Nga RAFAELA PRIFTI/
“Bashkimi i diasporës shqiptare është formula e suksesit për të ardhmen tonë.” Marin Mema/
5 Qershor – Mbrëmja për Çamërinë në Kolegjin Saint Francis në Bruklin e organizuar nga disa studentë veprimtarë nga Rrënjët Shqiptare u përcoll nga pjesëtarë të shoqatave e aktivistë të komunitetit, që përkujtuan ngjarjet e paratreçerek shekulli dhe rëndësinë e tyre për historinë tonë sot.
I ardhur nga
Shqipëria për javën kombëtare të komunitetit tonë, gazetari i Top
Channel Marin Mema, i ftuari i nderit, përshëndeti
nismën e
presidentit të organizatës Rrënjët Shqiptare,
Marko Kepi, i cili
për herë të dytë e manaxhon zyrtarisht paradën për komunitetin shqiptar. Me këtë veprimtari kushtuar Çamërisë demonstrohet edhe forca e diasporës kundrejt qëndrimit anti-kombëtar të qeverisë së Tiranës dhe qeveritarëve të shitur. “Koordinimi midis shoqatave dhe grupimeve të
komuniteteve shqiptare është kyçi i një diaspore të fuqishme,” tha gazetari Mema.
Ndërsa për të përkujtuar masakrat mbi popullsinë çame një fillim i mirë do
ishte paraqitja e dokumentacioneve përkatëse tek institucionet e drejtësisë, komentoi ai,
ndërkohë që shteti shqiptar nuk ka ngritur asnjë moment a përmendore në
Shqipëri kushtuar këtij kapitulli të dhembshëm të historisë sonë. Pyetjet nga
salla e theksuan mungesën e ndjeshme të vëmendjes së institucioneve shtetërore
ndaj trevave historikisht shqiptare, dhe vlerësuan fokusin e autorit të serialeve
dokumentare prestigjioze tek këto tema me vlera atdhetare. Folësi i dytë ishte
aktivisti Sali Bollati, autor i librit Çamëria
– Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare (2018), i cili kur ishte shtatë vjeç ka qenë dëshmitar i masakrave ndaj shtatë
pjesëtarëve të familjes së tij. Si
njohës i artikuluar i çështjes çame, ai argumenton se shovinizmi grek duke vënë
në shërbim kishën ortodokse ushtroi terror kundër popullsisë shqiptare të
Çamërisë në Shqipëri në periudhën e sundimit komunist. Në periudhën e
neokomunizmit që vazhdon edhe sot, vërejti z. Bollati, klasa politike e Shqipërisë
i ka dhënë përkrahje të plotë Athinës dhe është vënë në shërbim të politikës
anti-shqiptare dhe anti-kombëtare të shovinizmit grek,
Përpara të pranishmve, studentja Melita Çekani nga
Gjirokastra, e cila
kryen studimet në Degën Art dhe Arkitekturë në Nju York, dhe anëtare
tek Rrënjët Shqiptare, i dhuroi z. Sali Bollati
nje tabllo ku
paraqitej Kulla e Bollatajve. Melita Çekani i
tha Diellit se ishte e
prekur nga historitë e dhembshme të popullsisë çame të shpërngulur me
forcë nga tokat
e pronat e veta dhe donte t’i dhuronte z. Bollati një pikturë
ku paraqitet kulla e familjes së tij në Paramithi. Ajo kishte punuar
disa muaj për
pikturat e ekspozitës të
paraqitura në mbrëmjen
kushtuar
Çamërisë në Saint Francis College, në ditën e pestë të javës shqiptare.
Në programin artistik të mbrëmjes ishin paralajmëruar Gjilberta
Luca në piano dhe violincel, dhe këngëtarë si Lindita Mezini Lole, Ilsi Ademi,
por vëmendjen e publikut e tërhoqi Frederik Ndoci, i veshur me kostum popullor
të burrave të një ane të Çamërisë, i cili vinte aty nga takimi me gazetarin
Marin Mema në selinë e Federatës Vatra në Bronks. (lexo Dielli online)
Me fustanellën karakteristike, me gjunjake e xhamadan, me qeleshe me majucë e opinga me xhufkë të kuqe. anëtari i Këshillit Drejtues të Vatrës, Frederik Ndoci, tregoi për lidhjet midis vendlindjes së tij Shkodrës dhe Çamërisë dhe këndoi këngë të krahinës. Kostumet e disa krahinave tona të punuara me kujdes i ka sjell në Nju Jork Edlira Sula nga Tradita Popullore me përkrahje nga shoqata patriotike Çamëria.
Tri studentë të kolegjit Saint Francis ishin organizatorët e takimit të mbrëmshëm, Kledi Roda, Fatime Dukova, dhe Arkelino Hila, përkatësisht Presidente dhe Zv. President të shoqatës Albanian Roots për Saint Francis College. Arkelino i tha Diellit se ishin të kënaqur që puna e tyre disajavore për mbrëmjen për Çamërinë doli me sukses. Të gjithë organizatorët, aktivistët dhe vullnetarët shprehën entusiazëm për paradën në 8 qershor.