• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË EMËR TË POPULLIT NUK MUND TË DËNOJNË VARRMIHËSIT E TIJ

May 8, 2020 by dgreca

Nga Pëllumb LAMAJ/

Legjenda e burgjeve komuniste ,shembëlltyra e misionarit të revoltave të perjetshme,fytyra e vetemohimit që mohoi diktaturën komuniste me guximin e tij drejt vetflijimit, drita që ngjallte shpresë kur gjithshkah rrethohej nga terri,klithmat dhe frika Xhelal Koprencka ( i riu) lindi në Koprenckë Skrapar në një familje me tradita e kontribut kombëtar.Gjyshi i tij Xhelal Koprencka ( Plaku) ishte Firmëtar i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë dhe zëvendës ministër i luftës në shtetin e parë të krijuar.Pas ardhjes në pushtet të bandës bolshevike të Tiranës,emri tij jo vetëm që u fsheh nga historiografia sllavokomuniste ,por u quajt një familje reaksionare dhe i biri Samiu bashkë me të shoqen Nerfuzen u dënuan me burg politik.

Xhelal Koprencka i (riu ) u lind në 1932 dhe në moshën njëzet e pesë vjeç në 1957 arrestohet e dënohet me shtatë vjet e gjashtë muaj për bisedë arratisje sipas ligjit komunist. Pikërisht këtu do të marrë rrugë kalvari dhe odiseja e Martirit që mbeti i skalitur në kujtesën kolektive e atë historike duke u ngjitur në altarin e kombit.
U arrestua dhe u dënua pesë herë. Arrestimi i fundit ndodhi brenda burgut me 23 shkurt 1979 dhe nëpërmjet një gjyqi të shpejtë e të inskenuar në datën 9 Maj do të dënohej me vdekje, pushkatim me të vetmin faj se i kishte drejtuar një letër diktatorit dhe udhëheqjes së lartë komuniste të shtetit.U akuzua për tradhëti të lart si organizotar i grupit nacionalist që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor.Pjestar të tjerë të grupit u dënuan me nga njezet e pesë vjet burg.

Dënim me vdekje do tu jepej dhe dy gazetarëve të tjerë që kishin mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik Vangjel Kokomanit dhe Vangjel Lezho, të cilët dhe ata i kishin nisur një letër diktatorit dhe udhëheqjes së lart të shtetit 

Në emër të popullit je i arrestuar – ju drejtuan hijenat e kuqe, kur e arestuan para një sheshi ku mblidheshin të burgosurit e që ne e quanim sheshi i kurbanëve, pasi këtu bëheshin arrestimet para se të ridënoheshin.

Jo në emër të popullit – ju drejtua me zë të lart ë me kokën lart Heroi Koprencka- Në emër të armiqëve të popullit.

Ai iku krenar,me kokën lart përball togës së egzekutimit dhe hijenave të kuqe që vinin vërdall i bindur se e kishte kryer misionin e tij……dhe kishte lënë prapa qindra e mijëra bashkëvuajtës….. 

Fatkeqësisht pas viteve 90 u mendua se krimet dhe autorët e tyre do dilnin para drejtësisë, por kjo jo vetëm nuk ndodhi,përkundrazi në pushtet mbetën përsëri pjella e kriminelëve, por këtë rradhë e ndihmuar dhe nga disa ”antikomunistë” që kishin qenë nëpër burgje e internime.

Ai iku me shpresën e patundur se një ditë e drejta dhe pafajësia do të triumfonin mbi pushtetin e krimit dhe për fat të mirë, nuk e provoi zhgënjimin e kësaj bote të padrejtë sikundër ne të pasmit. 

Edhe sot nuk tregohet vendi i egzekutimit.Edhe sot legjenda e qëndresës dhe vetmohimit në burgjet komuniste nuk ka një varr e le më pastaj një pllakë monument apo rrugë e institucion që të ketë emrin e tij, ndërkohë ata që e denuan me vdekje dhe e egzekutuan janë gjallë e bëjnë një jetë lluksi e pjella e tyre është në pushtet.
Portertin dhe pavdekësinë e tij unë e skalita dhe ja dhashë botës shqiptare në dokumentarin Spaçi ,Simbol i Qëndresës antikomuniste.

Ata të burgosur që u bën pjesë e qeverive neokomuniste që i lanë pushtetin njëra tjetrës jo vetëm e harruan,përkundrazi u turrën të marrin dekorata e teneqera për veten e familjarët duke ju vën emrat e tyre rrugëve e institucioneve..

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!
Mjerë ai popull që nuk nderon heronjte e tij!

Filed Under: Histori Tagged With: Koprencka, Ne emer te Popullit, Pellumb Lamaj

MOS THONI QË NË SHQIPËRI NUK KA ”DISIDENTË” !

April 1, 2020 by dgreca

Nga Pellumb LAMAJ/

Në përgjithësi disidentë u quajtën individët që në periudha të ndryshme të historisë ngritën zërin dhe nisën aktivitetin e tyre kundër shtetit dhe regjimit ku jetonin në forma të ndryshme duke denoncuar mungesën e lirisë dhe të fjalës e duke kërkuar në këtë mënyrë vendosjen e shtetit të së drejtës,duke rrezikuar jetën e tyre. Në më të shumtën e rasteve,ata do të arrestoheshin e dënoheshin,madje një pjesë edhe do të ekzekutoheshin.
Dhe historia botërore njeh shumë shembuj të tillë.

Fatkeqësisht kjo disidencë në krahasim me vendet e tjera komuniste në Shqipëri mungoi për vet faktin se regjimi barbar sllavokomunist shkeli me këmbë ç’do të drejtë themelore duke mos kursyer as pjellën e vet.
Shqipëria u mbush me kampe,burgje ,internime dhe shoqëria shqiptare për nënë e babë njohu vetëm Enverin dhe partinë .
Terrori sllavokomunist do të përligjte luftën e klasave dhe turmat për të mbijetuar do ti nënshtroheshin kësaj mortaje të kuqe që do të shkatërronte pak nga pak të gjitha vlerat shpirtërore,morale e kombëtare të shqiptarit duke ndërtuar në këtë mënyrë njeriun e ri,njeriun socialist.

Për gjysëm shekulli të gjitha institucionet shtetërore do të viheshin nën këmbët e bandës bolshevikë të Tiranës dhe do ti shërbenin asaj me një dedikim të paparë.Pati dhe shkrimtarë e intelektualë që dolën jashtë shtetit dhe kishin shansin historik të denonconin tragjedinë shqiptare e të shndërroheshin në mbrojtës e Disidentë të kombit të tyre,por ata jo vetëm nuk e bënë,përkundrazi u shndrruan në lolo oborri pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes duke i shërbyer me përulësi përbindëshit të kuq. 

Pas shembjes së Murit të Berlinit kur u mendua e u shpresua se në Shqipëri më në fund do të vendosej shteti i së drejtës që kishte munguar për gjysëm shekulli dhe fajtorët e gjithë asaj tragjedie kombëtare do të jepnin llogari,për ironi të fatit ndodhi e kundërta.
Sipas pazareve të më të mëdhenjëve dhe Katovicës edhe njëherë tjetër në histori e keqja dhe krimi jo vetëm nuk u dënuan,përkundrazi sipas skenarëve famkeqe, fajtorët e kriminelët u privilegjuan jo vetëm nga klasa politike brenda Shqipërisë, por dhe nga bota perëndimore që gjithmonë udhëhiqet e vepron në bazë të interesave.

Dhe për të justifikuar këto pazare të pista të kurvës politike,në Shqipëri mbinë si ato kërpudhat partite politike, ”Disidentët” dhe të Persekutuarit politik të partive.

Pasi i shërbenin njerës bandë neokomuniste e pasuroheshin në kurriz të shoqërisë,pa ngritur asnjëherë zërin për padrejtësitë dhe vuajtjet e popullit,kur vinte në pushtet banda tjetër,ja mbathnin në perëndim ku nisnin një jetë të re luksi me paratë e vjedhura nën petkun e ”Disidentit” e të Persekutuarit politik të partisë. Dhe kur partia e tyre kthehej përsëri në pushtet,edhe këta ktheheshin në atdhe dhe vazhdonin ti shërbenin partisë përsëri duke mbushur xhepat.

Kjo metodë vazhdoi e vazhdon sa herë që në Shqipëri bëhet rotacioni i partive banda neokomuniste.

Mos thoni se në Shqipëri nuk ka ”Disidëntë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Disidentet, Pellumb Lamaj, shqiptaret

NA VODHËN RININË

March 24, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ*/

Kish filluar të binte dëbora e parë.Ashtu dalë ngadalë dhe e qetë floktonte nga retë duke mbuluar rrugicat e ngushta ndërmjet kapanoneve prej druri, catitë e kodrat e zymta që rrethonin Luginën e Vdekjes me emrin Spac, ku qenie të pafajshme të kryqëzuara padrejtësisht nga mendja djallëzore e shpirti kriminal të njeriut, dergjeshin aty me dekada të harruara dhe nga vet Zoti.

Perdja e bardhë vallëzonte nën dritat e prozhektorëve të ushtarëve drejtuar nga ne dhe telat me gjemba ,që më parë gërvishnin qiellin ,nuk dalloheshin më.Herë pas here ushtarët shkrepnin nga një fishek drite për të na treguar se na kishin nën shenjë,dhe drita e tyre merrte pamjen e një vetëtime që sytë tanë të lodhur drejt qiellit e prisnim me kohë.

Pasi hëngrëm copën e bukës dhe gotën e cajës,bashkë me një mikun tim që dergjej burgjeve për tre dekada nisëm të bëjmë xhiron e zakonshme të darkës në hapësirën e kapanoneve.Dëbora zbriste nga,retë,ledhatonte kokat tona dhe trashte e patrazuar dhe magjishëm shtresën e bardhë ku ne zvarrisnim opingat e llastikut.

Bëmë disa xhiro dhe i ngazëllyer nga bukuria që kishte ndryshuar pamjen e zymtë e të zezë të kampit ,ndalova hapin dhe ju drejtova mikut tim;

Sa bukur…..Këtë s’na e ndalojnë dot barbarët !

E pashë që ai u ngrys e pas disa hapash ndaloi ,drodhi një cigare,e ndezi e pasi e thithi dy tre herë mu drejtua ;

Pëllumb a e di ti krimin më të madh që hijenat e kuqe kryen ndaj nesh ?

E vështrova gjatë,ngrita supet dhe për momentin s’dija c’ti thoja.Krimet ishin aq të shumta e makabre sa dhe vet ne kishim filluar të mos i besonim.

Bëmë dhe disa hapa dhe pastaj mu drejtua me shikimin hedhur larg,tej telave me gjëmba ndoshta i mbërthyer nga ndonjë muzë e castit që vinte ti ndizte shpirtin.

Krimi më i madh është se na vodhën dhe na vranë të drejtën hyjnore për të dashuruar.Ti je i ri ,plot energji e zjarr do ta prekësh lirinë, por ne…… – dhe pasi thithi fort cigaren lëshoi një re tymi që ju bashkuan flokëve të dëborës që vazhdonte të binte e patrazuar dhe e qetë. 

Vazhduam xhiron dhe pas pak ndaloi sërish dhe mu drejtua ;

Ti je ri dhe shkruan, por mbi të gjitha të shkruash për ty është dhe detyrë.Tregoi botës një ditë për ne… për ne që u kryqëzuam këtu vetëm e vetëm se donim të bukurën.

Në cast u dëgjua britma e policit që lajmëronte që të futeshim nëpër kapanone.I thamë natën e mirë njeri tjetrit e u shpërndam.Shkova pranë krevatit të kashtës dhe nisa të rrotullohem majtas e djathtas . Fjalët e tij më binin si daulle e s’më ndaheshin për asnjë cast.Në sytë e tij që ende shkëlqenin,në gjoksin e tij plot gulcim e në fytyrën plot rrudha,atë natë të gjatë e të pafund, preka nga afër krimin më të madh të të gjithë krimeve.Nuk di sa kohë kaloi ashtu dhe vetëm gërhitjet dhe ndonjë britmë nga ndonjë ëndërr e keqe e ndonjë fatkeqi, më zgjoi nga ai vegim.Mora letrën e ashtu zemërthyer nga ato që më tha miku im hodha në letër disa vargje …….

Ishte herët në mëngjes kur u dëgjua britma e tellallit dhe policit që bënte zgjimin. ,Jashtëëë!  Gjithçka ishte mbuluar nga velloja e bardhë e dëborës.E mora letrën e futa në xhep dhe pasi mbaruam një nga një nevojat personale duke pritur në rradhë ,u nisa te sporteli i mencës për të marrë supën. Mbaruam mëngjesin dhe pas pak na urdhëruan të futeshim në sallën e leximit kur bëhej leximi i veprave të diktatorit.Para se të futeshim brenda ,i zgjata letrën mikut tim.Ai e mori dhe e futi menjëherë në xhep.

Do ta lexoj më vonë – më tha – se po më kapën – më kalbën në qeli.

Tej telave me gjemba një vegim rinie
C’më zhduku sonte monotoninë 
Me c’zjarr e afsh m’rrëmbeu n’ato ije
Ku muz’ e plagosur kërkon arratinë

Ishte Dita e Verës e lulet vallëzonin
Hijenat e kuqe më vodhën rininë
Më këputën,më ndanë nga lulet e tjera 
E më flakën të vyshkesha në errësirë. 

I gjithë në rrjetë u katandis globi
Detrat, oqeanet, qielli vet’
Vall’ si duron Zoti tek sheh nga sipër
Si kryqëzohen e shuhen bijtë e vet. 

*DITARI I BURGUT Spac 1983

Filed Under: Politike Tagged With: Pellumb Lamaj

SOFRA POETIKE E DIELLIT-POEZI NGA PËLLUMB LAMAJ

March 21, 2020 by dgreca

ME RASTIN E DITËS BOTËRORE TË POEZISË/

QELIA /

Brenda katër muresh/
Rrethuar nga terri/
Zvarritem parreshtur/
S’po di nga lind dielli/

Brenda katër muresh

Shtangur nga vetmia

Hijet më rrethojnë

Nxinë e tërë qelia

Brenda katër muresh

Kruspull nga të ftohtit

Pres të vij mesnata

Ti drejtohem Zotit

Brenda katër muresh

Dhe pse natë e thellë

Më kot pres unë Zotin 

Ai është lart në qiell

***
STATUJË E LIRISË

Eh Statujë, Statujë e Lirisë

Sa kufoma rinie vyshkur mbi ball

Jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan

Kafka martirësh mbetur pa varr

Eh Statujë , Statujë e Lirisë

E vetmja dritë, i vetmi zjarr

E vetmja ëndërr ku shpresat udhëtojnë

Përzjere në klithma,kulluar në gjak.

Eh Statujë,Statujë e Lirisë

E vetmja dritë që na mban gjallë

Por dhe po ikëm pa u takuar

Besomë, do vijnë të të puthin vrasësit tanë.
Spaç 1979

DITA E VERËS

Trishtimin flaka sot

Mbi telat me gjemba

Dhe sytë e lodhur në qiell

Në arratisjen e një reje rebele


Që largohej me shpejtësi

Drejt foleve të panjohura

Ravijëzuan fytyrën tënde

E në çast,mitralozët

E bajonetat drejtuar nga unë

U shndrruan në petale dashurie

Vall pse je kaq larg
Sot që është 
Dita e Verës

E unë trëndafilin e kuq 

Dot nuk ta sjell…!
Spaç 1979

BASTARDËT

Gjithë jetën i kënduat përbindëshit

Kur ngordhi e qatë në ç’do varg

Tani si jashtëqitje sllavokomunizmit

S’ju mbetet gjë tjetër veç të pështyni lart

Të parët që ngritët dy gishtat lart ishit ju
Sekretarë të partisë, komsomolas te rinisë
E pështytë,me këmbë e shkelët paçavuren e kuqe
Dhe në mëngjes u gdhitë pishtarë të demokracisë

Të parët që ja mbathët në perëndim ishit po ju

Shkrimtarë të realizmit socialist,pa Zot,pa atdhe`

Ju që mbi gërmadhat e botës së vjetër kapitaliste

Do ndërtonit internacionalen komuniste,botën e re`

Ju që gjithë jetën shkelët mbi varre
Dhe hija e vdekjes ju ndjek nga pas

Mos harroni shkrepëtimën që zbret nga qielli
Ofshamat dhe mjerimin e një populli të pafat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Pellumb Lamaj, poezi

N Ë N A…

March 8, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ/

Është ora pesë pasdite dhe pasi kemi arrdhur nga galeritë e kemi ngrënë atë pak supë,si gjithë të burgosurit e tjerë, i lodhur jam shtrirë edhe unë në dyshekun e kashtës në katin e dytë dhe me sytë drejt dërrasave të katit të tretë që shërbejnë edhe si tavane për ne të katit të dytë, mundohem tu jap rrugë e ti arratis mendimet dhe mallin për familjen, kur dëgjohet zeri i tellallit të burgut që thërret emrin tim për takim me familjen.
Ngrihem menjëherë nga dysheku e përpak përplas kokën në dërrasa.Emocione të shumta më pushtojnë papritur.Është takimi i parë me familjen pas gjithë atyre muajve në qeli.
Bashkëvuajtësi pranë meje më thotë me zë dashamirës;
Ishallah është Nëna !.Sytë më mbushen me lot dhe një lëmsh më mblidhet në fyt.
Qëndro i fortë- më thotë sërish bashkëvuajtësi- duke më rrahur supet – jepi kurajo Nënës e mos ua bëj qejfin hjenave të kuq e unë veç tund kokën pa nxjerrë asnjë fjalë.
E prisja me ditë këtë takim e tani që isha veç pak çaste e hapa larg ,mezi tërhiqja këmbët duke ngjitur shkallët e ashtu mbërthyer nga emocionet, u nisa drejtë portës së madhe prej hekuri që shërbente edhe si postbllok ,edhe si vend takimi me familjet me vështrimin e etur për të dalluar cili pjestar i familjes kishte arrdhur.Në hetuesi kryetari i degës së brendshme Llambi Peçini dhe nënkryetari Meramet Hila me kishin thënë se ju jeni një strofkë ujqërish si familje,armiq të betuar të partisë dhe popullit dhe tani do t’ju kalbim të gjithëve në burg dhe kjo më kishte munduar më shumë se gjithë torturat gjatë kohës që isha në qeli.Mos ndoshta dikush tjetër nga familja ishte bërë kurban ? Në horizont dallova siluetën e një gruaje veshur me të zeza me dy trasta në duar që vinte drejt portës.Kur u afrua edhe më,zemra më rrahu fort dhe shtërngova duart në hekurat e portës. Ishte Nëna .Pas Nënës vinte vëllai madh edhe ai ngarkuar me trasta që vështronte herë majtas e herë djathtas ngaqë nuk më shihte mua që qëndroja në koluben midis hekurave.
Kur mbriti te porta,sa më pa,Nëna lëshoi trastat në tokë,drejtoi trupin,morri frymë thellë,rregulloi shaminë e zezë ne kokë dhe me buzët dhe duart që i drridheshin,s’mundi ti fsheh dy pika loti prej syve të përgjëruar që ngrine si dy copa akulli në fytyrën e saj dhe me kokën lart ,që në çast mori pamjen e një copë gjigande mermeri,lëshoi një oh që përshkoi qiellin e gërvishur me shtylla e gjemba teli e si një shkrepje vetëtime, ju bashkua ofshamave të pafundme të Nënave spaçiane;
Po me ty ç’patën biri i vogël i nënës,nuk u ngopën gjithë jetën me ne ?
Polici ju bëri me shenjë të futen në koluben që ndahej në dy sportele hekuri ku i burgosuri dhe familjarët mundet vetëm të takonin duart.Njeri polic qendroi në anën e tyre e tjetri kaloi në anën time.
I zgjata duart,i preka dhe nisa ti lëmoj gishtrinjtë e ftohtë që i dridheshin dhe i thashë;
Ti je mësuar me dallgë o Nënë,do kalojë dhe kjo stuhi,kështu na ke mësuar – dhe u përpoqa ti buzëqesh ,buzëqeshje që në çast u shndrrua në shtërngim dhëmbësh dhe pastaj shtërngova duart e vëllait i cili pasi mi shtërngoi fort shpërtheu;
Qëndro burr,do të të vimë prapa kudo që të jesh, sa të kemi frymën – dhe disa pika lot i rrëshqitën faqeve dhe si ai Luani plagosur shkundi kokën.
Vëllanë e madh e kishin thirrur për bashkëpunim me armën famkeqe të sigurimit të shtetit para arrestimit tim e ai natyrisht ua kishte dhënë reston e në ato çaste, ai ndoshta e ndjeu veten ”fajtor” që unë më i vogli i familjes isha kryqëzuar në vend të tij.
Në çast u ndje zëri i policit që lajmëroi mbarimin e takimit.
Me njerën dorë shtërgova duart e Nënës dhe tjetrën ato të vëllait .
Ah mor bir – psherëtiu Nëna – Nuk më bëjnë këmbët të iki !
E si mund të ndodhte ndryshe në ato çaste të dhimbshme kur një portë gjigande hekuri ku sipër dy kupola me ushtarë me bajoneta e automatikë drejtuar nga ne e ndërtuar nga mendja djallezore e hijenave të kuqe,ndante Nënën nga djali e vëllanë nga vëllai më pa të drejtë.
Shpejt ,shpejt – klithi polici – po presin të tjerët në rradhë !
E brenda portës me duart shtërnguar në hekurat e saj,i pafuqishëm për ta shqyer,veç i vështroja si largoheshin e tërhiqnin këmbët zvarë me shikimin prapa nga unë.
Në çast mu kujtuan vargjet e Kudret Kokoshit në burgun e Burrelit kur ai kishte takuar për herë të parë Nënën pas shumë kohësh.

Të pashë o Nënë pas kaq kohe larguar
Te krrusur,te plakur e të tretur
Të pashë o Nënë mbi një shkop mbështetur
Mermer i gjallë vuajtjesh e mjerimi.

E ashtu si në vegim tek i shikoja të largoheshin si hije, dëgjova klithmën e policit.

Ç’pret – merri trastat e zhduku apo don ti flak në përrua !

DITARI I BURGUT Spac Gusht 1979

Filed Under: Opinion Tagged With: nena, Pellumb Lamaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT