• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ditëlindje për të rritur-Rafael Floqi në Sofrën Poetike të Diellit

March 11, 2016 by dgreca

Ditëlindje për të rritur/

Poezi nga Rafael Floqi/

Gëzuar e dashur, ditëlindjen gëzuar,/

në një kohë që thonë se ditëlindjet janë për fëmijët/

që fryjnë tullumbacat harrakatë/

me numrat që çuditërisht vetëm rriten,/

çka na bën e dashur/

të mos i duam sado pak ditëlindjet,/

e moshës që fillon me meso-(burrë a grua)/

se na duken se fitojmë më shumë thinja, dhe se

po humbasim sado pak jetë,

nga ajo që do të duam të jemi

sërish e sërish prapë…

Në këtë ditëlindje

e habitshme me katër dhjeta apo dy zeta

dhe një pesë…

Kam harruar si shkruhen numrat tani,

në memorien e dashurisë sime

lenë gjurmë vetëm çastet

dhe ditët që s’dimë t’i numërojmë

të dashurisë që jetojmë për ditë

në gëzime dhe në halle…

 

Fjalët që i thamë dhe më shumë si thamë,

edhe pse i dimë,

dhe me gjërat e vogla

që ndodhin rrëmujshëm

ashtu si stuhia Oriana katërvjeçare shpërndan në dysheme

rrumpallën e pazllave të çasteve,

që ndjenja jonë i organizon…

dhe rrudhja e fytyrës së Lornës

në një pasqyrë kryeneçe

më druajtjen e një adoleshence që vjen,

me pikëpyetjet e veta…

Më dhemb në shpirt kolla jote në mëngjes,

e dashur,

por këndellem i tëri,

nga përkujdesja jote për fëmijët tanë,

për ditët dhe ditëlindjet e tyre.

E kuptoj e dashur çdo të thotë të jesh nënë

dhe nga harrimi i vetvetes,

ndaj dhe kur të marr në telefon,

nuk është aq shumë se dua të blej, a të them diçka

por thjesht, për të të dëgjuar

dhe për t’ma mbushur ditën…

Nuk e harroj këshillën tënde e dashur

“Mos mendoj kurrë për kohën që ikën

për sa kohë jemi bashkë…”

E ç’rëndësi kanë numrat sot

gëzuar e dashur,

gëzuar.

***

 

Të humbësh fytyrën

 

Ndër mallkimet

që shpirti shpesh ofshan

Është ai, kur shiton : “Humbsh fytyrën!”

Nuk di pse fytyra është shfaqja e mbrame e qënies

Apo maska e pamaskueshme e çastit

Ku e vërteta dhe mashtrimi nduken leshrash

E mbetet veç një  buzë-nën-për-(qeshje)

Një grimë, një tik i pazakontë

ne mes të zakonshmes,

i shpërthyer nga shpragujt

e së

papërmbajtshmes

që shkrep

e zë vend diku dhe asgjëkund

atëherë kur shpirti

s’rri do pa shfaqur

vetveten.

***

 

Pesë haiku

 

 

Pranverë

 

Një ketër përtac

Zbret avash nga pisha

Bora shkundet në ajër.

 

8 Mars

 

Një vazo në tryezë

Ngjyrat e tulipanëve

Pikturojnë Marsin.

 

 

Zhgjandër

 

S’mund të tradhtoj

As ty as edhe veten

Në këtë zgjim ëndrre.

 

News

 

Një gazetë në qese

Ndot borën e pragut,

Titull i zi kronike.

 

Zgjedhje

 

Shkurti këtë vit

kishte tridhjetë ditë

Kohë zgjedhjesh.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ditëlindje për të rritur, Rafael Floqi

Fitore si ajo e Bernie-t

March 9, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi-Michigan/

Michigan, Hillary Cinton kishte besuar se do të fitonte në Michigan. Por ç ‘ndodhi?Edhe pse ajo ka marrë vota mes votuesve me ngjyrë, ajo nuk arriti një diferencë të madhe si në shtetet e tjera, një dukuri që i bëri të gjitha sondazhet e paravotimit në Michigan të duken gënjeshtare. Është fakt, që Sanders siguroi gati 6 nga 10 votues në zgjedhjet primare të Partisë Demokratike në Michigan, dhe besohet se kjo kryesisht, nga fakti që ai kundërshtonte efektet e traktatit të tregtisë ndërkombëtare, që perceptohet në Michigan-in industrial si burimi i largimit të vendeve të punës nga SHBA dhe i eksportimit të tyre në vende të tjera si në Meksikë apo Kinë.

Pikërisht Sanders fitoi Michigan më 8 Mars me afërsisht më shumë se 20 për qind të votave, vetëm në sajë të këtyre votuesve të zhgënjyer të jakave blu të Michigan-it, por edhe duke marrë vota prej disa grupeve kryesore, ndër ta edhe nga komuniteti afrikano-amerikan në Detroit dhe Flint. Gabimi kryesor i kompanive të sondazheve ndodhi pasi ato e vlerësuan këtë komunitet, si tërësi, si një mbështetës klasik të Clinton-ëve qysh nga vite 90-të. Por zgjedhjet treguan, se Sanders fitoi më shumë vota në mes të rinjve edhe të këtij komuniteti. Një element tjetër që influencoi në fitoren e tij ishte dalja masive e paparë në votime e mbi 2 milionë votuesve, gjë që tregon se mesazhet për ndryshim rezononin.

Por, edhe pse Hillary Clinton, mori më shumë delegatë prej zgjedhjeve paraprake në Michigan dhe në Misisipi të martën në mbrëmje, Bernie Sanders, duke fituar Michigan-in, ka arritur një fitore të rëndësishme sa masive aq edhe simbolike, gjë që ka të ngjarë ta rigjallërojë fushatën e tij, duke e shtyrë garën presidenciale mes demokratëve edhe për disa javë, nëse jo edhe për disa muaj të tjerë, duke i siguruar kështu Sanders edhe mbështetjen e duhur financiare.

“Ajo që ndodhi sonte,… tregon se fushata ime është e fortë në çdo pjesë të vendit”, tha Sanders në fjalën e shkurtër pas fitores të martën në mbrëmje në Florida. “Ne besojmë se kemi ende zona të forta.”

Ndoshta debati mes dy fushatave në Michigan u mbështet në politikat e “bail-out” të industrisë së automobilave që mbrohej si histori suksesi nga Clinton, por që nuk i prekte aktualisht drejtpërdrejt zgjedhësit, dhe mesazhit të bail-out të bankave dhe të kompensimit, që u duhet marrë atyre, për të zgjidhur problemet e sigurimeve shoqërore, të medicare apo të pagesave për arsim të lartë falas. Nga ana tjetër, Clinton, por edhe Sanders, i mëshuan skandalit të gjendjes së ujësjellësit të Flintit, duke sulmuar kryesisht guvernatorin republikan Rick Snider. Debat që ka vlerë në përballjen me republikanët, por jo midis dy kandidatëve. Në anën tjetër, theksimi tej mase i krizës së Flintit në media, synonte të bënte për vete elektoratin me ngjyrë, duke lënë të nën kuptohet si një nënvlerësim për të varfrit dhe njerëzit me ngjyrë, por në fakt, vetëm fajësonte dhe nuk jepte zgjidhje për problemin.

Duke pasur parasysh këtë kthim shquar të Sanders në Michigan – ku shumica e sondazheve e quante atë të humbur me 20 % dhe tani sheh se ka mundësi fitoreje edhe në një pjesë shtetesh të mëdha, industriale, shumica të grumbulluar në Midwest, ku pozicioni Sanders tani duhet të konsiderohet i qëndrueshëm, duke supozuar se ai do të vazhdojë të ngacmojë sërish me mesazhin kundër tregtisë të lirë që e katapultoi atë në krye të shtetit Wolverinave, më shumë se sa vetë idetë utopike e një revolucioni socialist ala danez. Kur dihet se në Danimarkë dhe vendet skandinave niveli i taksimit është 40%, i pa imagjinueshëm për Amerikën.

Por, duke pasur parasysh rritjen e fundit që Sanders siguroi në ditët e fundit në Michigan – për të mos përmendur opinionet pozitive, që ai mund të marrë në Ohio dhe kudo tjetër, nga fitorja e Michigan-it, një sondazhi i CNN tregon një prirjen e tij për të fituar me 30 pikë, ç’ka e bën të vështirë për të shuar krejtësisht shanset e tij, siç do ta dëshironte znj. Clinton. E njëjta gjë vlen edhe për Illinois, i cili, ashtu si Ohio, voton më 15 mars, si dhe për Wisconsin që voton më më 5 prill dhe Pensilvani-në më 26 prill.

Duke lënë mënjanë aspektet më teknike të asaj ç’ka do të thotë “fitore e Sanders”, fitorja e Michigan-it e bën shumë më të vështirë për njerëzit e Clintonit që ta zhvlerësojnë atë, si një kandidat rajonal, apo si dikush, i cili mund të fitojë vetëm, shtetet e vogla e jo shumë demokratike që kryesisht mbajnë caucas (koukaz).

Fitorja e shquar në New Hampshire më shkurt 9 e Sanders, para së martës mbrëma, ishte në fitore që u zhvlerësua në mënyrë efektive nga njerëzit e Clinton-it, si thjesht një fitore në shtetin e tij të lindjes (e ngushtë dhe mjaftueshme). Ndërsa fitorja në Kansas dhe Nebraska duket si shumë e pakuptimtë, për shkak të dominimin të vazhdueshëm Clinton në sigurimin e numrit të delegatëve. Fitoret e Sanders në Kolorado dhe Minesota – dy shtete të mëdha – u nënvlerësuan për shkak se ato ishin me kaukaze, çka cilësohen si më liberale dhe pro- Sanders, sesa zgjedhjet e drejtpërdrejta paraprake.

Por Michigan-i është një shtet, ku askush – as edhe Clinton – me gjithë mbështetjen në elektoratin afroamerikan, që ka mbështetur gjithnjë Klintonët, nuk besohej se do të fitohej nga Sanders. Michigani është një shtet i madh, shumë më i larmishëm se sa Iowa apo New Hampshire. Clinton u përpoq me shumë vështirësi për të fituar por s’mundi. Dhe kaq….

Edhe pse fitorja Sanders praktikisht i siguron atij fonde, që kjo garë të vijojë deri në prill në primari deri në Pennsylvania-së në fund të këtij muaji – dhe, ndoshta, mund të zgjasë deri në zgjedhjet në California më 7 qershor, ajo ende nuk e ndryshon matematikën themelore të numrit të delegatëve. Dhe, aty, Clinton ruan një avantazh të konsiderueshëm.

Fitorja e ngushtë e Sanders në Michigan i dha atij vetëm shtatë delegatë më shumë sesa Clintonit, ndërkohë që fitorja e saj masive në Misisipi i dha asaj një avantazh prej 25 delegatësh. Nata e kaluar shënoi një numër më shumë se 18 delegatësh për Clintonin.

Kryesimi i saj me numrin e delegatëve duke marrë parasysh edhe kur superdelegatët pazgjedhur dhe të pashprehur, do t’i shtohen kësaj përzierjeje – arrin në 650, gjë që tregon, se ajo tani, është në gjysmën e rrugës për sigurimin e gjysmës së 2,383 delegatëve të nevojshëm për të siguruar zyrtarisht emërimin e partisë.

Dhe kështu, prapë Clinton mbetet e favorizuar për të marrë nominimin. Por, të martën, në një natë, kur fushata e Clinton shpresonte të bënte një hap të madh përpara në shtypjen e “kryengritjes Sanders”, ajo bëri një zbythje pas.

E megjithatë, tani për tani, gara vazhdon – dhe do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Dhe ky është një lajm shumë i mirë për Sanders, dhe një lajm i keq për Clinton, edhe pse nuk mund të quhet një fitore si e Pirros, (çdo krahasim çalon) padyshim…është një sukses i pabesueshëm i tij.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fitore si ajo e Sanders, Michigan, Rafael Floqi

Debati në Fox Theater, një dramë e ndytur

March 5, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi-Detroit/

DETROIT – Debati republikan në Detroit përfundoi, dhe transhetë e betejës të luftës civile brenda Partisë Republikane tani janë më të qarta se kurrë, gjë që e bëri debatin e së enjtes në Fox Theater në Detroit, sa një dramë sureale e ndytë, aq dhe një grindje burrash me fjalor kalamajsh. Ku i vetmi kuptim racional ishte “përçarja e republikanëve” në dy fronte.

Në transhe nga njëra anë, janë:  Marco Rubio dhe Ted Cruz, Mitt Romney dhe udhëheqja republikane në Washington, tok me TV “Fox News” dhe konservatorët e shumicës së medieve të shkruara, dhe nga anën tjetër i gjithë-atakuari Donald Trump.

Në fakt, ky ishte debati i parë pas Supersëmartës, në të cilën Trump fitoi shtatë nga 11 shtetet dhe forcoi statusin e tij si pararendës i kandidatëve republikanë.

Megjithatë avantazhi i tij në qasjen e sigurimin e numrit të delegatëve nuk është ende qartë që në shikim të parë, kjo edhe pse procesit i numërimit dhe grumbullimit të tyre shpesh duket si mashtrues. Kandidati i vendit e dytë Cruz, mori një numër të madh delegatësh nga fitorja qe arriti në shtetin e tij të Teksasit. ndërsa Rubio, ndërkohë, ka fituar vetëm një shtet – dhe John Kasich, kandidati i katërt nuk fitoi asnjë.

Në teori, çdo rival i Trump mund ta arrijë atë. Në praktikë, asnjë prej tyre nuk do ta bëjë këtë gjë para konventës së Partisë Republikane. Në këtë pikë, ka shumë politikë dhe kjo realizohet me të vetmen mënyrë, duke e parandaluar Trump-in që të sigurojë shumicën e numrit të delegatëve nw konventë Kjo “luftë” do të krijonte një “çarje” të madhe në konventën e Clevelandit këtë verë, ku shumëçka në parim do të varet nga sigurimi i numrit delegatëve, dhe nëse kjo nuk bëhet e mundshme sigurimi i shumicës nga prej kandidatëve partia mund të emërojë një kandidat tjetër. Edhe pse në debat mëtuesit e Trump pohuan mbështetjen e atij qw do tw dilte i pari.

Se sa foshnjarak ishte ky debat e tregon fakti se Donald Trump e hapi debatin e GOP-së duke reaguar në lidhje me madhësinë e penisit të tij.  Duke iu përgjigjur komenteve të Marco Rubios kur senatori nga Florida bëri shaka në lidhje me madhësinë e duarve të Trump, duke thënë se”Ju e dini se çfarë thonë për burrat me duar të vogla” Menjëherë në skenën e debatit, Trumpi shtriqi duart para audiencës për t’ia treguar publikut dhe pastaj insistoi, se sugjerimi i shprehjes që diçka tjetër ‘duhet të ishte i vogël “ishte pavërtetë.”Unë ju garantoj se s’ka probleme aty,” tha Trump, mes brohoritjeve të turmës, në Fox Teatër.

Ky ishte ndoshta momenti me sureal në këtë garë presidenciale të dominuar nga një dramatizëm i pashoq dhe nga sulmet personale.  Kjo është arsyeja pse shumë nga konservatorët kanë dërguar letra në të cilat sulmohem aftësitë e Trump-it për të qenë presidencial, duke deklaruar se ata nuk do ta mbështesin Trump-in.

Në qoftë se mosmarrëveshjet mes tyre do të vazhdojnë të thellohen kjo do t’i rrisë shanset e Hillary Clinton-it për t’u bërë presidente. Kjo është edhe arsyeja pse Mitt Romney, kandidati i partisë për president në zgjedhjet e vitit 2012, mbajti një fjalim të ashpër të enjten në mëngjes, duke sulmuar Trump-in si mashtrues dhe një person që ofron veç urrejtje.

Dhe siç duket  kjo ishte dhe arsyeja pse Trump, e kaloi shumicën e kohës së debatit të së enjtes mbrëma,  duke arrnuar gardhin vet dhe duke iu përgjigjur sulmeve të Rubios, i cili e sulmoi Trumpin me një luftë verbale me fyerje personale dhe duke treguar fare pak interes për politikën reale. Ndërsa Cruz vuri në pikëpyetje, besnikërinë e Trump-it ndaj argumenteve të konservatorëve, duke argumentuar se ai ka ndryshuar shpesh qëndrimet  e veta dhe ka qenë i lëkundur në premtimet, për një qëndrim të ashpër mbi emigracionin.

Vazhdimi i sulmeve u bë dhe nga moderatorët e Fox News, me inserte te përgatitura për ta bërë përgjegjës Trump për deklaratat e lëkundura (flip-flops) që ai ka bërë. Madje, drejtuesi i debatit Chris Wallace vuri në dukje që, sipas ekspertëve të pavarur, se me shkurtimet e taksave Trump do të krijonte deficite të reja të mëdha. Kur Trump u përgjigj, duke pretenduar se plan i tij për barnat me recetë do të kursente 300 miliardë $ në vit nga shpenzimet e Medicare, Wallace bëri një ndërhyrje të menjëhershme dhe tregoi se “Medicare harxhon 78 miliardë $ për ilaçe – dhe se ju nuk mund të kurseni më shumë para se ju jeni duke shpenzuar”.

Më vonë ishte radha e anchor woman të Fox News, Megyn Kelly, me reputacion tek republikanët. Ky ishte ballafaqimi i tyre i parë i drejtpërdrejtë pas debatit të verës së kaluar, kur Kelly i drejtoi një pyetje provuese Trump-it në lidhje me qëndrimin e tij ndaj femrave dhe ai e aludoi më pas se ajo i bëri këto pyetje armiqësore, sepse ishte me menstruacione. Insertet kishin synimin të tregonin qëndrimet e lëkundura të Trump me anë të klipeve – duke treguar me fjalët e veta sesi  tri herë Trump kishte thënë të njëjtën gjë, dhe pastaj më vonë e kishte kundërshtuar krejtësisht po vetë atë argument.

Përgjigja Trump ishte i njëjtë, si gjithmonë. Ai i fyen personat që e pyesin – në mënyrë të përsëritur, duke iu referuar p.sh. si “Little Marco,”ose duke ndryshuar subjektin e pyetjeve e duke në disa raste duke dhënë më shumë fakte.

Nisur nga sulmet e vazhdueshëm që ai ka marrë nw kurriz  u shtuan dhe ato mbi biznesin e tij. Në Fox Theater pati një shkëmbim të ashpër ne lidhje me rekordet e biznesit  të vet, veçanërisht për të debatueshmin “Trump University.” Mijëra studentë u regjistruan në një kurs në të cilin biznesmeni do t’u mësonte atyre se si të “arrinin suksesin,” por tani janë bërë shumë padi mbi këtë çështje, në të cilat thuhet  se kursi i mashtroi studentët në gjithë Amerikën  ndërkohë që Trumpi fitoi dhjetëra miliona dollarë…

Por siç duket, vetëm qëllimi ka rëndësi? Në këtë pikë, tanimë nuk ka dyshime.

Konstante e kësaj fushate ka qenë aftësia e Trump-it jo vetëm për të mbijetuar, po për të lulëzuar në fushatën e tij për të arritur qëllimin e vet pavarësisht incidenteve që kanë rezultuar me eliminimin e kandidaturave të tjera.

Trump ishte gjithashtu në pozita mbrojtjeje kur u debatua për ndryshimin qëndrimin e tij në çështje të tilla si Lufta në Irak dhe nëse do të pranonte refugjatët sirianë në Amerikë.

Manjati i pasurive të patundshme ka argumentuar se është e rëndësishme që liderët të jenë “fleksibël”. Edhe pse ai fillimisht tha se refugjatët sirianë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ai tha se ka ndryshuar mendje. Trump sqaroi se ai fillimisht besohej që kjo do të përbëhej nga vetëm një “numër shumë të vogël” refugjatësh.

“Kur dëgjova numrin e parë”, tha Trump ” emigrimi sapo kishte filluar, dhe unë kam qenë me nj mendim shumë të ngjashëm -.. OK”

Ndërkohë, Rubio u përgjigj kësaj me shaka duke thënë në lidhje me Trump: “E pra ai është shumë fleksibël, kështu që ju kurrë nuk e dini se çfarë ai mendon”.

”Kjo i dha një mundësi Kasich, i cili bëri një paraqitje mjaft dinjitoze, edhe pse ka qenë i rezervuar në sulmet ndaj Trump, tw thoshte se  “Votuesit duan të dëgjojnë se çfarë mendojnë politikanët, dhe pastaj ata të shkojnë në Uashington … t’i vlerësojnë nëse i kanë mbajtur premtimet e tyre”.

Cicmicja plot ngjyra vazhdoi gjatë dy orëve, me Rubion që përpiqej të tregonte aftësitë e tij  improvizuese me Trump dhe Cruz që u kacafytën në një shkëmbim të ndezur në lidhje me nominim e një gjyqtari konservator në Gjykatën e Lartë, apo kur Cruz i përsëriti  Trump për “frymë, frymë, frymë.” Rubio u kthye moderatorit: “Kur ata janë ata që bëjnë yoga”

Por këto sulme të GOP e kanë kthyer Trump-in kandidat, në një hero lufte. Numrat e tij në sondazhe qëndrojnë fort. Ai e vuri në dyshim ndershmërinë e vendimit të ish-presidentit  Xhorxh W. Bush – në Karolinën e Jugut! Dhe numrat e tij në sondazhe përsëri mbetën të qëndrueshme. Ai u sfidua të mohonte e David Duke (supremacistin e bardhë  dhe Ku Klux Klan-in. Dhe përsëri numrat e sondazheve mbetën të qëndrueshme.

Nuk ka asnjë shpjegim të vetëm apo të lehtë se pse Trump ka arritur të sfidojnë rregullat normale të politikës. Është e qartë se qëllimi është  Fitimi… Historia e tij është aftësia dhe realizimi i fitores së qëllimit politik, dhe kështu duket se qëndrueshmëria e pikëpamjeve, dhe besnikëria e traditave konservatore, thjesht tani nuk janë të rëndësishme për shumë votues republikanë . Baza dëshiron qëndrim, zemërim dhe forcë dhe këto janë ato gjëra që Trump di t’i sigurojë, më shumë se kushdo tjetër në skenën paradoksale të Fox Theater dhe ndoshta më shumë se çdo politikan tjetër në Amerikë. Dhe siç duket në këto kohë moderne edhe në politikë më shumë se parimet ka rëndësi “show” . And the show must go on ….

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Debati në Fox Theater, një dramë e ndytur, Rafael Floqi

Pesë vjet luftë

February 17, 2016 by dgreca

Redaksionalja e Faik Konicës në 5-vjetorin e Revistës Albania/

nga Rafael Floqi/*

Transkriptuar në shqipen e sotme, duke ruajtur tingëllimin në toskërisht/

Në revistën “Albania” që u botua nga Faik Konica në vitet 1897-1909 u paraqiten rregullisht artikuj redaksionale polemizues. Në trashëgiminë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.Por rasti i Faik Konicës, intelektual i dorës së parë në kohën e Rilindjes, është shembulli më flagrant (përvec ai i Gjergj Fishtës) i censurimit, mohimit, të mos themi asgjësimit kulturor të një prej figurave më të ndritura në historinë e kulturës shqipe.

Ai në Shqipërinë socialiste u trajtua si person jo-ekzistues dhe kryevepra e tij, revista “Albania”, u mohua për 50 vite në radhë. Urrejtja e qarqeve sunduese të Shqipërisë ndaj Faik Konicës mori përmasa paranoide. Kjo urrejtje, ky mohim, me të vërtetë shkaktoi një dëme të madhe; pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë rreth zhvillimit të kulturës shqiptare u shtrembëruan, sepse e vërteta, se “Albania” kishte luajtur një rol vendimtar në jetën kulturore shqiptare gjatë fazës së dytë të Rilindjes kombëtare, u la në heshtje, dhe kush guxoi të shkruante pozitivisht për Konicën dhe veprat e tij do të bënte vetëvrasje politike dhe shoqërore!  Por dhe ky pamflet redaksional i botuar me rastin e pesë vjetorit të numrit të parë të “revistës Albania” tw gjithw dashakeqwve e anti shqiptarwve u pwrgjegjet

“Munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykojnë”.

****

Me këtë numër, po mbushen pesë vjet që dolli « Albania ». Pesë vjet mundîme, punë, luftë për bashkëpunëtorët e « Albanisë » ; pesë vjet sëmundje e hidhërim për kurvat  shërbëtore te Turkut a almitsa të Moskovit. Ne na kundërshtuan pa pushim, duke shpresuar sot vdekjen t’onë për nesër, duke rënë nesër në dëshpërim, e ashtu gjer me këtë ditë.

E ç’kundërshtim ? Jo faqeza, jo sheshit, jo me arsye, siç u përket burrave të vërtetë, po prapa kurrizit, n’ errësirë, me gënjeshtra, si kurva që janë e do të mbeten. Sa për ne, ç’ do herë q’ u-rëfye nevoja, ua ngjeshëm fora dackat armiqve t’ane, duke provuar se sa do se mos shpirt-ndyrët janë shpirt-ndyrë e harbutët harbutë. Po më të shumët herë pushuam, se atdhetaret qi ligjërojnë të Përkohshmen presin prej nesh punë më të dobishme se të japim mësime të kotta në zuzarë të paturpshëm.

Punet qi priteshin prej nesh, bashkëpunëtorët e « Albanies • me durim, me fie dashuri të thelle t’atdheut, me në hollim te bukur, i vunë mb’ udhe. Vjershëtorë të vërtetë, shkrimtarë të kulluar, gjykatës të drejtë të punëve të politikës, mbijtën pake nga pakë e u-bashkuan tok. Me sa levdatë, me sa të mburrur, mundim të botojmë më postë një vjershë të Geg Postrippes, aq të hieshëm, aq të zgjedhur në fjalët, aq të mbaruara sa meriton t’u- jipet, për shembull gjithë vjershëtorëve t’ anë.

Geg Postrippa e shume te tjerë qi me fie mënyre a me fie tjatër po zbukurojnë gjuhën shqipe,si do kishin rëfyer fuqin’e mjeshterin’e vetë në mos kishin një të përkohëshme të tyre, — në të cilën drejtori e pati kurdoherë për nder të hiqet mbë ane e t’ u lejë vendin e parë ! Shoqëri të nxehta u-krjuan kudo, nënë kryesin atdhetarësh mendje-lartë, libra popullore mbijtën me të gjitha anët si lule, e duke shtyre njeri tjatërin, u-ndesnë vatëra kombëtare ditë për ditë. Shqiperia e sipërme, qi në kohet e shkuara u-be sa herë vegla e Sulltanëve kundër Shqipërisë së poshtme, zuri të përkujdeset edhe ajo me dashuri të madhe, e, në vaftë përpara pa qendruar, fie anë e Gegerisë do t’ i shkojë gjithë viset e tjera të Shqipërisë për punët kombëtare. Do me thënë munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykoinë. Atyreve qi pyesin dhelpërisht e kurvërisht, u pshtyjmë këto fjalë : Mjaft me gënjeshtra, harbutë të poshtër ! S’ kini ju turi të gjykoni punë të tilla, po hiqni e -bëni zaptien siç ‘ e kini pasur ghithmotin « zananë ».

E na rroftë Shqipëria e vertetë !

Fk K-tza

*Botohet me rastin e Vitit Të Faik Konicës(2016),  shpallë nga Federata VATRA

Filed Under: Editorial, Vatra Tagged With: Faik Konitza, Pesë vjet luftë, Rafael Floqi

ANALIZE- Beteja politike “post-Scalia”

February 16, 2016 by dgreca

nga Rafael Floqi -Michigan/
Gjyqtari Antonin Scalia, anëtari më jetëgjatë i Gjykatës Supreme të tanishme dhe një udhëheqës intelektual i lëvizjes ligjore konservatore, vdiq të shtunën, por pas vdekjes së tij nisi një betejë e menjëhershme politike me rëndësi për të ardhmen e afërt dhe me gjerësi kombëtare.
Gjykatësi 79 vjeçar Scalia, u gjet i vdekur në një vendpushim gjuetie në Teksas, pasi ai nuk u paraqit për të ngrënë mëngjes, tha policia, duke sqaruar pse shkaku i të vdekjes së tij nuk ishte raportuar menjëherë.
Presidenti Obama, që nuk pajtohej me jurisprudencën Scalias e vlerësoi atë, si një figurë e rëndësishme dhe si një “mendje brilante juridike [e cila] ka ndikuar në një brez të tërë gjyqtarësh, avokatësh dhe studentësh, që i pat dhënë thellësisht formë peizazhit ligjor amerikan.”
Obama tha se ai do të emëronte një pasues, edhe pse lidershipi republikan i Senatit dhe një kandidat presidencial republikan thanë se konfirmimi i tij gjatë periudhës zgjedhore ishte i pamundur dhe jashtë çdo diskutimi.
Po pse synohet që të bllokohet angazhimi i presidentit Obama për ta zëvendësuar gjykatësin e ndjerë të Gjykatës së lartë? Pse ka ky zëvendësim aq rëndësi të madhe për republikanët sa që bëri që vetë Mitch McConnell, të luajë poker për ta bllokuar këtë veprim të presidentit. Dhe përgjigja është jo vetëm tek rëndësia, por tek ajo partiake pasi kjo do të thotë edhe humbje e shumicës republikane në Senat. Po pse, qysh?
Ky është një hap i guximshëm dhe i kuptueshëm i projektuar për të parandaluar zgjedhjen e një gjykatësi të majtë pas vdekjes së papritur të Antonino Scalias këtë fundjavë.
Nga ana tjetër presidenti dhe demokratët mund të fitojnë pikë nëse supozohet se presidenti do të zgjidhte një kandidat hispanik, një afro-amerikan apo aziatiko amerikan dhe për më tepër nëse kandidatura që ai do caktonte do të ishte një grua. (Kjo ishte ajo që ç’ka demokratët bënë për të ri-aktivizuar koalicionin pro-Obama. Ishte në fakt ky veprim që nxiti fitoret e tij në vitin 2008 dhe 2012. Në qoftë se ai nuk do të zgjidhte një kandidat nga minoritetet, kjo do të bënte që numri i votuesve tradicionalë që do të ktheheshin në favor të demokratëve në këto zgjedhje do të ishte shumë më i pakët në numër.
Në Las Vegas, për shembull, Hillary Clinton, tha qartësisht duke mbështetur Obamën se do të ishte e pafalshme, nëse republikanët nuk do t’i jepnin mundësi për një seancë miratimi të nominuarit të presidentit. Dhe ajo theksoi edhe faktin e shqyrtimit të ligjit të kontrollit të imigracionit, për të cilin gjykatësit patën rënë dakord ta shqyrtonin kohët e fundit. Por dhe më i rëndësishëm është vendimi i lidhur me aktet e Presidentit Obama për Daca dhe DAPA për vendimet administrative për ndotjen dhe emisionet e karbonit.
Nëse nuk do të ketë shpejt një gjykatës të ri të emëruar, atëherë si në rastet e tjera, ky vendim që sapo u gjykua do të mbesë në vend. Dhe ky do të ishte një lajmi keq.”
Vdekja e papritur Scalias hedh një re pasigurie edhe në lidhje me një mandat të Gjykatës Supreme për të plotësuar shqyrtimet e disa prej çështjeve më të diskutueshme me të cilat përballet kombi, si : aborti, të drejtat e kundërshtive fetare në mandatin e pagimit nga sigurimet për kontraceptivët, ligjin e kujdesit të përballueshëm shëndetësor, [Obama Care], si dhe përcaktimet e kompetencave të presidentit në lidhje me emigracionin dhe deportimet.
Duke pasur parasysh se një e katërta e popullsisë në Nevada ku ka kaukaz është hispanike del se përtej të qenit një betejë e hapur për garën presidenciale, kjo është gjithashtu një çështje e hapur për Senatin për të pasuar zëvendësimin e vendit të senatorit Harry Reid një vend në të cilin demokratët do të emërojnë një grua latine dhe republikanët do të emërojë një burrë të bardhë.
Po të marrim të drejtën e abortit, për shembull, Marco Rubio është kundra abortit, madje edhe në rastet e përdhunimit dhe incestit. Për gratë, për shembull frika e përmbysjes perspektiva e përmbysjes së vendimit Roe kundër Qenie Wade po bëhet shumë më reale. “Kur unë të jem president i Shteteve të Bashkuara, do të emëroj dikë si gjykatësi Scalia,” deklaroi senatori Rubio nga Florida të dielën.
Por edhe ambjentalistët kanë vetëm një muaj kohë, gjer kur gjykata të japë qëndrimin e saj mbi Planin e energjisë së pastër të Obamës. Gjykata e ardhshme do të duhet të përcaktojë të ardhmen e industrisë së qymyrit në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ketë ndikim edhe në votime, sepse bizneset e interesuara do të hedhin me shumë para në garën elektorale.
Vdekja juristit Scalia e lë Gjykatën Supreme me katër gjykatës me bindje të djathta: Kryetarin e Gjykatës John Roberts, gjyqtarët Clarence Thomas, Samuel A. Alito Jr. – dhe Kennedy. Scalia të cilin e pat emëruar Ronald Reagani bëhej bashkë shpesh herë edhe me gjykatësit liberalë veçanërisht në çështjet sociale, të tilla, si martesat mes homoseksualëve. Katër gjykatësit e tjerët janë liberalë: Ginsburg, Stephen G. Breyer, Sonia Sotomajor dhe Elena Kagan.
Përkundër dallimeve të mprehta ideologjike mes tyre, gjykatësit megjithatë shpallin shpesh herë prirjet e tyre personale të afrimit me njëri-tjetrin dhe kjo ishte veçanërisht karakteristike për Scalian.
Por tani në fushën politike, kjo përplasje mund të minojnë përpjekjet e republikanëve të Senatit për të treguar se janë të aftë për të qeverisur vetëm pa bërë asnjë gabim. Dhoma e sipërme do të bluante të njëjtin qëndrim në qoftë se GOP, do të vazhdonte të mbante këtë kërcënim. Demokratët që janë të prirë për t’i penguar, nëse republikanët do të luajnë fort. Në fund të fundit, edhe pse, nuk është ende e vërtetë asgjë, demokratët mund të shkaktojnë pengesa procedurale ndaj Kryetarit te Komisionit Juridik, Chuck Grassley që ai të mbajë seancë e diskutimit me të emëruarin e Obamës. Pika më e fuqishme e presionit janë shtatë kandidatët e GOP, që nevojiten të rizgjidhen këtë vit, në ato shtete ku u mbajtën zgjedhje në vitin 2012.
Logjika e thjeshtë të thotë se cilado parti që do ta fitojë Shtëpinë e Bardhë në nëntor do të kontrollojë edhe Senatin. Ky është natyrisht, faktori kryesor megjithatë ata nuk janë të bindur se do të jetë ky përcaktuesi. Demokratët duhet të marrin katër ulëse në zgjedhjet e jashtme për të fituar Senatin, dhe kjo është e kuptueshme Ata mund të marrin edhe vendin që mund të linte bosh Clintoni edhe nëse ajo do të humbiste edhe Kolegjin Zgjedhor. Mësimet e vitit 2014, tregojnë këtë, pasi demokratët humbën secilin prej shtatë vendeve që ata kishin për të mbrojtur në shtetet, ku Mitt Romney kishte humbur dy vjet më parë.
Dhe nuk mundet që të ndodhë në një vakum. Nëse Obama e di me siguri, ai mund të zgjedhë dikë që i jep palës së vet ndikimin maksimal politik kundrejt tezën të funksionarëve republikanë dhe ai mund të zgjedhë në mes Monica Marquez është e para gjykatëse Latine dhe haptazi pro homoseksuale në Gjykatën e Lartë në Kolorado, që përsëri do të jetë një shtet i rëndësishëm, Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch që është një grua afroamerikane. Lucy Koh që është e para gjykatëse qarku aziatikoamerikane në rrethin e Kalifornisë Veriore. Ai mund të zgjedhë edhe dikë që mund të konfirmohet më parë unanimisht nga Senati për t’i shtuar peshë sulmeve retorike, nëse republikanët do të jenë hipokritë në qëndrimet ndaj figurës që ai do të zgjedhë.
– Por çfarë gurësh do të luajnë republikanët në politikë? Bllokimi i zgjedhjes së gjyqtarëve, historikisht ka motivuar bazën e tyre, donatorët si dhe Kongresin SH.B.A. më shumë se sa liberalët. Ajo thjesht do të tingëllonte si shumë zhurmë në Uashington. McConnell, nuk është një figurë e preferuar e organizatave të bazës [grass roots], gjithashtu ka nevojë për të mbajtur bazën e tij me radhë të ngjeshura. Në mes të një fushate primare presidenciale, do të ishte e papranueshme që republikanët që të dukeshin si pulla për kamerdaren e Obamës.
Chris Christie ofroi një rrëfenjë paralajmëruese për anëtarët GOP. Kur flluska e tij në New Hampshire plasi, kundërshtarët filluan ta sulmojnë atë për mbështetjen që i kish pas dhënë gjykatëses Sonia Sotomayor, ndërsa ai ishte duke konkurruar për guvernator të shtetit të New Jersey në vitin 2008. Christie nuk bëri komente. Por aleatët dhe rivalët pranuan që përmendja e Sotomayor ishte një pikë kthese për fushatën e tij.
Republikanët iu shmangen sfidave kryesore, por ata nuk do të mbështesin çdo kandidat të Obamës.
Shumica e Republikanëve ende besojnë në D.C. se në Trump ose Cruz do të humbasin zgjedhjet e përgjithshme. Shpresa e tyre është që një vend i lirë, në Gjykatën Supreme do të mund të ndihmojë bazën e vullnetarëve konservatore, për të bërë punë për fitoren e vendeve të rrezikuara Senatit.
“Disa demokratë kanë shpresë në emërimin apo marrjen e një vendi senatori, duke e detyruar Presidentin Obama që të ulet dhe të bëjë zgjedhje të tjera për Gjykatën e Lartë para largimit nga detyra,” Presidenti është i interesuar për një kandidat në moshë të re për të shërbyer për një periudhë të gjatë kohore. Kjo sqaron atë pse humbja e Scalias është aktualisht në rend të ditës pikërisht tani.
“Në betejat afatshkurtra, konservatorët mund të dalin me siguri fitimtarë, si në shumicën e rasteve të fundit të shqyrtuara para gjykatës. Ata mund ta fitojnë dhe ta ruajnë status quo-në në vend që t’i japin një formë të re në të ardhmen Gjykatës Supreme”, shkruante Robert Barnes, një korrespondent i Gjykatës së Lartë. Megjithatë po bëhet e qartë se “Gjykimi i pathyeshëm i Skalias dhe inteligjenca e tij e ashpër do të lënë gjurmë të qëndrueshme – jo vetëm në mënyrën se si do të zgjidhet gjykatësi i ri i Gjykatës së Lartë në të ardhshmen por dhe në përcaktimin se si mund të ndihmojë për ta transformuar në të ardhmen e vetë Gjykatës.” Ashtu siç tha Prokurorja e Përgjithshme, Loretta E. Lynch në një deklaratë për figurën e Scalias se ai ishte “Një luan i ligjit amerikan, që na la trashëgimi kursin e drejtimit, dhe varet nga të gjithë ne, nga çdo amerikan sesi do ta mbajmë gjallë dhe drejt dialogun tonë kombëtar kushtetues, ashtu siç na e la ai “.

Filed Under: Analiza Tagged With: “post-Scalia”, Beteja politike, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 32
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT