• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NDERI I KOMBIT” PER MUHAMET MALON

May 24, 2017 by dgreca

URDHRI “NDERI I KOMBIT” NJË DEKORATË E MERITUAR PËR NJERIUN E MIRË E TË SHQUAR MUHAMET MALO/
1 Muhamet Malo dekorimi
NGA RAMIZ LUSHAJ/ 1.Këto ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bujar Nishani,  e nderoi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) Njeriun e Mirë, atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo. Kjo dekoratë e lartë në hierarkinë e dekorimeve renditet e treta në Shqipëri, pas Urdhrit “Flamuri Kombëtar” dhe Urdhrit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në Presidencë u mbajt një ceremoni zyrtare solemne, me prani të bashkëshortes e fëmijëve dhe të afërmëve të Muhamet Malos, miqëve të tij, si dhe personalitete të politikës, botës akademike e diplomatike, të kulteve, të skenës e ekranit, të shoqërisë civile, etj.
Në fjalën e rastit dhe në motivacionin e dekoratës, Presidenti i Republikës e çmoi lartësisht emrin, jetën e veprën shumëdimensionale të dr. Muhamet Malos duke i vlerësuar veprimtaritë e tij të shumta e të vazhdueshme sipërmarrëse, kontributore e humanitare në sporte, në turizëm, në kulturë, arte e letërsi, në masmedia, në shëndetësi, në albanologji, tek njerëzit në nevoja jetike e shoqërore, për institucionet e kultit, jetimoret, azilet e pleqëve, për shoqërinë civile, etj.
Z. Enklajd Malo, biznesmen rinor e me të ardhme, duke e marrë këtë dekoratë meritore e të lartë,  shprehu falenderime për institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për këtë nderim e mirënjohje ndaj babait të tij të nderuar Muhamet Malo dhe premto për ecje dinjitare në rrugët e tij të traditës së mirë të biznesit, bamirësisë e atdhetarisë.
 
2.Dr. Muhamet Malo në kohën e tij të deri sivjetme vlerësohej si një ndër elitarët e biznesit panshqiptar, një nga punëdhënësit më të mëdhenj, me të ardhura të qëndrueshme e në rritje, por me një veçanësi të tij, pasi një pjesë të konsiderueshme të pasurisë të vet në këto dekadat e Tranzicionit të tejzgjatur shqiptar e ndante me humanizëm të pastër me të tjerët, e jepte atdhetarisht e shpirtërisht për sektorë e njerëz në nevojë, etj. Ishte filantrop shqiptar nga ma të shquarit ndër kohëra, përndryshe ma i veçanti për nga dimensionet e vlerave, hapësirat efektive, laryshia e fushave e sektorëve investues, shumat e fondeve, vazhdimësia e kontributeve të tij humanitare, etj. 
Ndaj, për shembëllim real, konkret, veçojmë një prej fushave të investimeve të tij edhe humanitare, sportin, ku Muhamet Malo ishte “Mjeshtër i Sportit”dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; kampion i Shqipërisë (1982-1990) në mundjen klasike (për peshën 82-90 kg); president i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-‘96 e 2013-’14), president i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (prej v. 2005), President Nderi i FSHM (2008-2013); një nga sponsorët ma të fuqishëm të veprimtarive lokale, kombëtare e ndërkombëtare të mundjes e të disa mundësve kampion; president i shoqatës private të boksit “Klajdi-Klub” Sh.p.k.., etj.
Në vijim të shembëllimit, për të vlerësuar ma shumë e ma mirë kontributin financiar të madh të njeriut të madh Muhamet Malo po marrim vetëm një vit, disi ma të largët, vitin 2002, kur sponsorizoi peshëngritësit e rinj në Kampionatin Europian në Francë; ekipin shqiptar të peshëngritjes në Kampionatin Botëror në Poloni (nëntor), Kampionatin Kombëtar të Bilardos (korrik), Federatën Kombëtare të Notit (nëntor), për zhvillimin e futbollit të femrave (nëntor); klubin sportiv “Studenti” në volejboll, për Spektaklin “Sportisti më i mirë”(janar), për Kupën “Nana Mbretëreshë Geraldina” në basketboll për femra (nëntor), për Spektaklin “Yjet e Sportit” (janar), etj.
Njejtësisht mund të flasim edhe për sipërmarrjet, kontributet e humanizmin e tij në kulturë, për arsimin (prej kohësh ishte dhe antar i Fondacionit Amerikan për Edukimin e të rinjëve – FEER), për botimet e librave në të gjitha fushat, për sponsorizimin e telenovelës së parë shqiptare “Njerëz dhe Fate”; për emisionin“Ethet e së premtes mbrëma” në të gjitha edicionet e tij, që solli prurje kulturore, talente të shquara të skenës e ekranit, që kushtoi qindra mijë dollarë; etj. etj.
           
3.
Muhamet Malo mbetet njeriu i bizneseve unikale në Shqipëri.
I pari e hapi një kompani të basteve “Top-Star”, e njohur ndryshe edhe “Euro-Lloto”, që kryen aktivitet edhe jashtë vendit.
I pari ngriti një televizion privat për sportin,“TeleSport”, me ekip profesionistësh të shquar, me drejtor aktual ish gazetarin e njohur të BBC në Londër,  Ilir Kadia. Tek ky televizion, shqiptarët për herë të parë ndiqnin “live” veprimtari sportive ndërkombëtare të futbollit, tenisit, çiklizmit, volejbollit, etj.  Gjithashtu, ishte ndër të parët botues të gazetave sportive në Shqipëri.
I vetmi që ka investuar miliona dollarë amerikanë për të ndërtuar të parin teleferik në Shqipëri, “teleferikun e Dajtit” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe bar-restorantin “Ballkoni i Dajtit”, që kanë ndihmuar fuqishëm turizmin në Parkun Kombëtar të Dajtit, etj.
I pari që investoi si aksioner në të paren bankë private me kapital tërësisht shqiptar.  Ishte ndër aksionerët  e “Hotel Tirana International”, përndryshe i thirrun “15 katëshi”, një nga hotelet ma të mëdha në historinë e ndërtimtarisë e turizmit shqiptar, që sot ka pronar të vetëm biznesmenin Ram Geci, një nga miqtë biznesmenë të Muhamet Malos.
 
            4.
            Urdhri “Nderi i Kombit” nuk është i pari dhe as i vetmi për dr, Muhamet Malon, pasi ai mban gjithato dekorata, tituj, çmime, çertifikata.
Presidenti Amerikan Barack Obama e ka nderuar me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” (vjet, 2016) me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpërmjet shërbimit vullnetar…”.
Dr. Muhamet Malo është vlerësuar edhe me Medalje Presidenciale “Për Merita të Vecanta Civile”, si dhe nga organizata e organizma ndërkombëtare është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes”; “Lidershipi më i mirë në biznez”, etj.
Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike) e nderoi në 60 vjetorin e lindjes me Çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes), një çmim me të cilin janë vlerësuar edhe Presidenti Amerikan Bill Klinton, Kryeministri Britanik Tony Blair, Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova e të tjera personalitete të larta. Dr. Muhamet Malo edhe tani është e mbetet në vazhdimësi President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS).
Dr. Muhamet Malo  është vlerësuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare, etj. Ai, në jetën e pasjetën e tij, ka marrë gjithato medalje e çertifikata, ku po i cekim disa prej tyre, si: “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Mirënjohje nga Federata Evropiane e Peshëngritjes; Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër; Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë, Mirënjohje nga Shoqata e Jetimëve, Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, etj.
 Dr. Muhamet Malos i shkojnë për shtat të gjitha vlerësimet lartnore ndaj figurës e veprimtarive të tij si “Njeri i Mirë”, “Burrë i lartë”, “Misionar i shquar”, “Filantropist”, “Biznesmen i madh, atdhetar e humanist i madh”, etj. si dhe ato ma të fundit kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë e cilësoi “një hero modern…” dhe e vlerësoi me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Muhamet Malo, Nderi i Kombit, Ramiz Lushaj

ATDHETARI E HUMANISTI I SHQUAR, DR. MUHAMET MALO, NDEROHET ME ÇMIMIN “KONICA”

May 21, 2017 by dgreca

NGA RAMIZ    LUSHAJ/
1 Muhamet Malo
 1.Këto ditë, në “Dajti Tower Belvedere Hotel” në Parkun Kombëtar të Dajtit në Tiranë, Qendra Shqiptare e Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) e nderoi atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo, me Çmimin e madh “Konica”, në 60 vjetorin e lindjes së tij, në prani të të pranishmëve edhe nga bota diplomatike, akademike, e biznesit, kulti fetar i bektashinjëve, shoqëria civile, letrat shqipe.
 Ky Çmim është i madh, me vlera të veçanta, përfaqësues e nderues, sepse Faik Konica (1875-1942) i derës së hershme të bejlerëve të Konicës, i shkolluar në vendlindje e në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe Liceun Perandorak Francez në Stamboll, me studime të larta për gjuhësi romane e filozofi në Dizhon e Paris të Francës e me gradën “Master” në letërsi me medalje ari në Universitetin e Harvardit në SHBA (1912); poligiot (fliste anglisht, frengjisht, greqisht, turqisht, arabisht, etj.), ishte Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Washington (1914) dhe ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Washington, 1926-1939); Sekretar i Përgjithshëm (1912) e Kryetar (1921) i Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë; një ndër përfaqësuesit e Shqiptarëve të Amerikës në Koferencën e Ambasadorëve në Londër (1913); kryetar i Kongresit Shqiptar në Triste (1913); ndërmori disa udhëtime diplomatike e politike për çështjen kombëtare shqiptare në Amerikë, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Austri, Belgjikë, Francë, Zvicër, Itali e gjetkë; botoi revistën “Albania” në shqip e frengjisht e pjesërisht në turqisht (Bruksel-1897, Londër 1903-‘09) dhe i gazetës “Dielli” e “Trumbeta e Krujës” në Amerikë; pianist i shkëlqyer, shkrimtar gjenial (autor i disa librave brilant), krijuesi i prozës moderne shqipe, publicist, përkthyes, etj.
 
Ky Çmimi i madh “Konica” iu është dhënë ndër vite personaliteteve të larta shqiptare e botërore si presidentit amerikan Bill Klinton, kryeministrit britanik Tony Blair, presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova e të tjerë, ndër të cilët hyn dhe Njeriu i Mirë, shqiptari i shquar, bamirësi i madh, i mirënjohuri e i paharruari, dr. Muhamet Malo.
 
 2.Motivacioni i dekoratës, i Çmimit (ndër)kombëtar “Konica”, i stilizuar në studio grafike e i kornizuar në galeri arti, duket paksa i gjatë nga teksti i shkruar, por është tërësisht i saktë nga realiteti përshkrues e përgjithësues, pasi na e paraqet të plotë e meritor Presidentin e Nderit të Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, atdhetarin e humanistin e shquar, dr. Muhamet Malo.
 
Aty thuhet tekstualisht, mirësisht e lartësisht: “Për kontribute, arritje e imazhin e tij të lartë në promovimin e forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane-britanike në fushën e arsimit, kulturës, historisë, masmediave e letërsisë; për rolin e tij si President Nderi dhe Senator i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike; për arritjet vetjake gjatë jetës së tij; për veprimtaritë e tij të shumta atdhetare dhe humanitare si Njeri i Mirë, biznesmen i suksesshëm, shqiptar i shquar, misionar i kohës, duke kontribuar në sporte, art e kulturë, turizëm, botime, për institucionet e kultit, tek njerëzit në nevoja jetike e shoqërore, me ngritjen e Telesport e Teleferikun e Dajtit, etj., duke dhënë gjithçka mundi, arriti e diti në jetën e vet, duke e lënë emrin e modelin e tij të mirë”.
 
Çmimi i madh “Konica” shoqërohej edhe me një portret medaljor të Konicës së madh, i realizuar në Argjendari “Pirro” në Tiranë, i përshtatur me vendmbajtje në një kuti ceremoniali për këso rastesh nderuese.
 
Çmimin e madh “Konica” (pas vdekjes) për personalitetin shqiptar lartnor shumëdimensional dr. Muhamet Malo, e ndau ambasador Islam Lauka, doktor i shkencave politike, President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), autor  i disa monografive në shqip e gjuhë të huaja (anglisht, rusisht, arabisht, persisht, serbisht) me interes e vlerësime ndërkombëtare.
 
Z. Enklajd Malo duke e marrë këtë dekoratë, Çmimin e madh “Konica”, shprehu falenderime për këtë nderim e mirënjohje ndaj babait të tij të nderuar Muhamet Malo dhe premtoi se do të ecin në rrugët e tij të traditës së mirë të biznesit, bamirësisë e atdhetarisë.
 
3.Dr. Islam Lauka, president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), ish-ambasador i parë i Shqipërisë në Kosovë, ish-drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në fjalën e tij përcjellëse foli për jetën e veprimtaritë e atdhetarit e humanistit të shquar dr. Muhamet Malo, duke e cilësuar si një personalitetet i veçantë i kohës shqiptare, ambasador i paqes, një burrë i lartë e i rrallë në bamirësitë e tij të shumta e të mëdha, të vazhdueshme, misionar me zemër të madhe, kontributor i madh në sporte e kulturë, në institucionet e kultit, në turizëm, letërsi e arte, shëndetësi, etj.
 
Ambasador Islam Lauka, ndër të tjera, theksoi se dr. Muhamet Malo ka qënë prej vitit 2002 President Nderi i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) dhe kemi marrë vendim se do të jetë edhe në vitet e ardhshme, edhe pas vdekjes së tij, pasi miku ynë i çmuar i bën nder Qëndres e kohës tonë me emrin, veprimtaritë e trashëgiminë e tij. Dr. Lauka pohoi se Muhamet Malo  ishte dhe mbeti një institucion i bamirësisë njerëzore, qytetare e atdhetare; një kult, simbol, ikonë e Njeriut të Mirë, humanistit të madh, biznesmenit të shquar, të cilit i ndrittë jeta edhe pasjeta, fjala edhe vepra, është Nderi i Kombit tonë.
            4.Dr. Muhamet Malo, vitin e kaluar (2016), u nderua nga Presidenti Amerikan Barack Obama me “Çmimin e Presidentit për Arritjet e Jetës” me motivacionin: “Për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në ndërtimin e një kombi më të fortë nëpermjet shërbimit vullnetar…”. Ky, një vlerësim i madh për një njeri të rrallë si filantropisti Muhamet Malo e në një vend të vogël në planetin tokësor  si Shqipëria.
 Kohë ma herët, Muhamet Malo, u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa” nga OKB në vitin 2004, me Çmim për Paqe, Prosperitet dhe Sporte. Njëherash, Misioni i OKB në Shqipëri e ka vlerësuar me çertifikimin nderues “Lidershipi më i mirë në biznes”. Misioni Diplomatik për Shqipërinë i ka akorduar titullin “Ambasador i Paqes”.  Iu ka dhënë nga Presidenti i Shqipërisë Medalja “Për Merita të Veçanta Civile” dhe e meriton ta ketë edhe titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai është vlerësuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës, me Çmimin “Konstandini i Madh” nga Akademia Mshqiptare, etj. Ai ka marrë edhe disa medalje si Medalja “Përfaqësues dinjitoz i biznesit shqiptar për kontributin e shquar në ndihmë të njerëzve në nevojë”; Medalja “Mirënjohje për ndjeshmëri të thellë ndaj personave të verbër”; Medalja “Mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë”, etj.
            Atdhetari Muhamet Malo është i origjinës nga një familje atdhetare nga Skorovoti  i Kolonjës, kurse nana e tij vjen nga Aliçkajt, të origjinës atdhetare nga Frashëri në Përmet. Ai e ka ngritur në Tiranë me mjaft sakrifica “perandorinë” e tij të biznesit të suksesshëm, si: Teleferiku ‘Dajti Ekspres” me kullën “Dajti Tower Belvedere Hotel” dhe restorantin “Ballkoni i Dajtit”; kompanitë “Euro-Lloto”, Televizionin e vetëm sportiv “TeleSport”, etj.
            Humanisti i shquar Muhamet Malo ka financuar veprimtari të karakterit kombëtar e kulturor. I veçojmë vetëm disa prej tyre, si: Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut; emisionet televizive “Ethet e së premtes mbrëma…”në të gjitha edicionet;  filmin e Hollivudit për periudhën e Tranzicionit Shqiptar; telenovelën e parë shqiptare “Njerëz dhe fate”; ekipin kombëtar të peshëngritjes në kampionatin botëror të Polonisë; spektaklet “Miss Shqipëria”; albumet për Tiranën e Bylisin; shtatoren e Sali Butkës; dokumentarin “Shqipëria në vite”, spektaklin “Yjet e Sportit”; filmin dokumentar për dr. Jani Bashon; ansamblet “Dardania” dhe “Jehona shqiptare”;   botimet me vlera si “Pavarësia”, “Kosova e lirë”, “Gjuha shqipe-gjuhë kozmike”, “Prapaskenat e Konferencës së Londrës”, “Shqiptarët dhe grekët”, “Kush e vrau Amerikën”, “Ikja e madhe”, “Ditarët”, “Përmeti dhe Pavarësia”, “Rrëmbimi i Europës”, “Arkeologjia shqiptare”, “Dodona”, “Portrete njerëzorë”, etj;  për vënien në skenë të dramës “Ali Pashë Tepelena”; albumet e grupit “West Side Family”, të artistit Gëzim Kruja, të këngtares Ema Qazimi, etj.;
            Muhamet Malo filloi sportist i klubit “Studenti” e tek “Partizani” dhe arriti të jetë Kampion Kombëtar në Mundje Klasike (1982-1990),  të marrin titujt: “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit”; arriti të jetë President i Federatës Shqiptare të Mundjes (1992-1996); President i Shoqatës Kombëtare të Mundjes (prej vitit 2005); President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes (prej vitit 2008), etj. Ai ka dhënë kontribute të mëdha për sportin shqiptar ndër vite, duke shpërblyer në mundje Elis Gurin, në shtangë Arkand Qerimin dhe Ilir Sulin, etj. “Medaljen e Meritës” për 25 sportistët më të mirë e shoqëroi me afërsisht nga 1.000 Euro për secilin prej tyre. E sponsorizoi ardhjen nga SHBA në  Atdhe të trupit të Aleksandër Kongos, i arratisur nga Shqipëria më  1987 dhe i vrarë në atje nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Ai ka sponsorizuar veprimtari sportive si të peshëngritësve të rinj në Kampionatin Europian në Francë, për një kampionat kombëtar të bilardos, për zhvillimin e futbollit të femrave, për Federatën Kombëtare të Notit, për volejbollin femra të “Studentit”, etj. etj.
            Humanisti Muhamet  Malo, edhe  pa qënë monarkist apo legalist,  i ka përballuar të gjitha shpenzimet e rikthimit të Familjes Mbretërore në Shqipëri, të dërgimit me çartër të Nanës Mbretëreshë Geraldina e Shqiptarëve për mjekim në Francë, etj. Ai ka ndihmuar edhe Arian Bakirin, Kastriot Fejzon, Viktor Babameton, Sotiraq Kulen për operim në Itali, Rexhep Çelikun për një ndërhyrje në mëlçi, e shumë të tjerë.  
            Dr. Muhamet Malo ka financuar me dhjetra e dhjetra shkrimtarë, këngtarë, aktorë, poetë, kineastë, gazetarë, regjisor, botues, sportistë,  studentë në projektet e tyre për librat, filmat, koncertet, etj.
 Njeriu i Mirë Muhamet Malo ka ndihmuar institucionet e kultit, veçanërisht për ngritjen e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.
 Në letrën përcjellëse të Shtëpisë së Bardhë për humanistin Muhamet Malo, me fjalë e firmë të Presidentit Obama, jepen mirënjohje dhe mesazhe aktuale: “Përgëzime për marrjen e çmimit të Presidentit për shërbime vullnetare. Gjithashtu ju falenderojmë për ndihmesën e dhënë në adresë të komunitetit tuaj për nevojat më të ngutshme…Në adresën time përuruese, deklaroj se ne kemi nevojë për një periudhë të re të përgjegjësisë, …se ne kemi detyrën për veten tonë, kombin tonë dhe për botën”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Cmimi KONICA, Dr. Muhamet Malo, Ramiz Lushaj

NË TË DYZETËN DITË TEK “ÇADRA E LIRISË”….

March 30, 2017 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Dje, në të dyzetën ditë, isha tek e cilësuara nga politika e në masmedia si “Çadra e Lirisë” e Opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. 
Une, në simbolikë, me të gjitha shqisat e mia po laboratoroja nëse ky institucion tempullor i Demokracisë së sotme Shqiptare  do të ketë të “Dyzeta”. Nëse une do të vij këtu pas 40 ditësh, për të “40-tat” e saj. Aty pashë se “Çadra e Lirisë” ende nuk kishte vdekur. Ajo ende jetonte aty. Po, po. Ajo ende jetonte tek ne, mes nesh. Për një jetë, për një kohë ma ndryshe, për një “Republikë të Re”. 
Aty shqisoja dhe një tjetër rrezik, të vjetër e të ri: “Çadrën e Lirisë” mund ta vdisnin. Po, po. Mund “ta vdisnin”…! E kush? Të dy palët: të Tjerët (Rreziku), por edhe të Vetët (të Rrezikshmit). Ata, të parët (Rreziku) në dy godinat përballë në të majtë e në të djathtë – në të djathtë e në të majtë, në godinën e “Komitetit Qendror të vjetër” të Enverit dhe në godinën e “Komitetit Qendror të ri” të Edit. Ata, të dytët (të Rrezikshmit) të djathtët e majtë dhe të majtët e djathtë, ata miqtë-armiq e armiqtë-miq, që kur PD duan të hapet duan t’ia mbyllin Çadrën dhe kur Opozita bashkohët kështu, kësisoj, duan t’ia “thyejnë” ndonjë tel të Çadrës apo ta grisin Çadrën sa vrima e një plumbi “më fal”(!) apo sa vrima e një grushti “të fala”(!). 
Bash tek Çadra e Lirisë” dyzet ditëshe, m’u kujtue diçka nga vitet e rinisë time të hershme. Njeriu që e shpiki për herë të parë çadrën e sodit, ai që doli për herë të parë në rrugët e një qyteti të madh europian me këtë çadër në dorë, e qëlluan me gurë. Me shumë gurë. E banë me plagë. Me shumë plagë. E keq quajtën “djallë”. Po, po. Thanë se ai ishte vet “djalli”…(!)
 E, atë ditë e sot, i thinjun nga flokët e kohërat, unë – mbajtësi i Çadrës vetjake e publike, mendoj në pafundësi: Pse e trajtuan kështu, kësisoj, njeriun e shpikësit e mbajtësit të çadrës së parë në shek. XVIII, para 4 shekujsh?! Qysh, ai “djalli” i dikurshëm me çadër në dorë para 4 shekujsh është sot, tashti, edhe për mue, “ëngjëll” i çadrës time që e mbaj në dorë në shek. XXI?! Përndryshe: qysh kemi me i quajt, sot në të 40-tën ditë, në 40 ditët e ardhshme, në 40 vjetor, në 400 vjetor, këta “djajtë” tanë majtas e djathtas – në të djathtë e në të majtë, që e gjuajnë me gurë “Çadrën e Lirisë”…?! E, une, prej sodit e deri në fund të jetës time, kam me mendue e folnue: “Qysh, djajtë e vjetër e të rinj, e gjuajnë me kaq shumë gurë nga afër e larg “Çadrën e Lirisë” të Dhjetorit ’90 e të 18 shkurtit 2017?! E, une, sot, në të 40-tën ditë të “Çadrës së Lirisë” po i lutem Zotit e Demokracisë, Opozitës Politike e Shpirtit Opozitar Shqiptar që të mos shkoj(më) aty “për të Dyzetat e Saj”, pasi shkrehja e Saj është shkrehje e Ëndrrave e Shpresave, pasi “vdekja e Saj” është vdekje e qelizave për Liri e Demokraci, për Ardhmëri, pasi ajo është kthye në një “Kauzë”, në një “Universitet”, një një “Univers” për një “Republikë të Re’, për një Shqipëri Ndryshe.
 
Çadra e Lirisë, Tiranë, 29 mars 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramiz Lushaj, TEK “ÇADRA E LIRISË”

NGJARJET E VITIT ’97, ISMAIL QEMALI, SALI BERISHA DHE…TË TJERËT

March 27, 2017 by dgreca

1 ISMAILNga Ramiz LUSHAJ/2 Ismail1
 “Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” në Vlorë e mori këtë status më 1962, në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë. Ma herët, në vitin 1936 deri në fillime të Luftës së Dytë Botërore, ishte “Muze Historik Kombëtar”, i pari muze historik në Shqipëri, pasi në këtë godinë dykatëshe të shek. XIX, u festua përvjetori i parë i Pavarësisë në nëntor 1913 dhe ishte për disa muaj selia e parë e të parës Qeveri Shqiptare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Në vitin 1963, për vet vlerat e mëdha historike kombëtare u shpall edhe “Monument Kulture”.
Përplot njëzet vite ma herët, ngjarjet e marsit 1997 në Vlorë e përfshinë në vorbullen e tyre, në cunamin e tyre edhe këtë objekt historik e kulturor të një randësie tejet të veçantë. U sulmua nga banda të rebelimit të armatosur (jo)politik. U cënue keqas shenjtëria e këtij institucioni të rrallë kombëtar dhe shenjtëria e objekteve të saj. Nuk e mbrojtën dot as misioni i saj kombëtar, as piedestali historik, as ombrella e statusit të saj të dyfishtë. Ishte një akt antikombëtar, që vështirë të përngjasë edhe në vendet ma të pa zhvilluara të botës së sotme globale.
Banditë të armatosur hynë brenda Muzeut Kombëtar të Pavarësisë me një revansh antishqiptar. Çartanisht. Pabesisht. Paturpësisht. Antikombëtarisht. 
E sulmuan edhe Ismail Qemal Bej Vlorën, “Baba i Pavarësisë”, themeluesi i Shtetit të ri Shqiptar, kryetari i Shtetit dhe kryeministri i parë i pas Shpalljes së Pavarësisë të 1912-tës. Aktet e tyre i tregojnë këto dy foto: 
E para, e paraqet burrshtetasin Ismail Qemali me kokën e mbështetur tek valvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Banditët e kanë goditur me tre plumba në të djathtë të fytyrës së tij të bukur, tek balli dhe afër syrit të tij. Ata e goditën me 7 plumba edhe Flamurin Kuqezi. 
Foto e dytë e paraqet portretin e Plakut të Vlorës e të Pavarësisë tek Shqiponja dykrenare. Banditët ia kanë çarë gjoksin dhe kokën me bajonetë të armëve të tyre kriminale, mafioze. 
Banditët rrëmbyen në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë edhe disa objekte të rralla me vlerë kombëtare të veçantë. Një prej tyre ishte edhe Aparati Mors, me të cilin iu dha lajmi Botës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë në 28 nëntorin e 1912-tës nga Vlora e Ismail Qemalit, që dhanë lajmin se Shqipëria “bahet në vehte, e lirë, e mosvarme”.
Dy vlonjatë atdhetarë të njohur, nga dyer të shquara vlonjate, flokëthinjur nga vitet, e gjetën aparatin Mors të hedhur në një kanal aty pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ishte krejt i përbaltun. E morën në duar, e pastruan me gjithë shpirt’ e plot dritë. Ia rikthyen Muzeut. Dveta para disa ditësh. Më thanë se ishte aty. Mirëpo, çështja shtrohet ndryshe: obkete të tilla tepër të rralla shtete të botës së sotme i ruajnë nën masa të jashtëzakonshme sigurie nga akte të tilla, nga kriminelët e çdo kohe, edhe nga rebelime të tilla “shqiptarçe”!
Pra, kështu, kësisoj, ngjarjet e vitit të mbrapshtë ’97, rebelimi i armatosur i Vlorës, nuk ishte thjesht ndaj Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, prof. dr. Sali Berishës, po ishte dhe kundër themeluesit të Shtetit të ri Shqiptar, kundër Ismail Qemal bej Vlorës të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Ishte një goditje ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Ishte një veprimtari që shkoi deri në akte e veprimtari antikombëtare, që dëmtoi imazhin e Shqipërisë, që ngadalësoi zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Në marsin e çdo viti dhe të çdo dite në kalendarin e kohës shqiptare zbardhen dëshmi për politikat antikombëtare të fqinjve e aleatëve të tyre, klane të politikës shqiptare e aleatëve të tyre në “Kryeqytetin e Rebelimit” në Vlorë: Tre gishtat e simbolit serb të ngritur në Vlorë, në Rebelimin e ’97-tës – që akademik Rexhep Qosja i Kosovës e “Qytetar Nderi” i Vlorës, e keqcilëson “Revolucion i vonuar”(!) apo ndokund tjetër fjalathuhet se filantropi klanor Xhorxh Soros e mbështeste këtë Rebelim të Vlorës. Agjensia Italiane e Lajmeve (ANSA) komentonte më 2 mars 1997: “I gjithë skenari po shfaqet si një strategji politiko-ushtarake dhe jo si një manifestim spontan popullor”. Disa ditë ma vonë, më 13 mars 1997, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) deklaronte: “Trazirat në Shqipëri ishin një grusht shteti i ushtarakëve”. Shkrimtari shqiptar, kandidat i Nobelit, Ismail Kadare, nga Parisi i Francës, në një intervistë në “Zëri i Amerikës” më 13 mars 1997, deklaronte: “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në Luftën Civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-1944”.  Kryetari i SHIK-ut e, njëherash, Kryetari i Operacionit për Rivendosjen e Rendit, Bashkim Gazidede, më 26 mars 1997, fliste botnisht për një plan “Lotos” të Qeverisë Greke, që kishte objektiv themeltar e primar “çlirimin e Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar me anë të një rebelimi të armatosur” dhe akuzonte me emër e mbiemër individë e qarqe greke në Greqi e në SHBA, lobuesin pro-helen Nicholas Gage. Edhe TV Grek “MEGA”, qyshce më 5 mars ’97, pohonte: “Sot, grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë Flamurin e Vorio-Epirit. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës së Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena, duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”. Një Fondacion Amerikan për Europën Lindore i drejtonte një letër Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ku – ndër të tjera, argumentonte më 10 mars ’97, se: “Është naivitet i madh të mos e kuptosh se Komiteti i Vlorës dhe udhëheqësit e tij janë të frymëzuar nga mafia e tipit komunist dhe të KGB-së”. Fakte e komente të tilla ka plot. E vërteta prêt të zbardhet përfundimisht e përjetësisht.
Ngjarjet e vitit ’97 nuk janë drejtue kundër emrave të përveçëm, as ndaj Ismail Qemal Bej Vlorës dhe as ndaj Sali Berishës, por kundër një emri të përgjithshëm kombëtar, kundër Shqipërisë etnike e euro-atlantike.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismail Qemali, Ramiz Lushaj, Sali berisha, Viti 97

“DIELLI” ME 108 FAQE NË HOTELIN E VALBONËS

February 16, 2017 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
 
“DIELLI” ME 108 FAQE NË HOTELIN E VALBONËS/
1 Dielli 1
Gazeta “Dielli” me 108 faqe në hotelin e Mirashit,
Nga Amerika e Uashingtonit, Uillsonit…Bushit, Klintonit…
Në mes Alpeve Shqiptare. Në Valbonë.
108 vjet, nga shkurti në shkurt, gazeta e Konicës, e Nolit…
Me miliona rreze, emra, fakte, germa…
Rinore. Tribunale. Dorë më dorë, ende po udhëton…
108 vjet rrugë e gjatë.
Numrit ma të fundit, malësorë e turistë,
Në hotelin e Mirashit, nga tavolina në tavolinë,
Përditë me dhjetra duar e sy ia hapin 108 faqet.
Ende “Dielli” po rrezaton në Valbonë.
Mëngjezon mbi Alpet.
Valbonë, 15 shkurt 2017

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, ME 108 FAQE, NË HOTELIN E VALBONËS, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT