• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KANË THËNË PËR THEOFAN S. NOLI

March 26, 2014 by dgreca

Me rastin e përvjetorit të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Stilian Noli/

 Konica për Nolin/

   Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (një njeriu që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur mund t’i përmnedet emri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndërruar shumë.

Heronjtë e Homerit shkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanit bëri një punë më të madhe se njeriu që shpiku telefonin, ose kur themi se Partheoni edhe Tarxh Mahali janë monumente më të larta se Kulla e Eifelit, e cila është një mijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri, prova më e mirë është se është i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin e këndoni një letër time të botuar në numër të Janarit të së përkohshmës “Judge” në Nju Jork, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotërisë për qeshje.

Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu të atillë nukë i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nukë i jepet rast të organizojë një universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë një a dy orë ditën të stërviten!

Fan Noli është hequr nga politika edhe më shumë se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet; po t’i jepeshin këto, do të ish një fitim për Shqipërinë.

…Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që harriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë.

Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane. 

Hasan Dosti për Nolin

           …Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit t’onë. Ky burrë simbolizon sinthezin e virtuteve të racës arbënore. Të shumta e të paçmuarshme janë veprat që ai i ka kushtuar Atdheut, në fushën e kulturës e të edukimit të popullit.

Po, përmbi të gjitha, qëndron ndërmarrja e themelimit të Kishës Autoqedale të Shqipërisë, e çkëputur nga Patriarkati i Fanarit, që ka qenë qendra arkane e mohimit të të drejtave të kombësisë s’onë.

Fan Noli i madh i ynë ka qenë patrioti që ka menduar, gjykuar e vendosur se autoqefalia e kishës kombëtare është akti plotësues i pamvarësisë dhe sovranitetit të Shtetit. Dhe kështu burri i madh kauzës së autoqefalisë i ka kushtuar nxehtësinë e patriotizmit, energjitë shpirtërore, inteligjencën e mrekullueshme dhe kulturën e gjerë theologjike e filosofike.

Me rastin e përkujtimit të këtij prelati të lartë, mendimi dhe emocioni ynë drejtohen edhe nga martirëzimi i tre prelatëve të tjerë të Kishës orthodokse shqiptare: e kam fjalën te Pappa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani – poet, dhe Papa Llambri Ballamaçi. Megjithëse të edukuar në shkollën greke dhe të dorëzuar priftër prej peshkopësh grekë, këta u rrëmbyen nga mistika e racës dhe e gjakut shqiptar. Si bij të popullit ata i janë vënë me mish e shpirt çështjes së edukimit politik kombëtar. Kështu ata janë bërë objekt i mallkimeve dhe ndjekjeve të Fanarit dhe më së fundi u martirizuan prej andartëve grekë…

 Ernest Koliqi për Nolin

 …Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, d. m. th. e shumanëshme, e cila gja lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhanë nji gjykim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bahet objekt kritikash sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethanat, nëpër të cilat u përshkue, ma tepër se nga nji vullnet i prem e i paravendosun m’u sjellë si u suell.

Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë, edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E verteta asht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rresht gjallese në ket shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qellime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Nioli ka mujtë me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi me 1909 i fletores “Dielli”, preludium i themelimit të Shoqatës Panshqiptare Vatra në Boston, me 1912, në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë…

 Mitrush Kuteli për Nolin

 Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaqe kundërshtare, e në një jetë kaqe të turbulltë, njohës i kaqe gjuhrave, i kaqe dishiplinave të ndryshme, i kaqe klimateve shpirtërore. Me një sensibilitet artistik kaqe të zhvilluar, ay mban brenda tij edhe njatë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tija – njerzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, theollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar, kompozitor e gjithmonë poet. Fan S. Noli ka sjellë në gjithë degat ku ka punuar një sulm të tijnë, një verb të panjojtur, madhor.

Edhe të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbim të një ideali: ideali shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror – kombëtar; gjithëmonë shoqëror, gjithëmonë kombëtar.

Fragment nga letra e George Bernard Show drejtuar Nolit

    U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik. Libri juaj “Bethoven and   the French Revolution” nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë mjeshtër si muzikant, kritik dhe artist-filozof professional. E dini ndoshta se njeiu kurrë nuk lexon librat, që i dhurohen me thasë, ashti siç m’i dërgojnë mua.

…Ju jam thellësisht mirënjohës

G. Bernard Show, më 11 nëntor 1947

Qerim Panariti për Nolin

   “…Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë. Noli kujtoj se profesoriit iu bë një padrejtësi dhe një-me-një organizoj një demonstratë të studentëve në favor të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qërshor, sipas zakonit.

Më duket se nuk gabohem shumë po t’a karakterizonj Nolin si Prometheun e Rilindjes Shqiptare. Prometheu, pas mithollogjisë kllasike, pruri zjarrin në botë dhe munt të karakterizohet si shkencëtari i parë i botës kllasike. Për çpikjen e zjarrit, domethënë për sjelljen e dritës në botë, perënditë ziliqare dhe reaksionare, dërguan një kovaç i cili e mbërtheu Prometheun pas një shkëmbi të zi  dhe e la atje të torturohet gjer të vdesë.

Noli si mithollogu kllasik, i pruri dritë popullit Shqiptar që t’i stërvitë mëndjen, se me shkrimet eë tij mësuam se vijmë nga një racë e moçime, që i dha Evropës përdorimin e hekurit, një kontributë tepër importante për botën para-historike. Që t’a kuptojmë më mirë këtë çështje vlen të theksohet se Ilirianët, stërgjyshët tonë, filluan të përdorin hekurin në një kohë kur Athina dhe Roma s’ishin dëgjuar fare në historin’ e njerëzimit.

Peter R. Prifti për Nolin

   “… Më kujtohet Kuvendi i “Vatrës” më 1958. Siç dihet, Noli ish “Kryetar Nderi” i “Vatrës”, dhe si i tillë nuk merrte pjesë në punët e përditshme të organizatës. Megjithatë, vinte në kuvendet e “Vatrës”. E kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të kuvendit, për t’u përshëndetur me delegatët. Për 10 a 15 minuta punët e kuvendit ndaleshin. Rifillonin pasi shkonte Noli.

Kristo Thanasi ish atë vit kryetar i “Vatrës”. Unë rrija pranë tij. Sapo hyri Noli në sallën e kuvendit, Kristua mu afrua e më tha më zë të ulët, “Ai është fuqia prapa ‘Vatrës!”. Kristua deshi të më jepte të kuptoja se, ndonëse ai vetë ishte kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vërtetë i fuqisë së saj ishte Fan Stilian Noli. Atë çast unë kuptova më mirë influencën e madhe të Nolit brenda “Vatrës”, si edhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë.(Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kane thene per Nolin, Konica, Mitrush Kuteli, Peter Prifti

GREQIA, 695 FSHATRA SHQIPTARE

September 27, 2013 by dgreca

Nga Prof. PETER PRIFTI/

Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip. Çfarë zbuluan dhe dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti 1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i autoriteteve greke në vite/
DOKUMENTI /
Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994
Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Greqi)
Në ditët tona vëmendja e botës shqiptare është përqendruar me të drejtë në çështjen e madhe të Kosovës. Ajo përbën sot fushën më të madhe të luftës për liri nga një zgjedhë e rëndë, për pavarësi dhe për bashkimin eventual të të gjithë trojeve shqiptare. Shkurt, është çështja kyç që i jep formë dhe frymë çastit historik para të cilit gjendet sot bota shqiptare.
Megjithatë, shqiptarët një sy dhe një vesh e kanë patur gjithmonë në drejtim të shqiptarëve të Greqisë. Në një mënyrë ose tjetër, janë interesuar për fatin e vëllezërve dhe motrave çame, si edhe për gjendjen e shqiptarëve të vjetër, që u vendosën gati kudo në Greqi që në kohët e lashta të mesjetës.
Një nga këta shqiptarë është prifti i njohur arbëresh, Andon Bellushi (Papa Antonio Bellusci). Të parët e tij, ashtu si të parët e shumicës së arbëreshëve, emigruan nga Greqia që në kohën e Skënderbeut, në vitin 1434. U larguan që të mos binin në duart e shkelësve turq. U larguan me lot në sy që të ruanin mënyrën e jetës së tyre, gjuhën shqipe dhe çdo gjë të shtrenjtë, të trashëguar brez pas brezi nga gjyshët dhe stërgjyshët e tyre.

MALLI PËR MORENË

I nxitur nga një mall i papërshkrueshëm për vendin e prejardhjes, për Morenë e bukur, papa Bellushi udhëtoi në Greqi për të parën herë në vitin 1965. Ai udhëtoi atje jo vetëm si një “pilgrim” i përmalluar, por edhe si njeri i shkencës, si etnograf i pasionuar për të mbledhur folklorin e “arbërorëve”, sikundër quhen zakonisht shqiptarët e Greqisë. (Një tjetër emër për ta është “arvanitë”). Pas vizitës së parë, ai u kthye herë pas here në Greqi, për të vazhduar dhe rafinuar punën e nisur.
Ky libër: “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, është fryti i asaj pune të madhe. Në këtë vëllim Bellushi vë në dukje lidhjen e ngushtë që ekziston midis arbëreshëve dhe arbërorëve. Në një takim me arbërorët në Tebë më 1990, ai tha: “Ne flasim ashtu si flisni ju këtu… Kemi gjuhën tuaj, zemrën tuaj. Kemi ritin (fenë) tuaj. Kemi emrin tuaj.” (f.173) Kënga e Moresë, ka thënë Bellushi, “mbajti të gjallë në zemrat tona nostalgjinë për Morenë”. Këtë ndjenjë e ka shprehur bukur edhe peshkopi arbëresh Ercole Lupinacci me fjalët: “E kemi pasur gjithmonë këtë dëshirë të fortë, të njihemi me Dheun e gjyshëve, që i kujtojmë me mall në këngët tona popullore.” (f.101) Lidhja me shqiptarët e Greqisë duket në emrat e vendeve (toponimet) dhe fshatrave të arbëreshëve, në emrat e tyre personale, në shërbesat fetare, dhe, mbi të gjitha, në mënyrën e të folurit, në gjuhën e tyre të përditshme. Nga bisedat që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se shqiptarët e Greqisë dhe ata të Italisë nuk kanë aspak vështirësi për t’u marrë vesh, për të komunikuar me njëri-tjetrin, sepse të dyja palët flasin të njëjtin dialekt – një toskërishte të vjetër. (Është një dialekt ky që tingëllon disi arkaik në veshin e folësit të shqipes moderne). Të bëjnë përshtypje takimet dhe bisedat shumë të ngrohta që pati Bellushi me arbërorët. Ai u prit me plot përzemërsi dhe u nderua si vëlla sepse – siç u shpreh historiani arbëror, Aristidhis Kolljas – ai dhe arbërorët hodhën “urën midis Greqisë dhe Italisë që të gjejë vëllai vëllanë”. (f.92)

ARRITJET E PUNËS ME ARBËRORËT NË GREQI

Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak. Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime – trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar.
Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi. Sa shqiptarë ka në Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15 krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali.
Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai, rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në erë”, i tha një arvanit papa Bellushit. (f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta. “Si e bëni bukën, djathin? Si i punoni vreshtat? Si i rrjepni dhitë? Si i ruani bagëtitë nga ujqit?” Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…), ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë kudo. Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për dashurinë. Ja, disa radhë të shkëputura nga këto këngë:

Eja të të puth një herë,
Tani që kam pirë verë.
Prapa malit kam një pus,
Eja vashë të të puth.
Prapa malit kam shtëpinë,
Eja vashëzë të rrimë.

Libri hedh dritë edhe mbi figurat arbërore që i kanë bërë shërbime të çmuara popullit shqiptar në Greqi, burra si: I ndjeri Jorgo Marougas, redaktor i shquar i revistës “Dialogoi”, Aristidhis Koljas, autori i librit “Arvanites” (1983), veprës kryesore për njohjen e arbërorëve, Vangjelis Ljapis, folklorist, autor dhe avokat për mbrojtjen e të drejtave të arvanitëve; dr. Jorgo Haxhisotiriov, i njohur si mjek në Athinë, si shkencëtar dhe si mbledhës i folklorit arbëror. Ka edhe të tjerë.

GJENDJA E GJUHËS SHQIPE

Arbërorët janë krenarë për gjuhën e tyre. Një nga këngët që këndojnë në krahinën e Korintit thotë:

Kjo gjuhë arbërishte
Është gjuhë trimërishte.
E fliste Admiral Miaulli,
Boçari dhe gjithë Suli (f.327)

Nga intervistat e shumta që pati autori me arbërorët, bëhet e qartë se ata e duan gjuhën shqipe me zemër, dhe kënaqen kur flasin shqip. Prandaj kanë merak ta ruajnë dhe t’ua lënë trashëgim fëmijëve. Ky merak duket edhe në ndonjë këngë të tyre, si, p.sh. në radhët: “Arvanitete të këndomi/ Gluhenë të mos harromi”. Papa Bellushi pyeti herë pas here kudo që vajti: “Do të rrojë gjuha arbërore?” “Nuk e di,-iu përgjegj një burrë,-sepse është një gjuhë që nuk mësohet në shkollë dhe nuk shkruhet”. Dhe vërtet bisedat e Bellushit me arbërorët zbuluan një konflikt midis atyre që duan ta ruajnë gjuhën me çdo kusht, dhe atyre që preferojnë greqishten, sepse ajo shkruhet. Po në përgjithësi ata kanë besim në të ardhmen e gjuhës. Kanë po ato ndjenja që shfaqi një plak nga Korinthi kur tha: “Unë kam tri vasha me shkollë. Po kur më vinë këtu në shtëpi, flasin arbërisht. Greqishten nuk e flasim neve këtu”. (f.349)
Gjatë gjithë udhëtimeve që bëri në Greqi, meraku më i madh i papa Bellushit ishte për gjuhën shqipe, por edhe për kulturën e arbërorëve, dhe me të drejtë, sepse nga të gjitha anët ai dëgjoi ankime për grekët. Grekët nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe. Nuk i lejojnë shqiptarët as të këndojnë këngët e tyre. “S’kemi mundësi të shkruajmë gjuhën tonë,” thotë arbërori. “S’kemi botime, as fetare, as popullore, as letrare. S’na lejojnë… Jemi si një trup pa shpirt”. (f.426) “Këtu gjuha jonë flitet vetëm midis mureve të shtëpive. Ajo s’ka banesë as në liturgji, as në shkollë, as në shtyp, askund”. Kështu foli plaku 72- vjeçar Dhimitri Gonos në More. (f.419) Priftërinjtë i ndalojnë fëmijët arbërorë të flasin shqip, se “është e mallkuar”. Një burrë i tha Bellushit se kur ishte djalë i vogël në shkollë, mësuesi i rrihte nxënësit shqiptarë po të thonin ndonjë fjalë shqip, dhe i detyronte të shkruanin ato fjalë njëqind herë në dërrasën e zezë. (f.233)
Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke. (Megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip). Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të gjitha anët”. (f.426)
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”, thonë ata me këmbëngulje. Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve. Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj. duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.

UDHËTIM NË MORE MË 1970

Me interes të veçantë është udhëtimi që bëri Bellushi në More më 1970, i shoqëruar nga prifti arbëresh Jani Kaparelli. Përshkrimi i këtij udhëtimi përbën një dokument me vlerë të rrallë. Në hapësirën e gati 20 faqeve, (409-427), autori shkruan për mallin e pafund që kanë arbëreshët për Morenë, sepse, sikurse thotë ai, arbërorët e Moresë dhe arbëreshët “janë lidhur ngushtë nga historia, nga gjuha e nga besa… Jemi si mish e thua”. Ai bën fjalë për takimet e ngrohta bisedat e përzemërta, këngët që kënduan së bashku me shqiptarët e Moresë, të cilat mishëronin gëzimin e tyre të përbashkët, hidhërimin, vajtimin, besën, mundimet, dhe afërsitë shpirtërore që kanë njohur gjatë shekujve.
Pastaj shkruan për prelatin simpatik grek të Moresë, dhespot Stefanos i cili, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i grekëve, i mirëpriti arbëreshët dhe tha me gojën e tij se, “këtu janë shumë katunde arbërore”. (f.415) Madje, ai lëshoi një kartë, të hartuar në formën e një “leje” për vizitorët, ku ai përmendte me emër fshatrat e Moresë që donin të vizitonin Bellushi dhe Kaperelli.

“Ky është i pari dokument grek”, thotë Bellushi, “ku shkruhet se në More gjenden edhe sot katunde arbërore!” Dhe si i tillë “ka një rëndësi historike të madhe”. (f.416)

VEPËR E DENJË SHKENCORE

Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof. Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve (traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të shqiptarëve në Greqi”.
Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit. Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht), që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin.
Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”. (f.424)

* * *

Teksti i këtij libri është në dy gjuhë: shqip dhe italisht (me disa faqe edhe në greqisht). Pjesa më e madhe e lëndës është në gjuhën shqipe. Teksti italisht është, në të vërtetë, një përkthim disi i përmbledhur i tekstit shqip. Megjithatë, emri i autorit dhe titulli i librit në kapakun e veprës janë në gjuhën italishte, si pason: Antonio Bellusci, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia.” Libri ka një hyrje nga Aristidhis Kolljas, kryetar i Shoqatës Kulturore Arbërore “Mark Boçari” në Athinë, dhe një parathënie nga prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës. U botua nga Qendra për Kërkime Socio-Kulturore “G.Castriota, Cosenza, Itali, 1994, 500 faqe.

*Shënim: Citatet nga bisedat dhe këngët e abërorëve janë shkruar gati të gjitha në shqipen e njësuar letrare, për ta bërë më të lehtë leximin e tyre. –

 

PETER R. PRIFTI
San Diego, California
Shkurt, 1996

_________________________

Peter R. Prifti

Peter Prifti (1924-2010) lindi në Rehovë (Kolonjë) më 1924. Pasi kreu shkollën fillore në fshat dhe Plotoren në Ersekë, emigroi në Amerikë më 1940. Peter Prifti mbaroi shkollën e mesme, pastaj u diplomua për art e letërsi në Penn State College. Vazhdoi studimet në University of Pennsylvania ku fitoi gradën shkencore “Master of Art Degree in Philosophy” (1955). Punoi redaktor në gazetën “Dielli” dhe sekretar i “Vatrës” (1958-1960), përvojë e cila e ndihmoi të njihte nga afër Fan Nolin dhe komunitetin shqiptar. Për 15 vjet ishte konsulent për çështjet shqiptare në M.I.T. (Massachusets Institut of Technology) qendër e shquar e studimeve ndërkombëtare. Më 1976 University of California, Dega e Linguistikës e mori si pedagog sapo hapi katedrën e Gjuhës Shqipe. Jetonte në San Diego, Kaliforni. Është autor i librave “Socialist Albania since 1944”; “Remote Albania – The politics of isolation”; “Confrontation in Kosova, The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”; “Land of Albanians: A crossroads of Pain and Pride”; “Mozaik Shqiptar”; “Unfinished Portrait of a Country”.

Aristidh Kola

Aristidh Kola (1944-2000) është jurist, studiues, publicist, shkrimtar, veprimtar i guximshëm për çështjen kombëtare, kryetar i shoqatës së arvanitasve të Greqisë “Marko Boçari”. Mbante lidhje dhe bashkëpunoi me personalitetet e diasporës në Amerikë e Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, arbëreshët e Italisë dhe Korsikës. Është autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korregjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, etj. Nxorri revistat “Besa” dhe “Arvanon”. Në vitin 1999 përkrahu në mediet greke bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe UÇK-në. Është hedhur në gjyq dhe kërcënuar me vdekje nga qarqet ultranacionaliste greke. Dekoruar nga ish-Presidentët e Shqipërisë Sali Berisha dhe Rexhep Meidani, si dhe nga kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Është “Qytetar nderi i Skënderajt”.

Andon Bellushi (Antonio Bellusci)

Prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog, lindur në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, (Itali). Diplomuar për filozofi e teologji. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Ka themeluar revistat “Vatra Jonë, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “G. Kastrioti”, Bibliotekën Ndërkombëtare “Bellusci”. Ka botuar studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”. Qysh nga viti 1962 ka bërë udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme, ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Australi. Ka botuar librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria Italiane, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës, etj.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 695 fshatra, Greqia, Peter Prifti, shqiptare

ARKIVI I PETER R PRIFTIT I ËSHTË DHURUA”BIJËVE TË SHQIPES” NË FILADELFIA

February 5, 2013 by dgreca

Rreth 200 dosje me dorëshkrime, letra, artikuj të ndryshëm të lëna pas vdekjes nga Peter Prifti, i vëllai ia dorëzoi Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Arkivi i rrallë i një prej kontribuuesve më të njohur të çështjes shqiptare në SHBA dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Fan Nolit, përmban studime dhe shënime të pathëna ndonjëherë mbi rolin e personaliteteve të njohura shqiptare në SHBA…

 ***

 Në tre paragrafët e parë, redaktori i “Diellit”, Peter Prifti, përshkruan takimin në rezidencën e kryepeshkopit: “E takuam në rezidencën e tij në rrugën ‘Blagden’, një vend i mobiluar me modesti, ku ai ka punuar e ka jetuar për shumë vjet…. Në studion e tij, syri sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndihej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, Noli i tha: ‘Ata janë të gjithë miqtë e mi, unë mund të bisedoj me secilin prej tyre’”.

“Në Kuvendin e Peshkopatës që u mbajt në korrik 1961, unë shërbeva si sekretar i Kuvendit. Gjatë punimeve të Kuvendit ndenja pranë Nolit, në anën e djathtë të tij. Në një kohë pushimi gjatë Kuvendit, Noli u kthye nga unë dhe më pyeti nëse doja të bëhesha prift. Më la përshtypjen se po të bëhesha prift, e kisha rrugën të hapur që një ditë të bëhesha peshkop, e të zija vendin e tij. Unë e falënderova për ofertën fisnike që më bëri dhe për opinionin e mirë që kish për mua, por i thashë, me keqardhje, se karriera klerikale nuk më interesonte.”

Opinionin e Tij për Konicën, Noli e ka dhënë në parathënien e librit “Shqipëria, Kopështi Shkëmbor në Evropën Juglindore”, ku shkruan: “Konica mund të konsiderohet si krijues i prozës moderne shqiptare. Me këshillën dhe drejtimin e tij, unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allen Poes dhe Don Kishotin e Servantesit. Vlerësimi i lartë del në kontekst, ku Imzot Noli e quan veten nxënës të Faikut.

Në biografinë e tij të pabotuar ai shkruan: “Filozofia më pasuroi mendjen dhe shpirtin, por jo xhepin, sepse nuk e përdora për të fituar bukën e gojës. Kjo është një nga ironitë e jetës sime.”

Ndihem i kënaqur që e shpëtova arkivin e vëllait, duke e dërguar me 15 koliposta nga San Diego në adresën e shtëpisë sime në New York. Pata sugjerime t’ia dërgoja Arkivit të Shtetit në Tiranë, por ajo punë kërkonte mund e shumë të holla.

Zëri i tij ishte i hollë dhe bisedat me të dukeshin sikur të zhvendosnin nga një kafene e zakonshme në qendër të Tiranës, diku në ato baret me dritare dhe tryeza të rënda, në muret e mbushura me libra. Nuk më kujtohet se çfarë po pinim, por ajo që më shoqëroi gjatë pas atij takimi ishte diçka krejtësisht perëndimore që vinte prej portretit të tij. Damarët e kaltër në duart e bardha dhe një qetësi që fshihte kuriozitet për gjithçka që ndodhte në Shqipëri. Duhet të ketë qenë viti 2001, dhe në takimin tonë ishte edhe vëllai i tij, Naum Prifti. Ky ishte takimi im i parë dhe i fundit me Peter Priftin, megjithëse deri vonë në postën time elektronike vinin email-e përshëndetëse prej tij. Ndjesinë e atij takimi e kam sjellë sërish në kujtesë dy vjet më parë, kur hiri i tij shpërndahej lehtë-lehtë në ujërat e buta të Erzenit. Ai takim më ka mbetur gjatë në mendje, ndoshta pasi takimi me të ishte si një takim me një tjetër botë, dhe një tjetër kulturë që shpërndahej lehtë-lehtë përmes zërit dhe portretit të tij… Burri që kishte veshur pantallona të bardha dhe një xhaketë të një stili krejt ndryshe për Tiranën e atyre viteve, me një mjekër të kuruar me kujdes, ishte njeriu që kishte jetuar historinë e atyre dhjetëra njerëzve që ishin përpjekur ta ndryshonin Shqipërinë nga larg…

Peter Prifti, studiues i shqipes, gazetar dhe një prej kontribuuesve më të njohur të çështjes shqiptare në SHBA, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Fan Nolit, u nda nga jeta dy vjet më parë. Biblioteka e tij personale, një pasuri e gjallë e një periudhe unikale për çështjen e zhvillimet shqiptar, i kaloi të vëllait Naum Prifti. Ndërsa mbi 200 dorëshkrime, fryt i punës së tij shkencore, i kaluan Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. “Ndoshta do të ishte më mirë t’i sillja në Arkivin e Shtetit, por ky transport kushtonte”, shprehet në një intervistë më poshtë për gazetën “Shqip” i vëllai Naum Prifti. Ndoshta koha do të zbulojë atë çfarë Peter Prifti ka lënë në ato rreshta pafund, që sot ndodhen në Filadelfia, të cilat Peteri i shkroi duke pasur në mendje vetëm Shqipërinë.

Vetëm pak kohë më parë, vëllai juaj Peter Prifti, një nga figurat me kontribut të vyer në çështjen shqiptare në SHBA u nda nga jeta. Çfarë ishte për ju kjo ndarje?

Humbja e vëllait ishte ngjarje e dhimbshme për mua, pas vdekjes së papritur të nipit tim Eri, në moshën 23-vjeçare. Veç lidhjes së gjakut me Peterin patëm lidhje të ngushta shpirtërore. Në dy vitet e fundit shëndeti i tij u keqësua. Vëllai gjatë gjithë jetës kishte qenë “i thatë, por i thantë”, sikurse thotë shprehja popullore. Ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, por mbas moshës 80-vjeçare iu shfaq leukemia dhe shëndeti i tij shkoi teposhtë deri sa më 17 gusht 2010 u nda nga jeta. Tri javë përpara asaj dite, e vizitova në qendrën shëndetësore në San Diego të Kalifornisë. Me mallëngjim kujtoj bisedën më të vështirë që kam pasur me të në jetën time. Në testament ai shkruante se e linte në dëshirën e familjes nëse donim ta varrosnin, apo ta digjnim kufomën e tij pas vdekjes. Iu luta të mos na e linte ne atë barrë, por ta zgjidhte vetë opsionin që dëshironte dhe ne do të respektonim dëshirën e tij. Kjo bisedë ishte njëlloj si t’i thosha se po ndaheshim për jetë. Pasi u mendua pak, tha se preferonte djegien dhe hiri t’i shpërndahej mbi tokën e atdheut. Amaneti ishte në harmoni me jetën dhe aktivitetin e tij patriotik. Në tetor të atij viti, ime shoqe dhe unë shkuam në Tiranë dhe të ndihmuar nga Akademia e Shkencave ia plotësuam dëshirën e fundit. Hirin e tij e shpërndamë mbi lumin Erzen, në afërsi të Ibës. Më pas shtruam një drekë përkujtimore për të gjithë miqtë dhe dashamirësit që morën pjesë në ceremoni. Aty folën për jetën dhe aktivitetin e tij prof. Emil Lafe, prof. Jorgo Bulo, prof. Nasho Jorgaqi edhe unë. Peter Prifti ishte model i njeriut të thjeshtë që jetonte pa pretendime. Nuk pinte as duhan, as pije alkoolike dhe në të ngrënë ishte shumë i përkorë. Si beqar me përvojë të gjatë dinte të kujdesej për veten, për apartamentin, si edhe për gardërobën dhe menynë e tij ditore. Ishte metodik në gjithçka që ia kushtonte kohën e tij, qysh nga marrja e postës deri në sistemimin e albumeve. I lexonte me kujdes si postën konvencionale dhe internetin dhe u përgjigjej të gjithë atyre që i drejtoheshin. Arkivi i tij ishte i pasur dhe i sistemuar në mënyrë shkencore, me dosje të veçanta për çdo subjekt. Pesë sirtarë të thellë qenë mbushur me mbi 200 dosje. Në apartamentin e tij shihje libra në çdo faqe muri, kryesisht botime shqip, apo kushtuar Shqipërisë, një mori me albume, foto, filma artistikë, midis tyre edhe filmin “Skënderbeu”, dhe një dokumentar për Fan Nolin, kaseta me muzikë shqiptare e klasike, videokaseta.

Cilësi tjetër e tij ishte mirësjellja dhe druajtja ndofta më tepër sesa duhej. Ai kishte shoqëri të gjerë në rrethet intelektuale, personalitet që nderohej nga shqiptarët, nga amerikanët dhe nga profesorë europianë që patën rast ta njihnin ose punuan tok me të. Shpesh kam pyetur veten time se pse nuk u martua. Arrita në përfundimin se mbi të gjitha ishte xheloz për pavarësinë e tij dhe donte që t’u përkushtohej punëve shkencore e letrare që kishte për zemër.

Peter Prifti ishte nga të paktët të rinj të mërgatës shqiptare të brezit të tij që kreu studime universitare të plota dhe mori gradën shkencore pasuniversitare. Ai kreu studimet universitare në Penn State College (1949) dhe vazhdoi arsimin pasuniversitar në “University of Pennsylvania,” ku u nderua me gradë shkencore “Master of Arts Degree in Philosophy” më 1955-n.

Në biografinë e tij të pabotuar ai shkruan: “Filozofia më pasuroi mendjen dhe shpirtin, por jo xhepin, sepse nuk e përdora për të fituar bukën e gojës. Kjo është një nga ironitë e jetës sime.”

Vërtet numri i shqiptarëve që kanë përfunduar studimet e larta në SHBA menjëherë pas lufte është i pakonsiderueshëm. Kuptohet se prindërit e tyre preferonin t’i mbanin fëmijët në bizneset e tyre, ndërsa babai ynë mendoi se shkollimi do ta ndihmonte Peterin ta kishte jetën më të lehtë dhe të mos hiqte ato rropatje që pati ai vetë dhe emigrantët e tjerë të fillimit të shekullit. Peter Prifti bashkë me Polin, vëllain e madh, kanë meritën se nisën në Filadelfia një radioprogram javor në gjuhën shqipe, me qëllim të ruhej gjuha dhe traditat. Më 1957-n, Peteri i dërgoi “Diellit” një ese mbi gjendjen e shqiptarëve në Pensilvani, e cila u pëlqeu nga Noli dhe vatranët e tjerë. Unë besoj se ai shkrim i hapi rrugën ta ftonin në Kuvendin e Vatrës më 1958 në Boston, dhe ta zgjidhnin sekretar të Federatës dhe njëkohësisht redaktor të gazetës “Dielli”. Këto detyra i dhanë rastin të njihej nga afër me Fan Nolin dhe patriotë të tjerë të shquar. Dy vjet më vonë, profesori Grifits, autor i librit “Shqipëria dhe grindja Sovjeto-Kineze” i ofroi punë në MIT në Boston, një institucion studimesh me famë ndërkombëtare. Atje punoi për 15 vjet si këshilltar për çështjet shqiptare dhe në vitin 1978 botoi librin “Socialist Albania Since 1944”, (Shqipëria Socialiste që nga viti 1944). Libri u etiketua me të meta të pafalshme nga regjimi komunist se aty kritikohej Enver Hoxha si diktator. Midis të tjerash atje kishte edhe një listë me emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, të dënuar nga PPSH-ja si projugosllavë, si prosovjetikë, si deviacionistë, sabotatorë etj. Lista ishte sinjifikative për terrorin politik që mbretëronte në Shqipëri. Nga ky shkak, libri u kategorizua “tepër i rezervuar” nga Biblioteka Kombëtare dhe jepej vetëm me konsensusin e drejtoreshës. Në krahun e kundërt të spektrit, të arratisurit politikë që kishin ardhur nga Shqipëria, e damkosën për propagandë komuniste, por pavarësisht nga ekstremet shqiptare, vepra zuri vend në referencat e studiuesve për Shqipërinë, për të vërtetat objektive dhe paraqitjen faktike.

Peter Prifti ka qenë një ndër njerëzit që ka ndenjur gjatë pranë Fan Nolit. A janë ruajtur në dorëshkrimet që ka lënë pas, histori apo kujtime nga kjo marrëdhënie?

Për këtë po sjell kujtimet e Peter Priftit për Fan Nolin. “Në Kuvendin e Peshkopatës që u mbajt në korrik 1961, unë shërbeva si sekretar i Kuvendit. Gjatë punimeve të Kuvendit ndenja pranë Nolit, në anën e djathtë të tij. Në një kohë pushimi gjatë Kuvendit, Noli u kthye nga unë dhe më pyeti nëse doja të bëhesha prift. Më la përshtypjen se po të bëhesha prift, e kisha rrugën të hapur që një ditë të bëhesha peshkop, e të zija vendin e tij. Unë e falënderova për ofertën fisnike që më bëri dhe për opinionin e mirë që kish për mua, por i thashë, me keqardhje, se karriera klerikale nuk më interesonte.” (Flamurtari Kombit, 1882-1982) Peter Prifti ka shkruar një sërë artikujsh për Nolin, e po ashtu ka përkthyer fjalimin e tij në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, 10 shtator 1924 nga frëngjishtja në anglisht. Njëherë pasi botoi një shkrim të bukur pa emër kushtuar Nolit, i ngjau një incident. Në një mbledhje përkujtimore në Boston dikush pyeti kush ishte autor i shkrimit dhe për habinë e Peter Priftit, një personalitet i shquar i diasporës (A.A.) deklaroi se autori qe ai. Peter Priftit që u ndodh atje, i erdhi aq turp sa nuk pipëtiu. Pas një viti pati rast ta botonte me emrin e tij dhe kështu çështja u mbyll pa zhurmë. Këtë incident ia rrëfen edhe prof. Nasho Jorgaqit, te përgjigjet që i dërgoi rreth anketës për Nolin, por e luti të mos e zinte ngoje.

Një kapitull me gjashtë shkrime anglisht për Nolin ndodhet te libri “Unfinished Portrait of a Country”, sikurse “Audiencë me metropolitan Fan S. Nolin”, “Për kujtim të peshkop Fan Nolit”, “Një Amerikan i madh me origjinë shqiptare” etj. Peteri ka përkthyer anglisht me besnikëri e bukuri artistike poezinë “Anës lumenjve.” Një ALBUM për Fan Nolin, me poezi pak të njohura dhe me foto ia ka dërguar dhuratë Institutit të Gjuhësisë. Falë këmbënguljes së tij për kërkime shkencore, pas plot dy vjet përpjekjesh, ai siguroi kopjen origjinale të fjalimit të Nolit, mbajtur në Lidhjen e Kombeve Gjenevë, më 10 shtator 1924, të cilën e përktheu nga frëngjishtja në anglisht, për t’ua bërë të njohur anglishtfolësve, atë perlë oratorie.

Ka pasur një debat që ju e keni botuar kohët e fundit në shtyp mes Peter Priftit, Arshi Pipës dhe Sami Repishtit…

Për mua, sjellja e tij fisnike ndaj prof. A. Pipës dhe prof. S. Repishtit është veçanërisht mbresëlënëse. Më 1989, ata shkuan te një konferencë ndërkombëtare në Strasburg, ku Pipa referoi me gojë përmbajtjen e referatit për çështjen e Kosovës. Një kopje ia dërguan dhe Peter Priftit për të vjelë mendimin e tij. Sigurisht prisnin lavdërime, ndërsa Peter Prifti u skandalizua nga përmbajtja e referatit dhe hartoi një përgjigje prej 8 faqesh të daktilografuara, ku shprehte indinjatën e tij që autorët ngarkonin me faj shqiptarët e Kosovës për gjendjen e tyre mjerane. Sipas referatit, përdorimi i flamurit kombëtar dhe miratimi i gjuhës së njësuar shqipe nga kosovarët ishin shkaqet që kishin zemëruar autoritetet serbe. Me argumente e me fakte historike, P. Prifti i hidhte poshtë këto pretendime. Debati midis tyre vazhdoi me sulme e kundërsulme. Së fundi, Pipa i uli tonet agresive nga argumentet bindëse të P. Priftit. Ky debat më ra në dorë pas njëzet vitesh, dhe u habita që vëllai nuk e kishte botuar, aq më tepër se ngjarjet historike i kishin dhënë të drejtë atij. Vëllai m’u përgjigj se nuk donte ta botonte kurrsesi sa të ishte gjallë. Nuk donte t’i vinte kolegët e tij në pozita të vështira. Pas vdekjes së tij, debatin e botova te buletini “Zëri i së Vërtetës” në New Jersey dhe te revista “Dy Drinat,” (2012) që del në Kukës, sponsorizuar nga shqiptaro-amerikani Esat Bilali.

Kontributi i Peter Priftit është pak i njohur në Shqipëri…?

Për arsyen e thjeshtë se krijimtaria e tij e pasur publicistike nuk njihet. Deri tani, të gjitha botimet e tij janë anglisht, me përjashtim të vëllimit “Mozaik shqiptar” botuar nga “Buzuku” në Prishtinë. Në Tiranë, shtëpia botuese “Lilo” botoi broshurën “Gjuha është organizëm e gjallë”, ku Peter Prifti debaton me prof. Arshi Pipën dhe mbron gjuhën e njësuar shqipe. Vetëm prof. Eleni Karamitri botoi monografinë “Peter R.Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë”, një përpjekje serioze për të njohur jetën dhe punën e tij. Unë ndieja detyrim moral ndaj vëllait që kishte përkthyer anglisht disa nga veprat e mia, ndaj e ndihmova të kompilonim librat e tij anglisht, “Remote Albania – the Politics of Isolationisn” (Shqipëria e Largët – Politika e Izolacionit) botim “Onufri”, 2000, “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride” (Vendi i shqiptarëve –Kryqëzim i Dhimbjes dhe Krenarisë) “Horizonti”, 2002. Disa vite më parë, kërkova nga zyra e SOROS-it në Tiranë që veprat e Peter Priftit të përktheheshin shqip, me qëllim që kjo pasuri t’i kthehet trungut të cilit i përket. Nuk pata sukses.

Veç krijimtarisë publicistike, ai ka edhe një sërë veprash linguistike, që vijnë nga periudha e angazhimit në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Në bashkëpunim me albanologun Leonard Newmark, u botua “Standard Albanian,” (Gjuha shqipe e normuar) të cilën A. Kostallari e çmonte veçanërisht për tiparet konstruktive. Më pas vijnë botimet “Spoken Albanian” (Shqipja e folur) dhe “Reading in Albanian” (Lexime në Shqip), dy vepra të mirëpritura nga shqiptarët e Amerikës që donin të zgjeronin njohuritë për gjuhën shqipe.

Peter Prifti ka ndjekur me konsekuencë ngjarjet në Kosovë që nga viti 1968 kur u shpalos kërkesa “Kosova Republikë”. Qysh prej atij viti, ai është i vetmi autor i njohur që ka botuar çdo vit artikuj për situatën dhe gjendjen e popullit shqiptar në Kosovë. Më 1999, kur çështja e Kosovës ziente në mbarë botën, ai botoi te Columbia University New York “Confrontation in Kosova-The Albanian-Serb Struggle, 1969-1999”, (Konfrontim në Kosovë – Lufta shqiptaro-serbe 1969-1999.)

Libri pati jehonë në rrethet akademike të Amerikës për njohjen me problemet e Kosovës, duke dhënë ndihmesën e vet për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Nga kërkesat e shumta, libri u ribotua, diçka e rrallë për botimet akademike të kësaj natyre.

Në shtyp është folur për një mori dorëshkrimesh dhe kujtimesh të lëna nga Peter Prifti. Si një nga njerëzit që jeni kujdesur për to, çfarë përmbajnë ato?

Unë kisha në duar rreth 200 dosje me dorëshkrime, shkrime, letra e artikuj, që pasqyrojnë aktivitetin e tij të gjatë. Natyrisht m’u desh t’i skartoja një pjesë të tyre. Habia ime ishte se tok me shkrimet publicistike, gjeta edhe shkrime letrare anglisht, për të cilat s’kisha dijeni. Më të rrallë ai më dërgonte disa pjesë letrare anglisht, po gjithmonë i konsideroja si kuriozitet. Nuk e dija pasionin e tij të fshehtë për letërsinë dhe tani jam kureshtar të di vlerën e tyre. Ndihem i kënaqur që e shpëtova arkivin e vëllait, duke e dërguar me 15 koliposta nga San Diego në adresën e shtëpisë sime në New York. Pata sugjerime t’ia dërgoja Arkivit të Shtetit në Tiranë, por ajo punë kërkonte mund e shumë të holla. Ende nuk e di nëse Arkivi do kishte mundësi të mbulonte shpenzimet. Sidoqoftë unë i depozitova te Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, si vendi ku Peter Prifti u edukua dhe u rrit. Ata i vendosën në një hapësirë të veçantë dhe i ruajnë me kujdes. Mbetem me shpresë se do të vijë koha që ky thesar dorëshkrimesh të njihet e të çmohet si pjesë e trashëgimisë shqiptaro-amerikane.

Peter Prifti ka qenë pjesë e rëndësishme e Federatës Panshqiptare Vatra. Si e shihni rolin e kësaj organizate në çështjen shqiptare dhe si e shihni zhvillimin e saj sot?

Këtu do vërej një koincidencë sa të rrallë aq dhe të bukur. Për herë parë në historikun njëqind vjeçar të Vatrës, dy vëllezër nga e njëjta familje zgjidhen sekretarë të Vatrës dhe punojnë me përkushtim për mbarëvajtjen e saj.

Peter ishte sekretar i Vatrës në vitet 1958-1960, ndërsa unë u zgjodha sekretar në vitin 1996 dhe vazhdoj ta kryej edhe sot të vetmen detyrë shoqërore që kam pasur gjatë jetës sime të gjatë. Unë u aktivizova te Vatra që kur jetoja në Filadelfia dhe porsa erdha në New York bashkëpunimi me kryesinë u forcua më shumë. Kam botuar artikuj, reportazhe dhe tregime, si edhe thirrjet drejtuar diasporës shqiptare për të dalë në demonstratë e në aktivitete për Kosovën, të cilat natyrisht janë pa emër.

Ndihem krenar që kam dhënë ndihmesën time dhe e shoh me kënaqësi rigjallërimin e Vatrës pas disa vitesh letargjie e rrudhjesh, për të mirën e komunitetit shqiptar dhe të kombit.

Intervista që Peter Prifti i bëri Fan Nolit në vitin 1958

Në shtëpinë e Nolit

Ruhet në koleksionet e “Diellit” një intervistë që redaktori i “Diellit” në vitet ‘58-‘59, Peter Prifti i pat marrë Nolit, që ato kohë jetonte vitet e fundit të pleqërisë në Kryekishën e Shën Gjergjit. Në fakt, Peter Prifti e ka emërtuar atë jo intervistë, por audiencë me Hirësinë e Tij, me Kryepeshkopin Mitropolit F. S. Noli. Atij i kishte bërë përshtypje të thellë përgjigjja që i kishte dhënë Imzot Noli, njërës prej pyetjeve, që ai i kishte drejtuar: Imzot, cila është vepra juaj më e çmuar për Kombin? Ai i qe përgjigjur: -”Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920″, sepse i dha fund copëzimit të trojeve shqiptare nga fqinjët! Natyrisht që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve është merita e padiskutueshme e Fan Nolit, falë oratorisë dhe diplomacisë së tij, por kryeveprat e Nolit janë të shumta, pat menduar atëherë gazetari që e intervistonte. Futja e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve kishte sponsorizimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”.

Audienca me kryepeshkopin është botuar në gazetën “Dielli” në numrin e 10 dhjetorit 1958. Po hyjmë në detajet e kësaj audience për faktin, se ajo jep saktësisht mprehtësinë e intervistuesit dhe padyshim admirimin që kishte ai për ikonën kombëtare Fan Noli.

Në tre paragrafët e para, redaktori i “Diellit”, Peter Prifti përshkruan takimin në rezidencën e kryepeshkopit: “E takuam në rezidencën e tij në rrugën ‘Blagden’, një vend i mobiluar me modesti, ku ai ka punuar e ka jetuar për shumë vjet….Në studion e tij, syri sheh rafte të tëra me libra. Kur dikush e pyeti një herë se a ndjehej i vetmuar pa njeri pranë për të biseduar, Noli i tha:- Ata janë të gjithë miqtë e mi, unë mund të bisedoj me secilin prej tyre”. Duke komunikuar me lexuesin e “Diellit”, editori shkruan: Ishim të interesuar të dinim pikëpamjet e tij për tri çështje të lidhura me njëra-tjetrën: Nacionalizmi shqiptar, puna e tij krijuese dhe komuniteti shqiptar në Amerikë. Për çështjen e parë, kryepeshkopi tha se kish filluar të interesohej për nacionalizmin shqiptar në moshën dhjetë vjeç, kur lexoi përkthimin shqip të Dhiatës së Re nga Kostandin Kristoforidhi dhe pamflete të tjera propagandistike shqiptare. Kopje falas të këtyre materialeve ishin shpërndarë me shumicë në fshatin e tij të lindjes, Ibrik Tepe në Turqi. Fitoren më të madhe në betejën e tij për çështjen shqiptare Imzot Noli, konsideron pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Trishtimi më i madh që ndjente ishte largimi nga Shqipëria më 1924.

Në vazhdën e punës për Shqipërinë, ai hyri në lidhje me shumë udhëheqës shqiptarë, veçanërisht me Faik Konicën. Opinionin e Tij për Konicën, Noli e ka dhënë në parathënien e librit “Shqipëria, Kopështi Shkëmbor në Evropën Juglindore”, ku shkruan: “Konica mund të konsiderohet si krijues i prozës moderne shqiptare. Me këshillën dhe drejtimin e tij, unë përktheva disa vepra të Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allen Poes dhe Don Kishotin e Servantesit. Vlerësimi i lartë del në kontekst, ku Imzot Noli e quan veten nxënës të Faikut. Duke bërë fjalë për çështjen e dytë të audiencës, puna krijuese e Imzot Nolit, editori shkruan se ai ka punuar në shumë fusha; përfshirë historinë, fenë dhe muzikën.

Ishim kuriozë të dinim se cilat nga këto i interesonte më tepër, sepse kishim dëgjuar mendime të kundërta. Fakt është se feja është lënda e tij më e preferuar. “Jam marrë, tha Hirësia e Tij, me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës më 1908 dhe jam akoma njeri i Kishës pas 50 vjetësh”. Aktualisht njerëzit që çmon më shumë, Hirësia, janë krijuesit e Kombit si George Washington dhe Skënderbeu dhe reformatorët e Kombit si Lincoln dhe Cromwell. Arsyeja, siç tha vetë, është se është përpjekur që të bëjë të njëjtën punë për Atdheun e tij. Kryepeshkopi ka përkthyer në gjuhën shqipe shumë klasikë të letërsisë dhe vepra të rëndësishme fetare. Vetë Noli tha: “E konsideroj versionin ritmik të Hymneve Bizantine përfshirë në vëllimin Kremtore si më të vështirin dhe më tërheqësin e përkthimeve të mia”. Ç’mendon ai për muzikën moderne, poezinë, oratorinë dhe diplomacinë?

Përgjigjja është se i interesojnë të dyja format e këtyre arteve, si modernia ashtu edhe antikja, sepse sikurse Gëte ai është universal në shije. Për çështjen e tretë, Komunitetin shqiptaro-amerikan sot, ai ka besim tek e ardhmja e komunitetit, nëse do të ecim me kohën. Lidhur me punët e kishës, ai ndjen nevojën e domosdoshme të amerikanizimit të Kishës Ortodokse. Alternativë për këtë, mendon ai, është vetëvrasja kishtare. Sipas mendimit të tij, sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë është sepse “politika e ngadaltë mund të çojë në humbjen e pariparueshme të brezit të ri, i cili nuk i kupton shërbesat në gjuhën shqipe”. Ai nuk e llogarit rrezikun e grekofilisë ndaj kishës. Për këtë pikë, Kryepeshkopi thekson se “ne i kemi mundur ata për 50 vjetët e fundit dhe do t’i mundim edhe në të ardhmen”. Editori shton: Ne pajtohemi me të!(Kortezi Shqip)

 

 

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: arkivi, filadelfia, Peter Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT