• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REVOLTA E SPAÇIT & E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR

May 12, 2017 by dgreca

1 OK RevoltaKUJTES Ë – REVOLTA E SPAÇIT DHE E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR/

5 RevoltaMe nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politik, nën drejtimin e Pëllumb Lamaj në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet me 20 Maj 2017, përkujtimi i Revoltave të Spaçit dhe të Qafë-Barit.

Do të shfaqet dokumentari historik, që përjetëson revoltën e Spaçit i realizuar nga Pëllumb Lamaj” “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”. Dokumentari zgjat 30 minuta.

Tubimi perkujtimor organizohet në Selinë e Vatrës dhe do të nisë  në orën 2.00 pm.Adresa: 2437 Southern BLVD, BRONX, NY 10158.

***

KUJTESË: REVOLTA E SPAÇIT nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati 3 ditë, të burgosurit shpalosën në tarracën e burgut një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

REVOLTA E QAFË-BARIT– Nisi me 20 maj1984. Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë që ishin dënuar mbi 25 vite burg, të cilët shfrytëzoheshin egërsisht dhe punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne.Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolta më 20 maj 1984. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake.Të plagosurit hiqeshin zvarre…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kujtese, Pellumb Lamaj, Revolta e Spacit

MITHAT FRASHËRI DO TË PËRKUJTOHET NË VATËR

March 3, 2017 by dgreca

2 Mithat Frasheri

Me insiativën e ish të burgosurit politik Pëllumb Lamaj, që përjetoi ferrin Spacit për më shumë se 11 vjet, autor poezish, essesh dhe i dokumtarëve historikë, si dhe një grupi nacionalistësh, grupim i Ballit Kombëtar, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet me 18 Mars 2017, në orën 11.AM në Sallën e Vatrës takimi përkujtimor kushtuar apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashëri.

2 Mithat Frasheri2Veprimtaria Përkujtimore organizohet me rastin e përvjetorit të Lindjes të Mithat Frashërit, 25 Mars 1880.

Përmes kumtesash të shkurtëra, do të zbardhen edhe disa nga misteriet e fundit të jetës së Mithat Frashërit, si dhe do të diskutohet edhe për abandonimin dhe harresën që i ka bërë shteti dhe klasa politike shqiptare kësaj figure kombëtare në 25 vjet tranzicion.

Për pjesmarrësit do të shfaqet filmi dokumentar me autor Pëllumb Lamaj” MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT”. Një kopje do t’i dhurohet arkivit të Vatrës.

Hyrja e Lirë. Janë të ftuar të marrin pjesë adhuruesit e Mithat Frashërit. Për komunikim telefononi në Vatër: (718) 365-6852 ose (917) 254-61-03

ADRESA PËR PJESMARRËSIT

VATRA

2437 SOUTHERN BLVD

BRONX, NY 104581 Mithat Frasheri

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Mit'hat Frasheri, Pellumb Lamaj, Perkujtohet ne Vater

REVOLTA E SPAÇIT PËRKUJTOHET E NDEROHET NË NJU JORK

May 19, 2015 by dgreca

Pëllumb Lamaj i vlerësuar dhe nderuar nga Asambleja e Shtetit të Nju Jorkut dhe Këshilli i Bashkisë në NY, deklaroi për Diellin: Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit e Qafë Barit, ky është një vlerësim për të gjithë ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, por ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve-demagogji e tranzicionit antidemokratik!/
Nga Dalip Greca/
Të dielën me 17 Maj 2015 në Kolegjin Monroe të Nju Jorkut është organizuar një veprimtari nderuese dhe përkujtimore për heronjët, martirët dhe qëndresatrët e Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit.Në përvjetorin e 42 -të Revoltës së Sapçit, Asmableja e Nju Jorkut me sponsorizim të z. Mark Gjonaj, ansambleisti i Distriktit 80-të, si dhe nga Këshilli i Bashkisë të qytetit të Nju Jork-ut-sponsorizuar nga anëtari i këshillit të Bashkisë për distriktin 15, Ritchie Torres, nderuan me proklamatë qëndrestarin e burgjeve të diktaturës komuniste Pëllumb Lamaj. Proklamatën e ka lexuar dhe më pas dorëzuar ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.
Në Proklamatën nderuse, vlerësohet qëndresa e antikomunistëve shqiptarë, ish të burgosurve politikë si dhe familjeve të internuara në kampet e vuajtjes.Në të shkruhet se Shqipëria u qeveris për 45 vite nga diktatori i pamëshirshëm Enver Hoxha, në regjimin e të cilit mbi 100 mijë shqiptarë u arrestuan, u burgosën, u torturuan, ndërsa familjet e tyre u internuan ose u burgosën në mënyrë të padrejtë, vetëm pse ata mbështetën të dashurit e tyre në luftën për liri. Në Proklamatë evidentohen fakte të tilla si: 5500 burra dhe gra u egzekutuan, ndërsa 100 mijë u burgosën e u internuan. Në mënyrë specifike, veçohet Spaçi, si burgu më i tmerrshëm në Shqipëri, i ndërtuar në vitin 1968, ku të burgosurit punonin deri në vdekje në minierat e bakrit dhe piritit.
Në proklamatë vlerësohet qëndresa e familjeve të ish të burgosurve politikë, që u keqtrajtuan kampeve të internimit ose u burgosën.
Në përfundim të proklamatës shkruhet: Përfundimisht regjimi komunist u rrëzua dhe ata që i mbijetuan burgjeve u liruan dhe mundën të ribashkoheshin me familjet e tyre. Edhe pse shenjat fizike mund të jenë shëruar, plagët mendore dhe kujtimet e zymta, janë ende gjallë sot, prandaj sponsorizuesit e kësaj proklamate, nderojnë të burgosurit Politikë të Shqipërisë dhe familjet e tyre.
Pëllumb Lamaj, i nderuar me Proklamatë, ndjehet i vlerësuar, jo vetëm si individ, por u është mirënjohës sponsorizuesëve për të gjithë bashkëvuajtësit dhe martirët e qëndresës antikomuniste. Në vlerësimin që i bëhet atij si individ, theksohet fakti se jeta e tij ka kaluar mes vuajtjeve. Lamaj që në moshën 8 vjeçare përjetoi arrestimin e të atit dhe kalvarin e vuajtjeve në internim.Në vend të shkollës, lodrave e ëndrrave, Pëllumbi u përball me terrorin komunist. Nënës së tij i duhej të rropatej në puën të rënda për të ushqyer pesë fëmijët me babanë në burg.Në shkollë përbuzej me nofkën”Kulak”, kuptimin e së cilës, nëna do t’ia spjegonte si ekuivalente me togfjalshin”Armik i Popullit”! Kjo do të thoshte izolim dhe se për të nuk kishte vend as në organizatën e rinisë dhe as që mund të vazhdonte shkollën e mesme.Sigurimi u orvat ta provokonte që të bëhej bashkëpunëtor, por ai e refuzoi me neveri. E dinte se pas refuzimit do të vinte arrestimi, dhe nuk vonoi. Liria e kufizuar do të burgosej, kur ai ende nuk i kishte mbushur të 20-tat. Me 1 Mars 1979, Sigurimi i vuri prangat në emër të Popullit, duke e akuzuar si Armik të Popullit! U dënua me 15 vjet në burgun famkeq të Spaçit. Ishte ndër më të rinjët e atij burgu, i cilësuar si më i egri ndër burgjet e diktaturës, që vetë Pëllumbi e krahason me ferrin e Dantes. Bashkëvuajtësit, që ishin bashkë me të në veprimtarinë e përkujtimit të 42 vjetorit të Revoltës së Spaçit, e karaktarizojnë Pëllumbin si një nga qëndrestarët me kuarajo dhe trim për kohën e burgimit. Pëllumbi përjetoi revoltën e Majit të vitit 1984 në Qafë-Bari, ku regjimi nuk i kurseu egzekutimet dhe riburgimet. Një pjesë prej të dënuarëve i çuan në Spaç. Pëllumbi guxoi dhe i ndihmoi disa prej tyre me ushqime. Spiunët njoftuan komandën dhe Pëllumbi e pësoi me tortura çnjerëzore, por nuk u thye.
I pyetur nga Gazeta Dielli se çfarë përbënte takimi që po organizohej me 17 Maj 2015 në një nga Universitetet amerikane në Nju Jork, Pëllumb Lamaj, ndër kritikuesit e rreptë të klasës politike shqiptare, tha: Duam të nderojmë heronjët antikomunistë të Spaçit dhe Qafë Barit. Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit, ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve s’është gjë tjetër, veçse demagogji e tranzicionit antidemokratik me një klasë politike të korruptuar dhe komuniste në krye!
Hasan Baja,qëndrestar i burgjeve, një ndër të zhgënjyerit e demokracisë shqiptare, që pat dhënë dorëheqjen për kod moral që më 1995, për moskompromentim me të korruptuarit (ish Komisar i Policisë në Sarandë), shprehet se ndjehet i zemruar me klasën politike shqiptare, që nuk arriti të integroi kundërshtarët e regjimit komunist, ç’ka përbën dështimin e vetë demokracisë së shartuar shqiptare. Lekë Mirakaj, Zija Lepenica, Fatmir Muja, që ndodheshin në auditorin e Monroe College, ku zhvillohej veprimtaria nderuese dhe përkujtimore e Revoltës së Spaçit, ndjehen të nderuar që ata vetë, ish bashkëvuajtësi i tyre, Pëllumb Lamaj, nderohen nga institucionet Amerikane, dhe e gjithë kauza e tyre kundër komunizmit, vlerësohet e çmohet në vendin e demokracisë, por jo në Shqipëri.
Veprimtaria u organizuar nga “Albanian- American Society Foundation and The Sons and Daughters of Albania in America” dhe është mbështetur nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, The Women’s Organization “Hope & Peace”,”Clasmsmates Forever”, Albanian American Open Hand Association, Akademia e Nju Jork-ut e të tjera.
Moderator i veprimtarisë përkujtimore kushtuar Revoltës së Spaçit ishte Fredi Tollja, pronar “The Producers Club New York. Në fjalën e hapjes moderatori vlerësoi kundërshtarët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, ish të burgosurit politik të regjimit diktatorial, që me sakrificat e tyre, me qëndresën e tyre, sfiduan diktaturën. Tollja, tha se me këtë veprimtari, përkujtojmë dhe nderojmë jetët e ndërprera, nderojmë heroizmin e atyre që guxuan të sfidojnë shtetin komunist në emër të ëndrrës për liri e demokraci.
Esad Rizaj, president i Fondacionit Shoqëria Shqiptaro-Amerikane dhe Bijtë e Bijat e Shqiptarëve në Amerikë, tha se ndjehet i privilegjuar që nderon ish të burgosurin Pëllumb Lamaj dhe të gjithë ish të burgosurit politik të Shqipërisë. Ky, tha ai, është një vlerësim për të gjithë ata që u bugosën,u pushkatuan, u internuan pse luftonin për liri dhe Shqipëri Etnike.
Miqtë e shqiptarëve, amerikanët Stive Kaufman-avokat i njohur dhe profesori Paulo Palombo, në përshëndetjet e tyre kanë vlerësuar qëndresën e antikomunistëve shqiptarë, dhe kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, përballuan torturat, vuajtjet në burgje dhe kampet e internimit.
Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe themeluesja e Shoqatës”Shokët e Klasës përgjithmonë”, Lindita Hoxha.
Lek Mirakaj, një ndër ish të burgosurit politik, e cilësoi nderimin e ish bashkëvuajtësit Pëllumb Lamaj dhe gjithë të burgosurve politikë shqiptar, si një nderim të jashtzakonshëm. Kjo Proklamatë, tha ai, është dekorata më e lartë që i jepet një ish të përndjekuri politik. Më pas ai vlerësoi qëndresën e ish të burgosurve politik dhe në mënyrë të veçantë martirët dhe qëndrestarët e Revoltës antikomuniste Skënder Daja, Dervish Bejko,Sokol Sokoli, Pal Zefi, Tom Ndoja, Hajri Pashaj dhe shumë të tjerë që pas revoltës u ridënuan.
Mimoza Dajçi, presidente e The Women’s Organization “Hope & Peace”, kërkoi që të pranishmit të çoheshin në këmbë dhe me një minut heshtje të nderonin kujtimin e heronjëve të revoltës.Më pas ajo ka përshkruar revoltën e Spaçit, ndërkohë që ka treguar gjendjen e sotme të ish burgosurve politikë. Dajçi tha se ka kaluar afro çerek shekulli, e akoma të dënuarit politik nuk janë reabilituar duke filluar me dëmshpërblimet, strehimin, shëndetin etj.
Edhe pse disa individëve u ka dalë emri në gazetë për të marrë dëmshperblimet e burgut politik akoma nuk po del fondi nëpër banka për tërheqjen e tyre, apo edhe fondet e kësaj shtrese i përdorin për fushatat e tyre partitë politike. Ka zvarritje dhe burokraci pa fund.Strehimi i ish të përndjekurve është i mjerushëm, u ndanë vite më parë gjatë qeverisjes demokratike disa hyrje tek Kafodi e Vasil Shanto dhe kaq, po pjesa dërmuese? Më pas ajo ka trajtuar dhe hapjen e dosjeve të sigurimit dhe ligjin e munguar të lustracionit.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, zv/kryetari Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj,Lek Mirakaj, Zef Përndocaj e të tjerë.(Fotografite i gjeni ne Facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, E NDEROHET, ne Nju Jork, Pellumb Lamaj, perkujtohet, Revolta e Spacit

Fytyra e Lirisë

April 11, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
PELLUMB LAMAJ:Janë momente kur i drejtohem Zotit për shpirtin e pamposhtur që më dha dhe betohem se kurrë nuk kam për të harruar se nga vij e mbi të gjitha ATA që mbetën rrugës, e tani pas më se njëzetë vjetësh, ndjej paqe në veten time dhe falënderoj përsëri Zotin…
Nganjëherë rrethanat e jetës janë kundra teje por të thuash fjalën e mirë e të drejtë e të mbetesh NJERI, këtë e ke vet në dorë!… /
Një portret i bukur si fytyra e Lirisë! Kam kohë që e kam takuar në aktivitete të ndryshme patriotike njeriun si me flakadanin në dorë, z.Pëllumb Lamaj ish i dënuar politik nga diktatura hoxhiste në burgun famëkeq të Spaçit qysh në moshën 19 vjeç. Oratoria dhe kthjelltësia e mendimit në mediume të ndryshme dhe biseda shoqërore janë tejet mbresëlënëse. Duke e dëgjuar me vëmendje të posaçme fjalën e tij duket sikur sheh nga afër sytë e bukur të Lirisë, të Lirisë që barbarët mundoheshin t’i verbonin sytë, të Lirise së munguar ndër miliona shqiptarë…
Në demonstratën që u zhvillua më 13 tetor, 1912 në Manhattan para OKB-s në mbështetje të greves së urisë se ish të dënuarit politik të ndjerit Lirak Bejkos, ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte fjala e shkurtër e z.Lamaj, por thënë gjithçka me një elekuencë të përsosur. Mbrojtja që i bënte bashkëvuajtësit të tij ishte dinjitoze, ishte gati epike. Ishte mbrojtja që i bente një Burrë të vërtetës dhe Lirisë së mohuar të Lirak Bejkos, çka të kujtonte Malcolm X i cili ka thënë: “Nobody can give you freedom. Nobody can give you equality or justice or anything. If you’re a man, you take it”, që përkthehet: “Asnjeri s’ta jep Lirinë, asnjeri s’ta jep barazinë, drejtësinë ose asgjë. Në se ti je burrë fitoje atë”.
Kështu ka vepruar njeriu i lirë Pëllumb Lamaj që edhe pse bota jo e lirë i hodhi prangat ai përsëri ndihej absolutisht i lirë, absolutisht pa “pranga”.
Në muajin mars u organizua Në zemër të Manhattanit në mjediset e “Producer’s Club Theater” nga Dr.Ilir Hysa dhe z.Pëllumb Lamaj një sesion përkujtimor me rastin e 135-vjetorit të lindjes së Burrit të ndritur të Kombit Mid’hat Abdyl Frashërit, por i mohuar tërësisht nga diktatura, dokumentari i realizuar prej z.Lamaj ishte sikur ta kishte shkruar një historian i vërtetë.
Pas aktivitetit në bisedë të lirë nga z.Lamaj me miq dhe të ftuar që kishin ardhur në këtë sesion përkujtimor ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte fjala Paqe që e përdorte me aq mirësi, ishte Liria në shpirt, në gjak të tij. Ja si u shpreh Ai për Lirinë: “Kur ishja në burg në Spac, nën torturat e barbarëve gjithmonë ju thoshja gardianëve: Unë jam i lirë, i lirë, ju jeni të burgosur, jo unë! Mjerë ju që rrini pas nesh kudo, me ditë, javë dhe muaj pa parë familjet tuaja, fëmijët, gruan, prindërit. E dhimbshme që fëmijët tuaj do të rriten me bëmat e babait që përdor kërbaçin kundër njeriut”.
U ndala sot para kësaj fotoje dhe m’u duk sikur pashë fytyrën e vërtetë të Lirisë. Është një djalë i burgosur qysh në bangat e shkollës në qytetin e Vlorës që pasi përmbyset sistemi komunist shkon drejt mërgimit të detyruar, një dhimbje kjo që më shumë se ne të ikurit askush me mirë nuk e kupton. Po sjellë një fragment të shkruar nga Lamaj në rrjetin social në f/b rreth kësaj fotoje që më dha muzë për të shkruar këtë esse:
“Janë muajt e parë të Lirisë dhe një ditë kalova kufirin dhe mora rrugët e botës drejt mërgimit të detyruar për të mbetur i lirë dhe pas disa ditësh e netësh plot andrralla, u gjenda pranë Athinës së lashtë të mbushur me aq lavdi, histori e gjurmë shqiptarësh…
Janë momente kur i drejtohem Zotit për shpirtin e pamposhtur që më dha dhe betohem se kurrë nuk kam për të harruar se nga vij e mbi të gjitha ATA që mbetën rrugës, e tani pas më se njëzetë vjetësh, ndjej paqe në veten time dhe falënderoj përsëri Zotin…
Nganjëherë rrethanat e jetës janë kundra teje por të thuash fjalën e mirë e të drejtë e të mbetesh NJERI, këtë e ke vet në dorë!…
Si shumë prej nesh dhe klasës së persekutuar Lamaj ndihet i zhgënjyer dhe gjithmonë ka mbajtur qëndrim kritik karshi politikës dritëshkurtër shqiptare për të persekutuarit, ish të dënuarit e ndërgjegjes, por edhe për shumicën, që e kanë lënë popullin në një mjerim të tejskajshëm.
Poeti dhimbshëm, me dëshpërim dhe kurajo i drejtohet lirshëm Statujës së Lirisë në këtë poezi si më poshtë: “Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ Sa ёndrra rinie u fishkёn mbi ballё/ Jehona dashurie qё kurrё nuk u dhuruan/Sa kafka martirёsh mbetur pa varr!/ Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ E vetmja dritё, i vetmi zjarr/ E vetmja ёndёrr ku shpresat udhёtojnё/ Pёrzier me klithma, kulluar nё gjak!/ Ah Statujё, Statujё e Lirisё/ E vetmja shpresё qё na mban gjallё/ Por edhe po ikёm pa u takuar/ Besomё, do vijnё tё tё puthin vrasёsit tanё!…
Mendimi i thellë, metafora e shpresës, por edhe vargu i fundit denoncues duken sikur na thonë ne lexuesve si e famshmja Roza Parks se: “Thuajini botës se dua të kujtohem si një person që kërkonte të ishte i lirë, ashtu si dhe shumë njerëz të tjerë që duan të jenë gjithashtu të lirë”.
Fotoja, poezitë, përkthimet, kushdo që i kanë lexuar dhe komunikuar me Lamaj, me siguri kanë menduar se duan të jenë të lirë, paqësor si Poeti erudit, një Pëllumb Paqeje.

10 Prill, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: fytyra e Lirise, Keze Zylo, Pellumb Lamaj

Pëllumb Lamaj: Politikanët, të pandjeshëm ndaj viktimave të komunizmit

May 23, 2014 by dgreca

Ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, i cili ka vuajtur në burgjet e komunizmit, i tha Zërit të Amerikës se klasa politike shqiptare është e pandjeshme ndaj vuajtjeve të ish të përndjekurve politikë. Në një intervistë nga Nuju Jorku, ai tha se në 20 vitet e fundit, qeveritë e Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur krimet e regjimit komunist.
Zëri i Amerikës: Zoti Lamaj, ju keni kaluar 12 vjet në burgjet e komunizmit, keni vuajtur edhe në Spaç. Edhe këtë vit, si zakonisht, revolta e Spaçit në Shqipëri u përkujtua nga ish-të përndjekurit. A dini ju raste që zyrtarë të qeverisë të kenë shfaqur interesim për të folur dhe përkujtuar ngjarje të tilla?
Pëllumb Lamaj: Edhe pse kanë kanë kaluar 20 vjet nga rënia e Murit të turpit të Berlinit, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga e ashtuquajtura demokraci, asnjëherë përfaqësuesit e politikës shqiptare apo qeveritarë, nuk kanë denjuar të shkojnë e të vendosin një tufë me lule në Spaç apo në kampet e tjera të përqëndrimit ku gjenerata të tëra u sakrifikuan, me të vetmin krim sepse donin lirinë dhe nuk pranuan të bashkëpunonin me armën famëkeqe të sigurimit të shtetit. Vetë ngjarjet e dhimbshme të vitit të kaluar kur i burgosuri politik, i ndjeri Lirak Bejko, u asgjësua nga dëshpërimi, dhe vetë qëndrimi indiferent i Kryeministrit, i Presidentit, i gjithë klasës politike tregoi qartë që ata nuk duan ta hapin këtë faqe dhe të nderojnë këtë shtresë që ishte ndërgjegja e kombit, që ishte simboli i lirisë. Përkundrazi, ata kanë një urrejtje patologjike për këta breza të tërë që sakrifikuan gjithçka për hir të lirisë. Pra unë jam shumë skeptik dhe vetë qëndrimi i tyre anti-njerëzor, anti-demkratik, tregon qartë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Zëri i Amerikës: Me rastin e 5 majit, zyrtarë shqiptarë bënë disa gjeste që u panë si nostalgji për regjimin komunist dhe për diktatorin, siç ishin nderimi me grusht apo përulja përpara fotografisë së tij. Nga qeveria nuk pati komente zyrtare. Si i shikoni ju sjellje të tilla?
Pëllumb Lamaj: Për mua është diçka e zakonshme veprimi që bëri (deputeti socialist dhe ish-Kryeministri) Pandeli Majko. Por ajo që më shqetëson është se ai e bëri këtë veprim në praninë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, të shtetit më demokratik në botë. Simboli i grushtit është simboli i bolshevizmit, simboli i diktaturës që hëngri pjellën e vet, i revolucionit që hëngri pjellën e vet. Dhe më e keqja është se ishte një mesazh i dhimbshëm por edhe i turpshëm që u jepet brezave të rinj. Për më tepër, ky mesazh është i turpshëm sepse bëhet nga një ish-Kryeministër, i cili jo pa qëllim nderoi me grusht për t’i treguar shoqërisë shqiptare se komunizmi është gjallë dhe se komunizmi do të mbijetojë. Unë nuk e kuptoj se si akoma shoqëria dhe inteligjenca shqiptare dhe gjithë populli shqiptar në përgjithësi mund ta mbajë mbi supe këtë krim dhe turp historik
Zëri i Amerikës: Ju keni vite që jetoni këtu në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që kanë kaluar më se dy dekada nga përmbysja e komunizmit. Disa mendojnë se periudha e komunizmit është tejkaluar dhe tani shoqëria duhet të ketë përparësi të tjera. Cili është mendimi juaj?
Pëllumb Lamaj: Mendimi është se jo pa qëllim, klasa neokomuniste që mori pushtetin sipas skenarit të Ramiz Alisë, e vonoi çështjen edhe zbardhjen e krimit komunist që përjetoi kombi shqiptar për 50 vjet. Unë të keqen nuk e shikoj tek mentaliteti apo indiferentizmi i shoqërisë shqiptare, unë e shikoj tek ajo që nuk u bë një gjyq i dytë i Nyrenbergut për krimet e komunizmit. Bota e qytetëruar bëri biznes me këtë bandë bolshevike që rimori pushtetin. Dhe unë këtu e shikoj të keqen e madhe; klasa politike është një klasë inferiore dhe ajo gjithmonë kur i vjen puna për të bërë detyrat e shtëpisë i merr urdhërat nga të huajt. Unë do të kërkoja më shumë nga bota e qytetëruar, nga personalitete të shumtë që të hedhin dritë, të qartësojnë se çfarë ndodhi në ato 50 vjet, pasi sot, jo vetëm në Shqipëri, brezat e rinj dhe populli shqiptar por edhe në botën perëndimore njerëzit nuk kanë idenë se ç’ndodhi për 50 vjet për miliona e miliona viktima të gjenocidit sllavo-komunist.
Zëri i Amerikës: A është bërë ndonjë hap nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama për të përmbushur detyrimet materiale ndaj ish-të përndjekurve politikë?
Pëllumb Lamaj: Për 20 vjet vetë ngjarjet e fundit kanë treguar që qeveria e Tiranës ose qeveritë neokomuniste që kanë ardhë njëra pas tjetrës kanë një konspiracion midis vetes së tyre. Ata bëjnë sikur marrin vendime, bëjnë premtime, por përfundimisht ata nuk duan ta hapin këtë faqe sepse ndryshe ata do dënojnë veten e tyre, janë pjella e sllavo-komunizmit, janë bijtë e bllokut. Unë me këtë rast do t’i bëja një thirrje shoqërisë shqiptare, brezit të ri: është momenti historik që të flaket një herë e përgjithmonë e kaluara vrastare. Është momenti historik që Shqipërinë ta drejtojë një elitë politike përgjegjëse për fatet e atij kombi. Për aq kohë sa këto dy banda, banda e PD-së apo PS-së do të kenë pushtetin, unë nuk shikoj ndonjë zgjidhje, jo vetëm për të burgosurit politikë në Shqipëri por as për gjithë kombin shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: : Politikanët, ndaj viktimave, Pellumb Lamaj, të komunizmit, të pandjeshëm

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT