• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OBAMA, Përpara se të ishte president, ai ishte profesori im i juridikut

August 14, 2016 by dgreca

Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli/

Për më shumë se 10 vjet, presidenti Obama dha mësim tek Universiteti i Cikagos, në fakultetin juridik, një institucion ku Ai tregoi aftësi e profesionalizëm të lartë gjatë debateve dhe diskutimeve për këtë spektër të rëndësishëm në drejtësinë amerikane. Këtu, Profesori i ndjerë Antonin Scalia, punoi profesor për disa vjet dhe  shpalosi pamjen origjinale te Kushtetutës së SHBA. Theksoj se, Univeristeti i Cikagos është një institucion ku të gjitha pikëpamjet trajtohen me respekt dhe njëkohësisht janë subjekti ndaj të njëjtës sfidë rigoroze.

Kohë më parë Presidenti Obama u kthye  nga Shtëpia e Bardhë për në Cikago, ku sqaroi studentët e juridikut rreth përfitimeve të qëndrueshme të një Gjykate Supreme të paanshme dhe se, si procesi i konfrontimit të tanishëm në senat mbart pasojat potenciale që zgjatin gjatë për disa prej vlerave kushtetuese më të rëndësishme në SHBA.

Për herë të parë në kujtimin e kohëve të fundit, Republikanët e Senatit janë duke refuzuar kategorikisht për të marrë në konsideratë një nominim të  Gjykatës Supreme, sepse ata shpresojnë se një parti tjetër do të fitojë zgjedhjet e reja. Nuk është e qartë nëse Senati do të mohojë në fund të fundit nominimin e presidentit, në një gjyq ose një votë për një vit tjetër. Kështu përpara se pozicionet të veshtirësohen, kjo është kohë e mirë për të gjithë ne që të shohim mbrapa dhe të mendojmë për kosto të tjera të veprimit potencial drejt drejtësisë në SHBA.

Profesor Obama, si shumica e profesorevë të juridikut, përdor hipotezën për të ilustruar pikëpamjet e tij. Kështu duhet vlerësuar ky fakt: Cfarë ndodh nëse Senati pasues deklaron që absolutisht asnjë prej takimeve të Gjykatës Supreme do të konsiderohej i pavlefshëm jo vetëm në vitin e fundit të kohës së presidentit, por për kohën e plotë të presidentit, pavarësisht sa vende pune të lira mund të afrojë, sepse ata shpresonin se dikush tjetër do të zgjidhej katër vjet më vonë?

Nuk është e lehtë të krijosh një sistem gjyqësor të paanshëm kur njerëzit i zgjedhin dhe konfirmojnë gjykatësit tanë, të cilët janë zgjedhur dhe trashëguar në mënyrë partizane, në një kohë kur kërkohet bashkëpunimin mes presidentit dhe udhëheqjes së Senatit, që shpesh përfaqëson parti të ndryshme. Kështu, ne besojmë se udhëheqësit politikë kapërcejnë numërimet politike të momentit për të rezervuar dicka që përfitojmë ne të gjithë: një sistem i vërtetë i pavarur i drejtësisë. Ka dicka të pacmuar dhe me pushtet rreth një drejtësie të pavarur, një segment qeverisës që mund dhe duhet të mbajë paanshmërinë në sistemin tonë politik. Eshtë e vështire për ta bërë.

Të gjithë ne duam gjykatës që janë të respektuar, të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë.

Unë mendoj se ne i duam profesorët e juridikut të ardhshëm që të na shpjegojne se si në v.2016, filloi një cikël partishmërie në takimet juridike dhe konfirmimet për këtë fushë të rëndësishme. Një drejtësi e pavarur, e lindur nga zemra e kushtetutës sonë, është shumë e rëndësishme për të rrezikuar.

Kjo është një nga mësimet kryesoreë që unë mësova nga profesor Obama. Unë shpresoj se senatorët tanë do e marrin atë mësim seriozisht gjithashtu.

Falenderime,

Dan Johnson

Viti i 2000

Universiteti i Cikagos, Fakulteti Juridik

Cikago, Illinois, Foto e Ditës: “Para se të ishte President, ai ishte një profesor i drejtësisë. Profesori im. “Dan Johnson, Universiteti i Çikagos, Shkolla e Juridikut, Klasa e vitit 2000”.

Në foto: Profesori i atëhershëm, tani president Barack Obama, Ellen Fulton, Joe Khan, dhe Dan Johnson, në Universitetit e Cikagos, Fakulteti Juridik, viti 1999.

Photo Of  The Day: “Before he was President, he was a laë professor. My professor.” —Dan Johnson, The University of Chicago Law School Class of 2000.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: AI ISHTE, Herion Kercelli, i juridikut, Obama, Përpara se të ishte, president, profesori im

Hashim Thaçi President!!!…Vajmedet, o Kosovë!

January 13, 2016 by dgreca

Opinion Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Përmes mjeteve të informimit masiv, u njoha edhe me informacionin e mëposhtëm
“Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi ka qenë i ftuar në emisionin e Baton Haxhiut në Klan Kosova, nga ku ka thënë se nuk do të jetë kurrë më kryeministër.
Ai tha më saktë se “nuk do t’i rikthehem kurrë pozicionit tim të mëhershëm”, duke nënkuptuar atë të kreut të qeverisë.Hashim Thaçi ka qenë për dy mandate kryeminsitër i vendit dhe tani pretendon të ngjitet në postin e presidentit” (Citohet sipas: “Thaçi: Nuk do të jem kurrë kryeministër”. Marrë nga faqja e internetit “albeu”. 11 janar 2016).
Sigurisht, detyrimet e veta ndaj Serbisë Hashim Thaçi i zbatoi një më një, në bashkëpunim të ngushtë edhe me sivëllain e tij Isa Mustafa, të dy shërbëtor besnikë të agait të Beogradit. Duke tradhtuar interesat e larta të Kosovës, si agjentë të regjur tëshovinizmit serbomadh, ata firmosën në Bruksel marrëveshjen me Beogradin për krijimin e një minishteti serb në Kosovë, të quajtur “bashkësia e komunave serbe”.
Kjo ishte detyra kryesore që Beogradi ia kishte ngarkuar Hashim Thaçit për ta zbatuar me domosdo. Dhe Hashimi e zbatoi. Sepse s’mund të vepronte ndryshe. Se ai ka kohë që ka hyrë në shërbim të shovinizmit serbomadh.
Njëri nga aktivistët e shquar të diasporës shqiptare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, e ka denoncuar publikisht Hashim Thaçin, si agjent i francezeve në shërbim të Beogradit. Zotëria Xhafer Leci, përmes katër pyetjeve, ka bërë denoncimin e mëposhtëm:
1. Hashim Thaçi duhet të tregojë kush ishte oficeri i ushtrisë sekrete të Francës, i cili në vitet 1990 bëri kursin e gjuhës gjermane, bashkë me Hashimin në Zyrih të Zvicrës?
2. Ai ishte ai i njëjti oficer, i cili, si pjesëmarrës në Marrvëshjen e Rambujesë, e manipulonte Hashim Thaçin, për mosnënshkrimin e marrëveshjes, me qëllim që forcat serbe të mos bombardoheshin nga NATO-ja dhe me qëllim që Kosova të mbetej përgjithëmonë nën sundimin e Serbisë?
3. Pse përpjekjet e UÇK-së për të marrë kontrollin e minierave të Trepçës u penguan nga trupat franceze me 3 korrik 1999 dhe pse heshti Hashim Thaçi?
4. A e dinte Hashim Thaçi kur majori francez Bunel u arrestua në tetor të vitit 1998, për të dhënat sekrete të NATO-s tek ushtria serbe, në rastin e luftimeve në Bosnjë, ku oficerët e ushtrisë franceze patën protestuar me moton: “Lirojeni Majorin Bunel”?! (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Mitrovica, Trepça dhe Hashimi”. Marrë nga faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 23 nëntor 2013).
Në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” të datës 03 tetor 2013, pata lexuar intervistën mjaft interesante që moderatori i mirënjohur dhe i nderuar i kësaj gazete, zoti Ajet Nuro, i kishte marrë zotit Xhevat Rexhaj, përkthyes, analist dhe veprimtar i shquar i diasporës shqiptare në Zvicër.
Në atë intervistë, zoti Rexhaj, duke u ndalur në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë pas vdekjes së Presidentit Rugova në vitin 2006, flet për perëndimorët, të cilët, sipas tij:
“…kishin një zgjidhje, duke favorizuar H. Thaçin, si një njeri që do të lëshojë pe, si një njeri që ndoshta ata e kishin në dorë si të shantazhuar apo gati komplet partinë e tij.., pra, sigurisht se mendohej që mos të ketë turbulenca edhe nëse bëhet Hymni pa tekst, Flamuri laraman, Kushtetuta e dobët, e gjer te marreveshjet e sotme për Veriun me autonomi”.
Ndërkohë, ca të dhëna mjaft kuptimplote dëshmojnë se Hashim Thaçi, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, e ka treguar me fakte se që asokohe ka qenë agjent i Serbisë. Nënkuptohet që, gjatë asaj kohe, shërbimi sekret serb, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin sekret rus, përgjonin bisedat telefonike të Hashim Thaçit. Gjenerali rus Leonid Ivashov, dëshmitar në mbrojtje të Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka deklaruar:
“… unë kam qenë i vetmi nga dëshmitarët që kam
dhënë dëshmi dy ditë rresht. Ditën e parë, ndër të tjera, unë rrëfeva për dy biseda të përgjuara telefonike të Madlen Ollbajtit me Hashim Thaçin. Ende pa arriturderi te ngjarjet kryesore, atij se si i kishte shpëtuar goja dhe kishte deklaruar se, demek, në territorin e Kosovës, përveç shqiptarëve, nuk do të ketë as NATO, as serbë. Ollbrajt, e cila asokohe telefononte nga Gjermania, udhëheqësit kosovar ia futi të dyja këmbët në një këpucë. Biseda tjetër mes tyre u zhvillua më 25 mars 1999, ditën e dytë pas fillimit të bombardimeve. Këtë herë ajo doli në telefon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ku ma keni kryengritjen tuaj, – i bërtiste Thaçit në telefon, – pse nuk po e shpërtheni kryengritjen?”.
Kur unë solla këto fakte, anëtarët e trupit gjykues shqyen sytë” (Citohet sipas: Leonid Ivashov. Intervistë për revistën “Itogi”. Botuar në faqen e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).
Nga këto deklarata të gjeneralit rus, së pari, rezulton se Beogradi i kishte vënë si detyrë Thaçit që të deklarohej kundër pranisë së NATO-s në Kosovë. Por, për ta maskuar detyrën e tij në shërbim të Beogradit, atij i qenka dhënë porosia që të shprehej edhe kundër pranisë së serbëve në Kosovë, se kjo nuk i prishte shumë punë shovinizmit serbomadh, i cili ishte mjaft i interesuar që vetëm NATO-ja të mos shkelte në Kosovë se pastajai dinte vetë se si i rregullonte punët me Kosovën.
Së dyti, Thaçi i paska premtuar zonjës Ollbrajt se fill pas nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në Kosovë do të shpërthente një kryengritje e madhe, domosdo, “nën udhëheqjen” e Thaçit!!! Por, faktikisht, në Kosovë, pas 24 marsit 1999, s’shpërtheu kurrfarë kryengritjeje. Pra, Thaçi e paska mashtruar zonjën Ollbrajt me premtimin për “fillimin e kryengritjes”. Nënkuptohet që nuk mund të fillonte kurrfarë kryengritjeje, sepse Thaçi s’mund të dilte dot jashtë piketave që i kishte vendosur ustai i Beogradit.
Tani Thaçit i ka ngecur keq në fyt “llokma e majme” e Beogradit pas urdhrit që ka marrë prej këtij të fundit për krijimin e minishtetit serb brenda territorit të Kosovës, të ashtuquajtur “bashkësi e komunave serbe”. Përkrah Thaçit,është radhitur kryeministri formal Isa Mustafa, edhe ky një tjetër agjent në shërbim të Beograsit, si edhe grupi i deputetëve të partisë thaçiste dhe të partisë mustafiste. Tani, këta deputetë që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë ta kalojnë në votim dhe t’i hapin përfundimisht dritën jeshile firmës së Thaçit dhe të Mustafës që kanë hedhur në Bruksel për krijimin e minishtetit serb brenda Kosovës. Pra, deputetët në fjalë kanë hyrë në rrugën e tradhtisë kombëtare dhe me qëndrimin e tyre më kujtojnë deputetët tradhtarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, të cilët, në vitin 1989, nën diktatin e Millosheviçit, si frikacakë të fëlliqur, morën vendimin për shfuqizimin e autonomisë. Se nuk patën burrërinë të mos e pranonin në asnjë mënyrë marrjen e atij vendimi tradhtar, edhe sikur ta dinin që do të binin theror, që të gjithë, në sallën e atij kuvendi. Në qoftë se opozita kosovare dhe mbarë populli i Republikës së Kosovës, nuk do të jenë në gjendje që ta ndalojnë marrjen e një vendimi të tillë qëështë tradhti e pastër kombëtare, atëherë në hyrjen e Kuvendit të Kosovës duhet të vendoset një pllakë mermeri, ku të gdhendet shprehja:
“Kuvendi i tradhtisë”
Nëse Kuvendi i Kosovës do t’ia lejojë vetes një tradhti të tillë, ai do të përsërisë aktin e tradhtisë që kreu Kuvendi i Shqipërisë me vendimin që mori më 25 mars 2009 për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë që ranë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke. Ai vendim prej tradhtarësh të kombit shqiptar, i forcoi pozitat e kryeshovinistit grek në Shqipëri me emrin Janullatos, i cili bleu eshtra shqiptarësh, të cilat i reklamoi si eshtra ushtarësh grekë, duke çuar në vend një mision të rëndësishëm që i kishte ngarkuar kisha shoviniste greke dhe shovinizmi grekokaragjoz.
Tani, Hashim Thaçi, për t’i hedhur një plaf përsipër tradhtisë kombëtare, kërkon të fshihet pas kolltukut të Presidentit.
San Diego, Kaliforni
12 janar 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Hashim Thaci, president, Prof. dr. eshref Ymeri, vajmedet Kosova

Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit

December 8, 2015 by dgreca

*Në Tiranë mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit” nën kujdesin e veçantë të Presidentit Nishani/

* Merrnin pjese: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaria Doris Pack, Presidentia e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministri  Edi Rama, ish-kryeministri Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj./

*Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku/

Tirane, 8 dhjetor 2015/

Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani u mbajt sot në Hotel Sheraton Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, e cila shënoi edhe kulmin e veprimtarive të organizuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës me rastin e 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri, ku po përkujtohen dhe festohen ndryshimet e mëdha demokratike, politike dhe shoqërore që kanë ndodhur gjatë këtij çerekshekulli liri.

Kreu i Shtetit mikpriti në këtë organizim të veçantë udhëheqës politikë e figura historike ndërkombëtare të kohës: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaren Doris Pack, Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministrin e Edi Rama, ish-kryeministrin Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj.

Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në thelb të të cilave qëndronte vlerësimi për hapat e bëra nga Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik të vendit.

Në video-mesazhin e saj kancelaria gjermane Angela Merkel, u shpreh se Shqipëria çon impulse për bashkëpunim në rajon. Ndërsa në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Sekretari i Shtetit, John Kerry në përshëndetjen e tij vlerësoi ngjarjet e 25 viteve më parë si historike në krye të së cilave qëndruan “udhëheqësit e guximshëm të lëvizjes studentore të mbështetur nga qytetarët e zakonshëm të cilët marshuan  dhe demonstruan kundër diktaturës, dhe të ndihmuar nga ish anëtarë kurajozë të partisë që ndihmuan në vendosjen e një regjimi përfaqësues”.

“Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme gjatë këtyre 25 vjetëve. Sot, Shqipëria është një aleat i përkushtuar i NATO-s që jep ndihmesën e saj për paqe dhe stabilitet në botë. Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkurruese të tregu të lirë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe dëshirojnë thellimin e partneritetit mes dy vendeve në të ardhmen”, theksoi mesazhi i  Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Në qendër të vëmendjes erdhi për të pranishmit edhe mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, i cili e konsideroi Lëvizjen Studentore si “Përpjekje për përparim në zhvillimin shoqëror”.

Më pas Konferenca vijoi sipas agjendës se planifikuar e ndarë në tre sesione plenare. Në sesionin e parë plenar me tematikën: “Rënia e Perdes së Hekurt – Ndryshimet e sistemit në Evropën Lindore” mbajtën fjalën udhëheqës politike dhe figura historike të kohës si Stipe Mesiç, Theodoros Pangalos, Sali Berisha, Edi Rama, Mevlut Cavusoglu, Doris Pack, Nam Hee Kim, Man Hee Lee.

Konferenca vazhdoi në sesionin e dytë plenar me tematikën “Lëvizja Studentore Shqiptare – 8 dhjetor 1990” në të cilën mbajtën fjalën e tyre personalitete të njohura të shoqërisë shqiptare si Preç Zogaj, Afrim Krasniqi, Blendi Gonxhe, Bislim Ahmetaj, Elsa Ballauri, Kujtim Çashku, Edith Harxhi, Forenc Poka, Werner Daum. Folësit në këtë panel theksuan rolin e kësaj lëvizje si paraprijëse e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, e pluralizmit politik, medias së lirë, dhe lindjes së shoqërisë civile.

Konferenca u mbyll me sesionin e tretë plenar me tematikën “Rënia e komunizmit  në kronikat e kohës”, e cila përcolli mbresa dhe kujtime nga gazetarë dhe analistë të ‘Zërit i Amerikës’, BBC, Radio Evropa e Lirë, AFP, Radio Vatikan, dhe nga Shqipëria të mirënjohurit Besnik Mustafaj, Wolfgang Grossruck, Elez Biberaj, Nicola Miletich, Paolo Foresti, Bernd Fischer, Frrok Çupi.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, Nishani, president

DR. OMER NISHANI, QË ISHTE DHE 8 VJET PRESIDENT

June 20, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi,
Dr. Omer Nishani, në vitet e fundit të jetës, ishte gati 8 vjet, (nga viti 1946 deri në vitin 1954) Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, por thuajse, e gjithë veprimtaria jetësore e tij ishte në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, me prirje nacionaliste, demokratike e deri fetare dhe në përpjekje për një Shqipëri të civilizuar e të kulturuar me kahje perëndimore. Ai ishte bashkëqytetar dhe mik i kahershëm me babain tim dhe si myhib bektashi, ishin zgjedhur në forumin superior, si anëtarë të Këshillit Botëror Drejtues të Komunitet Bektashian.
Omer Nishani lindi në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1887 në një familje të hershme qytetare. Ai mbaroi shkollën e mesme në qytetin e lindjes dhe studimet e larta për mjekësi në Stamboll. 
Në vitin 1922 u emërua internist në Spitalin e Tiranës, që aso kohe ishte në mjediset e “Hotel Elbasanit”, ndërtesë me dy kate e 50 shtretër, përbri sahatit, ku drejtor ishte miku i tij deri në çastet e fundit, doktor Osman Jonuzi. 
Nga viti 1923 deri 1924 punoi mjek dermatolog në qytetin e Durrësit. 
Në vitin 1924 mori pjesë në revolucionin demokratiko-borgjez, nën drejtimin e Theofan Nolit. 
Pas riardhjes së Ahmet Zogut, me ndihmën e bajonetave Serbe, Fan Noli me 300 përkrahës ku bënte pjesë dhe Omer Nishani, braktisën Tiranën. Ishte Isuf Hamzari nga Borshi, që i hipi ata në anijen italiane “MOLFETA”, për t’i çuar në Vlorë, e meqë aty nuk gjetën strehë, shkuan në Itali. 
 Të larguarit u ndanë në dy grupe, ku grupi i parë i përbërë nga Qamil Çela, Haki Stёrmilli, Selim Shpuza, Reshit Daci, Naum Prifti, Demir Godelli, Ferhat Ekmekçiu, Rexhep Filati Çami dhe të tjerë, morën rrugën për Francë.
 Noli vajti fillimisht në Vjenё, ku organizoi Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) dhe u lidhë me lëvizjet ndёrkombёtare revolucionare. Nё atё grup mori pjesё dhe Dr. Omer Nishani, i cili jetoi në emigracion për 15 vjet, ku zhvilloi një veprimtari të dendur anti zogiste, për çka u dënua me vdekje në mërgim.
Gjatë kohës që qëndroi në Austri, doktor Nishani u dashurua dhe u martua me shtetasen austriake Rozvita fon Woler (1896-1971). Së bashku me të shoqen u kthyen në Shqipëri, kur u lejuan,  pas largimit të Ahmet Zogut, më 9 prill 1939.
 Në atë kohë e pati të vështirë të sistemohej në punë, por ju ndodh përsëri pranë Isuf Hamzari, që i gjeti vendin e punës. Omer Nishani shumë shpejt u bë Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Isuf Hamzari si ish komandanti i parë i Marinës Shqiptare dhe Kapiten i Portit të Durrësit nga viti 1924 deri më vitin 1934, ngeli ndër miqtë dhe përkrahësit e afërt të doktorit.
Në verën e 1943 Omer Nishani, revolucionar dhe antifashist i hershëm, braktisi detyrën te italianët dhe mori pjesë në radhët partizane të Frontit Nacional Çlirimtar. 
Në Konferencën e Dytë në Labinot (1943) dr. Omer Nishani, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai zëvendësoi Kryetarin e Frontit, Kamber Qafmollën, duke u kthyer kështu në figurën më të rëndësishme qendrore, pas Enver Hoxhës. 
Në Kongresin e Përmetit në 24-28 maj 1944, u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i përbërë nga 11 veta, ku dr. Omer Nishani u zgjodh kryetar, me funksion të një kryetari të pashpallur shteti, kurse në mbledhjen e II.- të KANÇ-it në Berat, më 20-23 tetor 1944, me vendimin Nr. 14 të Kryesisë, Komiteti u kthye në “Qeveri Demokratike” me po ata persona dhe me po ato funksione, me këtë renditje: Enver Hoxha, Kryeministër, Ministër për Luftën e Komandën dhe Ministër i Punëve të Brendshme; Omer Nishani, ministër i Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroj deri më 12 janar 1946; Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë; Bedri Spahiu, Ministër i Rindërtimit; Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë; Ramadan Çitaku, Ministër i Financave; Sejfulla Malëshova, Ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; Gjergj Kokoshi, Ministër i Arsimit; Spiro Koleka, Ministër i Punëve Botore; Ymer Dishnica, Ministër i Drejtësisë.
 Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Omer Nishani, mori mandatin e deputet të Gjirokastrës, të cilën e fitoi për të dytën herë më 28 maj 1950.
 Më 12 janar 1946,  Dr. Omer Nishani, u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, post që e mbajti deri në vitin 1953.
Do të theksoja, me këtë rast, disa detaj të rëndësishëm nga jeta e Dr. Omer Nishanit, që sipas vrojtuesve të vëmendshëm, ndikuan në “rrokullimën” drejt shkatërrimit të këtij burri të shquar:
Në vitin 1944 erdhi në Shqipëri Llazar Papapostoli, i quajtur Lori Post, si oficer i Ushtrisë Amerikane. Ai kishte mbaruar Shkollën Teknike të Harri Fulcit në Tiranë, së bashku me Mehmet Shehun dhe më pas shkoi në SHBA, për të vazhduar studimet e larta. Atje u njoh edhe Fan Nolin. Më pas u dërgua me mision në Shqipëri, duke u hedhur me parashutë si anëtar i Komandës Anglo-Amerikane, që në atë kohë kishte zbarkuar në Itali dhe mbulonte Shtabin Operativ për Ballkanin. Në Shqipëri ai u bashkua me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë N.Çl. Në vitin 1945 kur u rifut në Shqipëri Misioni i UNRA-s, Llazari u caktua Shef i Misionit për Durrësin. Në një pritje në Hotel “Dajti”  ishte me të afërtit e saj dhe e bija e Isuf Hamzarit, mikut të Dr. Omer Nishanit, e quajtur Hënza, 21 vjeçare dhe mjaft e bukur. Llazari u dashurua me Hënzën qysh me shikimin e parë dhe pas disa javësh, ata u martuan zyrtarisht. U vendosën në një apartament në Durrës dhe aty kaluan edhe muajin e mjaltit.
Organet e Mbrojtjes se Popullit e arrestuan Llazarin për veprimtari armiqësore dhe e burgosën. Hënza, tashma e njohur si gruaja e tij, për disa muaj shkoi e mori rrogën e të shoqit në Misionin Amerikan. Kjo u gjet si shkak për “shkelje ligjore” dhe për këtë edhe ajo u arrestua dhe u burgos.
Isufi, i ati, shkoi tek miku i tij i hershëm, Omer Nishani, tani Kryetar i Kuvendit Popullor dhe i tha:    
  -Omer, të kam shpëtuar dy herë kokën: Herën e parë kur donte të të arrestonte Ahmet Zogu, isha unë që të hipa në vapor dhe të çova në Itali. Ti emigrove në Austri dhe atje u martove me një austriake.  Herën e dytë, në kohën e Italisë, u ktheve në Shqipëri dhe u bëre Sekretar i Këshillit të Lartë të Fashizmit Italian. Isha unë që të rekomandova, të hapa organikën dhe të caktova rrogën për të ushqyer familjen. Tani, më ndihmo e ma nxirr vajzën nga burgu. Ma shpërble të mirën me të mirë! Omer Nishani pasi u mendua një copë herë, iu përgjigj:
 – Të ndahet! Rrugë tjetër nuk ka. Isufi, tashmë i thyer në moshë, shkoi në burg dhe i tha të bijës të bënte ndarjen që të shpëtonte nga skëterra ku e kishin futur. Ajo pasi e dëgjoi të atin, iu përgjigj:
 – Baba unë e dua burrin tim. Me atë nuk jam martuar për përfitime të çastit.
Ato fjalë asaj i kushtuan 4 vjet qeli të errët, lagështi, sëmundje, izolim e përbuzje. Për pasojë, familja patriote e Isuf Hamzarit, u nxor forcërisht nga shtëpia dhe u çua të banonte për dy vjet në një stallë lopësh, diku nga fundi i Rrugës së Kavajës. Më pas, duke parë vuajtjet e prindërve dhe të vëllait, ajo u detyrua të bënte divorcin dhe u internua në Shkodër pasi në Tiranë konsiderohej njeri i padëshirueshëm. I shoqi, Llazari, bëri 10 vjet burg dhe më vonë u internua dhe ai në Levan të Fierit. 
Thonë se kjo ngjarje e hodhi në dëshpërim doktorin, që dallohej për besë dhe karakter të fortë. Detaji i dytë nga jeta interesante e Dr. Omerit: Në tetor 1947, gjermania Lote Pilku, kishte shkuar të takonte mikeshën e saj, Rozvitën (gruan austriake të doktorit), të cilës i kishte kërkuar të ndërhynte te i shoqi që t’i falte jetën bashkëshortit të saj, Njazi Pilkut. Lotja ishte njohur me Njazi Pilkun (Jazon), në vitin 1922, kur ai ishte student në Gjermani. Ai, mik i doktorit, vite të tëra punoi pranë Ministrisë Bujqësisë dhe Ushqimit dhe më pas u pushkatua si sabotator. Lotja tani e ve, në moshë 48 vjeçare, filloi punë si pastruese te Omer Nishani. Edhe kjo ngjarje, thonë se e uli besimin absolut ndaj doktorit.
Një tjetër detaj: Më 1 tetor 1952 Omer Nishanit i arrestojnë të vëllain, Besim (Beso) Nishanin, me akuzën moskallëzim për arratisje të shokut të tij Bektash Halitit. Deri më 1 mars 1951 Besim Nishani kishte punuar ekonomist në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. 62 vjeçari ishte marrë i pandehur së bashku me shokun e tij, duke u akuzuar se kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi. Prokurori kishte dhënë pretencën për ta dënuar Beson me 2 vjet burg, por trupi gjykues e liroi sepse Besoja “nuk kishte dijeni për bisedat armiqësore të shokut të tij”. Megjithatë, vëllai i presidentit qëndroi 8 muaj në paraburgim. Arrestimi i të vëllait, ishte një kërcënim e tronditje tjetër, për Omer Nishanin.
 Pikërisht atë vit, Rozvita fon Woler ose Trëndafile, “u ftoh’’ në marrëdhënie me të shoqin dhe e braktisi atë duke shkuar të banonte në një shtëpi tjetër.
Në këto kushte e rrethana dëshpërimi e pasigurie, në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm shtetëror në vitin 1953, Enver Hoxha e detyroi Omer Nishanin të jepte dorëheqjen. 
Më 23 korrik 1953 në mbledhjen e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, u miratua struktura e re e Këshillit të Ministrave dhe po në këtë mbledhje u rekomandua dorëheqja e Presidentit Omer Nishani dhe zëvendësimin e tij nga veterani tjetr nacionalist, Haxhi Lleshi.
 Më 1 gusht 1953 Omer Nishani i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen e tij me shkrim. U përpoqën ta justifikonin largimin e tij me sëmundjet që kishte, tuberkulozin e mushkërive, që në ato vite ishte një sëmundje mjaft e përhapur në vendin tonë.
Pra doktori rra në dëshpërim të thellë edhe pse, herë pas here, shkonin dhe e takonin miqtë e tij të pa ndarë si dr. Osman Jonuzi, dr. Ymer Dishnica, dr. Janko Theodhosi, dr. Besim Zyma, dr. Fejzi Hoxha, Dhimitër Evangjeli, Koço Tashko, Shemsi Totozani, Medar Shtylla, Skënder Luarasi, Sami Baholli e deri Kostë Boshnjaku etj.

Me sa duket kishte ardhur fundi… Në ora 23.00 të datës 25 maj 1954, dy ditë përpara zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor, Omer Nishani, u gjet i vrarë në vilën e tij, si pasojë e dy të shtënave afër zemrës me një pistoletë të markës gjermane me kalibër 7.65 m/m, që ishte armë personale e tija. Gazetat zyrtare “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” më 27 maj 1954 njoftuan shkurt se 67 vjeçari, vdiq “pas një sëmundje të rëndë”.
 
 Vlorë, më 20.06.2015

Filed Under: Histori Tagged With: 8 vjet, Omer Nishani, president

EMRI I KRYEPESHKOPIT JANULLATOS, KANDIDAT PER PRESIDENT I GREQISE?!

February 3, 2015 by dgreca

Janullatos: Kam detyrë kishtare, nuk mund të marr poste politike
TIRANË, 3 Shkurt/-Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka deklaruar të martën se nuk do të pranojë propozimin për marrjen e një detyre politike, duke theksuar se ai e ka një detyrë kishtare.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Thoma Dhima thekson: “Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i pyetur nga gazetarë të ndryshëm, si në Greqi ashtu edhe brenda vendit, lidhur me lajmet e përhapura gjerësisht mbi propozimin e tij për president të Greqisë, u përgjigj në mënyrë lakonike: “Hierarku orthodhoks ka një detyrë të caktuar kishtare. Ai nuk mund të marrë poste politike.”
Mediat shqiptare kanë bërë të ditur se Kryeministri i grek, Aleksis Cipras ka propozuar emrin e zotit Janullatos si President ri i Greqisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Janullatos, Kryepeshkopi, president

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT