nuk pat arritë që t’ia përcaktonte diagnozën e saktë, kështu që mjekimi ishte pa efekte. Ajo mbeti e paralizuar në shtrat, por pa e humbur shpresën se një ditë do të shërohej. Për 13 vjet Mustafai, nuk rreshti së shkruari letra për kurimin e së shoqes. Ai lutej për ta nxjerrë jashtë shtetit, por një punëtoreje nuk mund t’i vinte radha të kurohej jashtë Shqipërisë. Kështu kaloi në shtratin e lëngimit vite pas vitesh. Pas 13 viteve, më 1989, në agun e përmbysjes së sistemit, u arrit të dërgohej në Budapest të Hungarisë, ku menjëherë iu përcaktua diagnoza dhe u krye operacioni. Sëmundja kishte ardhë nga lëkurët e bagëtive, lënda e parë këpucëve, ku punonte prestarja e palodhur. Me hapjen e vendit, rënien e sistemi komunist, u dërgua në Gjermani nga i shoqi. Në vitin 1993 nisi të hedhë hapat e para Bukuria. Gëzimi saj dhe familjes ishin të pamasë. Ringritja në këmbë përbënte një gëzim të jashtzakonshëm. Kush e besonte, veç Bukuries? Me durimin e një trimëreshe i kaloi çastet e para të vështira derisa nisi të normalizohej në ecje. Fillimisht dikush duhej ta mbante përkrahësh.

Ardhja në Amerikë ishte dhurata më e shtrenjtë për sëmundjet e Bukuries. Gjithësesi organet jetësore të saj kishin kaluar prova të vështira dhe trupi ishte i tejlodhur. Në vitin 2004 iu nënshtrua një operacioni në zemër në Einstein hospital NY. Pas kësaj vështirësitë u shtuan, çdo javë i nështrohej analizave të gjakut. Por edhe në këto kushte ajo e deshte fort jetën. Në Mars të vitit 2013, kur kishte shkuar për kontrollin rutinë të gjakut, doli nga takimi me mjeken, fare e zbehtë, tepër e tronditur. Kishte marrë ljamin e keq. Mjekja ia kishte tëhnë hapur: Më vjen keq zonjë, pak ditë ju mbeten! I shoqi e priste jashtë. Kur e pa të zbehtë e të shqetësuar u trondit. Mustafaj, kur e dëgjoi kumtin e vdekjes së afërt nga e shoqja, u dridh, por iu desh t’i jepte zemër: Jetës nuk i dihet, mos u dëshpro!Ti je trimëreshë, nuk u dorëzove për 17 vjet, ku qëndrove e rrëzuar, por sërish u ringrite!

-Më dërgo në Shqipëri, të vdes atje…!- lutej Bukuria.

Por ajo nuk e dinte se nuk mund të udhëtonte….Dhe Mustafai ia tha:-Nuk mund të udhëtosh, zemër!. Amerika ishte fati ynë. Këtu i kemi edhe fëmijët, edhe nipin e mbesat!

Atë 25 mars 2013 u shua ëndrra amerikane e Bukuries.U përcoll me dhimbje e lot. Ishte këputur një jetë, pas së cilës Bukuria qe e dashuruar thellësisht.

Mustafai, bashkëshorti i saj i përkushtuar, e ndjenë thellë humbjen: Bukuria ishte e jashtzakonshme. Vetëm një grua trimëreshë si ajo mund ta përballonte atë jetë plot vuajtje, ku mbeti në krevat pa u ngritur, qoftë edhe për një moment, jo pak, por për 17 vjet-, u paralizua më 1976 dhe nisi të çapëlonte më 1993! Kishte kurajo të jashtzakonshme. Kishte një dashuri të pakufishme për njerëzit. E donte jetën marrëzisht, edhe pse ajo ia kufizoi mundësitë e shijimit, duke i marrë për shumë vite këmbët.Pika e dobët e Bukuries, mbesat Kely, Seida, Nensy dhe nipi Arby. Sa i donte. Një gjyshe e mrekullueshme. Një grua shembullore, një nënë e përkushtuar, e përmallur dhe tepër e dashur. Edhe ndaj kafshëve kishte dashuri, edhe për lulet kujdesej si askush, pastërtore, sa miqtë dhe mikeshat që na vinin në shtëpi, çuditeshin me rregullsinë e mbajtjes së shtëpisë.Kishte shije të veçanta. Po përpiqem që të jetoj me kujtimet e saj. Edhe për lulet kudesem sikur të ishte ajo vetë…. Bukuria kishte një dashuri të jashtzakonshme për jetën, edhe pse vetë jeta qe e kursyer me atë. Një jetë plot dhimbje, një dashuri pa fund për jetën. Mendoj se dashuria e pafund e mbajti gjallë atë….Rrëfimi i bashkëshortit është i dhimbshëm.

-Po shkoj, më tha Mustafaj, tek u nis drejt Jacksonville me 19 mars, do të takohem me Bukurien. Më ka Marrë malli!…

Sot, e diele 23 Mars 2014,Mustafai me te gjithe familjaret jane duke e kujtuar ne Jacksonville, duke vendosur lule mbi varr dhe duke sjelle kujtimet per te ndjeren Bukurie.

( Ne Foto: Ulur, Kely, Seida, Nensy, Arby (mbesat dhe nipi). Lart, Ramazan, Mirela, Mustafa, Bukurie, Loli dhe Vahidi.)

Filed Under: ESSE Tagged With: Bukurie Omerbasha, dalip greca, Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT