• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thoni ndal urrejtjes fetare ndër shqiptarët!

September 8, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Prej shumë kohësh ka një debat idiot me kundërshti religjioze, si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Në vend që të vemë vetullat, me këtë debat duket se ne shqiptarët po nxjerrim sytë. Anatemimet, ofezat, etiketimet, akuzat, janë shndërruar në një trend diskutimi sidomos në rrjetet sociale, por dhe në debate televizive. Vlerësoj se debati për çeshtje të ndryshme dhe ato religjioze është i dobishëm dhe e shëndosh një shoqëri, gjithnjë kur zhvillohet bazuar në fenomene konkrete, të cilat e dëmtojnë shoqërinë. Por çfarë ve re në debatin religjioz të kohëve të sotme? 1. Ky lloj debati i egër, mesa kam lexuar për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, nuk ka ekzistuar në asnjë kohë më parë. Gjakrat janë nxeh në atë masë, sa duket sikur dita-ditës do shpërthejë ndonjë murtajë, si ato që kanë kaluar vende të tjera ku kanë bashkëjetuar disa religjione. Ofezat dhe mallkimet gjithnjë e më shumë po përfshijnë komunitete të tëra dhe jo vetëm individë të caktuar. Kjo është e rrezikshme për harmoninë dhe ekuilibrin fetar, social dhe kombëtar. Të gjithë ata që shiten “më katolik se Papa”, duke sulmuar me urrejtje njërin ose tjetrin religjon, i kontribuojnë prishjes së këtij ekuilibri. Kjo do të thotë urrejtje, dasi, përçarje dhe më në fund, mos e dhashtë Zoti, edhe konflikt. 2. Në debat janë përfshirë dhe disa “mendje të ndritura” të publicistikës, por fatmirësisht ende nuk kemi ndonjë përpjekje të politikës për t’i trazuar ujërat e përçarjes. Këto mendje të shkolluara, nën petkun e një farë statusi të personit publik, po përpiqen të hedhin benzinë në zjarrin e urrjetjes fetare e kombëtare në Shqipëri dhe po realizojnë një mision shkatërrues për vendin. Opinionistë të tillë kanë shkuar deri aty sa të marrin përsipër të numërojnë një për një se kush në këtë vend qenka kristian e kush musliman?! Diabolizmi mediatik i këtij vendi nuk njeh asnjë kufi. Në vend që këto mendje të bëjnë studime, ekspertiza, anketime të opinionit, me qëllim shëndoshjen e shoqërisë, ushqejnë urrejtjen e injorantëve, duke ndikuar negativisht në atmosferën kritike të situatës që është krijuar. 3. Në komunitetin musliman ndonjë eksponent po shfaq qëndrime ekstreme fetare, deri në kufijtë e identifikimit kombëtar me identifikimin fetar. Nëse kjo ndodh me religjionet në Shqipëri, atëherë të gjithë shqiptarët do të duhej të mos ishin shqiptarë, por një pjesë turq a arabë, sipas ndikimit fetar islamik, disa grekë, serbë a rus, sipas ndikimit të fesë ortodoksë, të tjerët italianë, austriakë, kroatë, gjermanë a spanjollë, s’ka rëndësi, por shqiptarë jo. Ky lloj paradoksi nuk ishte parë ndonjëhherë më parë. Dhe e gjitha kjo po vjen si rezultat i një debati publik përgjithësues e jo për çeshtje të veçanta të luftës kundër ekstremizmit fetar. Nga kjo panoramë pesimiste e zhvillimeve në këtë aspekt, duket se dikush kërkon jo vetëm nxitjen e ekstremizmit fetar, veçanërisht atij islamik në vendin tonë e te shqiptarët, por edhe luftën midis shqiptarëve. Kjo është mënyra më perfekte për qarqet antishqiptare, me qëllim ndaljen e proceseve të zhvillimit të kombit shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, I Thoni ndal, NDËR SHQIPTARËT, urrejtjes fetare

KONFUZIONI I PESË ANARKIVE NDËR SHQIPTARËT

March 2, 2015 by dgreca

ME RASTIN E 50 VJETORIT TË VDEKJES SË FAN NOLIT/
Nga Frank Shkreli/
Ish kryeministri i Shqipërisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Peshkop Fan Noli ndërroi jetë me 13 Mars, 1965 në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida në Shtetet e Bashkuara, nga një sëmundje e rëndë në moshën 83-vjeçare. Ai kishte jetuar atje gjatë disa viteve të fundit të jetës së tij pothuaj i izoluar nga jeta aktive politike dhe shoqërore.
I përndershmi Imzot Fan Noli konsiderohet si njëri prej më të dalluarve të politikës shqiptare të shekullit të kaluar, si një ndër më të njohurit udhëheqës fetarë shqiptarë si dhe ndër më të shquarit shkrimtarë, poetë e përkthyesë, ndër të tjera. Në moshë të re ai kishte emigruar në Boston të Shteteve të Bashkuara, ku më 1908 themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Fan Noli gëzon një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe si përkëthyes i veprav e letrare me fame botërore. Talentet e Nolit në fushën e letërsisë, përkëthimit dhe të poezisë njiheshin edhe jashtë botës shqiptare. Në Korrik të vitit 1964, me rastin e 400-vjetorit të Shekspirit, së bashku me disa personalitete të letërsisë botërore, Fan Noli ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Lyndon Johnson për të marrë pjesë në përkujtimin e rastit.
Fan Noli diplomohet në njërin prej universiteteve më të dalluar të Amerikës dhe të botës, në Universitetin Harvard. Ai zhvilloi një aktivitet të ngjeshur politik dhe shoqëror në komunitetin e atëhershëm shqiptaro-amerikan në Boston të shtetit Masaçusets, ku shërbeu si President i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj gazetës Dielli, duke e bërë atë de fakto udhëheqësin kryesor të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Si njëri prej arkitektëve të një partie politike shqiptare të tipit perëndimor, ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në fillim të 1920-ave. Me përpjekjet e tija diplomatike në mbështetje të Shqipërisë dhe të sovranitetit të saj, ai mundi të siguronte përkrahjen e Presidentit amerikan të kohës së tij, Woodrow Wilsonit për shtetin e ri shqiptar dhe me zotësitë e tija politike dhe falë rolit të tij diplomatik, Fan Noli siguroi edhe antarësimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve — para-ardhësen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara – duke i siguruar vendit të tij njohjen ndërkombëtare mbrenda kufijve të sotëm, njohje që i mungonte deri atëherë shtetit të ri shqiptar.
Me ardhjen e Mbretit Zog në fuqi, Fan Noli detyrohet të arratiset në Europën Përendimore, duke i dhënë fund një eksperimenti politik shqiptar që konsiderohet nga disa si periudha e lirisë së vërtetë dhe e një parlamentarizmi të pashoqtë në jetën politike shqiptare gjatë viteve 1921-1924.
Gjëndja e kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar ishte e mjerueshme. Ndërkohë që popujt ballkanikë po i jepnin grushtin e fundit sundimit shekullorë të perandorisë otomane, shqiptarët të ndarë e të përçarë në krahina e besime të ndryshme dhe me paragjykime dhe inate ndaj njëri tjetrit, po kalonin nepër një konfuzion dhe njëkohsisht po përballeshin me një anarki politike, shoqërore dhe morale. Ndër shqiptarët, sundimi otoman kishte lënë gjurmë prapambeturie mjesjetare që nuk do të fshiheshin kollaj. Ishte kjo një periudhë kur populli shqiptar rrezikohej nga armiqtë shekullorë të kombit shqiptar, ndërsa vetë shqiptarët kërcënoheshin nga një anarki politike e mbrendshme, e cila rrezikonte jetën e përditshme dhe sado pak pasuri që posedonin shqiptarët e thjeshtë. Ishte kjo gjëndja e vërtetë me të cilën përballej Fan Noli në fillim të 1920-ave, një errësirë kombëtare dhe morale kjo e cila, për fat të keq, do të afektonte të ardhmen e kombit dhe fatet e tija për dekada me radhë.
Ishte ky një realitet që i tronditi shpirtin dhe zemrën Fan Nolit, një aktualitet i shoqërisë shqiptare që Noli ndjeu thellësisht për popullin e tij shumë të vuajtur, i lënë në mëshirë të Zotit nga të huajt dhe nga udhëheqsit e tij. Siç duket, i lodhur shpirtërisht dhe politikisht dhe i vetdishëm ndaj asaj që ai ka cilësuar si anarki politike dhe morale të asaj kohe, Fan Noli i bën një analizë — mund të thuhet një analizë të qëlluar të politikës shqiptare të afër një shekulli, ndërkohë që i mbetet lexuesit ta vlersojë se sa krahasuese është analiza e Nolit e shkruar me 27 shtator, 1923 me gjëndjen e sotëme të aktualitetit politik, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Në analizën e tij, Fan Noli deklaronte në vitin 1923, me një ton dëshpërimi se:
“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkretuar anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e ketyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.”
Fan Noli, i diplomuar nga një prej universiteteve më me famë botërore, kishte mundësinë të jetonte shumë mirë në Amerikë dhe të mos çante kokën se ç’po ndodhte në Shqipëri. Ai mund ta bënte këtë ndoshta si një profesor në ndonjë universitet të njohur amerikan, apo në ndonjë fushë tjetër veprimtarie akademike, por jo. Ai, si edhe shumë bashkpuntorë të tij, si Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Bajram Curri e të tjerë, vendosi që t’i dedikonte kombit të vet të gjithë energjinë mendore dhe fizike si dhe talentet e shumëta që i kish falë Perëndia. Por megjithë trajtimin që mori dhe megjithë anarkinë që la pas në vendin e tij — Fan Noli zgjodhi Amerikën, vendin e lirisë dhe të demokracisë, ku u vendos përfundimisht, për të vazhduar t’i dedikonte të gjitha fuqitë e tija për të mirën e fatit të kombit shqiptar dhe të idealeve të atdheut – drejtë një realizimi ku shqiptarët, më në fund, të gjejnë një vatër të përbashkët lirie, demokracie, paqeje dhe mirëkuptimi për bashkjetesë — veprimtari të cilat ai nuk i ndërpreu deri në vdekjen e tij 50-vjetë më parë, në mars të vitit 1965, në qytetin Fort Lauderdale të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara. Për kontributet e mëdha historike dhe për rëndësinë e veprës së tij, Fan Noli duhet të kujtohet në këtë përvjetor dhe përgjithmonë, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan të cilin ai e udhëhoqi për shumë vite dhe me të cilin bashkpunoi ngusht tërë jetën për të mirën e kombit të vet – por nga të gjithë shqiptarët kudo.
Nga Frank Shkreli

FAN NOLI:
Jepni Për Nënën
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Filed Under: ESSE Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, KONFUZIONI I PESË ANARKIVE, NDËR SHQIPTARËT, vdekja e Nolit

IMAM VEHBI ISMAILI, PATRIOT, NJERI I FESË DHE DISHEPULL I TRADITËS SË TOLERANËS FETARE NDËR SHQIPTARËT

August 19, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Siç është njoftuar më heret, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë të Djelën më 21 shtator. Gjatë këthimit të tij me aeroplan nga Seuli për në Romë të hënën, Papa zhvilloi një seancë me gazetarët që e kishin shoqëruar në vizitëne tij Koresë së Jugut. Ndër pyetjet e shumëta të gazetarëve që kishin të bënin me gjëndjen aktuale në botë, udhëheqsi i Kishës Katolike u pyet edhe se pse kishte zgjedhur të vizitonte Shqipërinë në shtator. Në përgjigje të pyetjes, Ati i Shënjtë — sipas Radio Vatikanit — nënvijoi se ai nuk po vizitonte Shqipërinë, siç kanë supozuar disa, se sipas tyre, është në stilin e Papës për të filluar në “periferi”. Radio Vatikani njofton Papa u tha gazetarëve, se ai po viziton Shqipërinë për dy arsye të rëndësishme:“e para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.” Papa Françesku u tha gazetarve se arsyeja e dytë me rëndësi se pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio Vatikanit,gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik, është cituar të ketë thënë Papa.
Duke u bazuar në prononcimet e Vatikanit dhe të deklaratave të vetë Papa Françeskut, është e qartë se njëra prej arsyeve kryesore që ai ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë pikërisht në këtë moment të historisë, ka të bëjë me vlerësimin e madh që Selia e Shënjtë i kushton harmonisë dhe tolerancës fetare ndër shqiptarët.Është kjo një traditë me të cilën shqiptarët kudo, me të drejtë, mburren.Por kjo harmoni nuk ka pikur nga qielli, por ka tani dhe ka pasur mbështetsit dhe promovuesit e saj, pikëspari në radhët e udhëheqsve fetarë të tri besimeve kryesore, tani dhe në të kaluarën, si mbrenda trojeve shqiptare ashtu edhe në mërgim.
Njëri ndër ta në mërgim ka qenë Imam Vehbi Ismaili, një udhëheqës i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe i atij mysliman në veçanti.I njohur mirë mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare, i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i lindur në Shkodër, kashërbyer për disa dekada si udhëheqësi i Qendrës Islame Shqiptare në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si udhëheqës fetar dhe atdhedashës i dalluar, gëzonte një respekt jashtzakonisht të madh nga i mbarë komuniteti, pa dallim feje e krahine.Jeta dhe veprimtaria e tij është shumë e pasur në shumë fushë, por për qëllimet e këtij shkrimi modest dhe për kohën që jetojmë, e kujtojmë Imamin e ndershëm, sidomos për kontributin e tij të madh dhe të pashkyeshëm në harmoninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve pa dallim feje — në vigjilje të vizitës së njoftuar të Papës në Shqipëri, siç duket si njëra prej dy arsyeve kryesore që ai po viziton shqiptarët. Tradita e harmonisë fetare midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme simbolizohej më së miri nga jeta dhe veprimtraia e Imam Vehbi Ismailit. Ai ndërroi jetë më 2008, por trashëgimia e tij në fushën fetare dhe kulturore është gjithnjë frymëzuese për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve, dhe jo vetëm në Amerikë. Ai gjithë jetën e kaloi në shërbim të fesë dhe të Atdheut, si promovues i harmonisë fetare dhejo vetëmnë radhët e shqiptarëve, por edhe më gjërë. Ky qendrim i tij vihej në dukje kurdoherë që fliste.
Një rast i tillë që ende mbahet mend nga pjesmarrlsit, ishte pothuaj 30 vjetë më parë, më 1985 kur Qendra Katolike Shqiptare për Informim, në San Francisko të Kalifornisë pat organizuar një ceremonipërkujtimore me rastin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste. Ironikisht, por ndoshta simbolikisht, diktatori Enver Hoxha, shtypësi i fesë dhe i të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, vdiq në vigjiljen e mbajtjes së Përkujtimores, tema e së cilës ishte paqa dhe pajtimi dhe njëherazi u bë thirrje për një përpjekje të shërimit të plagëve kombëtare. Në këtë ceremoni përkujtimore pat marrë pjesë edhe Imam Vehbi Ismaili, i cili me fjalimin e tij bëri që i gjithë kongregacioni të ngrihej në këmbë me duartrokitje. Në atë fjalim, përmbajtja e të cilit rezonon aq fuqishëm dhe është profetizues edhe për ditët tona, Imami shqiptar iu drejtua pjesmarrësve, ku përveç shqiptarëve kishte edhe shumë amerikanë dhe përfaqsues të kombësive të tjera, duke thënë se, “Jetojmë në një botë, të rrezikshme – në një botë ku forcat e errëta të fanaticizmit – politik, fetar dhe racial –kanë ndërmarrë një sulm frontal kundër vlerave morale dhe shpirtërore, të cilat janë pjesë e përvojave tona, kryesisht e trashëgimisë sonë fetare. Luftërat e ashpëra dhe primitive” tha ai,“konkurojnë me urinë dhe sëmundjet për të zënë vendin e parë, në një garë që po kërcënon themelet bazë të jetës dhe të shoqërisë tonë.Lufta midis të keqës dhe të mirës ka arritur proporcione të pashembullta” theksoi ai.“Nuk është kjo një luftë e një feje kundër tjetrës, por është vetë feja që po kërcënohet që të zhduket nga faqja e dheut.Feja është bërë objekt sulmi i forcave të verbëta të së keqës dhe të shaktërrimit”, tha Imam Vehbi Ismaili, 30-vjetë më parë në fjalimin e tij në San Francisko të Kalifornisë.Duke falënderuar organizatorët e ceremonisë së përkujtimit të persekutimeve fetare në Shqipëri për ftesën që i kishin bërë, Imam Vehbi Ismaili tha me atë rast se kishte dy arsye se pse ai e ndjente si një detyrim të ishte i pranishëm në atë ceremoni. Njëra arsye për pjesëmarrjen e tij, shtoi ai, si udhëheqës fetar ishtee shënjtë dhe “arsyeja e dytë ishte njerëzore, e cila ka një vlerë njerëzore universale.” Ai theksoi se, “Të gjithë ne, pa përjashtim jemi krijesa të Perëndisë, të një familjeje të madhe dhe unike…Si mysliman” vazhdoi ai, “unë e ndjejë veten pjesë e kësaj familjeje njerëzore, të një familjeje të vetme dhe të pandarë… vëllëzer e motra , pjesëtarë të races njerëzore”. Imam Vehbiu vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se , “Vrasja e një prifti të krishtërë ose të një imami mysliman në Shqipëri ose në Kinë, ose të një të burgosuri shqiptar në Jugosllavi, ose të një hebreji të torturuar në Bashkimin Sovjetik, ose vrasja e një zezaku në Afrikën e Jugut…të gjitha këto janë plagë të pashërueshme që brengosin dinjitetin tonë njerëzor dhe si të tilla duhet të kundërshtohen me të gjitha fuqitë dhe pa marrë parsyshë pasojat…ne duhet të shohim, të dëgjojmë, dhe të flasim me qëllim për të ndaluar, në të ardhmen, holokauste kundër njerëzimit. Çdo gjë më pak do të ishte baraz me tardhëtinë kundër njerëzimit”, ka thënë Imam Vehbi Ismaili.

Duke folur për harmoninë dhe tolerancën fetare, që siç tha ai është një subjekt shumë afër zemrës dhe veshit të tij, ai u shpreh se, “Ndoshta shëmbulli më i mirë i bashkpunimit dhe tolerancës midis feve dhe besimeve të ndryshmemund të gjëndet këtu, në këtë shtet të bekuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht në radhët e besimtarëve shqiptarë në këtë vend.70-vjetë më parë kur ortodoksit shqiptarë morën iniciativën për të ndërtuar kishat e tyre në Amerikë, myslimanët shqiptarë”, tha ai, “kontribuan bujarisht për ndërtimin e faltoreve ortodokse shqiptare.35-vjetë më parë kur myslimanët shqiptarë filluan ndërtimin e xhamisë së parë në Detroit, ortodoksit shqiptarë ndihmuan gjithashtu bujarisht.Dhe kohët e fundit2 vazhdoi Imam Vehbiu, “kur vëllezërit dhe motrat tona katolike shqiptare filluan fushatën për ndërtimin e kishave të tyre në New York dhe në Detroit, në xhamitë tona u mblodhën fonde për ndërtimin e kishave katolike në Amerikë.Kjo është Amerika! Kjo është Shqipëria në liri.Kjo është ndërgjegjia më e lartë njerëzore”, përfundoi Imam Vehbi Ismaili fjalimin e tij 30-vjetë më parë, me rastin kujtimit të 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste.

Ky ishte Imam Vehbi Ismaili, shembull fetari dhe patrioti, i cili së bashku me Imzot Fan Nolin dhe me klerikët katolikë shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshin dhe Don Prenk Ndreavshajn, ndër të tjerë, njëkohësisht si patriotë dhe fetarë që ishin, ata e dalluan veten si bartës të traditës shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, duke mos humbur kurrë dashurinë e tyre për atdheun.
Jetën dhe veprimtarinë e Imam Vehbi Ismailit e përmblodhi më së miri redaktori i Shtëpisë botuese Logos-A në Shkup – e cila ka botuar përmbledhjen prej disa vëllimesh të veprave të Imam Vehbi Ismalit, Z. Afrim Gashi i cili duke pasqyruar, në një intrevistë me Zërin e Amerikës, vlerat fetare dhe patriotike të Imam Vehbiut, u shpreh se, “Ajo që na dallon ne shqiptarëve nga popujt e tjerë, është edhe mënyra si e praktikojmë ne Islamin, sepse tek shqiptarët Islami nuk është përplasur me kulturën shqiptare, kështuqë feja dhe kultura shqiptare kanë bashkëjetuar mes tyre. Veprat e Imam Vehbi Ismailit, jeta dhe veprimtaria e tij në Shtetet e Bashkuara është tregues se Islami te shqiptarët dallohet nga ai te kombet e tjerë”, tha Z. Gashi.
Kontributi i Imam Vehbi Ismailit, me shmbullin e tij dhe me shkrimet dhe veprimtarinë e tij, mbetet tepër i madh edhe gjithnjëmbahet mend si klerik dhe patriot i dalluar në radhët e shqiptarëve të gjitha feve, si promovues i harmonisë, tolerancës, bashkjetesës dhe respektit ndaj njëri tjetrit, pa marrë parasyshë dallimet fetare ose krahinore që mund të ekzistojnë. Ai është mishërim i i dashurisë së tij për fenë dhe për Atdheun. Ai është cituar të ketë thënë me një rast se, “Një klerik i ndershëm, nuk e tradhëton kurrë atdheun.”
Nderim dhe respekt për trashëgiminë e traditës së harmonisë fetare ndër shqiptarët dhe për kontributin në këtë fushë të Imam Vehbi Ismailin, kësaj figure të shquar atdhetare dhe fetare të kombit shqiptar, të kësaj tradite dhe trashëgimie ndër shqiptarët, për të cilën edhe Papa Françesku u prononcua para botës sepo shkon në shtator në Shqipëri për të adhuruar këtë traditë tolerance dhe harmonie fetare dhe njëkohësisht, siç u shpreh ai vet, që me praninë e tij në Shqipëri, t’u thotë,“të gjithë popujve se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, I TRADITËS SË TOLERANËS FETARE, IMAM VEHBI ISMAILI, NDËR SHQIPTARËT, NJERI I FESË DHE DISHEPULL, patriot

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT