Presidenti Nishani i jep titullin “Nderi i Kombit” veprimtarit te dalluar te komunitetit z. Rrustem Gecajt/
TIRANE : Në një njoftim nga Tirana thuhet se Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka nderuar sot me titullin Nderi i Kombit, veprimtarin e dalluar të komunitetit shqiptarë në SHBA, zotin Rrustem Gecaj i cili njëhereshit është edhe pronari i kantinës së verës Stone Castel, në Rahovec – Kosovë.
Në njoftimin zyrtar të presidencës thuhet se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 27/04/2015, nr. dekreti 9056 zotit Rrustem Gecaj Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të thellë për veprimtarinë e tij të çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim, mbrojtje e mbështetje të çështjes kombëtare, si dhe për lartësimin e emrit dhe vlerave të rralla të bashkësisë shqiptaro-amerikane”.
Në Manhattan, New York, më 2 Qershor 2014- në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork, zotit Gecaj, i është dhënë nga Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga Medaljen Presidenciale të Meritave.
Në një ceremoni duke i dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin “Për veprimtarinë dhe angazhimin në afirmimin e Cështjes Kombëtare”, zotit Gecaj, Ambasadori Bekim Sejdiu, ish – Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në Nju Jork, përgëzoi z. Gecaj për kontributin e madh që ka dhënë për Kosovën, para dhe gjatë luftës, si dhe për kontributin që vazhdon të japë sot duke investuar në Kosovë –
Duke përuruar Sallën qendrore të Shtëpisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, në 27 maj 2014, në Bronx – New York, u nderua me një pllakë bronxi veprimtari i dalluar i komunitetit Rrustem Gecaj. Në këtë veprimtari morën pjesë, udhëheqësit e Vatrës dhe dhjetra aktivistë e veprimtarë të komunitetit.
Në pllakën e vendosur në mur është gëdhendur shënimi: “The Renovation of these Premises Donated by Mr. Rrustem Gecaj – April 2014” (Rinovimi i këtyre mjediseve është dhuruar nga z. Rrustem Gecaj – Prill 2014) /Beqir SINA/
PRITJE E NGROHTE E PRESIDENTIT NISHANI NGA ARBERESHET
Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani përmbyll vizitën në qendrat me popullsi arbëreshe në Kalabri
Kalabri 9 prill 2015/
9 prill 2015
Kreu i Shtetit gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në qendrat me popullsi arbëreshe në Kalabri, zhvilloi një takim në Komunën e San Cosmo Albanese, me ftesë së Kryetarit të saj Cosmo Azzinari. Takimi u zhvillua në një atmosferë festive me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta vendore e qendrore të zonës së Kalabrisë.
Në fjalën e tij ndër të tjera, Presidenti i Republikës ripërsëriti respektin e mirënjohjen e madhe ndaj gjithë gjeneratave të arbëreshëve në Itali që kanë mbajtur gjallë identitetin e tyre, gjuhën e kulturën e pasur, duke u shndërruar në 500 vjet në një simbol të fortë të rezistencës dhe mbrojtjes së trashëgimisë së tyre. “Populli Italian,– tha Kreu i Shtetit – meriton falënderim e mirënjohje të veçantë për mikpritjen e tij në momente të vështira ndaj kombit shqiptar.”
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës në San Cosmo Albanese:
“I nderuar Zoti Kryetar i Bashkisë, Cosmo Azzinari,
Të nderuar përfaqësues të autoriteteve qendrore dhe vendore,
Të dashur vëllezër dhe motra arbëreshe,
Zonja dhe zotërinj!
Kam një emocion dhe ndjesi tepër të veçantë që gjendem sot këtu mes jush, jo si President i Republikës së Shqipërisë, jo si përfaqësues i bashkimit të popullit shqiptar, por si një shqiptar në venat e të cilit rrjedh i njëjti gjak
me ju, prandaj dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe mikpritjen vëllazërore me të cilën më keni bekuar përgjatë gjithë kësaj vizite duke më bërë të ndihem si në shtëpinë time së bashku me time shoqe dhe delegacionin zyrtar që më shoqëron.
Në këtë rrugëtim të ruajtjes dhe pasurimit të identitetit tonë të përbashkët arbëror, apo
më mirë shqiptar, në mbijetesën e tij shekullore, pika kulmore do të shënohej në fillim të shekullit XIX. Ishte koha kur në asnjë kënd të Evropës nuk flitej për një shtet shqiptar a për një gjuhë shqiptare, ku nëpër kancelaritë e saj Bismarku tallej me atmen (atdheun) tonë duke e quajtur Shqipërinë një ‘shprehje gjeografike’, por ama edhe kur ‘tatëmadhi i Arbërit’, siç thirrej De Rada nga
arbëreshët, merrte pjesë nëpër tubimet ndërkombëtare dhe nënshkruante si përfaqësues i Arbërisë.
Atëherë kur në Shqipëri qe e ndaluar të shkruhej e të flitej shqip, kur mërgimtarët nuk guxonin të shkruanin as edhe një letër në shqip për familjet e tyre, kur propaganda antishqiptare siguronte se shkrimi në gjuhën
shqipe ishte i pamundur, madje edhe falja në shqip, sepse nuk kuptohej. Pikërisht në një epokë të tillë, për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për mërgimtarët, ishte një ngushëllim i madh dhe i thellë përgënjeshtrimi i shkëlqyer që u dhanë shpifjeve të tilla arbëreshët e Italisë me veprat, zakonet, simbolet, kostumet, këngët, mikpritjen dhe me traditat e tyre.
Por përveç kësaj, Shqipëria duhet t’u jetë përgjithmonë mirënjohëse këtyre bijve të saj të largët edhe për provën e mrekullueshme të dashurisë karshi racës së tyre që dhanë nëpërmjet përpjekjeve të mëdha për përpunimin e gjuhës. Qenë ata të parët që provuan se shqipja është një gjuhë e thellë dhe e plotë, e ëmbël dhe e aftë t’i japë formë edhe krijimeve më të epërme të imagjinatës poetike.
E në përmbushjen e këtij pohimi, një nderim i madh duhet t’i takojë vetë De Radës, Zef Skiroit, Jul Varibobës, Giuseppe Serembes, Giuseppe Krispit, Sotir Ferrarës, At Antonio Belushit si dhe shumë e shumë studiuesve dhe personaliteteve të tjerë të kulturës dhe liturgjisë kishtare arbëreshe, të cilët e lëvruan me devotshmëri shqipen në veprat e tyre, e folën në ritet fetare në kishat e bukura bizantine, por e përdorën me dashuri të zjarrtë edhe në të folurën e përditshme.
Në të gjitha ditët e jetës së këtyre figurave, Shqipëria ishte dhe mbeti një legjendë, një mit i pashlyeshëm. Midis gjuhës shqipe dhe asaj pellazge që e quajtën nënë e të gjitha gjuhëve, ata që me De Radën në krye arritën t’u japin njerëzve të vet një gjuhë letrare e që mundi t’u shprehë ambiciet më të thella politike, ishin ata që me veprat dhe aktivitetin e tyre arritën që t’i bënin prezent Evropës ekzistencën e një Shqipërie atdhe, me heronjtë, fisnikërinë shpirtërore, vlerat e rralla njerëzore dhe artistike dhe me shpirtin e saj të patjetërsueshëm evropian.
‘Rilindja e mëmëdheut qe ideali i gjithë jetës së tyre, e nëse sot kongreset ndërkombëtare, linguistët apo studiuesit e folklorit, kanë arritur ta shqyrtojnë me interes këtë cep të vogël të botës, e nëse më 1902, 21 gazeta të rëndësishme luftonin në faqet e tyre të para për kauzën shqiptare (18 vetëm në Itali, e njëra madje edhe në Londër), merita u takon vetëm atyre.
E në një moment si ky që po kalojmë, kur paragjykimet ideologjike kanë arritur ta mistifikojnë debatin mbi rrënjët e Evropës, De Rada na shfaqet gjithmonë argumentues jo vetëm si një pionier i atyre studimeve të mëvonshme krahasuese, por edhe pionier i një Evrope autentike, jo të panjohur ndaj lidhjeve shpirtërore që prej disa mijëravjeçarësh kanë mbajtur të lidhur me njëri-tjetrin njerëzit e këtij atdheu me të.
Do të qe mjaft domethënëse të ravijëzonim konturet e një triade të madhe shkrimtarësh në përpjekjet e tyre të madhërishme letraro-historike të një shekulli goxha vendimtar për Shqipërinë dhe gjuhën e saj. Që nga viti 1836 kur doli ‘Milosao’ i De Radës e deri më 1937 kur doli botimi i parë integral i ‘Lahutës së Malcis’ së Fishtës, duke përfshirë këtu edhe lirikat e mëdha patriotike të Naim Frashërit, zëri i të tre këtyre poetëve ritingëlloi me një fuqi të admirueshme e ringjallëse, duke i nxitur shqiptarët të zgjohen nga gjumi shekullor, të shohin se janë vëllezër dhe të bashkohen për të luftuar për liri dhe për një vend të denjë ndaj traditave të vjetra në familjen e popujve evropianë.
Në këtë panoramë, mund të thuhet se arbëreshët si De Rada, Skiroi, Matraga, Jul Variboba, Giuseppe Krispi dhe mjaft rilindas arbëreshë i bënë të vetat motivet e jetës së kombit arbëresh dhe idetë e botës së jashtme, mbizotëruese në epokën e tyre. Ishin pikërisht këta elementë, jeta arbëreshe dhe frymëzimi i jashtëm, atdheu dhe bota, që u bashkuan te bota e tyre në një unitet organik, ndonëse të padukshëm.
Ndaj, në këtë pikë të shtjellimit tim modest, më lejoni të sjell një ndihmesë sado të vogël, nëpërmjet pohimit të një fakti me rëndësi madhore se De Rada, si shumë arbëreshë të tjerë, përgjatë gjithë jetës së vet, u lidh me mish e me shpirt me dy hallka themelore të shqiptarisë: me gjuhën shqipe të ruajtur mrekullisht e për aq shumë shekuj pas mërgimit nga mëmëdheu, si dhe me Arbërinë dhe krenarinë se arbëreshët i përkasin atij etnikumi, dikur shumë të lëvduar e të përmendur për trimëri e punë të mëdha për atdhe e nder.
Të nderuar zonja e zotërinj!
Sot në kapërcyell të vitit të 103-të të shpalljes së pavarësisë saj, Shqipëria është një vend i pavarur, anëtar me të drejta të plota i Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake në botë, të NATO-s, duke aspiruar për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Mëmëdheu ynë është një vend ku mijëra e mijëra të rinj e të reja, janë diplomuar nëpër universitetet e shkollat më dinjitoze të Evropës e Amerikës dhe që mësojnë, punojnë dhe ëndërrojnë ta kthejnë atdheun e tyre në një nga vendet më të përparuara të botës.
Shqipëria në këtë shekull të XXI gëzon një autoritet e prestigj gjithnjë e më të lartë ndërkombëtar, me një rol kyç si në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në gjirin e koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Mëmëdheu ynë luan një rol gjithnjë e më aktiv e shumë të rëndësishëm për paqen e sigurinë në mbarë rajonin, duke pasur përkrah aleatë të fuqishëm e strategjikë.
Të gjitha këto arritje pozitive të mëmëdheut tonë nuk mund të ndahen dhe të përfytyrohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të Diasporës e të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave dhe angazhimit tuaj vital, të dashur bashkëkombas.
Prandaj, në mbyllje të këtij takimi të përzemërt e të paharrueshëm dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve në emër të popullit dhe shtetit shqiptar dhe t’ju uroj shëndet, suksese dhe lumturi në familjet tuaja! Ju faleminderit!”
* * *
Vizita vijoi në Vaccarizo me një ndalesë në muzeun mjaft të pasur etnografik të qytezës, një shprehje e gjallë e identitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të ruajtur me zell e pasion. Rrugët e vogla të qytezës ishin të mbushura me banorë që patën rastin të përshëndesin nga afër Presidentin e Republikës.
Atmosfera festive ishte e pranishme edhe në San Giorgio Albanese ku përpara selisë së komunës me qindra banorë, që valëvisnin flamuj shqiptarë, prisni mbërritjen e Kreut të Shtetit. Një vizitë në mjediset e komunës dhe pinakotekën e saj shërbeu për të shpërndarë edhe njëherë mesazhin kuptimplotë të rëndësisë së mbrojtjes së kulturës e traditave të hershme arbëreshe.
Presidenti i Republikës dhe delegacioni që e shoqëronte vijuan vizitën me një ndalesë në Kolegjin e Shën Adrianit, një nga qendrat kryesore të studimit e edukimit ndër shekuj në komunitetin arbëresh, vendin ku Jeronim De Rada e Luigj Gurakuqi kanë studiuar. Kompleksi i Kolegjit së bashku me kishën e hershme të ruajtur mjaft mirë përbën një shenjë të qartë të vullnetit të arbëreshëve për të mbrojtur gjurmët e të kaluarës së tyre.
Gjatë kësaj vizite Kreu i Shtetit në takimin e zhvilluar në Komunën e Shën Mitrit vlerësoi në një ceremoni të veçantë filozofin, poetin e iluministin Jeronim De Rada (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” si dhe kantautorin Giuseppe Cacozza me Titullin “Naim Frashëri”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bujar Nishani e konsideroi këtë vizitë një moment të veçantë në jetën e tij duke u ndier krenar për gjeneratat e arbëreshëve të Kalabrisë dhe duke u bërë homazh atyre për mbajtjen gjallë të identitetit kulturor.
Në Kishën ku është varrosur poeti De Rada, në Macchia Albanese ishte ndalesa e radhës e Presidentit të Republikës, i cili vendosi një buqetë me lule te varri i shkrimtarit De Rada dhe u përul me nderim përpara varrit dhe kujtimit të tij. Dita e dytë e vizitës së Kreut të Shtetit në Kalabri u përmbyll në muzeun etnografik të Santa Sofia D’Epiro dhe kishën e tij ku shprehu urimet më të mira dhe falënderimet për mikpritjen e ngrohtë e vëllazërore.
A DO TË VIJË PRESIDENTI SHQIPTAR TË TAKOJË ARVANITËT?
Thedhor Pangallos, personalitet i lartë i shtetit grek deklaronte:
Nuk jam historian që të sjell një mendim të bazuar historik, por jam Arvanitas dhe di historinë e familjes time ashtu siç e dinë edhe shumë arvanitas të Athinës./
Ne Foto:Nga vizita e presidentit Nishani ne Kalbari, 8 prill 2015/
Opinion nga Abdurrahim Ashiku-Athine/
Do të desha që Presidenti i Republikës së Shqipërisë të vinte një ditë në Greqi me një “kërkesë për vizë” nga Ambasadori i Republikës së Greqisë në Shqipëri z. Rokanas ku të shënojë fjalët e tij…
“Të gjithë në Greqi njohim arvanitët dhe gjuhën e tyre, që është gjuha e folur prej fiseve shqiptare në Greqi, një dialekt i gjuhës shqipe. Një gjuhë që flitet shumë në vendin tim, madje shumë i flasin të dy gjuhët. Disa prej tyre e përdorin edhe sot këtë gjuhë…”
Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Nishani u pa dje në dritaret e ekraneve të vegjël vendorë e satelitorë, midis Arbëreshëve të Italisë, në gëzimin dhe krenarinë e ligjshme të pritjes së një Presidenti dhe vlerësimin e disa personaliteteve të larta arbëreshe me dekorata të larta.
Diaspora shqiptare, shpërndarë në shekuj si farat që i merr era, ka nevojë për dorën dhe fjalën e ngrohtë që vjen nga rrënjët e hershme të saj, nga vendi mëmë, gjyshe, stërgjyshe…nga mesazhet njerëzore që e lidhin më shumë me rrënjët e të parëve.
Falë hapësirës historike që Italia u ka krijuar arbëreshëve në mbajtjen gjallë, madje edhe në kultivimin e gjuhës, zakoneve, këngëve, valleve, hapjes së shkollave, studimit të gjuhës shqipe deri në shkallë universitetesh, rrënjët e diasporës shqiptare në Itali kanë gjetur tokë pjellore e vazhdojnë të nxjerrin filiza, të rriten e të japin fryte.
Me radhët e mësipërme nuk kam ndërmend tu hyjë në pjesë studiuesve të çështjes arbëreshe, por në krahë hapje me ta, dua të ndalem paksa në një degëzim paraardhësish të tyre, degëzim që nis me vargjet e një kënge masivisht të njohur…
Moj e bukura More
Ku të lamë e ku më je?…
Fjala është për Arvanitët, për “harresën” zyrtare shtetërore që u është bërë dhe u bëhet tash e më shumë se treçerek shekulli shteti të formuar shqiptar, për harresën dje, por veçanërisht për HARRESËN sot.
Arvanitët, një popullsi që flet shqip, që ka zakone, këngë, valle, kostume shqiptare, që ka mall e dashuri për të parët e vet, që ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në Revolucionin Grek 1821-1828 për Pavarësinë e Greqisë nga Perandoria Otomane, që i kanë dhënë Greqisë personalitete të larta të politikës, shkencës, kulturës, artit deri në nivelet më të larta të shtetit…janë të pranuar zyrtarisht se janë me origjinë shqiptare.
Ambasadori Grek në Republikën e Shqipërisë Leonidha Rokanas i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptaro-Greke, ka folur për fenomenin Arvanitas, një fenomen që, sipas tij, nuk tregon vetëm që të dy popujt tanë mund të bashkekzistojnë, por edhe që mund të bëhen një, të pandashëm nga njëri-tjetri. Ai deklaroi:
“Në historinë tonë të përbashkët kemi një fenomen që njihet si ai i arvanitasve. Të gjithë në Greqi njohim arvanitët dhe gjuhën e tyre, që është gjuha e folur prej fiseve shqiptare në Greqi, një dialekt i gjuhës shqipe. Një gjuhë që flitet shumë në vendin tim, madje shumë i flasin të dy gjuhët. Disa prej tyre e përdorin edhe sot këtë gjuhë. Fenomeni arvanitas nuk tregon vetëm që të dy popujt tanë mund të bashkekzistojnë, por edhe që mund të bëhen një, të pandashëm nga njëri-tjetri”.
Thedhor Pangallos, personalitet i lartë i shtetit grek deklaronte:
Nuk jam historian që të sjell një mendim të bazuar historik, por jam Arvanitas dhe di historinë e familjes time ashtu siç e dinë edhe shumë arvanitas të Athinës. Le të mos harrojnë lexuesit se në kundërshtim me Athinën, periferia e Athinës zotërohej deri vonë dhe në shumë raste vazhdon të zotërohet nga fshatra që rrënjët e tyre shkojnë shumë mbrapa dhe thellë atje ku vetë familjet njihen mirë mes tyre.
Nga ana e babait tim Janaq Meleti (Haxhimeletis) kishte nderin të gjendej në krah të Karaiskaqit si nënkomandant i tij. Për çdo njeri që merr mundin të pyesë do të mësojë shumë histori nga të gjitha fshatrat arvanitase për kapedanët vendorë dhe trimat që luftuan për lirinë e atdheut të tyre
Arbërishtja ishte gjuha që fliste Kundurioti, Kryeministër i Greqisë, Bubulina, Boçari, Suliotët dhe shumë të tjerë. Ishte gjuha që kuptonte dhe dinte Karaiskaqi, Andruçoja e shumë të tjerë luftëtarë të revolucionit për pavarësi.
Në fushatën e Azisë së Vogël në vitet 1919-1922 arvanitasit nga Liosia luftonin me bajrakun e tyre. Nuk bënë as një hap mbrapa dhe ranë deri në të fundit. Vetëm kur të kuptojmë këtë do të kuptojmë edhe atë shikimin e arvanitasve të Athinës që përshkruan Tito Athanasiadhi në “Fëmijët e Njovit”. Katalogu i heronjve arvanitas të vrarë në 1922 është më i madh se të vrarët e të gjitha fshatrave të Greqisë së mara së bashku.
Sigurisht që arvanitasit nuk kanë prezencë të rëndësishme vetëm në librin e madh të të vrarëve të nderuar të kombit grek. Ata kanë prezencë të rëndësishme në botën e letrave, në shkencë dhe në institucionet e shtetit të ri veçanërisht duke marrë detyra shumë të larta ushtarake por edhe poste politike…”
Mund të citoj shumë, madje mund t’ju sjell edhe arvanitas të gjallë në bisedat që kam bërë me ta në zonën e Thivas dhe në zona të tjera të Greqisë.
Mund t’ju sjell edhe lotin mbi rrudhat e një arvanitasi që kur e takova për herë të parë më tha “Jam njëqind pa tre vjet” dhe kur e takova për herë të fundit më tha: “Jam njëqind edhe katër vjet”, momentin kur i dhashë një libër me intervistën e parë me Të, çastin kur me sy të përqendruar mbi shkrimin dhe fotografinë e tij me duar që i dridheshin më tha: “Po unë nuku di të lexoj!”.
Arvanitasit mund të them se janë në skaj të kujdesit dhe harresës së shtetit shqiptar, dje, por veçanërisht sot kur falë pranisë së mërgimtarëve nga Shqipëria është zgjuar si asnjëherë “Kushtrimi i të parëve”, dëshira për të foleë shqip, madje edhe dëshira për ta shkruar shqipen e tyre që ka kaluar gojë më gojë e i ka rezistuar si në asnjë vend tjetër asimilimit.
Kam pas fatin të njihem me arvanitas të mëdhenj si Aristidh Kola që “edhe në gojë të ujkut” u ngrit kundër serbëve të Millosheviçit, në përkrahje dhe në debate të mëdha televizive për mbështetjen e kosovarëve në betejën e tyre finale për Kosovën e Pavarur. Kam njohur, madje kam në bibliotekën time, libra të Tito Johallas ndër të tjerë një libër për Skënderbeun dhe një vepër voluminoze për arvanitasit e ishullit të Androsit, në analizë të fjalës së shqipes të banorëve të ishullit, një ndër ishujt e mëdhenj të Greqisë ku arvanitasit ishin shumicë.
Për arvanitasit janë shkruar (dhe vazhdojnë të shkruhen) shumë libra jo thjesht publicistikë e folklorikë por shkencorë, historikë, albanologjikë, biografikë.
Kësaj pasurie të mbledhur me përkushtim dhe kujdes profesional, në kushte aspak të favorshme, deri në kushte ilegaliteti, shteti dhe politika shqiptare i ka qëndruar dhe vazhdon t’i qëndrojë larg, në pozicionin pa sy për ta shikuar dhe pa veshë për ta dëgjuar.
Për disa muaj do të mbush nëntëmbëdhjetë vjet mërgimtar në Greqi. Në kujtesën time të fortë për shkak të profesionit të gazetarit që e kultivoj edhe këtu prej kaq kohe, nuk kam parë, nuk kam dëgjuar që ndonjë personalitet i lartë i shtetit shqiptar të ketë shkuar në ndonjë takim me arvanitas, në stere apo në ishuj.
Kam një koleksion CD me këngë arvanitase, këngë me tekste të Aristidh Kolës dhe me muzikë të Moraitit, këngë që i dëgjoj me dëshirë dhe më japin informacion e mall për jetën e gjallë që përshkruhet në to. Këto këngë janë kënduar dhe këndohen me raste anë e kënd Greqisë, veçanërisht në trevat arvanite por, keq më vjen, nuk i kam parë apo dëgjuar në skenat e festivaleve shqiptare e në veçanti në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës.
Presidenti ynë i nderuar, simbol i bashkimit të popullit shqiptar, ishte midis arbëreshëve të Italisë. Bisedoi me ta, këndoi e vallëzoi me ta, vlerësoi disa nga personalitetet e larta arbëreshe për ndihmesën që ata kanë dhënë dhe japin për rrënjët shekullore të tyre.
Presidenti ynë u mërzit, madje doli në një ankesë të pashembullt publike se dikush, diku, në shtetin e tij, i ka fshehur ftesën e ardhur nga Komuniteti Arbëresh në Itali.
Do të desha që Presidenti i Republikës së Shqipërisë të vinte një ditë në Greqi me një “kërkesë për vizë” nga Ambasadori i Republikës së Greqisë në Shqipëri z. Rokanas ku të shënojë fjalët e tij…
“Të gjithë në Greqi njohim arvanitët dhe gjuhën e tyre, që është gjuha e folur prej fiseve shqiptare në Greqi, një dialekt i gjuhës shqipe. Një gjuhë që flitet shumë në vendin tim, madje shumë i flasin të dy gjuhët. Disa prej tyre e përdorin edhe sot këtë gjuhë…”
Dhe mos harrojë: Mes arvanitasve ka kaq personalitete të larta historike, shkencore, njerëzore, sa një valixhe diplomatike nuk i nxë dekoratat “Nder i Kombit”…
Këtë kërkesë për “vizë” duhet ta bëjë edhe Kryetari i Kuvendit, edhe Kryeministri, edhe ministrat…
“Fenomeni arvanitas nuk tregon vetëm që të dy popujt tanë mund të bashkekzistojnë, por edhe që mund të bëhen një, të pandashëm nga njëri-tjetri”.
Mos u qëndroni larg arvanitasve! Ata sot kanë nevojë më shumë se kurrë për kujdesin e shtetit Amë, për mbijetesë…
Athinë, 9 prill 2015
Presidenti Nishani viziton qendrat me popullsi arbëreshe në Kalabri
Kalabri-8 prill 2015/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në ditën e parë të vizitës së tij në Kalabri vizitoi një sërë vendbanimesh të hershme arbëreshe ku u takua e përcolli mesazhe te të zgjedhurit e institucioneve qendrore e vendore, përfaqësues të institucioneve fetare e shoqërisë civile arbëreshe.
Fillimisht Presidenti Nishani u ndal në Firmo, një ngulim arbëresh me tradita të hershme e ku, sikurse u shpreh Presidenti Nishani duhet të vijohet me mësimin e shqipes për fëmijët e brezat e rinj. Ndalesa e radhës ishte qendra e Eparkisë në Lungro, ku në një takim të ngrohtë e vëllazëror Kreu i Shtetit u prit nga Peshkopi Donato Oliverio, si dhe autoritetet qendrore e vendore të Prefekturës së Kozencës.
Presidenti i Republikës nënvizoi pritjen e ngrohtë e vëllazërore që gjeti në Kalabri, dhe shprehu mirënjohjen e madhe për trashëgiminë shekullore që arbëreshët kanë ruajtur në shekuj. Presidenti Nishani vijoi më tej duke theksuar që arbëreshët e Italisë janë simbol i identitetit evropian të kombit shqiptar, dhe se shqiptarët kudo ndodhen sot, në Evropë, Amerikë apo Australinë e largët i janë mirënjohës trashëgimisë arbëreshe në shekuj. “Arbëreshët e Italisë” – theksoi Kreu i Shtetit “përmes figurave të shquara si Jeronim De Rada e Zef Serembe i kanë dhënë Evropës në kohën që jetuan e punuan atë çka janë shqiptarët. Arbëreshët janë dhe do të mbeten urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dëgjosh të flitet shqip sot në Kalabri është si të jesh në Arbërinë e dikurshme.” – u shpreh mes të tjerash Presidenti Nishani.
“Fjalët e arbëreshëve dalin nga zemra e zemra na bashkon.” – tha Kreu i Shtetit në fjalët e tij drejtuar përfaqësuesve të klerit gjatë takimit në Lungro. Takimet vijuan në mjediset e Komunës së Lungros të tejmbushur me banorë, të cilët përcollën me duartrokitje e këngë arbëreshe fjalën e Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani si dhe ceremoninë e dekorimit me Titullin “Mjeshtër i Madh” të këngëtares Anna Stratigò.
Fjala e plotë e Presidentit Nishani në Lungro:
“I nderuar Zoti Kryetar i Bashkisë,
Hirësia Juaj Peshkop,
Të nderuar bashkatdhetarë, artistë, dhe lëvrues të kulturës sonë të përbashkët,
Zonja dhe zotërinj!
Dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për ftesën që më keni bërë, në emrin tim personal, të Instucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të popullit shqiptar, ftesë, të cilën e pranova me kënaqësi për të ardhur këtu në Kalabri! Ju jam mirënjohës së bashku me bashkëshorten time dhe delegacionin që më shoqëron për mikpritjen shumë vëllazërore që na keni rezervuar!
Si një qytetar shqiptar, por edhe si Kreu i Shtetit dhe si simbol i unitetit kombëtar, gjithmonë e kam dëshiruar, madje ëndërruar një vizitë mes jush, në gjirin e arbëreshëve të Italisë së Jugut, jo vetëm për kontributin e çmuar që ju keni dhënë për ngjizjen e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar, për ndihmën e madhe lobuese që ju dhe paraardhësit tuaj i kanë ofruar vazhdimisht Shqipërisë në momentet e saj më të vështira, por edhe për atë aftësi dhe talent që keni treguar e provuar ndër breza për forcimin e miqësisë së kombit italian me popullin shqiptar, që nga koha e marrëdhënieve shqiptaro-veneciane e deri në ditët moderne të këtij shekulli.
Ndodh jo rrallë që për mirësjellje vlerësimi me fjalë, për personat apo vendet, popujt apo bashkësitë të përpiqet t’i kapërcejë meritat e tyre. Dhe ky i sotmi fatmirësisht nuk është një nga ato raste. Sado fjalë të bukura vlerësuese që të themi për arbëreshët e Italisë, ne shqiptarë që vijmë nga Shqipëria, të artikuluara qoftë edhe nga Kryetari i Shtetit të origjinës së tyre, është e vështirë, madje e pamundur që ato të shprehin meritat dhe vlerat e vërteta që ju mbartni për Shqipërinë. Madje nuk gjejmë as fjalët dhe as vlerësimet e duhura e të merituara për të çmuar atë që ju detyrohet me të vërtetë Shqipëria dhe kombi shqiptar anembanë botës.
Shqipëria ju detyrohet jo vetëm për atë që keni bërë, por edhe për kohën kur nisën ta bënit këtë gjë, në ato momente të vështira për mëmëdheun. Sipërmarrja e vështirë, por jo e pamundur e shpirtit tuaj në historinë politike të një vendi, përbëhet pikërisht nga jeta, kontributi, veçantitë dhe ngjarjet e atyre që shërbyen për t’ia ruajtur dhe për t’ia pasuruar kombit tonë të pavdekshëm thesarin kulturor, gjuhësor dhe artistik përgjatë periudhave të tilla.
Miqësia mes popullit shqiptar dhe atij italian është sa e vjetër aq edhe e faktuar nga një ndihmesë reciproke në historinë e lashtë të dy vendeve tona. Si Italia, e cila ka festuar me kohë 150-vjetorin e bashkimit të saj, ashtu edhe Shqipëria, e cila ka mbërritur në kapërcyell të gati 103-vjetorit të pavarësisë, kanë kaluar nëpërmjet tallazeve të historisë duke iu gjendur vazhdimisht njëra-tjetrës, përgjatë rrjedhës historike të shekujve.
Dhe në këtë rast mund të pohoj me plot gojë një të vërtetë ta pamohueshme: “Vetëm Deti Adriatik na ndan. Asgjë tjetër.”
Një rol të rëndësishëm dhe tejet jetik për ruajtjen dhe farkëtimin e kësaj miqësie dhe lidhjeje shpirtërore kanë luajtur edhe artistët e zhanreve të ndryshme, të cilët paçka se të shtyrë e të frymëzuar nga motive dhe rrethana të veçanta, kanë bërë të mundur që lidhjet kulturore dhe artistike të forcohen edhe më shumë, pavarësisht barrierave artificiale të dikurshme ideologjike nga diktatura e pashpirt komuniste që ne përjetuam në Shqipëri.
Një ndër këta artistë është edhe e shquara zonjë Anna Stratigò, të cilën me atributet që më jep Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, por edhe përkujdesi im i veçantë që buron nga shpirti për Diasporën shqiptare anembanë botës, dëshiroj ta vlerësoj për forcën e paepur të artit dhe shembullit të saj të rrallë, shprehjes së pasionit ngaherë të ndezur flakë për të mbajtur gjallë e pasuruar akoma edhe më tej tingujt, motivet, frymëzimin dhe traditat e origjinës sonë të përbashkët e të patjetërsueshme. Ju faleminderit!”
* * *
Vizita e Kreut të Shtetit vijoi në Frascineto ku këngët e vallet arbëreshe kishin pushtuar rrugët e sheshin e qytezës. Me veshjet shumëngjyrëshe arbëreshe gra, burra e fëmijë këndonin me shpirt e pasion në gjuhën e të parëve të tyre duke krijuar një atmosferë feste e cila u përcoll edhe në mjediset e teatrit të Frascineto-s ku Presidenti i Republikës shprehu emocionet e tij të thella për mikpritjen, ruajtjen e traditës, gjuhës, kulturës e zakoneve edhe pas më shumë se 5 shekujve larg truallit shqiptar. Mes duartrokitjeve të shumta Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e institucioneve qendrore e vendore por edhe të vetë banorëve në ruajtjen e çuarjen përpara të vlerave më të mira të traditave të hershme.
Presidenti i Republikës ndër të tjera falënderoi autoritetet italiane për krijimin e kushteve për integrimin e plotë edhe të brezit të ri të emigrantëve pas viteve ’90-të, të cilët sot kanë një vend të denjë në zhvillimin e prosperitetin e shoqërisë italiane. “Shqipëria dhe Italia nuk janë vetëm vende fqinje, por edhe dy vende mike të cilat kanë shumë mundësi të vijojnë në rrugën e përbashkët të bashkëpunimit e forcimit të lidhjeve mes tyre,” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Gjatë ceremonisë Kreu i Shtetit duke vlerësuar rolin e drejtuesve fetarë, por edhe të mësuesve e lëvruesve të gjuhës shqipe, vlerësoi me Dekoratën Nënë Tereza (pas vdekjes), poetin, gjuhëtarin dhe priftin e mirënjohur arbëresh Emanuele Giordano, lëvruesin e gazetave e revistave Demetrio Emanuele me Titullin Naim Frashëri si dhe mësuesen Lucia Martino me Titullin Mjeshtër i Madh.
Fjala e plotë e Presidentit Nishani në Frascineto:
“I nderuar zoti Kryetar i Komunës, Angelo Catapano,
Fort të nderuar klerikë arbëreshë,
Të nderuara autoritete vendore, studiues dhe personalitete të kulturës arbëreshe!
Të dashur vëllezër arbëreshë!
Zonja dhe zotërinj!
Ju jam shumë mirënjohës në emër të Institucionit që unë përfaqësoj, atij Presidentit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të mbarë popullit shqiptar, por edhe në emrin tim personal, prandaj dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën që më keni bërë për këtë vizitë, këtu në Kalabri dhe mikpritjen shumë miqësore, madje vëllazërore dhe të rrallë që më kemi përkushtuar!
Në këtë kuptim, atij të vëllazërisë, të të njëjtës origjinë dhe gjak arbëresh që na rrjedh ndër venat tona, edhe historia e Shqipërisë, e një kombi që vetëm në periudha të shkurtra e të rralla arriti të provojë një pavarësi e liri të vërtetë, (derisa mundi ta fitojë atë në fillim të shekullit të shkuar), e njeh padyshim dhe e pranon një lidhje të tillë të pathyeshme.
E për të dëftuar se kjo lidhje shpirtërore, fetare dhe kulturore ka arritur deri më sot të përfundojë gjithmonë me fitoren e shpirtit të kombit, mund të shërbejë fakti i thjeshtë, që përgjatë gjithë atyre shekujve të nënshtrimit politik e madje dhe kulturor, gjuha, kultura dhe simbolet shqiptare arritën të mbeteshin gjithnjë gjallë mes shqiptarëve e mes bijve të saj në Diasporë, me një kryeneçësi dhe një krenari të atillë, sa mund të ngrihet në mënyrë të pavullnetshme pyetja nëse do të kish ndodhur vallë kështu, pa ekzistencën e asaj force ringjallëse e ripërtëritëse që dhanë arbëreshët.
Populli shqiptar i hapërdarë pjesë-pjesë (gjaku ynë i shprishur do të perifrazonte De Rada) arbëreshëve iu fanitej i mbështjellë i tëri me dritën e shekullit XV, kur Skënderbeu mbushte botën me famën e luftërave të tij, në mbrojtje të Perëndimit.
Të dashur vëllezër dhe motra arbëreshe!
Dashuria dhe përkushtimi juaj në krahë të dheut tuaj të origjinës është një histori më vete që ka pasur një ndikim të pazëvendësueshëm në jetën dhe ekzistencën e kombit dhe të shtetit shqiptar. Por ajo është një histori që ndërkohë po vazhdon, që po shkruhet edhe sot, nga viti në vit, nga dita në dite, nga ora në orë. Ajo është edhe sot një histori zgjuese që mund të shërbej si një pasqyrë e pastër ku jeta e sotme shoqërore shqiptare në kushtet e globalizmit dhe integrimeve shpesh edhe asimiluese duhet të verifikoj veten.
Kudo në Shqipëri sot po vlerësohet duke u parë me simpati një përpjekje e vazhdueshme e elitës arbëreshe nëpërmjet personaliteteve te tillë të kulturës dhe shkencës si Profesor Mateo Mandala, Profesor Italo Fortino, Profesor Françesko Altimari, por edhe mjaft kontribuues të tjerë, artiste, këngëtarë, mësues apo artizanë, që duke ecur në gjurmët e pararendësve të tyre të çojnë më tej kontributet e tyre gjuhësore në shërbim të albanologjisë, arsimimit, kulturës, simboleve dhe traditave shqiptare .
Në këtë “mare magnum” të globalizmit dhe përshpejtimit te ritmit të ndryshimeve dhe epokave kemi nevojë për më shumë për njeri tjetrin. Forcimi i lidhjeve ndërmjet vendit tuaj të origjinës dhe neve më shumë se çdo rast tjetër është diçka e thjeshtë dhe e natyrshme që nuk ka asnjë pengesë. Ne tashmë jemi një shoqëri e lirë dhe këtë liri duhet ta shfrytëzojmë për të bërë të mundur që kontributi ynë i përbashkët dhe integrues t’i shërbej jo vetëm forcimit të identitetit tone kombëtar dhe evropian, por dhe forcimit të mëtejshëm të lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, rol të cilin arbëreshët e kanë luajtur dhe përmbushur gjithmonë me pasion dhe mençuri.
Sot jemi dëshmitarë se emigrantët shqiptarë punojnë, studiojnë dhe jetojnë në të gjithë Italinë, duke u integruar më së miri në shoqërinë italiane.
Ish-këshilltari im i Kulturës, i ndjeri Amik Kasoruho jo vetëm ka jetuar mes jush, por edhe ka kontribuar me thjeshtësinë dhe përunjësinë e tij karakteristike në mirëmbajtjen e gazetës “Katundi Ynë”, vepër për të cilën edhe është vlerësuar prej jush para një dekade e gjysmë. Ky fakt vërteton më së mirë se lidhjet shpirtërore, letrare, gazetareske, gjuhësore jo vetëm nuk janë shuar kurrë, por përkundrazi ato vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të gjallojnë më të fuqishme se kurrë edhe pse kanë kaluar shekuj që nga mërgimi fatkeq i të parëve tanë të përbashkët nga njëri breg tek tjetri i Adriatikut tonë blu.
Prandaj sot jam këtu mes jush për të nderuar dhe vlerësuar, edhe ndoshta me pak vonesë, Emanuele Giordanon, poetin, gjuhëtarin, por mbi të gjitha njeriun e Zotit, i cili provoi dhe tregoi më së miri ruajtjen e tipareve tona të dlirëta dhe origjinale evropiane, qoftë fetare, qoftë gjuhësore, e qoftë kulturore.
Çmojmë sot së bashku Demetrio Emanuelen me veçoritë e tij të rralla të ndjekësit besnik të traditave më të mira të shtypit arbëresh, të cilat ia dolën mbanë ta rrezatojmë dijen dhe kulturën e qashtër duke mbërritur valë-valë me jehonën e tyre edhe në bregun tonë të Adriatikut e duke çarë tej e tej errësirën e madhe ideologjike që na kishte pllakosur në mënyrë të imponuar për gati një gjysmë shekulli, por edhe Lucia Martinon, e cila sikurse të gjitha mësueset, këto misionare të vërteta të gjuhës dhe kulturës shqipe arbëreshe, ka bërë gjithçka për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditat e trashëguara nga të parët e tyre. Ju faleminderit!”
Atmosfera festive vijoi edhe në qendrat e Civita dhe Spezzano Albanese, ku u shpalosën këngët, vallet e kostumet shumëngjyrëshe arbëreshe, dhe ku Kreu i Shtetit kërkoi nga të pranishmit të ruajnë e trashëgojnë këto vlera për brezat që vijnë. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e tij më të lartë ndaj shtetit dhe popullit italian për mikpritjen e tyre dhe garantoi se miqësia mes dy popujve tanë do të vijë gjithnjë duke u forcuar. Dita e parë e vizitës së Presidentit Nishani në Kalabri u përmbyll me një përshëndetje të ngrohtë në kishën e Spezzano Albanese që u përcoll me duartrokitje të vazhdueshme nga qindra arbëreshë të mbledhur me rastin e kësaj vizite dhe për të takuar nga afër Kreun e Shtetit shqiptar.(Marre nga faqa zyrtare e Presidentit)
Presidenti Nishani në Tuz: Shqiptarët në Mal të Zi, faktor stabiliteti dhe urë lidhëse mes dy vendeve
Kronikë nga vizita shtetërore e Presidentit Nishani në Mal të Zi/
Me 23 mars 2015 Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani dhe në krye të delegacionit zyrtar nisi një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi me ftesë të homologut të Tij, Sh.T.Z Filip Vujanović.
Gjatë kësaj vizite dyditore Presidenti Nishani është pritur nga Presidenti malazez Vujanović me të cilin në fillim pati një takim kokë më kokë, e më pas kanë kryesuar bisedimet dypalëshe të delegacioneve respektive.
Më tej, Kreu i Shtetit shqiptar kishte takime me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapić si dhe me Kryeministrin Milo Đukanović.
Agjenda e vizitës shtetërore të Presidentit Nishani përfshiu edhe disa takime në Komunën e Tuzit e të Ulqinit, në Tivar si dhe një takim të veçantë me Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Presidenti Nishani u prit nga Presidenti Filip Vujanović në kuadrin e vizitës shtetërore në Mal të Zi/
Ne ditën e pare të vizitvs, më 23 mars 2015,Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në kuadrin e një vizitës shtetërore në Mal të Zi, u prit sot nga Presidenti, Filip Vujanović, me të cilin bisedoi dhe shkëmbeu mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal, evropian, por edhe global.
Presidenti i Republikës i vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi si marrëdhënie shumë të mira e miqësore, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta. Kreu i Shtetit u shpreh se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përbëjnë një model fqinjësie shumë të mirë dhe orientimi i qartë i tyre euro-atlantik e bën edhe më të fortë këtë marrëdhënie.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në jugun e Shqipërisë, si dhe shprehu interesin e Republikës së Shqipërisë për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kreu i Shtetit theksoi se të dy vendet duhet të bëjnë më shumë që edhe bashkëpunimi ekonomik të ndjekë bashkëpunimin shumë të mirë politik, duke u shprehur se: “Duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve për të evidentuar, vlerësuar dhe shfrytëzuar sa më mire potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore”.
Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. “Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit
rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin rajonal si dhe kontributin e qenësishëm që të dy vendet po japin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë. “Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon”- u shpreh Kreu i Shtetit. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan pjesëmarrjen aktive të të dy vendeve në organizatat dhe iniciativat rajonale dhe shprehën mbështetjen për nxitjen dhe forcimin e tyre të mëtejshëm.
Presidenti Nishani i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe çështjeve të pakicave kombëtare, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të dy vendet tona si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi se dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton Kushtetuta dhe kuadri ligjor i të dy vendeve, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen të mirëpërfaqësuar duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike. Gjithashtu, Presidenti Nishani vuri në dukje rëndësinë e respektimit të së drejtës së pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe që shqiptarët e Malit të Zi të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare. “Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe progresin e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe theksoi se Shqipëria është një nga vendet e Aleancës që ka mbështetur dhe do të mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë. “Politika e dyerve të hapura të Aleancës është një proces me rëndësi jetike dhe Shqipëria beson se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të Aleancës dhe sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në fund të takimit, Presidentët e të dy vendeve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Deklarata e Presidentit Nishani gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Vujanović/
I nderuar zoti President, i dashur Filip,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Së pari, dëshiroj edhe njëherë ta falenderoj Presidentin Vujanović për fjalët e mira, si dhe t’i shpreh mirënjohjen për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë e miqësore që na ka krijuar, mua, bashkëshortes sime, si dhe delegacionit që më shoqëron në këtë vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Faleminderit i dashur Filip!
Për ne shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj por edhe një vend mik, me të cilin ndajmë vlera dhe sfida të përbashkëta.
Gjatë takimit të sotëm patëm mundësinë të bisedojmë e shkëmbejmë mendime në frymën e fqinjësisë së mirë që karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve tona, për të gjitha çështjet dypalëshe me interes të ndërsjellë, por gjithashtu edhe për ato problematika që shqetësojnë vendet dhe rajonin tonë, si dhe sfidat e kërcënimet në nivel global.
Kam kënaqësinë të theksoj këtu se, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, përbëjnë një model fqinjësie shumë të mirë. Në kuadrin e këtyre marrëdhënieve i shpreha mikpritësit tim, në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderimet e sinqerta për ndihmën e dhënë në përballimin e përmbytjeve të kohëve të fundit në Jugun e Shqipërisë. Sigurisht, ashtu siç theksoi edhe Presidenti Vujanović thelbi i bisedimeve tona ishte nxitja e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht atij ekonomik, që është ende larg nivelit shumë të mirë të bashkëpunimin politik. Por për këtë do të duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve, në mënyrë që të evidentohen, vlerësohen dhe shfrytëzohen potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore.
Kuadri ligjor i bashkëpunimit që kemi në fuqi, na lejon të eksplorojmë mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e infrastrukturës, energjetikës, telekomunikacionit, turizmit, etj. Në këtë kontekst, e një rëndësie të veçantë ishte nënshkrimi së fundmi i marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik dypalësh.
Por, niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimit të rajonit tonë në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal dhe konkurrencës, duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor dhe social të rajonit tonë.
Bashkëpunimi rajonal ishte një temë tjetër e rëndësishme në bashkëbisedimin tonë dhe me krenari konstatojmë se vendet tona, kanë dhënë e po japin një kontribut të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë.
Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë këtu edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në kontekstin e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrjes aktive të vendeve tona në organizatat dhe iniciativat rajonale, i shpreha edhe njëherë mikut tim Filip, dëshirën për ta parë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Tiranë, më 26 maj 2015, në mbyllje të Presidencës shqiptare të kësaj iniciative rajonale.
Me shumë interes ishte bashkëbisedimi për procesin e integrimit evropian të vendeve tona dhe anëtarësimi në NATO i Malit të Zi.
Lidhur me procesin e integrimit evropian, pata kënaqësinë që ta përgëzoj mikpritësin tim, Presidentin Vujanović, për ecurinë shumë të mirë të negociatave të anëtarësimit, si dhe të vlerësoj bashkëpunimin mes dy vendeve në këtë proces, duke theksuar se modeli kroat dhe ai malazez, janë modele shumë të mira edhe për vendet e tjera të rajonit.
Ndërsa për bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s, i shpreha mikut tim Filip, se Shqipëria është një nga vendet anëtare të Aleancës që ka mbështetur dhe do të mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë, pasi vlerësomë se Politika e Dyerve të Hapura të Aleancës është një proces me rëndësi jetike.
E garantova Presidentin Vujanović se Shqipëria beson se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të Aleancës dhe të sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike.
Një vend të veçantë në bisedën tonë zuri dhe interesi përbashkët për çështjet e paqes dhe sigurisë, si dhe u shpreh interesi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin bilateral dhe rajonal kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar. Të dy vendet tona po japin proporcionalisht kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në zona të nxehta të botës. Sot askush nuk është imun nga kërcënimet e terrorizmit të veshur me ngjyrime fetare dhe për këtë kërkohet veprime të përbashkëta dhe koordinim të agjencive të specializuara.
Gjithashtu, në bisedën tonë trajtuam edhe çështjet e pakicave kombëtare, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të dy vendet tona, si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie.
Dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Në këtë kontekst dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar ne Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucione publike.
Të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare.
Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.
Po kështu nënvizoj se, në Shqipëri, jemi shumë të angazhuar për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë dhe pakicën malazeze.
Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgimin e identitetit historik e kulturor kombëtar.
Në mbyllje, e falënderoj edhe njëherë Presidentin e Malit të Zi, mikun tim Filip, për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e garantoj se vullneti im për t’i nxitur dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet mes vendeve tona, nuk do të mungojë.
Faleminderit!
Takim me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Đukanović/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi zhvilloi një takim të veçantë edhe me Kryeministrin e Malit të Zi, zotin Milo Đukanović.
Presidenti i Republikës në bisedën me Kryeministrin e Malit të Zi vlerësoi kontributin personal të Kryeministrit Đukanović në krijimin e marrëdhënieve shumë të mira e miqësore mes Shqipërisë me Malin e Zi, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta.
Presidenti Nishani i shprehu Kryeministrit Đukanović mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në zonën e jugut të Shqipërisë. “Ndihma në raste fatkeqësish dhe katastrofash natyrore meritojnë gjithmonë mirënjohje, por kur ato vijnë nga një vend fqinj e mik ato janë të paçmueshme.” – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.
Presidenti i Republikës vlerësoi interesin e përbashkët të të dy vendeve për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar duke theksuar se ky bashkëpunim është ende larg marrëdhënieve shumë të mira politike. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se falë kuadrit ligjor të përbashkët, ekzistojnë të gjitha mundësitë që institucionet e të dy vendeve të evidentojnë, vlerësojnë dhe shfrytëzojnë sa më mirë potencialet dhe burimet natyrore dhe njerëzore për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në fushat me interes të ndërsjellë. Në mënyrë të veçantë, të dy bashkëbiseduesit trajtuan edhe mundësinë e nxitjes së projekteve konkrete, si në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar, përmes përmirësimit të infrastrukturës në lidhjet mes dy vendeve dhe nxitjes së turizmit në Liqenin e Shkodrës, por dhe përmes mundësisë së përmirësimit të lidhjes së linjës hekurudhore mes dy vendeve.
Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit, telekomunikacionit dhe bujqësisë kanë një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë. “Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani edhe në takimin me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Đukanović trajtoi çështjen e pakicave kombëtare duke vlerësuar rolin e tyre si ura lidhëse të rëndësishme e të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi duhet të ndihen të mirëpërfaqësuar si dhe duhet të respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj.
“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin e gjuhës shqipe, si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.
Takim me Kryetarin e Parlamentit, Ranko Krivokapić/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, gjatë vizitës shtetërore në Mal të Zi, zhvilloi një takim të veçantë edhe me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, zotin Ranko Krivokapić, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe mundësinë e ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit mes parlamenteve të të dy vendeve.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e luajtur nga Kryeparlamentari i Malit të Zi Krivokapić në krijimin e marrëdhënieve të ngushta të krijuara ndër vite mes dy parlamenteve të të dy vendeve, si dhe theksoi nevojën e vijimit të këtij bashkëpunimi në të mirë të proceseve integruese që Shqipëria dhe Mali i Zi po ndjekin në këtë moment.
Kreu i Shtetit vlerësoi progresin e Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit në BE dhe NATO, duke e garantuar zotin Krivokapić se Shqipëria, si vend anëtar i Aleancës, do të vijojë ta mbështesë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Shqipëria beson tek politika e dyerve të hapura dhe anëtarësimi në NATO, jo vetëm do të konfirmojë progresin e bërë nga Mali i Zi, por do t’i shërbejë edhe forcimit të mëtejshëm të Aleancës dhe sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike” – u shpreh Presidenti Nishani.
Presidenti i Republikës shprehu nevojën e intensifikimit të kontakteve mes dy parlamenteve si dhe besimin se diplomacia parlamentare dhe strukturat e parlamenteve të dy vendeve do të mbështesin të gjitha iniciativat dhe angazhimet dypalëshe dhe rajonale. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shprehu besimin se përfaqësuesit e pakicës kombëtare shqiptare të zgjedhur në Parlamentin malazez do të shërbejnë jo vetëm si urë lidhëse, por do të bëhen lokomotivë e këtij bashkëpunimi dypalësh.
Presidenti Nishani zhvilloi një vizitë në Komunën urbane me shumicë shqiptare të Tuzit/
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës shtetërore në Mal të Zi zhvilloi edhe një vizitë në komunën urbane me shumicë shqiptare të Tuzit, ku vizitoi Shkollën 9-vjeçare Mahmut Lekiç, si dhe u takua me përfaqësues të partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të kësaj komune.
Në pritje të Presidentit të Republikës kishin dalë drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e Shkollës Mahmut Lekiç si dhe shumë prindër, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht Presidentin e Shqipërisë. Presidenti Nishani i falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe emocionuese si dhe shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për mësuesit e kësaj shkolle, por
edhe për të gjithë ata që me përkushtim dhe pasion u kanë mësuar e trashëguar brezave të rinj gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta shqiptare.
Kreu i Shtetit u shpreh se një nga vlerat e çmuara të shqiptarëve ndër shekuj ka qenë respekti ndaj tjetrit, nga ku buron dhe e drejta legjitime e universale për t’u respektuar në mënyrë reciproke.
Ndërsa në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella. Duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi si një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe urë lidhëse mes dy vendeve, Presidenti Nishani theksoi se gjeti mirëkuptim dhe angazhim maksimal e të sinqertë nga drejtuesit më të lartë shtetëror për të adresuar kërkesat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi.
Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.
Presidenti Nishani pasi u njoh me problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Malit të Zi dhe përfaqësuesit e tyre politik në nivel qendror dhe lokal, përcolli vlerësimet për kontributin e çmuar ndër vite që shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në të gjithë rajonin, kanë dhënë në dobi të paqes e sigurisë në Ballkan, duke porositur që të punohet pa ndalur për ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e identitetit kombëtar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 12
- 13
- 14
- 15
- 16
- …
- 24
- Next Page »