• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES “VATRA” U DEKORUA ME “URDHËRIN E FLAMURIT”

September 28, 2014 by dgreca

Ndërkohë që VATRA u dekorua me dekoratën më të lartë të Shtetit Shqiptar, residenti i nderit i Vatrës, Agim Karagjozi dhe Kryetari aktual i VATRES Gjon BUcaj, u dekoruan me Urdhërin”Nderi i KOMBIT”/
Në mbrëmjen e së shtunës së 27 Shtatorit, në restorantin e njohur MAESTROS, vatranët dhe 15 shoqata të komunitetit shqiptar, pritën bujarisht presidentin e Republikës së Shqipërisë zotin Bujar Nishani.
Zotit Nishani ia uroi mirëseardhjen nën/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj.
Në fjalën e hapjes, z. Rexhaj, duke iu drejtuar të pranishmëve tha:” Më lejoni që në emërin tuaj t’ia urojmë mirëseradhjen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bujar NISHANI dhe Delegacioneve që e shoqërojnë:
MIRËSE ERDHËT ZOTI PRESIDENT!
Është kënaqësi që në këtë darkë, vijon tradita 104 Vjecare e Federatës Vatra, më e vjetra, më historikja e Kombit, ku bashkësitë Fetare janë së bashku, Luten së bashku, duke përcjellë kështu, traditën e tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar, traditë që edhe Papa Francesku, e potencoi dhe e ngriti aq lartë, gjatë dhe pas vizitës së tij të suksesshme në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë Etnike.
Po ashtu Vatra ndjehet mirë që në këtë mbrëmje përfaqësohen përvec saj edhe shoqatat e New Yorkut dhe më gjërë si: Shoqata Camëria,Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe, Fondacioni Plavë e Guci, Levizja e Legalitetit,New York, Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe” Detroit, Shoqata Atdhetare “Ana e malit” New York, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” në New York,Fondacioni “Dom Simon Filipaj” -New York, Fondacioni Humanitar “Malësia” në New York, Shoqata Atdhetare “Kraja” New York, Shoqata Atdhetare”Ulqini” Chikago, Shoqata “Rugova” në New York, Shoqata Kelmendi, Shoqata e Shkrimtareve etj. Pra e gjithë Shqipëria Etnike sic e ka ba Zoti ndodhet sonte këtu në këtë darkë bujare, duke përcjellë mesazhin e Kombit të bashkuar.
Kam nderin dhe privilegjin e vecantë që në emër të Vatrës dhe Vatranëve nga Amerika dhe Kanadaja, si dhe të gjitha shoqatave t’i uroj mirëseardhjen Zotit President dhe delegacioneve të vendlindjes. Mirë se keni ardhë në vendin e mikut më të madh të Popullit dhe Kombit Shqiptar, në Amerikën e Presidentit Ëillson, Klinton, Bush, që na janë gjendur në caste të vështira dhe kanë kontribut të vecantë në ekzistencën e Kombit Shqiptar.
Më pas ai ftoi koordinatoren e kësaj mbrëmjeje, studenten e dalluar shqiptaro-amerikane, fituese e një bursi të Fondit të Studentëve të Vatrës dhe së fundi përfituese e Fondit prestigjioz FulBright, zonjushën KRISELA KARAJA.
Më pas darkën e ka drejtuar studentja Krisela Karaja, e cila pas prezantimit të mysafirëve, ka ftuar pjesmarrësit që të ngrihen në këmbë dhe të përcjellin Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe të Hymnin Kombëtar Shqiptar.
Më pas:Një minut Heshtje për të rënët e Kombit!
Imam Edin Gjoni ka përcjellë Lutjen Fetare në emër të tre besimeve Fetare, rit ky tradicional i Vatrës që prej 104 vitesh.
Fjalën përshëndetëse në emër të Vatrës dhe të gjitha shoqatave e ka mbajtë Kryetari i Shoqatës CAMËRIA, Fuat Mamo.
Më pas ka përshëndetur Diplomati nga Kosova Korab Mushkolaj.
Presidenti Nishani ka fituar duartrokitjet e qindra pjesmarërsve tek ka vlerësuar diasporën shqiptare, Vatrën Historike dhe fjala e tij u shoqërua me duartrokitje të zgjatura.(Të plotë do të publikohet në Diellin e printuar)
Casti kulmor i mbrëmjes ishte dekorimi i Vatrës nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë” URDHËERI I FLAMURIT”. Po ashtu u dekorua me “Nderi i KOMBIT” Kryetari i nderit i VATRËS z. Agim KARAGJOZI dhe kryetari aktual Gjon BUCAJ. Duke marrë dekoratën e lartë, kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, tha:
I nderuem z. President,
Në emën tim, të bashkëpuntorëve të mij dhe të gjithë vatranëvet dhe të dashamirëve te VATRËS, Ju shpreh mirënjohjen e thellë për nderimin që Ju i bani kësaj organizate 102 vjeçare, me dekoratën ma të lartë, Urdhëri i Flamurit Kombëtar, të cilën e marrim në dorëzim me krenari, si vlersim për ata patriotë të mëdhaj që e themeluen në frymën e atdhedashunisë dhe mbi bazat e demokracisë amerikane, dhe për të gjithë ata që e mbajtën pandërpremje në shërbim të kombit e të atdheut.
Për vatranët e sotëm dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi, ky çmim prestigjoz na vjen edhe si mbështetje e fortë morale, në përpjekjet tona per t’a rritë dhe fuqizue Vatrën, që të mundet me i shërbye me dobi ma efektive çashtjes kombëtare. Me forcën morale dhe me prestigjin që i jep trashigimia e vet historike, ky institucion duhet të shfrytzohet për dobinë e kombit, me nji platformë që në rend të parë synon bashkimin e kombit dhe ecjen e tij drejt integrimit europjan, fitoren dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëvet që jetojnë në trojet e veta në shtetet për rreth, me nji përkushtim të veçantë për zgjidhjen e çashtjes çame.
Me këtë rast due të përshëndes të gjithë vatranët që, në këto dekadat e fundit, e kanë mbajtë Vatrën me përkushtim e sakrifica, si edhe vatranët e rij që po shtohen dita-ditës dhe që ata do t’ua përcjellin atë, të forte e të shëndoshtë, breznive të ardhshme.

********
Përsa i përket dekoratës time, Z. President, kjo më vjen si nji e papritun shumë e kandëshme, nji nderim i madh, për të cilin ju jam thellësisht mirënjohës, por edhe si nji obligim për t’u kujtue gjithmonë se shërbimi dhe nderimi për kombin janë detyra të vazhdueshme.
Gëzimin për këtë dekorim e shton fakti se, në këtë vit, me propozimin e VATRËS, do të dekoroni edhe vatranët që ranë viktima të pafajshme të regjimit gjakatar komunist.
Këtë nderim të sotem due t’a ndaj me bashkëpuntorët e mij dhe me të gjithë vatranët, si të hershmit për punën e përbashkët gjatë katër dekadave të fundit, ndër ta zoti Agim Karagjozi të cilin ju e dekoronii sonte me plot meritë, ashtu edhe me vatranët e rij që tash 3-4 vite i janë bashkue dhe gjithnji vazhdojnë t’i bashkohen VATRËS, tue krijue degë të reja në vendet ku banojnë shqiptarë në ShBA dhe ne Kanada, me vullnetin e fortë dhe me dëshirën për t’i shërbye çashtjes kombëtare me emnin dhe potecialin e saj. Jam i sigurtë se shumë prej tyne do të nderohen me çmime e dekorata të meritueme në të ardhmen.
Në anën përsonale, e ndjej nevojën me përmendë me krenari e mirënjohje farefisin tim dhe të gjithë banorët e katundin Arst, i ngjitun bashkë me Miliska, ku kam lindë dhe kam kalue fëmininë e parë, banorë të vorfën por fisnikë si të gjitha malsinat tona. E kujtoj me mall e mirënjohje Nanën, ndjesë pastë, që me ka dhanë bekimin me u largue në moshë të re, në kërkim të shkollimit, megjithë nevojën që kishte për ndimën e ma të madhit me i rritë katër fëmijt e mbetun heret pa babë.
Fati më ka sjellë me pasë mësuesa të mirë, shokë, miq te moshuem e të ri, në shtegtimin e gjatë prej vendlindjes, në Shkodër, ne Kosovë, në Itali dhe këtu në Amerikë, që kanë ndikue në formimin tim, me etjen për dituni dhe me frymën e atdhedashunisë. Tash jam bashkshort dhe prind i lumtun, dhe përjetoj gëzim të pafund kur ndëgjoj thirrjet në gjuhën shqipe: “Baba Gjysh, të due shumë”.
Në emër të z. Agim Karagjozi ka falenderuar i biri, Zuhdi Karagjozi dhe e bija.
Të pranishmit u argëtuan nga DJ Bujar Uka me bashkëshorten Anila , ndërsa Shoqëria Kulturore KELMENDI dhe Bashkimi Kombëtar, sollën Shqipërinë në sallën e mbrëmjes.
Deri në mesnatë ka vazhduar darka me këngë e valle shqiptare.(Me gjërë do të lexoni në Diellin e Printuar).

Filed Under: Vatra Tagged With: agim karagjozi, Gjon Bucaj, Nderi i Kombit, presidenti Nishani, Urdheri i Flamurit, Vatra

ORGANIZATA ÇAMERIA DHE 11 SHOQATA NË SHBA I DORËZUAN PRESIDENTIT NISHANI PETICIONIN PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME

September 27, 2014 by dgreca

Të Premten në mbrëmje, 26 shtator 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me kërkesën e Vatrës, priti në New York, një përfaqësi nga Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria në Amerikë dhe Kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj, që shoqërohej nga editori i Diellit, Dalip Greca. Përfaqësia e Shoqatës Çamëria kryesohej nga Kryetari Fuat Mamo dhe sekretari Endri Merxhushi dhe Armand Braho.
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i uroi mirëseardhjen në SHBA dhe e garantoi se Vatra dhe Komuniteti Shqiptar, vlerësojnë veprimtarinë e tij në krye të Shtetit Shqiptar. Po ashtu Kryetari Buçaj, falenderoi për imazhin e bukur që dhanë shqiptarët me rastin e pritjes së shkëlqyer që iu rezervua Papa Franceskut me 21 Shtator në Tiranë, duke i treguar Botës se Shqiptarët janë vend i civilizuar, kanë kulturë perëndimore dhe përcollën pasurinë më të çmuar shpirtërore, bashkëjetesën fetare.
Dr. Buçaj e falenderoi presidentin për vlerësimet që i ka bërë diapsorës së Amerikës, veçanërisht Federatës Vatra.
Presidenti Nishani, tha se e vlerësonte shumë mikpritjen dhe bujarinë e komunitetit shqiptar dhe rolin e madh që ka luajtur dhe luan Vatra në historinë tonë Kombëtarae. Përherë e kam vlerësuar, tha Presidenti, dhe do ta vlerësoj edhe në të ardhmen atë ç’ka ka bërë Vatra për Kombin, në çastet më të vështira të tij. Na takon të gjithëve, tha presidenti, që ta bëjmë të njohur atë ç’ka ka bërë Vatra për çështjen tonë Kombëtare.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e madh që diaspora shqiptare luannë ditët e sotme.Këtu në diasporë, tha ai, egzistojnë kapacitete intelektuale dhe atdhetare, që Kombi duhet t’i shfrytëzojë më mirë.
Kombi ynë ka vuajtur nga pushtuesit dhe nga diktatura komuniste, ku u godit ashpër inteligjencia, nacionalizmi, edhe vatranët që i kishin shërbyer aq shumë Atdheut.
Dr. Buçaj kujtoi me këtë rast edhe propozimin që ka bërë Vatra për dekorimin e martirëve vatranë të pushkatuar e burgosur nga diktatura.
Kryetari i Shoqatës Çamëria, Fuat Mamo, i arratisur nga Shqipëria komuniste në fillim vitet ’80, e falenderoi presidentin për pritjen dhe për vlerësimin e çështjes Kombëtare dhe kërkoi që të bëhen veprime konkrete për të çuar drejt zgjidhjes përfundimtare çështjen çame. Ne tha z. Mamo, kemi ardhë së bashku me Vatrën, por edhe me mandatin e shumë shoqatave të tjera këtu në SHBA, për të përcjellë shqetësimin e komunitetit Çam të Amerikës, por dhe më gjërë, për moszgjidhjen e çështjes çame, e cila për mendimin tonë nuk është shumë në konsideratë nga politika dhe shteti, pavarësisht fjalëve. Natyrisht, tha z. Mamo, ne e vlerësojmë që qeveria e ka futur në programin e saj, dhe hapat e parë janë hedhë, por ne kërkojmë zgjidhje dhe jo qëndrim në vend. Sot, tha Mamo, edhe kryetari i vatrës ndjehet çam dhe ka ardhë në këtë takim për këtë problem, por edhe bashkatdhetarët tanë nga Malësia, Plavë-Gucia, Ulqini, Kosova, janë me në. Me këtë bashkim zërash të diapsorës shqiptare, pa dallime partiake, ne duhet t’i përcjellim edhe një mesazh politikës shqiptare, që të gjejë pikat e bashkimit së paku për çështjen Kombëtare.
Duke i dorëzuar peticionin për zgjidhjen e çështjes Çame, kryetari i Shoqatës Çamëria, i shprehu besimin persidentit se zërin e tyre do të çonte atje ku duhej dhe se ky peticion, do të shërbejë si shtysë për të mos e lënë në heshtje tragjedinë çame, gjenocidin, e pa pranuar të shtetit grek.
Nga shoqata Çamëria falenderuan presidentin dhe shprehën shqetësimet për çështjen çame, Endri Merxhushi dhe Armand Braho.
Duke marrë Peticionin, presidenti Nishani, falenderoi për besimin që shoqata Çamëria, Vatra dhe shoqatat e tjera të bashkuara në këtë shqetësim, treguan ndaj institucionit të Presidentit të Republikës.
Z. Nishani evidentoi faktin se edhe në drejtim të çështjes Çame gjërat kanë lëvizur për mirë. Tani flitet më hapur dhe problemi shtrohet në mënyrë institucionale edhe nga shteti shqiptar. Ai tregoi se për të parën herë çështja Çame është shtruar nga institucioni i Presidentit nga ai gjatë takimit me Presidentin Grek, Papulias, të cilit i tha se ka ardhë koha që çështja çame të shihet si një çështje që nuk mund të shmanget. Kjo u deklarua edhe gjatë konferencës para gazetarëve. Gjithësesi , tha presidenti për çështjen çame duhet të punojmë të gjithë, nuk duhet të punojë vetëm shoqata Çamëria, apo vetëm Partia që përfaqëson këtë komunitet në Parlament, por edhe partitë e shoqatat e tjera. Kjo është pjesë e pazgjidhur e çështjes tonë Kombëtare.
Pjesmarërsit në takim falenderuan presidentin për pritjen dhe marrjen e Peticionit.
***
Në këtë Peticion për avancimin e zgjidhjes së Çështjes Çame, drejtuar Presidentit të Republikës, Organizatës Shqiptaro Amerikane Çamëria iu bashkuan Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Fondacioni ‘’Plave Guci’’-New York; Shoqata Atdhetare ‘’Malesia e Madhe’’-Detroit; Shoqata Atdhetare’’ Ana e Malit’’-New York; Fondacioni ‘’Ded GjonLuli’’-New York,Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’-New York;Fondacioni Humanitar ‘’Malesia’’-New York;Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’-New York; Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago, Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe në Bronx, Shoqata “Rugova” në New York.(Korrespondenti i DIELLIT)
***

PETICION

Republika e Shqipërisë 26 Shtator 2014

Drejtuar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë

Z. Bujar Nishani

Shumë i nderuar Z. President;
Ju përcjellim përshëndetjet më të sinqerta dhe vlerësojmë veprimtarinë tuaj demokratike për shqiptarët dhe Shtetin Shqiptar në funksionet e ushtruara, më parë si Ministër e tani si President i vendit.
Ne, shqiptarët e Amerikës, kemi jetuar dhe jetojmë gjithmonë me shqetësimet e vëllezërve e motrave tona në vendlindje, dhe përcjellim me vëmëndje të madhe çdogjë që shkon në dëm të popullatës shqiptare, kudo si në Kosovë, Mal tëZi, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe në Çamëri. Ne jetojmë këtu në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë, në këtë vend të bekuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,jemi organizuar në shoqata të ndryshme dhe bashkëpunojmë me njëratjetrën me frymën patriotike të trashëguar brez pas brezi nga Konica, Fan Noli etj.
Ne që po ju shkruajmë jemi shqiptarë Çamë, të dëbuar pas një dhune të përgjakshme në vitet 1944-1945 nga trojet tona. Ne kemi shumë çështje me interes kombëtar,dhe i jemi drejtuar e i adresohemi seriozisht komunitetit shqiptar dhe ndërkombëtar.
Siç e dini, Çamëria është sot nën administratën e Greqisë dhe ka mbetur për fat të keq edhe sot e kësaj dite. Si anëtarë të bashkësisë shqiptare këtu që jetojmë e punojmë në SHBA, jemi të shqetësuar për shqiptarët e krahinës shqiptare të Çamërisë martire edhe kemi të drejtë të pyesim dhe t’i drejtohemi qeverisë sonë: “Çfarë pobën qeveria shqiptare për Shqiptarët e Çamërisë këto vitet e fundit?”
Z. President;
Çamëria, është njëkrahinë vitale shqiptare, si nga aspekti ekonomik, kulturor,por edhe gjeostrategjik. Dialekti shqipi Çamërishtes është më i vjetri në gjuhën shqipe (në këtë dialekt Dhespoti i Çamërisë detyrohet të përkthejë Dhjatën e Re më 1877, se besimtarët e krishterë nuk e kuptonin meshën në gjuhën greke), dhe jo për çudi edhe mbas mbi 500 vjetëve flitet ende sot nga pasardhësit tonë edhe në jug të Italisë. Sot vetëm në Shqipëri jetojnë mbi 300.000 shqiptarë të ardhur ose me prejardhje nga Çamëria. Diskriminimi ndaj popullsisë çame ende vazhdon.
Po ju drejtohemi juvesi president i Shqipërisë për të mbrojtjur të drejtat njerëzore për të gjithë shqiptarët.
Qeveria greke, nëpërmjet Ambasadës dhe zyrave të saj,vazhdon ti refuzojë hyrjen çamëve me banim në Shqipëri me arsyen e mosarsyes se kanë lindur në Greqi. Ata faktikisht kërkojnë të vizitojnë vatrat ku kanë lindur dhe të vendosnin një tufë me lule në vendet ku kanë qenë varrezat e të parëve të tyre.Aq më tepër, si mund të pretendohet për respektimin e te drejtave njerëzore, veçanërisht për të drejten e pronës, kur nuk u jepet e drejta për të hyrë legalisht në Greqi?!
Sot në Kuvendin e Shqipërisë gjendet një Rezolutë si platformë për zgjidhjen e çështjes çame që përmban 13 pika, të cilat mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universaletëtë Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar.

Z. President:
Po ju drejtohemi Juve z. President për një afrim dinjitoz, demokratik të gjithë vendeve të Mesdheut, për një të ardhme paqësore dhe vëllazerore midis popujve të ndryshëm të ndërhyni që Çështja Çame, si problem i të drejtave të njeriut të marri zgjidhjen e duhur.
Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijve, por kërkojmë të njihen të drejtat tona;
– Kërkojmë dënimin e genocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë;
– Riatdhesimin dhe njohjen e të drejtave si; shtetësinë, gjuhën, pronën, traditat dhe kulturën;
– Kompensimin prej mbi 70 vjetësh të çshrytëzimit të padrejtë të shtepive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm.
Duke u nisur nga fakti se Qeveria e sotme e ka vënë në programin e saj Problemin Çam, atëherë duhet që pranë Ministrisë së Punevë të Jashtme të ngrihet sa më parë komisioni për të drejtat e popullit te Çamerisë.
Ne z. President, jemi të shqetësuar për më tepër, se disa qarqe nacionaliste greke të sponsorizuara edhe nga elementë grekofilë këtu në Amerikë, këmbëngulin në këtë drejtim, në një kohë që në Greqi nuk njihen pakica kombëtare shqiptare. Me të drejtë na është rritur shqetësimi me mosabrogimin e ligjit të luftës të vitit 1940 nga Greqia, mos ndoshta dikush përpiqet që në rrethana të caktuara ta vëjë në veprim?! Kjo mund të duket si diçka absurde kur të dy vendet, Shqipëria dhe Greqia, janë anëtare të NATO-s dhe për më tepër kanë nënshkruare dhe Paktin e Miqësisë më 1996, por ne nuk shohim predispozicion të palës greke për ta zgjidhur një herë e mirë problemin çam.
Zgjidhja e kësaj çështjeje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje pasi e ardhmja e Shqipërisë është në Komunitetin Europian. Shpresojmë që shteti shqiptar,që ju keni nderin të drejtoni, të përdorë të gjithë mekanizmat juridike dhe politike për ta zgjidhur këtë dramë të popullsisë çame.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ORGANIZATA ÇAMERIA, Peticion, presidenti Nishani, Vatra

Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth gjashtëdhjetë vendeve të tjera të OKB-së

September 26, 2014 by dgreca

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara/
I nderuar Zoti President, /
Shkëlqesitë Tuaja, /
Zonja dhe zotërinj!/
Është kënaqësi e madhe për mua të flas në Sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sëpari, më lejoni t’ju përgëzoj Ju, zoti President, për zgjedhjen Tuaj në këtë post. Duke ju siguruar për mbështetjen e plotë të vendit tim gjatë këtij sesioni, unë besoj se nën udhëheqjen tuaj dhe falë përvojës së mëparshme, ju do t’i çoni më tej arritjet e paraardhësit tuaj, Sh. T. Z. John W. Ashe, i cili ka punuar me përkushtim për të arritur rezultate konkrete.
Gjithashtu, unë do të doja të përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për Sekretarin e Përgjithshëm, për vizionin dhe udhëheqjen e tij në krye të Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të gjallëruar dhe reformuar organizatën.
Zoti President,
Shqipëria është e angazhuar për një OKB të efektshme dhe koherente në përshtatje me qëllimin e një sistemi shumëdimensional. Ne mbështesim forcimin e rolit dhe kontributit të Organizatës për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë, për të çrrënjosur varfërinë dhe pabarazinë e për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor dhe ekonomik si dhe për të promovuar, respektuar e mbrojtur të drejtat e njeriut si një vlerë universale e njerëzimit. Një OKB edhe më e përshtatur, me një aftësi për t’iu përgjigjur menjëherë krizave natyrore apo të shkaktuara nga njerëzit si dhe për të përdorur në mënyrë efikase burimet financiare dhe njerëzore në dispozicion, është kyçe për arritjen e këtyre objektivave në një botë gjithnjë e më të përçarë e të uritur.
Zoti President,
Mbajtja, rikthimi dhe forcimi i paqes dhe sigurisë përbëjnë njërën prej tri shtyllave të punës së Kombeve të Bashkuara. Është e pamundur që të mos njihet dhe pranohet kontributi që kjo Organizatë ka dhënë në botë, vit pas viti dhe dekadë pas dekade me kaq shumë burime, dije dhe fuqi njerëzore të investuara për t’u përballur me kriza të ndryshme e të ndërlikuara. Megjithatë, 2014-ta ka qenë e mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar nga Kombet e Bashkuara.
Ndiejmë keqardhje për ngjarjet dramatike në Sudanin e Jugut, të cila kanë ndodhur atje dhe vazhdojnë të turbullojnë ndërgjegjen njerëzore. Luftimet pakuptim dhe urrejtja etnike i kanë shkaktuar aq shumë vuajtje popullsisë së pafajshme. Vetëm një zgjidhje e negociuar politike, ku të drejtat e të gjitha komuniteteve në fjalë të merren parasysh, të garantohen e të respektohen, mund të ndihmojë në rikthimin e besimit e të mirëkuptimit duke ofruar një të ardhme më të mirë për vendin më të ri në botë.
Është vështirë të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar situatën në Siri. Pas më shumë se tre vjet luftimesh vdekjeprurëse, është bërë jashtëzakonisht e vështirë për të jetuar në atë vend. Atje kanë akte të tmerrshme. Më shumë se 170 mijë njerëz kanë vdekur, miliona të tjerë janë refugjatë, dhe pjesë të mëdha të vendit janë kthyer në gërmadha. Me vazhdimin e luftimeve dhe krimet në masë që ndodhin çdo ditë, shpresa për t’i dhënë fund luftës mbetet ende një ëndërr e largët për ata që janë ende të zënë në çark atje.
Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth gjashtëdhjetë vendeve të tjera të OKB-së për të referuar situatën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Për fat të keq, si me shumë iniciativa të tjera për Sirinë, kjo përpjekje mori veton në Këshill. Ne përsërisim dhe rikonfirmojmë fuqishëm e me bindje se autorët e krimeve në Siri duhet të mbajnë përgjegjësi dhe populli i Sirisë meriton qetësi dhe drejtësi.
Zoti President,
Shumë ngjarje shqetësuese kanë ndodhur në Ukrainë gjatë këtij viti. Ajo që ne menduam se e kishim lënë pas një herë e mirë, që besonim se u përkiste vetëm në librat e historisë dhe shërbente si një mësim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, akte që shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi tjetër, që haptazi cenojnë dhe minojnë Kartën e OKB-së, u kryen për fat të keq nga një anëtar i OKB-së, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, nga Federata Ruse. Pavarësisht nga propaganda e përhapur nga Rusia, kriza në Ukrainë nuk kishte të bënte fare me mbrojtjen e të drejtave të rusëve etnikë. Ishte shumë më e thjeshtë; ajo kishte lidhje, që nga momenti i parë, me ambicien e një vendi për të ndryshuar kufijtë e tij e për të kënaqur oreksin territorial të një fqinji më të fuqishëm.
Edhe pse Këshilli i Sigurimit nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje, Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë dërrmuese për të mos pranuar aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia. Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Shqipërinë, e bënë të qartë mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, për normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria ripërsërit se marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të qeverisen nëpërmjet respektimit të plotë të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Deklaratës së Kombeve të Bashkuara. Rasti i Ukrainës nuk bën përjashtim nga kjo.
Zoti President,
Zhvillimi ka qenë i vështirë duke pasur parasysh që krizat dhe fatkeqësitë kanë shpërthyer në mënyrë të frikshme dhe bota po përjeton pasiguri. Kombet e Bashkuara kanë kontribuar duke rritur ndërgjegjësimin global ndaj sfidave, me të cilat përballet zhvillimi si dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që do të sjellin rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirje sociale dhe mbrojtje mjedisore për planetin tonë.
Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (MDG) përbëjnë një nga nismat më të suksesshme globale kundër varfërisë së të gjithë kohërave. Qëllimet që mbulojnë një gamë të gjerë indikatorësh të varfërisë, urisë, shëndetit, barazisë gjinore, arsimit dhe mjedisit, Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit kanë shënuar përparim të rëndësishëm në nivel global, rajonal dhe kombëtar duke përmirësuar jetën e miliona njerëzve. Që nga viti 2005, bota ka arritur të përgjysmojë numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme, por megjithatë mbeten ende shumë gjëra për t’u bërë duke qenë se kemi vetëm disa muaj kohë nga mbarimi i afatit.
Është duke u hartuar një tjetër agjendë ambicioze afatgjatë dhe e qëndrueshme që zëvendëson MDG. Shqipëria ka marrë pjesë në mënyrë aktive në konsultimet globale të përqendruar në përfshirjen e zërit të njerëzve në agjendën e zhvillimit të pas- 2015-s. Shqipëria ka rënë dakord të testojë një objektiv të propozuar zhvillimi mbi qeverisjen dhe sundimin e ligjit, si një mjet për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm. Ne shpresojmë se përvoja shqiptare në monitorimin e qeverisjes, sundimit të ligjit, institucioneve të efektshme dhe të afta, do të kontribuojë për të informuar agjendën e ardhshme të pas-2015-ës të Kombeve të Bashkuara.
‘E Ardhmja që duam’, siç u përcaktua në Rio de Janeiro në vitin 2012, dhe puna e suksesshme e kryer nga ‘Grupi i Hapur i Punës për SDG-të’ prodhuan një propozim të mahnitshëm për objektivat e qëndrueshme të zhvillimit. Ne kemi tani, si fryt i punës së madhe për më shumë se tetëmbëdhjetë muaj, një set Objektivash të Qëndrueshme, transformuese dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të përbëjnë thelbin e agjendës së re pas 2015 më ambicioze me qëllim adresimin e çështjeve të papërfunduara të MDG-ve. Bota ka nevojë një herë e mirë të zhdukë varfërinë e të gjitha formave, kudo; ajo duhet të trajtojë seriozisht, me angazhim konkret dhe të vazhdueshëm, sfidat gjithnjë e më të mëdha globale të zhvillimit të qëndrueshëm si degradimi i mjedisit dhe të nxisë rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, të sigurojë akses për të gjithë në drejtësi dhe të ndërtojë institucione efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.
Ndërkohë që kjo agjendë e re e zhvillimit ambicioz është duke u finalizuar, Sistemi i OKB-së duhet të jetë në gjendje të përgjigjet shpejt, të përshpejtojë procesin e reformave dhe të përshtatet në situata dhe realitete që të maksimizojë rezultatet. Ne kemi përkrahur gjatë të mirat që qasja e Programit “Një OKB” sjell për efektshmërinë dhe përkatësinë e Kombeve të Bashkuara në të gjitha nivelet. Përshëndesim miratimin e Procedurave Standarde të Veprimit të UNDG për ‘Arritjet si Një OKB’ dhe planin e saj të lidhur të veprimit për thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave. Është koha për t’u përqendruar në mënyrë të vendosur mbi rezultatet dhe shpërndarjes së bazuar në rezultate për të rritur parashikueshmërinë e financimit të Programit ‘Një OKB’ të Kombeve të Bashkuara.
Zoti President,
Terrorizmi mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe lufta kundër terrorizmit mbetet një përparësi që kërkon një angazhim më të madh. Ne jemi të vetëdijshëm se ky kërcënim global mund të adresohet vetëm me veprime kolektive dhe një përgjigje të fuqishme. Shqipëria dënon në mënyrën më të fuqishme të gjithë aktet terroriste kryer nga grupet dhe organizatat terroriste në Irak dhe Siri, përfshirë dhe veçanërisht ato nga ISIS-i. Të vetëdijshëm se terrorizmi është një kërcënim që s’njeh kufij, një kërcënim për vendet dhe rajonet e veçanta por gjithashtu për vlerat dhe parimet njerëzore, Shqipëria i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar të krijuar së fundmi me qëllim frenimin dhe shkatërrimin në fund të ISIS-it.
Zoti President,
Integrimi Evropian dhe bashkëpunimi në rajon si dhe situata gjeopolitike dhe e sigurisë në Evropë ka ndryshuar dukshëm në muajt e fundit. Ballkani Perëndimor, pjesë e të cilit është vendi im, është një rajon shumë i rëndësishëm gjeostrategjik evropian dhe një rajon që është plotësisht i angazhuar kohët e fundit në rrugën e forcimit të stabilitetit politik, progresit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe konsolidimit të paqes. Perspektiva evropiane është garancia më e mirë për arritjen e këtyre objektivave në rajonin tonë. Ne jemi të angazhuar për të zgjidhur çështjet dypalëshe sa më shpejt të jetë e mundur, në interes të popullit tonë dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se një sërë masash duhen miratuar për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne, si të gjitha vendet e rajonit, kemi shprehur gatishmërinë tonë për të kryer reforma të përbashkëta që do të rrisin stabilitet ekonomik, rritjen e begatisë për qytetarët tanë, hapjen e tregjeve dhe thithjen e investimeve të huaja.
Nga këndvështrimi ynë, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces i bazuar në rezultate, që do të mundësojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti përbën një inkurajim të rëndësishëm për intensifikimin e procesit të reformave për vendin tim, që do të çojë në hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian.
Zoti President,
Republika e Kosovës është një nga anëtarët e komunitetit tonë të Ballkanit Perëndimor, dhe shteti më i ri i rajonit. Në më pak se 6 vite, Kosova ka mundur, nëpërmjet një agjende transformuese zhvillimi, të sigurojë njohje të pandërprerë ndërkombëtare dhe të integrohet në mënyrë të suksesshme në organizatat ndërkombëtare rajonale dhe globale si Banka Botërore, FMN-ja, BERZH-i, BEZH-i, Komisioni i Venecias, SEECP-i, etj. Kosova është kthyer në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Shqipëria mbështet plotësisht zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës ashtu si dhe stabilitetin dhe stabilitetin e integritetin territorial të Kosovës me kufijtë aktual.
Përparimi i Kosovës, atmosfera e re në rajon dhe nevoja për të shtyrë përpara mbarë rajonin drejt rritjes së bashkëpunimit dhe begatisë, kanë shtruar rrugën për bisedime të suksesshme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë, si dy partnerë të barabartë në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet teknike të rëndësishme për qytetarët e tyre. Koha ka treguar se angazhimi në dialog ka qenë një vendim i mençur. Dialogu ka prodhuar rezultate konkrete, i ka sjellë të dy vendet më afër njëri-tjetrit dhe ka lehtësuar e përshpejtuar rrugëtimin e integrimit evropian për të dyja shtetet. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut dhe bën thirrje për zbatimin e plotë për marrëveshjeve të arritura.
Kosova është njohur deri më sot nga 108 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, shumë më tepër se gjysma e anëtarësisë së OKB-së. Njohja ka qenë pa dyshim një faktor i rëndësishëm në përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse, sikurse dhe më parë, ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ne mbetemi të bindur se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si edhe për të përmbushur dhe vënie në jetë të të drejtave të shqiptarëve.
Shqipëria inkurajon vazhdimin e dialogut ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës për promovimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare, me fokus të veçantë zgjidhjen e problemeve ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore.
Zonja dhe zotërinj,
Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria u transformua nga një shtet totalitar në një demokraci funksionale. Përparimi është i qartë, mbi të gjitha, në fushën e të drejtave të njeriut. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut është një nga përparësitë kombëtare dhe pjesë e politikës së jashtme të Shqipërisë. Shqipëria ofron një model të vlefshëm të respektit për larminë, tolerancën dhe bashkëjetesën për rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Për popullin shqiptar, toleranca dhe mikpritja janë vlera të qenësishme që rrjedhin nga tradita jonë kombëtare.
Prezantimi i kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për periudhën 2015-2017 është i lidhur ngushtë me rrugën tonë drejt ndërtimit të një shoqërie të bazuar tek të drejtat e njeriut. Ne jemi të bindur se Shqipëria mund ta ndajë përvojën e saj të vlefshme demokratike të grumbulluar ndër vite me vendet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, duke rikonfirmuar unversalizmin, pandashmërinë dhe ndërvarësinë e të drejtave të njeriut, Shqipëria është e përkushtuar për të sjellë në diskutimet e Këshillit një perspektivë kombëtare dhe rajonale në shqyrtimet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Ne jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në Këshill për periudhën 2015-2017, përbën një sfidë dhe përgjegjësi të madhe për të justifikuar mbështetjen e shteteve anëtare të OKB-së. Nga ana tjetër, anëtarësimi në KDNJ (HRC) do të shërbejë si një shtysë për vendin tim në demokratizimin e tij të mëtejshëm dhe në rritjen e standardeve të të drejtave të njeriut. Prandaj, Shqipëria, pasi të ketë marrë miratimin nga grupi i vendeve të Evropës Lindore, mirëpret dhe vlerëson mbështetjen e të gjitha vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara për kandidaturën e saj në këtë Këshill.
Në përfundim, Zoti President, dua të konfirmoj edhe një herë se Shqipëria është plotësisht e vendosur të vazhdojë të mbështesë agjendën e OKB-së dhe të forcojë rolin e Kombeve të Bashkuara në rrafshin global.
Ju faleminderit!
25 shtator 2014-New York

Filed Under: Featured Tagged With: e Pergjithshme, Fjala ne Asamblene, OKB, presidenti Nishani

DARKË PËR PRESIDENTIN E SHQIPËRISË

September 16, 2014 by dgreca

VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR DO TË SHTROJNË DARKË PËR DELEGACIONIN E DREJTUAR NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI DHE DELEGACIONIN E KOSOVES/
Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York,në mbrëmjen e 27 shtatorit, do të shtrojnë një darkë , ku janë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Komuniteti Shqiptar ftojnë shoqatat dhe fondacionet që të bëhen pjesë e darkës që do të shtrohet në nder të delegacionit shqiptar të kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, i cili do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që mbahet gjatë muajit Shtator 2014.
Darka do të shtrohet Ditën e Shtunë, 27 Shtator 2014 në orën 7.00 të mbrëmjes në restorantin MAESTRO’S, që ndodhet në adresën:
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
Tel: (718) 792-8844
Vatranët dhe komuniteti janë të ftuar që të bëhen pjesë e kësaj darke.
Telefononi:
917-254-61-03, (718) 365-99-00, 917-848-3999, 914-316-0045; 917-669-2082, 917-355-1486, 914-772-2478, 973-819- 88-67; 914-76- 05-653
Për Shoqatën Camëria, rezervimet mund të bëhen përmes kryetarit Fuat Mamo në telefonin: 201-893-67-76, Për Legalistët rezervimet mund të bëhen përmes Ndrec Gjergji 718-347- 9472, për rezervime nga shoqatat e Malësisë mund të bëhen rezervimet tek koordinatori Esad Gjonbalaj në Tel: 914-4395798, për rezervime nga Shoqata Rugova mund të bëhen përmes telefonit të Shaban Lajcit 917- 445-4126,për rezervime nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thirrni Agim Alickaj në tel:914-237-6400, për rezevime nga Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe telefononi tek Dede Gjonvukaj Tel- 718.933.4141 ose 718.933.4466, Për rezervime nga Shoqata e Shkrimtarëve telefononi Dede Elezaj në tel: 917-445-4126.
Mbremja eshte e hapur.

Filed Under: Vatra Tagged With: darke, komuniteti ne NY, presidenti Nishani, Vatra

Presidenti Nishani fton investimet austriake në Shqipëri

August 26, 2014 by dgreca

Sipas websitit te Presidences Shqiptare, Presidenti i Republikёs, Bujar Nishani eshte takuar me Presidentin e Dhomёs Ekonomike tё Austrisё, Christoph Leitl, me tё cilin biseduan pёr gjendjen aktuale tё investimeve austriake nё Shqipёri dhe tё ardhmen e tyre.
Zyra e shtypit vëren në njoftimin e saj se, Presidenti Nishani i vlerёsoi si tё shkёlqyera marrёdhёniet ndёrmjet dy vendeve tona, ku Austria është njё partner i rёndёsishёm politik dhe ekonomik”.
Presidenti tha se, “Austria, nёpёrmjet ndihmёs dhe investimeve ka qenё mbështetёse shumё e rёndёsishme e pёrpjekjeve tona pёr konsolidimin e demokracisё, shtetit ligjor, ekonomisё sё hapur tё tregut dhe procesit euro-integrues”.
Duke vёnё nё dukje në suksesin në disa fusha, si investimet nё bujqёsi, financё, sistemin bankar, energji, infrastrukturё, Kreu i Shtetit nёnvizoi se ka ende shumё hapёsirё pёr sipёrmarrjet austriake nё Shqipёri dhe shtoi se “eksperienca e deritanishme, me historitё e suksesit dhe problemet e shfaqura, shёrben si bazё pёr gjetjen e stimujve nxitёs pёr promovimin e bashkёpunimit tonё ekonomik”.
Nga ana e tij, zoti Leitl shprehu kёnaqёsinё pёr marrjen e statusit tё vendit kandidat nga Shqipёria dhe njëkohësisht dёshirёn pёr ta parё sa mё parё vendin tonё si anёtare tё Bashkimit Evropian.
Në bashkëpunimin ekonomik Leitl tha se ndihet i inkurajuar klima e favorshme pёr biznesin, e theksoi se Austria mund tё kontribuojё nё fushёn e arsimit profesional nё pёrputhje me kёrkesat e tregut tё punёs dhe tё mёsuarit.
Presidenti Nishani e siguroi zotin Leitl pёr vullnetin e tij dhe të institucioneve shqiptare pёr të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomik me Austrinё.
Presidenti Nishani u takua edhe me pёrfaqёsues tё Shoqatёs “IG Alpbach Albania” pjesёmarrёs nё Forumin Evropian Alpbach 2014. Presidenti tha se ndihet shumё i kёnaqur qё tё rinjtё shqiptarё janё pjesё e kёtij Forumi, pasi është njё mundёsi e mirё pёr njohjen reciproke të kulturave e pёr shkёmbimin e përvojave.

Filed Under: Kronike Tagged With: fton, investimet austriake, ne Shqiperi, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT