• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fol Hapur- Kosovë-Serbi, dialogu për njohje reciproke

April 12, 2018 by dgreca

Kryeministri Ramush Haradinaj duke folur për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel tha se duhet të kalojmë në fazën finale, e që është njohja reciproke mes dy vendeve. “Faza finale është vullnet politik i vendimmarrësve të mëdhenj dhe për këtë fazë edhe presidenti Trump dhe kancelarja Merkel, kryeministrja May dhe presidenti Macron, duhet të gjejnë kohë të merren me Kosovën”, theksoi ai/

1 haradinaj hapur fol

HARADINAJ: -Po përballemi me realitetin dhe nuk po i ikim atij/

PRISHTINË, 12 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në diskutimin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja FOL, në të cilin ka shpalosur objektivat qeverisëse, duke thënë se Qeveria që udhëheq ka filluar pas një procesi zgjedhor, që ka ardhur si rezultat i ndarjes politike të partnerëve të mëhershëm dhe zgjedhjeve që janë mbajtur.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se formimi i kësaj qeverie nuk ka qenë proces i lehtë. “Nga marrja e përgjegjësive si qeverisje, kemi qenë të interesuar në agjendat kyçe, e këto ndahen në dy: rendi dhe ligji; dhe ekonomia, por, poashtu kujdes i kemi kushtuar edhe shëndetësisë, arsimit e me radhë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se preokupim i vazhdueshëm ka qenë edhe pozita rajonale dhe ndërkombëtare e vendit tonë.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj veçoi të arritura, duke theksuar se Qeveria që ai drejton edhe sot është mjaftë e sfiduar, për shkak të proceseve qeverisëse në vend.
“E mira e gjithë kësaj, është se po përballemi me realitetin dhe nuk po i ikim atij, nuk po i zgjedhim vetëm temat e lehta dhe të mira, por të gjitha ato që i ka Kosova, duke i trajtuar me respekt”, tha kryeministri Haradinaj.Në këtë diskutim, kryeministri ka folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, formimin e ushtrisë së Kosovës, luftimin e korrupsionit, çështjen e njohjeve të Kosovës, por edhe për zhvillimet e fundit lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriq, deportimin e shtetasve turq, si dhe tema të tjera me rëndësi.

 Duke folur për dialogun, kryeministri tha se duhet të kalojmë në fazën finale, e që është njohja reciproke mes dy vendeve. “Faza finale është vullnet politik i vendimmarrësve të mëdhenj dhe për këtë fazë edhe presidenti Trump dhe kancelarja Merkel, kryeministrja May dhe presidenti Macron, duhet të gjejnë kohë të merren me Kosovën”, ka thënë kryeministri Haradinaj.Lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kryeministri u shpreh se ky është një proces serioz që është nisur, i bazuar në obligimet që ka Kosova, dhe e gjitha që ndërtohet si statut i Asociacionit, duhet të verifikohet në Gjykatë Kushtetuese.Në interesimin e mediave lidhur me luftën kundër korrupsionit, kryeministri Haradinaj tha se çështja e luftës kundër korrupsionit, është çështje e këtij vendi, e kësaj shoqërie dhe në çdo etapë të avancimit tonë drejt BE-së, tema e korrupsionit do të jetë çdo herë e më e nxehtë dhe do të jetë proces që kurrë nuk ndalet.I pyetur për formimin e ushtrisë, kryeministri Haradinaj tha se formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk është pjesë e marrëveshjes me Listën Serbe. “Kosova e ka një opsion, që është ligji, një ndryshim në bazë të ligjit dhe duhet ta konsumojë arritjen që të gjitha palët të sigurohen që Kosova është e gatshme, që përmes ndryshimeve kushtetuese, të arrihet dalja për këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.Në fund të këtij debati, kryeministri Haradinaj tha se zgjidhja e temave të rënda, të vështira, të temave që kërkojnë shumë energji, i bën fitues të gjithë. “Nuk do të humb dikush nëse zgjidhim tema që kanë pritur me vjet. Nuk ka spektër politik që nuk fiton nesër”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar të gjithë që do të punojë për një Kosovë më të mirë./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: dialogu, Kosove-Serbi, për njohje reciproke, Ramush Haradinaj

E ARDHMJA E SIGURTE KUR MBROHET LIRIA

March 8, 2018 by dgreca

Kryeministri Haradinaj:  Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurtë/

2 Oda1 a lule deshmor1 epoepeja koncert1 DJali Jasharajt.jpg1 Haradin Jasharet.jpg1 epopeja.jpg Nën kujdesin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të manifestimit gjithëpopullor për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, u mbajt Akademi Përkujtimore, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Për të përkujtuar sakrificën, luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe qytetarë të tjerë.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Ramush Haradinaj, kujtoi luftën dhe heroizmin e komandantit Adem Jashari, duke theksuar se Familja Jashari janë sinonim i shqiptarëve.“Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet. Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët, na kanë mësuar këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!.”, tha kryeministri Haradinaj. Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari. “Jemi sot në këtë Akademi Përkujtimore jo vetëm të Jasharëve, por të gjithë kombit shqiptarë, të gjithë atyre që ranë për liri”, tha ai, duke kujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.Për luftën e lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, foli edhe historiani Marenglen Verli.

                                 ***

Fjala e plotë Kryeministrit në Akademinë përkujtimore:Është diçka e mrekullueshme ta përjetosh, të shohësh brezin e ri, Ademin, Hamzën e ri, të shohësh Lulin e Bekimin, por me të qëndrua përballë baca Rifat. Zoti e ka thënë që kjo familje të jetojë, sepse është sinonim i shqiptarëve, e shqiptarët do të jetojnë gjithmonë.
Natyrshëm i madh e i vogël, shqiptarë kudo që jemi, sot jemi bashkë, jemi me një ndjenjë, ndjenjën e lirisë, por edhe me ndjenjën e dhimbjes së madhe të të gjithë njerëzve tanë më të mirë që i kishim që u flijuan për liri.
Ku ndodhi kthesa dhe kur e kuptuan se kush jemi dhe kush do të jemi, më nuk ka dilemë askush. Ndodhi në Prekaz, ndodhi në familjen Jashari, ndodhi te baca Shaban, te Ademi, te Hamza, te ata që i kujtojmë sot.
Me respekt do t’i kujtojmë gjithë jetën.
Të flasësh për Epopenë e UÇK-së, për marsin dhe Jasharët, natyrisht se është nder, por është edhe zotim, për përgjegjësi të shtuar se do ta mbrojmë lirinë e këtij vendi pa pyetur për çmimin, se do të jemi në shërbim të qytetarëve dhe se do ta bëjmë një Kosovë prosperuese.

Në marsin e 1998-ës midis Evrope u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet.
Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët, na kanë mësuar këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt!
Liria në shtetin modern nënkupton cilësi, mirëqenie, siguri dhe qetësi në jetë.
Ne lirinë tonë e përjetojmë dhe e ndjejmë në miqësi të përhershme me Amerikën, ne do t’ia dalim ta bëjmë një Kosovë çfarë e ëndërruan ata që u flijuan për të!

Këtë ua kemi borxh të rënëve për liri, këtë e bëjmë për brezat që vijnë.

Ne synojmë të jemi të barabartë me të gjithë, të anëtarësohemi në mekanizmat ndërkombëtarë, në OKB, në NATO, në Bashkimin Evropian, sepse jemi pjesë e pandashme e botës, sepse ishim dhe do të jemi gjithnjë pjesë e familjes së popujve të lirë dhe kjo falë të rënëve për liri, falë sakrificës së të gjithëve.

Sot edhe njëherë kthehemi aty ku e nisëm, në Prekazin legjendar, te familja legjendare e komandantin tonë legjendar Adem Jashari dhe u themi Lavdi e përjetshme!

***

Në nderim të “Epopesë së UÇK-së” ministri dhe komandanti i FSK-së bënë homazhe te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari

Me rastin e manifestimit jubilar të 20 vjetorit  të “Epopesë së UÇK-së”, rezistencës heroike të familjes Jasharaj,  të luftëtarëve tjerë, si dhe rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, pjesëtarëve të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, sot ministri i FSK-së Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama,  të shoqëruar nga gjeneralë, oficerë madhorë të FSK-së, zyrtarë të lartë të ministrisë, bënë homazhe te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në kompleksin memorial në Prekaz. Pas homazheve delegacioni i lartë i MFSK-së dhe FSK-së bënë vizitë në familjen Jashari, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jashari.

Me këtë rast ministri Berisha para mediave deklaroi: “Ishim sot në vizitë në familjen Jasharaj, për të qenë pjesë e  kësaj ceremonie, pjesë e përballimit të këtyre kujtimeve të ditëve të vështira,  që i kanë pasur. Siç e dimë kanë qenë ditë të vështira për familjen Jasharaj dhe për të gjithë popullin  shqiptarë. Kemi pasur dëshirë të jemi pjesë e kësaj ceremonie, kjo është një frymëzim për të gjithë neve, që të vazhdojmë me punën tonë drejt forcimit të shtetit  tonë, institucioneve shtetërore dhe të institucioneve të sigurisë. Unë mendojë se çdo herë e më shumë  do të vijmë me vlera raportuese, në çdo përvjetor dhe të njihen me to të gjithë qytetarët”.

Me respekt,                                                                                                                                   

 

Filed Under: Featured Tagged With: 20 Vjetori i UCK, Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, zgjedhje të brendshme

January 20, 2018 by dgreca

-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zgjedhje të brendshme në periudhën shkurt-maj 2018, në të gjitha nivelet. Kështu vendosi sot Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga kryetari i partisë që udhëheqë qeverinë – kryeministri Ramush Haradinaj/1 aleancaPRISHTINË, 20 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Zgjedhjet e brendshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mbahen në periudhën shkurt-maj 2018, në të gjitha nivelet e kësaj partie. Kështu vendosi sot Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga kryetari i partisë që udhëheqë qeverinë – kryeministri Ramush Haradinaj.“Aleanca këtë proces e konsideron ndër detyrat më të rëndësishme të radhës, kjo me qëllim të demokratizimit dhe të hapjes së mëtutjeshme të parties. Ishte vlerësim unanim që AAK të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që besojnë se kontributin e tyre për proceset politike në parti dhe në vend mund ta japin përmes kësaj partie”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.

Kryetari Ramush Haradinaj shprehu synimin e afrimit të secilit qytetar të vendit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Të synojm afrimin i secilit qytetar të vendit me Aleancën, me strukturat tona në çdo cep të Kosovës. Aleanca ka kuadro të dëshmuara në proceset e deritanishme dhe këtyre strukturave duam t’i shtojmë edhe vlera të reja me afrimin e të rinjëve, grave, ndërmarrësve, shoqërisë civile dhe profesionistëve tjerë të ndryshëm”, tha ai.

Zgjedhjet e fundit në AAK janë mbajtur në vitin 2015 dhe zgjedhjet e reja përmbushin kriterin statutar që ato të organizohen në afatin e rregullt.

Filed Under: Kronike Tagged With: Aleanca, Ramush Haradinaj, Zgjedhjet e brendshme

Haradinaj anulon vizitën në Iowa të SHBA-së

January 8, 2018 by dgreca

Ramush-Haradinaj

Një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”.Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s.“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka shtuar ai.

Sipas Hapgood, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.Por, Halil Matoshi, nga kabineti i kryeministrit Haradinaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “e gjithë çështja është ende në procedurë”.

“Nuk e dimë, por nuk kemi konfirmim as po as jo”.”E gjithë çështja është ende në procedurë. Kryeministri i Kosovës shkon në Iowa më 11 janar, prandaj ende presim, nuk kemi konfirmim nëse i është refuzuar apo do të jetë (v.j. i pranishëm në ngjarjen në Iowa), ka thënë Matoshi.

Mediat në Prishtinë kanë raportuar të dielën se Ambasada Amerikane ia ka refuzuar kryeministrit Haradinaj vizën për të udhëtuar në SHBA.

Vetë Haradinaj ka thënë se ende është duke pritur ta marrë vizën.

“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, ka shkruar Haradinaj të dielën në Facebook.

Ky zhvillim pason kritikat e komunitetit ndërkombëtar pas përpjekjeve të ligjëvnësve të Kosovës për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte.

Filed Under: Kronike Tagged With: ndalohet viza SHBA, Ramush Haradinaj

SHBA, rol të pazëvendësueshëm për Kosovën

November 18, 2017 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj verëson lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë/

-Në Bruksel, ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/1 Ramushok

 -Për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është i pazëvendësueshëm/

 -Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel/

 1 ok Bruksel-17 11 2017

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 18 Nëntor 2017/ Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, të mbajtur dje në Bruksel, prej nga u kthye sot në Prishtinë, ndërsa theksoi edhe se për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm.

Në një konferencë shtypi, pasditen e sotme, kryeministri kosovar theksoi se,  “axhenda evropiane e Kosovës ishte tema e takimit” dhe se në Bruksel ka bërë ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit të ri evropian në 17 shkurtin e vitit 2018.Në konferencë u bë e ditur se, në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, i cili u kryesua nga kryeministri, Ramush Haradinaj dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, “është biseduar për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”.

Kryeministri Haradinaj njoftoi edhe për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit,  Johannes Hahn, në të cilat janë paraqitur të arriturat dhe qëndrimet e Kosovës për perspektivën evropiane.

“Është me rëndësi të theksoj se në të gjitha këto takime kemi shfrytëzuar mundësinë të raportojmë për punët e bëra në 22 prej prioriteteve të Axhendës së Reformave Evropiane, njëkohësisht për prioritetet e identifikuara për vitin 2018 dhe për qëndrimet tona në përputhje me temat që janë me rëndësi, siç janë zhvillimet rajonale dhe dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai bëri të ditur se në çdo takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.

“Unë e kam shfrytëzuar rastin të shpreh qëndrimet tona e të cilat janë se vërtetë është krijuar një shpërputhje në rajonin tonë, ku trajtohen në mënyrë më të privilegjuar disa vende dhe ka një vonesë sidomos me Kosovën. Kur vendeve tjera iu lajmërohet edhe viti i anëtarësimit në BE ose procese të përshpejtuara drejt BE-së, Kosova është në fazën më të vonë, vetëm MSA-ja dhe po ashtu është privuar nga e drejta për qarkullim të lirë që është e drejtë e domosdoshme në Kosovë, pra qarkullimi pa viza”, u shpreh kryeministri Haradinaj.Kreu i qeverisë kosovare theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës.“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha kryeministri Haradinaj  në konferencën për shtyp.

 “Këshilli i Stabilizim Asociimit  shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” , e cila “është në thelb të marrëdhënieve midis BE dhe Kosovës”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.
Para nisjes së kryeministrit drejt Brukselit, qeveria e Kosovës të mërkuren e kësaj jave ka miratuar dokumentin për qëndrimin shtetëror në takimin e dytë  për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në  në mbledhjen e 10 nëntorit ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Axhendës Evropiane për vitin 2018”.
“Angazhimi dhe puna e mirë e qeverisë në përmbushjen e Axhendës Evropiane do të krijojnë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri  Haradinaj.
Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka mbajtur takimin e parë në 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të re të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, theksonte komunikata nga Brukseli.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar Komisioner Hahn,

Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,

E nderuar Ambasadore Apostolova,

Kolegë të nderuar,

Ju faleminderit për mirëpritjen tuaj sot në Bruksel në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë fundamentale të procesit të integrimit evropian si interes strategjik shtetëror. Procesi i integrimit evropian gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët tanë që nga vitet e 90-ta.

Dëshiroj të theksoj, ashtu siç edhe kam deklaruar, se Kosova nuk shkon në BE, Kosova bëhet BE.

E nderuara zonja Mogerini, i nderuar Komisioneri Han,

Me 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Jubileu i parë si shtet sovran. Me këtë rast dua që t’ju ftoj që të dy për të qenë pjesëmarrës në festimet tona gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Ftesat zyrtare do t’i pranoni në kohën e duhur.

Qeveria e ka pranuar si parim udhëheqës dhe themelor aderimin në BE. Për më shumë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018. Në këtë veprim ne do të koordinohemi ngushtë me institucionet e BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ishte një hap i rëndësishëm përpara. Me sukses kemi vendosur marrëdhënien kontraktuale që shërben si bazë për reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik; reforma këto që do të jenë me dobi për qytetarët tanë dhe që çojnë drejt marrëdhënieve edhe më të fuqishme me Bashkimin Evropian.

Jam i vetëdijshëm për kapacitetet zbatuese, por jam duke punuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës dhe ato sektoriale me qëllim të funksionalizimit të MSA-së dhe ARE, në mënyrë që të rezultojë me një afat të qartë kohor për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme para se Kosova të marrë Statusin e vendit kandidat për BE. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qartësim të rrugës së integrimeve dhe detyrë e kësaj qeverie është që të rikthejë shpresën tek populli i Kosovës, me qëllim të shmangies së një vale të re të migrimit, të trazirave sociale dhe të dëshpërimit.

Që nga marrja e detyrës, Qeveria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në zbatimin e reformave kyçe të identifikuara në Agjendën e Reformave Evropiane. Jam i përkushtuar për një qeveri që bazohet në performancë, e udhëhequr nga rezultatet dhe llogaridhënia. Prioritetet e mia kryesore janë: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit, Ekonomia, Shëndetësia dhe Arsimi.

Deri më sot, institucionet kanë bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha 22 prioritetet e ARE-së. Duke pasur parasysh se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe me qëllim të përshpejtimit  të reformave në vitin 2018, u kam kërkuar të gjitha ministrive përkatëse që të vendosin një kurs të qartë dhe të matshëm veprimi për vitin 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përparimi ynë në realizimin e reformave të MSA-së do të matet në bazë të veprimeve konkrete.

Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës. Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë,  qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por poashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.

Këtë vit kishim zgjedhjet e para në të cilat votoi për herë të parë gjenerata e lindur pas vitit 1999. Është e paqartë për ta dhe plotësisht e papranueshme se Kosova vazhdon të jetë një çështje e pakryer. Ka konfuzion në mesin e popullatës së Kosovës dhe ekziston një vakum i cili po të mbushej në mënyrë jo të duhur do të kërcënojë stabilitetin. Gjeneratat e reja të Kosovës jetojnë në teh të radikalizimit dhe dëshpërimit.

Jemi fuqishëm të përkushtuar për të çrrënjosur aktivitetet kriminale dhe efektet negative në shoqërinë tonë.

Qeveria e Kosovës ka intensifikuar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri i rasteve të targetuara, ngritjes së aktakuzave, vendimeve të shkallës së parë, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të shqiptuara është rritur vazhdimisht që nga viti 2016, duke dëshmuar vendosmërinë e fuqishme të Kosovës për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:

·         Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;

·         Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;

·         Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;

·         E përgatitëm shoqërinë;

·         Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.

Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet.

Në aspektin rajonal, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet duke synuar avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne i respektojmë fqinjtë tanë dhe presim të njëjtën edhe nga ata. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran dhe të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ne do të sillemi si të tillë. Pa dashur që ta theksojmë asnjë çështje, por ne do të veprojmë vetën si shtet Sovran.

Ne besojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë por fillimisht duhet t’i bëjmë të ditura dy gjëra:

·        E para, ky dialog duhet të ketë një epilog të përcaktuar në kohë,

·         E dyta, duhet të ketë përfshirje të SHBA-së. Ne filluam zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet e 90-ta së bashku me SHBA-në dhe BE-në dhe ne besojmë se duhet të qëndrojmë së bashku deri sa Kosova të bëhet çështje e kryer.

Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, përmes garantimit të dialogut nga BE dhe SHBA. Kosova beson se kjo garanci dhe përcaktimi kohor i dialogut do të përmbyllet me njohjen reciproke nga të dyja vendet.  

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë nuk është vetëm në interes të Kosovës por është imperativ i kohezionit politik, ekonomik e social për të gjithë rajonin.

Me Marrëveshjen për Bashkëpunim Rajonal, Kosova pret që të marrë pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në përgjegjësitë e saj dhe të flas për veten e saj në të gjitha takimet rajonale. Është e papranueshme që të dëgjojmë nga Serbia se si dialogu dhe stabiliteti është me rëndësi për rajonin, ndërkohë që në anën tjetër ajo në mënyrë proaktive lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti në mekanizmat e sigurisë – INTERPOL dhe EUROPOL.

Në këtë rrafsh, në përputhje me Kornizën e Agjendës Evropiane, na kërkohet në vazhdimësi që të ngrisim bashkëpunimin me EUROPOL-in. Deri tani kemi arritur progres të konsiderueshëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale bashkëpunuese. Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL dhe EUROPOL sa më shpejt dhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Serbia duhet menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet që e bllokojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto organizata.

Ne nuk mund të flasim për përparim dhe mirëbesim përderisa Serbia vazhdon me këtë sjellje!

Dhe për fund, më lejoni t’ju falënderoj për bashkëpunimin dhe dialogun tuaj në vitin 2017. Ne kemi përfunduar me sukses të gjitha takimet nën ombrellën e MSA-së. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e paepur të bërë nga ju dhe ekipet tuaja, veçanërisht Ambasadoren Apostolova për sinqeritetin dhe ndihmën e saj praktike ndaj institucioneve të Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen. 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: per Kosoven, Ramush Haradinaj, rol të pazëvendësueshëm, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT