• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI THAÇI NE KESHILLIN E SIGURIMIT

December 18, 2018 by dgreca

– USHTRIA E KOSOVËS, KONTRIBUESE E STABILITETIT NË RAJON/

1 a thaci pergjigjet1 a Vucic1 sek paqerujtesve2 france1 Thaci OKB

– FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së-

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni. Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon”, ka theksuar Presidenti Thaçi në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimt të OKB-së/

NJU JORK, 17 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në 17 Dhjetor 2018 në Nju Jork, ku ka përfaqësuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbledhja urgjente në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën ishte këruar nga Serbia pas themelimit të Ushtirsë së Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018 miratoi me unanimitet në shqyrtim të dytë pakon e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri.

FJALIMI I PRESIDENTIT THAÇI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-së

I nderuar Kryesues i Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin që sot të jem para jush në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës.
Dua të falënderoj Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit për vëmendjen e vazhdueshme karshi Kosovës dhe zhvillimeve në rajon.
Unë kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe.
Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë.
Ju falënderojmë përgjithmonë.
Falë jush, u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.
Ju ishit zëri ynë, kur neve na mungonte një i tillë.
Por, të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës.
Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë.
Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme të vërteta me të cilat përballet bota sot.
Të nderuar të pranishëm,
Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.
Në fakt, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.
Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë.
Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar.
Është i vonuar, sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës.
Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj.
Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu?
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Kosovës apo të drejtën ndërkombëtare.
Pikë së pari, Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999.
Dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe sekretari i atëhershëm Kofi Annan.
Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë.
Së dyti, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.
Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.
Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj.
Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj.
Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit.
Pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.
Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar.
Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës.
Më lejoni, zonja dhe zotërinj,
Në cilësinë time si President i Republikës së Kosovës dhe si Komandant Suprem tua them troç se ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet.
Transformimi i misionit të FSK-së nuk është një hap të cilin e kemi ndërmarrë si mesazh kundër askujt.
Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt.
Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike.
Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet joshumicë.
Serbë, malazezë, kroatë, turq, boshnjakë, romë, egjiptianë, ashkalinj, etj.
Një forcë, e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës.
Çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi.
Të nderuar të pranishëm,
Populli im, për shkak të së kaluarës së hidhur, gjithnjë ka pasur frikë nga uniforma ushtarake, pikërisht pasi ajo historikisht ka qenë e huaj dhe ka qenë simbol represioni.
Por, ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e stabilitetit në rajon.
Mua më vjen keq që disa qytetarë serbë të Kosovës, pjesëtarë të FSK-së, janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezultat i presionit sistematik të ushtruar mbi ta nga shteti i Serbisë.
Për mua kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e disa ushtarëve nga komuniteti serb për intimidimin që u është bërë nga shteti i Serbisë.
Familjet e tyre janë sulmuar.
Shtëpitë u janë goditur me granata.
Dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra nga policia e Serbisë kur kanë udhëtuar në Serbi.
Kjo është vërtetë e tmerrshme.
Më vjen shumë keq për ta, sepse e di që shumica dërrmuese e tyre e kanë dorëzuar uniformën e tyre me lot në sy dhe me zemër të thyer.
Por, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja jonë për të përfshirë edhe më shumë të gjitha komunitetet në ushtrinë e Kosovës.
Kjo është ushtri, e cila do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet joracionale për luftë dhe konflikt që burojnë nga fqinji ynë verior.
Gjithashtu, më lejoni t’ju siguroj se Kosova do të respektojë të gjitha marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për bashkëpunim me KFOR-in.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n.
E gjithë puna jonë do të jetë e koordinuar me NATO-n.
Themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet perceptuar asnjëherë si një përpjekje për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë.
Përkundrazi, vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e ushtrisë është në funksion të drejtpërdrejtë të ndërtimit të mekanizmave, të cilët do ta bënin vendin tonë edhe më të aftë për të kontribuar në sigurinë lokale dhe më gjerë.
Qëllimi jonë është që të zhvendosim paradigmën nga një vend i cili ka qenë konsumues i sigurisë dhe të bëhemi kontribuues i paqes dhe stabilitetit.
Por, kjo në asnjë mënyrë nuk ndërhyn me misionin aktual të NATO-së në Kosovë.
Përkundrazi, Ushtria e Kosovës vetëm do ta ndihmojë dhe plotësojë atë.
KFOR edhe sot, pas 20 vitesh, shihet si mision shpëtimtar.
Qytetarët e vendit tim i respektojnë pjesëtarët e NATO-s si heronj.
Ende u dhurojnë lule.
Dhe përjetë do t’u jenë falënderues.
Të nderuar të pranishëm,
Unë jam krenar që jam presidenti i vendit më pro NATO dhe më pro BE në botë.
Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht padrejtësive që po na bëhen, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, ne si vend qëndrojmë të palëkundur në orientimin tonë.
Nuk kemi dhe as nuk kërkojmë alternativë tjetër, rrugë tjetër.
E ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e rajonit tonë është në strukturat euroatlantike.
Andaj, të nderuar të pranishëm, kjo pashmangshëm na shpie tek esenca e çështjes në fjalë.
Problemi të cilin kanë fqinjët tanë verior sot nuk është ushtria e Kosovës, por ekzistenca e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Këto rrethana e bëjnë dialogun ndërmjet dy vendeve tona proces kyç.
Pa dialog dhe pa marrëveshje finale, ne shndërrohemi në vende që prodhojnë drama të pafund dhe të panevojshme për konsum të brendshëm elektoral.
Por, të dëmshëm për të ardhmen e vendeve tona.
Ju lutem, vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë që Serbia udhëhoqi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Më thoni ju lutem kush përfiton nga mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë?
Përfiton vetëm krimi i organizuar.
Përfiton terrorizmi.
A thoni që unë duhet ta denigroj tani këtë forum duke përdorur gjuhën dhe metodat e përdorura nga Serbia kundër Kosovës?
Të them të drejtën, unë sinqerisht ndjej keqardhje për sjelljen e tyre.
Është më se e natyrshme që një sjellje e tillë të pasohet me masa të marra nga institucionet e Kosovës për produktet serbe të cilat hyjnë në Kosovë.
Pra, Kosova nuk e ka provokuar këtë situatë.
Ky reaksion është pasojë e veprimeve agresore të Serbisë.
Unë dua të besoj që kjo gjendje do të tejkalohet në një të ardhmen e afërt.
Prishtina dhe Brukseli janë duke komunikuar intensivisht për këtë çështje.
Të nderuar të pranishëm,
Megjithatë, në Kosovë, ne mbetemi të vendosur për paqe dhe dialog me Serbinë.
Për këtë qëllim, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar miratoi rezolutën për dialog dhe strukturën e ekipit negociator, me përfshirje pozitë-opozitë dhe shoqëri civile.
Për sa kohë që ne nuk kemi një marrëveshje përfundimtare dhe të implementueshme, situatat e tilla do të përsëriten vazhdimisht.
Unë dhe populli i Kosovës nuk e mbështesim konfliktin.
Në fakt, ne asnjëherë në historinë tonë nuk e kemi shkaktuar asnjë konflikt.
Gjithmonë kemi qenë viktimë.
Gjithmonë kemi luftuar për mbijetesë.
Paqja nuk nënkupton mungesën e mospajtimeve, por ky cikël i dhunshëm duhet të marrë fund.
Ushtrimi i forcës për shoqëritë demokratike do të thotë monolog, jo dialog.
Andaj, është detyra e gjeneratës sime që të lëmë pas një rajon pa konflikte, një rajon në paqe të qëndrueshme.
Një Ballkan funksional në të cilin Kosova dhe Serbia, si dy vende të pavarura, aspirojnë të ardhmen evropiane.
Unë e di shumë mirë se ndërtimi i paqes për liderët është shumë më sfidues, madje edhe më i rrezikshëm sesa të bërit e luftës.
Por, paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Ndaj brezave që pasojnë.
Atyre ua kemi borxh një të ardhme pa konflikte.
Kosova është gati.
Ne jemi gati për dialog.
Ne jemi gati për vendime të vështira.
Por, edhe jemi njëkohësisht të vetëdijshëm se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment historik, do të pësojnë të gjitha palët e përfshira.
Të nderuar të pranishëm,
Dy dekada më parë, në një ditë të rëndomtë si kjo, unë kam qenë në uniformë, duke luftuar kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Jam shumë krenar për të kaluarën time dhe të bashkëluftëtarëve të mi.
Sot si president i shtetit të pavarur të Kosovës, jam i vetëdijshëm që kam përpara edhe një sfidë tjetër të madhe.
Betejën për ardhmërinë tonë.
Betejën për paqen.
Betejën për të përmbyllur një konflikt shekullor mes dy popujve tanë.
E di që nuk do të jetë aspak e lehtë.
E di se marrëveshjet e kësaj natyre nuk janë shumë popullore.
Por, ato janë të domosdoshme.
Unë besoj thellësisht se një marrëveshje e tillë do të kishte fuqi transformuese në rajonin tonë.
Një marrëveshje e tillë do të ndryshonte prioritetet.
Askush më nuk do të mund të fitonte vota duke nxitur urrejtje.
Askush nuk do të mund të materializonte frikën.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse do t’i hapte derën një lidershipi të ri që synim kryesor do ta kishte reformat dhe zhvillimin.
Unë besoj plotësisht në një të ardhme, ku Kosova dhe Serbia ulen si të barabarta në tryezën e familjes evropiane.
Unë besoj në një të ardhme ku ushtarët e Kosovës dhe ata të Serbisë shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në misione paqeruajtëse anekënd botës.
Unë besoj në një të ardhme të tillë, sepse e kam përjetuar të pamundurën, të pabesueshmen, e cila ka ndodhur para syve të mi.
Unë frymëzohem çdo ditë nga sportistët kosovarë të cilët na mësojnë se kthimi është i mundshëm edhe pas dështimit, se flamuri ynë mund të ngrihet edhe në vende që nuk e kanë njohur ende shtetin tonë.
Frymëzohem nga gazetarët të cilët më kritikojnë çdo ditë dhe më bëjnë president më të mirë të vendit tim.
Frymëzohem nga qytetarët e Kosovës që përkundër dhimbjeve që kanë vuajtur, rrënimeve dhe humbjeve, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga vlerat dhe parimet dhe ende këmbëngulin në liri, barazi, drejtësi e dinjitet.
Unë besoj në një të ardhme evropiane për Kosovën dhe rajonin tonë.
Një të ardhme pa intriga, konflikte dhe urrejtje.
Mbetet në dorën tonë që ta jetësojmë këtë të ardhme.
Shpejt, në javët dhe muajt e ardhshëm.
Me një marrëveshje paqësore finale Kosovë-Serbi, ligjërisht obliguese, pa kufij në baza etnike, pa shkëmbim popullatash, por me njohje reciproke si vende të pavarura e sovrane e shtete me shoqëri shumetnike.
Ju faleminderit!

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalim, ne Keshillin e Sigurimit, Presidenti Thaçi

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT