-Media: Në prag të votimit në UNESCO, shtohen masat për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë/
PRISHTINË, 21 Tetor 2015/ “Jam në selinë e UNESCO në Paris për të dhënë shtytjen e fundit para votimit për anëtarësimin e Kosovës”, bën të ditur kryediplomati kosovar, Hashim Thaçi.
“Jam falënderues miqve të Kosovës dhe qytetarëve për ndihmën në lobim”, shton ai.
Kosova sot votohet për kandidaturën e pranimit në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate të OKB-së, në Paris, prej nga kryediplomati kosovar Hashim Thaçi jep mesazhin: “Të jemi aty ku meritojmë – të barabartë”.
Ndërkohë, sipas medias kosovare, procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, në tërë këto javë, ka qenë përballë një propagande dhe lobimi për mos-pranim nga ana e politikanëve dhe institucioneve të Serbisë.
Për këtë çështje është dyshuar se mund të ketë inskenim të ndonjë incidenti, në ndonjë objekt të trashëgimisë kulturore ose fetare të Kosovës, që do të ishte në dëm të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, raporton Koha.net.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Koha.net se këto ditë kanë intensifikuar aktivitetet në mbrojtje të këtyre objekteve, me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual.
“Disa nga këto objekte të (Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare) ruhen 24 orë/7 ditë, ndërsa për të gjitha objektet tjera PK-ja kujdeset gjatë punëve të rregullta. Normalisht që edhe këto ditë ne i kemi intensifikuar aktivitetet në mbrojtjen e këtyre objekteve me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti eventual i cili kishte me pas ndikim edhe në këtë proces”, është përgjigjur Policia e Kosovës.
Më tej policia ka thënë se objektet e trashëgimisë kulturore e fetare sigurohen vazhdimisht nga policia, dhe se në bazë të vlerësimeve merr edhe veprime të nevojshme./b.j/
Majlinda Kelmendi fiton titullin “Grand Slam” në Paris
Sportistja kosovare, Majlinda Kelmendi kampione bote në fuqi fiton edhe titullin “Grand Slam” në Paris/
Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë në Grand Slam-in e Parisit në kategorinë -52 kg.
Sportistja nga Peja mundi në finale zviceranen Evelyne Tschopp duke kryesuar e para në të gjitha kategoritë, meshkuj dhe femra, me 3226 pikë.
Në turneun e Francës morën pjesë 84 shtete. Për “Inside the Games” Kelemndi u shpreh se ndihej mjaft e kënaqur me këtë çmim dhe se kërkonte të fitonte Medalje të Artë edhe në turneun e Rio-s 2016.
Megjithatë, xhudistja kosovare, sfidën finale e përfundoi për 1 minutë e gjysëm.
Vitin e shkuar, pejania fitoje medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Rio de Janeiros, duke u shpallur e para në botë.
Thaçi takon ambasadorët e UNESCO-s në Paris
Paris, 18 shtator 2015/ Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, pas Londrës ka vazhduar vizitën në Francë.Në Paris, zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar takime të shumta me ambasadorë të shteteve të ndryshme të botës, që janë anëtare të UNESCO-s.
Ai i ka falënderuar ambasadorët për përkrahjen që po i japin procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme të OKB-së dhe ka treguar që edhe Kuvajti e Luksemburgu janë nënshkruar në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.”Kosova është angazhuar në një fushatë pozitive, sistematike dhe të fokusuar në promovimin e zhvillimit tonë social, kulturor dhe ekonomik, derisa shumica e shteteve kanë shprehur mirënjohje për qasjen tonë”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.Ditë më parë, zëvendëskryeministri Thaçi ka qëndruar edhe në Britani të Madhe, ku po ashtu ka marr mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO./b.j/
Shqipëri, Komuniteti Mysliman dënon sulmin në Paris
Skënder Bruçaj: Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman./
Komuniteti Musliman i Shqipërisë dënoi me forcë vrasjen e gazetarëve në Paris, duke theksuar se asnjë vrasje nuk mund të bazohet në fenë islame. Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, tha në intervistë për “Zërin e Amerikës, se gazetarët po goditen nga terroristët sepse po thonë të vërtetën dhe po përpiqen të largojnë mjegullat e ideologjive të rreme.
Zëri i Amerikës: Zoti Bruçaj! Si e përjetuat lajmin nga Parisi se dy persona të armatosur duke përmendur bindjet e tyre fetare sulmuan një redaksi gazete dhe vranë aty 12 gazetarë?
Skënder Bruçaj: Me thënë të drejtën jam tronditur shumë, si të gjithë njerëzit normalë me etikë, që vlerësojnë jetën e njerëzve. Në fillim nuk e bëra dot një lidhje. Është një fatkeqësi shumë e madhe që në këto kohë dhe në këtë civilizim të ndodhin akte të tilla, të cilat nuk mund të atashohen as me ndonjë ideologji fetare as me ndonjë aspekt tjetër human, është jashtë njerëzore dhe e dhimbshme.
Në çastin që e dëgjuam nga mediat, në emër të Komunitetit Musliman të Shqipërisë ne bëmë një deklaratë dhe shprehëm dhimbjen tonë dhe ngushëllimet për të dëmtuarit. Morën edhe kontakt me ambasadorin e Francës në Tiranë. Vërtet janë ngjarje të dhimbshme, të cilat njerëzimi nuk duhet t’i përjetojë. I lutem Zotit që ngjarje të tilla të mos ndodhin as në Francë dhe në asnjë vend tjetër të botës, sepse është e dhimbshme kur merret jeta e njeriut, jetën që Zoti e ka krijuar, Zoti ia ka falur njeriut dhe nuk ka ë drejtë asnjë njeri që ta marrë atë. Jeta është e shenjtë dhe asnjëri nuk ka të drejtë të marrë jetën e asnjë personi, duke u bazuar në asnjë ideologji, për asnjë shkak, për asnjë arsye çfarëdoqoftë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Këta persona terroristë në shumicën e rasteve godasin gazetarët. Cili është mendi juaj për këtë?
Skënder Bruçaj: Mediat kanë një rëndësi shumë të madhe sepse informojnë opinionin publik dhe shumë personave nuk u intereson që e vërteta të jetë shumë e qartë për njerëzit, sepse iu pëlqen kur a mjegull, kur ka gjëra të paqarta, sepse luftojnë për pushtet, luftojnë për kauzën e një të keqeje. Nëse do të sqaroheshin njerëzit dhe do të ishin më të qartë, nuk do të kishin ndjekës, nuk do të arrinin të manipulonin njerëz të tjerë, nuk do të arrijnë të gjejnë simpatizantë. Kjo ndoshta i shtyn ata të bëjnë një presion kundër mediave, për të bërë një presion kundër lirisë së fjalës. Ky është shkaku besoj. Ndoshta disa shkrime nëpër gazeta, libra që kanë dalë ose disa karikatura mund të kenë kaluar kufirin etik për sa i përket lirisë së fjalës; ndoshta disa muslimanë mund të jenë të shqetësuar nga mënyra se si janë shprehur apo si është folur për të shenjtin e tyre, por asnjëherë nuk është shkak për një veprim të tillë. Profeti Muhamed, gjatë kohës si predikues, ka hasur shumë vështirësi të mëdha, është keq keqtrajtuar mjaft në mënyrën më çnjerëzore, por asnjëherë nuk ua ka kthyer në atë formë; ai gjithmonë është lutur që njerëzit të jetojnë në paqe, të jenë në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Pra, në aspektin Islam nuk ka asnjë lloj pike ku të mbështeten ata që kryejnë vrasje; nëse pretendon se është musliman – ai nuk është musliman, edhe nëse e ka emrin musliman ai në thelb nuk është musliman, se nuk janë parimet e Islamit ato që motivojnë atë grup njerëzish për të bërë akte të tilla si Parisi. Jam plotësisht i sigurtë që të gjitha komunitetet muslimane nëpër botë qysh atë ditë e kanë shprehur shumë qartë qëndrimin e tyre dhe e kanë dënuar këtë akt që është johuman dhe është jashtë çdo lloj koncepti fetar.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Edhe nga Shqipëria e Kosova ka të rinj që shkojnë në Siri dhe iu bashkohen aksioneve terroriste atje. Çfarë komenti keni mbi këto zhvillime?
Skënder Bruçaj: Të them të drejtën, këto dekadat e fundit problemin më të madh muslimanët e kanë patur me terroristët. Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman.
Besoj se këtu duhet një rol më i fortë nga shteti, nga ngo, nga komuniteti musliman për të parë qartë se cilat ishin shkaqet që detyruan disa individë, disa shqiptarë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar për një kauzë që nuk e mbështet feja dhe parimet islame dhe as ato njerëzore dhe për t’i eleminuar ato shkaqe.
Zëri i Amerikës: Po cilat janë këto shkaqe?
Skënder Bruçaj: Nga studimet doli se injoranca është thelbi i këtyre. Këto njerëz as fenë që pretendojnë se janë pjesë e asaj nuk e njohin. Mungesa e një kulture, problemet ekonomike dhe psikologjike, karakteri individual i shtyn ndoshta për të marrë pjesë në një fushatë që nuk e di as vetë se si do të zhvillohet. Në rastin e Shqipërisë, edhe ngarkesa emocionale mund të jetë një nga shkaqet. Gjithmonë, sado të mëdha e të vogla mund të jenë religjonet e ndryshme diversiteti eksizton dhe ndodh ndonjëherë që individët kanë qasje ekstremiste. Por janë vetëm një grup i caktuar dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm që ky grup apo individë që nuk e kanë kuptuar fenë si duhet por e keqpërdorin për të fituar partizanë për të fituar pushtet, të njihet nga publiku se rruga e tyre nuk është një rrugë e drejtë, se mendimet e tyre janë jo të shëndosha për shoqërinë. Fal Zotit, në Shqipëri kemi patur pak raste. Ne kemi qenë shumë të hapur me muslimanët për të qartësuar gjërat si duhet, që brezat e rinj, ato individë që nuk janë të mirinformuar të mos manipulohen e të mos keqpërdoren. Në histori kemi parë se si njerëzit manipulohen nga ideologji të caktuara dhe dalin jashtë normave humane, dalin jashtë koncepteve normale.
Zëri i Amerikës: Nga se burojnë këto mendime që justifikojnë vrasjet?
Skënder Bruçaj: Unë them se kjo është një ideologji e re, por nuk bazohet në frymën e fesë islame dhe traditën profetike, sepse në to nuk gjen asgjë që të mbështesë vrasjet. Megjithatë ajo ka gjetur ndjekës të veçantë. Vendet ku shkojnë këta ndjekës janë prej vitesh në trazira dhe dhimbje, me autoritete të çuditshëm, dhe kur ka kaq shumë trazira e dhimbja dhe nuk ka demokraci as respektim të vlerave njerëzore, kur nuk ka një qetësi në shoqëri dalin rryma që vijnë si një lloj proteste. Unë besoj se ata janë individë jo të shëndoshë që janë grumbulluar atje, se kanë gjetur atje diçka që mendojnë se u përket. Janë mbledhur atje nga shumë shtete të shprehin ndjenjat negative që nuk i shprehin dot në vendet e tyre. Fatkeqësisht u ka dalë një rast atyre që anën e keqe njerëzore, perceptimet e gabuara që kanë t’i shprehin në një vend të caktuar, në një ideologji të caktuar që fatkeqësisht po dëmtojnë muslimanët dhe po shqetësojnë miliona njerëz në gjithë botën.
Është një ideologji e re, nuk është fe, nuk ka të bëjë as me profetin Muhamet, as me parimet e Islamit. Asnjë komunitet fetar, asnjë fe nuk e frymëzon një ideolgji, një veprim të tillë. Në Kuran dënohet ai person që i merr jetën një personi të pafajshëm sikur ka marrë jetën e gjithë njerëzimit. Kjo është shkruar fare qartë, ndaj nuk e di se ku e marrin guximin të bëjnë ato veprime, nëse besojnë te Kurani. Nuk mund të besosh te Kurani dhe të bësh ato veprime; kjo është një hipokrizi. Besoj se ata njerëz po jetojnë një hiporizi të skajshme, sepse nuk mund të thuash se jam ndjekës i një feje dhe vepron totalisht në kundërshtim me parimet e asaj feje. Dhe faktikisht këtë po shohim në ato vende.
Zëri i Amerikës: Disa xhami dhe disa oratorë fetarë u vunë në qendër të vëmendjes për mesazhet e papërshtatshme dhe përpjekje për rekrutime. Çfarë masash u morën për këto?
Skënder Bruçaj: Gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri ka patur shumë paligjshmëri dhe midis këtyre ishin edhe ndërtimet. Aty nis hapi i parë te paligjshmëria dhe për këtë ne kemi kërkuar pjesëmarrjen e shtetit për të hedhur çdo hap në përputhje me ligjin dhe me standartet, dhe që ne të jemi brenda kritereve ligjore. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve flasin nëpër xhami që janë jashtë kontrollit teknik, zyrtar dhe juridiksionit të komunitetit musliman shqiptar. Ai ka ndërtuar xhami në një fshat në tokën e tij dhe ka një këndvështrim privat të qasjes së gjërave dhe kjo e bën të dalë më tepër jashtë linjave institucionale. Ne jemi munduar që me ata njerëz të flasim se komunikime të tilla janë në dëm të shoqërisë dhe u kemi treguar parimet e fesë islame dhe se janë bërë rast negativ për Shqipërinë. Ndonjëherë nuk kemi gjetur mirëkuptimin, ndaj kemi kërkuar të kemi një komunikim më të rregullt zyrtar. Unë jam për lirinë e fjalës, për shprehjen e botëkuptimit fetar, por ne jetojmë në një ved që aspiron të shkojë drejt Europës, dhe na duhen disa rregulla, që të na mbajnë pak nën kontroll.
Duke filluar nga ky vit ne kemi centralizuar ndërtimin e xhamive, sipas një marrëveshje me shtetin dhe përmes një shtese në ligj. Tani e tutje xhamitë nuk mund të ndërtohen pa miratimin e komunitetit musliman dhe ky është një hap për të vendosur një përgjegjës në xhami, i cili ta përfaqësojë sa më mirë Islamin. Nëse në xhami një flet një person i painformuar me parimet e Islamit, flet nga mendja e tij dhe nga furnizime prej burimeve të tjera, atëherë ai i ndikon njerëzit. Ne po mundohemi që njerëzit që flasin në Shqipëri në emër të fesë të jenë më të qartë të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv tek besimtarët muslimanë.
Zëri i Amerikës: Cili është në fund të bisedës, një mesazhi juaj për besimtarët muslimanë shqiptarë?
Skënder Bruçaj: Unë i lutem krijuesit të gjithësisë që të ketë sa më shumë paqe dhe begati mes njerëzve, mirëkuptim, të duhen njerëzit mes tyre se edhe Zoti kështu dëshiron, që ne të gjejmë rrugën e komunikimit, ta duam njëri tjetrin, sepse jemi të gjithë krijet e tij, megjithë diversitetin që kemi.
Këshilla ime për besimtarët shqiptarë është që ta njohin më mirë fenë e tyre, të mos bazohen në mendimet e individëve të caktuar, por të lexojnë Kuranin dhe traditën profetike, sepse ato janë burimet kryesore të fesë tonë. Ata nuk duhet të ndikohen nga rryma të caktuara, që ndikohen nga globalizmi, nga rrugë të ndryshme për ta marrë informacionin në burime jo të sakta, por t’i afrohen më shumë fesë, të kenë më shumë besim, sepse besimi është ushqimi i shpirtit. Besoj që njerëzit që e ushqejnë shpirtin janë më të devotshëm ndaj Zotit, janë individë dhe qytetarë më të mirë dhe do të kenë më tepër kontribut në shoqëri. Shoqëritë e sotme kanë nevojë për njerëz që dinë ta ushqejnë shpirtin, që dinë të punojnë për shoqërinë, që dinë të jenë më tepër humanistë, dinë të kontribuojnë në shoqëri nga ana ekonomike, shoqërore dhe në promovimin e vlerave universale që Islami i promovon dhe i ka në esencë.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Ilirian Agolli)
NË PARIS VRITET LIRIA E SHTYPIT
Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqëndrën e revistës satirike Charlie Hebdo duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë dhe dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë. Ndër gazetarët e vrarë përfshishej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, jean Cabut dhe Bernard Verlhac.
Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë. Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, “Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike.”
Sulmi barbar kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shytpit. Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçant kundër medias dhe shtoi se, “Asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, “Reporters Sans Frontières” (Korrespondentët pa Kufij”), e cila merret me promovimin dhe mbështjetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se “Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan”. A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmershëm në Paris, bëri pyetje ai. Drejtori i Organizatës “Reporters Sans Frontières”, që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se sulmi ishte një “Ëndërrë e tmershme që u bë realitet. Ky sulm terrorist”, shtoi ai, “shënon një ditë të zezë në historinë e Francës.” Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, “Nuk mund të ketë një sulm më të tmershëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerance, përball këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit”, përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, “Reporters Sans Frontières”.
Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqsit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës. Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën, duke thënë se “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën.” Pas një takimi me Zëvëndës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”. Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin – një besim universal në lirinë e fjalës – është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa.”
Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “Ky akt i tmershëm barbar ka për qëllim të ndajë e të pëçajë dhe si rrejdhim ne nuk guxojmë të biem në atë kurthë. Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon. Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmershëm”, i cili tmeroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqën. Udhëheqsi i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithëve, “Që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve, dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkjetesës midis individëve dhe njerëzve pa marrë parasyshë dallimet kombëtare, fetare ose kulturore.” Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerzish duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku. Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “Në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi. Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme.”
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë. Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është ekzaktërisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvijoi kryediplomati amerikan. John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale. Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale.”Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikëspari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë. Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohsisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjërë. Media të ndryshme dhe përfaqsues të medias së lirë dhe të pavarur në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarve në Paris. Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftse praktikuesit e shtypit, dmth gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.