Presidenti Trump dhe Zonja e Parë vizitojnë në Florida zonat e prekura nga stuhia /
Gjatë një vizite të enjten në Floridën e shkatërruar nga uragani, Presidenti Donald Trump vlerësoi punën e personelit të emergjencës dhe të ushtrisë, si përgjigje ndaj uraganit Irma, që shkaktoi dëme të mëdha ndërsa goditi javën e kaluar shtetin jugor amerikan.
“Të gjithë bënë një punë të shkëlqyer”, – tha presidenti Trump në Fort Myers, ndalesa e tij e parë gjatë vizitës me dy ndalesa në Florida.
Stuhia shkaktoi të paktën 25 të vdekur në Florida dhe Presidenti vlerësoi punën e ekipeve të emergjencës, që parandaluan viktima të tjera.
Për Presidentin Trump dhe Nënpresidentin Mike Pence, vizita e sotme në Fort Myers dhe Naples në bregun jugperëndimor të Floridës ofron mundësinë që ai të shohë vetë se si njerëzit po e përballojnë gjendjen e krijuar nga Uragani Irma dhe se si kanë reaguar autoritetet federale. Stuhia i goditi fuqishëm të dy qytetet me erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyer, që shkaktuan përmbytje masive.
Presidenti ka në plan të takohet edhe me disa nga banorët që po i ndjejnë më tepër pasojat e stuhisë së fuqishme.
Ai tashmë e ka deklaruar Floridën zonë të fatkeqësisë natyrore, një vendim që mundëson dhënien e menjëhershme të fondeve të rimëkëmbjes.
Zyrtarët thonë se do të duhet një kohë e gjatë për të riparimin e dëmeve të shkaktuara nga uragani, që shkatërroi gjithashtu disa ishuj të Karaibeve.
Përparësi është rikthimi i energjisë elekrtike për 3 milionë banorë të shtetit, të cilët vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Kompanitë e energjetike thonë se kthimi i energjisë mund të marrë një javë ose më tepër.
Zyrtarët po ashtu janë duke zhvilluar hetime lidhur me vdekjen e 8 të moshuarve në një azil në qytetin Hollywood, në se mungesa e ajrit të kondicionuar ishte shkaku i vdekjeve.
Guvernatori i shtetit Rick Scott, tha se është duke u zhvilluar një hetim kriminal, pasi siç duket azili nuk ka patur energji elektrike që në momentin që qyteti u godit nga stuhia. Nuk është e qartë përse gjeneratorët nuk funksionuan për ta mbajur të freskët temperaurën në ndërtesë.
Scott i urdhëroi autoritetet të kontrollonin edhe azilet e tjera të shtetit. Nga kontrollet doli se 150 nga 700 azilet që ka Florida, ende të mërkurën ishin pa energji elektrike.
Në ishujt Florida Keys, zona më e goditur nga stuhia, qindra njerëz qëndronin në radhë në parkingun e një qendre tregtare për të marrë ushqime dhe ujë, që i shpëndanin ushtarët e Rojes Bregdetare.(kortezi-Zeri i Amerikes)