• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NACIONALIZMI SHQIPTAR ESHTE MBROJTES

July 2, 2021 by dgreca

Nacionalizmi shqiptar është nacionalizëm mbrojtës-shqiptarët nuk duhet të kenë frikë nga ai por duhet ta ujisin e ushqejnë sa ma mirë/

NGA NUE OROSHI/ Kohëve të fundit në botë e posaçërisht në Evropë, rrahen shpeshherë temat që kanë të bëjnë me nacionalizmin.Nacionalizmi nuk është i njëjtë tek të gjitha kombet dhe shtetët në përgjithësi.Ai ndryshon nga një komb tek kombi tjetër.Gjatë historisë kemi shumë lloje të nacionalizmave.Tek shtetet të cilat kanë sulmuar që të bëjnë zgjerimin e territoreve të tyre ata kanë pasur një nacionalizëm sulmues apo siç njihet në histori nacional-shofinizëm.Ky nacional-shofinizëm është përdorur shpeshherë në Evropën Juglindore nga fqinjet tanë të cilët u zgjeruan në favor të tokave shqiptare.Ky zgjerim në periudhën kohore 1876-1999 na shkaktoj një humbje të madhe të terrioreve shqiptare, si dhe Masakra të papara ku u vranë pleq, të rinj, gra e femijë të pafajshëm, faji i vetëm i tyre ishte se ishin shqiptar dhe që jetonin në tokën e tyre shekullore.Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore çdo kryengritje shqiptare që ishte zhvilluar ishte kryengritje dhe luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare.Më këtë shihet çartë se çdo mobilizim që është bërë që të mbrohen tokat tona ka qenë mobilizim për të kryer një luftë mbrojtëse.Tentimi i fqinjëve tanë për ti zgjeruar kufijtë e tyre në kurriz të kufijëve të tokave shqiptare ka sjellur masakrat dhe gjenocidin serb,malazezë, grek dhe gjenocide të tjera në tokat shqiptare.Një lloj i gjenocidit i paparë deri më tani për shqiptarët ka qenë gjenocidi komunist.Ky lloj gjenocidi ishte gjenocidi më i tmerrshëm për shqiptarët.Ishte gjenocid i tmerrshëm për faktin se një pjesë e shqiptarëve që vetën e quanin komunist luftonin kundër ideve perëndimore shqiptare,kundër atdhetarizmit dhe nacionalizmit mbrojtës shqiptar, duke e vrarë dhe masakruar atë, për hirë të një ideologjie pansllaviste ruso-serbe.Edhe në këtë luftë shqiptarët e vërtetë dhe atdhetar bënë luftë mbrojtëse, por siç thuhët një shprehje popullore shqiptare se është më e dhimshme  për lisin që prihet dhe qahet nga pykat e veta.Ky ishte një bashkëpunim i hapur i komunistëve shqipfolës me armiqët shekullor të shqiptarëve.Edhe sot e asaj dite politikanët shqiptar në të gjitha trojet etnike shqiptare kanë një lloj frike nga nacionalizmi shqiptar.Atyre aq ju ka hyrë frika dhe frikësohen nga politikanët perëndimor saqë janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga historia shqiptare vetëm e vetëm t´iu shkojnë për shtati disa ideve të majta internacionaliste që dorën në zemër nuk i pranon as Evropa demokratike.Çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët ,me nacionalizmin tonë mbrojtës.Atë duhet ta ujisim e ushqejmë, si dhe duhet t´iu bartim gjeneratave të ardhshme.Duhet të mësojmë rininë tonë nëpër shkolla se ne shqiptarët historikisht kemi bërë luftë mbrojtëse.E luftën mbrojtëse gjithmonë është e lejuar edhe nga drejtësia e cila në nenet e saj e ka të shkruar mbrojtjen e detyrueshme, por edhe nga njerëzia që thotë se dy duar janë për një kokë.Kështu që pavarsishtë rrethanavae politike shqiptarët duhet ta ruajnë, ujisin dhe mbrojnë me çdo kusht nacionalizmin mbrojtës shqiptar, i cili është një lloj nacionalizmi detyrues për të mbrojtur atdheun.Çdo përpjekje e klaneve sorosiane, klaneve vuçiçiane, apo klaneve erdogane për ta dobësuar nacionalizmin mbrojtës shqiptar janë të pa suksesshme.Janë të pasukseshme sepse çdo herë në krye të shqiptarizmit gjatë gjithë periudhave historike kanë dalur atdhetarët shqiptar që i kanë prirë kombit shqiptar në luftën e dritës.Lufta e dritës gjithmonë ka qenë pëngesë për luftën e territ dhe ka ngadhënjyer gjithmonë.Sepse ka qenë luftë e cila ka buruar nga gjiri i kushtrimit shqiptar për jetë a vdekje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nacionalizmi shqiptar, Nue Oroshi

NACIONALIZMI SHQIPTAR NË VITET 1912-1924

April 19, 2021 by dgreca

Dr. Sali Kadria nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, sjell para lexuesit studimin e tij “Nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Dr. Sali Kadria shprehet se Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik.

ZHVILLIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR NGA VITI 1912-1924

Studimi paraqet interes për të kuptuar ecurinë e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar; rrugët dhe proceset përmes të cilave mori formë identiteti dhe ideologjia kombëtare; rolin që luajti nacionalizmi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe ndikimin që pati shteti shqiptar në përhapjen e ideologjisë së nacionalizmit. Punimi studion së pari, zanafillën, karakterin e nacionalizmit shqiptar, kushtet historike dhe faktorët që çuan shqiptarët drejt formimit të shtetit të tyre të pavarur; Së dyti, veprimtarinë dhe problemet me të cilat është ndeshur nacionalizmi shqiptar në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar; Së treti, marrëdhënien e grupeve të nacionalizmit me shtetin shqiptar; Së katërti, rrymat e shfaqura brenda nacionalizmit shqiptar dhe alternativat e parashtruara prej tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare. 

FAKTORËT QË KANË NDIKUAR MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR

Faktorët që kanë ndikuar mbi nacionalizmin shqiptar janë të shumtë, të brendshëm, të jashtëm dhe në disa raste të hershëm në kohë. Çështja e nacionalizmit shqiptar është trajtuar edhe më parë nga historiografia shqiptare. Në disa prej këtyre studimeve ka raste ku lihen mënjanë dobësitë e faktorit shqiptar. Ngjarjet dhe personalitetet historike që kontribuan për lindjen dhe përhapjen e ideologjisë kombëtare janë aq të shumtë në numër, sa që çdo kërkues shkencor do ta kishte të vështirë t’i studiojë, t’i shoshisë, t’i lidhë së bashku dhe t’i nxjerrë në dritë. Gjatë punës për realizimin e këtij punimi, është bërë përpjekje për të qënë sa më objektiv dhe në kërkim të shkaqeve historike që kanë nxitur dhe penguar zhvillimin e nacionalizmit shqiptar. Ky studim është trajtuar, duke kombinuar parimin tematik me atë kronologjik. Për përgatitjen e saj, jam mbështetur si në burimet arkivore shqiptare, austro-hungareze, britanike dhe italiane. Po kështu, të pasura janë të dhënat e shtypit shqiptar, të cilat hedhin dritë për të gjitha etapat në të cilat kaloi nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924. Ky studim mbështetet gjerësisht edhe në literaturën historiografike shqiptare dhe të huaj. Përveç autorëve shqiptarë që janë marrë me këtë periudhë, kemi përdorur edhe studimet e autorëve perëndimorë, të cilët dallohen për lirinë e mendimit në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me këtë temë. Gjatë studimit, më ka tërhequr vëmendjen këndvështrimi i studiuesit të njohur Anthony D. Smith, një nga përfaqësuesit kryesorë të shkollës së etno-simbolizmit, i cili mbështet idenë se kombi është njëherësh fenomen modern, po aq edhe paramodern. Përfundimet e studiuesit Miroslav Hroch, veçanërisht sa i përket fazave të zhvillimit dhe përhapjes së ideologjisë nacionaliste janë përdorur në këtë punim shkencor. Me interes për shtjellimin e kësaj teme kanë qenë edhe mendimet e studiuesit John Breuilly. 

NACIONALIZMI SHQIPTAR, SFIDA DHE VËSHTIRËSI

Gjatë punës sonë kemi ndeshur edhe disa vështirësi. Së pari, trajtimi i kësaj teme është multidisiplinar. Së dyti, ideologjia e nacionalizmit vazhdon të jetë ende pjesë e ligjërimit të epokës sonë. Prandaj, trajtimi i kësaj teme, kërkon një analizë objektive të kujdesshme. Së treti, trajtimi i nacionalizmit në këndvështrimin historik paraqet vështirësi në gërshetimin e tematikës me kronologjinë historike. Së katërti, materiali i nevojshëm dokumentar dhe literatura kanë qenë mjaft të shpërndara dhe në gjuhë të huaja. Përveç kësaj, vëzhguesit e asaj kohe si dhe studiuesit që janë marrë me çështjen e nacionalizmit shqiptar për probleme të veçanta kanë shprehur mendime të ndryshme dhe në disa raste kontradiktore. Kjo ka ardhur për shkak të interesave personale apo të shteteve që përfaqësonin, por që kanë çuar deri në shtrembërimin e fakteve historike. Punimi ynë përbëhet nga hyrja dhe tetë krerë. Në kreun e parë, kemi trajtuar nacionalizmin shqiptar si fenomen politik. Në kreun e dytë, nacionalizmi shqiptar është vështruar në raport me faktorët ndërkombëtarë. Kreu i tretë, trajton krizën e nacionalizmit shqiptar që u shoqërua me shpërbërjen e shtetit shqiptar. Kreu i katërt, i kushtohet dilemave të nacionalizmit shqiptar për arritjen e paqes pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i pestë, analizon përpjekjet dhe mangësitë e nacionalizmit shqiptar në procesin e ribërjes së shtetit. Kreu i gjashtë, pasqyron raportet e nacionalizmit shqiptar me institucionet fetare. Kreu i shtatë, trajton raportet që ndërtoi nacionalizmi shqiptar me minoritetet në Shqipëri. Kreu i tetë, analizon problemet që çuan në përçarjen e nacionalizmit shqiptar. Punimi mbyllet me burimet arkivore dhe literaturën historiografike. Me këtë rast e ndjej obligim t’i shpreh falenderimet e mia për motrën time Albana, udhëheqësen shkencore të tezës sime doktorale, Prof. dr. Fatmira Musaj, recensentëve të kësaj monografie, Akademik prof. dr. Beqir Meta, Akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Prof. assoc. dr. Anton Panchev, të cilët i falenderoj përzemërsisht për vërejtjet e sugjerimet me vlerë. 

KUSH E NXITI LINDJEN E NACIONALIZMIT SHQIPTAR?

Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Mundësia e copëtimit të tokave të banuara shqiptarët nga shtetet fqinje, mbeti një shqetësim dhe rrezik permanent për banorët e këtyre viseve. Nacionalizmi shqiptar është zhvilluar me ritme progresive të shpejta gjatë çerekut të parë të shekullit XX. Natyrisht, përhapja e nacionalizmit shqiptar në mesin e banorëve nuk ka ecur gjithnjë në mënyrë drejtvizore. Procesi i ndërtimit të kombit shqiptar ka njohur uljet dhe ngritjet e tij në disa momente të shkurtra. Nacionalizmi shqiptar nuk është nacionalizmi më i ri dhe as më i fundit në Ballkan. Ideologjia kombëtare është shfaqur pothuajse në të njëjtën kohë te shqiptarët, siç u shfaq edhe te popujt e tjerë ballkanikë, por shqiptarët vonuan pak më tepër se fqinjët për formimin e shtetit kombëtar. Ndryshe nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë, nacionalizmi shqiptar nuk u mbështet në doktrina fetare, por për shkak të vështirësive të tij të brendshme e të jashtme, ndryshe nga nacionalizmat fqinj, ai u përpoq të zbatonte parimin e njohur të Revolucionit Francez të vitit 1789 “Liri, barazi, vëllazëri”.

NACIONALIZMI SHQIPTAR I PËRKET MODELIT TË NACIONALIZMIT ETNIK

Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik, megjithatë për shkak të ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nga fillimet e tij dhe gjatë gjithë periudhës së marrë në studim, ai ka shfaqur një natyrë mbrojtëse. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, detyrat kryesore që qëndronin para nacionalizmit shqiptar ishin: Ngritja e strukturës së shtetit shqiptar; “bërja e shqiptarëve” si komb modern; mbrojtja e territorit të shtetit shqiptar nga rreziku i aneksimit prej shteteve fqinje si dhe përpjekja për të gjetur mundësinë e bashkimit të trojeve etnike të banuara në shumicë nga shqiptarët. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, nacionalizmi shqiptar i konsideroi të padrejta dhe nuk i pranoi vendimet e këtij forumi ndërkombëtar. Sipas këndvështrimit të nacionalistëve shqiptarë, më shumë se gjysma e trojeve të banuara nga shqiptarë mbetën jashtë shtetit shqiptar. 

DY GRUPIMET KRYESORE BRENDA NACIONALIZMIT SHQIPTAR  

Pas vitit 1913 deri në vitin 1924 (e më vonë), brenda nacionalizmit shqiptar kanë ekzistuar dy grupime kryesore: 1. Grupimi i nacionalizmit të moderuar,i cili mendonte se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe Çamëri” dhe 2. Grupimi i nacionalizmit irredentist, anëtarët e të cilit mendonin se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. Të gjitha lëvizjet kryengritëse brenda shtetit shqiptar në periudhën 1912-1924 janë zhvilluar gjoja si “lëvizje të kombëtarëve” për të përmbysur “antikombëtarët”. Kjo ka rrënuar themelet e shtetit dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve. Në zhvillimin e ideologjisë kombëtare në harkun kohor 1919-1924 pati ndikim Lufta e Parë Botërore dhe sidomos ngritja e një administrate shqiptare sipas modelit perëndimor gjatë këtyre viteve. Në periudhën e mëvonëshme, modeli austro-hungarez dhe francez i administratës publike u mor si model nga nacionalistët shqiptarë. Gjatë viteve 1912-1924, dobësia kryesore e nacionalizmit shqiptar ishte ekzistenca në mënyrë permanente e një shteti të dobët, ndërkohë që kjo dobësi është shfrytëzuar me mjeshtëri nga shtetet fqinje për synimet e tyre ekspansioniste. Konsolidimi i shtetit shqiptar mbeti një brengë e vazhdueshme për këtë nacionalizëm.

NACIONALIZMI SHQIPTAR NJOHU NJË RRITJE VEÇANËRISHT NGA VITI 1920

Nacionalizmi shqiptar njohu një rritje veçanërisht nga viti 1920 e më pas. Qeveria e Sulejman Delvinës dhe ajo e drejtuar nga Ahmet Zogu kontribuan mjaft jo vetëm në ringritjen e shtetit kombëtar shqiptar, forcimin e sovranitetit, afirmimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare por edhe në nxitjen e mobilizimit social të shqiptarëve. Në vitet 1921-1924, jetën politike dhe kombëtare të shqiptarëve e dominuan disa figura kryesore të nacionalizmit shqiptar: Fan Noli, Ahmet Zogu dhe Faik Konica. Ahmet Zogu synonte stabilizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, duke u mbështetur në parimin se kombi shqiptar kishte nevojë për forcimin e autoritetit të shtetit dhe kjo arrihej vetëm përmes zbatimit të ligjit me dorë të fortë. Nga ana tjetër, Fan Noli si drejtues i opozitës mendonte se vendi nuk mund të zhvillohej përmes mënyrës autoritare. Fan Noli dhe Faik Konica mendonin se për të vendosur stabilitetin e brendshëm të shtetit shqiptar duhej të shmangeshin shkaqet politike, ekonomike dhe sociale që nxisnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre dhe që çonin shqiptarët në kryengritje të njëpasnjëshme. Ata mendonin se krahas zhvillimit ekonomik, vendi kishte nevojë edhe për vendosjen e një sistemi demokratik parlamentar. Ndonëse në këtë periudhë u hodhën themelet e traditës parlamentare shqiptare, ky model nuk ndikoi në stabilizimin e shtetit shqiptar.

ÇFARË NDIKOI NË DOBËSINË E NACIONALIZMIT DHE TË SHTETIT KOMBËTAR

Në dobësinë e nacionalizmit dhe të shtetit kombëtar ka ndikuar ruajtja nga periudha e kaluar e karakterit lokalist dhe e sedrës së sëmurë egoiste të një pjese të mirë të nacionalistëve shqiptarë. Për shkak se shteti shqiptar nuk arriti të konsolidohej, nacionalizmi shqiptar mbeti më i dobët krahasuar me nacionalizmat e tjerë të vendeve të Ballkanit. Për rrjedhojë, nacionalizmi shqiptar mbeti një kërcënim më i vogël për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit. Ideologjia e nacionalizmit shqiptar u mbështet në ligjërimin e “orientalizmit”. Sipas këtij diskursi, shqiptarët duhej të “arratiseshin nga Lindja”, pasi kjo e fundit ishte burimi i të gjitha të këqijave, ndërsa kultura dhe mënyra perëndimore e jetesës ishin mishërim i “së mirës dhe i progresit”. Ndërtimi i një administrate publike profesionale dhe kujdesi i shtetit ndaj qytetarëve të saj pa asnjë lloj dallimi, përmirësimi në mënyrë sa më të shpejtë i nivelit të mirëqënies ekonomike dhe kulturore të qytetarëve do të kishin qenë faktorët kryesorë që do të mund të forconin rolin dhe kontributin e shtetit dhe të kombit shqiptar në rajon. Për nacionalizmin shqiptar njësoj si edhe tek nacionalizmat e tjerë, territori ishte një nga elementët thelbësorë për ekzistencën kombëtare. Megjithatë studimet mbi nacionalizmin dëshmojnë se, faktori kryesor që e bën një komb të pasur e të fortë, nuk është sipërfaqja e territorit që zotëron një shtet i caktuar, por ritmi i zhvillimit ekonomik, social dhe politik i tij. Ecuria e zhvillimit të nacionalizmit dhe shtetit kombëtar shqiptar është mishëruar në shprehjen e njohur të Faik Konicës, botuar në gazetën “Dielli” në Boston Mass.:“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria-fjalë fatale-vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: “U- ngjall nga idealistët; U- ruajt nga rastet; U-vra nga politikanët”.

Filed Under: Analiza Tagged With: 1912-1924, Nacionalizmi shqiptar, Sali Kadria, Sokol Paja

Për një nacionalizëm modern shqiptar

July 6, 2020 by dgreca

Nga Marjana Bulku/Nacionalizmi modern, një shkencë e munguar por gjithmonë prezente në jetën tonë ku dominimi i politikës i ka eklipsuar ngjyrat e nacionalizmit kaq të nevojshëm për ruajtjen e autenticitetit në kushtet e globalizimit kulturor.

Ndërkohë që valët e emigrimit bënë që pjesa më e madhe e shqiptarëve të jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike nacionalizmi mbetet një bazë e fuqishme për edukimin e vlerave identitare.

Po a i ka pasur Shqipëria kushtet për ta forcuar dhe pasur prezent nacionalizmin etnik, romantik, gjuhësor, fetar apo kulturor?!

Edhe pse shumë prej tyre interferojnë njëri-tjetrin edukimi me këto ndjesi nacionaliste në trojet tona ka munguar edhe pse pa frikë duhet pohuar që territorit shqiptar nuk i kanë munguar kalatë shekullore, kullat e lashta, veshjet tradicionale plot kolorite lokale, histori të pa shkruara, folklor i pasur, objekte kulti, artistë, nobelistë madje edhe shenjtorë. Pra Shqipëria e ka pasur plotësisht terrenin e duhur për ta ngritur nacionalizmin në nivelet e modernes.

Specifikisht nacionalizmi romantik që pikturohet nga vargjet e Bajronit, i cili i bëri përmendore natyrës, cilësive, heroit, duke tipizuar vendin tonë si: “Shqipëri, vendi ku lindi Iskanderi, o nënë e rreptë burrash të ashpër e fisnikë”, një natyralizëm kaq organik i cili e ka të shtruar terrenin folklorik, historik dhe kulturor”.

Kur ndjek komunitetin irlandez në USA  duket sikur prek me dorë kulturën e tyre, veshjet e tyre, stilin e tyre të jetesës deri në ngjyra e arredim. Edukimi me vlerat kombëtare bëhet përmes nxitjes së ndjesive nacionaliste, pa zhurmë e bujë, bëhet përmes njohjes së historisë dhe folklorit pse jo edhe fesë si rruga më e mirë e zhvillimit të virtyteve. Shembulli i përkryer i nacionalizmit diasporik është komuniteti jezuit në USA por kudo ato janë nëpër botë, një nacionalizëm fetar që edukon të gjitha elementet (etnik, gjuhësor, ideologjik, kulturor), njē model i pa të dytë por nga ku kupton se emigrimi masiv, shpërndarja e shqiptarëve kudo në botë e bën të domosdoshëm një sjellje të re në jetesën e re, në tokën e re, eksportimin e nacionalizmit që mbase mund të quhet nacionalizëm diasporik.

Eksportimi i tipareve rrënjësore, ruajtja e tyre, transmetimi i tyre në mjedisin e ri jo vetëm që identifikon kombësi por edukon vlera historike e kulturore. Tetorin e kaluar një komunitet italo-arbëresh në Nju Jork e shfrytëzoi Kolumbus Day  Parade, traditën 73 -vjeçare nju jorkeze, për të shpalosur kulturën arbëreshe, ku veshjet, këngët, flamuj edhe shqiptarë, bënë paradë avenjuve më të famshme të metropolit amerikan ku performonin 100 grupe dhe mbi 35 mijë artistë të cilët nderonin identitetin e tyre, e ku arbëreshët tanë parakaluan me dy flamuj atë shqiptar dhe italjan por me gjuhën e gjallë arbëreshe që i bën ende krenarë ata por edhe ne. Nacionalizmi diasporik dhe edukimi i brezave me të duket si një mundësi e re të ardhmes si një qasje ndaj kulturës tonë ku jo vetëm simbolet dhe flamuri janë identitet përbashkues, por edhe folklori, historia dhe mbi të gjitha kultura jonë e cila ka në themele vlera , emra, vepra me të cilat mund të nxitet një e ardhme më e mirë.

Filed Under: Mergata Tagged With: Marjana Bulku, Nacionalizmi shqiptar

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.

April 7, 2020 by dgreca

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij /

Nga Eugjen MERLIKA/ Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

                        Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

                        Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi traktativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos : 

                        “Viti 1938

                        30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

                        10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

                        Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

                        19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

                        Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

                        Ishte parahyrja e luftës së dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

                        Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj. 

                        Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

                        “…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..

                        Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

                        Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:  

                        “…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]   

                        Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

                        Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

                        Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

                                                                                                            (VIJON)


[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 prilli, Eugen Merlika, Nacionalizmi shqiptar, Pushtimi fascista

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT