… avokati i tij aksioner në kompaninë e sigurisë/
Eni Bushi ka qenë avokat i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për disa vite dhe një nga juristët e kësaj force politike në gjykatë. Pikërisht ky person është aksioner në kompaninë që fajëson Ministria e Brendshme për grabitjen e parave në Rinas.
“ICTS Albania” është përgjegjëse sipas policisë për vjedhjen e parave që do të ngarkoheshin në avion.
Kompania fajësohet për sigurinë e dobët në aeroport, pavarësisht raporteve të vazhdueshme për të rritur masat e sigurisë. Nga kërkimet në QKR, rezulton se 25% të aksioneve i ka në zotërim Eno Bushi, ndërsa 75% i përkasin ICTS Europe.
Eno Bushi njihet si jurist i Partisë Socialiste dhe person i afërt me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri nuk është prononcuar në asnjë rast për skandalin e grabitjes në Rinas, pavarësisht se ky është konsideruar një cënim i sigurisë kombëtare.
Policia, 30 mijë Euro shpërblim për informacione
30 mijë euro shëprblim ka vendosur policia e Durrësit për këdo që jep informacion të vlefshëm për vendodhjen e autorëve të grabitjes spektakolare dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit.
Një ditë më parë u arrestuan 5 punonjës të aeroportit si të implikuar në grabitjen e rreth 1 milion eurove.
Më poshtë deklarata e policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 30.06.2016, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, vë në dispozicion shumën prej 30.000 Euro për çdo shtetas, i cili jep informacion të rëndësishëm që do të ndihmojë grupin hetimor në identifikimim dhe kapjen e autorëve, si dhe informacion të nevojshëm në lidhje me lëvizjet paraprake të mjetit me të cilën u krye vjedhja.
Ne ju garantojmë që çdo informacion do të vlerësohet maksimalisht nga grupi hetimor dhe do të ruhet anonimati i çdo qytetari që do të bashkëpunojë me Policinë.
Për çdo informacion jeni të lutur të telefononi në numrin 0694110217 ose të shkruani në adresën e-mail: policiadurrës@gmail.com, si edhe në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, “Drejtoria e Policisë Qarku Durrës”.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin ju sigurojmë se Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, po shfrytëzon të gjitha kapacitetet e saj për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.
Berisha: Thirrje prokurorisë të hetojë qeverinë si organizatë kriminale
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar ashpër thyerjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit të Rinasit nga ku u grabiten një shumë e madhe parash.
Me anë të një shënimi në facebook, Berisha shkruan se qeveria e hajdutëve të shtetit lau, shpejt e shpejt, duart në kundërshtim me çdo ligj sigurie.
Sipas tij, qeveria reagoi sikur aeroporti i Rinasit të ishte diku në shkretëtirën e ndonjë vendi tjetër, sikur aeroporti, terminalet, pista, anekset e tij të mos ishin për çdo vend të botës objekt të rëndësisë së dorës së parë për sigurinë kombëtare, po sikur të ishin ndonjë pulari apo fermë blegtorale.
“Grabitja në pistën e aeroportit me forcën e armëve është thyerja më e madhe e sigurisë kombëtare këto 25 vite dhe qëndrimi i Edvin Shullazit dhe qeverisë së tij është qëndrimi më i papërgjegjshëm që mund të imagjinohet”,- shkruan ai.
Berisha nënvizon se ata grabiten një kuintal euro pa ju hyrë ferrë në këmbë teksa u larguan në drejtim të paditur.
Më tej, ish-kryeministri i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit të ndërmarrë hetimet më të vendosura për këtë akt të pashembullt që ka vulën e bashkëautorsisë dhe papërgjegjshmërisë ekstreme të qeverisë.
Ja shënimi i plotë i ish-kryeministrit Sali Berisha në Facebook:
Te dashur miq, dy dite me pare, ne nje akt te pashembullt, kriminele me maska dhe kallashnikov pushtuan aeroportin tone te vetem civil, pushtuan pisten e tij, grabiten pa ju hyre ferra ne kembe nje kuintal euro dhe u larguan ne drejtim te paditur.
Ata kesaj rradhe nuk ishin terroriste te ISSI qe kerkonin gjak dhe jete njerezish por ishin terroriste te eurove dhe deshmuan se ata pushtuan lehtesisht, madje ne zonen me delikate, aeroportin tone duke faktuar zero sigurine qe ekziston per aeroportin dhe ata qe udhtojne nga ky aeroport.
Qeveria e hajduteve te shtetit lau shpejt e shpejt duart. Ne kundershtim me çdo ligj sigurie, qeveria reagoi sikur aeroporti i Rinasit te ishte diku ne shkretetiren e ndonje vendi tjeter, sikur aeroporti, terminalet, pista, anekset e tij te mos ishin per cdo vend te botes objekt te rendesise se dores se pare per sigurine kombetare por sikur te ishin ndonje pulari apo ferme blegtorale.
Grabitja ne pisten e aeroportit me forcen e armeve eshte thyerja me e madhe e sigurise kombetare keto 25 vite dhe qendrimi i Edvin Shullazit dhe qeverise se tij eshte qendrimi me i papergjegjshem qe mund te imagjinohet.
I bej thirrje prokurorise se shtetit te ndermarre hetimet me te vendosura per kete akt te pashembullt qe ka vulen e bashkautoresise dhe papergjegjshmerise ekstreme te qeverise organizate e vertet kriminale! Sb.”.