Nga Fritz RADOVANI/
PAPA GJON PALI II NË RINAS…/
25 PRILL 1993 DITA MA E BARDHË E POPULLIT SHQIPTAR…/
■Papa Gjon Pali II puthë rrasen nën të cilen janë Eshtnat e të burgosunve politik, që kanë vdekë t’ uritun nga viti 1955 – 1957, tue ndertue aeroportin në Rinas të Tiranës…
■2 Shkurt 1981, Papa polak Vojtila, i porsa zgjedhun në Vatikan tha: “Unë mbas popullit tim polak ma së tepërmi e due popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuejtë tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhurue Nanën Tereze”.
■Papa Gjon Pali II me 5 Tetor 1980, nga Otranto e Italisë foli per Kishen në Shqipni: “Nuk mund të mos e hedh vështrimin tim përtej detit, jo larg prej këndej, drejt Kishës heroike në Shqipni, e tronditun thellë nga persekutimi i ashpër e i zgjatun, por edhe e pasunueme nga dëshmia e Martirëve të Saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
■1984 Në Bari t’ Italisë Papa tha: “Prej këtij qyteti mendimi im asht drejtue poashtu nga vllaznit e motrat e Shqipnisë, që s’ kanë mundësi ta tregojnë Fenë e tyne botnisht, që asht një e drejtë thëmelore e njeriut. U porosisë të luteni për ta.
Dishroj t’ ju them se ata janë posaçerisht të pranishem në zemren time.”
■Romë, 27 Prill 1986: “Ky takim i pari me Bashkësinë Shqiptare më prekë thellë në zemer. Nuk asht fjala për një përmallim rasti: Them se asht përmallim i vazhdueshëm. Për çdo ditë, sidomos gjatë Meshës së Shenjtë, kerkoj të jetoj martirizimin e Popullit Tuej, të besimtarëve të Tuej, vllazenve e motrave Tueja Shqiptare, dhe lutem per Atdheun Tuej, per të gjithë besimtarët e Feve të ndryshme, si dhe per Kishen në Shqipni që asht zhdukë persa i perket dukjes së jashtme, por e dini mirë se Kisha nuk mund të zhduket nga zemrat, sepse asht ndertue prej Shpirtit Shenjtë, prej Fjalës së Krishtit e cila gjallon në zemrat e fetarëve. Unë bashkë me Ju, besoj thellë se Krishti jeton…”
■6 Maji 1988, me Katolikët Shqiptarë t’Amerikës, që ishin per lutje në Gjenacan t’ Italisë, Papa Gjon Pali II u tha: “Si mos ta kemi dashuninë e veçantë ndaj një Populli, Bashkësia Katolike e të cilit, i ka mbetë besnike Selisë Apostolike edhe ndër rrethanat ma të vështira e të dhunëshme? E njoh historinë Tuej shpeshherë të shkrueme me gjak… Kisha dymijëvjeçare, e rranjosun në Token Tuej Shqiptare, don liri të plotë per me vijue me kenë element afrimi kombtar, bashkimi dhe paqe në zemren e Popullit Tuej.”
■Me 4 dhe 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani kremton Meshen e Parë në Rrëmaji të Shkodres, mbas shpalljes së Shqipnisë “shtet ateist” në vitin 1967, nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, në luften kunder Fesë me “Revolucionin Ideologjik e Kultural”.
■Liria e Fesë solli disa nga ndryshimet e prituna mbas ramjes së Murit të Berlinit…
■Me 2 Qershor 1991, Papa Gjon Pali II kremton Meshen solemne të Korpit Krishtit, me perfaqsues të një Delegacioni të veçantë të Selisë Shenjte, tue i rivendosë marrdhanjet diplomatike në rang Nunciature Apostolike per Selinë e Shenjtë, dhe Ambasade në Shqipni. Marrdhanjet e Vatikanit me Shqipninë u nderprenë në Maji 1946, kur Shqipnia ishte nën kontrollin e plotë të Jugosllavisë komuniste, dhe qeveria kukull e Tiranës e drejtueme nga Enver Hoxha, zbatonte politiken e shkombtarizimit dhe të daljes jashtë të Shtetit Shqiptar nga Europa Perëndimore Perparimtare. Atëherë u nxjerr jashtë Delegati Apostolik i Vatikanit Leone G.B. Nigris, nga Shqipnia dhe u pushkatue pafaj Rregjenti i Delegacionit Apostolik Shqiptar i porsaemnuem Imzot Frano Gjini.
■Me 13 Qershor 1991, Papa Gjon Pali II, nuk e pranoi per vizitë në Vatikan autorin e “Muzeut Ateist”, terroristin Ramiz Alia, edhe pse PPSh ndrroi emnin në Kongres, dhe u quejt “Partia Socialiste e Shqipnisë”. Ramiz Alia kerkoi me u perjetsue si president.
■Me 2 Dhjetor 1992, në pragun e vizitës së Papes Gjon Pali II në Shqipni, anadollakët Ramiz Alia dhe Sali Berisha, presidentët binjakë të “demokracisë”, shpallin Shtetin Shqiptar “Shqipnia Antare e Konferencës Islamike”.
■24 Prill 1993, një ditë para udhëtimit për Shqipni, Papa Gjon Pali II i drejtohet Popullit Shqiptar nga Vatikani: “Të dashtun vllazen e motra shqiptarë, po vij tek ju në emën të Zotit. Po vij, që të lutem me ju dhe për ju, për një të ardhme qetësie e paqe”…
Dhe në gjuhën shqipe shtoi: “Mirupafshim nesër! Zoti ju bekoftë!”
***
■25 PRILL 1993…PAPA DHE SHQIPNIA…
Vargu i pafund i njerzëve lidhi Aeroportin e Rinasit me Kathedralen e Shkodres…
■Ditë e shenueme mbas 526 vjetësh kur Zoja e Këshillit të Mirë mërrijti në Gjenacan, e pikrisht prej atje, me 25 Prill, Papa solli një kopjo të asaj Figure tek rrenojat e Kalasë.
■PAPA GJON PALI II viziton Shqipninë e Gjergj Kastriotit…
Takohën Dy Burra! Njeni me shpatë të futun në kllef , Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
“Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!
Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem!” E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë…
me 12 Dhjetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë!
E dora e rame e Gjergjit mbi gjoks nga 17 Janari 1468, ngrihët naltë!..
■“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli im Shqiptar!
E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë
të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!.. Edhe unë dikur…Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.
■“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po, edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës. Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
■Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës. Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
■Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
■Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
■Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
■Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat.
Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
■Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë, ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit.
■Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne.
■Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë sot pikësynimi, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, edhe e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot, keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun.
■Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. ■Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri Drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë
e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë,
sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
■Nga një liri e tillë e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
■Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
■Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashkpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e ■Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit.
■Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
■Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashkjetesë tek Ju.
Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm.
■Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna.
E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.
E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo, që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet,
lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore.
■“Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”. Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun.
Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. ■Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
■Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Saj asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes, për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
■Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
■Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit!
Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës.
■Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët
e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar.
■Lé ti ndrisë hapat e Tu dashunia për familjën, shpirti i vëllaznimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare. Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë, do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës.
■E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
■Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…
■Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot.
■Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
■Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës.
I lutem Zotit, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
■Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruejtë Atdheun Tuej! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
(Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171,
viti 1993. University of San Francisco, USA. Nenvizimet janë të FR)
■Me 2 Prill 1999 Papa Gjon Pali II tha: “I përbuzun e i dëbuem asht Krishti në njeriun e munduem e të vramë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes”.
■Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, tha: “I lutem Zotit të ringjallun t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje e dhune. Mendoj, për ata që janë vra, për ata që kanë mbetë pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg…”
■Ndersa unë, Ju pyes sot… në Prill 2015: “PO SHQIPTARËT SHKA BAJNË..?!”
Melbourne, 2015.
ÇELËSI I TIRANËS, KUJT I DHUROHET?
ÇELËSIN E TIRANËS” – BASHA IA NDAN ATIT TË SHENJTË, PAPA FRANCESKU DHE EDI RAMA KËNGTARIT ANTISHQIPTAR, GORAN BREGOVIÇIT
Nga Ramiz Lushaj/
1.Kryebashkiaku mandat dytë i Tiranës e kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2006, i dorëzoi me solemnitet të lartë “Çelësin e Tiranës” Goran Bregoviçit, i njohur si kangtar dhe antishqiptar. Babai i tij, kroati Franjo, ishte ushtarak i ushtrisë jugosllave, ndërsa nana e tij serbe, thirret Borka, i lindur në Sarajevë e qytetar i lagjes Senjak të Beogradit të Serbisë.
Ky, Goran Bregoviçi, ishte mik i afërt i kriminelëve e antishqiptarëve si Zheljko Raznjatoviçit-Arkanit, Vojisllav Sheshelit, Ratko Mlladiçit, e në kohën e luftës dha koncerte për ta në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, etj.; ishte frymëzues i miteve serbe në Kosovë, sidomos me kangët “Kallashnikov”, “Juriiis” (Sulm mbi ta…), “Pucaj” (Qëllo-zjarr-vritni…), etj. Krejt Kosova i ka ndie këto kangë të Bregoviçit, veçmas ajo “Kallashnikov” ishte si hymn i çetnikëve të Sheshelit e “tigrave” të Arkanit, që jehonte nga kasetofonët e makinave të ushtarëve e paramilitarëve serbë në rrugët e Kosovës teksa kryenin vrasje, përdhunime, torturime, spastrim etnik të shqiptarëve. Në kohën e Luftës në Kosovë kërkonte ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, ndërmerrte koncerte bamirëse në Greqi (Sheshi “Omonia”, etj.) e shtete të tjera për të mbledhë ndihma për Serbinë e Millosheviçit; ka marrë pjesë në demonstrata kundërshqiptare në Beograd, etj.
Pasi e mori “Çelsin e Tiranës”, dy vjet ma vonë, më 12 qershor 2008, në 9-vjetorin e Lirisë së Kosovës, Bregoviç u rrëzue nga qershia e kopshtit të tij në Beograd, tue pësue damtime të randa, po prapë më 2009 erdhi në Shqipëri, në qytetin bregdetar të Durrësit. Pra, nuk kemi të bajmë me një rast të vetëm, po me një qëndrim e veprim të prejkoshëm, të përhershëm. Gazeta e famshme e Beogradit “Kurir”, vitin e kaluar, pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, shkruante:”Ajo që nuk nuk e dinim dhe tashmë është bërë shumë interesante, është një fjalim i Ramës, në të cilin ai thoshte se gjatë regjimit të Enver Hoxhës dëgjonte fshehurazi muzikën e grupit Bjello Dugme”. E ky grup, me aktivitet qyshse në kohën e Jugosllavisë Federale, në vitet 1974-1989, dhe – tevona: 2005, 2014, dhe ka për antar të tij edhe antishqiptarin Goran Bregoviç.
2.Kryebashkiaku i Tiranës e njiherash dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i dha në Sheshin “Nënë Tereza”, në meshën e madhe solemne, më 21 shtator 2014, Papa Franceskut titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe në mënyrë simbolike dhe Çelësin e Tiranës.
Ati i Shenjtë, i 266-ti në Vatikan, të parën vizitë në Europë e kreu në Shqipëri, erdhi me avion me Flamur Kombëtar Shqiptar, bekoi Vendin e Shqipeve, dha mesazhe të mëdha për Shqipërinë e Shqiptarët, etj. E, pati zëra publik nga pena të njohura që jo pa fakte i hapnin udhë mendimit e hulumtimit që Papa Françesku të ketë dhe origjinën e tij të hershme shqiptare, nga arbëreshët e Argjentinës, e mund të jetë një nga pothuaj dhjetë Papët e Vatikanit me prejardhje shqiptare.
3.Këta dy shembuj, i kryebashkiakut e kryesocialistit Edi Rama më 2006 e i kryebashkiakut e kryedemokratit Lulzim Basha më 2014 nuk janë thjesht dy shembuj të pakrahasueshëm, krejt të ndryshëm. Dy liderët shqiptarë të dy shembujt i kanë akt-krye kur ishin në Opozitë. Me bindje të plota. Me ceremoni të veçanta.
Po, mbi të gjitha, këta dy shembuj flasin për diferencat e mëdha politike, kombëtare e qytetare që kanë ndërveti dy lidershipët e sotëm, Lulzim Basha nga Edi Rama. Këta shembuj dëshmojnë dhe faktin tjetër: se sa larg e lart qëndron në startet e stadin e kohës së sotme kombëtari euro-atlantik, Lulzim Basha, kryebashkiak i metropolit shqiptar, kryetar i ri i PD-së e i Opozitës Shqiptare.
VIZITA E PAPA FRANCESKUT- JEMI VENDI I PARE EUROPIAN QE PRESIM SHENJTERINE E TIJ
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nga aeroporti i Rinasit, ku dhe do të jetë ndalesa e parë e Papa Françeskut, bëri të ditur detajet e përgatitjeve që janë ndërmarrë për vizitën e Atit të Shenjtë.
‘‘Si çdo familje që kujdeset dhe bën disa përgatitje të veçanta për një mik të shtrenjtë, edhe qeveria shqiptare, në këto dy muaj, u mobilizua për të pritur Mikun e shtrenjtë, dhe të gjithë miqtë e tjerë që vijnë për këtë ngjarje me përmasa botërore’’ deklaroi Ministrja, ndërsa theksoi se, për të realizuar të gjitha projektet me rastin e ardhjes së Atit të Shenjtë, nuk ka qenë e lehtë.
‘‘Jemi më pak se 24 orë nga ardhja e Papës që ndalesën e parë do e ketë pikërisht këtu në këtë sallë të aeroportit e cila është rinovuar së fundmi edhe për të pritur Atin e Shenjtë, që vjen nesër, në përgjigje të ftesës personale të Kryeministrit Edi Rama. Pohoj që nuk ka qenë e lehtë që në një kohë kaq të shkurtër të realizonim gjithë objektivat e projektet tona, jo sepse nuk dimë a nuk mundemi, por sepse nuk mendonim që kjo ngjarje të reduktohej veç në protokollin e një dite, por në ngjarjen e kësaj vjeshte e të këtij viti: për Tiranën, për Shqipërinë, për shqiptarët, për rajonin, ngjarje me shumë dimensione: kulturore, shpirtërore, sociale dhe historike”, tha Kumbaro.
Kjo ishte arsyeja, vijoi ajo, pse përshpejtuam punimet rehabilituese në disa zona, siç është Sheshi Nënë Tereza dhe zona përreth, Pallati i Kongreseve, Muzeu Historik, Aeroporti. Kjo ishte arsyeja pse ndërtuam një kalendar shumë të pasur kulturor i cili u shtri jashtë kryeqytetit dhe vazhdon përtej datës 21 shtator.
Më tej, ministrja Kumbaro i ka drejtuar një falënderim të veçantë të gjithë atyre që kontribuan për realizimin e të gjitha projekteve. ‘‘Sot kthejmë kokën pas në këto javë pune intensive, dhe me cilësinë e Kryetares së Komisionit të Shtetit për organizimin e kësaj vizite, nuk mund të mos falenderoj për bashkëpunimin shembullor, të gjithë ata që kontribuan dhe vazhdojnë ende të punojnë me intensitet, me qëllim që çdo gjë të shkojë me sukses të sigurt deri në minutën e fundit’’, tha Kumbaro.
‘‘Më lejoni të shpreh mirënjohje veçanërisht për Kishën Katolike shqiptare me të cilën kemi ndarë në këto javë vështirësitë dhe arritjet dhe kemi qenë plotësisht të koordinuar për të kapërcyer çdo vështirësi, Nunciaturën e Vatikanit dhe Protokollin e shtetit të Vatikanit për të dakordësuar çdo element, citon deklarata e ministres Kumbaro. “Një falënderim me gjithë zemër shkon për të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, dhe krerët e tyre: Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse dhe Komunitetin Bektashi, për bashkëpunimin, komunikimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre esencial në ndërtimin e kësaj fryme të një harmonie reale.
Sipas Kumbaros, kjo frymë bashkëpunimi ndërfetare me komunitetet kulmon sot me hapjen e një ekspozite krejt të veçantë, organizuar nga Ministria e Kulturës, dhe që titullohet BESIM, e që nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama përurohet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozitë që do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit tetor.
Për orët në vijim, Kumbaro u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që do të jenë në Tiranën e Meshës së Shenjtë të ditës së nesërme, të dëshmojnë atë bashkëjetesë fetare për të cilën lëvdohemi.
“Po kështu i bëj thirrje të gjithë qytetarëve, këmbësorë dhe drejtues të mjeteve, të ndjekin me vëmendje të gjitha udhëzimet që kemi shpërndarë në media dhe rrjetet sociale, lidhur me lëvizjet dhe kufizimet e lëvizjeve, me pikat e shërbimit, me itineraret e përcaktuara. Stafet tona të angazhuara, policia e shtetit dhe vullnetarët që ndihmojnë në organizim, do të jenë pranë jush, me shenja dalluese për t’ju orientuar, por kërkojmë dhe bashkëpunimin e gjithsecilit, për mirëkuptim, durim, dhe buzëqeshje”, vijoi ajo.
Sipas Kumbaros, vizita e Atit të Shenjtë është një ngjarje e rrallë, jo vetëm për botën katolike, por për botën mbarë. Dhe Shqipëria do të di ta justifikojë se e meriton të jetë në qendër të vëmendjes së botës(K0rtezi-ATSH)
Vizita e Papës- Kryeministri: Bashkëpunim absolut me sigurinë e Vatikanit, nuk ka asgjë për tu shqetësuar
Nga Almarina Gegvataj/
-Kryeministri Edi Rama deklaroi me 18 shtator në mbrëmje në emisionin “Opinion”,se nuk ka asgjë për tu shqetësuar lidhur me sigurinë e Papa Françeskut gjatë vizitës që do të zhvillojë të djelën e 21 shtatorit në Shqipëri.
”Bashkëpunimi ka qënë absolut me sigurinë e Vatikanit, ata kanë një përvojë shumë të fortë në këtë drejtim dhe absolutisht që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar ndërkohë që besoj që shqiptarët do të vijnë nga kudo për ta mirëpritur”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se ”ditën e djelë, si asnjëherë më parë, Shqipëria do jetë në sytë e të gjthë botës, rreth 120 gazetarë të huaj do të jenë dhe përfytyroni Shqipërinë që në mëndjen e shumë njerëzve është një vend pa lidhje, që do të ekspozojë pjesën e trupit të vet të përgjakur në emër të kishës, besimit dhe lirisë së fesë”.
Lidhur me zbukurimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit “, me portretet e 40 martirëve të klerit katolik dhe ortodoks shqiptarë të cilët janë bërë dëshmorë në emër të fesë, Rama tha se janë ide e imja “, ndërsa Vatikani ka nisur procesin e lumturimit të tyre.
Përsa i përket kopjes së “Mesharit” të Gjon Buzukut, shefi i qeverisë shqiptare sqaroi se “Vatikani sjell diçka unikale si dhuratë, një kopje të dixhitalizuar të këtij Meshari. Kopja që sjell Papa Françesku është kloni i Mesharit të Gjon Buzukut”.
NJË VENDIM HISTORIK
Nga Eugjen Merlika/
Data 11 shkurt 2013 do të mbetet një nga ditët më të shënuara në historinë e Kishës katolike, të institucioneve të saj, të gjithë besimtarëve të krishterë, madje të gjithë njerëzimit. N’atë ditë të mvrenjtur dimri me shi një rrufe u shkarkua mbi minaren e lartë të katedrales së Shën Pjetrit, në Vatikan. Krahas saj, “si një rrufe në qiell të kthjellët”, n’orën 11 e 46′, nga valët e agjensisë Ansa, një lajm do të përhapej, brënda pak minutash, në të gjitha kanalet televizive, stacionet radiofonike, sitot internet. Bota mësoi lajmin që vinte nga “qyteti i përjetshëm” : Papa Benedikti XVI largohet nga detyra e tij më 28 shkurt 2013, n’orën 20.00. Mbas kësaj ore vendi i Atit të Shenjtë është vakant.
Ishte një nga ata lajme që shtangin këdo, që venë në mendim, që ngjallin hamëndje, biseda, shqetësim, ankth. Shumica e njerëzve çoroditen, nuk e marrin dot me mënd se si mund të japë dorëheqjen Papa. Ka gjashtëqind vjet që nuk ndodhte një gjë e tillë, që më 1415, kur Gregori XII dha dorëheqjen, “i braktisur nga sunduesit dhe të fuqishmit e kohës, në përpjekjet reformuese të kishës”, simbas enciklopedisë.
“…Në botën e sotme, subjekt ndryshimesh të shpejta dhe të trazuar nga çështje të një rëndësie të madhe për jetën e fesë, për të drejtuar varkën e Shën Pjetrit e për të bërë të njohur Ungjillin, është e domosdoshme edhe fuqia, si e trupit, ashtu dhe e shpirtit, fuqi që, në muajt e fundit, tek un është pakësuar në mënyrë të tillë, sa që të njoh paaftësinë time për të mbarështuar mirë detyrën që më është besuar. Prandaj, i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij veprimi, në liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga detyra e Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit…..”
Kjo qe një pjesë e fjalës së Benediktit XVI para kardinalëve, të mbledhur në një conçistor për lavdërimin e 500 martirëve të Otrantos, të cilët pesë shekuj më parë kishin humbur jetën në det, për të mos bjerrë fenë e Krishtit nën pushtimin turk. Ati i Shenjtë, tashmë 86-vjeçar, i hap zemrën vartësve të tij, princërve të Kishës, por edhe qindra miliona besimtarëve në të gjithë botën, duke kërkuar mirëkuptimin në një çast të vështirë. Zbret nga froni, sepse ka kuptuar se fuqitë fizike e shpirtërore janë pakësuar e nuk i premtojnë më të përballojë detyrën e drejtuesit më të lartë të Kishës katolike botërore. Askush nuk i kërkon një gjë të tillë, por Ai nuk kënaqet me aureolën që i jep posti i tij. Ne vetëvete ka një tjetër gjykatës, ndërgjegjen e tij, që, ndryshe nga ajo e vdekëtarëve të thjeshtë, ballafaqohet përherë me Krijuesin dhe Birin e Tij. Ajo ndërgjegje i urdhëron të lerë detyrën “duke i besuar Kishën e shenjtë kujdesit të Bariut të saj më të shquar, Zotit tonë Jezu Krisht, e duke lutur Nënën e tij të shenjtë Maria që, me mirësinë e saj amtare të ndihmojë Etërit kardinalë për të zgjedhur Papën e ri…”
Ka një sinqeritet të skajshëm në mesazhin e Atit të Shenjtë, një sinqeritet që buron nga një ndershmëri e shkallës më të lartë. Ndershmëria, e shprehur në shfaqjen e saj më sublime, pasqyrë e një ndërgjegjeje, më shumë hyjnore se njerëzore, e një vetëdije që ka kaluar të gjitha provat e saj në një jetë të gjatë studimi e pune në shërbim të fesë e të mësimeve të Ungjillit, mendoj se është kryefjala e asaj dukurie, që është e paracaktuar të hapë një epokë të re në historinë e Kishës së krishterë. Ajo ndershmëri trupëzohet në ndjenjën e detyrës, në një mendësi që nuk pranon sendërtimin e saj jashtë përsosmërisë, që e quan të papranueshme idenë e livadhisjes, të mungesës së rezultateve, të brishtësisë së qëllimeve, të dobësisë së synimeve. Është jeta njerëzore që i avitet mendësisë hyjnore, është parimi i përjetshëm i ecjes përpara, i zhvillimit, i lëvizjes së një shoqërie njerëzore, të cilën biri i Zotit, nëpërmjet mësimeve të Tij, u a la si amanet dishepujve e, në rradhë të parë, peshkatarit Simon, që me emrin Pjetër do t’a quante “gurin themeltar” të ndërtesës së Tij në tokë.
Papa Ratzinger është marrësi dhe shpërndarësi i atij mesazhi, përcjellësi i asaj mendësie, ruajtësi besnik i parimevet të tij. Si i tillë Ai, që jeton çdo ditë me shqetësimet e grigjës që ka në ngarkim, me problemet e shumta të një bote të “trazuar”, e kupton se fuqitë e tij fizike e shpirtërore nuk i premtojnë më një rendiment shumë të lartë në misionin e tij, gjë që ve në rrezik plotësimin e tij. Atëherë mendohet gjatë e, në përsiatjet e tij të thella, ndjen edhe dorën e Jezuit që e inkurajon, kësaj here për të përcjellë misionin tek një tjetër, që do të ketë më shumë fuqi, që do të jetë më i ri, që do të përballojë me të njëjtën përkushtim sendërtimin e tij.
Vendimin e marrë në vetminë misterioze të njimendësimit me Hyjin e shpall në latinisht, para gjithë bashkëpuntorëve të Kishës Nanë në një ditë të shënuar, më 11 shkurt, në ditën e të sëmurëve, të shpallur nga paraardhësi i tij, i madhi Gjon Pali II, në kujtim t’atij 11 shkurti 1858, kur Zoja e Bekueme u shfaq para një fëmije me emrin Bernadette në Lourd të Francës. Ai komunikim është një mësim i madh jo vetëm për Kishën dhe institucionet e saj, por për të gjithë njerëzimin, sepse pohon një parim që duhet të zbatohet nga kushdo që, në shoqërinë njerëzore, merr përsipër një detyrë : në çastin kur ajo detyrë nuk kryhet, duhet liruar vendi, nuk duhet humbur koha me vëndqëndrime, me mashtrime, me papërgjegjësi. Duhet të jetë një rregull i artë, më shumë se kudo, në fushën e politikës ky parim që është dhe thelbi i moralit që del nga vendimi historik i Papës Ratzinger.
Shumë vëzhgues e shpjegojnë atë edhe me vështirësitë e hasura në vitet e fundit në vetë gjirin e Kishës, me probleme të mëdha e të shumta si rivalitete e intriga, skandale pedofilie e financiare, ballafaqime me kërkesa të shoqërisë bashkëkohore. Argumentat janë të diskutueshme, por nuk ndryshojnë asgjë në madhështinë morale të vendimit, e përforcojnë atë. Madje nuk është një “zbritje nga kryqi”, siç e përkufizon kardinali Dziwisz i Krakovias, në ton polemik, mbasi prej kohësh Benedikti i XVI ka pohuar : “Zemra e Kishës nuk është aty ku projektohet, ku administrohet, ku qeveriset, por është aty ku bëhen lutjet”.
Ai vendim meriton një mirëkuptim të thellë e një vlerësim të lartë, jo vetëm sepse është frut i një përsiatjeje të gjatë të njërës nga mëndjet më të ndritura të kohës sonë, por edhe shprehje e një mendësie që mund të përmirësojë konceptet, jo vetëm në Kishën katolike, por në gjithë botën e sotme.
Shkurt 2013