• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbështetja e Amerikës, vitale për Kosovën

February 5, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC: Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin\

1 flet

UASHINGTON, 5 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën, tha sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi. Ai ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, bën të ditur njoftimi i dërguar.“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

 “Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, shtoi presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë.Ndërsa, duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, u shpreh presidenti Thaçi.“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, shtoi ai.Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

 James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi u shpreh se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”.“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai.“Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, pohoi presidenti Thaçi.

 Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.“Prandaj na nevojitet marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i hapë rrugë reformave, zhvillimit dhe transformimit pozitiv të tërë shoqërisë”, përfundoi presidenti Thaçi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Council on Foreign Relations, Presidenti Thaçi

THACI : ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH TE FITOJME PAQEN

December 26, 2018 by dgreca

PRESIDENTI THACI NE KUVEND: ME SERBINE E KEMI FITUAR LUFTEN, TASH DUHET TE FITOJME PAQEN/

1 Thaci Kuvend
KOSOVA KA PËRKRAHJEN E MIKUT MË TË MADH DHE SHTETIT MË TË FUQISHËM, SHBA-së/
 
-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi sot në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës: I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”. Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së/
 
PRISHTINË, 26 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI, me korrespondentin e saj, e akredituar në Presidencën e Kosovës
 
FJALIMI VJETOR I PRESIDENTIT THAÇI PARA DEPUTETËVE NË KUVENDIN E KOSOVËS – 26 Dhjetor 201
 
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli,
E nderuara Kryesi e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.
Jam i lumtur dhe krenar të prezantoj të arriturat e Kosovës në këtë vit jubilar që po e lëmë prapa.
Por, edhe të tregoj për rrugën që kemi përpara dhe mundësitë që sjell për zhvillim edhe më të madh të republikës sonë
Viti 2018 ishte vit jubilar në të cilin shënuam dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Në dhjetë ditë festime në muajin shkurt, janë shpalosur të arriturat e Kosovës në dhjetëvjetorin e parë në çdo fushë të jetës.
Duke u marrë me çështjet e përditshme nganjëherë harrojmë të shohim se sa larg kemi arritur.
Prandaj, dhjetë ditë festë ishin rast i mirë për të kujtuar se ku kemi qenë dhe ku jemi sot.
Nga një vend i shkatërruar nga gjenocidi i ushtruar nga shteti i Serbisë, jemi ngritur në një shtet të pavarur e sovran.
– Me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në rajon
– Me legjislacionin më të avancuar në rajon;
– Me institucione demokratike e të qëndrueshme;
– Me suksese në shëndetësi e arsim, në shkencë e art, në sport e në kulturë.
I kujtuam sakrificat dhe angazhimin për liri.
Do t’u jemi përherë mirënjohës atyre që dhanë çdo gjë për lirinë që gëzojmë ne sot.
Dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
Dhe zotohemi që do të bëjmë çdo gjë që vuajtjet të mos përsëriten, për askënd.
Këtë e bëjmë për gjeneratat që do të vijnë.
Por, e bëjmë edhe për qytetarët e sotëm të Kosovës, heronjtë e vërtetë të suksesit të Kosovës.
Më lejoni të përmend një fakt që kishte humbur në vorbullën e lajmeve për 10 vjetorin e pavarësisë.
Gati gjysmë milioni qytetarë nga e tërë Kosova e nga diaspora jonë e madhe, kanë festuar më 17 shkurt dekadën e parë të shtetit të Kosovës.
Dhe në festimet që zgjatën tërë ditën nuk është shënuar asnjë incident.
Kjo tregon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për rend, qetësi dhe siguri.
Të nderuar deputetë,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si president i vendit edhe në vitin 2018 kam përfaqësuar vendin, brenda dhe jashtë.
Kam pritur në Kosovë presidentin Pahor të Sllovenisë dhe presidentin Junker të BE-së, kancelarin Kurz të Austrisë dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë.
Kam realizuar vizita bilaterale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Britani të Madhe, por edhe në vendet e rajonit, në Bullgari, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Kam përfaqësuar Kosovën në forumet më të rëndësishme ndërkombëtare, si takimi i Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe takimet tjera të këtij forumi në Montreal të Kanadasë dhe Gjenevë të Zvicrës.
Po ashtu, e kam përfaqësuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në Forumin e Paqes në Paris.
Kam përfaqësuar Kosovën edhe në Samitin e Sofjes të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Alpbach në Austri, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Por, edhe në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Kore.
Në Jerevan të Armenisë, në samitin e vendeve të Organizatës së Frankofonisë kemi avancuar postin tonë nga shtet vëzhgues në anëtar të asociuar
Në të gjitha këto forume kemi bërë të qartë që Kosova është e përcaktuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë
Që Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe.
Që Kosova angazhohet me tërë forcat që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së.
 
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Edhe viti 2018 ka pasur momente kur është bërë i rëndë dhe kur kemi përjetuar humbje,
Këtë vit kemi humbur Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin.
Nuk ka fjalë që përshkruajnë këtë humbje.
Do ta ruajmë dhe nderojmë kujtimin duke vazhduar të punojmë për atë që ëndërronin edhe ata.
Dhimbje kemi përjetuar edhe nga mospranimi i Kosovës në INTERPOL, por edhe për shkak të vonimit të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë nga ana e BE-së.
Jam krenar që si shtet, si shoqëri, kemi bërë çdo gjë që është kërkuar nga ne. Kemi plotësuar çdo kriter, edhe për anëtarësim në INTERPOL, edhe për liberalizim të vizave.
Mungesa e vendimit të drejtë në këto dy raste nuk është humbje për ne.
Por, nuk është as dekurajim që të vazhdojmë për forcimin e shtetit tonë.
Këtë e bëjmë, sepse mbi të gjitha është në interesin tonë, në dobinë tonë.
Jemi përballur edhe me plagët e hapura nga e kaluara e dhimbshme.
Kam emëruar Ekipin Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Kam dekoruar zonjën Vasfije Krasniqi–Goodman për guximin që të flasë hapur dhe të kërkojë drejtësi për vete dhe për mijëra viktima tjera të dhunës seksuale, të ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake të shtetit serb gjatë luftës në Kosovë.
Jam ndier krenar sidomos me të arriturat e artistëve dhe sportistëve tanë.
Si çdo qytetar tjetër i Kosovës jam krenar me të arriturat e këngëtareve tona në botë, me të arriturat e piktorëve dhe arkitektëve.
Jam krenar me të arriturat e xhudisteve e të xhudistëve.
Me të arriturat e futbollistëve tanë.
Është bërë e gjatë lista për t’i përmendur me emër një nga një.
Si president më ka gëzuar fakti që kam dekretuar pakon e ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Që nga dita e parë në Zyrën e Presidentit, jam angazhuar që të përkrah sa më shumë fuqizimin e drejtësisë.
Kjo pako që përfshinë ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin për Gjykatat, për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë dhe ligje tjera, që do të forcojmë edhe më tutje sistemin tonë të drejtësisë.
Por, zonja dhe zotërinj,
Jam ndier veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës.Shpesh jam ndier i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bë bashkë rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së.
Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u them se ata e kanë merituar që moti këtë.
Me punën e tyre, me profesionalizmin e tyre, ata që moti janë ushtarë të Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të mbetet forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në shërbim të paqes në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
E mirëpres edhe faktin që spektri politik kosovar ka filluar të bëhet bashkë rreth sfidave dhe mundësive imediate për shtetin tonë.
Në radhë të parë e kam fjalën për sfidën e arritjes së një marrëveshjeje paqësore me Serbinë
Me Serbinë kemi një shekull armiqësi.
E kemi fituar luftën, ndonëse me çmim të lartë.
Tani është koha ta fitojmë edhe paqen me Serbinë.
Për veten tonë dhe për gjeneratat që do të vijnë.
Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë.
Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja.
Kjo marrëveshje duhet t’i sjell Kosovës njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.
Ndërsa, rajonit dhe Evropës do t’i sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Të nderuar deputetë,
Dy letra të arritura në zyrën time këtë muaj tregojnë se jemi në rrugë të drejtë.
Letra e presidentit Macron të Francës e lavdëron angazhimin tonë për paqe e stabilitet.
Por, edhe më e fuqishme është letra e presidentit Trump, e shtetit më të afërt tonë.
I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Tramp e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës.
Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.
Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së.
E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj.
E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë.
 
Të humbim këtë rast, siç thotë edhe presidenti Trump në letrën e tij, do të ishte kthim tragjik prapa dhe do të humbnim një mundësi që nuk do të përsëritet edhe një kohë të gjatë.
Prandaj sot, si President i Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne emër të qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës, konfirmoj se Kosova është gati për dialog.
 
Kosova zotohet se do ta arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
 
Lidershipi dhe qytetarët e Kosovës presin me padurim bekimin e kësaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, nën lidershipin tuaj president Trump.
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Urime festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Gëzuar!

Filed Under: Featured Tagged With: Kuvend, Lufat dhe Paqa, Presidenti Thaçi, Serbia

PRESIDENTI THAÇI NE KESHILLIN E SIGURIMIT

December 18, 2018 by dgreca

– USHTRIA E KOSOVËS, KONTRIBUESE E STABILITETIT NË RAJON/

1 a thaci pergjigjet1 a Vucic1 sek paqerujtesve2 france1 Thaci OKB

– FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së-

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni. Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon”, ka theksuar Presidenti Thaçi në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimt të OKB-së/

NJU JORK, 17 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ku ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbledhja urgjente në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën ishte këruar nga Serbia pas themelimit të Ushtirsë së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018 miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri.

FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së

I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin që sot të jem para jush në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Dua të falënderoj Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit për vëmendjen e vazhdueshme karshi Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.
Unë kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe.
Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë.
Ju falënderojmë përgjithmonë.
Falë jush, u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.
Ju ishit zëri ynë, kur neve na mungonte një i tillë.
Por, të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës.
Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë.
Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme të vërteta me të cilat përballet bota sot.
Të nderuar të pranishëm,
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.
Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar.
Është i vonuar, sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës.
Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj.
Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu?
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Kosovës apo të drejtën ndërkombëtare.
Pikë së pari, Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999.
Dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë.
Së dyti, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.
Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj.
Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj.
Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit.
Pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar.
Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës.
Më lejoni, zonja dhe zotërinj,
Në cilësinë time si President i Republikës së Kosovës dhe si Komandant Suprem tua them troç se ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet.
Transformimi i misionit të FSK-së nuk është një hap të cilin e kemi ndërmarrë si mesazh kundër askujt.
Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt.
Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike.
Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet joshumicë.
Serbë, malazezë, kroatë, turq, boshnjakë, romë, egjiptianë, ashkalinj, etj.
Një forcë, e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës.
Çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi.
Të nderuar të pranishëm,
Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni.
Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon.
Mua më vjen keq që disa qytetarë serbë të Kosovës, pjesëtarë të FSK-së, janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezultat i presionit sistematik të ushtruar mbi ta nga shteti i Serbisë.
Për mua kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e disa ushtarëve nga komuniteti serb për intimidimin që u është bërë nga shteti i Serbisë.
Familjet e tyre janë sulmuar.
Shtëpitë u janë goditur me granata.
Dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra nga policia e Serbisë kur kanë udhëtuar në Serbi.
Kjo është vërtetë e tmerrshme.
Më vjen shumë keq për ta, sepse e di që shumica dërrmuese e tyre e kanë dorëzuar uniformën e tyre me lot në sy dhe me zemër të thyer.
Por, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja jonë për të përfshirë edhe më shumë të gjitha komunitetet në ushtrinë e Kosovës.
Kjo është ushtri, e cila do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet joracionale për luftë dhe konflikt që burojnë nga fqinji ynë verior.
Gjithashtu, më lejoni t’ju siguroj se Kosova do të respektojë të gjitha marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për bashkëpunim me KFOR-in.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n.
E gjithë puna jonë do të jetë e koordinuar me NATO-n.
Themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet perceptuar asnjëherë si një përpjekje për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë.
Përkundrazi, vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e ushtrisë është në funksion të drejtpërdrejtë të ndërtimit të mekanizmave, të cilët do ta bënin vendin tonë edhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë lokale dhe më gjerë.
Qëllimi jonë është që të zhvendosim paradigmën nga një vend i cili ka qenë konsumues i sigurisë dhe të bëhemi kontribuues i paqes dhe stabilitetit.
Por, kjo në asnjë mënyrë nuk ndërhyn me misionin aktual të NATO-së në Kosovë.
Përkundrazi, Ushtria e Kosovës vetëm do ta ndihmojë dhe plotësojë atë.
KFOR edhe sot, pas 20 vitesh, shihet si mision shpëtimtar.
Qytetarët e vendit tim i respektojnë pjesëtarët e NATO-s si heronj.
Ende u dhurojnë lule.
Dhe përjetë do t’u jenë falënderues.
Të nderuar të pranishëm,
Unë jam krenar që jam presidenti i vendit më pro NATO dhe më pro BE në botë.
Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë.
Nuk kemi dhe as nuk kërkojmë alternativë tjetër, rrugë tjetër.
E ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e rajonit tonë është në strukturat euroatlantike.
Andaj, të nderuar të pranishëm, kjo pashmangshëm na shpie tek esenca e çështjes në fjalë.
Problemi të cilin kanë fqinjët tanë verior sot nuk është ushtria e Kosovës, por ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Këto rrethana e bëjnë dialogun ndërmjet dy vendeve tona proces kyç.
Pa dialog dhe pa marrëveshje finale, ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të pafund dhe të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral.
Por, të dëmshëm për të ardhmen e vendeve tona.
Ju lutem, vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia udhëhoqi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Më thoni ju lutem kush përfiton nga mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë?
Përfiton vetëm krimi i organizuar.
Përfiton terrorizmi.
A thoni që unë duhet ta denigroj tani këtë forum duke përdorur gjuhën dhe metodat e përdorura nga Serbia kundër Kosovës?
Të them të drejtën, unë sinqerisht ndjej keqardhje për sjelljen e tyre.
Është më se e natyrshme që një sjellje e tillë të pasohet me masa të marra nga institucionet e Kosovës për produktet serbe të cilat hyjnë në Kosovë.
Pra, Kosova nuk e ka provokuar këtë situatë.
Ky reaksion është pasojë e veprimeve agresore të Serbisë.
Unë dua të besoj që kjo gjendje do të tejkalohet në një të ardhmen e afërt.
Prishtina dhe Brukseli janë duke komunikuar intensivisht për këtë çështje.
Të nderuar të pranishëm,
Megjithatë, në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë.
Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.
Për sa kohë që ne nuk kemi një marrëveshje përfundimtare dhe të implementueshme, situatat e tilla do të përsëriten vazhdimisht.
Unë dhe populli i Kosovës nuk e mbështesim konfliktin.
Në fakt, ne asnjëherë në historinë tonë nuk e kemi shkaktuar asnjë konflikt.
Gjithmonë kemi qenë viktimë.
Gjithmonë kemi luftuar për mbijetesë.
Paqja nuk nënkupton mungesën e mospajtimeve, por ky cikël i dhunshëm duhet të marrë fund.
Ushtrimi i forcës për shoqëritë demokratike do të thotë monolog, jo dialog.
Andaj, është detyra e gjeneratës sime që të lëmë pas një rajon pa konflikte, një rajon në paqe të qëndrueshme.
Një Ballkan funksional në të cilin Kosova dhe Serbia, si dy vende të pavarura, aspirojnë të ardhmen evropiane.
Unë e di shumë mirë se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfidues, madje edhe më i rrezikshëm sesa të bërit e luftës.
Por, paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Ndaj brezave që pasojnë.
Atyre ua kemi borxh një të ardhme pa konflikte.
Kosova është gati.
Ne jemi gati për dialog.
Ne jemi gati për vendime të vështira.
Por, edhe jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment historik, do të pësojnë të gjitha palët e përfshira.
Të nderuar të pranishëm,
Dy dekada më parë, në një ditë të rëndomtë si kjo, unë kam qenë në uniformë, duke luftuar kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Jam shumë krenar për të kaluarën time dhe të bashkëluftëtarëve të mi.
Sot si president i shtetit të pavarur të Kosovës, jam i vetëdijshëm që kam përpara edhe një sfidë tjetër të madhe.
Betejën për ardhmërinë tonë.
Betejën për paqen.
Betejën për të përmbyllur një konflikt shekullor mes dy popujve tanë.
E di që nuk do të jetë aspak e lehtë.
E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore.
Por, ato janë të domosdoshme.
Unë besoj thellësisht se një marrëveshje e tillë do të kishte fuqi transformuese në rajonin tonë.
Një marrëveshje e tillë do të ndryshonte prioritetet.
Askush më nuk do të mund të fitonte vota duke nxitur urrejtje.
Askush nuk do të mund të materializonte frikën.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’i hapte derën një lidershipi të ri që synim kryesor do ta kishte reformat dhe zhvillimin.
Unë besoj plotësisht në një të ardhme, ku Kosova dhe Serbia ulen si të barabarta në tryezën e familjes evropiane.
Unë besoj në një të ardhme ku ushtarët e Kosovës dhe ata të Serbisë shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në misione paqeruajtëse anekënd botës.
Unë besoj në një të ardhme të tillë, sepse e kam përjetuar të pamundurën, të pabesueshmen, e cila ka ndodhur para syve të mi.
Unë frymëzohem çdo ditë nga sportistët kosovarë të cilët na mësojnë se kthimi është i mundshëm edhe pas dështimit, se flamuri ynë mund të ngrihet edhe në vende që nuk e kanë njohur ende shtetin tonë.
Frymëzohem nga gazetarët të cilët më kritikojnë çdo ditë dhe më bëjnë president më të mirë të vendit tim.
Frymëzohem nga qytetarët e Kosovës që përkundër dhimbjeve që kanë vuajtur, rrënimeve dhe humbjeve, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga vlerat dhe parimet dhe ende këmbëngulin në liri, barazi, drejtësi e dinjitet.
Unë besoj në një të ardhme evropiane për Kosovën dhe rajonin tonë.
Një të ardhme pa intriga, konflikte dhe urrejtje.
Mbetet në dorën tonë që ta jetësojmë këtë të ardhme.
Shpejt, në javët dhe muajt e ardhshëm.
Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike.
Ju faleminderit!

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalim, ne Keshillin e Sigurimit, Presidenti Thaçi

Presidenti Thaçi vizitë zyrtare në SHBA, Takim me Bolton, sekretarin Mike Pompeo

November 25, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një periudhë të rëndësishme për Kosovën/

1 Thaci Trump

-Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo/

PRISHTINË, 25 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi i dërguar nga Presidenca thekson se, gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, Kongresit, Senatit, si dhe me personalitete që kanë mbështetur rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim me John Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti Thaçi, po ashtu, do të takohet edhe me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo.Në këto takime, presidenti Thaçi do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe i hap rrugë për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.Presidenti Thaçi do të ketë takime të shumta edhe me kongresistë dhe senatorë amerikanë, të cilët në dy dekadat e fundit e kanë mbështetur Kosovën.Po ashtu, presidenti Thaçi në Dallas do të ketë një takim të veçantë edhe me ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush, si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikanë atje.Vizita e presidentit Thaçi në Uashington vjen në një periudhë të rëndësishme për vendin, ku Kosova është duke bërë përpjekje për konkretizimin e perspektivës euroatlantike dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Thaçi, vizite ne SHBA

AUSTRIA, MBËSHTETJE PËR KOSOVËN

November 6, 2018 by dgreca

-Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz: Zhvillimet pozitive në Kosovë dhe në tërë rajonin janë shumë me rëndësi për ne. Si kryesues i Presidencës së Bashkimit Evropian i kemi vendosur shtetet e Ballkanit Perëndimor në fokus/

1 ok Thaci-Kurz5-Haradinaj-Kurz qeveri3-Haradinaj-Kurz ok

-Presidenti Thaçi dhe kancelari Kurz: Marrëveshja Kosovë-Serbi sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet për tërë Ballkanin Perëndimor/

-Kryeministri Haradinaj: Austria mike e madhe e Kosovës dhe mbështetëse e fuqishme/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari(Me shume foto gjeni ne fb (dielli vatra)

 

PRISHTINË, 6 Nëntor 2018/  Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në vizitën sot në Kosovë u prit në takime të ndara nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, dhe nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar kancelarin Kurz për mbështetjen që Austria po i jep Kosovës në marrëdhëniet bilaterale dhe në arenën ndërkombëtare.

“Austria është duke vazhduar udhëheqjen e BE-së si kryesuese e radhës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka bërë përpjekje për të promovuar perspektiven evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti më proevropian në rajon dhe e kemi bërë të qartë vizionin tonë për anëtarësim në BE dhe NATO. Prandaj, puna dhe angazhimi ynë për arritjen e këtyre qëllimeve mbeten konsistente. Kjo është arsyeja që ne duhet të punojmë me përkushtim për të përmbyllur reformat e brendshme, në ekonomi, të drejtësi, edukim, shëndetësi dhe në qeverisje të mirë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në kontekst të integrimeve euroatlantike, presidenti Thaçi ka thënë se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kushti thelbësor.

“Kosova ka ndërtuar raporte fqinjësore të mira me të gjitha shtetet fqinje. Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Fatkeqësisht, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, kancelari austriak, Sebastian Kurz, theksoi se ka ardhur si Kancelar i Qeverisë Federale të Austrisë dhe si kryesues i Presidencës së Bashkimit Evropian për të theksuar mbështetjen për Kosovën.

“Zhvillimet pozitive në Kosovë dhe në tërë rajonin janë shumë me rëndësi për ne. Si kryesues i presidencës së BE-së i kemi vendosur shtetet e Ballkanit Perëndimor në fokus, sepse dëshirojmë që si rajon të gjitha shtetet të kenë një perspektivë evropiane dhe i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë rrugë. Që të sigurohet paqe, liri dhe siguri në mënyrë afatgjate dhe të qëndrueshme në Ballkan është i rëndësishëm një dialog i suksesshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përmbyllja e suksesshme e këtij dialogu me një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh kancelari Kurz, duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin përpjekjet e lidershipit për forcimin e paqes në rajon.(Lexoje te plote (ne Gazeten Dielli www.gazetadielli.com) specialen e pergatite nga korrespondenti yne Behlul Jashari)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Austri-Kosove, Kryeministri Haradinaj, Presidenti i Austrise Kurz, Presidenti Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT