• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një darkë që nuk e kam “paguar” akoma

April 15, 2014 by dgreca

Kujtimit të Atë Dhimitër Priftit/
Tregim i jetuar/
Nga Përparim Hysi/
Kisha dy vjet që punoja në atë fshat të largët. Qe aq larg nga shtëpia ime, sa , po ta bëja të gjithë rrugën në këmbë, donte pa frikë nja 7 orë të mira. Shpesh unë në këmbë e bëja dhe, vetëm disa raste, të paktën gjysmën e rrugës e bëja në këmbë. Flitet për vitin 1960 kur, ende, në atë krahinë të largët të Fierit, nuk kish rrugë për makina. Qeshë emëruar mësues në shkollën 7-vjeçare të Ndërnënasit, fshati më i largët që përfshihej në lokalitetin e Libofshës. Fshati qe goxha i madh dhe, përfshirë në kooperativën e bashkuar, qe si qendra e disa fshatrave. Vërtet larg nga Fieri dhe, gati 10km, nga Libofsha që qe dhe qendra e lokalitetit, por nxënësit ishin jo vetëm të urtë, por dhe të dhënë pas mësimeve. Unë punova tri vjet (nga viti 1959-1962), por përshtypjet për fshatin dhe për nxënësit e kësaj klase (janë të vitit shkollor 1960-1961), i kam nga më prekëset. Klasa kishte gati 25 nxënës (flitet për klasën e shtatë) dhe qenë aq të mirë,sa nuk dije kujt t’i vije katër e kujt pesë. Katër e pesë, se në ato vite, nota më e lartë qe pesa. Ata qenë njëri më i mirë se tjetri dhe ky përparim cilësor i tyre çoi në një tregues që dhe sot më emocionon. Të gjithë ata nxënës cilësorë, u arsimuan më tej dhe tri të katërtat e tyre u bënë mësues dhe të tjerët: kush ekonomist, kush agronom; kush oficer; kush mekanik dhe njëri që qe,si pak veçantë, u bë muzikant. Që në shkollë, i binte violinës. Violinë që e kish bërë me dorën e vetë. Po ju mos kujtoni se në këtë “skërkë” të fundit ( më tej kishte vetëm det ose kënetë) ja doli një muzikant made in Stradivar. Jo, po ai nxënësi i veçantë me vesh për muzikë,atë violinë pati si “pasaportë” që mori porvimet e lirimit (qe i vetmi që s’para ia thoshte për mësime) dhe, më tej, kur shkoi ushtar mbante në këmbë gjithë regjimentin. Po atje, në regjiment, kishte një violinë të vërtetë. “Stradivari” i vogël qe Llaqi i Petro Dhanit. Në nuk po zgjatem edhe më për atë “Stradivarin” e vogël nga Ndërnënasi i Libofshës, e bëj për faktin se në këtë tregim do flas po për një nxënëse të asaj klase cilësore që qe bashkëshoqe klase me muzikantin. Kam arsye të qëndroj tek kjo nxënëse. E kam fjalën për nxënësen time të asaj kohe (më vonë ajo u bë mësuese shumë e mirë për gjuhë e letërsi shqipe), Jorgjie Dhimitër Prifti.

* * *
Në po e veçoj Jorgjien nga bashkëshokët e saj të asaj klase, kam një arsye madhore. Jorgjia ishte vajza e priftit të fshatit. Në ato vite bursat për të vazhduar shkollat e mesme jepeshin nga shkolla. Drejtoria merrej me listat për nxënësit ku kirteri dihej: politika në plan të parë. Nga kjo anë, ata meritonin që të shkonin që të gjithë në shkollë. Dhe, pothuaj, që të gjithë shkuan. Bursa kishte me shumicë dhe kishte raste që “tepronin”,se familjet nuk kishin mundësira më elementare për t’i dërguar në shkolla. Rrezikohej Jorgjia ( si çupë prifti) dhe, veç saj,edhe Perikli Çuni. Ky i fundit se i ati qe anti kooperativë. Në gjithë atë fshat të bashkuar, Llukë Çuni, e ndizte oxhakun veç. E pati parë kooperativën me syrin e njerkës dhe shteti e partia i vinte kufirin tek thana: Perikliu, ai floriri i vogël i klasës, mbeti pa bursë. *
Pra, Jorgjia, që, pothuaj, ma rrëmbente fjalën nga goja kur flisja për letërsinë rrezikohej. Sado që qe vënë barrierë e tillë, e bisedova me drejtorin (qe njeri shumë i mirë) që mund ta dërgonim dhe Jorgjien për në pedagogjike. Dhe unë u futa në “valle”, por pak me shejtanllëk.
* * *
Atë Dhimitri qe prift. Qe burrë i zgjuar dhe kishe qejf të bëje muhabet me të. Jo vetëm kaq: ekonomikisht, sado që kishte një tuf me fëmijë,qe mirë. Mbi nivelin e jetesës të të gjithë fshatarëve, me përjashtim të atij “antit”, Llukë Çunit! Atë Dhimitri, sa i zgjuar qe, po aq dhe hokatar. Nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, tek bisedonte me dikë që s’e njihte, e vinte në kandar: ia vlente apo nuk ia vlente. Mua më hahej muhabeti me të, por asnjëherë nuk kish ndodhur që të më thoshte (unë flija në fshat), urdhëro andej nga shtëpia. Bashkëfshatarët që ia dinin huqet thoshin për të:- Zor se fut njeri në shtëpi, por, po e futi, nuk ka njeri më të pritur. Unë tanimë e kisha marrë këtë “informacion” dhe sikur i vura vetes detyrë që, o të haja një darkë atje, në shtëpinë e tij, o do bëhej kiameti. Dhe, tek Jorgjia e kish mbaruar klasën e shtatë me të gjitha pesa, i them Atë Dhimtrit:- Dëgjo, po të rregullova një bursë për Jorgjien, e shtron një darkë ti “papu” a jo? – Po në vend,- m’u përgjigj: çak-fak. E thënë,e bërë. Frymën unë tek drejtori dhe i them:- Një bursë për pedagogjike do ja japim Jorgjies,se është me të gjitha notat pesa! Sidomos, në lëndët e mia,qe nga më të mirat! E di që, po ta lexojnë tregimin tim shumë nga nxënësit e mi (ata sot janë në pension) mund të mërziten,se me pesa kanë qenë dhe ata, si: Perikliu,Hilli,Liria,Naunka,Lefteria, Olimbia,Sokrati e të tjerë, por Jorgjien e veçoj për arsye tjetër.

* * *
Pasi e mbushi drejtori, Andon Gjerazi, shkresën për akordimin e bursës me atë në xhep dhe drejt e tek prifti. – Ta gëzosh,- i them. Në shtator Jorgjia do shkoj në pedagogjike të Tiranës. Tek ia zgjata shkresën, e pashë që fytyrën ia mbuloi një buzëqeshje, por vetëm për pak. Pastaj ai u bë, po ai: Atë Dhmitri që unë,si të gjithë për reth, i thoshin “Papu”. Unë, me që e kisha bërë realitet detyrën time, prisja që jo vetëm të më falnderonte, por dhe të më ftonte për darkë. Po kështu e kishmim dhe “kontratën” me të. Po ai as i zi dhe as i bardhë. Unë po mënd po plasja nga e keqja. E kisha marrë si me revan. Gojën tërë jetës e kam patur brisk. Dhe këtë radhë e zbraza:- Të bëmë goxha nder, po të çojmë Jorgjien në shkollë për mësuese dhe ti as po na fton për darkë?!!! Po ku ia hante qeni shkopin kollaj atij njeriu aq të zjguar dhe aq të mirë? – U bëre ti, një “fiçorr” nga Petova, të më bësh nder? Nderin ma ka bërë partia e punës, dhaskal!!! Kur tha, kështu, ia dha një të qeshuri, sikur me këtë po më thoshte: vëri majat nga ke thëmbrat! Gjete qishë ku të falesh! Dhe,vërtet, asi kohe unë qeshë një “fiçorr”.
Natyrisht, ky dush me ujë të ftohtë ma nxori dalldinë e darkës që do haja, dhe bërë si ajo era që fryn për të nxjerrë shi, frymën e mbajta tek dhoma ku flija. Xha Zariku, roja e atij mjedisit ku kishte depo kooperativa, më pa dhe lexoj shqetësimin tim. Më pyeti dhe ia tregova se ç’ma “punoi” ai “Papu”. Aha,- tha Xha Zariku,- nuk futet “Papu” aq lehtë në kular, por bukën nuk e ha thatë ai,dhaskal. Digjo, xha Zarikun ti, prapa i vjen haberi këtij muhabeti. – Po ç’prapa, o xha Zarik, -turfullova
unë,- i bëmë gjithë atë nder dhe të ma bëj kështu. – Or çun, mos e merr përpjekur. Kush e merr përpjekur, rrëxohet. Ma mbaj vesh llafin plakut ti. Po unë, tanimë, qeshë ndarë me darkën apo drekën e Paput.

* * *
Kishin kaluar nja dy-tri ditë dhe një perëndim dielli, tek po kaloja (rruga shkonte mu pranë shtëpisë së priftit) rugës për tek dhoma ku flija,pashë priftin në oborr. Bëra përshëndetje me të dhe, tek i thashë natën e mirë, dëgjova që tha, si nëpër dhëmbë:- Po pse nuk kthehesh për darkë? Kaq. Vetëm njëherë,po ai kish harruar që unë mezi e prisja një ftesë të tillë. – Ja, u ktheva,- thashë. Dhe hyra në oborr.
Po ai shpotitës siç qe, ma pati:- Ku do vesh? Po unë sa shalova kalin dhe do iki në Shën Kozma! Po ku dëgjoja unë me atë vesh. Flakë për flakë:-Shko daç për Shën Kozma dhe daç për Shën Gjergj. Dhe bëra për brënda. Pa u ulur mirë, ai mbrriti, më hodhi duarët në qafë dhe, prapë shpotitës, sulmoi:- Ore, e di ti që ku hyn pa ftuar, e gjen pa shtruar!!! Opo lëri ato,se nuk luaj unë. E, kështu, hidh e prit me “rrotulla”, dhe ja tek ulemi ballë për ballë. Filloi muhabeti dhe,pastaj, sofra. Ajo sofër me gjithë ato të mira. Ajo pritje që zor se ia kam gjetur shoqen kund. Qe aq i çiltër dhe aq gazmor, sa të jepte përshtypjen se mezi e kish pritur një takim të tillë. Nuk la fjalë pa më falnderuar për nderin që i kisha bërë , por nga shpotia as që hiqte dorë. Më thotë aty nga mesnata, kur bëheshim gati të flinim gjumë,:- Ore, dhaskal, ti je skrapali rritur në Myzeqe, por nuk i di zakonet tona. Po prisja që ta çonte më tej ligjëratën dhe e mbaj mend mirë që më tha:- Në Myezeqe, dhaskal, thonë : – Po there pulën e botës, bëj hazër tënden! E kuptova ç’donte të thoshte dhe ia prita:- Po kur të duash, o Papu! Derën hapur,e kam! Në flas me superlativa për atë darkë, e kam jo vetëm për sofrën e mbushur me gjithë të mirat, por dhe atë çiltërsinë, ku i zoti i shtëpisë bëhej kurban për mikun. Fjeta aty dhe e mbaj mend që ka qenë ditë e premte. Të shtunën (njëherë në javë shkoja në shtëpi) dhe, kur të hënën, mbasdite vonë po kthehesha për tek dhoma, Papu më preu rrugën.

* * *
– I kishe goxha ata “dobiçat” e fshatit,- më tha. Ta shpëtuan erzin! Nuk po e kuptoja se ku do të dilte. Dhe e pyes:- Po ku i pe ata “dobiça?!”. -Qeshë në mbledhje me Papë Polizoin ( më i madhi i klerit orthodoks për Fierin) dhe më zuri dmbasditja vonë, aty, në Mbrostar-Urën ku rri ti. Epo, po kthehem tek dhaskali,- i dhashë karar. E ktheva kalin nga xhadeja për tek pallatet. Sa hyra në fshat, kur m’u lëshuan ata “dobiçat” e fshatit: “Ta lashë, njëri! Ta lashë tjetri! Dhe pse pushonin? Dëgjove,dhaskal,- thashë me vete,- shpëtove. Kamzhikun kalit dhe sosa në hijezen time. Dhe ia dha të qeshurit. Po ke për ta “paguar” një ditë,- më tha duke qeshur.
Po nuk qe e thënë. Darkën që hëngra tek ky njueri aq i mirë, ende, nuk e kam “paguar”, por, sidoqoftë, duke shkruar këtë përjetim,s’kam se si mos e kujtoj me dashuri jo vetëm atë, por edhe Jorgjien që tani ka dalë në pension dhe, njëkohësisht,edhe ata nxënës aq të mirë të atij viti shkollor 1960-1961. Më bëhet qejfi që djali i Jorgjies, Ylli, është drejtor shkolle,atje, në Ndërnënas të Libofshës. E sa për atë tjetrin, Perikliun,apo “floririn e vogël” të Llukan Çunit që qe anti kooperativë, ju them se u bë oficer i zoti deri komandant i brigadës tankeve në Elbasan ku jeton (tani ka dalë në pension). Këtë përjetim sikur e kam për të gjithë ata nxënës aq të mirë të vitit shkollor 1960-1961 të Ndërnënasit të Libofshës në Fier.

Tiranë, 14 prill 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nje darke i papaguar, perparim Hysi, Tregim

Disa mendime rreth krijimtarisë së këngëtarit të dashurisë Përparim Hysi

March 28, 2014 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI/

Nuk ka përse ta mohojmë, dhe më duket më se e normale që krijuesit, artistët, heshtazi duan të dëgjojnë me modesti. Ngandonjëherë më tepër se modestia, presin të shohin ndonjë fjalë, apo shkrim, që të thuhet dhe të shkruhet për ta, për krijimtarinë dhe artin e tyre. Shpesh, në vetminë e njohur, e të pashmangshme të krijuesit, ndjehet trishtimi me heshtjen që pason. Dhe trishtim i tillë është më se i natyrshëm ngaqë kohët  kanë ndryshuar e mendësitë dhe lexuesit janë larguar.

Në këto kushte të ndryshimeve të mëdha, në ekonominë e tregut, krijuesit artistë janë më  të zhveshurit prej përfitimit moral. Ata vazhdimisht krijojnë dhe dhurojnë art e krijime si farëmbjellësit, iluministët e hershëm pa menduar për përfitimin e papërfituar. E pra është më se normale që krijuesi i mirëfilltë, i përkushtuar pas pasionit, pas asaj që dashuron me mish e me shpirt, që jep gjithçka, që e ka lidhur jetën me artin dhe letërsinë nuk shkruan për veten, por ai shkuan për të tjerët, të dëgjojë një fjalë të ngrohtë, një inkurajim, një vlerësim.

Këto mendova kur fillova të shkruaja diçka për krijimtarinë e bollshme dhe të shumëllojshme të poetit dhe rrëfimtarit të ëmbël, këngëtarit të dashurisë, Përparim Hysi. Njëherësh duke ditur diçka dhe nga jeta, ndershmëria, ndjeshmëria dhe përkushtimi i tij. E pra, ndër këta, që kërkon të thotë diçka, që do,  të ndihmojë të tjerët është padyshim Përparim Hysi. Mësues për nëpër fshatrat ndryshme të Myzeqesë, vite me radhë. I dashuruar me profesionin të bukur e të shenjtë të mësuesit. Këtë dashuri, përkushtim dhe ndjenjë e sheh në shumë nga krijimet e tij, si në poezi ashtu dhe në prozë. Ai është vëzhgues dhe qëmtues i hollë.

Emigrimi i Përparimit në Amerikë, pranë djalit të tij. Përpjekja për përshtatje, vështirësitë e njohura të emigracionit. Malli për të shkuarën dhe vendimi i madh, kthimi përfundimtar në vendlindje, nuk ka se si të mos kenë lënë gjurmë në memorien  e shkrimtarit. Sidoqoftë, eksperienca e gjatë në mësuesi, ikja, mërgimi mijëra kilometra larg, vështirësitë dhe vendimtarja për kthim në vendlindje, kanë ndikuar pozitivisht në krijimtarinë e shumëllojshme të Përparimit, si në poezi po ashtu dhe në prozën e dalluar rrëfimtare.

Përparim Hysi është mik i mirë, i dashur me të gjithë dhe është ndoshta ndër të rrallët që kurrë ka përtuar së shkruari, së hedhuri mbresa, përshtypje për krijimet e miqve, të njohurit dhe shokëve të tij.  Me seriozitet devotshmëri, përgjegjësi krijuesi.

Shumë vite më parë ndesha disa krijime të poetit dhe rrëfimtarit të talentuar fierak aso kohe me banim në Shtetet e bashkuara të Amerikës, Përparim Hysi. Më tërhoqi vëmendjen mënyra spontane e të shkruarit, thjeshtësia dhe natyrshmëria. Me sa më kujtohet ai ishte ndër të parët që u aktivizua në klubin tonë ‘Bota e re’. Dallohej për një sinqeritet dhe përgjegjësi të respektueshme, duke hedhur herë pas here cikle me poezi dhe tregime rrëfimtare të ngrohta. Më kënaqte spontaniteti dhe lirshmëria e të shkuarit, si në poezi gjithashtu dhe në prozë.

Në krijimtarinë e tij të shumtë gjeje shumë vend që i këndohej dashurisë, si gjëja më e bukure jetës siç di të këndojë vetë Përparim Hysi. Në krijimet e tij kishte gjetje dhe mall të pashuar për vendlindjen, që gjendej mijëra kilometra larg. Në fillim u habita për prurjen  e madhe të Përparimit dhe për lirshmërinë e të rrëfyerit. Librat e tij poetikë pasonin njëri tjetrin, në të gjithë librat e tij me poezi. Si: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Njerëz që dua”. Përparimi si në prozë po ashtu dhe në poezi shquhet si një rrëfimtar plotësisht i arrirë dhe ku shfaqet dashuria, ndjenja e çiltër e poetit e cila zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Dashuria e poetit tonë është gjithëpërfshirëse. Sa bukur sa poetik, sa thjesht, sa prekëse e krahason poeti të dashurën me trëndafilin:

Ti je si një trëndafil i bukur,në maj
Harlisur shëndeti;shpërthyes,tërë gaz
Unë të shoh dhe nuk e kam kollaj
Që trëndafilin e bukur të mos e”vras”

Poeti është i brishtë, i ndjeshëm, transparent, sepse vetë ai është më delikat se trëndafili, pra së dashurës, së cilës i këndon me aq bukuri dhe ëmbëlsi. Kur sheh dhe lexon krijimtarinë e mikut tone Përparim  Hysi, nuk ka si te mos kesh respekt dhe ta përshëndesësh krijimet e tij. Ai herë pas here na jep, na dhuron me shume bujari krijime te bukura si rralle të tjerë, ku në themel pothuajse të gjithave krijimeve është Dashuria. Dashuria për njeriun që do, që e ka ëndërruar, që ka ikur dhe nuk është më. Dashuria për kohën  që shkoi. Dashuria për njeriun, dashuria për mikun. Dashuria për njerëzit e afërm. Dashuria për natyrën dhe jetën.

Përparimi Hysi është ndoshta nder të rrallët tek ne, në Bota e re, ndoshta dhe me gjere, që nuk reshtën së shkruari, qe ka një krijimtari te pashtershme, rrëfimtar i ëmbël, me plot bereqet, me humor të hollë dhe musht jete.

Përparimi shpesh herë na shfaqet në poezi si erotik i këndshëm, që di të zhbirojë në ndjenjat më të holla të femrës dhe trupit të saj. Ai me poezitë e tij të guximshme më kujton një mikun tim të hershëm, të dalluar, shumë herët me poezinë e tij erotike, Klito Fundo. Poezia erotike është shumë e vjetër, kujtojmë këtu Safon, Omer Khajanin e të tjerë. Poezia erotike  të intrigon me imazhet e prekshme, të fshehtat e këndshme të asaj që do, të bën të ndjehesh diçka më i lehtë dhe më sensual. Në fund të fundit të gjitha janë pjesë e jetës dhe kanë vlerë, mbahet mend kur qëmtohet me art  dhe bukuri.

Por puna është si shpreh, është si e thua dhe sa bukur, e sa rrjedhshëm e thua atë, në mënyrë që të ruajë sensin e masës. Poeti Përparim Hysi me thjeshtësi dhe lirshmëri na e paraqet bukur si fjala vjen në poezinë: Futa dorën:

Futa dorën nën fustan?!
Çfarë kërkoj,moj,aman?!
Nën fustan e nën këmishë
“Lepurushen” dua,ta dish.

Ajo fle,po unë e zgjoj
Se nxjerr “pushkën” e qëlloj…

Poeti Përparim është i ngrohtë lirik, të bën për vete, me shkathtësinë dhe lirshmërinë e shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave.

Kam një ves që fatalisht më mban të ri

Ves do të jetë se ç`tjetër?

Si djalosh unë prap bie në dashuri

Megjithëse jam i vjetër.

Ka më të sinqertë dhe të thënë bukur në këtë  poezi? Ndjenja e bukur e dashurisë i gëlon në gji, i thotë me kurajë dhe fanitjes së pleqërisë së keqe, e cila të mpak trupi dhe të mpin zemrën. Por gjithsesi është shpirti i zjarrtë i poetit që e mban flakën e pa shuar të jetës rinore. Siç e theksuam më sipër pothuajse në të gjitha krijimet e tij poetike dashuria zë një vend të rëndësishëm. Dhe kjo është më se natyrshme, pothuajse të gjithë krijuesit i kanë kënduar me patos dashurisë, syve të shkruar, trupit të derdhur të femrës dhe ndalimit të pashmangshmen të mplakjes

Di e sheh ky syri i plakur.

Në shezlongën që po fle

Në lëviz tensioni i gjakut,

Ka një shkak e ka një pse.

Sa bukur shprehet te kjo poezi e mësipërme. Autori nuk ndjehet i trishtuar për vitet që shkojnë, sepse ato janë të pashmangshme për çdo krijesë në botë. Por zemra e tij vlon si djalë i ri. Sepse është zjarrmi i vetë krijuesit që e mban veten të ri.

Poeti atje kur ishte në kurbet, në Amerikën e ëndërruar prej shumë kujt, në Floridën plot diell nuk u ndje mirë, i qetë. Nuk ishte vetja e tij e plotë. E ndjente mungesën e ajrit të pastër, paçka se aje në vendlindje mund të ishte i lagësht dhe pakës më i ftohtë  dhe akoma nuk ishin shuar marrëzitë dhe pasionet politike. Zëri i brendshëm ia prishi gjumin, e nxiste gjithnjë e më tepër. Mali i mëmëdheut  dhe zëri i të parëve e ftohin të shkonte, aty ku balta është më e ëmbël se mjalti dhe poeti ynë Përparim Hysi bukur dhe me ndjenjë të sinqertë e kuptimplotë e thotë:

Sa e rëndë, sa e hidhur të jetosh në dhe të huaj.

Përparim Hysin ka një krijimtarinë e bollshme, si në poezi gjithashtu dhe në prozën e bukur rrëfimtare. Krijimtaria e tij gurgullon, proza e tij të tërheq dhe të mban peshë përgjatë gjithë ngjarjes. Përparimi në krijimtarinë e tij është i thjeshtë dhe i natyrshëm. Të rrëfen një ngjarje me një natyrshmëri befasuese dhe ti si lexues e ndjek dhe e përjeton atë. E veçantë e tij është se pothuajse në të gjitha krijimet gjen një gjetje në dukje të thjeshtë, por interesante dhe të bukur, të pa thënë më parë, e cila të kënaq me rrëfimin që rrjedh si ujët e burimit. Në përgjithësi, në çdo krijim të tij, Përparimi është ai vetë, i vërtetë përpara vetes dhe të tjerëve. Si e ka realizuar ai këtë rrjedhshmëri, vërtetësi dhe natyrshmëri. Imagjinoni për një çast fushën e së pasur e të madhe të Myzeqesë, që dikur i thoshin hambari i Shqipërisë. Me fshatrat si kërpudha të shpërndara përreth, ku jetojnë dhe punojnë myzeqaret, të cilët gjithnjë kanë qenë dhe janë të punëtorë, të respektuar dhe mikpritës. Atje gjithnjë gëlon jeta dhe mund të gjesh dhe të mbledhësh, fakte, përshtypje dhe mbresa të shumëllojshme. Të cilat biri i thjeshtë i Myzeqesë, i sinqerti Përparim Hysi i mbart me vete si të shenjta ngado që shkon. Përpunohen në laboratorin e tij krijues dhe pastaj hidhen nxitimthi në letër për të lënë një fjalë apo një shkronjë të gdhendur pas vetes.

Pothuajse të gjithë krijuesit përgjatë shekujve nuk kanë qenë asnjëherë të pasur. Ata kanë pasur gjithnjë: një penë, një letër dhe një dolloma të vjetër, për tu mbrojtur nga të ftohtit. Të tjerët kanë ikur pa lënë gjurmë. Krijuesi ashtu thjeshtësisht, pa e ditur, një fjalë e tij ka rrjedhur në rrëketë e kohërave dhe ka mbetur si gur i vogël, me vlerë një shkëmbinjtë e përcëlluar të kohës.

Përparimi është narratori  i hollë dhe i veçantë. Ai di të rrëfejë bukur, të gjithë ato që i mbarti me vete në vite. Shumë e shumë njerëz kanë pasur dhe kanë mbresa dhe përshtypje përgjatë rrjedhës së viteve. Sepse jeta lë gjurmë në memorien e gjithsecilit nga ne. ‘ Struktura e të folurit dhe të shkruarit nuk është thjeshtësisht njëlloj me imazhin e pasqyruar në pasqyrë, në atë të menduarit.’ Ka thënë filozofi Lev Semenoviç Vitosky. Pra shumë pak janë nga ata që kanë në duar çelësin e artë: transmetimin  dhe rrëfimin emocional dhe artistik.

Përparimi qysh në fillim të rrëfimeve të tregimtare të futën menjëherë në qerthullin e ngjarjes me një narracion të ngrohtë të rrjedhshme. Duke zgjedhur me kujdes si amvisë e mirë myzeqare, gjetjen dhe kostumin e realizuar të tregimit, të rrëfimit. Ashtu thjeshtësisht na jep natyrën, motin  dhe çfarë stine është, e cila është shumë e domosdoshme në prozën në përgjithësi. Ambientin. Njëherësh duke gërshetuar të gjitha komponentët që i duhen tregimit rrëfimtar narrator. Përshkrimi i personit në fjalë dhe e të tjerëve që do të jenë dhje do ti japin jetë ngjarjes në fjalë.

Pa përmendur krijimet e shumta, unë do të ndalem do të  marr për shembull tregimin e njerë dhe rrëfimtar: ‘Verorja e Vesho agait.’ Qysh në titull ky tregim të intrigon. Përse duhet të jetë kjo Verore e Vesho agait? Përparimi të fut ngadalë në hullinë e ngjarjes, me shkakun e sëmundjes, infeksionit të tij dhe se ishte pranverë. Pra menjëherë na dha dy informacione të rëndësishme, infeksionin e tij dhe kohën, të cilat janë shkaku dhe e zhvillojnë rrjedhën  e ngjarjes më tej. Infeksionin e detyroi doktorin ta niste djalin konviktor në shtëpi. Më pas me ngjyra të ndezura, me mall të papërshkruar përshkruar kthimin  në vendlindje. Kujtimet e së shkuarës janë shumë të ndezura në memorien e autorit shpesh i hedh me shkathtësi në të tashmen me trishtimin e shkatërrimeve që kanë ndodhur në vendlindje. Pra krijuesi me këto lëvizje të shkathëta i jep prozës së tij më shumë frymëmarrje. Kjo prozë rrëfimtare e veçantë e autorit të mban peshë dhe ai me mençuri të merr për dore dhe të çon aty ku do vetë. Ndiqeni sa bukur e përshkruan portretin e Vesho Agait:

‘Do thoni ju kush ishte ky”Vesho”Agai. Me pak fjalë, po ju tregoj. Ky qe një burrë kaba (unë i thosha karabina), me ca veshë të gjatë (gjëkundi as kam parë të tillë), mu si parafango makine. Pse i kishte kaq të gjatë veshët, pa i kish mbetur “Vesho”. E sa për atë “aga”, kështu thirren gjithë burrat. Ky lloj “agallëku” është si punë përkëdhelie…’

Më pas rrëfimi i Përparimit rrjedh ngrohtë, gurgullon si ujët e burimit. Përsëri është ndjenja e dikurshme djaloshare, dashuria e që na paraqitet aq thjeshtësish dhe me ndjenjë të bukur, siç di ti këndojë dhe ta i japë të gjallë dhe të freskët Përparim Hysi. Verorja e puthën në faqe dhe ai pas disa hezitimesh në rrëfim në formën e monologut e tërhoqi të dashurën pranë e puthi fort në buzë. Ngrohtësia, çiltërsia, thjeshtësia e të shkuarit dhe komunikimi i lexuesit është realizuar me mjeshtëri. Përnjëherësh kjo mënyrë e të shkuari të kujton prozën rrëfimtare e plot kolor, art dhe jetë të Mitrush Kutelit. Ngrohtësinë dhe lirshmërinë e Sotir Andonit, pse jo dhe disa krijime të Çehovit. Si fjala vjen disa elemente të shkuara ngrohtësisht si te tregimit i njohur: ‘Shakaja.’

Pothuajse të gjitha krijimet rrëfimtare te Përparimit i drejtohet kujtimeve, mbresave të pashlyeshme dhe i paraqet këto përpara lexuesit me ngjyra të freskëta, origjinale të bukura që të mbeten në mendje. Konkretisht, me pak penelat, të kursyera janë vizatuar në tregim Verorja, vajza që donte autori dhe i ati i saj Vesho agai. Këta dy personazhe të mbeten në mendje dhe janë të lënduar me kohën  që shkoi. Kjo mënyrë e të paraqituri të personazheve hyn në mjeshtërinë e të shkruarit të autorit. Letërsia e mirëfilltë ngrihet e lëvrohet mbi gjetjen, forcën dhe shprehjen e karaktereve.

Përparim Hysi është ndër krijuesit më prodhimtarë dhe me zë karakteristik. Ai shkruan gjithnjë në poezi dhe në prozë, paçka se mosha po vrapon dhe bën të sajën. Thesi i tij i krijimtarisë është i mbushur plot me kujtime dhe mbesa të cilat janë hedhur në letër dhe të tjerat mezi presin të shkruhen prej tij…

Mendoj se Përparim Hysi është  një zë i këndshëm në prozën shqiptare. Suksese të mëtejshme miku im mirë Përparim Hysi.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kristaq Turtulli, perparim Hysi, rijimtaria e kengetarit, te dashurise

NE SOFREN POETIKE TE “DIELLIT” PERPARIM HYSI

January 27, 2014 by dgreca

Vdiq Mbreti i klarinetës/

    ( elegji)

 Nga Përparim   Hysi

Vdiq Mbreti i klarinetës

Vallë, do rrijë mbi fron  një tjetër?

Jam ballë së vërtetës

Nuk shkruaj kot, se jam i vjetër.

Kur i binte klarinetës

Zogjtë këngën e pushonin
Ëmbëlsinë e mjaltit të bletës

Ndaj rrinin e dëgjonin.

Klarinetës kur i binte

Njerëzit mbesnin me gojëhaptë
Se në shpirt njerëzve u shpinte
Veç gëzim, hare dhe  mjaltë.

Ku nuk shkeli këmba e tij

Klarineta përmbi buzë
Eh, ç’muzikë! se ç’melodi!
Ndizej shpirti zjarr e shpuzë.

Po kur mirrte një kaba

A gjëkund një valle dyshe

Të shpinte në tjetër dynja
Se më kot “Mbret” më ishte!

Dhe ky”Mbret” me shpirt të dlirë
Që kënaqi aq dëgjues
Rroj fisnik e vdiq i tillë
Një Përmet për të dëshmues.

Ishte Mbret në klarinetë
Dhe me shpirt ishte Zotëri
Ai do të rrojë për jetë
Se nuk vdes, Laver Bari!

 Tiranë, 27 janar  2014

 2- Kasollja

Ndodh  që një kasolle  me kashtë
Të bëhet e shtrenjtë e të jepë ngrohtësi
Se kjo kasolle na mbrojti nga një shtrëngatë
Kur na zuri, befas, në rrugë që të dy.

Vrapuam të dy të zënë për dore
Kasollja? Më e shtrenjtë se një shtëpi
E mbaj mënd: pallat më qe, moj kasolle!

Po të të harroja as që do isha njeri.

E hodhëm lumin dhe nuk e shajmë kalin
Sa herë që shkoj rrugës, sytë hedh atje
Oh, s’e harroj çastin! Ndaj shpreh mallin
Për atë kasolle që në rrezik, na u bë strehë.

 3- Kronikë e zezë

Po kur do zhdukesh, moj kronikë e zezë?
E zezë si vdekja! Ma shpall, ma shpif.
Kur një kronikë të tillë do ta futim në varrezë
Do ngopemi me gaz, me  jetë, me dritë.

4-  Tek mendoj…

Tek mendoj të vrarët e pas nëntëdhjetë e  shtatës

NJë hije e zezë: e gjitha më pushton.
U “mboll” hasmëria si pema e mandatës
Që kokrra vdekjeprurëse,pa pra, lëshon.

As ka krahasim me të rënët në luftë
( Plaga e të rënëve tërë jetës më dhëmb)
Por kjo gjakmarrje si çiban a lungë
Është si një plagë që rrjedh sa më çmënd.

Të vritesh me tjetrin për hiç mos gjë
(Mjerisht, kjo ndodh veç në Shqipëri!)
Si mos  alarmohesh? Dhimbja hiç s’më lë
Por ç’ më duhesh fare, o moj qeveri?…

 5- Ngyra e kuqe

I kuq është gjaku- gjenerator i jetës
I kuq faji që skuq faqen time
I kuq flamuri ku bëj besa-besën
Në se dikush prek tokën time. *

I kuq dhe trëndafili i dashurisë

E kuqe lulkuqa që mbin në ara
Por si ajo e kuqja përballë fajësisë
Nuk ka. Atë vë përpara.

 6-Letër juristëve

Ju që hartoni kodin penal
Ju lutem mos e bëni elastik
Se,pastaj, gjykatësit bëjnë rrumpall

E “tërheqin” a e “mbledhin” si të jetë llastik.

Bëjeni ligjin si diçka të ngurtë

Ku keqbërësit veç t’i bien murit me kokë

Nuk duhet që  ata t’i “rrahim” me pambuk
Se ndodh që për  5- lekë, të çojnë në tjetrën botë.

Sidomos i ngurtë të jetë ligji që mbron jetën

( Mos lini vënd për pandehma a rrethanë lehtësuese?!)
Kur një të pafajshmi shkon dhe i  merr jetën,

Në burg për tërë jetën( pa  të drejtë rekurse)

Se vetëm kështu nuk do ketë vrasje,

Se vetëm kështu në rrugë s’do ketë maska
Do mendohet mirë qoft dhe për gjakmarrje

Se do mbesë për tërë jetën në pranga.

Kush merr një jetë, nuk ka pse bën apel

Pa u mëdyshur, tërë jetës në qeli

Ata që vetmbrohen ( me tjetër “defter”)
Se ndodh që për krimet,vihet barazi

Juristë! Ju lutem!

    Florida, janar- shkurt  2003

 

7-Më rreh zëmra

Si një mëkat i fshehtë që më mundon

Më rreh zëmra dhe e ka një shkak:

Ndodh kështu kur dashuron

Po është pak çudi,se tani jam plak.

8- Lëmshi i flokëve

Nën lëmshin e zi të flokëve të  tu
Seç feks një qafë e hollë dhe e gjatë
Një kokë prej Diane që kini ju
Të them  të drejtën:  më le gojëhaptë.

Vështrimin sensual që të bën për vete
Buza që qeshë që vetëm të ndjellë
Unë zë e “dridhem” si të kem ethe
Po le të dridhem sa të shkoj në esfel.

 9- Ç’qe ky verbim?

Ç’qe ky verbim i beftë

Që ma dha syri i kaltër

Mos zbrite vallë nga retë

Që mbeta i shushatur?!

Se goditja qe si vetëtimë

Sa gati mua më qorroi
Jam tani si në vidhimë:

– Syri  i kaltër më verboi.

9-  Sytë e tu

Sytë e tu si dy thëngjinj ndezur nën hi

Flasin për një bukuri,tash, si të perënduar

Po unë që dikur vdisja për ata sy,

Kam po atë dobësi si moteshkuar.

10-Dikush që më tha:- Jo!

A e di se, kur më  the:-Jo!

M’u duk sikur më godite me shpatë
Nuk di në besoni  a jo ?

Ajo ditë e tëra m’u kthye  natë.

11- Atë atmosferë të bukur femërore

Atë atmosferë të bukur femërore

Pa të cilën, gati, unë nuk rroj dot
Ma hoqi mua kurbeti, prore;

Kurkund më s’e gjej dot.

Dhe jam tani si një murg i ngratë

Mbyllur diku në një manastir

Kam katandisur tamam si një sakat

Kurbet! Je i pështirë…

12- Janë ca gjëra mjaft intime

Janë ca gjëra mjaft intime
Që më vijnë dhe më ngasin

Dhe më futin në mendime
Për një kohë që t’hu ma qasin.

Për një kohë që t’hu  ma qasin
Pse më bëhet si  tani?
Dhe ma shtojnë mua marazin
Tash që jam dhe pleqëri.

13- Kur të zhvesh me sy

Kur të zhvesh me sy

Dhe hedh vështrimin nga këmbët tek koka

E humb pusullën: nuk ka se si?

Se ti je më e mira që ka bota.

Florida, 2003

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Ne sofren poetike et Diellit, perparim Hysi

Selfoja me një sy

January 20, 2014 by dgreca

   Tregim nga  Përparim  Hysi/

Që kish një sy, dukej që  atje tej. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti se atë e gjeje kudo: sidomos në ziafete apo  në mbledhje. E pamundur që të mos binte në sy. Një e dy dhe, kur ishte puna për ta ndezur pak atmosferën, brrof ia bënte nga vëndi ku qe ulur dhe mu në mes ziafetit ( gostisë, de!), ia thoshte:

… Gjon  Banushi me një çetë/ sikur zbriti që nga retë/ … dhe hajde të mbaronte. Kur soste këtë palorecitim – se të tillë e quante- tak dhe kthehej andej nga kryesorët ( zakonisht ndonjë i ardhur nga komiteti i partisë a ekzekutiv dhe, në mungesë të tyre, kryetari i kooperativës a sekretari i byrosë) dhe, pasi priste duartrokitjet si shpërblim për aktin me vlerë (evokonte kohën e luftës kundër nazi-fashistëve, or tunjatjeta,dhe nuk qe pak), ndjehej sikur kish zënë qiellin e shtatë. Që bënte kështu dhe i binte bories  me një vrimë përherë, kishte arsye të mëdha. Këto “arsyet” tregoheshin dy llojësh nga ata që e njihnin këtë Selfon me një sy.  Ca thoshin se njëri sy ia kishin nxjerë, kur Maloja, një vërsnik i tij ia kishte mbajtur me një dardhë nga ato korrikset se ky ia kishte rrëmbyer me forcë. Të  tjerët i bënin “iso” asaj  ngjarjes që tregonte Selfoja! Kish qenë  si korrier me këtë çetën  e këtij Gjon  Banushit, të cilit dhe i thurte bejte. Epo Gjon  Banushi ato kohë rronte dhe qe oficer madhor në ministrinë e mbrëndshme. Unë e njoha këtë Gjon Banushin si komandant burgu në Talë të Lezhës, kur qeshë ushtar në Shëngjin. Qeshë emëruar mësues në këtë fshatin e Selfos dhe, tek dëgjova së pari recitimin e tij, tak dhe bëra lidhjen. Gjon Banushi qe kolonel asi kohe dhe të burgosurit e Talës, përgjithësisht, flisnin mirë për të. Duket qe dorë e fortë dhe kish arritur t’u jepte të burgosurve  edhe leje për në familje. Po qe si qe kolonel Gjoni, ky fakt nuk kish të bënte me këtë Selfon. Ky qe i një  “sëre” tjetër, po t’i besojmë atij Malos që i  kish nxjerë synë Selfos në adoleshencë. Se puna e solli që, për djall, unë të njoh dhe Malon.

*    *   *

“Invalid” ky, Selfoja, i plotësonte kushtet për të qenë komunist. Dhe po si “invalid”, në kooperativë trajtohej pak si veçan. Një tip furnitori që kish një “status” pak të zgjedhur.
Prej natyre, të ngjitej si të qe zamkë dhe kish fituar famë vetëm si e si të fuste në lakun që donte. Kryetari ia njihte “huqet” dhe sikur i kish dhënë kartabiankë që, kur kërkonte diçka që i bëhej mirë kooperativës, pa një e pa dy: t’i jepej. Selfoja, e merrte atë “diçkanë” dhe e çonte atje ku duhej. Për ashtu, nuk ia hante qeni shkopin. Dorëzohej gruri dhe ja tek e shihje Selfon mu përpara kabinës së shoferit se qe ngarkuar ai për ta dorëzuar. Shikonte që duheshin edhe ca kuintalë që kooperativa të realizonte  planin. Selfoja ia kish marrë dorën. NJë qingj të therur në thes dhe drejt e në shtëpi të drejtorit të grumbullimit. I shkathët nga goja, thoshte: – Ka mbreti bythë , jepi të hajë se do të dhjesi!!! Një qingj në atë kohë, kur Artisti i Madh Skënder Sallaku, e ironizonte me qesh e ngjesh: lexon mish e gjen  kasap!, për drejtorin e grumbullimit qe hapur porta e  Edenit. Drejtori, mbasi merrte “vergjinë”, esëll pa dalë nga shtëpia, vinte drejt  tek makazinieri:- Ndoni, “ndihmoje” pak atë Selfon se është miku im! Epo kaq, se Selfoja vërtet që kish një sy, po për këto punë shikonte sa për dy. Po sikur dhe Ndonin nuk e linte thatë, jo. Po sipas sërës: drejtorit një qingj, Ndonit një bibë. Se do lagur mjekrra që të rruhet,- thoshte. Dhe realizohej plani. Kot ishte ferma. Tek dorëzonte planin, e dinte vet Ndoni si  i mbushte defterët. Selfoja po kthehej shend e verë nga pazari. Ku i gjendej shoku Selfos! Tha një ditë kryetari për Selfon ( po e tha në mexhlis, ama) :- Një sy ka Selfoja, po punën e bën sikur ka katër palë sy.

*   *   *

Ua mori dorën këtyre punëve dhe u bë profesionist. E “helmova” dhe filanin,- tregonte. Ky, filani, na punonte në komitet të partisë.

– Po si ndodhi?- pyeta me kërshëri unë që,tash, qeshë miqësuar  me Selfon.

– Aha,- tha,- është mesele gjatë, po, kur të kthehem nga qytetit, do të tregoj.

Tek po hipte në makinën e kooperativës, e pashë që shkëmbeu ca “batuta” me një nga brigadierët:

– Janë 25 kg apo jo? Se kaq i kam thënë asaj të cilësisë unë.

– Nuk e luan topi.

Selfoja më përshëndeti triumfues dhe, tek mbylli derën  e kabinës, më shkeli synë me intimitet. Ngrita dorën  si shënjë përshëndetjeje dhe, tek pashë brigadierin në këmbë, e pyes:

– Makina qe ngarkuar me pambuk, ç’qe ai lllafi për 25 kg?

-25 kg fasule për ta nxjerrë pambukun e brigadës si cilësi e parë. Se vajë në lakra bie, apo jo?

Po ku mbahej Selfoja për këto punë. Kur u kthye nga qyteti, e prita dhe, pasi porosita nga një dopio ( me meze,sigurisht), prita atë rrëfimin se si e kish helmuar njërin që në gjithë aparatin e komitetit të partisë, mbahej më i ndershmi. Po ku të linte Selfoja për të qenë i ndershëm. I shkova në shtëpi, – më tregoi ai,- dhe gjeta të shoqen. Kisha porositur në “Dalan” të Karavastasë nja dy peshq sa një sheleg. Futur në trastë ata dhe, kur i nxora nga trasta dhe ia vura mu mbi tavolinën e kuzhinës, asaj iu hodhën sytë përpjetë. Sa u gëzua,aq dhe u habit. “Bibë” qyteti që nuk kish parë të tillë peshk, aq më shumë që aso kohe në Shqipëri  shitej nga  ia peshku kallkan ardhur nga Bullgaria,- thonë. T’ju bëjnë mirë,- e urova,- se lekët ia marr shokut Koço! Kështu i thashë asaj “bibës” unë, po nuk ishte fjalë për lekë. Ia lashë atje mbi tavolinë dhe ika.
Kur, mbas nja dy ditësh, ballë për ballë me këtë, Koçon.

*   *   *

Përqafohemi (të dy e kishim me hile: se ku donte njeri ky, Koçoja?, po dhe unë nuke doja, po më lipsej,or mik) dhe, sikur të na kishte grirë malli për njëri-tjetirn, shtrëngo e përqafohu e lëre mos e nga.

-Ore Selfo, rrofsh për atë peshkun që kishe sjellë tek unë, por mbeta pa të dhënë lekët.

-Shoku Koço, pse për kasap apo për peshkatar më merr mua, unë t’i solla se të vlerësoj si mik dhe aq. Pashë që u lëpi nga kënaqësia, por bëra sikur nuk e vura re.

– Se mos ke ndonjë hall?- më pyeti.

– Asnjë hall,- i thashë. Të të bëjnë mirë e mos ma zërë në gojë.

U ndamë dhe, këtë herë, më  shtrëngoi më shumë.

-Pse nuk ia the hallin?- pyeta unë.

– Qenke teveqel,- ma preu ai. Nuk paske dhënë ndonnjëherë rushfet. Vëre vath në vesh nga unë:- Jepe peshqeshin sot dhe prite ta “vjelësh” mot.

Atë ditë u ndamë si miq dhe, tek llogarisja se ende nuk ishin mbaruar dy “shelegët” e dalanit të Karavastasë nga shoku Koço, bëra këmbë e drejt e në zyrë. Sa më pa, ma shtrëngoi dorën fort dhe unë, pa ia lëshuar dorën ( sikur po më këputej shpirti për të) i them:- Sot kam ardhur për një hall. Dhe papritur të ma lëshonte dorën, i them:- Kam vajzën dua ta dërgoj për infermiere, por thonë që duhet nga qyteti.

-Lëma mua emrin dhe ik i qetë. Kështu, të keqen Selfoja tyja,e mbolla dje, po e ha sot. Ja, iku Këzja ime për infermiere në Korçë. Kështu që të rrojë shoku Koço! Duke rrufitur mezenë që po sosej, po zbrazte thasët e ryshfetit dhe Selfoja me një sy. Bërë “profesionist në këtë “zeje” të vjetër dhe aq aktual tërë kohës, Selfoja një ditë e pësoi.
Se gjithmonë në këto punët e ryshefteve ( në gjuhën e drejtësisë quhet mit marrje a mitdhënie), e pësojnë peshqit e vegjël. Të mëdhenjtë e çajnë rrrjetën. Kështu ndodhi dhe me Selfon me një sy. Kjo ndodhi një mëngjes kur Selfoja, me atë thesin në kurriz, si pa gjë të keq, po trokiste në derën e drejtorit të  grumbullimit. Këtij ,drejtorit, i kish dali nami për këtë punë dhe po e ruanin që ta zinin me presh në dorë. Duket drejtori nuk qe pa miq. Miku e informoi:- Të kanë vënë në shënjestër, dikush po të suverjon se nesër do të  vizitojë dikush me thes në kurriz. Sikterise publikisht dhe ke për të larë faqen si komunist. Tek  Selfoja priste të hapej dera mirëseardhëse si gjithmonë, kur dëgjon të bërtitura:- Maskara! Do të kompromentosh një  kuadër dhe komunist. Pse ç’më di mua, shok si vetja, ore qorr që dua që të ta nxjerrë dhe syrin tjetër, por ç’t’i bëj partisë ku aderoj, se e dija vet se si do të zija me shqelma mu këtu para pallatit e në sy të njerëzve. Selfos vërtet sikur i doli  dhe syri tjetër nga ç’dëgjoi me veshë. I zbriti shkallët më shumë i vdekur se i gjallë dhe mezi sosi tek makina për t’u kthyer në fshat.

Pa sosur në fshat, mbrriti korrieri  nga komiteti i partisë dhe organizata e partisë u mblodh urgjent. Selfon me një sy e përjashtuan nga partia dhe drejtori si komunist i ndershëm u pranua si anëtar i byrosë në rreth.

Se qe i p a k o m p r o m e n t u e s h ë m…

Pas një jave, sado që qe “invalid” i luftës,Selfoja iu dha gjyqit dhe u dënua për “mitdhënie” në burgun ku komandant qe Gjon Banushi,- thanë. Unë nuk kam asgjë as me GJon Banushin, por as me Selfon. As  do kisha shkruar sikur mos ky “ryshfeti” apo “mitdhënia” të jetë shtuar shumë në ditët tona. E keqja është se, përsëri, kur denocohen e hanë vetëm “Selfot”, kurse ata “shelegët” e Karavastasë e çajnë rrjetën dhe rrojnë e bëjnë pallë dhe mbajnë leksione antikorrupison. Deri kur kështu ma?- do pyeste Migjeni që është gjithmonë aktual…

 Tiranë, 20 janar  2014

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: perparim Hysi, Tregim

Poezi nga Perparim Hysi

January 13, 2014 by dgreca

Hyre vonë në rrugën time/

Nga  Përparim  Hysi/

Ti hyre vonë në rrugën time/

Dhe kjo ndodhi fare rastësisht/
E kujtoj çastin, o mikja ime!/

Dhe, vërtet, që ndjehem liksht./

Tek meditoj, më del përpara

Si një film që më mbetë në kujtesë
Një “film” me  aq çaste të bardha

Shyqyr, që  ka “harresë?!!!”

Harresë e çastit,se, domosdo,

Ka çaste që zë e psherëtij
Psherëtij me zëmër,sa bëj “oh!”

Si “ftohur” të jem në ijë.

Se ndjej peshë fizike në zëmër

Se ndjej dhe mbytem mall
Gjithçka ndodhi nuk qe ëndërr
E përjetoj krejt si gjallë.

Më duket se diçka mbaj fshehur
E ruaj atë si, “tinëzisht”
Sa herë andej nga ju jam derdhur

Dhe, sërish, ndjehem liksht…

 

12 janar 2014

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, perparim Hysi, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT