• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“BARONESHA SHENTEBEN” – NJË ROMAN I DETAJEVE TË PATHËNA

January 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Pirro Dollani/ Las Vegas/
Nga gjërat e bukura që mora me vete kur u ktheva nga Shqipëria ishte edhe një çantë plot me libra. Një pjesë të tyre i kam lexuar, pjesa tjetër pret radhën.Natyrisht, librin e Kadaresë “Mëngjeset në Kafe Rostand” e lexova pa mbërritur avioni në Las Vegas.Por libri që më befasoi, që më futi në mendime e më bëri t’i kthehem përsëri është romani i funditi shkrimtarit Viktor Canosinaj, “Baronesha Shenteben”.
Nga faqet e para, ku Vilma, baronesha, zgjohet nga klithmat e një orgazme që i shpërthen në një ëndërr dashurie me një shqiptar, mikun e të shoqit,dhe deri në faqen e fundit ku shërbyesja njofton se te dera “është një shqiptar”, lexuesi kalon nëpër një “rroller koster” emocionesh e befasish saqë e ka të pamundur ta largojë nga dora pa arritur faqen e fundit.
Ngjarjet në roman zhvillohen në fillimet e shekullit XX. Autori ka arritur ta japë mjeshtërisht atmosferën e kohës, një atmosferë marrinash, vrasjesh, grindjesh, apo siç thotë njëri nga personazhet: “Shqiptarët nuk rrinë dot pa shpalosur fodullëkun dhe marrëzitë e tyre”, atmosferën ku tragjedia “Medea”, pasi luhet në një skenë primitive me Vilmën në rolin kryesor, ndodh liveshekuj e shekuj pas vënies së saj të parë në skenë me një grua shqiptare.
Por romanin e bën edhe më interesantfakti që ajo atmosferë e fillimshekullit XX shërben edhe si një lloj alegorie për realitetine kohës postkomuniste, ku politikanët grinden për mustaqet e Çelos, apo siçndodh edhe në roman gjatë një dasme ku plas sherri. Përse? Sepse një palë mbrojnë tezën se laraska ka më shumë pendë të bardha, ndërsa pala tjetër mbrojnë të kundërtën.Dhe e gjitha kjo ndodh gjatë dasmës. Ndërmjet Vilmës dhe Gretës, dy të huaja që ndodhen aty, zhvillohet ky dialog:
– Pse sillen si fëmijë kur i kanë mustaqet një pëllëmbë?
– Sepse janë ende në fëmijëri të njerëzimit, – tha Greta.
Një nga meritat e kësaj vepre është se autori, me shumë art e guxim, lëvron një temë që deri tani, realisht tani,ka qenë tabu në letërsinë shqipe.Me romanin “Baronesha Shenteben” për herë të parë ndeshim në letërsinë shqipe personazhe homoseksualë, që nuk paraqiten si karikatura të shëmtuara aposi figura të gjymtuara, por përkundrazi, janë dhënë me shumë objektivitet.Historia e këtyre karaktereve shërben edhe si një kontrapunt për të krijuar kontrast me realitetin shqiptar të atyre viteve. Autori, si një eksplorator që shkel për herë të parë në këtë “tokë”, ka bërë kujdes që karakteret homoseksualë të jenë thuajse të huaj. Kanë qenë të zakonshme largimet nga vendet e tyre të njerëzve me prirje seksuale ndryshe.Rast shumë i njohur është ai i autorëve të mëdhenj amerikanë Allen Ginsberg, Jack Kerouac, Paul Bowles etj., që në vitet 1950 shkonin të jetonin në Marok, apo autorë të tjerë që vendoseshin në Paris për t’u shpëtuar ligjeve amerikane të kohës.Si shumë të huaj që nën petkun e misionarit, studiuesit, bamirësit etj., vendoseshin në vende të tjera, ashtu edhe heroi kryesor i romanit, baroni Shenteben,ka ardhurnë Shqipëri. Kuptohet lehtësisht se autori është ngacmuar në realizimin e kësaj figure nga disa motive të jetës së albanologut të njohur austro-hungarez, baronit Franc Nopça, një figurë tepër interesante dhe e veçantë për kohën kur jetoi.Ndoshtamund të jetë edhe figura e lordit Bajron,arsyeja e vërtetë e largimit të të cilit nga Anglia ishteorientimi i tij seksual tepër ekstravagant për kohën.Dhe po ashtu si Bajroni qëndihmoi lëvizjen çlirimtare greke për të fituar pavarësinë, ashtu edhe baroni Shenteben i furnizon shqiptarët me armë.
Pavarësisht sesi paraqitet baroni Shenteben në vepër, nuk është e vështirë të përcaktosh se cila është arsyejae vërtetë e ardhjes së tij në Shqipëri,po të kihet parasysh sesi përfundon në fund të romanit.Ai shkruan në revista për botën shqiptare, merret me trafik armësh e shpeshherë largohet nga qytetit në mënyrë misterioze.Ndryshe nashfaqetGreta, gruaja e konsullit perandorak.Nëse baroni Shenteben është më i rezervuar, Greta është më e hapur dhe nuk lë rast pa shprehur pikëpamjet e saj homoseksuale. Autori ka meritë në skalitjen e figurës së saj. Është një personazh gjithë mish e gjak e me një shpirt polemizues që të bën të mendosh.
Por këto karaktere nuk i manifestojnë veprimet e tyre hapur.Natyrisht, jo.Pasingjarjet në roman nuk e kalojnë cakun kohor të dekadës së pare të shekullit XX.Prandaj autori është mjaft i kursyer në rrëfim.Ai e shikon homoseksualitetin si një fat njerëzor dhe jo si prirje seksuale. Pikërisht këtu qëndron vlera parësore e veprës.
Në një tekst të tillë, lexuesi është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë autori. Ai duhet të “plotësojë” e të interpretojë tekstin për të nxjerrë në dritë atë pjesë të padukshme të “ajzbergut” që autori nuk e zbulon. Le të marrim një fragment për ilustrim: Vilma bashkëbisedon me të ëmën, e cila është e shqetësuar se, edhe pas disa muajsh martesë, e bija s’ka mbetur ende shtatzënë.

Do të kalonin muaj dhe, një ditë, ndërsa Vilma po pinte çaj me të ëmën në dhomën e ndenjies dhe sytë ia kishte ngulur një fotografie të të shoqit me mikun shqiptar,ajo do ta pyeste jo pa habi:
– Bija ime, çfarë shikon ashtu e mekur në atë fotografi?
– Tim shoq, – i ishte përgjigjur ajo kokulur.
– Ky është miku shqiptar i Rudit?
– Njëri nga miqtë. Dy shqiptarë i ka bërë vëllezër. Ka pirë gjak me ta.
– Ashtu?! Zakon ivjetër. . . Racë e egër, por e bukur. . .I martuar është miku i Rudit?
– Jo, mama, është ende iri, vetëm 25 vjeç.
– Oh, raca e tyre martohet që 16 vjeç.
Kupa e çajit të nënës kishte tringëllirë mbi pjatën e porcelantë…

Siç shihet nga ky dialog, që nga ky çast shqetësimi i nënës për shtatzëninë e Vilmës do të dalë në plan të dytë. Shkrimtari na e jep shumë bukur këtë gjendje emocionale të nënës, por hesht për të shpjeguar arsyen. Pikërisht këtëpjesë të padukshme të “ajsbergut” ua lë lexuesve ta zbulojnë. Dhe me këtë “formulë”, me këtë “technique of absence – teknika e mungesës”, siç e quajnë studiuesit, autori procedon gjatë tërë romanit.
Një vlerë tjetër e romanit është se autori nuk i “përflet” veprimet e karaktereve.Ata shpalosen para syve të lexuesve me lëvizjet e veprimet e tyre si të jetë hapur sipari i një skene.Pikërisht, ky procedim e ka bërë më dinamik e më të zhdërvjellët rrëfimin.
Edhe pasi lexuesitdo të kthejnë faqen e fundit, atyre do t’u mbeten shumë pikëpyetjeje dhe historiqë autori qëllimisht i ka lënë të hapura, si: Çfarë e lidhte zonjën Horti me zonjën Shentenben? Ç’marrëdhënie ka Greta me shërbyesen shqiptare?Ç’ndodhi në të vërtetë me shqiptarin, mikun e Rudit? Etj. etj. Ndoshta tërë këto “të pathëna” autori do t’i shtjellojë në një vëllim të dytë. Këtë mendim e përforcon edhe më shumë fraza mbyllëse e romanit që do të nxisë më shumë fantazinë e lexuesit.
“Te dera ndodhet një zotëri. Thotë se është shqiptar.”
Vërtet, cili është ky shqiptar? – do të pyesë lexuesi kur të mbyllë faqen e fundit.

Las Vegas, Janar 2015
* Falenderojme Prof Pirro Dollanin, qe e dergoi per lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: - NJË ROMAN I, “BARONESHA SHENTEBEN”, DETAJEVE TË PATHËNA, Pirro Dollani

Nuk do t’ju lë të më pini

April 17, 2014 by dgreca

Tregim nga Pirro Dollani/
Ishte shkurti i vitit 1955 kur katër burra të armatosur shpërthyen derën e dhomës ku flinin shtatë fëmijë, nga 3 deri në 11 vjeç, në një të ashtuquajtur krevat: një dyshek leckash shtruar në tokë. Nuk ishin as hajdutë e as terroristë, por forcat e policisë. Jorgji Gallani me familjen e tij banonte në një pallat italian. Kishte dy dhoma të vogla, që ishin larg njëra-tjetrës, në një korridor të përbashkët, ku jetonin edhe pesë familje të tjera, të gjitha me një banjo.
Njerëzit e armatosur në vend që të shpërthenin derën e dhomës ku flinin prindërit, shpërthyen derën e këtyre fëmijëve, të cilët, të tmerruar, u bënë grusht rreth motrës 11-vjeçare. Prindërit, me të dëgjuar zhurmën, dolën nga dhoma dhe u sulën drejt derës së fëmijëve. Aty ndodhi skena që këtyre fëmijëve të mitur u shkaktoi një traumë psikike që ndoshta vetëm vdekja do të mund t’i shpëtojë prej saj. Si një tufë ujqish të uritur mbi prenë, policët iu sulën të atit. E shtrinë për tokë dhe e goditnin ku të mundnin atë burrë 57-vjeçar e tejet paqësor. Pasi e rrahën mirë e i vunë prangat, e ngritën në këmbë. (Ku vallë e gjenin gjithë atë forcë për t’u hakmarrë në një mënyrë të tillë barbare?!)
Ndërkohë nëna mundohej të mos qante, por hera-herës i shpërthente papritur ndonjë ngulç ngashërimi. Pa i dhënë mundësi t’u thoshte fëmijëve një fjalë, e tërhoqën zvarrë atë plak të urtë, ndërkohë që kokën e gjakosur e të përlotur e mbante mbrapa si për t’u dhënë lamtumirën e fundit.
Në ditët që erdhën u mor vesh se e kishin arrestuar për veprimtari armiqësore. Faji i vetëm: kishte punuar për dhjetë vjet si përkthyes në organizatën amerikane, U.N.RR.A., që sillte ndihma në Shqipëri. Sapo kjo organizatë u largua nga vendi, tërë punonjësit shqiptarë i arrestuan. Koha që kaloi në hetuesi, ishte një ferr i vërtetë. Dita e hetimit përfundonte ose kur i pandehuri humbiste ndjenjat dhe ashtu pa ndjenja e të gjakosur e përplasnin në qeli, ose kur nuk arrinte të duronte më torturat e detyrohej të pranonte gjithçka që e akuzonin.
Gjatë kohës së gjykimit, që i ngjante një farse, pasi të pandehurit nuk kishin avokatë e vendimet paraprakisht merreshin në Komitetin e Partisë, të gjithë u akuzuan si bashkëpunëtorë të amerikanëve, paçka se ishin të caktuar në atë punë nga pushteti komunist. Edhe pse dënimet ishin të rënda, të dënuarit u ndjenë të lehtësuar kur përfundoi gjyqi. Tani të paktën do t’u shpëtonin torturave çnjerëzore të hetuesve të pashpirt.
Mbas disa ditësh i nxorën nga qelia, të prangosur dhe të lidhur së bashku, për t’i nisur në një burg, në veri të vendit, ku do të punonin në një minierë. Kur Jorgji po i afrohej kamionçinës, njëri nga policët që qëndronte pranë derës për t’i ndihmuar të hipnim, i futi poshtë krahut një pako të vogël. I burgosuri e vështroi si për t’i thënë se ç’është, por polici vazhdoi të merrej me të burgosurit e tjerë. Pasi hipi, zuri vend mbi një dërrasë që shërbente si stol dhe shtrëngonte fort krahun e prangosur që të mos i binte ajo pako misterioze, ndërsa vriste mendjen se ç’do të kishte brenda e kush ia kishte sjellë. Rruga ishte gjithë gropa dhe kamionçina herë pas here dukej se do të rrëzohej. Brenda kundërmonte një erë urine, përzier me të vjellura. Udhëtimi zgjati afro 7 orë. Kur arritëm në kamp, i rreshtuan para një barake të gjatë që shërbente si kapanon. Bënë apelin dhe u hoqën prangat nga duart dhe këmbët. Pastaj i futën brenda dhe u caktuan vendin në një minder të gjatë dërrase, që do t’u shërbente si krevat. Jorgji u ul në vendin që i caktuan dhe si në gjysmë fshehtësie filloi të hapë pakon. Nga shtrëngimi ishte bërë petë. U habit kur pa dy paketa cigare “Dajti”. Në njërën prej paketave ishte shkruar: Nga Mihali. “Nga Mihali?!” – përsëriti i habitur ai. “Nuk ka mundësi. Kjo pako duhet t’i përkasë ndonjë të burgosuri tjetër. Polici gabimisht ma ka dhënë mua” – mendoi ai. “Edhe emri Mihal do të jetë një rastësi, pasi ai e di më mirë se kushdo tjetër që s’e kam futur kurrë duhanin në gojë.” Por shkrimi ngjasonte me atë Mihalit. E la pakon mbi dërrasën ku ishte ulur dhe e zuri trishtimi.
“Pse vallë më ka çuar këto paketa? Ndoshta ka menduar se burgu do t’më thyejë e do t’më bëjë që të kërkoj ngushëllim në këto cigare të flamosura? – thoshte me vete.
Lotët i mbuluan faqet, por s’kishte arsye ta fshehte fytyrën, pasi pjesa më e madhe e të burgosurve kishin kohë që qanin. Mendoi jetën e mjerueshme që do të kalonin fëmijët, tani të braktisur nga kushdo. Çfarë do të hanin? E shoqja e tij nuk kishte punuar asnjëherë ngaqë ishte e sëmurë. Kush do të kujdesej për këtë fëmijë të gjorë pikërisht tani që familja e tij do të damkosej si “armik i popullit”? Në ato çaste u tundua të hapte paketën e të ndizte një cigare, por menjëherë tha me vete “Jo! Jo! këtë gjë s’duhet ta bëj, se atëhere ata bastardë që më shkatërruan jetën, familjen e më lanë fëmijët jetimë, do të fitojnë.” E vështronte atë pako të zhubrosur dhe përsëriste me vete: O do t’më pini, o do t’ju pi! I mbështolli përsëri me letrën e zhubrosur, shqepi dyshekun prej kashte, i futi brenda dhe u betua se kurrë nuk do t’i fuste në gojë. “Jo Mihal, nuk do të thyhem! Nuk dua të më mundin këta bastardë” – u betua me vete.
Gjatë periudhës së burgut, Jorgji shpesh tundohej të shkepte dyshekun e të pinte një cigare. Sidomos pas vizitave mujore që i bënte gruaja me ndonjerin nga fëmijët. Oh me sa ëndje e priste atë ditë kur në dhomën e takimeve i shfaqeshin ata! Por sa dhimbje ndjente pas asaj dite! E sillnin të pranguar në dhomën e takimeve që ishte e ndarë me hekura nga pjesa e vizitorëve. Rrinte i heshtur me sytë nga dera e gjoksi i çahej kur degjonte klithmat e fëmijëve. Zgjaste krahët përtej hekurave dhe sapo rrokte duart e tyre e pushtonte një trishtim e shikimi i mjegullohej. S’ishte në gjendje të thoshte asgjë. Sapo merrte veten e bëhej gati të fliste, polici e mbërthente prej krahu dhe e nxirrte nga dhoma duke thënë: koha mbaroi. Në këtë gjendje i afrohej shtratit dhe me duart që i dridheshin përpiqte të shkepte dyshekun. Por mbas pak, e mblidhte veten e thoshte me zë: Jo, jo nuk do t’ju lë t’më pini!
Jo pak herë kur dilnin nga tuneli mbas pune, e të uritur shkonin të hanin darkën (një supë që më tepër kishte ujë e guralecë nga zarzavatet e palara), i shkonte mendja të shkëmbente një cigare për një pjatë supë. Kishte të burgosur që, edhe pse ishin të uritur dhe kockë e lëkurë, ofronin supën e tyre, të vetmin ushqim që kishin për darkë, për një cigare. Por përsëri stepej para betimit që kishte bërë. Kështu kaluan 7 vjet mundime, vuajtje, lotë e mjerim.

Askush nuk e priste Jorgjin atë ditë kur u shfaq në derën e shtëpisë me një thes në krah, thes ku kishte futur gjithë gjërat e burgut. S’kishte kaluar as edhe një orë, kur në derë trokiti Mihali, shoku i fëmijërisë. Të shtatë fëmijët dhe nëna e sëmurë u habitëm më shumë me ardhjen e Mihalit, sesa me ardhjen e papritur të babait të tyre. Mbasi u përqafuan duke fshirë lotët e njëri-tjetrit, Jorgji u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga thesi që akoma s’e kishte hapur. Nxori pakon dhe ia zgjati. Mihali e mori në dorë dhe sytë i mbetën te letra e zhubrosur e tërë zgjyrë. “Ç’është kjo?” – tha me vete dhe hodhi shikimin nga Jorgji si për të parë a ishte mendërisht në rregull. Pastaj me një zë të trishtë, përsëriti: ç’është kjo?
– Hape, hape, . . . një dhuratë për ty.
– Për mua?! – Mihali u habit kur pa dy paketa “Dajti”, të zhubrosura e të nxira nga koha. Zgurdulloi sytë, hapi gojën ndoshta për të thënë diçka, por mbeti ashtu i ngrirë sikur t’i kishin hedhur në trup një kovë me ujë të ftohtë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Nuk do t’ju lë të më pini, Pirro Dollani, Tregim

VDEKJA E NËNËS

March 13, 2014 by dgreca

TREGIM NGA PIRRO DOLLANI/ Nevada/

Ishte mesi i natës kur më njoftuan nga Shqipëria se nëna kishte ndërruar jetë. Në çast ora që mbante receptorin filloi të dridhej e djersa më mbuloi. Nuk më kujtohet çfarë thashë, por ula telefonin dhe shkova në dhomën e gjumit e qava me dënesë, pasi nuk doja t’u prishja gjumin fëmijëve që flinin të qetë. Shekuj m’u dukën ato pak orë që kishin mbetur nga nata. Mezi prisja të vinte ora 8 e mëngjesit që t’i telefonoja agjencisë së fluturimeve për të prerë një biletë për Shqipëri, paçka se akoma s’më kishte ardhur nga emigracioni dokumenti i qëndrimit në Amerikë. Më në fund u lidha me agjencinë. “Për sot nuk ka bileta për Shqipëri, por po t’më lini numrin e telefonit do të shikoj se mos gjej një biletë për ditën e nesërme,” – qe përgjigja. Pastaj mora zyrën e emigracionit. Më thanë se duhej t’u faksoja çertifikatën e vdekjes që të më jepnin një dokument udhëtimi për në Shqipëri. Pas pak ra zilja dhe nga agjencia më njoftuan se mund t’më siguronin një biletë në klasën e parë. Asnjëherë në jetën time s’kisha fluturuar në klasën e parë ndaj pyeta se sa kushtonte.

          -Pesë mijë dollarë?

          -Sa?!?- klitha i shokuar? Të ardhurat e mia mujore nuk e arrinin shumën 1000 dollarë. Më duhej të punoja 6 muaj për të blerë atë biletë. Dhe kur të arrija në Shqipëri, nëna do të kishte të paktën një ditë që ishte varrosur e unë do të rrija në dhomën mbushur me tym duhani duke dëgjuar biseda për sportin, politikën e pakënaqësitë e farefisit. Nuk e kuptoj pse më njoftuan me vonesë?. . . Ç’është kjo punë, mua që jam vëllai i madh i saj s’më ulën në tryezën kryesore në drekën e përmortshëm? e mediokritete të tjera si këto.

          Ula receptorin dhe pothuaj i mpirë qëndrova disa çaste në heshtje. Pastaj mora në telefon departamentin e bibliotekës ku punoja si student prej një viti  dhe njoftova Silvian, përgjegjësen, se nuk mund të shkoja në punë atë ditë. Pa mbaruar frazën dëgjova “Oh sa keq!” dhe kërcitjen e telefonit që u mbyll.

          Të nesërmen, mbasi mbarova leksionet u nisa për në bibliotekë. Sapo ashensori ndaloi në katin ku punoja, u drejtova nga zyra e Silvias. Ajo, thuajse pa ngritur kokën, më tha që të lija çantën në sirtar dhe të merresha me vendosjen e librave nëpër rafte. Si të isha një somnambul, lashë çantën, mora karron të mbushur me libra dhe u futa mes radhëve të rafteve. U ula në një nga stolat që lexuesit e përdornin për të arritur sirtarët e sipërm dhe ndjeva që faqet m’u njomën. Mbas pak dikush më preku në sup. Ngrita kokën. Ishte Sllavina, një nga tre studentet e huaj, ish-kampione e Bullgarisë në not, që punonte së bashkë me mua në bibliotekë. Ajo u ul në gjunjë dhe më mbërtheu me të dy duart. Menjëherë më kapi një ngashërim, pasi m’u kujtua nëna që më shtrëngonte në gji atë ditë që u nisa për në Amerikë duke qarë e duke thënë: “Bir nuk do të shoh më”, ndërsa unë me qetësi i thosha: “Jo nënë, do të kthehem shumë shpejt”, paçka se e kisha vendosur të mos kthehesha më në atë vend, ku për 50 vjet kishte sunduar mortaja komuniste, ndërsa tani pushtetin e ashtuquajtur demokratik, e kishin pushtuar xhambazët, arrivistët e ish-spiunë të sigurimit.

          Po vazhdoja të sistemoja librat nëpër rafte, kur më afrohet, Adisa, një studente nga Afrika, që punonte së bashku me mua dhe Sllavinën. Më shtrëngoi dorën fort duke thënë: “Mos u pikëllo kaq shumë. Nëna jote ndodhet në një vend më të mirë tani.”

          Gjatë punës ndeshesha me punonjës të bibliotekës, amerikanë, që posa më afroheshin, nxirrnin një “Hej” dhe vazhdonin tutje duke më lënë një boshllëk në gjoks.

          Kur erdhi ora të shkoj në shtëpi, mora karron bosh dhe u drejtova drejt sportelit. Çuditërisht, atje ishin mbledhur thuajse tërë punonjësit e deparmentit. Ndërsa i afrohesha sirtarit për të marrë çantën, dëgjoja copëra bisedash drejtuar Sllavinës:

“Ç’kishe në kulete? Je e sigurt që kuletën e kishe lënë në sirtar? Sa keq që të ndodhi ty?”            Pranë Sllavinës ishin dhe dy policë të universitetit që e pyesnin. Dëgjoja që thoshte se në kuletë kishte pasur kartën e idenditetit dhe 20 dollarë si edhe zërat e ndryshme të punonjësve që pëshpërisnin Sa keq, sa keq. Pothuajse m’u mor fryma kur kujtoja që askush nga këta punonjës nuk më kishte ngushëlluar për nënën. Zgjata dorën të marr çantën, kur syri më zuri një zarf. E hapa me nxitim. Brenda ishte një kartë ngushëllimi. Në të kishin lënë shënime thuajse të gjithë punonjësit e departmentit. “Më vjen shumë keq për humbjen e njeriut më të dashur, Xhoni”. “Ngushëllime për nënën, Çellsi.” “ Zoti qoftë me ju në këto çaste të vështira të jetës tënde, Xhenifer”, etj. etj.

          Ngriva. Sytë m’u mjegulluan dhe më pushtoi një ndjesi turpi që i kisha paragjykuar. Futa zarfin në çantë, thashë një “falemnderit” në ajër dhe u drejtova drejt ashensorit. Sapo hyra brenda, e nxora dhe fillova ta rilexoj. Jo vetëm në stacionin e autobusit, por edhe gjatë rrugës për në shtëpi, rrija duke e lexuar e më vinte turp.

          Sapo hyra në shtëpi, nisa t’ia tregoj gruas. Por në çast, sikur të më kishte goditur rrufeja, më lindi një pikëpyetje saqë ndërpreva tregimin dhe mora në celular Sllovanën. Mezi ç’prisja të zbuloja përgjigjen e asaj pikëpyetjeje, por sapo dëgjova zërin e saj, u blokova përnjëherësh dhe iu shmanga pyetjes që më goditi si rrufe. Në vend të saj, e pyeta për kuletën dhe e falenderova që m’u gjend kaq afër; veçanërisht për fjalët e ngrohta që kishte shkruar në kartolinë.

          -Jo, mos më falendero mua, por Adisën, – ma ktheu. – Asaj i lindi ideja të blinim një kartë ngushëllimi dhe të shkonim nëpër zyrat e punonjësve të departamentit që të shkruanin edhe ata diçka.  

          Ajo vazhdoi të fliste, ndërsa mua filloi të më dridhej në dorë receptori dhe më mbuluan djersët, shumë më tepër se atë natë që më njoftuan për vdekjen e nënës, pasi përfytyroja Adisën me Sllovanën duke shkuar zyrë më zyrë që t’i nxisnin kolegët të shkruanin në kartë.

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Pirro Dollani, Tregim, Vdekja e Nenes

NJË POEZI NGA SHKRIMTARI AMERIKAN NË KUJTIM TË AVNI MULAJ NË 4 VJETORIN E IKJES….

February 3, 2014 by dgreca

Nga Pirro DOLLANI/ Las Vegas/ Nevada/

Në këtë fotografi janë bashkë: Nga e djathta; Bashkëshortët Avni Mulaj me Teutën, shkrimtari Hart Wegner(ju kujtojmë se Wegner është autor i librit”Vdekja e fjalës së shkruar) dhe Pirro Dollani, që pati mirësinë ta dërgonte fotografinë dhe poezinë në DIELLI(te perkthyer nga Arian Leka), në kujtim të mikut të tij të mirë, Avni Mulaj. Me 4 shkurt mbushen 4 vjet nga ikja e Avni Mulaj.Le të shërbejë kjo poezi e sjellë në gjuhën shqipe nga ARIAN LEKA e shkruar nga një shkrimtar amerikan, si homazh nderimi dhe kujtese. I përjetshëm kujtimi i poetit, dramaturgut, përkthyesit-Avni MULAJ!

HART WEGNER

Gjaku

Kushtuar poetit Avni Mulaj

Fotot e një shkolle

mes fushave,

anuar, flakur tej

në muzgun e mëngjesit

si vrasja përpara agimit.

Për të mos u kujtuar kurrë më

pas varrosjes së fëmijëve

të masakruar

dhe pasi vargani i karrocave të zeza

ta marrë kthesën butësisht.

Falja është harrim

fillimisht prej kafshëve –

kështu përfytyrojmë,

duke e pandehur veten

më të lartë dhe më të thellë

në dhëmbje dhe në dashuri

se sa qeni

që mbikëqyr rrugën

se sa lopa që ulet për t’u mjelë

dhe se macja që pret  dorën përkëdhelëse.

Vetëm pas kësaj presim harrim edhe prej njerëzve.

Por në fund

edhe prej tokës së dashur

të ndoturës dhe të përdhosurës,

të trazuarës

se gjaku këlthet

prej dhéut të çarë

dhe nga ajo që nesër do të jetë lëndinë.

Në 2 tetor 2006, në dhomën e vetme që shërbente si klasë në Nickel Mines të Pensilvanisë, dikush hyri në klasë dhe qëlloi mbi nxënëset: plagosi pesë dhe pesë vdiqën. Mënyra si reaguan Amishët befasoi çdo njeri: ata, jo vetëm e falën vrasësin, i cili pas krimit u vetëvra, por shkuan ne familjen e tij për ta ngushëlluar. Në fotografitë e kortezhit mortor, që shoqëruan lajmin, në vend të makina shihen karroca me kuaj. Kjo vshtë një skenë tipike e Amishëve që e nënçmojnë jetën modern. Ndërtesa e shkollës, përskuqur nga gjaku i fëmijëve nuk u pastrua që t’ua rikujtonte tragjedinë. Kështuqë, në mbrëmjen e 12 tetorit, buldozierët e rrafshuan ndërtesën e shkollës, duke e shndërruar atë mjedis në një lëndinë të gjelbëruar. Titulli i poezisë i referohet krimit të parë, vrasjen e Abelit nga  Kain. Në tekstin e Zanafillës, 4:10, Zoti e pyeti vrasësi: “Po çfarë bëre kështu?! Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.” Dheu i ndotur, i pakënaqur që ai vend I përgjakur po kthehej në një lëndinë. . .(Pergatiti per DIELLIN: PIRRO DOLLANI)

Filed Under: Kulture Tagged With: Hart Wegner, Nje poezi nga shkrimtari amerikan, per Avni Mulaj, Pirro Dollani, Teuta Mulaj

Kurrë më s’do të ketë një Bob Shuman tjetër!

January 3, 2014 by dgreca

Studiues i Shquar dhe Mik i Madh i Shqiptarëve…/

Sa për njëzet veta!/

Shkruan: Pirro DOLLANI/

Ne Foto: Prof. Dr. R. Baird Shuman(i dyti nga e djathta) me poetin Avni Mulaj, te shoqen gazetaren Teuta Mulaj e Pirro Dollani/

Prof. Dr. R. Baird Shuman, i cili ndërroi jetë para pak kohësh, ishte një studiues jashtëzakonisht pjellor. Shkrimtari i shquar amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës” që ka qenë njëkohësisht edhe student i tij, shkruan kështu: “R. Baird Shuman botonte sa për dhjetë a njëzet veta të marrë së bashku.” Ai ka botuar mbi 60 vepra: libra studimorë, enciklopedi të letërsisë, pa përmendur mijëra artikuj studimorë. Shumë nga librat e tij janë ribotuar shpesh herë. P. sh. libri i tij studimor “William Inge” kushtuar dramaturgut W. Inge, fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 23 herë. Po kështu libri me të njëjtin titull mbi dramaturgun tjetër Robert E. Sherwood, katër herë fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 10 herë. E lista do të zgjatej e zgjatej me librin mbi një tjetër dramaturg “Cliford Odets”, 14 ribotime, me vëllimin “Nëntë Poetë Zezakë” 3 ribotime, me “Georgia O’Keeffe” e deri te botimet e viteve të fundit, si enciklopedia në 13 volume “Shkrimtarët e mëdhenj Amerikanë” botuar në 2002 e ribotuar 14 herë; R. Baird Shuman ishte jo vetëm kryeredaktor i enciklopedisë, por shkroi vetë me dhjetëra zëra të kësaj vepre. Po kështu, “Enciklopedia e Viseve Letrare”, në tre vëllime, botuar në 2003 është ribotuar 3 herë. Këtu nuk po përmendim se ndërkohë që shkruante e botonte kaq shumë, ai punonte me normë të plotë si profesor në universitetet e famshme Duke University dhe Chicago University dhe ishte njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Clearing House”.

Ishte gati e pabesueshme shpejtësia me të cilën ai lexonte. Më kujtohet një episod kur sapo isha njohur me Bobin, siç i “detyronte” të gjithë ta thërrisnin. Bie telefoni dhe dëgjoj zërin e tij. “Pirro, dua t’më bësh një nder. Nesër në mëngjes do të çoj makinën për ta riparuar. A ka mundësi që të vish t’më marrësh te ofiçina, të shkojmë te zyra jote, pastaj ta mbaj unë makinën dhe të vij të marr mbas pune?” Të nesërmen, u drejtova për te ofiçina. Ishin një numër makinash që prisnin radhën. Parkova dhe u drejtova te makina e Bobit. I ulur pranë timonit po lexonte një libër të trashë. Në dorë mbante lapsin. U ula në ndenjësen dhe e pyeta: Interesant? Ai ktheu kokën e u përgjigj: “Më duhet që brenda orës pesë ta kem nisur me faks artikullin për librin.” Zgurdullova sytë drejt librit afro 500 faqesh dhe shikimi më mbeti te faqja që Bobi po lexonte. Ishte pothuajse në fillim të librit. E dija që njeriu mesatarisht lexon 30-40 faqe në orë dhe, si rezultat, atij do t’i duheshin të paktën 12-14 orë që ta lexonte. Shto këtu edhe 2-3 orë për të shkruar artikullin. Jo vetëm i mendova, por edhe e shpreha mendimin tim, madje me atë tonin shqiptar, sikur i thosha: mos kujton se jam injorant?  Bobi me qetësi më tha: duhet patjetër t’ia nis redaksisë para orës 5PM. Erdhi radha të dorëzonte makinën e u nisëm në drejtim të universitetit. Ndërkohë që po zbrisja, më tha se do të vinte në orën pesë për të më marrë. Kur erdhi ora, mbylla zyrën, hyra në ashensor e kur dola jashtë ndërtesës, ai po priste aty. Hapa derën e pasagjerit dhe, para se të ulem, më zyri syri disa faqe të daktilografuara në ndenjësen. I mora në dorë që të mos ulesha mbi to, dhe kur po i vendosja në ndenjësen mbrapa, dëgjova që tha: “Mos i largo, janë për ty.” Ishte artikulli që kishte shkruar për librin. Sapo ia kishte faksuar botuesit.

Kur doli në pension, Bob Shumani çdo vit botonte mesatarisht rreth 200 artikuj në revista e botime shkencore e bibliografike.

Rrëfimtar si pak kush

“Një nga mjeshtërit e rrallë të rrëfimit që kam ndeshur ndonjëherë në jetë. Kujtimet dhe rrëfimet e tij shpesh më bënin të qaja duke qeshur për marrëzitë e njerëzimit që Bobi ishte kaq i dhënë pas tyre. Rrëfimet e tij gjenden në të gjitha romanet e mia dhe mendoj se ai ishte i gëzuar që vodha kaq shumë prej tij,” – shkruan për të Richard Powers.

Unë e familja ime kemi pasur fatin që Bob Shumani të ishte jo thjesht një miku ynë, por pothuajse anëtar i familjes për afro dy dekada. E jo vetëm yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, si në familjen e ish-gazetarit të radios Vladimir e Shanka Cicanit, në atë të poetit Avni e Teuta Mulaj, veterinerin Aleksandër Gogo, etj. E thënë shkurt, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve. Gjatë drekave dhe darkave çasti më i bukur ishte kur Bobi fillonte nga historitë e tij. Ishte një interpretues i shkëlqyer dhe fundet e rrëfimeve ishin befasuese. Mbas një viti që ishim njohur së bashku, ai shkon në Londër për të dhënë një leksion. Hyn në një dyqan që shiste kaseta e CD dhe pyet nëse kanë ndonjë kasetë me këngë shqiptare. Kur shitësi i zgjati një CD me muzikën e kërkuar, (Ishte një CD me këngë të vjetra të quajtura majëkrahu, të mbledhura nga muzikologë për arsye studimore) pagoi dhe u drejtua nxitimthi për në hotel. “Hyra në dhomë dhe as pallton nuk e hoqa, por drejt e te magnetofoni. Vura pllakën e pas një pauze, u dëgjua një klithmë çjerrëse Oh hej dhe pas saj një klithmë tjetër. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte. Dëgjova për disa çaste dhe pastaj e mbylla. Ishte e pamundur ta dëgjoja. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte,” – më shkruante në një email që më dërgoi nga Londra. Kur u kthye në Las Vegas, na ftoi për darkë së bashku me dy familje të tjera shqiptare dhe gjatë mbrëmjes e ritregoi historinë e CD-së me atë muzikë të çuditshme dhe e mbylli bisedën me një ton të prerë e seriozitet që e bëri shakanë më të kripur: “Hëëë, thashë me vete, ndërsa dëgjoja ato klithma; ky duhet të jetë shkaku që Pirro është larguar nga Shqipëria!”

Kishte pothuajse neveri për titujt e gradat.

Muajin e fundit përpara se të shuhej përfundimisht, shkoja çdo ditë në spital  për t’i qëndruar pranë. Ishte mjaft i heshtur. Nuk nxirrte asnjë ofshamë ankimi ose dhëmbjeje. Kishte vetëm një dëshirë, të largohej sa më shpejt nga kjo botë. Gjëja e vetme që e bënte të humbte durimin ishte shprehja “Do të bëhesh më mirë.” Kur në nja dy raste pashë që infermieret ngaqë e shihnin ashtu të sfilitur, me atë uniformë depersonalizuese të spitalit, i folën sikur të ishte askushi, i revoltuar u thashë. “Do të ishte më mirë që t’i drejtoheni me më respekt, pasi nuk keni të bëni me ndonjë njeri dosido. Ai s’është thjesht Bob, por është Profesor Nderi (Professor Emeritus) i Universitetit të Çikagos. Dr. Shumani ka botuar aq libra sa s’kini vite ju të dyja së bashku.” Ndërsa të dyja infermieret zgurdulluan sytë të habitura, ai ktheu kokën nga unë dhe me një zë të mekur tha: “Jo, emri im është Bob. . . Do të kishte qenë më mirë që disa nga librat të mos ishin botuar fare.”

Kur vazhdoja studimet për letërsi angleze në universitetin e Las Vegasit, shpesh diskutoja me mikeshën tonë të përbashkët (të Bobit dhe timen) Dr. Casey Diana, një tjetër ish-studente e tij, rreth leksioneve, pedagogëve dhe autorëve të ndryshme që studionim në universitet. Dhe kur lëvdoja ndonjë profesor, ajo menjëherë ndërhynte: “Ti nuk e di se si është në të vërtetë një profesor anglishte, derisa nuk ke pasur fatin të ketë dhënë mësim Bob Shumani.” Në korpusin e veprave të tij, një vend të konsiderueshme zënë edhe botimet që kanë të bëjnë me pedagogjinë e dhënies së leksioneve. Dr. Joseph Trahern tregon se “arritja kryesore në ato vite që isha Shef i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Illinoit, ishte fakti që munda të bindja Bobin që të vinte në universitetin tonë si Drejtor i Programit të Anglishtes.” Ai ishte jo vetëm një studiues i shkëlqyer i letërsisë, por edhe një pedagog si pak kush. Dhe, paçka se ç’lartësi arriti në jetë, ai ishte i thjeshtë si edhe një sfidues i çdo lloj hierarkie njerëzore. Ja pse nuk pranonte njeri t’i drejtohej Dr. apo Prof. Shuman.

Atje ku mëngjesi dhe mbrëmja nuk do t’më shqetësojnë më

Shtëpia e tij ishte e mbushur me vepra arti, veçanërisht piktura. Por mua më tërhiqte vëmendjen një kornizë e vockël që kishte një poezi pesë vargjesh, e pabotuar ndonjëherë, me titull “Kërkesë” të Langston Hughes. Në krye të titullit, me një kaligrafi të shkëlqyer, autori kishte shkruar “Për Robert E. Shuman, me sinqeritet”. (Paçka se Langston Hughes ishte afro 30 vjeç më i madh, miqësia e tyre kishte filluar qysh kur Bob Shumani ishte gjimnazist. Në letërkëmbimin e tyre, Langston Hughes disa herë i ka kushtuar atij poezi e Bob Shumani i ka ruajtur me fanatizëm dhe, deri më sot, ato janë të “panjohura”.) Çdo herë që hyja në shtëpinë tij, ndalesha para poezisë dhe përpiqesha të përfytyroja raportet miqësore e krijuese ndërmjet tyre. Ja poezia në një përkthim të lirë:

Kërkesë

Më dërgo 20 dollarë

E disa qindarka.

Do të shkoj atje ku

Mëngjesi dhe mbrëmja

Nuk do t’më shqetësojnë.

Ditët, javët, muajt që R. Baird Shumani ishte i sëmurë, këto vargje nuk më shqiteshin nga mendja. Në mënyrë të pavetëdijshme, dëshira e tij për t’u larguar nga kjo botë, ndoshta lidhej me semantikën e këtyre vargjeve. Më 12 gusht 2013, ai u nis përfundimisht atje ku mëngjeset dhe mbrëmjet nuk do ta shqetësonin më. Iku! U shua! Kurrë s’do të kishte më një Bob Shuman tjetër! Ishte kaq njerëzor e i përkryer saqë të dukej sikur kishte dalë jo nga barku i nënës, por nga fletët e librave. . . dhe atje u kthye përsëri. Pikërisht nga librat e tij, ai do të vazhdojë të shërbejë si model për gjeneratat e reja. Prof. Dr. Donald E. Hall, ish-student i tij dhe tani Dekani i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencës në Universitetin e Lehigh-it, shkruan: “Ai më mësoi të mos lodhem së punuari, të shkruaj çdo ditë e të botoj si të jem një gjenerator.” Dhe nuk është për t’u habitur që Dr. Donald E. Hall është vetë një autor shumë pjellor. Dhe jo vetëm ai. Këtë fat kanë pasur shumë e shumë studentë të Prof. Shumanit. Mesiguri, pa Bob Shumanin vështirë se do të ishin ngjitur kaq lart.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bob Suman tjeter, Kurre me, Pirro Dollani, s'do te kete

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT