• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja si u interesua Qeveria Shqiptare në vitet ’30 për kosovarët

December 6, 2016 by dgreca

Nga Leonora Laçi/1-leonora-laci

-Këto dy relacione na tregojnë që qeveria  shqiptare, ndiqte me interes shpernguljen e shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë dhe jep të dhëna sesi po zbatohej program i kolonizimit në terren  në vitet ’20-’30.

-Sipas dokumentave arkivore te Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme 1935, Dosja 185, fleta 173-177, i dergohet Zotit Rauf Fico Minister Fuqiplote i Shqiperise -Beograd. Nr II\31

unnamed-2 unnamed-1unnamed-3unnamed

Teper rezervate\

Shkurtimi: Mbi emigrimin e kosovarëve\

Zoti Minister\

Kam nderin ti sjell në dijeni Shkelqesis s Uaj se simbas informatave që marrim nga burime të ndryshme dhe të besueshme, me datë 20 vazhdues, një Komision i përbërë nga Kolonel Milan Branavaçki , Drejtor i Reformës Agrare, me ndenje në Shkup, nga një nëpunës i naltë i Drejtoris Agrare të Belegradit dhe nga dy nëpunësa të Banovines Vardarit të shoqeruar nga N\ Prefekti i Gjillanit Bogdanoviç, nga Kryetari i Komunës Vitimes dhe qark-komandanti i gjandarmeris, kanë vajtur në katundin Derna Glava të Gjilanit, ku kanë mbledhur shqiptaret e atij katundit dhe të Korbilivit dhe u kanë deklarue se, simbas urdhërit që sjellin nga Belgradi. Ata që deshirojnë me shkue si emigrantë në Turqi, tokën mos t’ia shesin kurrkujt por t’ia lëshojnë qeverisë, e cila ka me u nxjerrë gratis dhe pa paguar asnjë taksë pasaportat dhe ka me i dergue me shpenzimet e saja deri në Edrene të Turqisë, me anën e Bullgarisë; gjith’ashtu dhe at që e kanë shit token dhe pergatiten me emigrue në Turqi, qeveria jugosllave ka me i qit në kufinin e Turqis duke pague vetem gjysmat e shpenzimevet t’udhetimit. Njekohesisht i keshilluan që të mos vijne në kontakt me komisionaret e ndryshme, masi qeveria merr persiper gjithë çka duhet për vajtjen e tyre në Turqi.

Në pyetjen e disa katundarevet, midis të cileve i quajturi Rexhep Deli Muslli, se ata deshirojnë me shkue në Shqiperi, dy prej nëpunsavet në fjalë u janë përgjegj se ” në Shqiperi keni me vdek per buke” dhe se:” pasaporta per Shqiperi nuk po ju leshojme.” Te nesermen, komisioni në fjalë eshte kthyer në Shkup, por N/prefekti i Gjillanit qysh prej dates 24 deri me 27 të ketij muaji, ka shetitur katundet e qarkut te quajtur Desivoica, Leaçiç e Belogla dhe ka perseritur deklaratat e komisionit, duke bere propagande në ketë sens qe katundaret, sa me pare të emigrojnë per Turqi.

Informaten e masiperme e kemi marr nga disa shqiptar te katundit Derna Clava, te cilet kane degjuar deklaratat e komisionit dhe tue marre parasysh rendesine e saj, rezultati i se ciles eshte se kjo i pershtatet plotesisht se vertetes. Siç shifet nga kopjet e letrave qe paraqisim, ngjitazi, te marruna nga besniket t’one  ne Gjillan si dhe nga perkthimi i nje letre te shkruar ne gjuhen e vjeter turqishte, derguar dashamiresit t’one te ditur z.Hoxhe Sait Idriz nga nje iman t’atyne katundeve. 

Vetem besniku i jone ne Gjillan z.Aqif Ismail pretendon se Koloneli s’ka qene me ta, por gjithe informatoret e tjere insistojne se ka qene dhe nje Kolonel ( Pukovnik ) i Shkupit i cili s ‘mund te jete tjeter se Milan Branavaçki i Reformes Agrare.

Gjithashtu Post -komantanti i Gjandarmeris te katundit Desivoica te Gjillanit i quajtur Dragutin Ustoliç qysh prej disa muaj por sidomos ne kohen e fundit eshte tue bere nje propogande te forte per te shtrenguar kosovaret e atij qarku me emigrue ne Turqi.

Ky njeri eshte me origjin nga Kosova dhe flet mire gjuhen shqipe dhe gjendet n’ate post qysh prej 12 vjeteve . Natyrisht masi qendron atje nje kohe te gjate njeh mire vendin dhe me cilesite e tjera te tij, eshte personi ma i pershtatshem per kete propagande.

Midis argumentave qe perdor i nalt permensuni eshte dhe ky :” Toka jote -i thote njerit sot – ka njr fare vlefte bie fjala 2000 dinare ne qofte se nuk e shet tash kjo toke neser nuk do te ket ma teper se 200 dinare. Juve sido qe te jete keni me ik prej kendej per me ia leshu vendin malazezevet prandaj nje or e ma pare behuni gati dhe shkoni ne Turqi duke profituar nga lehtesinat qe qeveria jugosllave eshte tue u bere perkatesisht me udhetimin t’uaj deri atje”.

Ne ditet e fundit post komandanti ne fjale eshte tue shetit edhe neper katundet Terstene, Desivoica,Laiçiç, Beloglava,Sedllan dhe Vruçeç  te Gjillanit me kete duke bere po kete propagande. Na kane siguruar shume kosovare qe atyne qe i kundershtojne fjalevet te tij u pergjigjet me brutalitet dhe me shamje.

Propaganda e emigrimit per Turqi e bame ne kete menyre prej nepunesvat jugosllave ne nje krahine me nje popullsi thjesht shqiptare ku mikrobi i emigracionit eshte dèja i perhapur ne menyre remarquable siç kemi parashtrue me shkresat t’ona te ndryshme si dhe me argumentat qe perdorim rreth lehtesimit te shpernguljes se tyre dhe t’udhetimit deri ne Turqi, kuptohet lehtazi prej Shkelqesis s’Uaj se çfare konsekuenca katastrofale do te kete per çeshtjen e shenjte kombetare qe jemi tue ndjekur, ne qoftese nuk reaksionojme me kohe per te nautralizuar efektet çkaterruese te saj.

Kemi vrejtur me deshperim te madh se ne ditet e fundit grupe te dendura kosovare nga krahina e Gjillanit  te hutuar nga kjo propagande dhe tue mos dite se si te bejne, jane tue ardh ne kete Kryekonsullate Mbreterore per te kerkuar keshilla se qysh te veprojne perpara kesaj gjendje qe eshte krijuar.

Nga ana jone mundohemi me gjithe fuqinat modeste t’ona, t’ u çdukim pershtypjen e keqe te kesaj propagande, i ankurazhojme duke i kallzuar interesimin e gjalle te Shqiperise se lire per ta, dhe ne konformit me progrsmin e ndjekur perkatesisht me kete çeshtje, u japim keshillat e duhura. Duke ju parashtruar sa me siper ia lë ne pelqimin e Shkelqesise s’Uaj çdo demarsh qe kini me pa t’arsyeshme ku duhet per me i pre hovin kesaj propagande çkaterruese. 

Pranoni ju lutem, Zoti Minister, sigurimet e konsideratavet te mia ma te larta.

Gjerenti

Sofo Çomora (d.v)

Vertetohet se eshte nje me origjinalin

Shkup, me 29 korrik 1935

Dokument i Arkivit te Ministrise se Puneve te Jashtme, Viti 1935, Dosja 185, faqe 140-142

Nr II\ XXII (Rezervat)

Shkurtimi: Mbi sasine e kosovareve t’emigruar ne Turqi.

Zoti Minister

Ne pergjigje te shkreses rezervate t’Asaj P.T.Ministrie Mbretnore Nr.B.III.14/50 date 20 qershuer k.v kam nderin t’i bej te ditur se, masi ketu kerkush nuk ka dijeni te plote mbi sasine e kosovareve qe kane emigruar ne Turqi, u mejtuam se, e vetmja menyre per te marre vesh sasine e sakte te tyre ka qene Kryekonsullata greke e ketushme, ne regjistrat e se ciles figurojne emnat e te gjithe emigranteve kosovare meqe keta kane kalue transit ndermjet Selanikut per ne Turqi.

Per kete qellim i’u drejtuam titullarit te Kryekonsullates greke, me te cilin me shume sakrifica kemi mundur te sigurojme relata miqesore dhe Z. E tij ne menyre teper konfidenciale dhe pa dijenin e personelit te tij, masi çeshtja paraqiste pergjegjesi te rende per të, na vuri ne dispozicion gjithe regjistrat e Zyres Konsullore.

Keshu, zoti Sofo Çomora, Sekretar i kesaj Perfaqesie Mbretnore duke shkuar dhjete dite me radhe ne Kryekonsullaten e Greqise, ne kohe nate dhe kur personeli i saj s’ka qene atje, ka kontrolluar imtesisht 21 cope regjistra te vizave konsullore te akordueme qysh prej vitit 1921 deri me sot, dhe ka mundur me shume mundime te njxerr numrin ekzakt te pasaportave qe kane marre vize gjate atyre 15 vjeteve.

Nga kontrollimi ne fjale qe bani z.Sekretari rezulton se qysh prej vitit 1921 gjer me sot jane vizuar 30.000 pasaporta transit per ne Selanik te cilat tue llogarit per çdo pasaporte aproksimativisht nga 3 persona, perfaqesojne nje numer nga afro 100.000 veta.

Duke marr parasysh se nje pjese e madhe te ketyne pasaportave kane qene nga viset ku flitet gjuha turiqshte si; Palanke, Istip, Koçan, Doiran, Qyprili dhe shume boshnjake si dhe nje pjese tjeter jane kthyer prap ne Jugosllavi, rrjedh se nga elementi thjesht shqiptar i Kosoves, kane emigruar ne Turqi gjate 15 vjeteve afro 30 mije fryme. Kurenti me i madh i emigrimit eshte çfaqur mbrenda vjeteve 1925 dhe 1928.

Ne baze po te ketij kontrollimit eshte vrejtur se emigrimi i Gjillanasvet eshte realizuar mbrenda dy vjeteve te fundit dhe se deri ne muajin Maj 1925 jane vizuar 700 pasaporta te Gjillanasvet te cilat simbas llogaris s’one dhe nga informata te tjera qe kemi siguruar perfaqesojne 2.000 fryme.

Me kete rast e shof per detyre te theksoj sherbimin e madh qe na ka bere kryekonsulli grek ketu, me vuemjen ne dispozicion te regjistrave te vizave konsullore nfa ana tjeter çfaq kenaqesin t’eme ma te madhe per z.Sekretarin e kesaj Kryekonsullate i cili, pa u shmangur asnje mundimi ne kohe nate, ka mundur te mbaroj kete veprim te rendesishem duke kontrolluar 21 cope regjistra brenda nje kohe proporcionalisht te shkurter.

Pranoni Ju lutem,Z.Minister, sigurimet e konsideratavet te mia me te larta

Kryekonsulli

Filed Under: Histori Tagged With: kosovaret, kujdesi, Leonora Laci, Qeveria shqiptare

NAFTA NЁ SIRTARЁT E QEVRISЁ SHQIPTARE

July 7, 2015 by dgreca

Duke nisur nga dita 26 mars 2015 në Shqiperi do të importohen pa taksa TVSH-je disa lloje kafshësh, ku vlen të përmenden gomari, struci, deveja, etj.-Nga shtypi shqiptar/
Shkruan: Ing. Ahmet Ҫollaku-SHBA/
1-Nga shtypi Shqiptar mesoj se Ministria e Energjisë dhe Industrise ka vendosur të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do tu jepen kompanive të huaja private, duke anuluar kështu dy urdhrat e mëparshëm. Afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku dhe se në këtë ofertë përfshihen Blloqet 4, 5, C, i Panajasë dhe Blloku i Dumresë… Më tej thuhet se shtyrja bëhet, pasi disa kompani ndër më të mëdhat, kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave…
Deri më sot, zonat hidrokarbure kane qënë nën administrimin e “Albpetrol”, i cila i ka
transferuar ato tek kompanitë private përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit, Qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proҫes të hapur dhe fituesit do të zgjidhen përmes kritereve të paracaktuara…
2-Keto zigzage qeveriatre më japin rastin të radhisë faktet e më poshtëme, jo për t’ iukundërvënë ndonjë istitucioni shqiptar, por për të treguar aparencën e komunikimit të institucioneve qeveritare me publikun e specializuar, ndryshe nga sa është shprehur kohë më pare shefi radhës Edi Rama. Këtu më poshtë do të lexoni ҫfarë bëhet me administratën qeveritare. Kur ky trajtim më bëhet me mua, imagjinoni komunikimin me popullin e thjeshtë!
Para disa vitesh kompania sizmike Gustavson nisi studime në zonën Papër deri në Tiranë, të cilën së pari e kishim studjuar ne shqiptarët, dhe pas nesh kompanija Franceze Coparex.
Më pas kompanija Gustavson u konvertuan kompani Manas Petroleu(!). Ne shqiptarët e
kishim vlertësuar këtë zonë me shumë perspektivë.
Po vidhej puna e mirëfilltë shqiptare. Së pari iu drejtova vetë kompanisë Gustavson, ekipit te saj, z. Alexander Becker, z. Jan Tomcenek dhe z. Erik Herlyn (Chief operating officer). Vetëm ky i fundit më kushtoi pak vëmëndje. Ai më përcolli një e-mail, me anën e të cilit më falenderonte që interesohesha për operacionet e tyre në Shqipëri dhe se dëshironte të bisedonte me mua… Dikush me pas (!?), pa dyshim ndonjë shqiptar,(aforizmi thotë, i joti të bënë gropën), mundet të jetë konsultuar me këtë kompani, dhe z. Erik Herlyn e këputi komunikimin me mua…
Biznesi I kësaj kompanie në Shqipëri ka shumë mistere. Ajo përlau Coparexin dhe, siҫ më tha më pas një koleg, kjo kompani bënte vetëm retushime grafikësh shqiptarë, të cilët më tej I shiste si punime të vetat… Tmerri më i madh në Shqipëri bëhet me pasuritë minerale, me gjeologjinë, me të drejtat e autorit, me fondet e gjeologjisë, po sidomos me naftën shqiptare. Kompania mixt Shell-Petromans Energy, me materialet e gjeologëve tanë T.Velaj, H. Bakiu, A.Mema, K.Rama e tjerë, po shëmbin malin e Shpiragut. Në këtë zone janë shpuar disa puse. Konkretisht pusi Shpirag- 2, ka arritur fundin 5,553 m. Nuk është pak. Shpenzimet totale në dollarë një Zot i di. Pra, kjo kompani mixt do naftë pa tjeter, prandaj po e sheshon me buldozier malin e Shpiragut kurse ne Shqiptarët, nafëtarë dhe jo naftëtarë, autorë dhe jo autorë, bëjmë parada në facebook me detashmentin fiktiv “Armata e Naftëtarëve”, pa marrë guximin më të vogël tu kundërvihemi haptazi qeveritarëve tanë, që vjedhin dhe mashtrojnë… Po kjo kompani i ka vënë syrin edhe objektit të Paprit. Konkretisht ajo ka retushuar profinin tonë gjeologjik, që kalon në pusin Pa- 4, projektuar dhe shpuar nga ne shqipatët, duke e quajtur punë të tyre. Si mund të qeveriset një vend, që ka 246 lloje djathrash, thotë Charles de Gaulle.
Pa dyshim, për këto probleme shumë të rëndësishëm, që kanë të bëjnë me studimin e mirëfilltë shqiptar, kam bërë përpjekje të komunikoja me Qeveritë Shqiptare të ҫdo krahu. Kështu, në vitin 2008 iu drejtova me një leter zyrtare direkt ish K/Ministrit të asaj kohe, Z. Sali Berisha. Nga Ai mora letrën me nr. 17/585 Prot,dt.9.12.2008, ku më thonëse me porosi të Tij letra ime do t’i dërgohej Ministrit të Ekonomisë, Tregetisë dheEnergjitikës, z. Genc Ruli. Kjo letër është firmosur nga z. Elham Sharra, Drejtor i Komunikimit me Publikun. Në të njëjtën kohë unë i kisha nisur letër edhe vetë z. G. Rili.
Më 30.12. 2008, nga Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, nepërmjetë Drejtorit Adrian Jasimi, mora shkresën nr.10774/3 prot. ku ai tenton të më sqarojë duke ju shmangur studimit tonë shqiptar, që kishte të bënte me vjedhjen e punës shkencore. Ai në atë letër bënë histori të investimeve në Shqipëri, liҫensimin e kompanive të huaja dhe lidhjet Hidrokarbure. Pra, ai hidhet degë më degë, duke ë vendosur veten në pozicionin e specialistit të mirëfilltë të naftës shqiptare. “Gjeologjia e Shqipërisë është shumë e komplikuar (!!), dhe duhen investime të konsiderueshme që të paraprijnë vertetesimin e tyre”, thotë ai, dhe më tej shton se ju (është fjala për mua),ndërkohë mund t’ia paraqisni idetë ndonjë kompanie dhe, nëse është e nevojshëme, ne mund tu vëmë në kontakt me perfaqësuesit e saj, madje edhe tu krijojmë mundësi për prezantimin e studimeve tuaja… Fatkeqësisht, Ai nuk bëri asgjë për të më dhënë mundesinë të prezantohem me këto kompani të huaja të naftës në Shqipëri.Administrata Shqipatre bënë sherbimin e rojes së gadishmërisë ushtarake pranë istitucioneve shqiptare.
Po për këto probleme, në vitin 2014 iu drejtova edhe qeverisë së z. Rama. Këtë radhë bëra
saktësime gjeografike dhe përcaktim zone. Me shkresën nr. 5957-1 prot. dt. 2.19.2014,
administrata e z. Rama, me përgjegjëse Znj. Ana Rafti-Drejtore e mardhënieve me qytetarët, më vuri në dijeni se letrën time ia ka dërguar për ndjekje Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Nga kjo e fundit, nëpërmjetë z. Koli Bile-Sekretar i Përgjithshëm, mora shkresën me nr.5251/1 prot. dt. 29.9. 2014, ku ai më porosiste të bëja më shumë saktsime, të jepja kordinatat e puseve (?!), për të bërë më tej korrespondencën me blloqet e kërkimit
Sipas administratës qeveritare, ne shqiptarët duhet tu japim të huajeve edhe koordinatat e puseve ku të shpojnë(!) Më pas Ai thotë se, do të mundësojmë komunikimin me ju për të bërë saktësimet e kërkimeve… Por, deri më sot edhe me këtë dinasti nuk është bërë asgjë konkrete…
Në letrën që I nisa këtij istitucioni dhashë kordinatat e katër zonave të cilat une I mendoj shumë perspektivë, konkretisht zona e parë përfshihet në sektorin X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X5.00-Y5.00, X5.00-Y5.00, zona e dytë në sektorin X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, X0.00-Y5.00, zona e tretë në sektorin X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, X0.00-Y07.50, dhe zona e katërt në sektorin X0.00-Y0.00, X05.00-Y05.00, X06.00-Y0.00, X05.00-Y05.00. Në letër theksoj se vlerësimi dhe përvetësimi I këtyre të dhënave nga ndonjë person tjetër zyrtar ose jo zyrtar shqiptarë apo kompani e huaj që bënë kërkime për naftë në territorin e Shqipërisë, do ta quaja vjedhje dhe do ti drejtohem zyrave juridike që mbrojnë të “Drejtën e autorit”… .
Gjithashtu, këto ia përcolla edhe zyrës së AKBN, e cila e dredh Shqipërinë nga të katër anët. Nëse doni të skanoni korrupsionin Shqiptar, studjoni gjithë arkivat zyrtare të kësaj zyre, bashkë me personelin që ka punuar ose punon aty. Veҫse mos harroni të kujtoni se shumë nga ai personel tekniko-administrariv, që ka bërë ato negociata dhe marrëveshje konçensionare monstruoze, ia ka mbathuar jashtë shtetit, fshehur tashmë nëpër kompanitë e huaja me karta identiteti të tjera, kurse ca të tjerë janë këtu pranë nesh, dhe nuk ua bënë syri tërr…
Sa i grabiten Shqipërisë në një ditë në naftë? Sipas ministrit Gjiknuri, në vitin 2013 Shqipëria ka prodhuar 1 milion e dyqind mijë tonë naftë. Çmimi i naftës në botë ka qënë mesatarisht 105 $ fuçia. Marrim çmimin 90 dollarë fuçia dhe rezulton se kjo sasi nafte ka vlerën 540 milionë $. Pra, në ditë na janë grabitur 1 milion e 480 mijë dollarë. Në vitin 2014 Shqipëria prodhoi një milion e katërqind mijë tonë. Vlera e kësaj nafte është 630 milionë $. Në këtë raste na janë grabitur një milion e 726 mijë dollarë amerikanë në ditë Po në krom, në bakër-flori?.. Eshtë tmerr i vërtetë, kurse qeveria jo vetëm nuk bënë transparencën e konçensioneve, por do të shkërmoqë gjithë Shqipërinë! Ne bëjmë sehir!
Nga AKBN më dt.8.9.2014 mora shkresën nr. 7501/1 prot. firmosur nga z. Dael Dervishi, Derejtor Ekzekutiv. Ai thotë se aktualisht blloqet e kërkimit për naftë dhe gas në
vëndin tonë administohen nga Albpetroli, kurse AKBN ndjek zbatimin e marrëvëshjëve të lidhura, prandaj, ju sugjeroj,-vazhdon Ai,- të merrni kontakt të drejtëpërdrejtë me kompanitë që kanë interes për zonat ku juve keni projekte të gatëshme studimore… Ah,dua t’i them zotërisë, si nuk e kuptoni apo bëni sikur nuk e kuptoni, se këto projekte me vlera kolosale, janë projekte tona shqiptare, te popullit tone… Unë nuk pres kurrë që Banka Boterore, apo zyra financimi të Bashkimin Europian të na thonë: Ju shqiptarët keni naftë, eksperiencë një qind vjeҫare, specialistë… Ne do tu japim 800.000.000 ero të zhvilloni këtë industri fitimprurëse. Ju keni plot rrugë te dilni nga kjo varfëri e turpëshme…
I nderuari z.Dael Dervishi e di mirë, se të gjithëve specialistëve të naftës shqiptare
u është mbyllur dera e komunikimit me këto kompani të huaja, biles është vështirë të komunikosh edhe me vëtë AKBN. Vite më parë fola me një koleg, që punonte në ato zyra.
Ai i trembur më tha që të mos bëja zë me asnjë që kemi bisedur bashkë, se ndryshe do ta hiqnin nga puna. Pra, siҫ kuptohet, është më lëhtë të hysh në Pentagonin Amerikan sesa nëpër institucionet që merren me naftën shqiptare. Kjo derë u mbyllet specialistëve të naftës shqiptare.
3- Për problemet e naftës në përgjithësi, dhe për ato specifikenë veҫanti, unë u kam drejtuar letra të hapura në shtypin shqiptar, si z. Berisha dhe z. Rama. Të gjitha janë në faqet e internetit. Për këto letra të hapura, zotërinjtë nuk treguan interesin më fillestare, të paktën të më ҫonin dy gisht letër. Ja, kështu kominikojnë qeveritë shqiptare dhe administratat e tyre me specialistët dhe popullin e vetë…

Për qeveritë shqiptare, unë specialisti i naftës nuk jam asgjë. Përse këto AKBN, Albpetrol, Ministiria e te tjera institucione Hidrokarburesh, nuk gjejnë një rrugicë të kominikojnë me specialsistet e vërtetë të naftës shqiptare, të cilët dinë jo vetëm zonat perspektive, por edhe ku duhet shpuar. Nuk është gjë e thjeshtë t’i ofrosh një kompanije të huaj një studim të gatshëm, një objekt konkret për të cilin nëse ata do ta pregatisnin vetë, do harzhonin shuma të mëdha, kurse për objektin tonë konkret, ata do të harxhonin një shumë minimale parash, vetëm për ta verifikur, për tu bindur për saktësinë e vizatimit. A ka gjë më të ndershme dhe më të thjeshtë se kjo?! Të gjitha këto të ardhura, do të shkonin në rritjen e mirëqënies dhe ekonomisë shqiptare! Sepse dihet nga të gjithë, se studimi sizmo-gjeologjik i një objekti për shpim, ka gati po atë vlerë monetare sa edhe vetë shpimi i pusit.

Nëpër digasteret shqiptare, janë instaluar disa specialistë, që dinë vetëm të servilosen, të kominikojnë tinaz vetëm me ministrin. Këta beniaminë pengojnë ҫdo llojë komunikimi të
specialistëve me institucionet shqiptare. Pa u krehur këto plehra, nuk do të ketë ecje
përpara. Shqipëria nuk do të zhvillohet me propagandën, “do të nxitim poҫerinë e Korҫës”. Përse qeveriaja shqipatre nuk fton në një takim të gjithë specialistet e naftës shqiptare të njihen me këto oferta vendase, se vetëm këta do t’i ngrejnë ato paketa në nivele të larta!? Komunikimi i popullit me institucionet qeveritare është baza morale e një shteti demokratik. Specialistët e naftës nuk kanë asnjë rrugicë komunikimi me institucionet qeveritare, sepse këto rrugica janë të mbyllura ose të minuara. Z. Rama ka mbajtur një leksion për punën e administratës qeveritare, ndërsa për naftën, kujtohet pas një ëndërre të keqe! Thirrjet nëpër fushata, ku veshi nuk të zë fjalën naftë, janë ulërima për pushtet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ahmet Collaku, Nafta, Qeveria shqiptare

QEVERIA SHQIPTARE”JO” ZYRTARISHT ARMEVE KIMIKE TE SIRISE NE SHQIPERI

November 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Pamje nga protesta ne Tirane/

Qeveria shqiptare i thotë zyrtarisht jo ardhjes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Pas protestave në rrugë të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë, kryesisht të rinj kryeministri Edi Rama është sinkronizuar me qëndrimin e tyre, duke refuzuar kështu kërkesën e partnerit dhe aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një rrëfim të gjatë për opinionin publik dhe ata që protestonin përballë Kryeministrisë, Rama tha se nuk do të mund të merrte kurrë, për asnjë arsye asnjë vendim që do të cënonte apo vinte në rrezik jetën e qytetarëve.

“Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë; ata që duan t’ju helmojnë e çorodisin përditë me shpifje, gënjeshtra e mllefe gjithëfarë, siç kanë bërë me vite këtyre anëve; ata që duan t’ju ngopin me lugën bosh të injorancës e të ligësisë së tyre të njohur ndaj këtij vendi.  E për t’i ndarë gjërat duke ndarë edhe gjënë për të cilën ju protestoni, ka vetëm një pikë ku unë u ndala pa mundur ta kapërcej dot në diskutimet me partnerët tanë: Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike – jo thjesht financiarisht apo me ekspertizë sepse të tilla ka, por flas për pjesëmarrje direkte. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë. E askush s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria dhe as që ky operacion kërkon një vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme. Por fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju njësoj si për mua, sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e  plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion” deklaroi ai.

Menjëherë pas kësaj qindra protestues të përfshirë kanë shpërthyer në gëzim para Kryeministrisë.

Menjëherë pas kësaj qindra protestues të përfshirë kanë shpërthyer në gëzim para Kryeministrisë.

Ndërkaq ai sulmoi ata që tentuan të hedhin baltë mbi procesin e diskutimeve me aleatët, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar shqiptarët dhe se e kishte marrë tashmë vendimin për sjelljen e këtyre lëndëve në Shqipëri.

“E këtu tani, u vjen natyrshëm radha paraardhësit tim si edhe atyre që shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, duke e çarë dje, për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, dhe duke e kthyer parlamentin në një skenë skizofrenie politike ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi;  Dhe ku mbeti pa u thënë vetëm që Asadi do që të shfarosë sirianët, kurse Presidenti Obama do që të shfarosë shqiptarët. Unë e di sa ju dhemb zonja e zotërinj opozitarë jo thjesht humbja e 23 qershorit, po ende më thellë, sa ju dhemb humbja e pushtetit mbi paratë e shqiptarëve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po merr bota e ulët e krimeve ekonomike, të cilën e ndërtuar si një mallkim damkosës në trupin e Shqipërisë.Por që dhimbja juaj të ishte kaq e madhe, sa të kapeshit pas Asadit dhe bombave të tij, për të qëlluar me histeri edhe Amerikën përveçse qeverinë e mua personalisht, këtë vërtet nuk ma tha asnjëherë imagjinata. Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bëni thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci!  Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës? Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj, është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e Lula të vocërr të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë? Po pse, çfarë janë Kombet e Bashkuara, çeta juaj e zullumqarëve që vazhdon rend pas një të marri, i cili, pasi e ktheu Shqipërinë në një kosh plehrash importi, nxjerr Lulin e vet të vocërr të zullumeve të mëdha për të kërkuar referendum popullor kundër Amerikës? Nguleni në kokë sot dhe deri kur nuk do ta lini plakun në vetminë e vet, se referendumin popullor kundër plehrave Shqipëria e bëri në 23 qershor! Ku e keni vendimin që thatë se ishte marrë pas shpinës së shqiptarëve dhe do shpallej sot, të premten?  Asnjë vendim s’është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa ata 1 milionë të cilët e bënë njëherë referendumin kundër plehrave dhe pa ato gra e burra që janë përfaqësuesit e 1 milionë shqiptarëve në parlamentin e vendit. Në këtë pikë dua t’ju them tani gjithë shqiptarëve, të mos lejojnë askënd të tallet me ta përmes krahasimit të shëmtuar mes plehrave që e mbytën Shqipërinë për biznes deri në 23 qershor, dhe lëndëve kimike të një lufte të njerëzimit kundër armiqve të tij të betuar. Ju fola në fillim për pjesën e vështirë të rreshtimit krah për krah me të fortët e botës, si shqiptarë dhe si anëtarë të NATO-s. Teksa po shkoj drejt mbylljes, dua t’ju pyes: A nuk mendoni se pikërisht Shqipëria, po po, kjo Shqipëria jonë e vogël dhe e drobitur nga shumë padrejtësi e fatkeqësi, nuk mundet dot të ishte as e para, as e dyta dhe as tjetra me radhë që të refuzonte përfshirjen në këtë operacion, po duhet të qëndronte, deri në fund, e të përpiqej besnikërisht për krijimin e kushteve më optimale që do të mundësonin përfshirjen e saj(?) – sipas mundësive e nevojave të saj?  E pra, unë s’kam dilema për këtë dhe këtë bëra, në emrin tuaj e të Shqipërisë. Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!”; As duke u kuturisur të krahasohemi kot më kot me të tjerë, më të mëdhenj e më të fortë se ne, të cilët për arsye krejt të tjera mbajnë qëndrime të tjera nga tonat” tha Rama.

Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që nënshkroi rezolutën për Sirinë u radhit krah atyre partnereve që mbështesin paqen dhe demokracinë nëpër botë. Rama konfirmoi se në këtë diskutim, Shqipëria parimisht ishte pro, sepse ishte detyrim i saj për të qenë krah aleatëve të mëdhenj.

“Në 11 shtatorin e saposhkuar, kur i’u drejtova parlamentit për programin e qeverisë së re, e nisa fjalën time me tragjedinë e kullave binjake dhe barbarinë e regjimit vrastar në Siri.Ishte koha kur armët kimike të Asadit kishin bërë një kërdi që tronditi botën dhe çdonjërin nga ne po ashtu. Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, shpallën përgatitjen për sulmin ushtarak ndaj Sirisë.Në përputhje të plotë me boshtin strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë, si edhe me programin e ri qeverisës, unë theksova se Shqipëria do të ishte, si gjithnjë, “në krah të Amerikës dhe çdo aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë mund ta kërkojë”.Rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve çoi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatosjen pa luftë të regjimit sirian, përmes shkatërrimit të arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit. Këtë rezolutë e mbështeti plotësisht dhe Shqipëria, në përputhje të plotë me nderin e me dinjitetin tonë si vend i angazhuar botërisht, për të kontribuar për lirinë, demokracinë, paqen, kudo në botë.Më pas, u kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Dhe përgjigja jonë, ashtu si përgjigja e një sërë vendesh të tjera, ishte ajo që imponon historia jonë e këtyre njëzet e tre viteve; boshti strategjik i politikës sonë të jashtme, pa dallime partiake deri dje paradite; detyrimi ynë për të qenë në krah të aleatëve tanë më të mëdhenj, në çdo përpjekje madhore për një botë më të mirë dhe, padyshim, vetë interesi ynë kombëtar që është pazgjidhshmërisht i lidhur me marrëdhënien tonë speciale me Shtetet e Bashkuara:Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejtë. Prandaj gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën, duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera” sqaroi kryeministri Rama.

Kryeministri sqaroi se nuk foli më herët për fazën e diskutimeve me aleate, për arsye se ky nuk ishte subjekt i një debati publik, por një operacion i komplikuar sa civil aq edhe ushtarak.

“Ky të dashur miq është një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak, dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik. Kjo nuk ndodh në asnjë vend serioz, ku qeveria, publiku dhe parlamenti thirren në debat vetëm kur ka një plan operacional e jo gjatë ndërtimit të planit operacional.Por, për më tepër, dua t’ju siguroj sot se në gjithë procesin e diskutimeve intensive të gjithë këtyre javëve, ne jemi përqëndruar me vëmendje e vullnet të madh përmes një grupi teknik, duke kërkuar nga ekspertiza e partnerëve përgjigje për çdo pyetje të ngritur nga ambientalistët, çdo shqetësim të shprehur nga ju, çdo argument ekspertësh apo pseudoekspertësh që ngrinin peshë mendjen tuaj nga ekranet e faqet e gazetave. Ndërsa unë jam përpjekur me shumë vullnet e pasion, të marr jo vetëm sigurinë e plotë për moscënimin e asnjë fijeje floku dhe mosmbetjen e asnjë mbetjeje në territorin shqiptar, po njëkohësisht edhe mirëkuptimin që në këtë përpjekje të madhe të fuqive të mëdha, supet e vogla të Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive të tyre. Kemi gjetur përgjigje të njëpasnjëshme, kemi marrë garancira të njëpasnjëshme, por është dashur kohë. E ndërkohë, përveç gatishmërisë në parim, siç ju kam thënë, nuk kam marrë asnjë angazhim përfundimtar, për ta çuar këtë çështje për vendim para qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse kam qenë gjithë kohën i vetëdijshëm se nëse do ta hidhja këtë hap, duhet të kisha bindjen më të plotë jo vetëm tek garancia plotë e sigurisë teknike, por edhe tek përfitimi që shoqëria jonë, vendi ynë, kombi ynë meritonte të nxirrte nga ky kontribut fantastik për mbarë njerëzimin. Më vinte sot përmes dritares thirrja e përsëritur e protestuesve, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, dhe lejomëni t’jua them sot, hapur, në sy, se për këtë jam përpjekur tërë këto ditë e netë diskutimesh. Këtë u kam përsëritur papushim miqve tanë të mëdhenj amerikanë dhe europianë, duke u thënë: Na ndihmoni t’i tregojmë Europës se ne jemi pjesë e saj dhe jo një kosh plehrash në mes të Europës!Na ndihmoni të dalim më të pastër e më të fortë nga kjo histori që edhe ne t’ju ndihmojmë me çfarë kemi mundësi!Na ndihmoni të kontribuojmë për të mirën e njerëzimit, duke kontribuar edhe ju për të mirën e njerëzve tanë!” tha ai.

Kryeministri u kujtoi shqiptarëve se aktualisht në vend ndodhen 31 zona mbetjesh kimike që vrasin përditë dhe se në pjesën e diskutimeve me aleatët ai kishte kerkuar të mos shkuleshin nga Shqipëria derisa vendi te pastrohej totalisht nga këto substanca të rrezikshme.

“Dua t’i pyes ata që me plot të drejtë thërrisnin sot, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, a e dinë që në Shqipëri ka 31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat nuk plasin po vrasin ngadalë? Janë zona që dihen prej vitesh, të shenjuara në listën e zezë të planetit, po Shqipëria e varfër, ashtu si çdo vend i varfër në këtë botë, nuk mund të lerë pa paguar rrogat e pensionet për të pastruar mbetje të tilla që kushtojnë qimet e kokës. Një nënë e re nga një pikë e tillë në Elbasan më çonte një mesazh, “O kryeministër, në fshatin tonë ka fëmijë me tumor çdo vit kurse ti do me na i vra krejt fëmijët”. Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit – po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Fushë Arrëz, Prrenjas, Burrel, e me radhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor.U kërkova edhe pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe dhe pak nga pak, u mirëkuptuam.  Po ashtu më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane. Sepse o miq, në Shqipëri nuk do të na mbërrinin bombat e famshme të cilat çmontohen në Siri, po lëndët kimike të nxjerra prej tyre (pra jo fishekët po baruti). Ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve pas trajtimit të lëndëve që do të vinin këtu, të bëheshin gjetkë, në vende të tjera. Kështu mbi tokën e Shqipërisë nuk do të mbetej më absolutisht asnjë thërrime lëndë kimike.Siç po mundohem t’jua rrëfej të vërtetën me përpikmëri ndaj fakteve dhe besnikëri absolute ndaj jush, në gjithë këtë proces unë ju kam përfaqësuar ju dhe Shqipërinë, me respektin më të madh për Shtetet e Bashkuara po edhe përunjësinë më të plotë për interesin tonë kombëtar e publik” tha më tej Rama.

Rama theksoi se situata e krijuar solli edhe reagimin e pabazë dhe të pakuptimtë të atyre që shkaktuan Gërdecin, me 26 viktima të pafajshme dhe që kërkonin të mos kishte më Gërdec.Po ashtu Kryeministri preku edhe kërkesën e PD-së për referendum popullor, të cilin e konsideroi si referendum kundër Amerikës, ndërsa theksoi se përgjigja e këtij referendumi është marrë më 23 qershor.Rama shprehu vlerësimin se protestat në rrjetet sociale dhe në rrugë, kanë qenë e vetmja dallëndyshe e pastër.

“Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë, ka qenë e vetmja dallandyshe shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave që shpërthyen në mesin tonë.  Edhe pse ju ka përfshirë në protestë mbingarkesa në shpirt prej gjithë kësaj propagande histerike, unë ndjehem shumë mirë për ju; ndjehem mirë sidomos për shumë prindër që deri dje i frikeshin protestës ndërsa sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forca speciale e gryka pushkësh në dritaret e kryeministrisë; ndjehem mirë për këtë erë të freskët demokratike që solli 23 qershori. Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam.   Asnjë problem, nothing personal siç më shkruante dje mikja ime Elsa Lila përpara se të hidhte videon e vet në youtube.Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mendjen,  e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj. Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë. Por sot është dita që unë t’ju them vetëm këtë:Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit” përfundoi fjalimin e tij Kryeminsitri.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Jo armeve kimike, kryeministri Rama, Qeveria shqiptare

QEVERIA SHQIPTARE KRIJON KOMITETIN E DIASPORES

January 4, 2013 by dgreca

TIRANE- PDIU ka pershendetur vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Komitetit të Diasporës shqiptare. Vendimi është prezantuar nga kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke e quajtur këtë “një detyrim te madh, moral”, ndaj shqiptarëve kudo që janë. PDIU në deklaratën e saj thotë se ky vendim erdhi si pasojë e kërkesës së saj të vazhdueshme. Ngritja e këtij Komiteti, thekson më tej PDIU është pasqyrim i një objektivi themelor të Programit të saj për të cilin ka luftuar që në fillim të ekzistencës si parti politike.

“Më shumë shqiptarë jetojnë jashtë sesa brenda dhe si e ka treguar historia jonë e afërt dhe e re, siç e ka treguar historia e vendeve me diasporë të madhe, kjo pjesë e kombit ka luajtur rol kyç në rilindjen, rimëkëmbjen e vendit. Kombi shqiptar nuk e ka luksin të mohojë ekzistencën e një pjese kaq të madhe të trupit të vet të gjymtuar kombëtar. Në gjykimin tonë politik, diaspora shqiptare është një, pavarësisht kohës kur është larguar nga vendi, apo nga cili troj etnik i saj vjen. Në këtë kuptim, problematika e saj është dhe problematika e kombit. Brenda kësaj diaspore, popullsia me origjinë çame jashtë vendit është një përbërëse mjaft aktive dhe problematika e saj duhet trajtuar me synim vendosjen e drejtësisë dhe përfshirjen e kontributeve të saj.”- thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, sipas Berishës, fati na bëri që të kemi më shumë diaspore se shqiptarë në trojet shqiptare.

“Në këtë aspekt, u duhet kërkuar ndjesë shqiptarëve kudo që janë se nuk ka qenë e mundur të kenë mbështetjen e merituar të Shqipërisë, por i garantoj se realizimi i saj është përparësi madhore. Komiteti i Diasporës do të bëjë çdo gjë, për t’u gjendur afër shqiptarëve në të katër anët e planetit, nga Zelanda e Re, Alaska e Poli i Veriut. Dikush më bëri një mesazh, ku më thoshte: Ju përshëndes nga Poli i Veriut në Finlandë”- tha Berisha.

Ai theksoi me tej se Komiteti i Diasporës do të përpunojë praktikat e skemat më të mira në mënyrë që qeveria te gjendet më pranë tyre.

“Diaspora ka një rol historik, të jashtëzakonshëm, në jetën dhe në betejat e shqiptarëve për liri e zhvillim. Të mos harrojmë se edhe Rilindja jonë, në tërësinë e saj, me ndonjë përjashtim, lindi jashtë trojeve shqiptare. Ky ishte fati ynë. Për të mos numëruar të gjithë aktet e avokatisë së jashtëzakonshme që i ka bërë kombit, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, ndonëse nuk është më e madhja dhe më e pasura, është absolutisht më zemërzjarrta për Shqipërinë e kombin shqiptar.”- tha ai.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: komiteti i Diaspores, PDIU, Qeveria shqiptare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT