Atdhetari e filantropi i shquar 73 vjeçar Selim Shabanaj i Radio “Prishtina” në Zagreb, i kompanisë “Frucktus” në Kosovë, i Luftës së UÇK-së, ka ndrrue jetë në Prishtinë
Dje ka ndrrue jetë në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës dardane, në moshë 73 vjeçare, atdhetari e filantropi i shquar shqiptaro-kroat, Selim Shabanaj, i rrethuar nga dashuria e përkujdesja e familjarëve e miqëve të tij, i cili do të përcillet me nderime meritore, sot, me 4 gusht 2023, ditë e premte, ora 14.00, në fshatin e tij të lindjes, në varrezat e Dobixhe-Jagoz të Gjakovës.
1.
Atdhetari e biznesmeni i shquar, i viteve 1980-1999, Selim Shabanaj, ishte pronar i kompanisë “Fructus”, e cila numëronte asokohe mbi 550 shitore në të gjithë territorin e Kosovës, ku u punësuan qindra familje e mijëra qytetarë të Kosovës, u mundësuan në përballimin e mbijetesës shqiptare në Kosovë nga masat e dhunshme të gjithanshme të Serbisë me largime të shqiptarëve nga puna, etj.
Salih Mekaj-ish kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, shprehet se kompania “Fructus” e Selim Shabanit: “kishte jo vetëm karakter ekonomik, por ishte një oponencë e fortë ndaj masave të dhunshme të pushtetit që kishin për qëllim lodhjen e popullatës edhe përmes varfërisë”.
Patriotit e biznesmenit të shquar Selim Shabanaj për veprimtarinë e tij kombëtare atdhetare e kulturore, Serbosllavija ja mbylli 550 shitoret për nji ditë dhe ja konfiskoi mbi 23 milionë marka mallë. Për këtë arsye ai u detyrua t’i mbyllin të gjitha shitoret e tij dhe të jetonte në Mërgim, ngase ishte i përndjekur politik nga rregjimi serb, nga ky rregjim i terrorit e genocidit ndaj shqiptarëve etnikë.
Biznesmeni filantrop, atdhetari Selim Shabanaj, pas Luftës në Kosovë (1999) për shkaqe politike të gabuara të autoriteteve në Kosovë nuk gjeti përkrahje për të vazhduar me bizneset e tija shumë të suksesshme. Edhe gjendja e tij shëndetësore e detyroi atë të pensionohet e të jetojnë në Prishtinë, ku deri në ditët e fundit të jetës së vet po merrej me përshkrimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të Kosovës gjatë viteve 1980-2000, të cilat presim të shohin dritën e botimit (aq sa ka dorëshkrimuar) në një të ardhme të afërt.
Dukagjin Karaveshi nga Kosova shkruante dje se “Selim Shabanaj ka qënë institucion”, duke shprehë një të vërtetë të madhe, një vlerësim të lartë.
2.
Selim Shabanaj meqenëse kishte miqësi të madhe dhe të sinqertë me autoritetet Kroate, mundësoi me shumë dashuri e atdhetari, me humanizëm plot sakrifica njerëzore, monetare, poltike, diplomatike, mediatiek, që Radio “Prishtina” të jepte lajmet direkt nga Zagrebi, lajme të pa çensurë dhe të sakta, ku i sponsorizoi 10 gazetarë, të cilët punuan për t’i përgatitë lajmet për Kosovën.
Asokohe, Radio “Prishtina” prej nga Zagrebi, ndigjohej gjithkund e gjithkahit nga shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Shqipëri e kudo tjetër arrinin valët e zëri i saj i të vërtetës, i shpresës, i shqiptarisë.
Selim Shabanaj ishte shumë i afërt me Dr. Ibrahim Rugovën, lidershipin e madh të Kosovës dardane, si dhe me gazetarin e botuesin e mirënjohur Agim Mala dhe me personalitete të tjera panshqiptare.
Selim Shabanaj u kyç herët në Levizjen gjithëpopullore shqiptare, që ma vonë kjo lëvizje edhe u shndrrua në parti politike, LDK, por ai nuk u antarësue në LDK dhe në as ndonji parti tjetër, por i financoi të gjitha lëvizjet, tubimet dhe aktivitete të organizura gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të kaluem për të gjitha partitë pa dallim.
3.
I nderuari e i shquari biznesmeni atdhetar Selim Shabanaj kontribuoi shumë edhe në armatimin e popullatës shqiptare për fitoret e lirisë e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës dardane.
Personaliteti i mirënjohur i lirisë, i pavarësisë e shtetësisë së Kosovës, i botës akademike, i fushës së letrave shqipe, i shoqërisë civile, i politikës e diplomacisë së Kosovës, Jahja Lluka, aktualisht dhe President i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, pashë dje, teksa shkruante në rrjete sociale, ndër të tjera:
“Sonte mora një lajm mortor për vdekjen e njërit nga biznismenët ma të fuqishëm në Kosovë dhe më erdhi rëndë se Selim Shabanaj nuk ishte vetëm biznismen, po edhe njëri nga donatorët për të varfërit, po edhe për pregaditjen e popullatës shqiptare për mbrojtje nga hordhitë çetnike, çka me këtë rast po i nxjerri nga ditari im i një vizite në Zagreb… Dua të them se ti, Selim Shabanaj, ke ba shumë për Kosovën, po Kosova jo sa duhet për Ty. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”
4.
Biznesmen e filantropi i shquar, veprimtar atdhetar i pandalur, kontributor i madh për zhvillimet kombëtare, ekonomike, politike, kulturore, mediatike, Z. Selim SHABANAJ nga Kosova dardane, ishte i Ftuar Nderi në “Kuvendin e Madh të Ulqinit”, i ftuar personalisht nga miku i tij që nga shkolla fillore, tani Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve” z. Ramiz Tafilaj në Teksas (SHBA), njiherit edhe Kryetar i Këshillit Organizator të “Kuvendit të Ulqinit”-Kuvend PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik.
Kontributi i biznesmenit, filantropit dhe atdhetarit të shquar Selim Shabanaj për Kombin tonë është tepër i madh, ndaj dhe prania e tij, si i Ftuar Nderi, i dha peshë dhe vlerë Kuvendit të Madh të Ulqinit të 29 prillit 2023.
Me propozim direkt të motivuar shpirtërisht e të arsyetuar gjithanshmërisht të personalitetit të shquar shqiptaro-amerikan, Ramiz Tafilaj, “Kuvendi i Madh i Ulqinit” dhe “Gazeta e Alpeve”-media PanShqiptare e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut dhe Mërgata Shqiptare në Botë) e vlerësoi dhe e nderoi me Çmimin e Madh “Dardania”, Z. Selim Shabanaj në Prishtinë, me këtë Motivacion: “Për kontributet e tij të shquara filantroprotike ndërvite, përgjatë shekullit të kaluar deri në pensionimin e tij, për veprimtaritë e tij në zhvillimet kombëtare, atdhetare, lobuese, ekonomike, politike, kulturore, mediatike në Kosovë e mërgatat shqiptare, duke dhënë për kombin e vet gjithçka mundi nga bizneset, dituria e puna e tij e jashtëzakonshme, edhe përkundër përndjekjeve politike e ekonomike nga rregjimi i Jugosllavisë”.
Shpalljen e Çmimit të Madh “Dardania” me motivacionin përkatës për atdhetarin e filantropin e shquar Ramiz Tafilaj e lexoi në sallën e Kuvendit, gazetarja e mirënjohur Hyrë Tejeci-Murati e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), me përvojë mbi dy dekadore në fushën e gazetarisë, e cila ishte e Ftuar Nderi në “Kuvendin e Madh të Ulqinit”.
Çmimin e Madh “Dardania” akorduar atdhetarit e filantropit të shquar Selim Shabanaj ia dorëzoi miku i tij i afërt e i ngushtë i viteve të rinisë së hershme dhe i kohërave të derisotme, Ramiz Tafilaj- Kryetar i Këshillit Organizator të “Kuvendit të Madh të Ulqinit” dhe Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”-media PanShqiptare e NdërBallkanike.
Atdhetari e filantropi i shquar Selim Shabanaj duke marrë Çmimin e Madh “Dardania” shprehu mirënjohjen e Tij për këtë vlerësim të lartë në Kuvendin e Madh të Ulqinit- Kuvend PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlkantik.
Ndarja nga jeta e atdhetarit e filantropit të shquar Selim Shabanaj është një dhimbje e madhe për Kosovën dardane, për krejt Shqiptarinë, ndaj dhe figura e këtij patrioti të madh e veprimtari të rrallë duhet të vlerësohet e nderohet nga shteti i Kosovës, nga institucionet e tij më të larta.
Ramiz LUSHAJ
Tiranë-Prishtinë, 4 gusht 2023
TRE HUMANISTË TË KOHËS SË SOTME
-Shenime në kohen e “Covid-19”-Nga Ramiz Lushaj/
1.- Harry Bajraktari- “Njeriu i salloneve diplomatike
Amerikane” për kombin shqiptar
1.
Të enjten e 9 prillit mbrrini në “Qytetin e Alpeve” ndihma humanitare me 25 tonë miell për 1 mijë familje ma në nevojë të Tropojës, dërgatë nga shqiptaro-amerikani i mirënjohur Harry Bajraktari- “Nderi i Kombit”, biznesmen humanist i shquar në Nju Jork, veprimtar i dëshmuar lartësisht i Çështjes Kombëtare Shqiptare. Kjo ishte ndihma ma e madhe në sasi, vlerë monetare e numër familjesh, e dërguar, e shpërndarë në Tropojë në kohën “Covid-19”.
Myftinia e Tropojës si kordinatore lokale, me komision mbikqyrës, sipas listave zyrtare të familjeve të rregjistruara në nevojë, i shpërndau ato me makina të porositura e përfaqësues të ngarkuar në të dy qytetet e shtatë njësi administrative të bashkisë veriore, ku më dijenojnë se të parat ndihma i paskan kanë nisë mirësisht në familje të besimit të krishterë si në Nikaj-Mertur, etj.
E gjithë ecuria e kësaj ndihme humanitare ka pasë përkujdesje dhe nga përfaqësuesi i z. Harry Bajraktari, nga av. Rasim Hasanaj, ish-kryetar i KSHK-teve, vllai i Azem Hajdarit- Heroit të Demokracisë.
Harry Bajraktari ndjehet e dëshmohet mjaft i lidhur me Malësinë e Gjakovës (Tropojën-Malësinë e Mirë): nga vet lidhjet genetike të origjinës së kahershme të tij nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”; një nga rrugët kryesore ma të bukura të qytetit Bajramcurri e mban emrin e tij; është i vlerësuar e shpallur “Qytetar Nderi” i Tropojës; si dhe ka dhënë kontribute të herë pas hershme, ndër vite, për Tropojën.
Harry Bajraktari është i pari shqiptaro-amerikan, që në këtë kohë të kësaj gjendjeje emergjence, fatkeqësie natyrore, dërgoi ndihma humanitare në Tropojë. Së shpejti, iu thashë, do të vijnë ndihma të ndryshme ushqimore dhe nga të tjerë shqiptarë në Amerikë, të cilët i kanë lidhjet e tyre me Tropojën e historisë, kulturës, turizmit, me këtë bashki kufitare me Kosovën e Malin e Zi. Ndaj me të drejtë fotoreporteri i “Gazeta e Alpeve” në Tropojë, Dedë Harusha, m’i thoshte në telefon vargjet e njohura noliane: “Mbahur nëno mos kie frikë/se ke djemtë në Amerikë”.
2.
Kjo ndihmë humanitare në kohë të vështirë pandemike ishte me randësi të shumëfishtë e të shumanshme: pasi i dergonte një personalitet i shquar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, “njeriu i salloneve diplomatike amerikane” në të cilat ai ka lobuar në dekada për Kombin Shqiptar; i Derës së Bajrakut të Vranocit të Pejës së Kosovës, i origjinës së kahershme prej Tropoje në Shqipëri; i cili duket se ka lindur për të qënë i tillë, i sprovuar e dëshmuar i tillë: atdhetar kombëtar i shquar, biznesmen humanist i përkushtuar, shqiptar i formatit të madh…
Ilir Meta- President i Shqipërisë, shkruan: “Falenderoj personalitetin e shquar të diasporës tonë, z. Harry Bajraktari, i cili në këto ditë sakrificash ndihmon një nga komunitetet më në nevojë si ai i Bashkisë Tropojë”. Yuri Kim- ambasadore e SHBA në Shqipëri lëshoi në Twiter një lajm informues e urim përgëzues:“…Faleminderit për bujarinë tënde!”.
Teuta Sahatqija, ambasadore e Misionit Diplomatik të Kosovës në Nju Jork, komenton: “Ju lumtë! Gjithmonë në krah të atyre që kanë nevojë për ndihmë!”. Dr. Islam Lauka, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë, shkruan: “Ashtu siҫnuk i harron kontributet e tij tё mёparshme, Malёsia e Gjakovёs nuk do ta harrojё as kёtё ndihmё qё i jepet nё kёto çaste tё vёshtira tё pandemisё nga biri i vet…”. Ambasador Flamur Gashi- këshilltar për Rajonin e Diasporën i dy Presidentëve të Shqipërisë, cilëson: “Këto ndihma të humanistit Harry Bajraktari…për bashkëvendasit në nevojë në këto ditë që po kalojmë, janë shprehja më e mirë e patriotizmit dhe atdhedashurisë”.
Elmi Berisha- Kryetar i Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë: “Mirënjohje e respekt për Harry Bajraktarin”. Besnik Dushaj- ish deputet e ish-kryetar i Bashkisë Tropojë, shprehet në një status të tij në FB: “Falenderim dhe mirënjohje për Z. Harry Bajraktari që tregon edhe një herë që gjendet pranë njerëzve të Malësisë së Gjakovës, duke treguar përmes veprave si këto që solidariteti dhe bamirësia janë akte që të lartësojnë. Në një periudhë të tillë kur njerëzimi po përballet me një armik të padukshëm, që po sjell vështirësi të pashëmbullta për shumë njerëz, ne kemi nevojë për vepra të tilla shpresëdhënëse”. Ismet Smajli, Sekretar i Përgjithshëm i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare: “Respekt për Bajraktarin e Vranocit! Ju lumtë z. Harry !”. Avni Krasniqi, atdhetar, humanist, biznesmen, në Kosovë: “Ju lumtë z. Harry, zemërbardhë e shpirtgjerë si gjithmonë!”. Halil Ahmeti, kryetar i Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër: “Respekt dhe mirënjohje zt. Harry Bajraktari për ndihmen e dhënë Malësisë së Gjakovës në këto kohë të vështira me Covid-19. Zoti ia shpërbleftë!”. Elisabeth Milicaj, në Amerikë, uron: “Zoti e bekoftë Harry Bajraktarin dhe Familjen e Tij!”. Shaqir Salihi, ish-gazetar i “Zëri i Amerikës”, vlerëson: “Gjest fisnik e vëllazëror! Shembull për të gjithë!”
2.- Ram Geci, “Njeriu i Autostradave”
1.
Në dy ditët e para të prillit, duke punue deri në 12 orë, u shpërndanë 300 pako ndihma të biznesmenit humanist Ram Geci në Tiranë, të planifikuara shpirtërisht e materialisht për të gjitha shtëpitë e vendlindjes së tij, Bytyçit. Rreth 250 pako u shpërndanë në të paren ditë në Pac, Veliq, Vlad, Çorraj, Zherkë, Kepenek, Zogaj e Prush dhe të nesërmen në Berishën e Brigjeve, në krejt Njësinë Administrative të Bytyçit. Disa sish, të tjerat, dhe për një numër familjesh ma në nevojë në Tropojë.
Pakot nuk ishin sa për t’u shënue si ndihmë, por për të dhanë ndihmë: secila prej pakove kishte një kuotë financiare 4 mijë lekë të reja, me artikuj të ndryshëm ushqimorë si miell, vaj, sheqer, oriz, makarona, etj. dhe me produkte të kujdesit shtëpiak.
Shpërndarja e tyre u krye zyrtarisht nga Bashkia e Tropojës, shoqërue nga zyrtarë të lartë të saj, nga policia bashkiake lokale, nga komisionet vendore të Bytyçit, pasqyrue me listat përkatëse, në një kohë rekord.
Komisioni kryesor, më thonë se, e çmoi që pakot të mbanin etiketën “Dhuratë nga Ram Geci”. Kjo, mesa duket e dëshmohet se ai nuk i çonte ato pako thjesht si ndihmë në këto ditë të vështira të fatkeqësisë natyrore. Mbi të gjitha, ato, ishin dhurata në nderim të dy prindërve të tij, Alia e Raza- zemërmirë e bujarë; ishin në vazhdimtari të traditës sojnike të fisit të njohur të Bytyçit; ishin një mirënjohje për dashurinë e pamatë të tij ndaj vendlindjes së vet dhe bekimet e vlerësimet e vendlindjes ndaj tij; ishin në emër të humanizmit genetik, njerëzor e fisnik të tij, bashkëshortes së tij, djemëve të tij, të biznesit të tij.
Kujtim Hajdarmataj, një nga djemtë e mirë të Tropojës, më zëthot’ në telefon e më fjalashkrue: “Si çdo herë tjetër, burri i mirë i Bytyçit…,miku im i çmuar, iu gjend afër bashkëvendasve të vet…Më bie telefoni prapë e më porositi që t’ua çojmë pakot në çdo familje që jeton në Bytyç e Berishë. Dhe ashtu vepruam… Të gjitha familjet na dhanë një urim të përbashkët: Faleminderit Ram Geci! Zoti të bekoftë e të lartësoftë, që nuk po e harron Bytyçin ku ke lindur e je rritur… T’u shtoftë Ndera, Burrnia e…Begatia në Familjen Tande!…Qofsh i nderuar gjithmonë, o Ram Geci!”
Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook, se biznesmeni Ram Geci është “shembull model suporti financiar dhe humanizmi…”. Avokat Agron Isa Gjedia, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare Bytyçi”, Tiranë-Prizren, i drejtohet faleminderues në Portali Limit.al e rrjete sociale, me urimin përfaqësues e nderues: “Ta shpërbleftë Zoti, o Ram Geci!”!
2.
Biznesmeni humanist Ram Geci ka një zemër të madhe e të gjerë, ka traditë bujarie, ka norma fisnikërie, ka atribute bamirësie. Ai është dëshmuar i tillë. Ai është me inteligjencë të lartë në biznes. Një punëtor i madh në biznes. Ai nuk ka aq shumë nevojë për fjalë të mëdha e të shumta, sepse i flet vet puna e tij: Tirana International Hotel në qendër të kryeqytetit, një nga ma të mirët në Rajonin Mesdhetar. Autostrada/autorrugë nga Jugu në Veri të Shqipërisë, të ndertuara prej tij si në “Udhen e Kombit”, drejt Shkodres, Unaza e Tiranës, etj. Përndryshe, është dhe “Njeriu i autostradave”. Flet formati i tij i madh si një ndër biznesmenët më elitarë në Rajonin Ballkanik Shqiptar.
Humanizmi i Ram Gecit i tejkalon kufijtë e vendlindjes, pavarësisht se aty i merr fuqitë si Anteu, i ban gjithato ndera për vendlindjen, për ekonominë e kulturën, për arsimin e shtypin, për letërsinë e artet, për turizmin, për mjekësinë, për njerëzit në nevojë. Ai ban ndera të tilla gjithandej në Tiranë e në gjithat vende të tjera të Shqipërisë, në Kosovë e në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës e në Diaspora Shqiptare në Botë.
Ram Geci ka gjithandej e gjithkund ka e merr vlerësime e nderim popullor për vlerat e larta të jetës e punës së tij me sakrifica të motivuara e arritje të merituara, me kontribute ekonomike, shoqërore, humanitare. Në këto ditë prilli 2020, me aq sa munda, i veçova disa mirënjohje popullore ndaj tij lidhur me kontributet me ndihma humanitare në Tropojë, Mat e gjetkë: “Një shqiptar atdhetar i madh. Na ban krenarë bujaria e tij” (Halil Farruku). “Njeri fjalëpak e punëshumë” (Vladimir Kalemi). “Krenar me Ty…”(Agim Januzi). Burrë zotni…”(Sebije Hajdini Sylaj). “Sojnik i Bytyçit…”(Zyra Ahmetaj).“S’ka gja ma të madhe se t’iu gjendesh njerëzve në këto ditë të zeza”(Gjerovica Haxhiaj Myrtja). “Ti shtoftë Zoti!” (Besa Ademi). “Të ketë jetë e shendet, bashkë me njerëzit e tij të zemrës. Përgëzime nga ana ime, edhe pse nuk e njof personalisht” (Andrea Avelina). ”Zoti ta shpërbleftë në jetë se shumë halle kanë sot njerëzit, po pak kush ua qan ato. Ju batë punë të madhe. Nderuat veten e ata prindër të mirë që ju rriten. Zoti qoftë me Ty e me fëmijët e Tu” (Shkurte Hysenaj). “Ram Geci është një shembull që duhet ndjekur…”(Kristaq Janushi)…
Një fakt i kësaj të vërtete: humanisti Ram Geci, me kompaninë e tij “Geci” Sh.p.k., i dha edhe 100 pako ndihmë për njerëzit ma në nevojë në territorin e bashkisë së Matit, që u shperndanë nga kjo bashki, me përkujdesje direkte të kryetarit të saj.
Në listnimet falënderuese që i paraqet kjo bashki, përgjatë kësaj fatkeqësie natyrore, deri në këto ditë prilli 2020, renditet i treti ndër të gjithë, sëbashku me Kadri Morinën e Kukësit, të EuroSig e INSIG-ut, të UBA Bank. Biznesmen humanist Ram Geci, me ndihmat e tij në Mat, vjen pas Fondacionit “Fundjava Ndryshe” i Tiranës dhe pas Fondacionit “Mirësia” i Kuvajtit.
Ram Geci, megjithëse nuk e ka drejtim të vetëm të veprimtarisë së tij bamirësinë, sikurse fondacionet bamirëse, ai në drejtim të humanitetit punon sikur të ishte një fondacion duke dhanë kontributet e tij të shumta e të vazhdueshme në të gjitha fushat e jetës shqiptare, në të gjithë Rajonin Ballkanik Shqiptar.
3.- Sabit Bytyçi, u rrit me “Vatren”, tani kryetar i Këshillit të saj
1.
Edhe kjo kohë pandemike, e fatkeqësisë natyrore “Covid-19”, i ka dëshmue dhe një herë tjetër atdhetarët e humanistët e vërtetë, si shqiptaro-amerikani i njohur Sabit Bytyçi në Nju Xhersi – kryetari i Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë, donator me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, në vendlindjen e tij.
Kjo është e dyta dërgesë humanitare e Shqiptarëve të Amerikës për Tropojën e tyre, pas asaj shembulldhënës të biznesmenit humanist Harry Bajraktari, personalitet i shquar shqiptaro-amerikan (me origjinë të hershme tropojane, nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”) me 25 tonë miell për 1 mijë familje.
Këto ndihma ma shumë se vlerën e tyre monetare e gjendjen përkrah në këtë fatkeqësi natyrore globale, sjellin e përcjellin dhe një mesazh të madh që vjen nga Amerika- mike e aleatja ma e madhe e shqiptarëve, që bijtë e saj në brezni genetike e të larguem me dekada e shekuj, në mbi 7 mijë km. largësi tokësore e oqeanike, në kontinent tjetër, mendojnë e ndihmojnë në kohë e raste të ndryshme vendlindjen e tyre e të të parëve të tyre.
2.
Shqiptaro-amerikani Sabit Bytyçi (Bitici), donatori i 16 prillit 2020, me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, është nga Veliqi i fisit e i krahinës së sojshme të Bytyçit, djali i tretë i një burri të fismë e zemërmadh- i të ndjerit Adullah Avdia, është një nga “Katër Vllaznit Bytyçi” në Amerikë, janë të shquar për atdhetari kombëtare e bujari shqiptare, të mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Rajonin Ballkanik Shqiptar. Dr. Ibrahim Rugova i cilësonte Vllaznit Bytyçi, si “miqtë e mirë të Kosovës” (1991), dr. Sali Berisha si “një krenari shqiptare…” (2017), Azem Hajdari thoshte shpesh “janë si shqiptarët e mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit”, etj.
Sabit Bytyçi është një shqiptar me tradita e vlera të larta njerëzore. Është një vatran i kahershëm dhe i gjithkohshëm, i rritur bashkë me “Vatren” për një gjysëm shekulli jetë, që për aktivitetin e kontributet e tij me devotshmëri vatrane e zgjodhen tani së vonit në detyrën e lartë të Kryetarit të Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra”.
Sabit Bytyçi, prej nga dekada ’80-’90 e shekullit të kaluar, njihet e çmohet si një ndër miqtë e mirë të Presidentëve Shqiptarë dr. Rugova e dr. Berisha dhe i personaliteteve të tjera shqiptare në Amerikë e në Rajonin Ballkanik Shqiptar.
Sabit Bytyçi, ndër vite e dekada, i ka miq të afërt disa senatorë e kongresmenë amerikanë, shumë zyrtarë të lartë të DASH, etj. tek të cilët, sëbashku me miqtë e tij shqiptaro-amerikanë, kanë lobuar mirë e shumë për Kosovën, për Shqipërinë, etj.
Familja e atdhetarit e biznesmenit humanist mbi 70 vjeçar, Sabit Bytyçi në Nju Xhersi të Amerikës, sëbashku me bashkëshorten e tij, Hatixhe Bytyçi, me dy djemtë Ilirin e Mentorin e vajzën Doruntina, kanë dhanë në vazhdimësi dituni, kohë e pasuni të tyne monetare e materiale për kombin shqiptar, për çështjen kombëtare shqiptare, për kulturën, letërsinë, artin e shtypin shqiptar, etj., shpesh herë dhe për vendlindjen, siç është dhe ky donacioni ma i fundit me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Bashkinë e Tropojës, në këtë fatkeqësi natyrore “Covid-19”.
***
Mirënjohje për këta tre humanistë të shquar që dërguan ndihma humanitare në vendlindjen e tyre dhe për të gjithë ata që po i gjenden pranë Tropojës, pranë Shqipërisë e Kosovës, pranë shqiptarëve trojenik në Mali i Zi, Maqedoni, në krejt Ballkanin, në këto kohë të vështira të kësaj pandemie të rëndë globale, kur kërkohet mbrojtja e jetëve njerëzore dhe sigurimi i ardhmërisë kombëtare e planetare.
Ramiz LUSHAJ
Dervish Ram Gjongecaj “Qytetar Nderi” i Tropojës
Partizani i Kosovës e pedagogu i Tiranës, Dervish Ram Gjongecaj “Qytetar Nderi” i Tropojës/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Njëqind vjet ma herët, më 1 korrik 1919, në një kullë alpine të lagjes Gjongecaj (sot qyteti i Bajramcurrit) lindi Dervish Ram Gjongecaj. Në këtë fshat qëndror (Kolgecaj), i konsideruar i tillë prej austriakëve që më 1917, e kreu arsimin fillor 5-vjeçar, ku spikati për intelektin e tij, me veçantitë e tij.
I edukuar për të qenë i lidhur fort me tokën, vendin, Shqipërinë Etnike; i pajisur me konstitucionin solid shpirtëror e moral të birit të Malësisë së Gjakovës – si armë, si gjendje mbijetese – në vitin 1943, në moshën 24 vjeç, Dervishi i Gjongecajve u përfshi aktiv në luftën nacional–çlirimtare dhe në vitin 1944, si partizan dallimtar i Brigadës XXV-Sulmuese, ku luftoi dhe në Kosovën dardane e deri në Sanxhak, Bosnje.
Pas lufte, në paqe, u vesh ushtarak, i ndoqi studimet në Shkollën e Oficerëve në Tiranë, po arsye të shëndetit fizik e detyruan të mos vazhdojë mëtejshëm edukimin ushtarak, ndaj kreu studimet e të mesmes në një gjimnaz të Tiranës. Kësokohe martohet me një vajzë nga Berati, Nimete Polovinën, ndërton familjen e tij, me katër çika e një djalë të vetëm.
Dervish Gjongecaj, për të mbajt familjen e vet, angazhohet në administratën lokale të Tiranës, po pasioni i tij i madh për dijen e kërkesat e larta për ardhmërinë e tij, për të qënë në vijën e parë të shoqërisë shqiptare, për t’u bërë model real e i prekshëm për fëmijët e tij, për kohën, përfshihet në studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Studimet e larta i mbaron pa humbur asnjë ditë nga koha ligjore, duke studjuar ditën, natën, ecur, punuar, pushuar, përtypur ushqimin… dhe kryer në mënyrë shembullore detyrimet e tij familjare, me një punë titanike.
Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, në vitin 1965 emërohet pedagog në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në katedrën e Ekonomisë Politike, një nga shkencat më të vështira në fushën ekonomike: të asaj kohe, të kësaj kohe dhe të kohëve që do të vijnë. Në këtë mënyrë, Dervishi bëhet pedagogu i parë nga Tropoja në Universitetin e Tiranës, që më vonë, sigurisht, pasohet edhe nga shumë pedagogë të tjerë, të shquar për inteligjencën e tyre.
Dervish Gjongecaj, gjatë kësaj kohe universitare e gjithë jetën e tij ishte një “ambasador” për studentët e Tropojës në Tiranë, ishte një pikë reference e modeli i Tropojës në Tiranë, ishte një nga figurat emblematike të Malësisë së Gjakovës (Tropojës).
Ndër miqtë e tij tropojanë kohanik të vet po i permendim disa prej tyre, si: Idriz Mulosmanaj; Tahir Malaj; Tahir Vukaj; Halil Margjeka, Can Doçi (Mala), Qazim Mani, Imer Alushi, Mehmet Bajrami, Azem Abazi, Maxhun Doçi e të tjerë, po dhe brezni të mavonshme si gazetari e pedagogu i ekonomisë Sadri Rrahmani, gazetari e shkrimtari Mehmet Elezi, doktori Sali Berisha, ing. Tahir Aliaj e dhjetra e qindra të tjerë.
Në kohë ligjore, në moshë 60 vjeçare, del në pension, duke qënë thellësisht i bindur se misioni i tij edukues e përkushtimi ndaj vendit, veçanërisht ndaj brengës më të madhe të jetës së tij, Kosovës, nuk ka përfunduar ende. Përkundrazi, ato shpërthyen aktivisht e lartnisht si kurrë më parë në jetën e tij. Askush që e njihte Dervish Ram Gjongecaj nuk mund të dallonte se ku mbaronte dashuria e tij për familjen dhe ku fillonte ajo për Kosovën, sepse ishte një dashuri e vetme, “një copësh”. Dervish Gjongecaj i Tropojës i mbylli sytë në 15 qershor të 1995, në moshë 76 vjeç, pas një beteje të dhimbshme me sëmundjen. Ishte i qetë, sepse kishte lënë një familje të përgatitur për të përballuar jetën. Por shpirtin e kishte të trazuar kur u nda nga kjo botë, plot ankth, nën peshën e një dhimbjeje që nuk pushoi kurrë së dhimburi: Kosova e burgosur nën pushtimin, aneksimin e barbarinë sllave, e cila e fitoi Lirinë 4 vjet ma vonë, më 1999 dhe Pavarësinë – 13 vjet ma vonë, më 2008.
Më 25 tetor 2018, në ditëdhënien ceremoniale nga Këshilli Bashkiak i Tropojës i titullit të lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës, në fjalët e tyre kryebashkiaku Besnik Dushaj e deputeti i Tropojës, Isuf Çelaj, ndër të tjera, theksuan se “që në fillim të Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, veterani i luftës e arsimit kombëtar shqiptar, qytetari dinjitar Dervish Ram Gjongecaj u paraqit publikisht në përkrahje të saj. Ajo që e mbushte me një krenari, të cilën nuk e kishte çfaqur kurrë aq hapur, ishte jo lëvizja demokratike në vetvete, por fakti që në krye të saj ishin tropojanët. Kjo ishte prova e pakundërshtueshme për të që ata, tropojanët, nuk ishin “malokë”, por kasnecët e vërtetë të qytetërimit tradicional shqiptar e euroatlantik! Por, kishte një shkak edhe më të thellë që i dha krahë për të përqafuar lëvizjen demokratike të ’90-tës: ideja se vetëm kështu do të bëhej e mundur që Kosova të fitonte Pavarësinë. Kjo ishte bash ëndrra e tij, forma sublime e jetës që e jetoi…”.
Në një bisedë telefonike, intelektuali tropojas në Tiranë, Lirim Mulosmani, më thotë për komshiun e tij ndër vite, për pedagogun Dervish Gjongecaj i Tiranës, se ai “ishte personalitet njerëzor e dijetar, me burrëri të lartë, sojni të çdokohshme, nuk i përseriste fjalët në bisedat e tij; nuk tërhiqte kurrë prej vetes…”.
Dervish Gjongecaj ka shumë kontribute e merita në jetën e tij, po një nga ma madhoret, nga ma të shquarat, është edukimi lartnor i pesë fëmijëve të tij, të gjithë me arsimim të lartë, e dy prej tyre me tituj e grada shkencore si Shpresa Gjongecaj, prof. dr., arkeologe mbi katër dekadore, ish drejtore e Intitutit të Arkeologjisë; pedagogu Besnik Gjongecaj- ish rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës e ish ministër i Arsimit të Lartë e Shkencës të Shqipërisë.
Shembullori në jetë, partizani i sakrificës, pedagogu i shquar, Dervish Gjongecaj, ishte njeri i mirë, model i përhershëm në shtëpi e shoqëri, kontributor ndër kohëra, që nuk i bani hije askujt dhe rrezatonte në gjithçka…Edhe tek emri Ynë Tropojan…! Edhe tek Vlerat e Tua – Shqipëri…!.
Tropojë. tetor 2018
80 VJET NË PRITJE…!
Protesta ne Qafe-Prush/…!
Nga Ramiz LUSHAJ/
Ishte viti 1938 atëherit kur italianët, për interesat e tyne, e ndërtuan “Rrugën e Kromit” nga Kami në Qafë Prushi e, përté, drejt Kosovës. Italianët e banë shumë mirë këtë auto-rrugë malore, me taban të fortë, shumë të fortë, aq sa specialistët e Tiranës, para disa vitesh, kur erdhën për studimin e saj për rikonstruksionim, thanë zyrtarisht se “urat qenkan më të mira se tonat”.
Sivjet bahen 80 vjet në pritje, në nji pritje tejet të gjatë për asfaltimin e saj…! Ndërkohë, shteti i ri i Kosovës e ka të asfaltueme ma së mirit rrugën e vet nga Gjakova deri në Qafë të Prushit. Po çka po bá Shqypnia Nanë që këtë rrugë brenda kufijve të vet e (para)sheh me “synin e njerkës”, e lenë në fatin e vet të keq, si të ishte rrugë e bombardueme nga Lufta I apo e II Botnore apo ngjashmërisht me ato rrugët në “provinca të ISSI-it” në Siri !
A thue moj Qeveria jonë e Tiranës zyrtare ende dhe në këtë Shekull të Ri po duhet me mbetë si në Kohën e Luftës së Ftohtë, të Perdes së Hekurt, me dy realitete të tilla infrastrukturore sikur të ishim ende “Dy Botë”(!) Sepse, Kosova, e ka (ri)asfaltue në standarde të mira Rrugën nga Gjakova në Qafë Prushi. Sepse, Shqipëria, rrugën nga Qafë Prushi në Kam e ka lanë si një “rrugë mesjetare”!
Gjithato fshatna nga Njësia Administrative e Bytyçit (Tropojës) e Njësia Administrative Golaj (Hasit) përgjatë kësaj Rruge Ndërkombëtare e Ndërkufitare kanë mbetun të izoluem keqas në/me komunikim rrugor normal (!). E kjo trevë ka mbetun sikur të ishite një “Oaz”. Po, po. Kjo zonë gjeo-administrative: me njerëz të fismë, e pasur me krom, mjaltë trumze, etj., ka mbetun si “Oaz”, sepse gjithkahit rrethatohet prej “Shkretëtirës” ndaj Saj. Prej “Shkretëtirës” edhe ANTI-SHTET (se Shteti Ynë duhet me mbrri edhe deri te kjo Rrugë, në këto Zona të këtyne dy Bashkive Shqiptare). Prej “Shkretëtirës” edhe ANTI-VERI (edhe kundër kësaj pjese gjeo-administrative të Veriut Shqiptar) !
Kjo rrugë prej Kamit në Qafë Prushi prejce nga koha e ndërtimit të saj ishte e mbetet nji RRUGË NDËRKOMBËTARE, edhe RRUGË NDËRKUFITARE. Si e tillë, në çdo shtet normal, në çdo komb atdhetar, duhej të merrte përparësi të madhe deri në prioritet absolut projekti real për asfaltimin e saj, çka nuk e ka bá astenji Qeveri në këtë një çerek shekulli të Demokracisë në Tranzicion, të Tranzicionit të tejzgjatur të kësaj Demokracie ende të vonuar!
Biles, kjo Rrugë malore nga Kami në Qafë Prushi duhet të mos jetë nji-kalimshe si deri më sot, po mund e duhet të bahet dhe dy kalimshme për të nesërmen e vet (me përjashtim të “urave italiane” të vogla të saj), në të cilën lëvizin shumë makina, pavarësisht se shpejtësinë e kanë disi të vogël, nja 30-40 km/orë.
E thanun botnisht, vërtetësisht, kjo Rrugë Ndërkombëtare e Ndërkufitare, me nji status të tillë, asht e vetmja rrugë e damtueme kësisoj dhe e pa asfaltueme astenjiherë, krahasimue dhe me te tana shtetet e BE-se e të NATO-s, biles dhe me ato shtete si Shqipëria që i përkasin botës euro-atlantike.
Ky rekord i çmendur, çmenduria e këtij rekordi, duhet me na ba jo vetëm bytyçasë e hasjanë, po kush i thotë vetes shqiptar i vërtetë për me u ankimue me peticione e me trokitë me delegacione nga Bytyçi e Hasi, nga Qarku i Kukësit, prej gjithkahit ka Shqiptari, si në përfaqësitë e BE-së e të NATO-s në Tiranë, po dhe dekteri drejtuesve të tyre superior në Bruksel e në Uashington.
Si mundet të rrijë në NATO e të hyjnë në BE një shtet si Shqipëria kur e ka në territorin e saj një rrugë të tillë Ndërkombëtare e Ndërkufitare të lanun e të mbetun në një gjendje të tillë si kjo Kam-Qafë Prushi?!!
Për këtë Rrugë Ndërkombëtare e Ndërkufitare Kam-Qafë Prushi po keq-duket se nuk ia ka ndie as të Djathtës dhe as të Majtës, as politikisht dhe as shpirtnisht. Kurrnjiherë. Kurrkush. Edhe kur e Djathta erdhi në Qeverisje me devizën elektorale: “Me Ne – fitojnë të Gjithë”, u keq pá se kjo Rruga Kam-Qafë Prushi nuk fitoi kurrgja! Asgja, prá ! Edhe të Majtës në qeverisje aktuale, duke ia perifrazuar devizen e saj elektorale në veprimtarim, duhet thanë realisht se kjo Rruga Kam-Qafë Prushi “nuk ashtShqipëria që duam”! Përkundrazi: mjerisht, asht Shqipnia që nuk e duam!
Tashti, me sa duket, ka mbetun për me thanë: Zoti e báftë ma mirë, se kësaj Rruge nga Kami në Qafë Prushi nuk po i del kurrkush Zot ! As Bashkia e Tropojës. As Bashkia e Hasit. As Prefektura e Qarku i Kukësit. As deputetët e djeshëm e të sotëm të Qarkut të Kukësit. Deri tashti: Askush.
Me të thanunat e tyne, me premtime prej tyre, kjo Rrugë Kam-Qafë Prushi do ishte krye kaherë, nji herë e mirë, përgjithmonë. Po fjalët iu kanë mbetë rrena. E rrenat janë të shumta e të mëdha. Të stërgjatuna janë. Edhe ma të mëdha se vet Rruga Kam-Qafë Prushi. Edhe se vet Rruga që të çon te Qeveria e Tiranës. Edhe te selia e PS-së dhe e PD-së në Tiranë (!)
E, së fundit, në Elektoriadën Parlamentare të Qershorit 2017, bash në Zogaj, bash te kjo Rruga Ndërkombëtare e Ndërkufitare Kam-Qafë Prushi, para banorëve të fismë të Bytyçit, Mimi Kodheli, deputete aktuale e Qarkut të Kukësit, fjala-tha, tekstualisht: “Në të gjitha takimet që kam bërë në fshatra të Qarkut të Kukësit këto ditë, nuk kam premtuar, por po ju premtoj se rruga do të asfaltohet nga Qeveria jonë brenda vitit 2018”. A thue edhe kjo asht Rrenë, një nga ato Rrenat e rradhës për këtë Rrugë të Veriut Shqiptar, të zhvillimit e komunikimit ndërshqiptar Shqipëri-Kosovë?! E, në koft Rrenë e Rrenave edhe kjo fjalëdhanie a ka me i ndryshue ndopak mimika deputetes tonë, Mimi, qëndrimi i saj ndaj fjalës së vet, ndaj zonës së vet elektorale?!
Shpesh herë në këtë çerek shekulli, kur ka pasë “zgjedhje të mëdha elektorale”, kur ka ardhë ndonji i madh si ministrja Kodheli e Mbrojtjes, (ka’i’herë edhe firma e banorë vendas) e kanë “rregullue e rrangullue këtë rrugë”(!) tue i hedhun diçka si çakull e gurnajë, edhe asish: ranore. Po ky asht kujdesi ma i vogël dhe, njëherash, “shashka elektorale” apo ndër “shakatë e shekullit shqiptar” (!)
Mue më vjen keq me thanë se asht dhe një nga “fyerjet ma të mëdha të shekujve shqiptarë” ndaj bytyçasve e hasjanëve të fismë, të sojshëm, të mirë.
Prandaj po më duhet me lëshue ofshamë pa të shamune: O rob të Zotit e të Shtetit, çka báni kështu, he ju marroftë Zoti e Populli…!
E çka po qitni kur të mundeni e si të mundeni guralecë e ranacoke përgjatë kësaj Rruge Ndërkombëtare e Ndërkufitare, ndërkohë që ju ia merrni kësaj treve veriore te tanë gurët e çmuar të nëntokës së tyne, gjitha kromet e saj, krejt “arin e saj”. për me i shitë përfitueshëm në miliona euro në tregje të Europës e të Azisë!
“Politika shkretëtirë” e Shtetit tonë Shqiptar ndaj saj, ndaj kësaj treve historike e ekonomike, si e thamë, e ka lanë si “Oaz”. E, tashti, Shteti po don dhe po e lenë për me u shkretanue kjo trevë, me u ba e shkretë…!
Ndërkohë, banorët e kësaj treve të Veriut Shqiptar, si e kanë thanë dhe të huajt, “ecin me kambë mbi flori”, po me çka po shohim në ditë të sodit, po e kanë të vështirë të lëvizin edhe me makina malore Rrugës së tyre Ndërkombëtare e Ndërkufitare!
E, përndryshe: kjo trevë në dy anët e Rrugës Ndërkombëtare e Ndërkufitare prej Kami në Qafë Prushi, në dy Njësitë Administrative Bytyç e Golaj (e përskej tyne, si Rrogam, etj.) thonë se i jep dy të tretat (2/3) e prodhimit të të gjithë kromit të Shqipërisë tonë në Zhvillim pa kthim. E kthyeme në vlerë monetare, thonë gojët e letrat e zyrave e të shtypit, se ky Shteti Ynë i fitoka 40 milionë euro nga tregtia e kromit të kësaj treve veriore krombajtëse.
Epo, ky Shteti Ynë, ky Shteti i Tiranës, në koftë se asht Shtet edhe i bashkive të Tropojës e Hasit, i Qarkut të Kukësit, i këtyne dy Njësive Administrative të Kromit Shqiptar, në koftë se asht Shtet Shqiptar e Euro-Atlantik, le ta japin veç gjysen, këtë gjysmen e 40 milionshit në Euro, për këtë Rrugë. Çka i bie të jenë nja 20 milionë Euro për me i asfaltue 20 kilometrat e Rrugës Ndërkombëtare e Ndërkufitare nga Kami në Qafë Prushi.
E çka po them une, o miq: po me 20 milionë Euro kjo rrugë do të bahej nga Rrugët ma të mira të Globit. Po Shteti Shqiptar, Qeveria e Tiranës, le të japin fonde sa më e bá këtë Rrugë Kam-Qafë Prushi nji rrugë të mirë, nga ma të mirat. Po, veç ama, mos e bani si Rrugën Kombëtare nga Kami në Qafë të Luzhës. Se, n’u báftë sakate e çaraveshane si kjo Rrugë, atëherit ma mirë mos me u bá hiç, me e lanë qysh ásht, aty ku ásht, me e lanë në fatkeqësinë e vet, me mbet’ si fatkeqësi edhe e jona, si nji fatkeqësi lokale, ndërkufitare e (ndër)kombëtare.
E, në mos e bafshi këtë Rrugë, o qeveritarë të Tiranës: Zoti ju marroftë! Amin!
Letra zyrtare të Qeverisë së Tiranës, instanca të saj, e kanë të shenjueme këtë Rrugë, si nji “rrugë e keqe…”, prandaj, tashti, asht Koha e Buxhetit të Ri të Shtetit, i pritshmi i 2019-tës, për me e bá ma të mirë, mos me e lanë qysh asht, në këtë gjendje të jashtëzakonshme. Asht koha për me ia dhanë fondet e duhuna, të meritueme e të vonueme, për asfaltimin e saj me standarte bashkëkohore. Pasi, dhe banorët përrreth e përgjatë saj janë Shqiptarë, se edhe kjo trevë veriore asht Shqipëri. Se Shqipërinë duhet ta bajmë Shqipëri edhe në/me histori, në/me kulturë, me nji zhvillim ekonomik gjithëhapësinor të saj, edhe me Rrugën Kam-Qafë Prushi.
NE DITEN E FESTES KOMBETARE TE AMERIKES
- 1
- 2
- 3
- …
- 29
- Next Page »