Regjizorja Arta Kallaba ka ndërmarrë në New York një nismë promovimi dhe shitjesh të veshjeve, stileve e traditës së vjetër shqiptare nga të gjitha viset dhe trevat e kombit tonë. Puna me dorë e bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare e trashëguar ndër vite si stil, mjeshtri, traditë dhe pasuri etnografike do të sillet si tendencë e veshjeve moderne. Promovimi i punës së dorës së bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në punimet me dorë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Një përqindje e fitimeve do të shkojnë për bamirësi.
PUNA E DORËS, NJË MJESHTRI SHQIPTARE QË PO KTHEHET NË MARKË
Promovimi i punës së dorës apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në këtë fushë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Ne si shqiptarë përveç se jemi popull i bukur, veshjen e kemi pasur gjithmonë karakteristike, shumë speciale që ka tërhequr gjithmonë studiuesit dhe stilistët e huaj. Kur kam vendosur të hap këtë biznes kanë qenë disa arsye që kam dashur ta bëj, e para se e dua punën e dorës, dhe gjithmonë e kam patur ëndërr ta modernizoj një ditë këtë gjë dhe të bëhet trend duke ruajtur kështu edhe trashëgëminë etnografike shqiptare. E dyta përmes këtij biznesi shumë gra të talentuara kanë mundësi ta shprehin veten dhe njëkohësisht kanë shumë nevojë për një pagë personale të tyre sepse shumica janë nga vendet rurale shqiptare ku kanë punuar gjithë jetën e tyre pa pagesë për familjarë të tyre ndoshta, dhe tani ndjehen shumë mirë që më në fund talenti i tyre paguhet dhe promovohet. E treta dhe më e rëndësishmja e këtij biznesi është se nga buxheti që fitohet brenda vitit një përqindje jepet donacion për familjet ë varfëra në Shqipëri dhe Kosovë.
TENDENCAT DHE STILET NË KËTË LINJË MODE
Përmes kësaj linje të modës e cila është punë dore, dua të rikthej stilin e vjetër shqiptar që dikur gjyshet dhe nënat tona e bënin këtë punë dhe i thurnin veshjet për fëmijët e tyre, që për mua ka një vlerë të veçantë edhe sot, por që shumë pak e shoh nëpër botë të bëhet si trend ky produkt dhe kam vendosur të hap këtë biznes, të dizajnoj vetë këto veshje duke e futur modernen bashkë me motivet shqiptare, e që është një kombinim shumë i mirë stilesh dhe ngjyrash.
STRATEGJITË E MARKETINGUT
Për momentin nuk kam ndonjë strategji të veçantë marketingu ndoshta si të gjithë po përdor rrjetet sociale sidomos Instagramin dhe Facebook ku në faqen time në Istagram @arta.kallaba dhe Facebook ARTA KALLABA New York, publikoj veshjet dhe fatmirësisht Instagrami më ka aprovuar që blerësit të bëjnë blerje online përmes instagramit tim, si dhe miqtë e mi dashamirës që herë pas here më bëjnë marketing përmes rrjeteve të tyre sociale. Duke qenë një biznes i ri dhe në proces shtrirje e zgjerimi, më vonë do të rritet edhe fuqia e marketingut duke promovuar punën por mbi të gjitha motivet e veshjeve të vjetra shqiptare, artizanatin tonë të mrekullueshëm dhe punën duar artë të nënave e gjysheve tona, një stil dhe tëndencë e pëlqyer në çdo kohë. Kam një mirënjohje për Liridona Gjokaj, Fitore Sejdiu dhe Avdije Blakaj për ndihmën që më kanë dhënë në këtë rrugëtim.
FEMRAT SHQIPTARE ME DUAR TË ARTA
Në këtë rrjet biznesi bashkëpunëtoret e mia i kam gra e vajza të shkëlqyera që nga New Yorku e deri në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e krejt trevat shqiptare, të cilat janë mjeshtre të punimeve me dorë. Synimi i kësaj linje veshjes është mbi të gjitha promovimi i tendencave shqiptare të vjetra që kërkohen dhe në kohët moderne. Punonjëset shqiptare që furnizojnë këtë linje shitjesh me produktet e tyre janë gra të talentuara të cilat bëjnë mrekulli me duart e tyre duke mos harruar edhe punëtoret shqiptare që qëndisin nga New Yorku.
TENDENCAT DHE MODELET E VJETRA SHQIPTARE SI MARKË NË NEW YORK
Besoj se kjo do të vijë dalë e ngadalë, sigurisht se na duhet një marketing i fortë për të zgjeruar tregun dhe një marketing i fokusuar te njerëzit e famshëm dhe me ndikim e influencë në botën e spektaklit, medias, televizionit, kinematografisë, muzikës etj. Shumë personazhe publike shqiptare i kanë pranuar me shumë kënaqësi këto veshje dhe pritet kur të jetë sezoni dhe momenti i tyre që të afishojnë dhe të publikojnë diçka që kanë blerë në këtë industri veshjes me motive shqiptare. Ata kanë mbetur të mahnitur nga puna e veçantë e grave e vajzave në hapësirën shqiptare. Ka një tendencë të fortë që ndiqet nga pothuajse të gjithë ndjekësit e modës dhe jo vetëm: çdo veshje pëlqehet vetëm pas që e veshin, preferojnë apo reklamojmë njerëzit e famshëm. Ato kthehen në stil dhe tendencë menjëherë. Duam apo nuk duam njerëzit ndikon jashtëzakonisht shumë dhe vishen në bazë të asaj që i ndjekuri apo i pëlqyeri më i madh i tyre vishet. Stile që domosdoshmërisht përhapen në masë. Vihet re një tendencë tjetër që ka shumë njerëz që nuk duan ta dijnë fare se çfarë kanë veshur të tjerët, të famshëm apo të zakonshëm qofshin, ata thjeshtë e duan të mirën sepse në fund të fundit modë është ajo që na pëlqen.
NJERËZIT BLEJNË SIPAS STINËS, NGJYRAVE DHE GJËNDJES EMOCIONALE
Si duket deri tani sapo e shoh unë ngjyrat po luajnë një rol shumë të vecantë për të qënë sa më tërheqës një produkt. Natyrisht është shumë e kuptueshme se pse edhe psikologjikisht ngjyrat ndikojnë shumë edhe në disponimin e njeriut. Ngjyrat e ndezuara janë ato që tani kanë qenë të targetuara më tepër. Blerjet dhe stilet shqiptare që po preferohen janë nga më të ndryshmet por momentalisht më shumë blerësit duan fustanët, por edhe këto Jumper/Coat prej leshi po pëlqehen shumë.
NDIKIMI I REGJIZURËS NË PROMOVIMIN E PUNËS SË DORËS
Pa dyshim që ka ndikuar shumë profesioni im i regjizores në fokusimin në këtë industri biznesi, stili dhe shërbimesh. Por edhe para se të merresha me regji, unë kam qenë shumë e dhënë pas veshjeve sidomos kam pas një interesim shumë të madh ndaj punës së dorës dhe kështu e kam mësuar ta bëjë edhe vetë. Në teatër pastaj duke lexuar dramën gjihtmonë duhet ta shohësh fotografinë se si duhet të duken këta personazhe, sigurisht më në detaje merret pastaj kostumografi apo kostumografja por edhe ne si regjisorë kërkojmë pak a shumë atë që e duam për shfaqjen. Arti më ka mbushur më me ide, me shpirt dhe me dritë. Gjithmonë jam në kërkim të kapjes së elementeve dhe tendencave që ka preferencë dhe dëshirë publiku im.