• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASHTRIMI I MADH

August 10, 2020 by dgreca

-(Demokracia e trukuar dhe komunizmi rozë)–

“Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”- Ramiz Alia-

 “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji”…–

NGA EUGJEN MERLIKA-Me këtë pohim “të sinqertë” që binte ndesh me dogmën gjysëm shekullore të “epërsisë së socializmit” si rend shoqëror, politik dhe ekonomik, Kryetari i Shtetit dhe i partisë së komunistëve shqiptarë, Ramiz Alia, në tetor 1989, fillonte fjalën e tij para Byrosë Politike. Ai ishte i vetëdijshëm se ajo fjalë do të ishte një gur sinori mes dy kohëve historike, asaj të socializmit dhe një tjetre që do t’a pasonte, me gjithë të panjohurat e saj e që do të ishte, në synimin e tij dhe të kastës së kuqe që ai kryesonte, një kapitalizëm rozë.

            Viti 1989, i mrekullive të paimagjinueshme të një shekulli luftërash mizore e diktaturash të pashembullta, po ecte me revan drejt fundit të tij. Kishte sjellë flladin e lirisë në Vendet e Evropës Lindore që, njëri pas tjetrit, rrëzuan regjimet komuniste që i kishin sunduar për gati një gjysëm qindvjeti. Muri i Berlinit ishte shembur dhe “perdja e hekurt” mes dy pjesëve të kontinentit mbetej vetëm një relike e një periudhe historike që, çuditërisht, kishte arritur në stacionin e saj të fundit.

            Në Shqipëri ndryshimet epokale të kampit socialist përcilleshin me një heshtje të përgjithëshme, nën të cilën ndizeshin shpresat e vakëta e mbi të cilën vigjëlonte si skifteri arma e mprehtë e diktaturës së kuqe, Sigurimi i Shtetit. Dyshja Ramiz-Nexhmije, që deri atëhere ishte nanurisur në përrallën e përjetësisë së enverizmit pa Enverin, në fshehtësi projektonte një t’ardhme që do t’ju siguronte atyre dhe vartësve të tyre një pleqëri të rehatëshme e pa telashe e fëmijëve të tyre një sundim të qetë, jo më në një sistem terrori siç kishte qënë diktatura e kuqe, por në një “demokraci kapitaliste” në ngjyrën e formën që do t’ju këshillonin “miqtë e Perëndimit”.

            Ky ishte thelbi i fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike në tetor 1989. I arkivuar si “shumë i fshehtë” për vite të tëra ky dokument, një nga më të rëndësishmit e historisë së Shtetit bashkëkohor shqiptar, ka disa vite që është në duart e shqiptarëve të cilët, nëpërmjet tij, kanë mundësi të kuptojnë e të shpjegojnë të gjitha “enigmat” e periudhës së  kalimit nga një sistem në një tjetër. Si i tillë ai vlen të studjohet e të komentohet në hollësi. Fjala është një parashtrim i qartë dhe i detajuar i një projekti të madh, që do të fillonte sendërtimin e tij së shpejti e do të shtrihej në gjatësi kohe.

            Simbas ish Kryetarit Alia ndryshimi i pashmangshëm do të kufizohej në dy pika:”në respektimin e të drejtave të njeriut e në pluralizmin politik”. Ishin çështjet në të cilat këmbëngulte Evropa Perëndimore në dokumentat e saj e të cilat, dështimi ekonomik i sistemit socialist, i kishte bërë të detyrueshme për t’u gëlltitur nga hierarkët e tij. Se sa do të ishin të mjaftueshme këto dy parime bazë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë  e treguan përvojat e këtyre viteve, por e paralajmëroi dhe dinaku Alia kur parashtroi:

            “Të drejtat e njeriut janë diçka brënda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive, do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive, duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë”

            A u zbatuan porositë e Ramiz Alisë në krijimin e partive, apo ato lindën spontanisht nga dëshira e ndrydhur dhjetëvjeçarë me rradhë? A ishte një rastësi që në krye të partive u vunë ish kuadro të regjimit, madje të ardhura edhe nga shërbimet e fshehta, apo ata patën guximin që u mungoi të përndjekurve të diktaturës? A ishte thjesht pasioni i politikës, një mënyrë për të nxjerrë jetesën apo pjesë e strategjisë për të copëzuar opozitën ndaj partisë komuniste “të reformuar” krijimi i dhjetra partive në jetën shqiptare? Këto e të tjera pyetje si këto ende e mundojnë shqiptarin e thjeshtë që nuk arrin dot të kuptojë se kujt i shërbejnë dhjetra grupime njerëzish, që quhen parti, kur ritmet e zhvillimit të Vendit nuk kanë krahasim as me fqinjët tanë e standarti i jetesës njeh ngjitje marramendëse vetëm për kastat në pushtet e për trafikantët e shkelësit e ligjit.

            Të gjithëve u kujtohen kohët e entuziazmit të krijimit të partive, duke filluar nga ajo Demokratike. Drejtuesit e tyre, që hodhën shpejt triskën e kuqe në kosh dhe u vetëshpallën kampionë të demokracisë e të antikomunizmit, flisnin me zjarr e pasion kundër Enver Hoxhës, për krimet e regjimit, mungesën e lirisë etj. Binte në sy  fakti se në këto parti kishte pak ose aspak ish të burgosur të ndërgjegjes apo përfaqësues të diasporës antikomuniste. Kjo i detyrohej deri diku dhe ndrojtjes së tyre  e mendimit se populli i indoktrinuar nuk do t’a kuptonte pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, por diku haptas e diku në mënyrë të maskuar dhe mospranimit të drejtuesve të rinj. Këta të fundit që mendonin, sikurse ustai i tyre, se i nevoitej “karta morale” e të dënuarve të diktaturës bënin garë në  demagogji për të fituar përkrahjen e tyre.

 Partia Demokratike qe ajo që mori në gjirin e saj më shumë ish të përndjekur. Në vitet e para disave prej tyre  u dha poste me rëndësi partiake dhe shtetërore, në nivele të ndryshme. Por aktivizimi i ish të përndjekurve politikë ishte vetëm një anë e treguesit të prirjeve demokratike të këtyre partive. Ana tjetër dhe më e rëndësishmja ishte strategjia ekonomike dhe e reformave që duhet të ndryshonin sistemin.

            Thelbi i këtyre reformave ishte njohja dhe kthimi i pronave, pra një rindarje e pasurisë shtetërore ndërmjet qytetarëve, të cilëve gati gjysëm shekulli më parë Shteti komunist ua kishte grabitur me dhunë. Qëndrimi i partive qe një ngritje shqytesh e përgjithëshme e përmbledhur në shprehjen shqeto komuniste:” nuk do të lejojmë të nakthehen bejlerët dhe agallarët.”. Ligji 7501, që u miratua thuajse njëzëri nga Kuvendi, si pasojë e një marrëveshjeje ndërmjet demokratëve e socialistëve, ishte themeli i të gjithë prapësirës pas komuniste. Ai ligj jepte tokën në përdorim pa shumë ndryshim nga reforma agrare e 1946,  pa synimin që t’i bashkonte sërish forcërisht fshatarët, por edhe pa mbajtur parasysh se e kujt kishte qënë ajo tokë. Me një ndërhyrje zbukuruese vetëm për dukje krijohej ideja se Shteti po zhvishej nga pushteti ekonomik e se popullit i kthehej mundësia e rivendosjes së pronësisë vetiake. Fshatarët ktheheshin në argatë të tokës, që nuk ishte e tyre, por që për një farë kohe nuk do të paguanin detyrimet që rridhnin nga shfrytëzimi i saj. Nuk ishte gjë e rastit që populli në disa zona të Vendit, sidomos në pjesën Veri-Lindore nuk e pranoi këtë ligj dhe vendosi njëzëri khimin e pronësisë së secilit në kufijtë e para reformës agrare. Kasta komuniste, që ishte e vetëdijshme se duhej lëshuar përkohësisht pushteti politik për të zotëruar në mënyrë “demokratike” atë ekonomik, e kishte hartuar atë me synimin , më pas të sendërtuar, të ruante mundësinë e pasurimit të saj në rrugë të ligjshme e më shumë të paligjshme.

            Mungesa e përcaktimit të pronësisë i humbi Vendit shortet e investimeve të huaja që, në fillimet e viteve 90, ishin pothuaj të barabarta për të gjitha Vendet e Lindjes, duke çuar në kalendat greke kohët e vënies së tij në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky dëm i stërmadh që iu shkaktua Vendit, pasojat e rënda të të cilit vazhdojmë t’i paguajmë çdo ditë, ishte rrjedhojë e paaftësisë, e diletantizmit të klasës drejtuese pas komuniste që nuk arrinte të kuptonte përparësitë e çastit, apo zbatim i një strategjie të paracaktuar? Përgjigjen shkoqur e pa dredha e gjejmë tek fjalët e Ramiz Alisë: “ Ne, “Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes që e kemi planifikuar dhe po e pregatisim vetë….”

            Në zbatim të kësaj strategjie qemë të pranishëm në fillimin e viteve 90 në sulmin asgjësues të vandalizmit mbi objektet ekonomike, social-kulturale, të tregëtisë, mbi mjetet e trasportit, madje deri dhe mbi drurët frutorë e jo frutorë, në grabitjet e depove e të dyqaneve. Ky lloj banditizmi, i mbuluar me vellon e “urrejtjes për komunizmin”, i orkestruar nga një rrjetë e padukëshme ish sigurimsash e antarësh të partisë së punës, synonte të zotëronte nëpërmjet grabitjes atë pasuri që kishte mbetur në depot e Shtetit, por dhe të kthente, në dukje, në gjëra pa vlerë objektet shtetërore. Askush, duke filluar nga Qeveria e papërgjegjëshme e  “destabilitetit” të Ylli Bufit, nuk shqetësohej për dëmin e madh që i shkaktohej imazhit të Vendit nga kjo strategji shkatërrimi, në një nga çastet më vendimtare për të ardhmen e tij.

 Mallrat e grabitura do të shërbenin si bazë për të filluar rrugën e pasurimit, ndërsa zhvleftësimi i objekteve do të kishte si pasojë blerjen e tyre, gati falas, në proçesin e privatizimit që do të fillonte së shpejti. Ky i fundit do të bëhej me kritere haptas favorizuese për komunistët që, simbas parimit të vjetër “politika në plan të parë” kishin në dorë të gjitha postet kyç në sektorët e ndryshëm të ekonomisë e në tregti. Përparësinë në blerjen e objekteve Shteti i PD do t’ja u jepte atyre që punonin në to. Në pamje të parë ishte diçka e drejtë, në fakt ishte vënie në jetë e strategjisë së krijimit të “klasës kapitaliste” nga komunistët. Në këtë drejtim do të jepnin ndihmesën e tyre komisionet e privatizimit që, jo vetëm për përzgjedhje klasore por edhe për përfitim vetiak, do të zbatonin çmime krejtësisht në dobi të blerësve. Lidhjet me mjediset e fitimit të paligjshëm në Vendet fqinjë e në ata Perëndimore, sidomos në Itali, do t’i jepnin shkas lindjes së trafiqeve të ndryshme që sollën pasurime marramendëse në kohë relativisht shumë të shkurtëra. 

Kjo ishte strategjia afatmesme e komunistëve por, për çastin, duhej mbajtur vetëm si një synim i fshehtë e i padeklaruar. Për çastin duhej lëmuar fasada, duhej fituar besueshmëria e Perëndimit që duhej të miratonte rrugën e nisur, për të çelur epokën e paqtimit e të lënies së konflikteve mbrapa krahëve. Për këtë nevoitej një qëndrim i ri karshi të gjithë atyre që, deri dje, kishin qenë “armiqtë e betuar” të socializmit brënda dhe jashtë Shqipërisë. Ujqit do të vishnin lëkurët e qëngjave e, duke sharë  sa të mundnin kryeujkun, do t’ju krijonin viktimave iluzionin se tashmë kishte ardhur koha e tyre. Strategjia ramiziane parashihte një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës të asaj pjese të popullsisë, që kishte qenë kavje e sprovës enveriste në larminë djallëzore të burgjeve, kampeve të punës e atyre të internimit për dhjetëvjeçarë me rradhë.    

Strategjia ishte sa dinake aq dhe e poshtër. Për t’u bërë bindëse në “qëllimin” e saj i duhej besuar jo ish ministrave të Adil Çarçanit, gazetarëve të Zërit të popullit apo studjuesve të Institutit që kryesohej nga Nexhmije Hoxha, por klasës së re politike, të përbërë nga profesionistë të të gjitha fushave e ndonjë ish të burgosuri politik. Kryetari Alia projekton si në një ekran ngjarjet e pritëshme dhe mundësitë e kanalizimit të tyre simbas interesave të caktuara e planit të studjuar deri në imtësitë e tij.

“Partia që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë antikomunistë do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Dhe këta dihet që e urrejnë komunizmin por do  të na afrohen e do të na përkrahin. Neve na intereson karta morale e tyre. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme;por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin, sepse Ata, sa të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren dhe ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre.

Në zbatim të të drejtave të njeriut, duhet t’u japim edhe kompensimin në para, të burgosurit politikë t’i kompletojmë me komoditete banimi…”

            Përcaktohen kështu qartë kufijtë, brënda të cilëve do të vërtitet demagogjia e stilit të ri, për të arritur në synimin thelbësor që mbetet ruajtja e pushtetit nga rreziku i rënies së tij tek ata që duhej të kishin qenë trashëgimtarët e ligjshëm të tij në kushtet e shëmbjes së sistemit. Skenari u vu në jetë me një besnikëri të admirueshme, madje lëshimet e detyrueshme qenë më të pakta se sa ata që parashikoheshin.

            Sot, në largësi 15 vitesh, ish të përndjekurit  duhet t’i ngrenë një “përmendore” Kryetarit Alia, sepse po të ishte sendërtuar programi i tij, ndoshta do të kishin patur të gjithë nga një shtëpi e do të kishin përfituar edhe paratë e dëmshpërblimit për djersën e papaguar nëpër kampet e punës së detyruar të Shqipërisë socialiste. Pasardhësit e tij në pushtet bënë garë me njëri tjetrin se kush mund t’i mashtronte më shumë ata. Problemi  i banesave të tyre, që normalisht duhej të ishte zgjidhur në kuadrin e rindarjes së pasurisë së paluajtëshme shtetërore ende sot mbetet një rebus. Me paratë që Shteti u ep si shpërblim nuk mund të blejnë as  banesë për një person kurse ata, të cilëve u është njohur pronësia e shtëpive të sekuestruara, ende vazhdojnë të shohin qiraxhinjtë “zotër shtëpie”, që paguajnë qira qesharake, më pak se simbolike. Shumë të tjerë vazhdojnë të sorollaten vite me rradhë gjyqeve, siç kishte profetizuar “magjistari Alia” në tetor 1989:

“Të sekuestruarvet dhe të shpronësuarvet do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së parë në të dytën etj. dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”

            Tuneli i errët i drejtësisë, një nga problemet e pazgjidhura të gjithë këtyre viteve. Sa drama e tragjedi i janë shtuar shqiptarëve nga vendimet e sallave të gjykatave, sa padrejtësi janë ligjësuar në to. Nga fjalët e regjizorit të pas komunizmit kuptohet qartë se drejtësia ka qenë e telekomanduar, se nuk i ka shërbyer krijimit e fuqizimit të Institucionit të pavarur. Ajo ka shërbyer si mashë, si dora e gjatë e partisë komuniste për të sendërtuar synimet e saj, që mbeteshin përjetësimi i grabitjes së qytetarëve shqiptarë, i nisur më 1945, e përvehtësimi me mjete “demokratike” i pasurisë së tyre. Sorollatjet shumëvjeçare në dyert e gjykatave, që kanë helmuar jetën e shumë njerëzve në këto vite, nuk janë vetëm pasojë e zbrazësirës morale të një pjese të shërbyesve të tempullit të drejtësisë, por edhe pjesë e strategjisë ekonomike e pushtetore të projektit ramizian. 

  Mars 2004- Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, mashtrimi i madh, Ramiz Alia

BAVAREZI FRANZ JOSEF SHTRAUS DHE KOPËSHTI SHQIPTAR I KELKAZAVE

June 11, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
Ne Foto: F.J. Shtraus takohet me R. Alinë…/
■Kush ishte vizitori gjerman Franz Josef Shtraus që erdhi në Shqipni në vitin 1984 ?!
Kancelari Gjermanisë Helmut Kohl e ka vlersue me këto fjalë Shtrausin: “Një nga Etnit themelues ma të mëdhej të Republikës Federale.” Ndersa z. H.D. Gensher, e vlersoi: “Kontributin e Tij të pazevendsueshëm per ndertimin e demokracisë së mbas luftës në Gjermani.” Ishte themelues dhe drejtues per 25 vjet i Partisë Konservatore Gjermane.
Ishte një nga politikanët ma me eksperiencë dhe ma të fortë të Gjermanisë Perëndimore.
Presidenti amerikan Ronald Reagan e ka quejtë Shtrausin: “Njeri i jashtzakonshëm…”
■Pak fjalë per jeten e Shtrausit: Asht le në Mynih me 6 Shtator 1915. Ka perfundue po në Mynih studimet per letersi greke dhe romake. Në Luftën e Dytë ishte oficer artilerie në Francë dhe BS, u sëmue dhe u kthye në Bavari. Aleatët e nxoren të pafajshëm mbas 1945.
U ngarkue me detyra të randsishme shtetnore prej vitit 1949 dhe njihet si arkitekt i Shtetit Gjermano Perëndimor, që me Adenhauer, atëherë, kur edhe emnohet Minister Mbrojtje nga viti 1956 – 1962. Në 1966 deri 1969 ishte Minister Financash. U lidh me Lindjen per probleme ekonomike, tue u quejtë dhe mbet “konservator progresi”.
■Kryeministri i Landit Bavarisë F. Shtraus, vjen në Shqipni nga Hani Hotit…
Me siguri emnin e Shqipnisë duhet ta ketë “ndigjue gjatë Luftës, kur ishte në BS !!”
Kur po kalonte në rrugen e Taravicës në 21 Gusht 1984, pyeti perkthyesin: “Pse jemi tue udhtue nga kjo rrugë sekrete?”… Nuk kishte asnjë veturë që lëvizte andej…Rruga ishte gjithkah e “sigurueme” me bunkera… Ndersa vizitën e dytë e bani në Maj 1986, me një avion të vogel që drejtonte Ai vetë. Vizitat nuk ishin zyrtare. Në Nandor 1987 erdhi me i urue zyrtarisht Presidentit Ramiz Alia lidhjen e mardhanjeve diplomatike me Shqipninë që me 2 Tetor. Bisedimet e Tij me pushtetarët tanë nuk u publikuen kurr!
■Si e shikon Shtrausi Shqipninë?
Që diten e parë kur Shtrausi vuni kambën në Shqipni, Ai punoi per me krijue lidhje aq sa të rregullta dhe normale, aq edhe mbi baza institucionale. Ngjyra e mardhanjeve ishte mbi bashkpunimin ekonomik, teknik dhe financiar. Takimet e Tij me Adil Çarçanin, Manush Myftiun dhe mbyllja me Ramiz Alinë, i formoi Atij tablon e plotë per Shqipninë.
Në të verteten Shtrausi kerkoi me ngulm një qendrim të rij mbi të drejtat e liritë e njeriut.
Në vitet ma vonë janë dishmitarë dy djelmët e Tij, që shpalosin edhe të vertetat e atyne takimeve ku Shtrausi, mendonte që Shqiptarët nuk duhet të humbin rasën dhe shansin jo të vogel, per proceset demokratike që shpejt do të perfshinin Europen Lindore.
■Per çfarë kishte nevojë Shqipnia simbas Shtrausit?
Vendi ma i mbrapambetun stalinist në Europë, “pika ma e errtë e komunizmit” që shtypej nga Enver Hoxha dhe pasuesi i tij poaq terrorist Ramiz Alia, me një diktaturë nder ma të mnershmet në Europë, dhe me varfni të paimagjinueshme nuk mund të bante asnjë hap përpara me sistemin “mbretnor komunist” që qeverisej. Këto masa kishin vetizolue Shqipninë e bunkerizueme antidemokratike. Pra, duhej kerkue prej tyne liria e ekonomisë së tregut, hapja e kufinjve, heqja e nenit agjitacionit dhe propagandës dhe e drejta themelore e Lirisë Njeriut, “Liria e besimit” e mohueme me kushtetutë.
Ishte hera e parë mbas vitit 1944 që Shqiptarët shpresuen nga Bavarezi Franz J. Shtraus!
■Kujt i “besonte” në vendet komuniste z. Shtraus?
– Vetem falimentimit ekonomik të sistemit komunist botnor! Rezultati ishte vetizolimi!
■Po, tradhëtari i Popullit Shqiptar, krimineli Ramiz Alia, kujt i besoi?!
– Një tradhëtari tjeter si vetes së vet, Onekerit të Gjermanisë Lindore komuniste.
Ardhja e një delegacioni nga Oneker, i kryesuem nga Ministri i Jashtem gjerman, me një “premtim” per Ramiz Alinë, që “nëse Shqipnia, do të vazhdojë rrugen komuniste dhe dogmatike, nga Gjermania komuniste asaj do ti sigurohet e ardhmja e ‘ndritur”!! (1987).
■Një dhomë e madhe në Drejtorinë e Pritjes në Tiranë u mbush me dhurata bizhuterie argjenti dhe ari dhe iu derguen “shokut” Oneker, në shenjë falnderimi nga R. Alia. Vertetë “kushtuen” po, ishte koha kur Populli Shqiptar hante bar…“me ruejtë parimet”!
■Foto Çami dhe Dhimiter Dhora, shkuen dhe prishën marrveshjen me Perëndimorët, se Ramiz Alisë me shokë, nuk i interesonte “as mirqenja, as Europa, dhe as… Shtrausi”!
“Në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni!” Pra, kolltuku!!
■Me 9 Nandor 1989 Muri i Berlinit ra! Ai ra në Berlin po jo, në Tiranë!
■Kopshti socialist i kelkazave nuk pranonte ndryshime…Shqipnia nuk kishte ndryshue asnjë gja nga kushtet e pranueme prej Esad Pashës në “Rrethimin e Shkodres” në 1913.
■16 Prill 1990. Mbas Katovicës, terroristi Ramiz Alia tha nder mbledhje “sekrete”:
“Dy gjëra nuk do t’i lejojmë, këto kurrën e kurrës, e para puna e shumë partive, që do të thotë të lejojmë një parti e Legalitetit apo e Balllit… Këtë kurrën e kurrës, sepse kjo do të thoshte tradhëti e atdheut , mbaroi pushteti popullor mbaroi revolucioni, e dyta ne kurrë nuk do të pranojmë çështjen e pronës private, tregun e lirë të varur mbi pronësinë private…Kjo do të thotë likujdim i socializmit. Po të vijë puna deri këtu, ta kemi parasysh se këtu jemi në Komitetin Qendror, edhe bar do hamë edhe gjak do derdhim. Këtu s’shkon më dhe s’do shkojë më tej, s’mund të shkojë. ..Ne kemi thënë që teza ynë ka qenë , deri tani, në kongrese dhe nëpër mbledhje që ne pranojmë pluralizëm mendimi por nuk pranojmë pluralizëm partiak. Kuptoni, që edhe pranojmë vetëm këto lloje subjektesh politike qe kemi edhe sot…Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha…Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sido që të shkojnë punët, ujë do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të mos shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni nga situatat e vështira që po kalojmë, sepse në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët!
Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!”
■Dhe, menjëherë filluen vrasjet nder kufinjë e, shetitja e kufomave nder tela me gjemba!
■Shikoni me kujdes foton nalt! A nuk ju duket sikur Shtraus mendon… e thotë me vete:
■“Sigurisht, ky gomar, kujton se edhe unë do ha bar në ‘Kopshtin socialist të kelkazave!”
■Shtrausi i superfuqisë ekonomike, politike dhe strategjike e kuptonte mirë në surrat, terroristin që kishte perballë…Ashtusi sot, kuptohen pasuesit e tij mashtrues e rrencakë po, të asaj Parti hajdutësh vrastarë, që na nxorën nga Europa plot 70 vjetë përpara..!
*Ne vijim te rubrikes:”Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…”
Melbourne, Qershor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, Josef Shtraus, Ramiz Alia

RAMIZ ALIA DHE DEMOKRATIZIMI I SHQIPËRISË

May 29, 2015 by dgreca

Ramiz Alia:”… Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.”
Nga Eugjen Merlika/
Para pak ditësh gazetarja Admirina Peçi, në të përditëshmen “Shqiptarja.com”, botoi në tre numura proçes – verbalin e mbledhjes së sekretariatit të KQ të PPSH, të mbajtur më 23 korrik 1990.
Materiali është mjaft interesant, veçanërisht në shpalosjen e qëndrimeve të Ramiz Alisë dhe të Ismail Kadaresë në verën e vitit 1990, gjë që ravijëzon edhe personalitetet e tyre n’atë periudhë, që i paraprin tjetërsimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Figura e Ramiz Alisë që atëherë, në rrethe intelektuale, servirej si ajo e një personi të matur, e një demokrati, e një njeriu që po i paraprinte ndryshimeve të sistemit, në kundërshtim me klanin Hoxha, të drejtuar nga e veja e diktatorit, nga ky proçes – verbal i mbledhjes përgënjeshtrohet plotësisht. Megjithë respektin për urtësinë e Sabri Godos apo ndonjë tjetri, që n’ata vite të para 90 përgjëroheshin për të , Ramiz Alia, përtej paraqitjes së tij “aristokratike”, ka qënë një komunist enverist i bindur, duke ngulur këmbë deri në fund t’a ruante sistemin në format e tij arkaike e të dështuara. Në këtë mbledhje është e dukëshme prirja autokratike e diktatorit të fundit komunist dhe Presidentit të parë pluralist të Shqipërisë, për t’imponuar mendimin e tij, mbasi të tjerët sekretarë bëjnë ndërhyrje të rralla e të shkurtëra.
Mbledhja kthehet në një monolog të Kryetarit, në të cilin spikasin dogmatizmi enverist në trajtimin e problemeve, sipërfaqësia tronditëse në spjegimin e dukurive, paaftësia apo shtirja në të kuptuarit e thelbit dhe të arsyes së ngjarjeve, mungesa e plotë e vullnetit dhe objektivitetit për të përballuar situatat e reja të krijuara. Në monologun ramizist dalin në pah disa argumenta, të cilët do të binin ndesh edhe me logjikën më parake në analizën e çastit historik që kalonte Vendi e që shqetësonte drejtuesit e partisë. Ramiz Alia mëton se hyrja e qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja shkaktohej nga “aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizimi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve nëpër ambasada”. Besoj se edhe një fëmijë i fillores nuk mund të pranojë një logjikë të tillë. Arsyeja e mos arsyes së Ramizit duhet kërkuar në dramën e tij të brëndëshme, që ishte humbja e pushtetit. Marrëzia e këtij shpjegimi jo vetëm që i trajton qytetarët shqiptarë si kukulla, të cilat regjizori i padukshëm i luan në skenën e teatrit, por injoron plotësisht edhe punën e organeve të diktaturës që, papritmas, kanë “lejuar” të vijnë qindra agjentë e të gënjejnë mijra vetë, kur ata kishin 46 vjet që “zbulonin” agjentë në të gjitha mjediset, madje edhe në krah të Ramizit.
Sekretarët e Komitetit qëndror vërsulen me tërbim kundër termave “demokraci” e “pluralizëm”, së pari sepse këto dy koncepte ishin të panjohura për ta; së dyti sepse të vëna në jetë në diktaturën më mizore të komunizmit evropian do të thonin “të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thesht luajale, por një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor”. Këta zotërinj “naivë” të politikës nuk kanë kuptuar se në histori e politikë nuk ka asgjë të përjetëshme, se çdo epokë ka fundin e saj e se ajo komuniste në Evropë kishte arritur në pikën e vdekjes. Të ngulitur në kolltuqet e pushtetit që u siguronin fuqinë dhe privilegjet, edhe se ishin pa vlera të veçanta, drejtuesit e PPSH kacavirreshin mbas pasqyrave me shpresën e kotë për të kthyer kursin e ngjarjeve që përcaktonin ndryshimet epokale në Lindjen evropiane dhe protestat e rinisë shqiptare.
Për ta do të ishte tragjedi kthimi i pronës private, pajtimi kombëtar, nacionalizmi, madje dhe bashkimi kombëtar. Deri në ditët e fundit të pushtetit të tyre ata shfaqen si grabitës të pasurive të qytetarëve, si racistë të llojit më të keq, deri në autorë genocidi, anti kombëtarë e antishqiptarë. Për të gjetur një curriculum të tillë duhet të marrim kandilin e Diogjenit e të kërkojmë në të gjithë historinë shqiptare. Ndoshta mund të gjejmë ngjajshmëri vetëm në vitin e mbrapshtë 1914, kur hordhitë anadollake të Musa Qazimit e të Haxhi Qamilit përzunë nga Shqipëria Mbretin që na kishte dhënë Evropa.
Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.
Duket se nuk kanë kaluar 46 vjet nga koha kur Ramiz Alia, simbas studjuesit të njohur Uran Butka, së bashku me të tjerë kuadro të Divizionit të V, i dorëzonte më shumë se 4000 djem kosovarë forcave serbo-malazeze për masakrën e Tivarit. Më 1990 është po ai njeri, atëherë komisar divizioni, sot Kryetar shteti e partie, po ato ide, po ajo urrejtje, po ai cinizëm kriminal kundër Vendit të tij, i cili nuk mund të konceptohet ndryshe prej tij veçse i drejtuar prej kastës komuniste me të në krye. Obskurantizmi ideor i tij nuk njeh kufij, kur ai kundërshton mundësinë e punësimit të shqiptarëve jashtë shtetit dhe arrin në krim shtetëror kur vazhdon të urdhërojë vrasjen e atyre shqiptarëve që duan të kalojnë kufirin.
Nuk habit qëndrimi i tij në lidhje me konceptin e nacionalizmit, që në atë periudhë trasformimesh epokale edhe të shteteve multietnike, mund të kishte zhvillime pozitive që i jepnin shpresë edhe shqiptarëve. I njoftuar nga Xhelil Gjoni mbi zërat e ndryshëm që vinin nga mjedise mbarëkombëtare, ku diskutohej për një braktisje të ideologjisë e kthimin e vështrimit nga problemi kombëtar, Kryetari i Shqipërisë shprehet kështu : “Po të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”
Është gjuha e atyre që në fundin e 1944-ës i dorëzuan Shqipërinë e bashkuar jugosllavëve, sepse për ta kombi dhe interesat e tij shuheshin para internacionalizmit proletar. “Idealet” e tyre vlenin më shumë se sa Shqipëria etnike, të tilla që i shohim mirë edhe në këtë proçes – verbal. Ka edhe një dozë të theksuar miopie politike në këtë pohim, në mëtimin për t’i mbajtur gjithmonë larg atdheut të mërguarit politikë, është një tregues i faktit se nuk ekzistone tek udhëheqja shqiptare më 1990 vetëdija se epoka e mureve dhe perdeve të hekurta në Evropë kishte perënduar.
Ana tjetër interesante e këtij proçes – verbali është trajtimi i figurës së Ismail Kadaresë nga sekretariati i Komitetit qëndror. “Ismail Kadareja nuk po ndihet”, “Pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadareja nuk pranoi të jepte intervistë ? ”, “ A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Miteran…. ? ”, “Situata e tanishme kërkon që Ismaili me qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë, Atdheut.”, “Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua asnjë fjalë për këto që sheh? “ , janë disa nga shprehjet e Ramizit në lidhje me qëndrimin politik të çastit të shkrimtarit të madh. Kuadri është i qartë : qytetari, deputeti, shkrimtari Kadare, në këtë çast vendimtar për t’ardhmen e Vendit të tij, nuk pranon të flijojë personalitetin e tij në dobi të klikës obskurantiste komuniste të Shqipërisë, duke ligjësuar veprimet e saj regresive. Ky është një qëndrim që paraqet rrezik real për të dhe familjen, e kjo shpjegon kërkimin e strehimit politik në Francë mbas pak muajsh. Por një organ i rëndësishëm i shtypit shqiptar të asaj periudhe ve në gojën e shkrimtarit një shprehje tepër përçmuese për qytetarët shqiptarë që u futën nëpër ambasadat : “jashtëqitja e kombit”. Megjithëse shkrimtari e kishte mohuar atë shprehje, në këto 25 vjet askush nga zyrat e shtypit apo të propagandës së ish partisë së punës, nuk pati burrërinë apo ndershmërinë të thotë të vërtetën. Pa një përgënjeshtrim zyrtar ajo shprehje është instrumentalizuar shumë e kuptohet se sa i ka rënduar kjo shpifje edhe vetë shkrimtarit e familjes së tij.
Mbas botimit të këtij proçes – verbali, që është një dokument historik, më duket një shprehje ndershmërie intelektuale dhe detyre morale e atyre që kanë instrumentalizuar atë shprehje të shpifur, t’i kërkojnë sinqerisht falje shkrimtarit të madh. Duhet t’a kërkojnë zyrtarisht ndjesën e qytetarit Kadare, një shqiptari që e ka ngritur lart në botë emrin e kombit të tij si pak kush i lindur në këtë truall, por edhe atij që, n’ata çaste kritike për Shqipërinë, nuk pranoi të bëhej vegël e udhëheqjes komuniste për të njollosur bashkatdhetarët e tij.
Ndokush mund të më kritikojë ashpër se po flas në dobi të “shkrimtarit të regjimit”, un, një nga viktimat e atij regjimi. Duhet të pohoj se ka qenë një autor të cilin e kam lexuar me ëndje dhe e kam vlerësuar jo për faktin se ”temat për Partinë, Enver Hoxhën, Atdheun, socializmin janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit”, siç thotë Ramiz Alia, por për talentin e fuqishëm e meritat letrare të padiskutueshme. Nëse ndokush do të kërkonte dosjen time gjyqësore më 1980, do të shihte në të se një nga akuzat që më bëhej për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ishte kjo : “Ka lexuar Dostojevskin e ka pëlqyer Ismail Kadarenë”, një akuzë e pranuar prej meje edhe në gjyq. Në tavolinën e hetuesit tim qëndronte libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me nënvizimet e zakonëshme që gjinden në librat e lexuara prej meje. Nga kontrolli në shtëpi ishin marrë dy libra, njëri prej tyre ishte “Gjenerali…”. Shum kush mund të shprehë habi për këtë akuzë, dhe vetë nuk e kam kuptuar atëherë, por fakti të bën të reflektosh se shumë gjëra ne nuk i dijmë ende si shkonin, por sigurisht jo ashtu si i shihnim ne prej larg.
Dua të shtoj edhe pak fjalë për qëndrimin e Ismail Kadaresë në çerek shekullin e fundit të së ashtuquajturës demokraci : ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në botën e jashtëme, ka luftuar për demokracinë e vërtetë, nuk është pajtuar me demokraturën shqiptare të këtyre viteve, ka qenë faktor i fuqishëm përparimi, atdhetarie, evropianizimi e demokracie nëpërmjet veprave të shkruara, intervistave dhë veprimtarisë publike jashtë Vendit.
Si të gjithë njerëzit që hyjnë në histori, kjo e fundit do të flasë për të. Si “dritë e së vërtetës e mësuese e jetës”, do të jetë e drejtë me të, me dritë-hijet e veprës së tij, duke mbajtur parasysh kohët, tejet të jashtzakonëshme, në të cilat pati fatin të jetojë ai dhe brezi i tij.
Maj 2015-05-24

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokratizimi i Shqiperise, Eugjen Merlika, Ramiz Alia

ASGJË E RE NË DEKLARATËN E SERVET PËLLUMBIT PËR RAMIZ ALINË, GORBAÇOVIN DHE KATOVICËN SHQIPTARE

October 15, 2013 by dgreca

Z. Tomorr Malasi e ka publikuar 15 vjet të shkuara dokumentin e Katovicës shqiptare të Ramiz Alisë në gazetën”Republika”. Ndërmjetës ishte Maksim Begeja…Atë kohë Servet Pëllumbi heshti…./

Nga Dalip Greca/

Deklarata e një prej ideologëve të së majtës shqiptare, ish Profesorit të Filozofisë Marksise Leniniste, Servet Pëllumbi, rreth Katovicës Shqiptare, në intervistën e tij me gazetarin e Televizionit “Channel One”,  ushqehu edhe një herë median shqiptare me silazhin e përditshëm që gatuan politika dhe që është mësuar ta përtypë e ripërtypë në mënyrë mekanike. Gati të gjitha gazetat u morën gjatë dhe e lakuan në të gjitha rasat e shqipes, përfshirë dhe Thirroren, emrin e ish profesorit të Filozofisë Marksiste – Leniniste, ish kryetarit të Parlamentit Servet Pëllumbi. Deklarata e profesorit u cilësua si një provë autentike që u mbush mendjen shqiptarëve se Katovica, këtu e tutje duhet besuar si teori dhe si praktikë, sepse e ka thënë Servet Pëllumbi, teoriecieni ideologjik i M-L, përherë afër Ramiz Alisë. Nuk po e shtrojmë pyetjen përse nuk e pohoi në të gjallë të Ramiz Alisë atë që dinte, përse nuk u prononcua  më parë, përse tani? Mendoj se një spjegim do të ishte në dobi të besueshmërisë të tezës që ai e hodhi nga ekrani. Pyetja është kjo: Kur 15 vite të shkuara, këtë dokument, e botoi gazeta Republika, përse nuk u ndje Profesori? Aso kohe Tirana dhe Shqipëria u morën gjatë me atë artikull, që shkaktoi habi e huti. Asgjë më shumë se ç’shkruhej në rreshtat e atij artikulli që niste në faqen e parë të Republikës, nuk na tha nga ekrani, tani pas 15 vitesh, Servet Pëllumbi.

Në atë artikull që botoi Republika tirrej i plotë skenari i Katovicës shqiptare, me ideator Gorbaçovin dhe me skenarist shqiptar Ramiz Alinë. Nëse atë kohë Servet Pëllumbi do të dilte para opinionit dhe do të thoshte, po kjo është e vërtetë-, ngjarjet mund të kishin marrë tjetër rrjedhë. Mjafton që të thoshte kaq:” E kam parë edhe unë dokumentin”… Atëherë shoqëria shqiptare do të kishte reaguar, ndërsa sot është vonë, tepër vonë. Dëmi ka ndodhur, demokracia është mbajtur peng, problemet tona kanë mbetë pa u zgjidhë. Tranzicioni vazhdon të jetë sfilitës.Vazhdojmë t’u japim përparësi sherreve dhe nuk pranojmë dialogun; pranojmë të takohen shqiptarët me serbët, por jo pozita me opozitën në Tiranë!

Artikullin në Republika e kam shkruar unë, në atë kohë kryeredaktor i gazetës. Ngjarja ndodhi kështu: Që në mbrëmje, miku im Maksim Begeja, më telefonoi në gazetë dhe më tha se të nesërmen kafenë e mëngjesit ta rezervoja se do ta pinim me një mik, që kishte diçka për gazetën. Të nesërmen u takuam në një kafe përballë Kafe Europa. Maksimi shoqërohej nga Tomorr Malasi, një ndër politikanët e spikatur të Partisë Demokratike. Gjatë pirjes së kafesë, z. Malasi më pyeti nëse mund ta botoja në Republika një dokument që mbahej secret, por që ai e kishte me vete? S’dija ç’të thoja sepse nuk e kisha parë ende dokumentin. Vështrova në drejtim të Maksim Begesë, që ishte zv/kryetar i Partisë Republikane. Ai qeshi lehtazi dhe foli para meje:- Mos e vë në dyshim z. Tomorr, nuk i mungon kurajo kryeredaktorit.Unë miratova me lëvizje të kokës.

Atëherë Tomori nxori materialin, që me sa mbaj mend përbëhej nga dy fletë të daktilografuar. Në krye të fletës së parë ishte shënimi se ky ishte material secret i lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë më 1989. Nuk më kujtohet nëse ishte edhe data apo muaji. Por mesa e ndoqa edhe zotin Servet Pëllumbi, as ai nuk i përmendi këto detaje.Nëse nuk gjendet i arshivuar ky material original, domosdo edhe i protokolluar as pas 23 vitesh përmbysje, dyshimi është real. Kjo hedh një hije dyshimi mbi vërtetësinë e dokumentit.

z. Malasi po më ndiqte me vëmendje gjatë leximit. I përpiva fjalët dhe radhët njëra pas tjetrës. Ndjeja një lloj habie dhe zhgënjimi njëkohësisht. Nuk po u besoja syve. Shkruhej e zeza mbi të bardhë ashtu siç kishte ndodhur në Shqipëri.Ngjarjet ishin zhvilluar si në teatër, duke ndjekur me përpikmëri skenarin e shkruar para kohe. Në fillim mendova se duhej të ishte ndonjë sajesë dhe se nuk kishte mundësi të zbatohej me përpikmëri ajo që ishte ideuar që më 1987 në Katovicë të Polonisë. Ua thashë dyshimin tim bashkëbiseduesëve, por letrat ishin aty si dëshmi të pakundërshtueshme të inskenimit.

Mos e boto kështu siç është, por komentoje,-ishte ideja e Tomorr Malasit. Maksimi miratoi.

Ashtu bëra. E mora letrën me vete dhe shkova në zyrë, ku nisa komentin, por të gjitha fjalitë e skenarit, porositë e Ramiz Alisë në Mbledhjene Byrosë Politike, i shkrova siç ishin, duke ruajtur origjinalitetin.Dukej se ishin konspektuar porositë e Gorbaçovit pikë për pikë. Pranohej se  Socializmi kishte dështuar. Ky ishte fakt dhe nuk donte shumë mend se ishte koha që të përcaktohej strategjia e komunistëve shqiptarë për kalimin në demokraci në mënyrë graduale dhe pa ndëshkim. Nuk kishte më kohë për të humbur. Ngjarjet në ish kampin socialist kërkonin vigjilencë dhe përshpejtim masash. Shqipëria ishte e fundit dhe kishte mundësi të shmangte c’mund të ishte e shmangshme. Kjo u bë më emergjente pas 25 Dhjetorit 1989, ku Nikola Çaushesku u egzekutua. Padushim atë skenë e ka parë dhe Ramiz Alia dhe Byroja Politike. Dhe Ramiz Alia udhëzonte: “Do të nxisim dhe dotë krijojmë parti sa më shumë, por këto duhen kontrolluar nga ne. Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Le të na shajnë…Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.

Duke lexuar këto porosi të ish udhëheqësit të fundit komunist mendoja atë kohë se kjo mund të ishte bërë me qëllim nga ish komunistët për të denigruar liderët demokratë. Këtë mendim ende e kam edhe sot, ndryshe duhet të pranojmë faktin që parashtron z. Pëllumbi, se Ramiz Alia, ishte zotëruesi i skenës politike derisa mbylli sytë.

Ajo që të bën të mendosh më thellë e të reflektosh ndër porositë e Ramiz Alisë, dhe të mos mëdyshesh në vërtetësinë e tyre, është referenca ndaj të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”. Aty flitej konkretisht edhe për Ballin dhe Legalitetin, partite tradicionale shqiptare. Madje në komentet të movonshme është shtuar se ai kishte dhënë porosi që bijtë e tyre të lejoheshin të emigronin në masë.

Ajo ç’ka e bënë të besueshëm skenarin Katovician të Ramiz Alisë janë porositë e tij për ish pronarët. Ai udhëzonte byroistët: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim pronën. Në ato porosi ishte edhe parashikimi i rikthimit të komunistëve në pushtet, por jo më të varfër, por të pasur dhe me prona. Startegjia ishte : “Për dy-tre legjislatura ish klasa jonë komuniste-proletare do të kthehet në klasë kapitaliste.”

Të gjitha këto porosi të Ramiz Alisë u denoncuan në shkrimin e Republikës për Katovicën shqiptare para 15 viteve, por Servet Pëllumbi,me deklarimin e tij nga ekrani, vetëm na riktheu pas. Asgjë të re nuk solli.

…Të nesërmen gazeta u shit që në mëngjes. Atë kohë Republika kishte një tirazh që shkonte deri në 40 mijë kopje ditore dhe vetëm në Tiranë shiteshin 12-13 mijë kopje. Efekti qe i madh, por më shumë shkaktoi habi e huti. Më pas u harrua. Shumë nuk e besuan.Ramiz Alia ishte gjallë. Servet Pëllumbi me të tjerë që e dinin të vërtetën nuk u prononcuan, nuk dëshmuan. Dhe e plasi tani Pëllumbi, plot pas 15 vitesh.

Le të shpresojmë se pas kësaj do të vijë reflektimi i shoqërisë shqiptare, që vuan shpesh nga humbja e kujtesës. Le të shpresojmë se dhe vetë media nuk do të harrojë këtë”zbulim” të Servet Pëllumbit, për t’u rikthyer pas 15 vitesh të tjerë , ku të gjejë një tjetër Pëllumb, që të “rizbulojë” Katovicën e Ramiz Alisë… Këto radhë që shkrova janë lehtësisht të vërtetushme; shkoni në Bibliotekën kombëtare dhe shfletoni koleksionin  e gazetës Republika. U kërkoj ndjesë Tomor Malasit dhe Maksim Begesë sepse u kisha dhënë fjalën se nuk do t’i publikoja emrat e tyre, por “bomba” e vonuar e Servet Pëllumbit ma diktoi thyerjen e “besës”.

Filed Under: Opinion Tagged With: asgje e re, dalip greca, e Servet pellumbit, Katovica shqiptare, Maksim begeja, nga deklarata, Ramiz Alia, Tomorr Malasi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT