Me datën 7 tetor 2021, autorët e dy librave të para të trilogjisë “I lumi Dom Shtjefën Kurti-Dëshmitarë i Kishës martire” Alfred Duka, Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka ishin në audiencë me Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Monsinjor Luigi Bonazzi. Me këtë rast, Nikolin Kurti, nipi i Të lumit Dom Shtjefën Kurti i dhuroi dy librat e parë të trilogjisë dhe e informoi për dërgimin në botim të librit të tretë. U fol gjithashtu rreth personalitetit të Të Lumit Dom Shtjefën Kurti si klerik i shquar, mësues i shkollave shqipe, njeri i sakrifikuar për liri dhe demokraci, sidomos për liritë fetare në vend. Gjithashtu u përmend fakti i përfshirjes së tij nga Instituti Polak i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit si njërin ndër “100 martirët më të shquar”, viktima të rregjimit komunist. Shkëlqesia e Tij, Monsinjor Luigi Bonazzi u interesua edhe për çështje të ndryshme të realitetit shqiptar, harmoninë dhe tolerancën në mes të besimeve fetare dhe kontributin që japin intelektualët për ringjalljen e shpresës në vend.Autorët e MemorandumitDom Shtjefën Kurti lindi në Prizren me 24 dhetor 1898. Shkollën fillore e kreu në Ferizaj. Në shtator të vitit 1909 hyri në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1917 vazhdoi studimet e larta për teologji në Innsbruck (Austri). Në vjeshtën e vitit 1918, Perandoria e Austro- Ungarisë kapitulloi dhe ai i vazhdoi studimet në Universitetin e Kongregacionit të Propagandës së Fesë dhe u diplomua në vitin 1921. Shugurohet meshtar në Romë me 13 maj 1921. Kthehet në Ferizaj dhe shërben për pak kohë si klerik dhe mësues i shkollës katolike të atjeshme (1921); sekretar i Arqipeshkëvit të Shkupit Imzot Lazër Mjeda (1921). I takoi të ishte rrëfyesi i parë i Nënë Terezës. Pas transferimit të Imzot Mjedës në Shkodër, Dom Shtjefën Kurti shërbeu në Novoselë të Gjakovës, ku krijoi famullinë e re të “Shën Rrokut” (1922-29). Bashkë me Gjon Bisakun dhe Luigj Gashin, denoncon te Nunci Apostolik në Beograd Monsinjor Pellegrinetti-n, kërcënimet që u bëheshin nga autoritetet serbe (dhjetor 1929). Bashkë me dy klerikët Bisaku dhe Gashi kaloi në Shqipëri (2 janar 1930). Njëri nga tre autorët e Promemories drejtuar Lidhjes së Kombeve “Për gjendjen e minoritetit shqiptar në Jugosllavi (Kurti, Bisaku, Gashi, 5.05.1930), e cila u diskutua në Lidhjen e Kombeve. Promemoria u përkthye në gjuhët kryesore të botës dhe iu dërgua qeverive të shteteve, që bënin pjesë atëherë në Lidhjen e Kombeve. Famullitar në Shën Premte të Kurbinit (1930-32), ku riparoi kishën; famullitar në Gurëz (1932-38), ku ndërtoi kishën e re; famullitar në Tiranë (1938-46), si dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës; meshtar i Mbretëreshës Geraldina (1938-39); meshtar i familjes së Jakomonit (1939-43). Riparoi kishën e Tiranës dhe u angazhua në projektin e Katedrales së kryeqytetit. Në të gjitha famullitë ku ka punuar është angazhuar në veprimtari mësimore, si mësues apo mësues besimi dhe ka themeluar shoqëri kulturore e sportive për të rinj dhe të rritur; themelues i një kinemaje; themelues i Befotrofit të Tiranës për fëmijët e braktisur (1943). Pas çlirimit Dom Shtjefni ishte përfaqësuesi zyrtar i komunitetit katolik pranë qeverisë (1944-1946). I dërgoi një letër Atit të Shenjtë mbi persekutimin e klerit katolik në Shqipëri (shtator 1946). Arrestohet me akuzën: “Bashkëpunëtor i organizatës terroriste të Sami Qeribashit, akuzohet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” (27 tetor 1946). Dënohet më 20 vjet heqje lirie (17 prill 1947), të cilat i kaloi në burgun e Burrelit. Lirohet nga burgu pas 17 vitesh (2 maj 1963). Nuk i lejohet ushtrimi i profesionit. Jetoi pak kohë me Dom Mark Dushin, pastaj kthehet në Gurëz, ku punon si punëtor në kooperativën bujqësore, por edhe kryen shërbesa private fetare, të cilat i vazhdoi edhe pas vitit 1967, kur kjo veprimtari u ndalua. Arrestohet për herë të dytë (5 qershor 1970). Dënohet me vdekje (30 korrik 1971). Nuk kërkoi faljen e jetës; pushkatohet (29 shtator 1971). Trupi i tij u përdor si kadavër (për shpjegimin e anatomisë) për studentët e mjekësisë. Ekzekutimi i Shtjefën Kurtit u mbajt shumë sekret deri sa lajmi u përhap në shtypin europian, nga një grua, që kaloi në Austri (1973). Vrasja e tij shkaktoi protesta në SHBA dhe Evropë dhe për muaj të tërë, diplomacia e shtetit shqiptar ishte aktivizuar për t’i minimizuar efektet. Shqiptarët në SHBA dhe Evropë zhvilluan protesta. Për tre muaj, gazetat më të mëdha të vendeve në Evropën Perëndimore dhe SHBA kanë shkruar për këtë vrasje.Dom Shtjefën Kurti mban shumë vlerësime shtetërore: “Martir i Demokracisë” (1993); Urdhrin Për veprimtari Patriotike të klasit I” (1993); Urdhrin “Nënë Tereza” (2011), “Nderi i Qarkut Lezhë” (2015); “Mirënjohje” nga bashkia Berat për shpëtimin e hebrenjve (2016); “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” (2016), që është dekorata më e lartë e shtetit shqiptar. Nderimet nga Selia e Shenjtë fillojnë me nisjen e procesit të Kanonizimit (10 nëntor të vitit 2002) dhe Lumturimit (5 nëntor 2016). Dita e përkujtimit të tij sipas kalendarit katolik 20 tetor. Shkolla Fillore e Novoselës në Gjakovë, gjimnazi në Gurëz, një rrugë në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë mbajnë emrin e tij.Dom Gjon Bisaku, që njihet edhe si Gjon Laloshi, lindi në Smaç të Gjakovës në vitin 1897, prej një familje nga Bisaku i Fanit. Studimet e para dhe Seminarin Papnor i kreu në Shkodër, ndërsa studimet e larta për teologji në Insburg të Austrisë. Famullitar në fshatrat e Gjakovës. Ndalohet nga policia serbe në korrik të vitit 1923 dhe pastaj në mars të vitit 1929, por lirohet dhe mbahet nën vëzhgim nga xhandarmëria serbe. Por, megjithatë e vazhdon veprimtarinë e tij meshtare në famullinë e Becit, në Kosovë (1921-29). Në vitin 1925 në krye të një delegacioni ku përfshiheshin burrat më të përmendur të asaj ane, bëri një vizitë në Vatikan, ku u prit nga Ati i Shenjtë. Njëri nga drejtuesit kryesorë të degës së Gjakovës të shoqërisë atdhetare ilegale “Drini i bardhë” dhe shoqërisë së “Shën Katarinës”. Kalon ilegalisht kufirin, së bashku me Shtjefën Kurtin dhe Luigj Gashin (1930). Njëri nga bashkautorët e Promemories drejtuar Lidhjes së Kombeve “Mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi” (1930), ku i bënë me dije këtij organizmi të lartë ndërkombëtar se ç’po ndodhte me Kosovën. Famullitar në Kuvendin e Rubikut dhe famulli të tjera të ipeshkëvisë së Lezhës (1930-40).Gjoni është marrë me studime, që i botoi në gazetën “Kosova”, të drejtuar nga Gjergj D. Bobani (1932-33). Punimi “Lotët e Dukagjinit” i shkruar prej tij, është botuar në dymbëdhjetë numra të gazetës “Kosova” (nr.18, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29 dhe në vitin 1933 ), shoqëruar me një parathënie, në të cilën tregon se pse e ka quajtur ashtu këtë vepër. Pjesa e fundit e përshkrimit mbyllet me vjershën “Vaji i Kosovarit”. Me pseudonimin “Plaku” shkruan artikullin “Reforma arsimore në Gjermani” botuar në “Hylli i Dritës”, Nr.4, viti 1933. Punimi tjetër, botuar në gazetën “Kosova” është titulluar “Kosova e robnueme”. Ky punim ndahet në katër pjesë: Jeta, Patër Shtjefni, gjobë e rrafje, Agrarja dhe mbyllet me poezinë e thekshme “Vaji i Kosovarit”, skalitur në vargje gjashtërrokshe. ka botuar dhe katër poezi patriotike: Flamuri (28 nanduer 1932), Vaji i kosovarit (23 prill 1933) dhe Lirija (28 maj 1933). Sëmuret dhe shkon për mjekim në spitalin Bisceglie (Bari); vdes dhe varroset atje (1940). Dom Luigj Gashi lindi në vitin 1899 në Shkup. Mbaroi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës dhe pastaj në Kolegjin e Propagandës në Romë. Pasi shugurohet meshtar, në vitin 1921 shërbeu në famullinë e Smaçit që përfshinte fshatrat: Smaç, Ujëz, Ujzi i Therrave, Fshaj, Kushavec, Doli i Lugut Vadës, Kusar, Marmull, Bardhasan, Bishtazhin, duke qenë famullitari i parë i saj. Ai ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të degës së Gjakovës të shoqërisë atdhetare ilegale “Drini i bardhë” dhe shoqërisë së “Shën Katarinës”. Pas largimit nga Kosova në vitin 1930, emërohet famullitari i Rrëshenit dhe në vitin 1938 kalon famullitar në Gurëz. Anëtar i Kongregacionit të Zojës së Këshillit të Mirë. Pas problemeve shëndetësore të Dom Shtjefën Kurtit, në vitin 1942, Dom Luigj Gashi komandohet famullitar i Tiranës. Pas vitit 1949 qe Vikar i Përgjithshëm i Kryeipeshkëvisë së Durrësit dhe në vitin 1955, pas vdekjes së Imzot Pjetër Demës kaloi në detyrën e Administratorit të Arqipeshkëvisë së Durrësit. Vdiq në vitin 1957 në Gurëz, ku dhe është varrosur. Një rrugë në komunën e Gjakovës mban emrin e tij. Tre klerikë atdhetarë rilindës në mbrojtje të shqiptarizmit në trojet shqiptare në ish JugosllaviDr. Nikollë LokaMemorandumi i tre klerikëve katolikë shqiptarë drejtuar Lidhjes së Kombeve është disi i veçantë, jo për faktin se u shkrua nga klerikë, por se ata i njoftuan institucionet e larta botërore me faktin e hidhur që dihej nga të gjithë: Shteti serbo-jugosllav vret edhe klerikë, një praktikë që kishte ndodhur rrallë edhe në zonat e luftës së shpallur, kur klerikët ndodheshin brenda rajoneve të luftimeve.Në përfundim të Luftërave Ballkanike u organizua Konferenca e Londrës, e cila vendosi krijimin e shtetit të ri shqiptar, duke lënë jashtë kufijve të tij rreth gjysmën e trojeve shqiptare. Shqiptarët e mbetur nën sundimin serb, malazez dhe grek iu nënshtruan dhunës sistematike, vrasjeve dhe përzënieve nga vatrat e tyre. Shteti isapokrijuar shqiptar, nën agresionin e fqinjëve grabitçarë, nuk ishte në gjëndje të angazhohet sa duhet për mbrojtjen e shqiptarëve të mbetur në shtetet fqinje. Megjithatë, herë pas here, udhëheqësit shqiptarë iu drejtuan institucioneve ndërkombëtare dhe qendrave të vendosjes, që të ndërhynin për ta ndërprerë dhunën dhe terrorin mbi shqiptarët.Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve i shtoi mundësitë që çështjashqiptare të ishte e pranishme në tryezat diplomatike ndërkombëtare.Megjithatë, liderët shqiptarë, të vetëdijshëm për mundësitë e kufizuara që kishin, hoqën dorë nga përpjekjet për të mbështetur njē kryengritje shqiptare në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, me synimin për ta ndryshuar status quo-në. Duke ndjekur një politikë pragmatiste dhe konformë qëndrimit ndërkombëtar, Shqipëria kërkoi respektimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve si pakicë etnike në Mbretërinë SKS (Jugosllavi) dhe në Mbretërinë e Greqisë. Greqia e zgjidhi problemin shqiptar me anë të një marrëveshje me Turqinë, për shkëmbimin e popullsisë shqiptare të Çamërisë me grekët e Anadollit, ndërsa për Mbretërinë Serbe dhe më vonë atë SKS nuk ishte e lehtë. Përqëndrimi i madh i shqiptarëvenë ish Jugosllavi, kishte bërë që Beogradi të përdorte të gjitha mjetet për t’i spastruar territoret shqiptare, duke përdorur dhunë: vrasje, burgosje, shpronësim, përzënie etj. Ky terror i pashembullt, i kryer në qendër të Europës dhe në sytë e saj, nuk u ndal për shkak të indiferencës së Fuqive të Mëdha, të cilat ia toleruan krijesës së vet Jugosllavi shkeljen e angazhimeve ndërkombëtare, që vetë i kishtenënshkruar. Shqiptarët, në trojet e veta, qenë të detyruar të përdornin mekanizmat e mbijetesës, një rezistencë aktive, të kombinuar me veprime diplomatike, për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.Me pushtimin serbo-malazez, shqiptarët mbetën krejtësisht të papërfaqësuar si pakicë kombëtare. Ata u përjashtuan nga pushteti qëndror, ai lokal dhe në të gjitha nivelet e administratës. Elita shqiptare në ish Jugosllavi kishte mbetur në nivelin e klerikëve dhe të krerëve tradicionalë, të cilët nuk kishin asnjë mundësi të ndikoninnë përmirësimin e gjendjes së bashkatdhetarëve të vet. Një pjesë e drejtuesve kryesorë politikë të shqiptarëve të Kosovës nuk e pranuan realitetin e ri politik, kaluan në shtetin shqiptar dhe prej andej, përmes Komitetit të Kosovës, e sensibilizuan opinionin ndërkombëtar mbi çfarë po ndodhte në Kosovë.Pjesa tjetër, që e pranoi realitetin e ri politik dhe hyri në bashkëpunimme qeverinë e Beogradit, për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve, u etiketua shpejt si “nacionaliste”, “irredentiste” dhe u nxor jashtë ligjit. Por, edhe në ato kushte, shqiptarët nuk e kishin humbur besimin se kjo situatë do të ishte e përkohëshme dhe së shpejti trojet shqiptare do t’i bashkoheshin shtetit amë. Kjo e shqetësonte shumë Beogradin, i cili intensifikoi përpjekjet për ta ndryshuar me dhunë përbërjenetnike të territoreve, me synimin për të krijuar një shumicë sllave në vend.Kjo praktikë ishte e patolerueshme sipas traktateve ndërkombëtare, në të cilat Beogradi kishte aderuar. Në ato kushte, personalitetet e shquara të jetës politike shqiptare u angazhuan shumë në ndërkombëtarizimin e problemit shqiptar dhe denoncimin e dhunës. Megjithë arritjet, shqiptarët nuk kishin mundur që ta bindnin faktorin politik ndërkombëtar, që të ndryshonte qëndrim dhe të dilte hapur në mbrojtje të tyre. Peticionet e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe organizatave të emigracionit shqiptar në Europë dhe Amerikë, si dhe promemoriet e politikanëve shqiptarë që vinin nga trojet e mbetura në ish Jugosllavi, si ato të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Bedri Pejanit, Kadri Prishtinës etj. ishin hedhur poshtë nga Beogradi, me argumentin se “ata nuk e pranonin realitetin e ri politik dhe nuk e njihnin fare Mbretërinë SKS si shtet” dhe se “ata ishin përgjegjës për ngritjen e shqiptarëve në veprime të armatosura, duke e detyruar shtetin që të ndërhynte” etj. Në ato kushte, tre klerikët katolikë shqiptarë vendosën ta informonin opinionin ndërkombëtar dhe Lidhjen e Kombeve mbi çfarë po ndodhte me shqiptarët. Angazhimi i klerikëve katolikë për denoncimin e dhunës që po ushtrohej ndajshqiptarëve në Jugosllavinë mbretërore, e vendosi Qeverinë e Beogradit në pozitë të vështirë. Me atë Memorandum, Dom Shtjefën Kurti, Dom Gjon Bisaku dhe Dom Luigj Gashi i kujtuan Lidhjes së Kombeve se problemi shqiptar nuk është vetëm i muslimanëve, por edhe i katolikëve, pra nuk ishte fetar, por kombëtar, se shqiptarët po vriten, burgosen dhe përzihen nga trojet e veta, pavarësisht besimitfetar që kishin. Ata ia kujtuan opinionit ndërkombëtar se, pavarësisht besimit fetar, shqiptarët ishin të bashkuar në mbrojtje të të drejtave të veta, që ishin përcaktuar në traktatet ndërkombëtare.Me Memorandumin, tre klerikët e angazhuan politikisht Kishën Katolike Shqiptare në ish Jugosllavi në mbrojtje të vetes dhe popullit të saj. Ipeshkëvia Katolike Shkup -Prizren, bashkë me Komunitetin Musliman të Shqiptarëve në ish Jugosllavi kishin mbetur institucionet e vetme përfaqësuese të shqiptarëve, të cilat vazhdonin ende të ekzistonin, ndonëse ishin bërë përpjekje të vazhdueshme për sllavizimin e tyre. Tre klerikët katolikë dhanë alarmin se në ish Jugosllavi po vriten shqiptarë krejt të pafajshëm dhe po zhvillohet një gjueti shtrigash ndaj drejtuesve të komunitetit shqiptar. Shteti jugosllav po vepronte përmes zyrtarëve që silleshin si banditë dhe banditëve, të cilët ushtronin funksione të larta shtetërore. Gjithë ajo dhunë, e orkestruar nga shteti, kryhej në emër të mbrojtjes së Jugosllavisë, e cila gjoja “po rrezikohet nga shqiptarët”. Duke vepruar me struktura shtetërore, parashtetërore dhe grupe kriminale, Beogradi e kishte kriminalizuar krejtësisht shoqërinë serbe, vetëm për të përcjellur mesazhin se “nuk ka ligj jugosllav dhe as traktat ndërkombëtar që i mbron shqiptarët”, të cilët kishin vetëm një rrugë shpëtimi, largimin nga trojet e veta.Krijimi i mitit të pandëshkueshmërisë së serbëve për krimet që kryenin kundër shqiptarëve, synonte që t’u parprinte fushatave genocidale antishqiptare, të cilat ishin në zhvillim e sipër, sipas platformave serbe për zhdukjen e shqiptarëve.Memorandumi pati jehonë në shtypin botëror dhe vuri në lëvizje institucionet që merreshin me problemet e pakicave në Lidhjen e Kombeve. Ai ishte i shkruar në formën e një aktakuze, duke treguar shkeljet ligjore që kishte bërë shteti jugosllav ndaj traktateve ndërkombëtare që kishte nënshkruar.Largimi it re klerikëve nga famullitë e tyre qe një këmbanë alarmi për Europën. Ndonëse ajo këmbanë nuk u dëgjua jashtë sallave të politikës, ishte aq e fortë sa i detyroi jugosllavët ta rishikonin politikën e tyre ndaj pakicës shqiptare në ish Jugosllavi. Në vitet që pasuan, ndonëse planet për përzënien dhe asimilimin e shqiptarëve vazhduan, u hoq dorë nga metodat e dhunëshme dhe nga ndëshkimikolektiv. Autoritetet shtetërore të Beogradit nuk praktikuan shpesh, pas atij Memorandumi të tre klerikëve, thyerjen e ligjit, por miratuan ligje diskriminuese kundër shqiptarëve. Sidoqoftë, diskriminimi me ligj është një praktikë që ka vështirësi në realizim. Klerikët katolikë iu bashkuan faktorit shqiptar që ishte mobilizuar për ta mbrojtur ekzistencën e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Shqiptarët mbijetuan për shumë arsye të brendëshme dhe të jashtme. Njëri prej tyre është angazhimi i Kishës Katolike, e cila në njëfarë mënyrë e përfshinte dhe Vatikanin në këtë çështje. Jugosllavia nuk do ta kishte aq të lehtë ta shkombëtarizonte kishën katolike shqiptare. As rrethanat ndërkombëtare nuk e favorizuan. Shqiptarët ia dolën, megjithëse iu desh që të bënin edhe sakrifica të tjera. Tre klerikët: Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi iu bashkuan projektit të madh kombëtar për ruajtjen e shqiptarizmit në trojet amtare jashtë kufijëve shtetërorë të vendit amë. Ata vepruan si rilindës dhe ishinrilindës, pasi Rilindja Kombëtare Shqiptare ende nuk e kishte realizuar misionin e saj.(Korrespondenti i Diellit)
GURËZI NDERON MARTIRËT
Nga Gjok Bici
Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurëz ka përjetuar një përsekutim të gjatë në periudhën e regjimit komunist. Priftërijtë që shërbyen në këtë kishë qenë personalitete të njohur në shërbim të komunitetit katolik në famullinë tonë e në rang kombëtar.
Për këtë veprimtari të spikatur ata nuk i shpetuan vëmëndjes së rregjimit të kohës duke i burgosur, internuar e pushkatuar. I kam njohur personalisht të gjithë priftërinjtë e murgeshat që shërbyen në Gurëz apo morën rrugën e meshtarisë nga Kisha e Gurzit. I pranishëm në gjygjin e Dom Shtjefën Kurtit (i Lum ), kujtoj komunikimin e gjygjtarit me dom Shtjefnin ”I pandehur, ne i mbyllëm kishat, e do ti shëmbin ato, çka thua, pse nuk po të ndihmon zoti që ti predikon? Përgjigjja e dom Shtjfnit: Zotni gjygjtar, për një gja jam shumë i sigurtë se këtu do ngrihet një kishë e re shumë ma e bukur se kjo që do shëmbni ju. E kam përmëndur shpesh parashikimin e dom Shtjefnit ,.Në Gurëz eshtë ngritur nje kishe madheshtore. Dom Shtjefnit iu ba gjygj publik në Gurëz, në kishën që kishtë ndërtuar vetë, me ndihmën e bashkëpunimin e Gurzakëve. Ai deklaroi se ka luftuar e do luftojë sa të jetojë për fenë e Krishtit e për këtë u dënua me pushkatim. Dashtë zoti të gjënden eshtrat e tij e të ketë një varr ku të afermit e miqt e tij të luten e të vëndosin lule. Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Prek Preka, shugurohen priftërinj me 2 shkurt 1946 nga Imzot Vinçens Prenushi (i lum). Dom Zefi e Dom Marku si rrallë kush kanë fate të përbashkëta. Punuan bashkë në Tiranë, Shkodër, pasuan njëri- jetrin në Zhejë e Mërqi. I përzunë nga kishat që shërbenin në një datë. Dom Markut i mbyllin kishën në Gurëz, me 12 shkurt 1967, e dom Zefit në Mërqi të Lezhës. Arrestohen në një ditë, korrik 1968, hetohen nga i njëjti hetues, u bahet gjygj publik në Shkodër, dënohen nga i njëti gjygjtar me pushkatim, pushkatohen nga i njëjti vrasës, mbulohen të dy bashkë në një gropë rrëzë një kanali në Dobraç të Shkodrës. U rivorrosën me një ceremoni kishtare ne vitin 1993, në kriptën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe dom Preka. Arrestohet e dërgohet në burg në Krujë. Të djelën e larit me 29.04.1977 e dërgojnë të mbushë me ujë një gropë gëlqerje , e ”aksidentalisht ” gjëndet i mbytur në gropën e gëlqeres. Pasi shërbeu për shumë vitë si prift i Gurzit, dom Anton Doçi , prifti i specializuar për gjuhësi, e përballoi me shumë vështirsi jetën në Gurëz, pasi ishte ndërprerë çdo mundësi ndihme nga besimtarët. Arrestohet e dënohet me shumë vite burg, të cilat nuk i mbaroi se vdiq në burg. Edhe për seminaristët Gjergj Bici e Ndoc Vata fatet qenë të njëjta. Arrestohen të dy në Janar 1946, e nuk arijnë të shugurohen priftërinj. Dënohen, fillimisht me pushkatim, por u falet e jeta e bajnë nga 18 vite burg. Gjergji pasi punon si marangoz, arrestohet e denohet përsëri me 10 vjet burg për agjitacion e propogandë. Vdes në internim ne Fishtë të rrethit Shkodrës. Ndwrsa Ndoci punon si puntor krahu deri sa vdes në vitin 2004. Me vendim të qeverisë shqiptare në janar 1946 mbyllen të gjitha kuvendet e murgeshave në Shqipëri. Kthehen në familjet e tyne Motër Marta Miri, Moter Drane Vushaj, Motër Gjule Maçaj, Motër Mrike Metaj. Motër Age Uci, kishte studjuar ne Breshja të Italisë e shërbente atje. Mbyllja kufijve e la në Itali. Ka shërbyer, ka vdekur e është vorrosur në Breshia. Pllaka përkujtimore u realizua me pagesat e të afërmëve të martirëve. Dua të falënderoj të gjithë ata që banë të mundur realizimin e montimin e sajë. Falënderoj Nanën Gjenerale të Motraave Baziliane, Motër Elenën (Lulashi), Klaudet e Lek Bici, Prof Angjelin Shtjefni, kryetar i shoqatës së Intelektualëve Katolikë të Shqipërisë, mik i Dom Zef Bicit, Zotni Nikolin Kurti, Zotni Lodovik Doçi, Zotni Gjergj Luli, Zotni Nikoll Bici, për shumë shërbime të bame. Falenderoj At Pasqualen, Motër Emën, Pnëtorët që e montuan. Firmën ”Gjeçi” për shkrimin, vëndosja e kësaj pllake përkujtimore, ishte një detyrim moral që banorët e famullisë së Gurzit, kishin për këta priftërinj e murgesha që shërbyen në Gurëz, u lindën e filluan rrugën e meshtarisë prej kësaj kishe të bekueme. Ky përshkrim i shkurtër i jetës së këtyre martirëve, është një grimcë e aktivitetit tyre fetar e atdhetar, që në kushte shumë të vështira, të ndjekur në çdo hap nga ish-sigurimi i shtetit, u banë luftëtarë të pamposhtur për Fenë e Krishtit e Atdheun e tyre të dashtun. Do kujtohen gjithmonë nga populli i Gurzit.
PRITJE NË AMBASAËN E VATIKANIT NË TIRANË
I nderuar z. Greca. Po ju percjell per lexuesit e gazetes te respektuar DIELLI, dy evente qe besoj se ia vlen te percillen:
Me date 13 Korrik 2020, në Selinë e Arqipeshkëvisë, u organizua nje takim me Arqipeshkëvin Metropolit Imzot George Frendo.Av. Alfred Duka, Ing. Nikolin Kurti dhe unë(Nikollë Loka), me cilësinë e bashkautorëve, i dorëzuam Imzot George Frendo vëllimin e dytë të trilogjisë “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”. Imzot Frendo na priti me ngrohtësi dhe na përgëzoi për punën.
Me 17. 07.2020, në Ambasadën e Vatikanit në Shqipëri, takim me Nuncin Apostolik, Shkëlqësinë e Tij, Imzot Charles John Broën.
Ing. Nikolin Kurti, Av. Alfred Duka dhe Nikollë Loka, me cilësinë e bashkautorëve të librit “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”, vëll. II, i dorëzuam Imzot Charles John Broën librin dhe diskutuam rreth zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipërinë e viteve ’70 të shekullit të kaluar.
Vëllimi i dytë i librit përmban një trajtim historik të rrethanave politike dhe shoqërore në Shqipëri në vitet 1960-1970 që çuan në ndalimin e veprimtarisë fetare dhe një trajtim juridik të çështjes Shtjefën Kurti, e cila, siç u shpreh Av. Alfred Duka “lindi në kohën kur kemi një afrim kino-amerikan pas vizitës së Presidentit Nikson në Kinë, kur Shqipëria e ndjeu veten të ekspozuar ndaj Perëndimit, pa mburojën e nevojëshme kineze. Shtjefën Kurti ishte njëri nga të paktit shqiptarë që kishte njohje me qarqe të rëndësishme perëndimore që nga vitet 1930-1940.
GJENDET PROCES- VERBALI ORIGJINAL I PUSHKATIMIT TË DON SHTJEFËN KURTIT
Përmes një mesaszhi dërguar kryeredaktorit të Gazetës Dielli, z. Nikolin Kurti, nipi i martirit të Kishës, i lumi Don Shtjefën Kurti, informon se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva, ka gjetë proces-verbalin origjinal të I Lumi Don Shtjefën Kurti. Ja letra-mesazh:
I dashur miku im, Dalip Greca,
Fillimisht Ju uroj gjithë të mirat dhe shëndet në këto kohë të vështira të COVID-19.
Ju njoftoj se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva gjeta proces-verbalin original të pushkatimit të I LUMI DON SHTJEFËN KURTI, që po ua bashkëngjis si foto.
.. Duke kujtuar ato momente të tmerrshme, kur natën, me duar e këmbë lidhur, vritet me plumb pas koke një plak 74 vjecar…Përfytëroj gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore para vdekjes, të cilën e pranoi pa kërkuar mëshirë, as falje!
Natyrisht nuk kishte bërë asnjë gabim, asnjë faj, që të kërkonte falje, thjesht kishte pagëzuar një fëmijë, ndërsa besimi në Krisht nuk iu lëkund as para skuadrës së pushkatimit.
Në proces-verbal shkruhen dhe fjalët e fundit të Tij para se t’i merrnin jetën- Tre fjalët e fundit: Rroftë Kisha Katolike!- i japin lavdi të përjetshme atij, dhe na bën të ndjehemi krenarë ne familjarët e Tij ,dhe nderojnë Kishën Katolike Shqiptare.
Procesverbali është hartuar nga hetusi i Ministrisë së Brendshme Vangjel Kote, i cili ka pasë pranë edhe zv/Prokurorin e rrethit të Krujës Piro Suli, zëvendës kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës Ramiz Lalmi si dhe mjekun Asim Ylli.
Hetusi shkruan: në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Brendshëm Nr. 3265/1 datë 25/9/1971, tërhoqa nga Reparti nr. 313, të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutm.
Atje zv/prokurori i rrethit të Krujës shoku Piro Suli i komunikoi të dënuarit me fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohet vendimi i Gjyaktës, pra duhej të thoshte fjalën e fundit.
Pas fjalës së fundit u krye ekzekutimi me pushkatim dhe pasi u vërtetua nga mjeku se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës.
Procesverbali u hartua në katër kopje dhe u firmos nga të pranishmit: Hetusi Vangjel Kote, zv/Prokurori Piro Suli,zv/Kryetari i degës së Punëve të Brendshme –Krujë Ramiz Lalmi dhe Dr. Asim Ylli.
Prokurori që ishte ngarkuar me procesin gjyqsor të Don Shtjefën Kurtit, dhe kërkoi dënimin e tij me vdekje, si dhe gjykatësi Jani Vasili që dha dënimin me vdekje, të penduar u kërkuan ndjesë familjarëve të Don Shtjefnit me shkrim, pasi iu këkrua nga nipi Nikolin Kurti.
Me kërkesë e Nikolin Kurtit, nipit të Don Shtjefën Kurtit, ish-prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikoheshin pas vdekjes së tyre. “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ‘Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë’. Po ashtu edhe gjyqtari Jani Vasili. Pas vdekjes së tyre, Nikolini i bëri publike letrat e shkruara prej të penduarëve, me shkrim dore.
***
KUSH ISHTE DON SHTJEFËN KURTI?
Sjellim për lexuesin e Diellit një shkrim të shkruar nga Don Lush Gjergji,publikuar në të përmujshmen fetare, kulturore të Kishës Katolike – ”Drita”.
Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë
Nga Don Lush GJERGJI
Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta: “Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar… Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).
Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.
Kush ishte Don Shtjefën Kurti?
Ishte së pari dëshmor i fesë dhe lirisë, viktimë e ateizmit shtetëror, i cili u mundua ta vriste Zotin, por e vrau vetveten, popullin e pafajshëm, me përndjekje, mundime, gjykime, varfëri, ideologji, që do të mbesin në analet e turpit, padrejtësisë, urrejtjes, egërsisë, verbërimit dhe shkatërrimit, si edhe vetë komunizmi dhe ateizmi.
Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.
Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!
Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.
Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe:më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).
Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje. Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi:e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!
Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.
Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.
Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.
Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin