• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Nishani: Reforma në drejtësi do të desha që të ishte proces konsensual

December 15, 2015 by dgreca

Presidenti Bujar Nishani, në një intervistë në emisionin “Shih Programin” në TVSH, te Enkel Demit ka folur për një sërë çështjesh të aktualitetit politik si reforma në drejtësi, raporti me shumicën në pushtet, dekorimi i ish-Presidentit Berisha, protestat e opozitës dhe djegia e bunkerit një javë më parë.

Pyetje: Në një letër që i keni dërguar Kuvendit pak kohë më parë keni shprehur rezerva për hartimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi. Tani që flasim janë mbyllur këshillimet publike me grupet e interesit rreth kësaj reforme priten dhe përgjigjia nga Komisioni i Venecias. A i qëndroni ende kritikave apo pakënaqësive që kishit parashtuar në letrën tuaj?

Nishani- Mund të quhet edhe pakënaqësi në kontekstin e pritshmërive dhe nevojës për reformën në drejtësi. Sistemi i drejtësisë ka nevojë shumë të madhe për t’u sjellë në funksionim normal. Përveç reformës ligjore, ky sistem ka nevojë për një reformë themelore, si në infrastrukturë, në gjykata, në komunikim dhe në shumë elementë që garantojnë, barazi para ligjit, seriozitet, efiçencë. Të gjithë aktorët e shoqërisë sonë janë të gatshëm të mbështesin këtë reformë. Meraku im ka qenë në lidhje me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm. Unë gjatë këtyre ditëve kam dëgjuar zëra nga njerëz të paftuar në këto tryeza mendimin e tyre profesionist dhe se si e shikojnë ato këtë reformë. Unë kam sjell shqetësimin për të gjithë këta zëra profesionistë që munguan në debatet e para. Unë dëshiroj të theksoj se nga pozicioni i kreut të shtetit që reforma në sistemin e drejtësisë duhet të ketë dy objektiva: e para të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët, prokurorët e korruptuar, të paaftët dhe e dyta të parandalohet kalimi i sistemit të drejtësisë në duart e zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar.

Pyetje- Ambasadori amerikan Lu në mënyrë shumë të thjeshtë deklaroi se kush ka një orë më të shtrenjtë se makina e tij është i korruptuar dhe duhet të largohet para se të përfundojë në burg. Pse është kaq e vështirë të shquhen të korruptuarit brenda sistemit të drejtësisë?

Nishani- Nuk është e vështirë të identifikohen të korruptuarit. Unë i kam ndjekur deklaratat e vazhdueshme të ambasadorit amerikan, si për reformën në drejtësi, ashtu për dekriminalizimin dhe roli e ndjeshmëria e tij dhe e disa ambasadorëve të tjerë është për t’u vlerësuar maksimalisht. Thjeshtësia e adresimit të problemit prej tij është një gjetje shumë pozitive. Por, a kemi ne si shtet mekanizma për të treguar të korruptuarit? Po, natyrisht që kemi. Kemi ligje dhe institucione për të bërë matjen e të ardhurave dhe pasurisë, por që ky proces të jetë i vërtetë duhet të jetë i paanshëm, gjithpërfshirës, jo me standarde të shumëfishta.

Pyetje- Keni një koment për këmbanat e alarmit të diplomatëve të huaj në lidhje me reformën? Sipas tyre dështimi në këtë reformë mbyll dyert për në Bashkimin Europian.

Nishani- Duhet të bindemi se çështjet e arritjeve të standardeve janë një nevojë për jetën tonë, për familjet, brezat që do të vijnë. Integrimi shtyn dhe nxit reformat, është e vërtetë se nëse nuk ndryshojmë standardin e drejtësisë nuk do të arrijmë as integrimin. E shikoj të lidhur pazgjidhshmerisht nevojën e qytetarëve për të marrë drejtësi, me nevojën për të arritur standardin e saj më të mirë.

Pyetje- A ka gjasa që kësaj here politika shqiptare të bëhet bashkë për të mos e humbur këtë mundësi? Apo referendum mund të jetë një tjetër zgjidhje?

Nishani- Reforma në drejtësi do të desha që të ishte proces konsensual, nëse nuk do të jetë i tillë do të kthehet në çështje politike. Dhe sa herë kthehen çështje të tilla nuk rezultojnë të sukseshme. Vlen të kujtoj për të konkretizuar këtë rast procesi i ndarjes dhe njohjes së pronës. Ai që në fillim u kthye në një çështje ndasie politike dhe nuk gjeti zgjidhje për 25 vjet. Nëse nuk do të jetë proces konsensual unë kam rezerva për jëtëgjatësinë e këtij procesi dhe kësaj reforme. Nëse miratohet në Kuvend ose referemdum për mua nuk ka rëndësi, I rëndësishëm është konsensusi. Ka mundësi që procesi të jetë konsensual me kushtin e vetëm që përmes transparencës të jetë bindës, se nuk po bëhet për të goditur kundërshtarët politikë.

Pyetje- Drafti i kësaj reforme e largon kreun e shtetit nga kreu i Këshillit të Lartë i Drejtësisë. Keni një koment?

Nishani- Në aspektin formal nuk kam asnjë shqetësim. Në përmbajtje kam një shqetësim që ia kam bërë me dije dhe komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi dhe ekspertëve të huaj. Shqetësimi është kushtetues. Nese miratohen amendamentet është parashikuar që të prishet balancimi aktual i pushteteve. Problemi që unë kam është mosdhënia e mekanizmit të ri të funksionimit. E marr të mirëqenë mosfunksionim aktual, por nuk jepet zgjidhja për balancën e re të pushteteve. Çfarë do të ndodh me këtë balancë? Ky për mua është shqetësim kushtetues.

Pyetje-A ka kreu i shtetit konflikt interesi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë? Presidenti dekreton emërimet, shkarkimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por njëkohësisht është edhe kreu i KLD-së. Juve si e shihni këtë çështje?

Nishani- Për të shmangur konfliktin e interesit Presidenti është i mënjanuar nga vendimarrja në KLD-së. Në vendimet më të rëndësishëm, si ato të emërimit, shkarkimit, promovimit të gjyqtarëvë në nivelet më të rëndësishmë të sistemit gjyqësor, Presidenti është i përjashtuar nga votimi, nuk lejohet te marrë pjesë, sepse ka dekretimin si detyrë. Ka patur raste edhe gjatë kohës që unë kam drejtuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku janë marrë vendime për të promovuar gjyqtarë, madje dhe anëtarë të KLD-së dhe janë refuzuar nga ana ime për t’u dekretuar. Pra, nuk ka konflik interesi, sepse këtë e ka zgjidhur ligji.

Pyetje-Si shpjegohet mosbesimi tek sistemi i drejtësisë?

Nishani- E para, ka të bëjë me përdorimin e pushtetit të madh që ka një gjyqtar, sepse ai ka shkopin e ligjit dhe keqpërdorimi për afera korruptive ka sjellë mosbesimin. Qytetari drejtohet në gjykatë për çështje fondamentale të jetës së tij, prona dhe jeta. Në rastet kur gjyqtarët dëmtojnë interesat e këtyre dy çështjeve sjellin mosbesim shumë të madh. E dyta ka të bëjë me vetë sistemin, gjykata e ndan të drejtën tek njëra palë, në një konflikt gjyqësor kemi gjithmonë një fitues dhe një humbës, por nëse gjykata do të jetë transparente dhe efiçente dhe do ta kenë tërësisht të argumentuar vendimin  do të sillte edhe mirëkuptimin e palës humbëse në një proces.

Pyetje- Proceset në vendin tonë zgjaten shumë dhe nuk ka masa ndaj gjytarëve që zvarritin…

Nishani- Zgjatja është një ndër problemet më të mëdha të sistemit tonë të drejtësisë dhe një ndër elementët që të bë të dyshosh për elementë korrupsioni. Reforma në drejtësi për mua duhet të nisë nga Gjykata e Lartë. Nëse reformojnë këtë gjykatë dhe e kthejmë në efiçente dhe shumë të përgjegjshme, sistemi i drejtësisë pëson një çtendosje të jashtëzakonshme. I kam kërkuar me ngulm kësaj gjykate që një ndër praktikat duhet të jetë unifikimi në vijimësi të çështjeve gjyqësore. Fjala vjen nëse brenda një viti Gjykata e Lartë unifikon 20 raste të çështjeve të pronave, nuk ka gjykatë në vend që mund ta zgjidhë ndryshe, se në momentin që e zgjidh ndryshe, ai gjyqtar është automatikisht i larguar nga puna, nuk e shpëton dot më askush. Nëse ndodh unifikimi i çështjeve gjyqësore mund të zgjidhen shumë raste. Unë besoj se 1 vit është kohë e mjaftueshme për të unifikuar 20 çëshje civile dhe 10 çështje penale. Pse nuk bëhet kjo punë? Pikërisht, sepse ne edhe kur bëjmë ligje të reja nuk i mbyllim të gjitha gropat, por lëmë hapësira për t’i shfrytëzuar më pas nga ana e politikës.

Çfarë mund të bëhet për dekomunistizimin e sistemit të drejtësisë?

Ky është një standad i papranueshëm. Nuk mund të na gjykojnë njerëzit që kanë punuar në atë system në atë kohë. Njerëzit, të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në vendime politike, njerëz që kanë tejkaluar dhe ligjet e asaj kohe e jo më standartet universale të drejtave të njeriut, njerëz që kanë manipuluar proceset, ata nuk mund të jenë më pjesë e sisitemit të dhënies së të drejtës në Shqipëri. Kjo është çështje e vullnetit politik, sepse ne nuk mund të largojmë një njeri nga puna me legjislacionin e sotëm, por nëse ekziston ligji dhe mekanizmi atëherë ai mund të largohet. Vullnetin politik e lidh me dëshirën për të ndërtuar këtë mekanizëm. Kam ndjekur me kujdes debatin për ndryshimet në Kodin Penal, veçanërisht për shkeljet në fushën e biznesve. Është ndërhyrë shpesh në Kodin së fundi, në një vit është ndërhyrë 2-3 herë dhe kjo nuk është normale dhe serioze. Vendosin penalitete për qytetarët që nuk marrin kuponin dhe nuk ka inisiativë për të dënuar atë që shet apo blen votën. Pse nuk është futur një dispozitë e veçantë për atë që shet apo blen votën? Ky është një problem i madh. Pse nuk është futur një dispozitë të veçantë për këto raste? Unë po flas për masa të rrepta dhe politika penale për blerjen e shitjen e votës para se të flasim për kuponin e qeses me kikirikë që blejmë tek dyqani i lagjes.

Cila do të ishte formula e Presidentit për të dalë nga kriza në sistemin e drejtësisë?

Unë besoj se ekspertë tërësisht jashtë konfliktit personal, që janë të ftohtë nga përfshirja politike, akademikë dhe jo vetëm, por dhe ekspertë në avokaturë, administratë, profesionistë shumë të mirë e që mund të japin opinionet së bashku me ekspertë të huaj që do të sjellin praktikat më të mira. Unë mendoj se ne nuk kemi nevojë për një model shqiptar të sisitemit të drejtësisë. Çdo të thotë model shqiptar i sistemit të drejtësisë? Modeli që kemi sot është shumë i ngjashëm me modelin italian dhe spanjoll, por ne duhet të shikojmë se cila është praktika më e mirë europiane dhe asaj duhet t’i refereohemi duke e përshtatur padyshim me kushtet e Shqipërisë. Modeli që kemi sot duhet ndryshuar dhe duhet marrë modeli më i mirë i sotëm për t’u përshtatur me realitetin tonë. Duhet të largohen të korruptuarit dhe të paaftët. Reforma duhet bërë për fenomenin, jo për emra të cakuar. Kur ne e adresojmë tek një individ fenomenin, atëherë mund të marrë interpretime dhe keqkuptime te ndryshme. Por, çfarë po ndodh? Sot që ne po flasim kaq shumë për reformën në sistemin e drejtësisë dhe ende nuk e dimë se cilin model do të zgjedhim për të ndjekur në lidhje me sistemin e drejtësisë. Duhet të kishte pasur shumë më tepër përfshirje të ekspertëve. Duhet të ishin zgjedhur njerëz jashtë konfliktit të interesit. Unë kam bërë një vërejtje publike që nuk ka marrë përgjigje. Nëse do të kishte një proces të paprapagjykuar, neni i parë i këtyre amandamenteve duhet të ishte që të gjithë këto ekspertë që kanë punuar nuk duhet të përfitojnë poste publike të paktën për 5 vjet. E keni parë këtë amandament gjëkundi? Askund. Dhe ky është një shqëtësim, jo vetëm i imi, por edhe në komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorit. I është kërkuar Komisionit të Venencias opinion për çështje për të cilat ai ka dhënë njëherë më parë opinion, ne po ia kërkojmë sërish. Unë nuk besoj se Komisioni do të japë një opinion të ndryshëm për të njëjtën çështje. Komisionit të Venecias ka dhënë për shembull një opinion në lidhje me ndërprerjen e mandateve, unë nuk besoj se do të sjellë një opinion të ndryshëm nga i pari, por ne ia kërkojmë përsëri.  Ky  komision ka një opinion në lidhje me KLD-në, me Gjykatën Kushtetuese, pra ata kanë dhënë një standard dhe opinion. Ky institucion ka qenë bashkëpunues gjithmonë. Unë po kthej edhe njëherë në vëmendje inisiativën time të parë që në shtatorin e 2014, kur thirra tryezën për drejtësi, sepse deri në atë kohë askush nuk po e niste punën për reformën. Dhe menjëherë pas tryezës së Presidentit nisi një garë se kush do të merrte lidershipin në këtë reformë. Por, këtë reformë nuk mund ta bëjë Presidenti, ajo duhet bërë në mënyrë konsensuale nga pjestarët e Parlamentit në rradhë të parë, por dhe aktorët e tjerë të shoqërisë. Në shpesh injorojmë raportet që duhet të kënë institucionet vendimarrëse politikëbërëse me opinionin dhe ekspertizën e profesionistëve që janë të çliruar nga interesat profesionale dhe politike.

Sa përgjegjës është institucioni i Presidentit të Republikës në lidhje me këtë situatë të sistemit të drejtësisë?

Për të sqaruar këtë pikë, po ju jap dy shembuj. Presidenti është vërtetë kryetar i KLD-së, por nuk ka forcë të veçantë për të marrë vendime. Po të shikohen mbledhjet e protokollit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mund të gjendet në mënyrë frekuente që Presidenti i Republikës ka qenë në minorancë në vendmarrjen e KLD-së. E dyta është që Presidenti ka atribut të rëndësishëm në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por fatkeqësisht gjatë kohës që unë kam qenë në këtë detyrë gjithçka është bërë nul, pasi propozimet e mia janë rrëzuar nga Parlamenti.

Keni qenë ministër i Brendshëm dhe i Drejtësisë. I dini mëkatet që kanë tek drejtësia këto dikastere?

Ministria e Brendshme është më operacionale, njëra nga detyrat e saj kryesore është mbledhja e provave në vendin e ngjarjes pasi është shumë e rëndësishme, sepse ka shumë procese që dështojnë vetëm për shkak të mbledhjes së provave. Kjo duhet përmirësuar patjetër dhe mbetet një sfidë për policinë prej kohësh. Ndërsa Ministria e Drejtësisë nuk ka pushtet mbi sistemin e drejtësisë, por ka mekanizma për mund ta kontrollojë ose mund ta bëjnë më transparente nepërmjet operatorëve që janë në këtë sistem. Duhet përmirësuar sistemi i avokaturës, sistemi i burgjeve, sistemi i provës, i noterëve, ai i ndihmës ligjore, pra të gjithë këta operatorë duhen përmirësuar, pasi ndikojnë negativisht në sistemin e drejtësisë.

Pas akuzave në Parlament për drogë, vrasje, trafik nuk ka kurrë hetime. Si e gjykoni Prokurorinë në këtë raport?

Presidenti mund të kërkojë informacion, por prokuroria nuk varet nga Presidenti, pavarësisht se kreu i shtetit propozon emrin e Prokurorit të Pergjithshëm. Madje, Ministria e Drejtësisë mund të ketë më shumë kontroll në prokurori sesa institucioni i Presidentit. Në tërë këtë situate, e cila duket që ofron dhe fakte e dokumenta Prokuroria ka një punë jashtëzakonisht të madhe për të bërë dhe pritshmëria ndaj saj është shumë e madhe. Por edhe më shumë sesa Ministria e Drejtësisë ka mundësi për të kontrolluar vetë Parlamenti.

Dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë edhe si qytetar, si prind. A është Shqipëria një vend i jetueshëm, një vend që ka të ardhme të qartë?

Shqipëria është vend i mrekullueshëm, por nuk është se mrekullia po ndodh. Është vend i mrekullueshëm nga potencialet që mbart. A i keqpërdorim a nuk i përdorim fare, a i injorojmë  kjo është pjesa e dytë e analizës. Por nuk besoj se Shqipëria ka më pak potenciale se Maqedonia, Kroacia a Mali i Zi që kanë një ekonomi dhe realitet më të zhvilluar se vendi ynë. A e bëjmë ne reale mrekullinë për qytetarët? Për fat të keq, jo! E kjo ka të bëjë me përgjegjshmërinë, me seriozitetin, me kulturën, si politike ashtu dhe qytetare. Kur nuk kuptohen përgjegjësitë e atyre që janë zgjedhur për të qenë vendimarrës ndodh degradimi dhe duke përdorur një term të rëndë ndodh degjenerimi i pushtetit, i mundësive dhe i situatave nga më të ndryshme. Askush nuk mund të bëjë dot gjithçka, të gjithë duhet të bëjmë bashkë që nga gjërat e vogla për të mbërritur tek të mëdhatë.  Është koha që ne të mendojmë në mënyrë shumë serioze, që të mendojmë se ku do të shkojë Shqipëria pas 5 vitesh. Nuk është luks që të kemi një projekt së ku do të shkojë vendi në 5-10 vitet e ardhshme natyrisht në sektorë të veçantë që mund të japin zhvillim. Ka njerëz të mençur ky vend që mund të japin një orientim sesi mund të zhvillohet ai në vitet e ardhshme.

Si shpjegohet që mijëra shqiptarë ikën? Një pjesë e tyre nuk ishin në ekstremin jetësor, por shkuan se nuk kishin shpresë…

Humbja e shpresës është gjëja më e dhimbshme dhe natyrisht përgjegjësia më e rëndë për të gjithë vendimarrësit e këtij vendi dhe që ndikojnë në këtë sjellje dhe këtë përceptim të shoqërisë. Kur vritet shpresa për të nesërmën është shumë e vështirë për t’u rikuperuar. Kjo është shumë serioze dhe kjo çështje nuk mund të kalojë me diskutime retorike. Kjo duhet marrë seriozisht si çeshtje nga të gjithë aktorët që janë të larguar nga interesat e politikës së ditës, siç janë media, shoqëria civile, intelektualët që nuk mund të qëndrojnë të paangazhuar në këtë problematikë, pasi është një problematikë që mund të na sjellë pasoja ndoshta edhe për një çerek shekulli.

Si është çështja e përgjimit të jetës suaj private dhe familjare?

Në 2008 ishte një debat në Parlament për ligjin e përgjimeve që i jepte hapësirë dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për përgjime. Një ambasador i një vendi mik po bisedonte me mua dhe pasi ia sqarova po më thoshte: “dakord le të më përgjojnë, nuk kam frikë se nuk kam asgjë për të fshehur”. Kështu që edhe unë nuk kam pasur asnjë lloj problemi. E kam patur këtë informacion prej disa kohësh, rastësisht e kam identifikuar nga disa prova të lëna rrugës nga ata që janë përfshirë në këtë çështje. U tentua që të hyhet tek pjesa private e jetës ku u tentua që të shikohet se me kë rrija me kë shoqërohesha, çfarë flisja me bashkëshorten, vëllain, prindërit. Por unë jam rritur në një familje që nuk kemi patur frikë nga realiteti dhe këtë sens jam munduar që t’ia kultivoj dhe fëmijëve të mi, kështu që duke qenë krejt i hapur nuk kam pasur asnjë merak. Por, natyrisht kur përballesh me një fenomen dhe tentativë të tillë, kur sheh që janë të përfshirë dhe elementë të administratës shtetërore natyrisht që çështja bëhet më e mprehtë, sepse është Presidenti i Republikës dhe nuk është çështja e Bujar Nishanit. Kjo është një çështje që unë do të kërkoj të trajtohet me seriozitet, por ajo do një trajtim atëherë kur drejtësia për të cilën folëm në fillim të garantojë një qëndrim krejt të ftohtë, tërësisht të paanshëm dhe ligjor.

Kjo do të thotë se ju nuk keni besim tek prokuroria?

Padyshim që ka probleme. Ne të gjithë e pranojmë këtë. Ka probleme prokuroria, gjykata me ndikimin politik me pjesën e kurajos. Këto gjëra unë nuk mund t’i mohoj që ekzistojnë.

Unë nuk dëshiroj t’iu shtyj më tej, por kur ka mosbesim kryetari i shtetit, nuk mund të imagjinoj se çfarë ndodh me një qytetar të thjeshtë…

Pikërisht kjo është arsyeja që unë i qëndroj fort jo për shkakun se çfarë kanë dëgjuar apo kontrolluar, apo monitoruar tek jeta private e presidentit. Ne duhet të krijojmë modelin e një shteti që mbron dhe garanton gjithëkënd dhe nuk abuzon me askënd.

A është shumë arrogante klasa politike?

Kjo është pjesa që unë nuk e kuptoj fare se përse është e nevojshmë kjo lloj arrogance dhe intolerance në mendim dhe veprim. Unë flas si qytetar që nuk ka arsye asnjë mazhorancë cilado qoftë ajo që ka në dorë të gjitha mekanizmat për të implementuar politikat që dëshiron dhe objektivat që ka, për asnjë lloj arrogance. Çdo mazhorancë e ka dhe përgjgjësinë më të madhe duke pasur në dorë instrumentat për t’u vënë në zbatim idenë dhe të gjithë shoqërinë.

Përgjegjësinë për arrogancën e gjeni tek shumica?

Ajo është kryesorja. Ajo ka pushtetin.

Pse institucioni i Presidentit është tradicionalisht në luftë me qeveritë?

Nuk mund të flas për më herët, sepse nuk kam qenë pjesë e vendimarrjes, por padyshim që kjo është një çështje e kulturës politike dhe civile bashkë, e cila e koncepton pushtetin si domen. Para disa ditësh, në 8 dhjetor pati një protestë në Tiranë ku u kryen dhe akte që nuk duhet të kishin ndodhur si thyerja e xhamave të dy ministrive apo vënia e zjarrit tek bunkeri në qëndër të Tiranës. Këto gjëra nuk duhej të ndodhnin dhe nuk kanë pse të ndodhin. U artikuluan me të drejtë si akte dhune, por vendosja e bunkerit a është një akt dhune në vetvete? Unë them se po. Prej disa kohësh unë i jam drejtuar në cilësinë e Presidentit të Republikës, autoriteteve për të më vënë në dispozicion se cili është dokumentacioni ligjor për prodhimin e vendosjen e atij bunkeri në qendër të Tiranës. Deri më tani kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe nuk më është vënë në dispozicion asnjë dokument, pra çka më jep të drejtën të mendoj se nuk ka dokumentacion. Pra, kemi një dhunim të ligjeve.

Ndërtim pa leje?

Përderisa nuk më është vënë në dispozicion asnjë dokumentacion unë kam gjithë të drejtën të dyshoj se është ndërtim pa leje. Por edhe si i tillë kjo nuk i jep të drejtën opozitës që dhunës t’i përgjigjet me dhunë. Ka forma të tjera që të denoncohet dhuna shtetërore. Por, a ka dhunë më të madhe se po atë ditë celebrohej 25 vjetori i rënies së komunizmit dhe Presidentit i mohohet e drejta të bëjë një aktivitet në Teatrin e Operas dhe Baletit. Unë besoj se nuk ka! Nuk e kuptoj se cili është burimi dhe arsyeja e këtyre qëndrimeve, përveç konsiderimit të pushtetit si domen personal.

Ju u akuzuat se nuk e dënuat dhunën…

Presidenti i Republikës nuk është agjensi informacioni. Unë po e mbaj sonte qëndrimin tim. Unë kam qenë dhe do të jem kundër dhunës në të gjitha format e saj.

Pikërisht në mesin e këtij debati ju dekoruat dhe ish-Presidentin Berisha. Pse e dekoruat Berishën?

Pse jo?! Ishte 25 vjetori i rënies së komunizmit, ishte dita kur ishin ftuar të gjithë shqiptarë dhe miq të shqiptarëve të respektonin martirët që u ekzekutuan, humbën jetën, rininë, u pushkatuan dhe u varrosën në varre të përbashkëta, ishte dita që të nderonim kurajon e studentëve të ’90, ishte dita që nderonim qytetarët e gjithë Shqipërisë që u ngritën kundër diktaturës. Figura e zotit Berisha është nderuar së bashku me figura të tjera, si ajo e Musine Kokalarit për shembull, një grua e mençur dhe bindje të qarta për pluralizmin, u nderua i gjithë grupimi i që ishin në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit dhe padyshim përfaqësuesi më tipik dhe më i spikatur që orientoi këtë lëvizje për të qenë efikase ishte Berisha. Atij iu dha roli i liderit nga vetë studentët dhe më pas në 25 vitet që pasuan ka qenë person me rol kyç në historinë e këtij vendi në momente shumë të rëndësishme.

Atëherë logjika ishte: nuk dënoj dhunën e protestës paradite dhe pasdite nderoj Berishën, sepse kështu u komentua apo jo?

Për fatin e keq të ish-stalinistëve shqiptarë mua nuk më komplekson dot propaganda e tyre. Unë jam shumë i qartë në qëndrimin tim politik shtetëor institucional. Atë ditë ka patur një ftesë për të gjithë përfshirë dhe Ramën, Metën, Majkon dhe mjaft të tjerë që kanë qenë pjesë e dhjetorit. 25 vjetori i rrëzimit të komunizmit meritonte një përkujtim shtetëror. Në shumë vende të lindjes pati të tilla. Unë kam qenë në Poloni, por e përkujtoi dhe Gjermania, Rumania etj. I kam bërë një ftesë qeverisë për të organizuar disa aktivitete me profil shtetëror, por nuk mora përgjigje, ndaj mbeti detyra e Presidenti të Republikës që t’i jepte profilin shtetëror disa prej aktiviteteve. Gjej rastin të falenderoj për mesazhet që erdhen nga Papa Françesku, kancelarja Merkel apo Sekretari amerikan Xhon Kerri.

Ju flisni sot për stalinistë që tentuan t’ju intimidonin, por ju gjatë kohës që ishit në pushtet nuk hapët kurrë dosjet dhe nuk u bë kurrë dekomunistizimi…

Ka patur inisitiva, por u lobua fort për të rrëzuar këto inisiativa si qeveritare dhe parlamentare. Unë nuk do të rresht jo vetëm si President derisa të arijmë që në Shqipëri të ketë një rrjet të konsoliduar ligjor që do të hetojë dhe gjykojë krimet e Sigurimit të Shtetit. Unë nuk flas për hakmarrje, por ata që kanë bërë krime duhet të hetohen dhe gjykohen. Dekomunistizimi nuk mund të ndodh pa një hetim të krimeve të kryera. Shqipëria ka nevojë për hapjen e dosjeve dhe ky proces duhet bërë bashkë me lustracionin për të sjellë një paqe sociale.

Të enjten është njoftuar një tjetër protestë e opozitës a keni një koment për këtë?

Protesta është e drejtë legjitime, e patjetërsueshme, por aktet e dhunës nuk janë të mirëpritura. Unë i kërkoj të gjithë qytetarëve që të distancohen nga dhuna. Kjo nuk ndihmon as qytetarët as politikën.

Opozita kërkon qeveri teknike a keni një koment për këtë kërkesë?

Kjo është çëshje e aktualitetit politik. Qeveria ka ardhur nga zgjedhjet me votë të popullit, ndaj i takon Parlamentit për të vendosur për të, jo presidentit. Debati për realizimin e objektivave politikë të partive të ndryshme është tërësisht jashtë zyrës së Presidentit.

A ka luftë Presidencë-Qeveri-Parlament për dekretet e kthyera?

Jo nuk ka patur asnjë luftë. Çfarë është kthyer pas nga ne, ka patur lidhje vetëm me cënimin e të drejtave kushtetuese të Presidentit. Nëse nuk mbron veten as vendit nuk i duhet një President I tillë! Unë kam mbajtur këtë qëndrim edhe për të ruajtur balancat mes pushteteve.

A keni një koment për situatën në Kosovë?

Është një situatë shqetësuese. Qytetarët vetë tani duhet të reagojnë. Kosova është në kohën që do të krijojë imazhin e tij si shtet, por edhe raportin me partnerët. Është koha që vetëm qytetarët e Kosovës, as politikanët e Shqipërisë dhe askush tjetër nuk mund të tregojnë se si duhet të rrjedhin gjërat. Qytetarët duhet të vendosin nëse do të zgjedhin anarkinë apo do të zgjedhin shtetin ligjor. Unë besoj se në këtë moment të rëndësishëm zgjedhja e qytetarëve do të vendosë raportet dhe me partnerët. Në Kosovë fitore e madhe deri më tani ka qenë miqësia me aleatë të rëndësishëm si SHBA dhe Europa. Ruajtja e kësaj miqësie i shërben Kosovës së pas 100 viteve, 200 viteve e kështu me rradhë.

Cili është komenti juaj për Zajednicën?

Unë i besoj shumë atyre njerëzve që bënë edhe luftën, edhe paqen në Kosovë. I besoj miqve më të mirë të Kosovës. Për këtë fakt jam i bindur se marrëveshja nuk cënon Kushtetutën e Kosovës dhe nuk rrezikon të sjellë një model të bosnjëzimit të Kosovës që do të ishte fatal për Ballkanin dhe Europën.  Por, unë besoj gjithashtu se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte dhe zgjidhje e demarkacionit nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare.

Filed Under: Interviste Tagged With: presidenti Nishani, proces konsensual, Reforma ne drejti

Presidenti: Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa Spaçi

December 6, 2015 by dgreca

* Presidenti Nishani në ish-burgun famëkeq të Spaçit: Të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për Drejtësi!/

*Kreu i Shtetit nderoime Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) ,Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”,si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes)/

Spaç, Mirditë- 6 dhjetor 2015/

Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vizitoi sot ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda si dhe nga ish-të burgosur e të përndjekur të shumtë politikë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi.

“Nuk jam këtu për të folur mbi historinë e këtij burgu famëkeq, as për të përshkruar kalvaret që shumë prej jush i kanë provuar mbi kurriz, i kanë përjetuar, dhe fatmirësisht, falë durimit, forcës dhe pamposhtmërisë suaj, shoqëruar nganjëherë edhe me vullnetin e mirë të Zotit, u keni mbijetuar. Nuk do të përmend as shifra dhe as statistika, sepse do të na nevojiteshin ditë, javë, muaj dhe ndoshta vite të rendisnim një nga një mizoritë e panumërta, tmerret dhe vuajtjet çnjerëzore të shkaktuara nga veglat shtazarake e të pashpirt të diktaturës komuniste. Ky burg-kamp sot është thjesht një vend ogurzi, një rrënojë që qëndron gati e hepuar mes malesh hijerëndë e kreshtathinjur, por që në ajrin dhe atmosferën tij sillen e përsillen histori të tmerrshme jetësh dhe fatesh njerëzore, madje edhe shpirtra të parehatuar, sepse varret e tyre ende nuk janë zbuluar.

Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa ky kamp / burg / ferr e skëterrë. Ndoshta kanë pasur shumë më pak, sepse të paktën në hyrje të kampit të Aushvicit lartësohej parulla paralajmëruese dhe cinike njëkohësisht: ‘Puna të bën të lirë kurse këtu jeta e privuar nga liria, puna e stërmundimshme në galeritë e thella të nëntokës dhe normat mbinjerëzore t’i rëndonin jo vetëm këmbët dhe krahët dhe shpirtin, por të fundosnin e madje të varrosnin nganjëherë edhe çdo lloj shprese e dëshire për të vazhduar të përpiqeshe të jetoje. Ata që kanë gërmuar nëpër galeritë e errëta, ata që kanë shtyrë me stërmundim vagonët e rëndë të mbushur me bakër, ata që janë lidhur me kavo çeliku në dimër pas shtyllave kur nuk plotësonin dot sasinë ditore gjithnjë e në rritje të mineralit, e dinë shumë mirë se po të mos bëje punën, po të mos kapje normën, po të të shpëtonte padashur qoftë edhe një psherëtimë e lehtë nga skutat e thella të shpirtit – ishe i mbaruar, ishe i kryqëzuar, ishe i harruar edhe nga vetë Zoti, ishe për një moment, dhe më pas nuk ishe më, madje as varri nuk të gjendej dot.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej, Kreu i Shtetit e cilësoi burgun e Spaçit, si ferrin e vërtetë mbi tokë dhe Shqipërinë, një burg i errët, ku shumë rrallë depërtonin rreze drite e shprese: “Të burgosurit e Spaçit asnjëherë nuk ishin vetëm: jashtë kampit nëpër qytete, fshatra, majë malesh, në luginë e rrëzë kodrinave ishte një popull i tërë që vuante e përpëlitej fizikisht, shpirtërisht e mendërisht, njësoj si ata, por kurrsesi aq shumë, aq rëndë e aq dhimbshëm sa ata. Sa ju!”

“Të përndjekurit shqiptarë pësuan dënime dhe vuajtje të padrejta, por më e keqja është që edhe sot, në prag të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar ndjesë, paçka se disa prej jush janë gati, të prirë dhe vullnetmirë për të falur. Vuajtjet tuaja për fat të keq u shkaktuan nga shqiptarë. Ndjesa ndaj jush pritet dhe duhet të vijë, po nga shqiptarë. Falja, pajtimi dhe bashkimi do jetë një vepër shpirtmadhe e shqiptarëve. Ndaj jush u kryen krime, dhe jo “gabime” siç është pretenduar dhe vazhdon ende të dëgjohet aty-këtu ndonjë lloj shfajësimi foshnjarak dhe mashtrues. Vendprehjet ende të pagjetura dhe shpirtrat akoma të paqetë të viktimave të pafajshme vazhdojnë të klithin duke u prishur gjumin e trazuar xhelatëve të diktaturës, disa prej të cilëve ende u kemi dhënë një mundësi dhe shans për të larë ndërgjegjen e tyre të zezë. Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur! Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet! Por ata që pendohen e që kërkojnë falje sinqerisht, edhe mund të përqafohen! Por siç është ajo shprehja jonë e urtë dhe e vjetër e popullit: ‘I ra gurit, u thye. I ra njeriut, e mbajti dhe e duroi’, edhe ata që patën fatin e zi sterrë të vuanin e ta përjetonin këtë ferr mbi tokë, nuk u dorëzuan. Shqiponjat nuk jetojnë dot në kafaz!’ – tha me tej Presidenti Nishani në fjalën e tij.

“Më 21 maj 1973 burrat trima dhe sypatrembur të Spaçit i treguan dhe i provuan diktaturës se ajo edhe mund t’u burgoste trupat, por jo shpirtin dhe mendjen! Ata ishin me dhjetëra heronj, të cilët me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës, me vetëmohimin shembullor, kurajën e paepur dhe disidencës së patjetërsueshme, duke zënë vend përjetësisht në panteonin e kujtesës sonë historike kombëtare, u shndërruan në në simbole të përjetshme. Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për t’u përulur me respekt ndaj vuajtjeve, heroizmit dhe altruizmit të tyre që shpërthyen të parët prangat e mendjes duke tronditur themelet e të ashtuquajturit ‘pushtet popullor dhe diktaturë e proletariatit’, por që në fakt u përpoq të skllavëronte e të izolonte një popull të tërë. Me këtë rast, në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptarë dhe në emër të mbarë qytetarëve të këtij vendi kam nderin, privilegjin dhe detyrimin institucional të vlerësoj jetën dhe veprën e Pal Gjet Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Mersin Vlashit – krijuesit artist të flamurit të revoltës së Spaçit ku shqipja dykrenore fluturonte e lirë, pa zgjedhën e yllit të imponuar komunist mbi krye. Gjithashtu nderoj dhe përulem me respekt para jetës së shumëvuajtur dhe sakrificave të panumërta të Xhelal Koprencës. Këta heronj i përkasin atij grupi atdhetarësh të prangosur, që iu kundërvu diktaturës së egër komuniste me veprat, me jetën dhe sakrificat e tyre në kërkim të lirisë e demokracisë, duke mbetur të gjallë në kujtesën historike të Shqipërisë, për hir të së cilës ata u burgosën, luftuan, u përpoqën dhe u rebeluan në emër të idealeve më të shenjta të lirisë, përparimit dhe demokracisë dhe vlerave të saj. Ky vlerësim dhe nderim i lartë shtetëror, paçka se fatkeqësisht po u bëhet pas vdekjes, fatmirësisht është një tregues domethënës që vënia në vend e drejtësisë vërtet vonon, por kurrë nuk mënon.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “Shqipëria e shekullit të njëzet e një ua ka borxh të paktën këtë lartësim këtyre antikomunistëve kryelartë, me shpirt liridashës e demokrat, të cilët për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzuan dhe s’iu përulën as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj duke sakrifikuar edhe jetën për këtë lir dhe demokraci që jetojmë sot! Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ç’ishte 25 vite më parë: një vend i lirë, edhe në saje të këtyre martirëve të demokracisë, anëtare e denjë me merita të plota e NATO-s dhe jo më e ish-Paktit të vdekur e të dalë boje të Varshavës, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

Po brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë. Kurrë më, sepse siç e ka thënë edhe Bertold Brehti: ‘Mitra që e polli, ende nuk është shterpëzuar’. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre martirëve shqiptarë dhe i gjithë atyre që vuajtën dhe u flijuan për një jetë në liri e me dinjitet për një Shqipëri të përparuar, për një komb krenar dhe me ballin lart! Nderim përjetë!”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Aushvici, Mathauzeni, presidenti Nishani, Spaci

Presidenti Nishani nderon aktorin e humorit Muharrem Hoxha

November 7, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Mbrëmjen e djeshme në një ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, presidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi aktorin e humorit Muharrem Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në këtë aktivitet kulturoroartistik krahas presdientit Nishani morren pjesë qytetarë dhe intelektualë të Durrësit, familjarë të aktorit, personalitete dhe aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, të filmit, teatrit, estradës dhe muzikës, nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Vlora, Korca, etj. me të cilët aktori ka bashkëpunuar në vitet e karrierrës së tij artistike. Fillimisht Presidenti Nishani vlerësoi qytetarinë dhe intelektualizmin e banorëve të Durrësit dhe përpjekjet e tyre në vite për të mbajtur gjallë një traditë të spikatur kulturore artistike ku gjinia e humorit zinte të vecantë. Më pas ai evidentoi kontributin që kanë dhënë plejada e aktorëve, regjizorëve, muzikantëve, skenaristëve e personelit të institucioneve kulturore të qytetit të Durrësit në jetën artistike të qytetit por dhe në mbajtjen e një klime humori në realitetin e asaj kohe. Ishin këto shfaqje skenike të niveleve të ndryshme amatore dhe profesionale që me humor, satirë, sarkazëm, batuta, situate groteske etj, vrisnin frikën e diktaturës dhe lehtësonin dhimjen dhe gjendjen shpirtërore të njerzve. Estrada e Durrësit dhe simotrat e saj në qytete të tjera të vendit, si një strukturë e vecantë e artit skenik, përmes humorit, në vite kanë thyer mjaft tabu të jetës shoqërore. Vend të vecantë në fjalën e vet zoti Nishani i kushtoi vlerave njerzore, familjare dhe aktoriale të zotit Muharrem Hoxha. Mbas marjes së titullit zoti Hoxha falenderoi presidentin per këtë vlerësim dhe theksoi se, “këtë çmim ja dedikoj kolegëve të mi të estradës, me të cilët ndava mbi tre dekada punë në skenë”. Mbrëmja bashkoi mjaft humoristë dhe muzikantë, kolegë të Remës, të cilët i dhuruan pjesmarrsve emocione të vecanta nëpëmjet muzikës dhe disa numurave humoristike ku interpretuan dhe humoristët nga Estrada e Durrësit e Shkodrës si dhe këngëtarët Reshit Gjini, Luan Zhegu, Irma Libahova dhe Bujar Qamili. Muharrem Hoxha ose Rrema, siç e njeh publiku dhe miqtë e tij, gjatë 40 vjetëve pa ndërprerje, në Pallatin e Rinisë dhe estradën e qytetit, ka sjellë mbi 80 role të spikatura. Dhënia e këtij titulli përkon me daljen në pension të Muharrem Hoxhës , ndërkohë, aktorë të tjerë bashkëkohës të tij, kanë dalë më parë në pension. Ata gëzohen për çmimin e Muharrem Hoxhës, por njëkohësisht shprehin dhimbje, për tkurrjen e kësaj gjinie të artit skenik. Janë miqtë e tij Roland Koca, Aishe Stari, regjisori Haxhi Rama, Fadil Hasa, Zyliha Miloti, humoristët e Vlorës, Cekja i Beratit, Bujar Kapexhiu, aktori Robert Ndrenika, Xhelal Tafaj, etj. të gjithë që i bashkohen festës. Aktori Muharrem Hoxha ka lindur me 18 janar 1954. Ka punuar për një periudhë të gjatë nga ’73 deri ’86 tek “Pallati i Rinisë” në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe Gani Kalaja. Në estradën e Durrësit ai ka punuar dhe me aktorë të tjerë si Roland Koça, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj. Ai ka marrë pjesë tek Teatri i Kukullave për 14 vjet, po kështu është angazhuar në mbrëmjet e Vitit të Ri, si në programet për fëmijë dhe në ato për të rriturit. Rrema ka luajtur dhe në filmin për femijë “Velat e Bardha”, i cili është xhiruar në Itali.Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve tona kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit ku ai punon, por dhe për qytete të tjera. Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën, Gëzim Kruja, Drane Xhoi. Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës ku do të veçonim Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj. Me trupën e Korçës vecojmë shfaqjen “Ju ftojmë në dasmën e babait”. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin me aktorë të humorit në qytetin e Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka. Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin “Laureat i festivalit”. Të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në 1989. Në vitin 1996, në festivalin kombëtar të humorit është vlerësuar si aktori më i mirë. Ai është vlersuar në vitin 2000 si “Njeriu i shekullit”, “Krenaria e qytetit”, për Durrësin, ka fituar cmimin “Qemal Hajdini”, si “Aktori me i mirë” në festivalin e Dibrës së Madhe në vitin 2008. Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Argjendë”, nga presidenti Moisiu, ndërsa në vitin 2010 ka marrë “Naim Frashëri i Artë”. nga presidenti Bamir Topi, etj. Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Muharremit, aktori Roland Koca që bashkë me Fadil Hasën e Rremën përbënin tre muskëtierët e Estradës së Durrësit shprehet se, Rrema me ndjenjën e humorit, shpirtin human e finik, këmbënguljen në realizmin e roleve e karaktereve njerzore mbetet simbol i humorit në Durrës dhe një përfaqsues tipik i kësaj gjinie në rang kombëtar. Si aktor karakteresh të shtresave të ndryshme Rema ka pasur një komunikim të vecantë me spektatorët, jo vetëm në sallë por dhe në komunitet. Ai mban mend qindra persona të cdo niveli, një vecori e tij që ja mundësonte skalitjen e roleve e personazheve në shfaqjen e radhës. Estrada e Durrësit u fuqizua mbas vitit 1974, kur u bënë pjesë e saj, një sërë aktorësh e regjizorësh të talentuar, të cilët ndoqën shembullin dhe trashëgëminë e pioniervë të kësaj gjinie Ramazan Ngjala, Nikolin Xhoja, Spiro Strati, etj. Nga viti në vit niveli artistik dhe pjekuria profesionale e trupës sonë ka shënuar rritje, tha ai. Ne dhe në fushën e parodisë patëm sukses me angazhimin e zonjës Liri Lushi, ndërsa del në pah dhe madhështia e Haxhi Ramës si regjizor për mëse dy dekada. Mendoj se në shfaqjen “Tre burra kërkojnë një grua” në të tre si aktorë, pra Rema, Fadili dhe unë kemi bërë një nga perforamncat më të mira skenike. Përpjekjet tona për të sjellë para publikut dicka të re, kanë qenë një vecori tjetër e punës sonë, përpiqeshim me orë të tëra për të zbërthyer një personazj, karakter, për të mos e lënë spektatorin të mërzitej. Por mbi të gjitha ne kemi pasur një kolektiv të mrekullueshëm, ku miqësia e sinqeriteti mishëronin një bashkëpunim të frutshëm në shfaqje dhe jashtë saj. Ndaj dhe kjo mbrëmje ka kaq shumë pjesmarrje.Të gjithë i gëzohen faktit që një koleg i tyre nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ta gëzojë këtë titull Miku dhe kolegu ynë “Muharrem Hoxha”! Por njëkohësisht uroj që kjo traditë e spikatur e humorit durrsak të ketë vijimësi në të ardhmen. Më gëzon fakti që në këtë mbrëmje ka dhe plot aktorë të rinj të kësaj gjinie, theksoi aktori durrsak Roland Koca.

Filed Under: Kulture Tagged With: nderon Muharrem Hoxha, presidenti Nishani, Shefqet Kercelli

Presidenti Nishani-Komisionit te Reformes ne Drejtesi:Po e ktheni vendin në aktor qesharak në raport me partnerët

October 14, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani i dërgon letër Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi/
Tirane,14 tetor 2015/
Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi/
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë/
Për Dijeni:Kryetarit të Kuvendit të Shqiperisë, z. Ilir Meta/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, z. Gramoz Ruçi/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDSH, z. Edi Paloka/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, z. Petrit Vasili/
Lënda:Në lidhje me procedurat e ndjekura nga Komisioni i Posaçëm në lidhje me Reformën në Drejtësi./
Të nderuar anëtarë të Komisionit,/
Një nga 5 prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian, parakusht për hapjen e Negociatave të Anëtarësimit në BE, është realizimi cilësor dhe në kohë i reformës në drejtësi.
Progres-raporti i vitit të kaluar për Shqipërinë, konkluzionet e Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, si dhe qëndrimet publike dhe zyrtare të të gjithë interlokutorëve e partnerëve evropianë dhe strategjikë të Shqipërisë, cilësojnë paekuivok se reforma në drejtësi përbën një prioritet parësor, dhe se ajo duhet arritur përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës e konstruktiv, në partneritet me Komisionin e Venecias, e institucione evropiane e ndërkombëtare që na asistojnë prej vitesh në këtë fushë.
Përveçse një detyrim madhor në raport me rrugën evropiane qe kemi nisur, reforma në drejtësi përbën një domosdoshmëri me rëndësi jetike për vendin.
Gjithaq e rëndësishme, është pritshmëria e lartë e legjitime e qytetarëve shqiptarë të cilët presin një reagim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucioneve relevante për të vendosur një standard të ri e të merituar në sistemin tonë të drejtësisë, që vuan sa nga korrupsioni e pandëshkueshmëria, ashtu edhe nga mungesa e profesionalizmit dhe politizimit akut.
Duke konstatuar me keqardhje mungesën e iniciativës dhe zvarritjen rutinore për çeljen e këtij procesi, një vit më pare, thirra në një tryezë gjithëpërfshirëse aktorët e drejtpërdrejtë dhe asistues, me besimin se kjo do të shërbente si një kambanë zgjimi dhe katalizator i një angazhimi të ri.
Pavarësisht hapave fragmentarë e të njëanshëm që u ndërmorën gjatë vitit të kaluar, të cilët nuk sollën asnjë përmirësim, as cilësor e as përmbajtësor në sistemin tonë të drejtësisë, mirëprita angazhimin që palët ndërmorën gjatë këtij takimi, duke premtuar mbështetje të çdo përpjekjeje që do të pasonte këtë pikënisje të re.
Duke njohur vështirësitë e klimës së polarizuar politike, por edhe domosdoshmërinë për të përparuar me këtë proces, kam mirëpritur përpjekjet e para për të bërë një analizë të qenësishme, orientuese për strategjinë kombëtare të reformës në drejtësi.
Po kështu kam mirëpritur me kënaqësi angazhimin e partnerëve tanë që kanë asistuar me ekspertizën e eksperiencën e tyre të çmuar, duke shpresuar që kjo frymë bashkëpunimi të reflektohej në të gjithë etapat e procesit.
Por, me keqardhje kam konstatuar e ngritur shqetësimin e përsëritur për disa elementë, që mendoj se janë thelbësorë për efikasitetin, cilësinë dhe shpejtësinë e reformës në drejtësi.
Së pari, procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë.
Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj.
Së dyti, Komisioni i Posaçëm e ka zhvilluar veprimtarinë e tij në shkelje flagrante me vendimin nr. 96, të miratuar nga vetë Komisioni datë 27.11.2014, ku në nenin X specifikohet “Për çdo element të objektit të veprimtarisë së tij, Komisioni i Posaçëm do të organizojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, tryeza pune gjithëpërfshirëse me institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë dhe subjektet e tjera të interesuara.”
– Asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion;
– Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. Dorëzimi i materialeve bazë në momentin e fundit, është ngritur si shqetësim edhe nga aktorë të tjerë, duke e bërë thuajse të pamundur diskutimin përmbajtësor gjatë takimeve të organizuara.
– Referuar vendimit nr.4, datë 22.12.2014 “Për ngritjen e Sekretariatit Teknik”, Institucioni i Presidentit të Republikës ka caktuar një përfaqësues, i cili nuk është ftuar as edhe një herë në takimet Sekretariatit.
– Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është ftuar të ketë përfaqësues në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pavarësisht proces-verbalit të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm dt. 22.12.2014.
– Në asnjë rast nuk janë realizuar intervista apo takime me Institucionin e Presidentit lidhur me hartimin e raportit analitik për Reformën në Drejtësi, siç pretendohet në pikën IX të vendimit 96/2014.
– Në muajin Maj 2015, u realizuan me shpejtësi 6 tryeza pune, dhe Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një prej tyre, në datë 18 Maj 2015.

Siç u konkludua edhe gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit nuk mund të bënin një diskutim përmbajtësor rreth materialit të përgatitur nga grupi i ekspertëve “Analiza Kushtetuese mbi Reformën në Drejtësi dhe Analiza Ligjore mbi Reformën e Gjykatës Kushtetuese”, pasi materiali u vu në dispozicion vetëm në fillim të takimit.
– Në fund të muajit Qershor dhe gjatë muajit Korrik janë zhvilluar 9 forume rajonale të konsultimit publik referuar Raportit Analitik për analizën në sistemin e drejtësisë.
Në lidhje me këto aktivitete sërish Institucioni i Presidentit është njoftuar me vonesë për të siguruar pjesëmarrjen, por asnjëherë në rolin e njohur nga ana e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces. Forumet nuk kanë siguruar një pjesëmarrje dhe aq më tepër konsultim të gjerë.
Pjesëmarrja është siguruar përmes thirrjes nominale të personave të caktuar, në mungesë të plotë të njoftimeve publike për të interesuarit.
Nga ana tjetër, asnjë nga komentet dhe sugjerimet e Institucionit të Presidentit dhe të aktorëve të tjerë pjesëmarrës në këto forume, nuk janë reflektuar në as edhe një rresht të Dokumentit final të miratuar datë 30 korrik. Në deduksion logjik, këto takime kanë shërbyer vetëm si tryeza formale apo makiazh i procesit.
Lidhur me sa më sipër, vlerësoj se shmangia e qëllimtë e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe e aktorëve të tjerë me peshë e integritet nga bota akademike dhe shoqëria civile, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij.
Kompromentimi i këtij procesi arrin deri në kufijtë e mashtrimit publik mbi veprimet apo mosveprimet e Presidentit të Republikës të cilat veçse njollosin reformën dhe frymën mbi të cilën po krijohet ajo.
Pavarësisht këtyre rrekjeve të pashpresa, qëndrimi i palëkundur i Presidentit të Republikës ka mbetur koherent dhe konsekuent për domosdoshmërinë e avancimit të reformës në drejtësi, sipas parimeve dhe standardeve më të larta evropiane.
Së treti, në lidhje me anën përmbajtësore të Reformës dëshiroj të ve në dukje se, Raporti Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si p.sh. rasti i Ukrainës).
Fakti që Dokumenti fillestar i prezantuar në muajin Maj, është krejt i njëjtë me Dokumentin final të miratuar në muajin Korrik, me vendim nr. 14 datë 30.7.2014, do të thotë se procesi dhe metodologjia e ndjekur kanë qenë në rastin më të mirë të padobishme e joefikase dhe në rastin më të keq janë konsideruar si detyrime formale për të finalizuar procesin, gjithsesi të njëanshëm.
Situata po bëhet edhe më shqetësuese pas hapave të ndërmarrë rishtaz, të cilat kanë krijuar një kaos të vërtetë, dhe po e kthejnë vendin në aktor qesharak në raport me partnerët.
Komisioni i Posaçëm, pasi ka miratuar Raportin Analitik “Analizë e sistemit të drejtësisë”, në të njëjtën ditë ka miratuar në parim Dokumentin Strategjik dhe Plan veprimin, si dhe ka përcjellë në mënyrë krejtësisht arbitrare e të njëanshme aktet ligjore që parashikojnë ndryshime kushtetuese në Komisionin e Venecias.
Ndërkohë që as Dokumenti strategjik dhe as plan veprimi nuk janë diskutuar dhe as miratuar në tërësi, me dakortësinë e të gjithë palëve, në turravrap, janë përcjellë një paketë ndryshimesh për të cilat duhet të shprehet një institucion prestigjioz ndërkombëtar, që ka treguar bujarinë dhe angazhimin serioz për të na asistuar në këtë proces.
Pra përkundër asaj që u diskutua e dakortësua në takimin e 6 tetorit 2014, në prezencë edhe të Presidentit të Komisionit të Venecias, se pala shqiptare do të përcillte për mendim fillimisht Dokumentin Strategjik, e më pas sipas një plani pune paketën ligjore me ndryshimet përkatëse, Komisioni i Posaçëm ka përcjellë paketën ligjore për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që tashmë pritet të përcillen edhe dy platforma të tjera.
Kjo mënyrë sjelljeje institucionale, jo vetëm nuk e ndihmon procesin, por na kthen në aktorë joseriozë në raport me Komisionin e Venecias.
Sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj, se reforma në drejtësi duhet të jetë një proces që t’i shërbejë në radhë të parë dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë dhe të mos përdoret si një instrument për të përmbushur aspiratat individuale apo orekset politike.
Kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, objekt i një debati të gjerë publik, dhe të zhvillohet mbi shinat parimeve të gjithëpranuara e standardeve më të larta evropiane.
Ju siguroj se çdo përpjekje juaja apo e kujtdoqoftë që ecën në këtë drejtim do të gëzojë gjithherë mbështetjen më të plotë të Institucionit të Presidentit të Republikës, dhe jam i sigurt edhe mirënjohjen e qytetarëve shqiptarë.
Me besimin për reflektim serioz dhe gatishmërinë për bashkëpunim,
Bujar Nishani

Filed Under: Analiza Tagged With: komisionit te Posacem, leter, presidenti Nishani, Reformat en Drejtesi

Nishani vlerëson Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

October 5, 2015 by dgreca

dekorimi-simon-gjetaTIRANË, 5 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Presidenti Bujar Nishani vlerësoi sot Nënkomisarin Simon Gjeta (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.”

Nënkomisarin Simon Gjeta, ra dëshmorë ditën e shtunë në mbrëmje, në përpjekje për të kapur një shtetas në kërkim. Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij. Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.

Trupi i pajetë i nënkomisarit Simon Gjeta mbërriti pranë familjes në Tiranë i shoqëruar nga policia. Ishte vetë kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako që i dorëzoi me përulje familjarëve të afërmin e tyre për t’i dhënë lamtumirën e fundit, edhe pse do të donin që Simoni të vinte gjallë nga triumfi i tij i radhës në detyrë. Kryepolici Çako udhëhoqi operacionin ku u vra dhe personi që i mori jetën efektivit Gjeta.

Filed Under: Kronike Tagged With: dekoron, pas vdekjes, presidenti Nishani, Simon Gjeta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT