• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA E SHQIPTARISË HAPI DEGË NË HARTFORD

May 2, 2014 by dgreca

Kongresmeni John Larson dhe Kryetari i Federata Panshqiptare Vatra, dr. Gjon Buçaj u takohuan në Hartford CT/
Nga Raimonda Moisiu/
Më dt. 13 Prill 2014, mes enthusiazmit, optimizmit dhe idealizmit patriotik e atdhetar, komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartfordit Connecticut, me madhështinë e shqiptarisë e krenarisë kombëtare, bëri realitet hapjen e Degës -Vatra, në Hartford, qytet i njohur në tërë Amerikën si “qyteti simbol i Parqeve, i luleve dhe hortikulturës” dhe shteti i themelimit të Kushtetutës Amerikane. Me kët’rast, në këtë tubim nga organizatorët u bë i mundur edhe promovimi i librit publicistik “Mbaj me nder emrin shqiptar”, të shkrimtarit, patriotit, atdhetarit dhe vatranit, Andon Rrumbullaku. Përveç pjesëmarrësve të komunitetit shqiptar në këtë zonë, ishin ftuar mendimtarë, intelektualë të çështjes kombëtare, figura të spikatura publike në fushat e ndryshme të jetës social-ekonomike-politike në Diasporë. Ky tubim sa patriotik, atdhetar dhe historik, u organizua dhe u mbështet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryetarit të Federatës Pan Shqiptare Vatra, dr. Gjon Buçaj dhe aktivistit të mirënjohur për çështjen kombëtare, Kryetari i Degës Vatra, Jacksonville, Florida, vatranit Adriatik Spahiu, në bashkëpunim me intelektualët dhe bashkëkombasit; shkrimtarin Andon Rrumbullaku, Ilam Peçi, studentët; Ilir Kola Gjonmarkaj dhe Ilirjan Rrumbullaku, Mithat Fifo , Nesim Muçollari, Vaskë Bruko, Arben Zeqiraj,etj. Në hyrje të “Arbër’café”, Kryetari i Federatës Pansshqiptare të Amerikës “Vatra” dr. Gjon Buçaj, që shoqërohej nga bashkëshortja dhe vajza e tij, Nikoleta dhe Nora Buçaj dhe z. Adriatik Spahiu, u pritën mes shtrëngime duarsh, nga pinjolli pasardhës i vatranit të vjetër, Lliko Rrumbullaku,- shkrimtari, patrioti e atdhetari, vatrani 86 vjeçar maleshovit, z Andon Rrumbullaku – nga një tjetër vatran dhe aktivisti në Fedaratën “Vatra” dhe “studenti” i Fan Nolit, biles nga të fundmit që ka qëndruar përkrah Nolit të Madh, fizikisht, mbështetur e biseduar me të – 88 vjeçari përmetar z.Thanas Laskaj, nga bisnesmeni z.Astrit Karamanaj, pronari i Arbër’café, që kishte hapur “vatrën” për këtë aktivitet patriotik e historik, intelektualë, personalitete të artit e kulturës dhe një numur i madh bashkëatdhetarësh, simpatizantë dhe aktivistë të Vatrës dhe të komunitet shqiptaro-amerikan në Hartford CT. Gjithashtu me pjesëmarrjen e tyre këtë tubim do ta nderonin dhe kishin erdhur nga shtete të tjera, sikundër; Kryetari i Shoqatës “Kombi” poeti e publicisti, z. Artur Vrekaj, nga Worcester (Ustër) Masachusets, bashkëatdhetarë nga Filadelfia, New Jersey, New York-u etj. Salla e “Arbër’ café “ ishte zbukuruar jo vetëm me flamujt respektivisht të dy vëndeve; shqiptar dhe amerikan, por në muret e saj ishte edhe fotoekspozita e Vatrës, që nga krijimi i saj, fotografi të patriotëve shqiptarë, që sakrifikuan në dobi të kombit e deri te Plaku i Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ishte e pranishme media shqiptaro-amerikane, drejtori i TV Kultura Shqiptare , Adem Belliu dhe gazetarë të pavarur. Ndodh, që evenimente të tilla historike dhe atdhetare, na lënë mbresa dhe përjetime të veçanta, shpirtërore, njerëzore, plot vitalitet dhe emocion, dhe shërbejnë si një kumt për t’u shëndrruar në zëdhënës të ruajtjes së vlerave kombëtare, traditës, gjuhës, atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar shqiptar, duke i shpalosur ato me idetë, që evidentojnë personalitetin e një kombi.
“Mbajmë me nder emrin shqiptar”, titullohet libri më i fundit i shkrimtarit patriot e atdhetar, Andon Rrumbullaku. Ky libër, vjen si përmbledhje monografie, dëshmi mbresëlënëse e imazhit të komunitetit shqiptaro-amerikan të Hartford-it, që në zanafillë, të mërguarit e parë dhe deri te ai, i mbërrituri rishtas. Në fjalën e tij të hapjes, vetë autori i librit, publicisti, z. Andon Rrumbullaku, do të theksonte se e ndjente detyrim moral, qytetar, shpirtëror dhe atdhetar të shkruante këtë libër. Që në hyrje të librit, autori ka shkruar e sjellë në vëmendje të mërguarit e parë në Hartford CT, shqiptarët “me peshë”, sikundër do të shprehej z. Rrumbullaku, që nga Kosta Hotova, nga Përmeti, i cili arriti të bëhej bankier. Kosta Hotova ndihmoi Federatën Pan Shqiptare Vatra shpirtërisht, moralisht, materialisht dhe atdhetarisht. Për këtë, ai u vlerësua duke u zgjedhur anëtar i kryesisë së Vatra, në vitin 1913-ë. Kasëm Xhafa, biri i Çamërisë, është nga të parët mërgimtarë në Hartford, binsesmen i fuqishëm në industrinë kulinare me restorante me yje dhe emër në Hartford, njeri human dhe me zemër të madhe, që do të priste, përkrahte dhe ndihmonte shqiptarët mërgimtarë, që vinin në vitet më pas nga Stambolli e Shqipëria. Një moment vërtet emocionues e mbresëlënës ishte rrëfimi i shkrimtarit Rrumbullaku për nënën çame Age Xhafa, e cila dilte me shami të bardhë e veshjen çame në Hartford. Nëna çame Ageja ishte e lumtur, krenare dhe mburrej që ishte shqiptare. Do të ishte kjo familje çame, që priti ndihmoi e mbështeti në Hartford, përmetarin patriot e atdhetar, Thanas Laskaj, i fundit i vatranëve historikë, që e ka përcjellë fizikisht Nolin, student i tij, i fundmi i epokës noliane. Bile, ai thotë duke qeshur: – Unë jam Babai i Komunitetit Shqiptaro-amerikan në Hartford. Sot ai është 88 vjeç! Nesti Nasto, nga e njëjta vendlindje, me shkrimtarin Nonda Bulka, është nga mërgimtarët e parë, që do të mbahet mend për guximin e tij atdhetar dhe patriotik.Vatrani Nesti N.pati guximin e pashoq dhe i dërgoi letër Benito Musolinit, ku i kërkonte me insistim të mos sulmonte e pushtonte Shqipërinë, në 1939-ë. Po kështu, z.Rrumbullaku sjell edhe fisin NAKO-nga Leskoviku. Pra, në këtë libër shkrimtari dhe publicisti Andon Rrumbullaku dëshmon përpjekjet, sfidat dhe kontributin e mërgimtarëve të vjetër e të rinj të Hartford-it, aty ku ndërthuren dhe integrohen kulturat, dashuria për atdheun e munguar, puna e sakrificat e tyre, për të ruajtur dhe trashëguar, gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare. Autori Rrumbullaku dëshmon e pohon rolin pro-aktiv në shoqërinë amerikane, duke përcjellë kështu mesazhin e dashurisë e vëllazërisë, jo vetëm në mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera.

-2-
I deleguari i kryesisë së Vatra, posaçërisht, Kryetari e Degës “Vatra”, në Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu, i cili udhëtoi enkas nga Florida në Hartford, jo vetëm për promovimin e librit “Mbaj me nder emrin shqiptar”, të z. Rrumbullaku, por edhe për të ndarë e dhënë eksperiencën e ndihmesën e tij intelektuale, qytetare, patriotike, atdhetare dhe materiale, në hapjen e Degës “Vatra” në Hartford CT,- i cili në fjalën e tij mes të tjerash theksoi: “Ndjehem sot i nderuar, që ndodhem fizikisht këtu, mes këtij komuniteti shqiptaro-amerikan të Hartford-it, një komunitet me virtyte e vlera njerëzore, intelektuale e qytetare të admirueshme, ashtu sikundër e ka dëshmuar shkrimtari përmetar Andon Rrumbullaku në librin e tij, me titull tejet domethënës e simbolik -“Mbaj me nder emrin shqiptar”, që unë e lexova më një frymë dhe u njoha me secilin prej jush. Me ndjenjën e lartë patriotike e të atdhedashurisë, autori Andon Rrumbullaku rrëfen historikun e mërgatës së Hartford-it, nën efektin e karizmës dhe aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane në këtë komunitet, duke pohuar të kaluarën e pararendësve të tyre. Libri mbart në vetvete nderimin dhe respektin e kockës së erudicionit intelektual, patriotik e atdhetar, dëshmi këto të njerëzores e shpirtërores, emocionuese e edukative, libër që dëshmon se,- vetë koha e liria që ata gëzonin e ne gëzojmë, na jep mundësinë, për të ngritur, apo më mirë të shprehem, për të ringritur, sepse ajo mes jush ka ekzistuar dhe ekziston,- strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, idealeve dhe virtyteve të kombit tonë, me themelimin- e theksoj-me Rilindjen- e Degës Vatra-të Hartford-it. Ndjehem krenar dhe me përgjegjësi morale e kombëtare, për të bërë më të mirën e mundëshme, për të dhënë ndihmesën dhe eksperiencën time personale dhe të Degës Vatra, Florida, që unë përfaqësoj, në realizimin e kësaj aspirate të integrimit të vlerave dhe identitetit tonë të çmuar kombëtar në tokën amerikane. E vlerësoj këtë libër, që do të mbetet në historinë e komunitetit tuaj por edhe të Diasporës, si diçka e rëndësishme dhe jetike, që rilindi degën “Vatra” në Hartford. Ta gëzoni dhe së bashku të ecim në gjurmët e të parëve tanë, të përcjellim mesazhin fisnik të vëllazërisë e dashurisë njerëzore në mbarë botën shqiptare-përfundoi fjalën e tij, z. Adriatik Spahiu. Më pas fjlaën do ta merrte intelektuali, pjesë e këtij komuniteti për më shumë se një dekadë, Ilam Peçi, i cili tha se libri “Mbajmë me nder emrin shqiptar” dhe veprat e tjera të Xha Andonit do të mbeten udhërrëfyese për brezat e ardhshëm në komunitetin shqiptaro-amerikan të Hartford-it. Morën fjalën intelektualë e qytetarë të tjerë pjesëmarrës në tubim. Z. Mithat Fifo, mbasi falenderoi personalisht të deleguarit e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, Kryetarin e saj, dr. Gjon Buçaj, dhe z. Adriatik Spahiu, më pas foli për rëndësinë dhe përmbajtjen e librit, dhe vlerën që ai përcjell për komunitetin tonë. Z Fifo theksoi gjithashtu se ndjehej krenar e i lumtur, që sot në komunitetin shqiptaro-amerikan të Hartford-it do të “ringrihej” dega “ Vatra”. Urime e Suksese, -përfundoi fjalën e tij. Përshëndeti tubimin edhe Kryetari i Shoqatës “Kombi”, poeti e publicisti Artur Vrekaj, i cili vlerësoi nismën organizative dhe uroi për çeljen e degës së Vatrës në Hartford.
“ Unë jam Thanas Laskaj, “Babai i Komunitetit”-kështu e nisi fjalën e tij dhe u shpreh gjithë buzëqeshje e krenari, vatrani 88 vjeçar, studenti i Fan Nolit dhe i fundmi i elitës noliane. Fjala dhe veprat e Fan Nolit qenë ato që na ngrohën dikur dhe vazhdojnë të na ngrohin akoma. Si pasardhës të Vatrës, mesazhi që unë dëshiroj të përcjell sot, të qëndrojmë të bashkuar në vatrën e shqiptarisë, pa dallim feje dhe ideje, se feja e shqiptarit është veç shqiptaria, -përfundoi ai. Ndërsa Raimonda Moisiu, Kryetare e SHSHSHA-së, e cila jeton e punon me familjen e saj rezidente në Hartford CT, u shpreh: “Sot në këtë ditë e datë historike, për komunitetin shqiptaro-amerikan, na nderojnë me prezencën dhe mbështetjen e tyre, personalitete të nderuara e të respektuara në Diasporë, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA “ me bashkëshorten dhe vajzën e tij, dhe z. Adriatik Spahiu, Kryetari i Degës Vatra, Florida, personalitete dhe aktivistë të shquar të çëshjtes kombëtare, të cilët kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, intelektual, erudite dhe atdhetar, në përjetësimin e punës dhe kontributit të shquar të atyre që themeluan “ Vatra”-ën, dhe “ Dielli”, në Amerikë. Zonja Moisiu pasi dha vlerësimin dhe këndvështrimin e saj për librin “Mbaj me nder emrin shqiptar”, që sipas saj, është monografia e gjallë e komunitetit shqiptaro-amerikan në Hartford, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e z. Rrumbullaku, që pavarësisht moshës, ai kurrë nuk ndalet e s’dorëzohet, por vazhdon të hedhë në letër vlerat e virytet kombëtare të shqiptarit, dhe z. Rrumbullaku na rrëfen me krenari, pse ne sot mbajmë me nder emrin shqiptar. Përsa i përket çeljes së degës Vatra në Hartford, znj. Moisiu u shpreh: “Vatra dhe vatranët pasardhës, të rinj dhe ata që do të lindin, do të ecin në gjurmët e vatranëve të vjetër, e të parëve të tyre, që të unifikojnë, jo vetëm vlerat e vërteta të kombit, traditat tona patriotike e atdhetare, idealizmin në realizimin dhe ëndrrën e të gjitha kohërave, por edhe për një komb demokratik e drejtësi, të denjë për të qenë pjesë e botës së qyteteruar. Ne sot do të çelim degën e VATRA, -në komunitetin tonë, do të bëjmë realitet ëndrrën e atyre burrave dhe grave të mënçur patriotë e atdhetarë, që shkrimtari Andon Rrumbullaku i përmend në librin e tij, ata që mbështetën fuqishëm shpirtërisht e materialisht, pa kurrfarë përfitimi personal, kauzën e shenjtë të integritetit të identetit tonë shqiptar në këtë tokë të mundësisë e multikulturore, krahas kulturave të tjera, respektues të ligjeve dhe zakoneve ku ata jetojnë e punojnë.
-3-
Fjala e kryetarit të Federatës Panshqiptare VATRA, dr.Gjon Buçaj ngjalli interes e vëmendje të veçantë, jo vetëm si një zë unikal, qytetar, intelektual, atdhetar e patriotik, por edhe si figurë dominuese e Diasporës shqiptare. “Ndjehem jashtëzakonisht i nderuar dhe i vlerësuar, që gjendem sot në këtë vatër shqiptare, ashtu sikundër ndjehem kudo ku ka shqiptarë. Ndjehem i emocionuar, që ndodhem mes këtyre dy burrave; z. Thanas Laskaj dhe z. Andon Rrumbullaku, që janë historia e gjallë e Vatra-ës, dhe vazhdojnë t’ia kushtojnë të gjithë energjitë e potencialet e tyre morale, intelektuale, njerëzore, të dijes e të penës, dhe ja kanë arritur të dialogojnë mes vetit dhe brezave, për ç’ka i bashkonte dhe bashkon, elemente të kujtesës dhe reflektimit, për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, patriotizmit, historisë, traditës e zakonet e jetesës, në të përditshmen njerëzore, por që i lidhin pazgjidhshmërisht brezat. Sot do të çelim edhe Degën e Vatra, këtu në Hartford, ku pritet të antarësohen shqiptarë të komunitetit , që jetojnë e punojnë në këtë zonë. “ Vatra”, para disa dekadash, kishte fillue të zvogëlohej, kështu që Kryetari i saj, i asaj kohe, Peter Lucas hodhi idenë e zhvendosjes së Selisë së saj nga Bostoni, ku ajo ishte themeluar, në New York. Dega e Vatra, në NY, është shtylla e Federatës, por Bostoni edhe sot vazhdon të quhet për shqiptaro-amerikanët, Kryeqyteti i Diasporës Shqiptare. Më pas, dr. Buçaj bëri një ekspoze të aktivitetit dhe kontributit të Vatra, ku në esencë ka besimin, përkushtimin, pa dallim feja, race e ideje, për t’i dhënë kuptim bashkimit të shqiptarëve në mbarë Amerikën, vlerave të kombit tonë, qofshin ato historike, kuluturore, sociale e kombëtare. Integriteti i tyre është i domosdoshëm e i nevojshëm në afirmimin e identitetit shqiptar në Diasporë, pikërisht nëpërmjet çeljes së Degëve të Vatrës dhe aktiviteteve të ndryshme të tyre në komunitet kudo ku ka shqiptar- një- komponent vlerësues në bashkimin e unitet të shqiptarëve e të gjitha trevave, nga Kosova , Çamëria e Shqipëria. Pyetjes nga salla rreth idesë të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, dr. Gjon Buçaj iu përgjigj: “ Ideja e bashkimit me Kosovën është sa e vjetër aq edhe bashkëkohore. Kjo ide është hedhur, që në Lidhjen e Prizrenit. Gjithsesi, shqiptarët kudo ku janë kanë krijuar bashkësitë e tyre atdhetare, ku kanë dëshmuar bashkimin e trojeve të tyre. Fan Noli e Faik Konica me bashkëthemeluesit, themeluan Vatra në Amerikë -, ndërsa patriotët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit në Ballkan, trojet shqiptare, që do të thotë se ne jemi një komb, një gjuhë”. Në mbarim të fjalës së tij, dr. Buçaj, përpos duatrokitjeve të admirueshme dhe mbresëlënëse nga pjesëmarrësit, përcolli urimin dhe i hapi udhë procesit të anëtarësimit në Vatra, çeljes së Degës Vatra dhe zgjedhjes së Bordit drejtues të saj. Gjithashtu dr. Gjon Buçaj dhe z. Adriatik Spahiu ndanë Çertefikatat vlerësuese për kontributin dhe aktivitetin e tyre patriotik, për çështjen kombëtare dhe krenarisë shqiptare, përkatësisht; Z. Andon Rrumbullaku, z.Thanas Laskaj dhe z.Astrit Karamanaj. U anëtarësuan dhjetra pjesëmmarrës. Kryetar i Degës “Vatra” Hartford, CT, u zgjodh intelektuali z.Ilam Peçi. Sipas rregullores, ai zgjodhi bordin drejtues; Nënkryetar, z. Arben Zeqiraj, Sekretar, Ilir Kola Gjonmarkaj, Anëtarë: Raimonda MOISIU, Alfred Rrumbullaku dhe Artan Martinaj.
-4-

Mbas tubimit të gjithë pjesëmarrësit me Kryetarin e Federatës Panshqiptare Vatra në krye–u ftuan nga biznesmeni shqiptaro-amerikan, z.Artan Martinaj, një shëmbull mbresëlënës në lobimin e çështjes shqiptare. Në fund për pjesëmarrësit pati koktej nga bisnesmeni në industrinë kulinare, Nikolin Haxhiu.

Kongresmeni John Larson dhe Kryetari i Federata Panshqiptare Vatra, dr. Gjon Buçaj takohen në Hartford CT

Bisnesmemi shqiptaro-amerikan, Artan Martinaj, ditën e çeljes së Degës Vatra ne Hartford CT-organizoi “fundraising” në restorantin e tij për fushatën e Kongresmenit John Larson. Në këtë event morën pjesë edhe komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartford-it me në krye Kryetarin e Federatës Panshqiptare Vatra, dr.Gjon Buçaj e familja e tij. Ndërsa nga media shqiptaro-amerikane eventi u ndoq nga drejtori i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, dhe gazetarja Raimonda Moisiu. Mbas prezantimit mes dy personaliteteve dr. Gjon Buçaj dhe Kongresmenit John Larson –pati një bisedë të ngrohtë, tejet interesante e mbresëlënëse, “një konferëncë shtypi” disa minutëshe krejt spontane.
“ Është gjithmonë kënaqësi, që unë të takohem e ndodhem sot mes rezidentëve shqiptaro-amerikanë të distriktit të Hartford, CT ‘. Gjithashtu ndjehem i nderuar qe kam shansin e mrekullueshëm, të bisedoj me personalitete dhe figura të rëndësishme të këtij komuniteti, sikundër është kryetari e Federata Panshqiptare Vatra, z. Gjon Buçaj. Kongresmeni amerikan John Larson i tha z. Buçaj se komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartford CT-është një komunitet vital e i fortë shumë punëtorë, gjenerozë dhe kreditet e besueshmërisë intelektuale e qytetare janë mbresëlënëse. Një komunitet, që me të vërtetë është mbështetje e ndihmesë e admirueshme dhe e fuqishme, për të bërë ndryshime dhe respektues të ligjeve. Ju sot keni çelur degën e Vatra në Hartford, që do të thotë se pjesëmarrja e personalitetit të Diasporës shqiptare, z. Gjon Buçaj -jo vetëm do të inkurajojë angazhimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe do të konfirmojë mbështetjen për lobimin e çështjes shqiptare, misionin e tyre komunitar, në interes të çështjes kombëtare dhe proceseve demokratike në jetën amerikane. Më pas e mori fjalën dr. Gjon Buçaj, i cili pasi vlerësoi ndihmën e mbështetjen e fuqishme humane, material e demokratike të Amerikës në çështjen e Kosovës e Çamërisë, ai i tregoi shqetësimin e Diasporës Shqiptare, për shqetësimet dhe problemet, për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi e trojet shqiptare në Ballkan. Gjithashtu ai i tregoi për Demonstratën e shqiptarëve para ambasadës së Malit të Zi e Shtëpisë së Bardhë, në Washington, javën e kaluar” Kongresmeni John Larson e mbështeti fjalën e z. Buçaj dhe ndante të njëjtat shqetësime me të e Diasporën Shqiptare dhe premtoi se ai do t’i prezatonte këto shqetësime në Kongresin Amerikan. Konferencën e Shtypit spontane të plotë, e përcolli për shqiptarët e Amerikës në Cable vizion dhe TV ALB, Televizioni Kultura Shqiptare i Adem Belliut.
Kjo ditë u mbyll me vizita të Bordit të ri drejtues të Degës Vatra Hartford CT, të shoqëruar nga z. Adriatik Spahiu në disa bisnese të komunitetit shqiptaro-amerikan në këtë zonë.
Raportoi nga Hartford CT
Raimonda MOISIU
Hartford, 13 prill 2014

Filed Under: Vatra Tagged With: HAPI DEGË, NË HARTFORD, Raimonda Moisiu, VATRA E SHQIPTARISË

Ali Ibër Nezaj -“Udhëheqësi i Lidhjes së Prizrenit”

April 28, 2014 by dgreca

*Sipas burimeve angleze dhe referencave historike/
*Përsiatje rreth librit “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” të Halit Nezaj promovuar të Dielën me 27 prill 2014 nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtareve/
Nga Raimonda MOISIU/
Paranteza/
Në tubimin e celjes së Degës Vatra Hartford CT, fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare Vatra , dr.Gjon Bucaj u prit me interes e enthusiazëm, Mes morisë së pyetjeve nga audienca, ju bë edhe një pyetje- rreth idesë të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Përgjigja e dr. Bucaj ishte plot mëncuri, erudicion e kockë të fortë intelektuale: “ Ideja e bashkimit me Kosovën është sa e vjetër aq edhe bashkëkohore. Kjo ide është hedhur, që në Lidhjen e Prizrenit. Gjithsesi, shqiptarët kudo ku janë kanë krijuar bashkësitë e tyre atdhetare, ku kanë dëshmuar bashkimin e trojeve të tyre. Patriotët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit në Ballkan, trojet shqiptare, ndërsa Fan Noli, Konica, bashkëkohasit e bashkëthemeluesit e tij, themeluan Vatra në Amerikë -, që do të thotë se ne jemi një komb, një gjuhë”. Kjo përgjigje e mëncur dhe e urtë e dr.Bucajt –i shkon shumë përshtat titullit të librit ‘Rugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz”-alias “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj nga Lidhja e Prizrenit –në Vatra dhe Dielli i Shqiptarëve në Amerikë”.
Me kët’rast dëshiroj të uroj:
Gëzuar 102 vjetorin e Lindjes “Vatra” e Shqiptarëve të Amerikës!
Për librin “Udha e ëndrrës së thyer”, paraqita këndvështrimin tim në formën e përsiatjes, ndërsa për librin “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz” , m’u desh të gërmoja në arkivat shqiptare e të huaja, referencat dhe studimet historike shkruar nga publicistë e studiuesë profesionistë të mirënjohur shqiptarë e të huaj, të cilët kanë shkruar në mënyrë sistematike e të admirueshme për figurën madhështore luftarake, poliadrike të patriotit të shquar Ali Ibër Nezajt. Jo pse nuk shkruaja edhe vetë profilin e këtij luftëtari të shquar, por ka një parim profesional në publicistikë e gazetari; kur për një figurë historike apo publike kanë shkruar emra fort të njohur të botës shqiptare gjërësisht, studiuesë e historianë shqiptarë e të huaj, materiale studimore-shkencore historike, na duhet të tregojmë maturinë profesionale të publicistit e gazetarit, për të mos rënë në përsëritje apo “kopjuar” ato, që pararendësit tanë kolegë kanë shkruar. Në publicistikë e gazetari jemi me fat që Diaspora ka Dalip Grecën, njeri me cilësi të vyera, profesionist i zoti, i matur dhe inteligjent, që posedon mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore. Unë jam një nga studentet e Dalipit. Cfarë dëshiroj të them me këtë? Që jam e sigurtë se do të marr mbështetjen dhe aprovimin e këtij mendim nga ai. Kështu që unë sot do t’ju paraqes para jush, duke cituar edhe burimet nga i kam marrë; Referenca dhe studime historike shkencore nga arkivat e huaja: “Udhëheqësi i Lidhjes sipas burimeve angleze”nga Kirk Gri dhe Konsulli austriak Lipih”(shën. i Raimonda MOISIU)

Arkivat e huaj: Si e mbrojti Ali Ibër Neza Lidhjen e Prizrenit ..

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë ngjarja më e rëndësishme dhe më e domosdoshme për lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e Shqipërisë.10 qershori i vitit 1878, dita kur u mblodh në Prizren Lidhja e Shqiptarëve, është një datë e shënuar e historisë heroike të popullit tonë. Ajo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për fatet e kombit tonë, pse bëhej në kohën kur Porta e Lartë e Perandorisë Osmane, në bashkëpunim me carizmin rus dhe me perandoritë e tjera të Evropës, kërkonin ta copëtonin dhe e copëtuan atdheun tonë.Me një prestigj të tillë Tropoja nisi në kuvendin e Prizrenit bijtë e vet me në krye Ali Ibër Nezën) e Binak Alinë. Më 10 qershor 1878, që të dy u zgjodhën anëtarë të KQ të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Në vitet e lidhjes e më pas, aktiviteti i Ali Ibër Nezës merr përmasa shumë të gjera dhe figura e tij poliedrike rri me dinjitet krahas tre katër figurave me të ndritura udhëheqëse të Lidhjes Shqiptare. Që ditën e themelimit të saj, Lidhja shqiptare u ballafaqua me një presion të gjerë e të gjithanshëm të administratës turke nga brenda, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme. Ali Ibër Nezës i takoi nderi i madh historik që të ishte si përfaqësues e mbrojtës i Lidhjes Shqiptare në disa nga momentet më vendimtare të saj. Një muaj pas krijimit të Lidhjes, më 22 korrik 1878, ushtria austro-hungareze marshon në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Autoritetet turke u munduan që forcat e Lidhjes t’i drejtonin në Bosnjë kundër Austro-Hungarisë e ta linin vetë Shqipërinë pa mbrojtje. Për këtë qëllim, më 19 gusht 1878 mblidhet Lidhja. Ali Ibër Nezaj në krye të disa forcave të armatosura ngarkohet të shkojë në Novi Pazar për të marrë vesh nëse forcat austro-hungareze kanë qëllime pushtimi ndaj Shqipërisë. Këtë fakt e vërtetojmë me dokumentin nr.17 të konsullit anglez në Prizren, që mban datën 2 tetor 1879. Sen Xhoni shkruan: “Pak kohë më parë kur flitej se austriakët po marshonin në drejtim të Novi Pazarit, fisi i tij (Ali Ibrës) menjëherë propozoi t’i kundërshtonte ata, por me propozimin e tij, ai me disa pasues të vet shkuan e u takuan me austriakët, dhe pasi u siguruan se austriakët nuk do bënin pushtime, ai u kthye të qetësojë popullin e vet”. Pra, largpamësia e tij si politikan duket qartë. Me Ahmet Koronicën janë nismëtarë e udhëheqës të rrethimit të Mehmet Ali Pashës në sarajet e Abdullah Drenit në Gjakovë, në shtator të vitit 1878. Për këtë, kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm në Vjenë, më 14 shtator 1878. Kjo ngjarje pati jehonë edhe në botë, shqetësoi Portën e Lartë, si dhe fqinjët shovinistë.U organizua një masakër e përgjakshme kundër të krishterëve të Gjakovës nëpërmjet makinacionesh, ku ishte përfshirë dhe kisha serbe e Deçanit. Në këtë ngjarje figura e Ali Ibrës (Nezaj) shkëlqeu me madhështi të plotë, duke i kaluar edhe caqet e kohës së vet. Më 2 tetor 1879, konsulli Sen Xhon shkruan: “Vitin e kaluar pas vrasjes së Mehmet Aliut, u diskutua seriozisht për shkatërrimin e kishës katolike të Gjakovës dhe një masakër të përgjithshme ndaj të gjithë të krishterëve të qytetit. Dhe ishte ndërhyrja e Ali Ibrës që e ndaloi këtë fatkeqësi. Ali Ibra më njoftoi mua se të gjitha persekutimet e tanishme kundër të krishterëve të Gjakovës kryhen vetëm për shkak të urrejtjes fanatike që kanë dy zyrtarë qeveritarë kundër tyre. Njëri është Kareman Beu, kajmekami dhe tjetri Hasan Aga, një oficer i zaptijeve, djali i Sadik Agës dhe ai deklaron se që të dy duhen ndaluar”. Këtë mision të lartë patriotik, mbrojtjen e popullsisë së krishterë që në fakt ishte mbrojtja e Lidhjes kundër përçarjes, Ali Ibra e vazhdoi gjithnjë duke mbetur figura qendrore e Lidhjes në këtë aspekt. Këtë fakt e vërtetojnë shumë dokumente të viteve 1879-1880. Për të ilustruar këtë fakt, citojmë vetëm një fragment nga dokumenti nr.22 i datës 6 tetor 1879 të konsullit anglez në Prizren: “Ali Ibra i cili është kryetar i fisit më të fuqishëm të të gjitha fiseve malore të kësaj krahine, ka treguar gjithmonë një prirje dashamirësie ndaj popullsisë së krishterë dhe për më tepër ai më premtoi se mbrojtja e tij do të vazhdojë dhe se ai do ta quajë si detyrën e tij të ndërhyrjes për çdo rast persekutimi kundër të krishterëve”. Mbrojtja e lidhjes
Kulla e Ali Ibër Nezajt
Por Porta e Lartë s’mund ta linte të jetonte Lidhjen. Sulltani dërgoi gjeneralin plak e gjakatar Dervish Pashën, për të shuar me gjak Lidhjen Shqiptare. 3000 forca nën komandën e Ali Ibrës e Mic Sokolit zunë Shtimjen. Ndërsa forcat e tjera nën komandën e Sulejman Vokshit zunë Cërnalevën.
Ali Ibër Nezës i takoi nderi historik që të jetë njëri ndër tre komandantët e njërës prej betejave më të mëdha të shekullit XIX për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në këtë betejë, ku ushtria turke la 1800 të vrarë, forcat e Lidhjes u thyen. Ali Ibra u plagos rëndë në këmbën e djathtë. Epika popullore thotë: “Ali Ibra në vraç të zi, po i shkon gjaku deri në zingji….” Qytetet e Kosovës ranë një nga një me përjashtim të Gjakovës. E vetmja kështjellë e papushtuar mbeti malësia e Gjakovës, Tropoja, ku erdhën edhe Sulejman Vokshi e Ymer Prizreni. Ata qëndruan për disa kohë në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan. 50 vjet më vonë do të qëndronte në të njëjtën shtëpi për shumë kohë një figurë tjetër e shquar e historisë shqiptare, Hasan Prishtina.
Më 7 maj, konsulli Shmuker nga Shkupi njofton ministrin e Jashtëm në Vjenë se 2000-3000 malësorë të Gashit e Krasniqes janë mbledhur pranë qafës së Morinës. Ata kanë edhe dy topa që i kanë marrë në Guci, thotë ai, dhe janë të vendosur për vazhdimin e rezistencës.
Ndërsa më 18 qershor 1881 kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Sulejman Vokshi bashkë me Ali Ibrën mori kryesinë dhe sot që është shpirti i opozitës në malet e Gjakovës, i refuzoi të gjitha ofertat e marshallit dhe kanë mbetur deri tani të papërulur, por besohet se është në plan një atentat kundër tij. Ali Ibra që u konsiderua i vdekur, u shërua prej një plage që mori në Shtimje, e cila shkaktoi zërat e vdekjes së tij”. Sulejman Vokshi qëndroi 5 muaj në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan.
Më 9 tetor 1881, konsulli Shmuker njofton nga Prizreni ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Të mërkurën, më 5 tetor, zbritën në qytetin e Gjakovës së bashku me krerët e Malësisë dhe të Rekës, Sulejman Aga Vokshi dhe Ali Ibra, të cilët në kohën e sundimit të Lidhjes konsideroheshin si shefa më me influencë dhe më aktive të fiseve malore, duke qenë të përcjellë prej 200 të armatosurve. Për të evituar konfliktet dhe për t’u frymëzuar besim delegatëve të tyre, ishte dhënë urdhër që trupat të qëndronin në kazermat e tyre”. Ali Ibra e Sulejman Vokshi me krerët e tjerë i paraqitën në formë ultimatumi qeverisë programin e tyre, që përmbante shumë pika. Shmiker shkruan: “Për aq sa duket, Dervish Pasha ka probabilitet që të marrë në konsideratë pjesën më të madhe të këtyre kërkesave dhe e gjithë do të gjejë gradualisht përfundimin e saj në komandimin e Sulejman Vokshit, Ali Ibrës…”
Më 9 nëntor 1881, në Gjakovë bëhet një mbledhje me gjithë përfaqësuesit e malësive. Mbledhja kryesohet nga Sulejman Vokshi e Ali Ibra, dy figurat e fundit të patundura të Lidhjes shqiptare. Mbledhja kërkon lidhjen e një bese të re. Po ashtu më 9 tetor konsulli austro-hungarez Shmuker i shkruan Fon Kollajt, ministrit të Jashtëm të Vjenës: “…Krahas me organet e portës, ne posedojmë edhe një lloj qeverie provizore, kështu vazhdon të më shkruajë konfidenti im-, ose të themi më mirë, një formë TRIUMVIRATI të përbërë nga shefat Sulejman Vokshi, Ali Ibra dhe bajraktarit të Krasniqes, që është nominal, por në fakt organi që i shkon me tepër fjala në rrethin e Gjakovës… Flitet se Ali Pasha është bashkuar fshehurazi me fiset malore të Gjakovës dhe i bashkuar me ta, ai shpreson që me kalimin e kohës të formojë një shtet të vogël brenda në shtet”… Pra, Gjakova mbeti përherë në duart e kryengritësve. Dervish Pasha, me tituj, grada e terror, me format e tij theu shume krerë të Lidhjes. Sipas burimeve popullore edhe Ali Ibër Nezës i dha titullin “Pashë”, me rekomandimin e sulltanit, por Ali Ibra e hodhi poshtë me indiferentizëm e përbuzje. Ai nuk e zëvendësoi kapuçin, plisin e bardhë shqiptar me festen e kuqe turke.
Ali Ibër Nezaj vazhdoi përpjekjet e tij për çështjen kombëtare deri në fund të jetës se tij. Vdiq në sarajet e tij në Osek, në dalje të Gjakovës, ndërkohë që ky qytet do të ketë dhe një shesh me emrin dhe shtatoren e tij.
*Marrë nga “Udhëheqësi i Lidhjes së Prizrenit” -sipas burimeve angleze dhe referencave historike.
* Materiali u lexua në promovimin e dy librave, me autor Halit Nezaj: “Udha e Ëndrrës së thyer” dhe “Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz”

Filed Under: Vatra Tagged With: Ali Ibër Nezaj -“Udhëheqësi, i Lidhjes, Raimonda Moisiu, së Prizrenit”

PROMOVIM NE NEW YORK NGA VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE

April 27, 2014 by dgreca

Promovimi i dy librave të shqiptaro-amerikanit Halit Nezaj, “Rrugëtimi i Përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në Bronz” dhe “Udha e ëndrrës së thyer” u organizua nga Vatra dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan në restorantin EastWood Manor në një sallë të mbushur plot.
Ky promovim përkoi me shënimin e 102 vjetorit të Vatrës, përvjetor që u përcoll përgjatë veprimtarisë.
Takimin e ka moderuar mjeshtrisht shkrimtari Mhill Velaj, i cili interpretoi fragmente dhe vargje. Pjesmarërsit i ka përshëndetur fillimisht zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati. Folësja kryesore ishte Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro amerikan Raimonda Moisiu. Përshëndetën dhe përgëzuan autorin: Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Neë Jork, Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan Adnan Mehmeti.Një kumtesë rreth librave të z. Halit Nezaj e mbajti Mehmet Kadrija. Diskutuan rreth librave edhe editori i Diellit Dalip Greca, kryetari i degës së Vatrës në Hartford Iliam Peci, Prend Cetaj, Shaban Gashi e të tjerë.U duartrokit gjatë edhe aktori nga Kosova Halil Teta, që recitoi fragmente poetike.
Autori falenderoi pjesmarresit, organizatoret dhe diskutantet.
Në fund nga familja Nezaj u shtrua një kokejl i pasur me ushqime tradicionale dhe pije të shumëllojshme.

Filed Under: Vatra Tagged With: Bekim Sejdiu, Gjon Bucaj, Halit Nezaj, Raimonda Moisiu, Shoqata e Shkrimatreve, Vatra

Arratija e dhimbëshme në emër të lirisë

April 27, 2014 by dgreca

Përsiatje rreth monografisë “ Udha e ëndrrës së thyer” me autor, shqiptaro-amerikanin Halit Nezaj/
Shkruar nga Raimonda MOISIU*/
Në një mënyrë apo tjetër, realiteti i jetës nuk mbetet thjesht metafora që dëshmon kujtesën apo historinë, mërgimin dhe atdheun, jetesën e mbijetesën, për të prekur vlerën apo mungesën e tyre, atë e përcakton koha që ne jetojmë, përvojat jetësore, të cilat na bindin dhe inkurajojnë, për të arritur më të mirën e të mundshmen, -pra metamorfozën e përballjes me realitetin. Duke sjellë në kujtesë të kaluarën, ne qartësojmë të tashmen dhe i hapim udhë së ardhmes. Vetë jeta e njeriut, individët, eksperiencat dhe përvojat e jetës, motivet e ndryshme, ambiciet dhe sfidat, në kohë e pakohë, flasin shumë, dhe personazhet e tij kanë konceptin dhe botëkuptimin e tyre, se si mund të rrëfehet historia, përmes bashkërendimit të fakteve në muret socialë e historikë të ekzistencës njerëzore. Është filozofia dhe sfida e përballjes me realitetin, domethënien e tij, me zhgënjimet, vetminë, ankthin, shqetësimet, streset dhe mosmarrëveshjet, të izolimit shpirtëror e fizik, ndërgjegjes individuale e kolektive, kombëtare e historike, represive dhe shpërfillëse, tragjedia kombëtare dhe fati kolektiv i shqiptarëve, i të ikurve drejt së panjohurës, luftrat, genocide, varret e të parëve dhe varret e të humburve, kondradiktat, pasojat dhe mentalitetin e shoqërisë, në të cilën jetonin e jetojnë. Secili prej nesh, dëshiron të japë dicka nga koha e kujtesa, të banojë brenda “vorbullës” së saj, të jetë i barabartë mes të barabartëve – për të ngritur diskursin e mirëfilltë të shoqërisë, nga një tjetër realitet, jo i largët i shekulli të kaluar, të 20-të, në udhëtimin e dëshirave të ndaluara dhe ëndrrëve të thyera, për të jetuar jetën, në një shoqëri më të avancuar, të lirë e demokratike, ku të drejtat e njeriut vlerësohen më shumë se kudo, ku ato ngrihen nën kauzën dhe aureolën e vlerave të lirisë e jetës, të mbijetesës, përpjekjeve, kalvarit të dhimbjeve e sakrificave, që në emër të jetës e për jetën, pergatiten për sfidën e re, -atë të mërgimit nga toka e tyre drejt “atdheut imagjinar”. E ka quajtur librin e tij “ Udha e ëndrrës së thyer”, një rrëfim modest me krenarinë e shqipes, me zellin e tij të spikatur intelektual, qytetar dhe atdhetar, për të kultivuar e ruajtur kulturën, traditën, gjuhën, vlerat dhe identitetin kombëtar. Patriot, shqiptar i mrëfilltë në gen dhe ndërgjegje, modest, i pabujë, pavetmburrje dhe fisnikërinë e moshës, -autori Halit NEZAJ, -me punën e kontributin historik e krijues, duke ja lënë kohës, ka arritur të dëshmojë raportin mes kujtesës e historisë, filozofisë dhe eternitetit, vazhdimësisë së jetës dhe mbijetesës, -autenticitetin, që i përket ardhmërisë dhe brezave. Madhështia e një kombi dallohet nga përfaqësuesit më të shquar të saj dhe kjo madhështi arrihet nëpërmjet mendësisë, urtësisë, erudicionit të kockës intelektuale, kulturës, qytetërimit, mëncurisë, rrethanave historike, ruajtjes e promovimit të vlerave më të mira, shpalosjen e tyre në njërën formë apo tjetër, të bukur e emocionuese, në rrafshin e ndryshimeve të epokave për trashëgiminë ndër breza të kontributit social, patriot e atdhetar të tyre. Do ta kisha të vështirë apriori, për të dhënë figurën e një historiani, mësonjësi, udhërrëfyesi, patrioti , burri i vendit e kuvendit, atdhetarin, mikun, prindin, gjyshin, intelektualin, historianin nga Malësia e Gjakovës, tropojanin fisnik, Halit Nezaj, po të mos e kisha lexuar këtë libër monografik, kronologjinë e fakteve historike, tragjedive dhe dhimbjes njerëzore. Ky libër fokusohet në veprimet individuale, në të kaluarën e të tashmen dhe efektet e tyre kolektive, hedh dritë ndaj fakteve e të vërtetave historike, mite e legjenda, trima dhe luftëtarë, burrat e kombit të dalë nga fisi i dëgjuar Nezaj, jo vetëm në historinë e Tropojës, por që nga Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit, Kosovës, -pra në krejt Dardaninë. Individët dhe personazhet historikë të tij kanë një perceptim të vecantë të identitetit e kujtesës, përjetimeve rrënqethëse të tragjedive, luftërave për liri e pavarësi, vështirësitë, sfidat gjatë rrjedhës së jetës, copëtimin e atdheut, instalimi i ideologjisë komuniste, arratia nga vendlindja, por me sytë nga toka mëmë, për t’i shpëtuar përndjekjes së egër ndaj nacionalistëve të vërtetë atdhetarë, persekutimi i të afërmëve të tyre, genocidi shekullor serb dhe zinxhirët e makinës vrasëse sllavo-komuniste. Teksa lexon librin, në përfytyrimin tonë vijnë emra trimash e luftëtarësh, që kanë bërë historinë, këngët për trimat ushtonin bashkë me vajin e dhimbshëm e krenar të nënave në kullat e djegura dhe elegjitë vajtuese nënzë nga zanat shamibardha, që qanin në heshtje dhe larg syve kureshtarë, fatin e burrave të tyre trima. Pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, Halit Nezaj, në këtë libër negocion me lashtësinë dhe kujtesën, me epokat historike në analogji me emrat e të parëve të tij, varret e humbura dhe kullat e rrënuara, njerës të vrarë e të pushkatuar , të kallur të gjallë e vdekur burgjeve, por që lanë gjurmë, bënë historinë dhe lanë emrin e mirë të shqiptarit, jo vetëm për trashëgiminë ndër breza, por edhe për kujtesën e ndërgjegjen kombëtare.
Autori e fillon librin duke na dhënë historinë e derës së madhe të kullës së Nezajve të Epërm, burra trima dhe me emër në Malësinë e Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, nga ku do të lindnin trima, heronj, mite e legjenda. Kjo familje me tradita patriotike e atdhetare shtohej nga viti në vit me trima e luftëtarë, që duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, i bënë ballë me dije e pushkë, hordhive serbo-sllave, rregjimit komunist të instaluar për 50 vjet-që përpiqeshin me të gjitha mënyrat e format më barbare e makabre psikollogjike e fizike, për ta zhdukur fisin nacionalist të Nezajve, dhe jo vetëm kaq- psikollogjiken e njerëzoren e kombit. Burrat e derës së Nezajve, së bashku me burrat trima e të urtë të Tropojës, Gjakovës dhe Kosovës, pritnin e përcillnin me dyert gjithmonë hapur trimat e luftëtarët shqiptarë, që vinin nga mali, fusha e bjeshkët. Aty në kullën e ndaluar të lashtë e historike të Halit Qerimit të Nezajve dhe birit të tij të vrarë nga rregjimi komunist, Shpend Haliti. Aty vinin e strehoheshin, mjekonin dhe shëronin plagët e betejave në male, luftëtarët, clodheshin dhe përsëri rroknin armët, për të mbrojtur trojet dardane. Me këtë frymë patriotike e atdhetare, u rrit e u edukua, pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, autori Halit Nezaj, djaloshi vigan e energjik, i patrembur, i cili në krye të kolonës së pafund, u priu burrave dhe djemëve, që për shkak të persekutimit të egër komunist u detyruan të arratiseshin fillimisht në ish-Jugosllavi dhe më pas mërguan drejt SHBA-ës. Libri, që unë me plot gojë do e quaja një “Monografi” të fisit të Nezajve, është shkruar në kapituj, ku më një fjalor të pasur, tema e subjekte, e bëjnë jo vetëm tërheqës për lexuesin, por edhe informues, duke u përqëndruar dhe argumentuar me fakte dhe foto. Ajo që na mban në jetë dhe na bën shoqëri kur jemi të vetmuar, netëve pa gjumë, që na ushqen dhe na mundëson t’i zbrazim ndjenjat tona, të bashkëudhëtojmë nëpër histori, nëpër fatet e pafatet e popullit dhe dëshirat e ndaluara të vetë autorit, -është kujtesa dhe rrëfimi. Në kapitujt pasardhës mbresëlënës, autori Nezaj ka shtjelluar në forma të ndryshme akademike e modeste, duke e filluar librin me të dhëna të vecanta në aspektin historik, të traditës, mbi njerësit e urtë e të mencur, trima e luftëtarë, krenarë e të admirueshëm, të derës së madhe të Nezajve. Autori Halit Nezaj, mes psikikes, shpirtërores dhe njerëzores, përpos angazhimeve individuale në sinkron me angazhimet kolektive, ndërmjetëson në bazën thelbësore të rrëfimit, për zhvillimin e kompleksit shoqëror, atdhetar, kombëtar, qytetar, intelektual dhe krijues letrar e publicistik. Me mjeshtëri filozofike dhe vizatimin realist letrar të ngjarjve e personazheve, ai ngulit në mendjen e zemrat e brezave të ardhshëm, dashurinë për atdheun, u rrëfen kalvarin e dhimbjeve e sakrificave, të vuajtjeve dhe sfidave, historinë e popullit tonë nën zgjedhën sllavo-komuniste, që askush nuk e ka përjetuar më keq se populli shqiptar.
Në vitin 1968 autori i librit, intelektuali dhe qytetari, malësori fisnik Halit Nezaj mërgoi në SHBA-ës, ku gjeti mbështetjen e bashkëkombasve të tij. Ai integrohet shumë shpejt në punët e ditës, krijon familjen dhe sot, ai dhe bijtë e tij, drejtojnë bisneset e tyre në jetën e përditshme, pa harruar asnjëherë – identitetin e tyre shqiptar. Duke jetuar në Amerikë, për më shumë se katër dekada, autori Nezaj, na rrëfen me kujdes e sqimë aspekte të vecanta të jetës së vërtetë, vështirësive që hasen në mërgim, mësimin e gjuhës angleze, komunimkimin e përditëshëm, punësimin dhe të tjera, për të qënë qytetarë të kulturuar dhe të emancipuar, respektues të ligjeve e zakoneve të atdheut të tyre të dytë. Realitetin, që ai ka përjetuar dhe vazhdon ta përjetojë, Nezaj e vendos atë në disa kufij, që në zanafillën e mërgimit të tij drejt tokës së premtuar. Autori Nezaj na rrëfen se si ai dhe familja e tij, por edhe bashkëkombasit e tij, përvec angazhimeve në jetën e tyre të përditëshme nuk harrojnë kurrë origjinën, krenarinë e tyre e të qënit shqiptar, por sa herë e kërkon koha dhe historia, ngrejnë zërin në favor të cështjes shqiptare, sensibilizimit të cështjes së Kosovës, asaj të Camërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, deri në instancat më të larta demokratike në qarqet amerikane dhe më tej. Autori Halit Nezaj nuk nguron t’i përmendë edhe me emra të gjithë ata bashkëkombas , vatranë dhe aktivistë të cështjes kombëtare, që përbëjnë atë që sot quhet -Diaspora shqiptare. Nezaj është përqëndruar edhe në përballjen e mërgimtarëve shqiptarë, me vështirësitë, me dështimin dhe suksesin, me jetesën brenda mundësive dhe aftësive, në dilemën mes dy botëve, -të botës nga vinte autori, nga një rregjim krejtësisht totalitar, të mohimit të vetvetes, sepse nuk mundje të shpalosje aftësitë në një realitet aq të ashpër, të mbyllur brenda kufijve, që shpesh herë i detyronte bashkëkombasit e tij, të arratiseshin e kalonin kufirin, disave u ecte, disa prej tyre edhe u kapën, u burgosën apo u vranë në telat e klonit, apo me plumba, disa vdiqën burgjeve, disa u zhdukën dhe mbetën pa varr. Tani që libri u shkrua, ai mundi të komunikojë me botën shqiptare, duke na thënë se ne pamvarësisht se jetojmë këtu në Amerikë, nuk e harrojmë vendin tonë, ai është me ne kudo e në cdo gjë shpirtërisht. Dhe në mbyllje, dëshiroj të them se autori Halit Nezaj, në këtë libër ka shkruar realitetin e fatit të individit në analogji me fatin kombëtar të mërgimtarëve, na ka dëshmuar realitetin historik jo si në fotografi, por në formë e përmbajtje, të dëshirave të ndaluara në udhën e ëndrrës së thyer dhe arratinë e dhimbëshme në emër të lirisë.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Prill 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Arratija e dhimbëshme, Halit Nezaj, në emër, Raimonda Moisiu, të lirisë

KRIJOHET DEGA E VATRES NE HARTFORD, CT

April 15, 2014 by dgreca

Me dt. 13 Prill 2014, mes enthusiazmit, optimizmit dhe idealizmit patriotik e atdhetar, komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartfordit Connecticut, me madheshtine e shqiptarise e krenarise kombetare, beri realitet hapjen e Deges e Vatres ne Hartford, Connecticut, qytet i njohur ne tere Ameriken si “qyteti simbol i Parqeve, i luleve dhe hortikultures” dhe shteti i Connecticut si shteti i themelimit te Kushtetutes Amerikane. Me ket’rast, ne kete tubim nga organizatoret u be edhe promovimi i librit publicistik “Mbaj me nder emrin shqiptar”, te shkrimtarit, patriotit, atdhetarit dhe vatranit, Andon Rrumbullaku.Te deleguar nga Federata e Vatres, ishin Kryetari FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES” VATRA” dr..Gjon Bucaj dhe Kyetari Deges se VATRA-Florida,Jacksonville dhe anetar i Keshillit te Federates, Z. Adriatik Spahiu.
Kryetari I Federates Vatra, dr. Gjon Bucaj, prezantoi qendrimet e Vatres, veprimtarite e saj Kombetare, rregullsine e respektimit te Kanunores(Kushtetutes se Vatres)etj.
Gjate kesaj Mbledhje u zgjodh kryesia e Shoqates Vatra Dega Hartford CT

-Kryetar ILAM PECI
-NENKRYETAR ARBEN ZEQIRAJ
-SEKRETAR ILIR KOLA GJOMARKAJ
-ANETAR KRYESIE

RAIMONDA MOISIU

NESIM MUCOLLARI

ARTAN MARTINAJ

ALFRED RRUMBULLAKU(RM)

Filed Under: Vatra Tagged With: Dega e Vtares, hartford, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT