• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vetëm Referendumi na shpëton nga “Srspska zajednica”, ndryshe, “dobro jutro, Republika srpska”!

October 17, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

Vetëm Referendumi na shpëton nga “Srspska zajednica”, ndryshe, “dobro jutro, Republika srpska”!

*** Nëse kjo  “zezonë” na gjen, atëherë, të gjithë do të jemi të turpëruar dhe të humbur në Kosovë, sepse hap pas hapi do të rrëshqasim drejt ish-sovranitetit kolonial shekullor të Serbisë së Madhe (1912-1999).

Për këtë rrezik të ricopëtimit dhe të rikolonizimit të territorit të Kosovës (jo më pak se 20 vjet-1999) kemi paralajmëruar me dhjetra e qindra herë. Mirëpo, drejtuesit e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, që në vitin 2015 patën nënshkruar Marrëveshjen për formimin e “Srpska zajednicës” në Veriun e Kosovës.

Këtë rrezik e pati paralajmëruarr edhe Vetëvendosja qysh para pesë vitesh, duke vën në dukje faktin se “ ‘Zajednica paraqet rrezik për Republikën e Kosovës,  atëherë Presidenti Thaçi, duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe të marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ‘Zajednicës’ që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ‘Zajednicën’ e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme,  i cili garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën. Mirëpo,  ndërkohë doli se ajo e shkelë atë, së paku 23 nene të saj. Prandaj, Hashim Thaçi, duhet të japë përgjegjësi për nënshkrimin e saj…” (https://insajderi.com/vetevendosje-thaci-eshte-baba-i-zajednices-e-jo-kundershtar-i-saj/).

 Të merret pëlqimi i SOVRANIT !

-Jo të anashkalohet dhe të shpërfillet sikurse këtu e 12 vjet më parë nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës (2008-2020), por urgjentisht shtrohet nevoja, që të braktiset një praktikë e tillë antiligjore dhe antikushtetuese, dhe, në vend të saj, për çdo çështje relevante dhe me interes të përgjithshëm të  popullit dhe të shtetit të Kosovës, SË PARI, të pyetet POPULLI-SOVRANI, jo Hashimi e as Isa, të marrin vendime arbitrare në kundërshtim me të drejtat legjitime dhe legale të SOVRANIT.

Prandaj, nëse duam ta shpëtojmë veriun e Kosovës nga rikolonizimi dhe nga ricopëtimi nga ana e Serbisë dhe e partnerëve të saj, atëherë urgjentisht duhet të mblidhet Kuvendi i Kosovës, dhe, në përputhje me Nenin 65 (kompetencat e Kuvendit), Pika (3), të shpallë REFERENDUMIN , ku SOVRANI me votën e tij të ligjshme dhe demokratike, do ta thotë fjalën e fundit për statusin e Veriut të Kosovës, për Gjykatën Speciale të Hagës dhe për Dialogun e Brukselit.

 Lajçaku mund t’i diktojë vetëm Bratisllavës, Jo Prishtinës, sepse kësaj radhe do të vendosë populli me Referendum, jo Hashimi, as Isa, as Hoti e as vasalët e tyre !

-Emisari i BE-së për Dialogun e Brukselit, Miroslav Lajçak, mund  ta sugjerojë Bratisllavën, që ta ndryshojë Kushtetutën e Sllovakisë për njohjen e Republikës së Kosovës, si dhe Beogradin për ndryshimin e Kushtetutës në fuqi sipas së cilës “Kosova është krahinë e Serbisë”, por, JO, assesi t’ia imponojë Hashim Thaçit (si president), Qeverisë ose Kuvendit të Kosovës, që ta ndryshojnë Kushtetutën për formimin e “Srpska zajednicës” në Veriun e Kosovës.

-Jo vetëm Miroslav Lajçak, por të gjitha ata që janë të involvuar në Dialogun e Brukselit kinse për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të mbajnë parasysh faktin se një gjë e këtillë, është e pamundur të arrihet, nëse si bazë merret Rezoluta 1244 e AP-së së OKB-së (10 qershor 1999), sepse kjo nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Ndaj, e logjikshme është, që kjo nuk mund të merret si bazë juridike e as politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Vërtet Kushtetuta e Kosovës “nuk është bibël” siç ka deklaruar M. Lajçaku, porse nuk mund të ndryshohet sa herë “i teket” Beogradit, mbase as historikisht, as de fakto e as de jure Kosova nuk është KOLONI  e Serbisë (1912-1999), por e pavarur dhe sovrane, e njohur nga më se 100 shtete të Kombeve të Bashkuara .

  M.Lajçaku mund ta ndryshojë Kushtetutën e Sllovakisë, por jo të Kosovës !

Së pari, për të vazhduar dialogun në Bruksel, Lajçaku, duhet të kërkojë nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe nga Kuvendi i Serbisë, që ta ndryshojnë Kushtetutën e Serbisë, sepse Kosova nuk është krahinë e saj, ashtu siç figuron në faqet e saj (Kushtetuta e RS-së, 2006).

Ky duhet të jetë KUSHTI NUMËR 1 i Miroslav Lajçakut për ta filluar vazhdimin e Dialogut të Brukselit (2011-2020).

Pasi Beogradi ta ketë plotësuar këtë kusht, atëherë Lajçaku mund t’u kërkojë ndihmë nga Hashimi, nga Isa dhe nga Hoti. Ndryshe, pavarësisht se çka ka deklaruar  se “Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin, ajo nuk është Bibël”, kjo, de fakto e as de jure nuk len asgjë për Kuvendin e Kosovës (si organi më i lartë legjislativ i vendit), cili, që tani duhet të mblidhet urgjentisht për të shpallur REERNEDUM  këto 3 çështje me prioritet të jashtëzakonshëm:1) Të vazhdojë apo të pezullohet Gjykata Speciale në Hagë për “krimet e luftës” së UÇK-së;  (2) Të  vazhdojë apo të pezullohet Dialogu i Brukselit (2011-2020) dhe (3) Të formohet apo jo “Srpska  zajednica” në veriun e Kosovës.

Pavarësisht se për të tria këto çështje Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi (dikur në rolin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës) dhe Isa Mustafa (ish-kryeministër i Kosovës) së bashku me Qeverinë dhe me Parlamentin e Kosovës, i kanë nënshkruar dhe “aminuar” këto 3 çështje tejet delikate, që thell prekin substance e sovranitetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, kanë bërë shkelje ligjore dhe kushtetuese, sepse për të arritur një objektiv të tillë, kanë detyruar deputetët e Kuvendit, që t’i votojnë këto 3 “tema”, të cilat Serbia i ka ngritur për debat në kuadrin e Dialogut të Brukselit, me qëllim të revidimit të statusit politik, juridik dhe kushtetus të Kosovës. Gabimi më i madh dhe i pafalshëm i tyre është se, për  këto 3 çështje kanë ndryshuar Kushtetutën, duke manipuluar edhe Gjykatën Kushtetuese të Repubikës së Kosovës, pa e pyetur fare SOVRANIN.

Sa më sipër, që të përfundojnë të gjitha “maskaradat” (rrenat, mashtrimet, premtimet, manipulimet, keqinterpretimet nga shtetarët e papërgjegjshëm të Ksoovës)  e deritashme të vënies në pikëpyetje të shthurjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, duke luajtur  “pingpong politik”  me Aleksandar Vuçiqin (president), dhe me Ivica Daçiqin (nënkryeministër dhe ministër  i Jashtëm) të Serbisë, ka ardhur momenti i fundit për ta shpëtuar  Kosovën e pavarur nga Serbia kolonialiste dhe neokolonialiste, duke e konsultuar dhe , duke marrë pëlqimin e SOVRANIT-VOTËN E POPULLIT NË REFERENDUM : (1) Duam apo nuk duam Dialog me Serbinë në Bruksel?;

(2) Duam apo nuk duam Gjykatë Speciale për dënimin e “krimeve të luftës” së UÇK-së?;

(3) Të formohet apo të mos formohet “Srpska Zajednica” në Veriun e Kosovës.E logjikshme, e ligjshme, e drejtë dhe plotësisht demokratike, do të ishte, që, për këto 3 çështje të deklarohej populli me votën e tij në REFERENDUM, e jo kursesi të anashkalohet dhe të diskriminohet sikurse deri tash nga ana e “pingpongistëve” të Presidencës, të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof.Dr.Mehdi Hyseni, Referendumi, Republika srpska

Kosova para 29 viteve në Referendum për Pavarësi, rezultati – pro 99,87 për qind

September 26, 2020 by dgreca

-Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u mbajt nga 26 deri në 30 Shtator 1991, Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind/

-Gazeta e rezistencës “Bujku” – 27 Shtator 1991: Kosova filloi Referendumin për Soranitet; 4 Tetor 1991: Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës/

-Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci/

­-“Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, ishte titulli i intervistës ekskluzive që kam zhvilluar para 26 viteve, në 22 Shtator 1994,  me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në trevjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur: Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili vlerëson se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 26 Shtator 2020/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 29 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”.

“Republika e Kosovë filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 30 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 26 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të ATSH-së në Kosovë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 26 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”Tani, pas 29 vitesh të Refrendumit historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 21 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 12 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës, në këtë muaj shtatori edhe nga Izraeli.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Referendumi

Mattis: Vota në referendum më e rëndësishmja në historinë e Maqedonisë

September 17, 2018 by dgreca

Nga Zërijeta Hajro Jajaga/ RFL/1 Mattis

Ne Foto- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, u prit në Shkup me nderime të larta shtetëror.Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në kuadër të vizitës në Shkup, ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.“Jemi të gatshëm që t’ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë”.“Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjell edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov.

Mattis Maqedoninë e ka cilësuar si “shtet partner i përgjegjshëm i aleancës”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, dhe , ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Wess Mitchell. Shkup 13 shtator 2018

Mitchell: Votoni në referendum, është mundësi historike që s’përsëritet

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, i cili do t’ju mundësojë bashkimin e shtetit tuaj me 29 shtete tjera anëtare në NATO”.

“Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rritni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, ka thënë sekretari amerikan.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka thënë se vizita e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes vjen në një moment shumë të rëndësishëm para mbajtjes së referendumit, datës kur përcaktohet e ardhmja e Maqedonisë.

Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev
Sekretari amerikan James Mattis, pas takimit me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryeministrin Zoran Zaev

“Për Republikën e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në NATO dhe BE”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev njëherësh ka shtuar se “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen veri-atlantike paraqet edhe stabilitet nga infiltrimi i palëve të treta në rajon”.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, ka theksuar se mbështetja e SHBA-së e ka ndihmuar shumë Maqedoninë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.

“E bindur se me 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të shprehen se janë për një shtet i cili do të jetë i sigurtë me prosperitet dhe e zhvilluar ekonomikisht. Për një Maqedoni e cila krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë do të kontribuojë për paqen e përbashkët dhe prosperitet”, ka theksuar Shekerinska.

Vizita e Sekretarit Mattis vlerësohet si një nga vizitat më të rëndësishme të personaliteteve ndërkombëtare, në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të shtetit, njëherësh zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mattis, Referendumi, Shkup

Ali Ahmeti,thuaje një fjalë Për Shqiptarët !

August 14, 2018 by dgreca

Këtu e ngjeti/
Ali Ahmeti,thuaje një fjalë për popullin shqiptar në Maqedoni dhe Referendumi…?!?/
Ka filluar loja për ,,kujtesën historike,,për 17 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit,që e ndali konfliktin shqiptar në hapësirën etnike për të drejtat e tyre kombëtare.Foli gjerë e gjatë kryeministri maqedonas Zaev dhe njeriu i kryevendit të shqiptarëve (Ali Ahmeti-BDI).
(A)li (A)hmeti foli për shtatorin dhe Referendumin që,sipas tij do të sjellë paqe dhe përspektivë për shtetin e Maqedonisë deri në anëtarsim në BE dhe NATO.
Këtu e ngjeti,njeriu i parë i kryevendit shqiptar,nuk e tha asnjë fjalë dhe asnjë fjalë për popullin shqiptar si popull i dytë shumicë kombëtare(përtej 40%)që edhe më tej me ligjet kushtetuese këtë e tha vetë kryeministri maqesionas Zaev(pakica shqiptare)për njëfarë ,,ardhmërie,,të dyshimtë dhe pa asnjë përspektivë.
Referendumi i 30 shtatorit nuk e zgjidh çështjen shqiptare dhe as që është në frymën kushtetuese të këtij referendumi,por kësaj radhe vetëm për Rferendumin për emrin Maqedonia Veriore.
Zaev e tha me gojën plotë se Referendumi dhe zgidhje e kontestit me shtetitn grek rreth emrit,për ne popullin maqedonas po zgjidhet njëherë e mirë ,,identetiteti kombëtar..(sic!)pa popullin etnik shqiptar në këto hapësira(sic!).
Këtu e ngjeti,populli shqiptar përsëri nën hijen e diplomacisë dhe e mbyllur fortë në kapërtinat e Kushtetutës së Maqedonisë(vetëm)si pakicë kombëtare e hiq më shumë dhe jo shtetformues(sic!).
Këtu e ngjeti,po vazhdon avazi i vjetër për popullin shqiptar në Maqedoni!
Çikago,13 gusht 2018

Filed Under: Komente Tagged With: Ali Ahmeti, Referendumi, shqiptaret, Skender Karacica

Referendumi si procedurë krejtësisht demokratike

July 13, 2016 by dgreca

(Një analizë e shkrimit të Artan Fugës “Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje”)

NGA  ILIR HASHORVA/Nju Jork/

Në një shkrim të botuar pak ditë më parë në shumë gazeta të Tiranës, eseisti, filozofi, profesori, akademiku, Artan Fuga, analizoi referendumin që u zhvillua në Britaninë e Madhe, lidhur me qëndrimin apo jo të saj në Bashkimin Evropian. Me një stil prej humoristi, që të bën aty për aty për vete, analizon, tallet dhe e kritikon referendumet, duke dhënë edhe mendime universale për to e duke vazhduar, kështu, një traditë tonën që i japim leksione botës, për të cilën dimë aq pak dhe flasim aq shumë. Titullit: “Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje”, Z. Fuga i përshtat me besnikëri edhe tekstin i cili, duke filluar me titullin e duke vazhduar dhe shkuar në fund, duket se nuk ka rresht që të mos të të shkaktojë reagim si diçka e palogjikshme dhe jashtë së vërtetës, si diçka e dëmshme, sepse u ndryshon vendet demokracisë dhe diktaturës.

Ja si e arsyeton Z. Fuga mendimin se referendumi nuk është procedurë demokratike: “Referendumi nuk eshte ndonje forme shume e zhvilluar e demokracise. Mos kini ndonje iluzion jo! Pse? Sepse vota e nje budalle vlen sa e nje te mencuri, vota e nje pijaneci vlen sa ajo e nje esulli, vota e nje burgaxhiu per vjedhje sa vota e njeriut te ndershem”.

Ky pohim mund të shërbejë për të të vënë buzën në gaz në çastin që e lexon, por, në të vërtetë, është një trivialitet që nuk ka nevojë të përmendet. Që vota e një budallai barazohet me atë të të një të mençuri, nuk është karakteristikë vetëm e referendumeve, por edhe e zgjedhjeve në përgjithësi, kur çdo njeri ka të drejtën e votës e, prandaj, mos vallë edhe zgjedhjet, duke përfshirë edhe ato parlamentaret, nuk janë procedura demokratike e, për pasojë nuk duhen bërë fare, apo duhet vepruar siç veprohej shekuj të shkuar në shumë vende të botës, kur përjashtoheshin nga votimet shtresa e grupe të shumta shoqërore “të padenja për ndikuar mbi fatet e shoqërisë”? Dihet se vendosja e një diçkaje me zgjedhje të përgjithshme, pra edhe me referendum, nuk është pa të meta dhe nuk jep gjithnjë rezultatin më të mirë, por asnjë formë tjetër nuk është në gjendje ta japë atë rezultat. Filozofi i madh rus i anarkizmit, Peter Kropotkin, thotë se ligji i shumicës është ligji i mediokritetit, dhe ka të drejtë, në shumë raste përfundimet e ligjit të shumicës janë të gabuara dhe, në mbështetje të saj, Gandi thotë se mund të jepen shembuj pafund në të cilët të tregohen se aktet e shumicës kanë qenë të gabuara dhe ato të pakicës të drejta. Të gjitha këto janë të vërteta dhe prandaj Çërçilli u thoshte me ironi atyre që kritikonin demokracinë: “Shumë forma qeverisje janë provuar në këtë botë… Asnjë nuk pretendon që demokracia të jetë e përsosur dhe krejtësisht e mençur. Vërtet, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes por, po të  përjashtojmë të gjitha format e tjera që janë eksperimentuar deri sot”. Pra, me gjithë të këqijat e brendshme dhe të pa shmangshme që ka, demokracia dhe zgjedhjet që bëhen me anë të votimeve janë format më të mira të qeverisjes të provuara deri sot. Të metat e zgjedhjeve dhe e referendumeve nuk janë aq ngase në to marrin pjesë të gjithë: të mirë e të këqij, të mençur dhe budallenj, të ditur dhe të paditur, të ndershëm e të pandershëm, por se në to, për të fituar, forca të ndryshme politike që marrin pjesë në to, përdornin forma nga më të ndyrat, që nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e propagandës që bëjnë edhe të mençurit budallenj, e deri te kërcënimet fizike të kundërshtarit dhe, në fund, edhe vjedhje të votave, që, të gjitha këto, janë aq më të shumta e aq më vulgare e sa më e prapambetur të jetë shoqëria.

A është referendumi formë demokratike e qeverisjes? Në qoftë se zgjedhjet parlamentare janë formë demokratike e qeverisjes dhe përfaqësuesit e zgjedhur në to vendosin për fatet e vendit, forma e referendumit, që është si të thuash demokraci e drejtpërdrejtë, është edhe më shumë demokratike. Në qoftë se ne nuk bëjmë referendume dhe Zvicra bën disa të tilla në vit, mos vallë do të thotë se ne kemi demokraci më të zhvilluar se Zvicra?

Grekët e lashtë thotë Z. Fuga nuk bënin referendume. Grekët e lashtë vërtet nuk bënin referendume, por ata nuk kishin nevojë të bënin referendume, sepse kishin demokraci të drejtpërdrejtë dhe jo demokraci me përfaqësues, siç ka sot bota nga halli. Vetë mbledhjet që bënte populli në atë kohë për marrje vendimesh ishin referendume.      Sipas Z. Fuga, të marrët e vendimeve nga populli dhe jo nga politikanët qenka mungesë zotësie e politikanëve që nuk markan dot vetë vendime, “ndonëse paguhen për këtë!”. Kështu, del që shtetet diktatoriale, ku vendimet merren vetëm nga drejtuesit, madje nga vetëm një prej tyre, nga diktatori, paskan udhëheqës të zotë, nga ata që nuk e hanë bukën kot dhe këto shtete paskan edhe sisteme të zhvilluara demokratike!

Sa më shumë referendume të bëjë shteti, për sa më shumë probleme e çështje të përbashkëta që ka shoqëria, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, aq më demokratik është. Shteti nuk mund të bëjë referendume për lejimin apo jo të së drejtës së fjalës, të së drejtës së mbledhjes, të së drejtës së fesë, për diskriminime për racën apo etninë, për të drejtën e pronës etj, sepse këto hyjnë në ato që përbëjnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Për shembull, shteti nuk mund të bëjë një referendum në të cilin të shtrohet pyetje “Doni që të shpronësohen 100 familjet më të pasura shqiptare dhe me pasuritë e tyre të pronësohen 100000 familjet më të varfra?”, sepse rezultati i referendumit do të ishte “PO”, por ky rezultat do të ishte në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ai do të cenonte shenjtërinë e pronës. Megjithatë, shtete jo demokratike kryejnë veprime të tilla pa referendume, ata ia marrin pronën njërit për t’ia dhënë tjetrit, apo të tjerëve, thjesht me vendimmarrje politikanësh. Shteti mund dhe duhet të bëjë fare mirë referendume për çështje që i përkasin të gjithë popullit. Për shembull, shteti mund të bëjë një referendum ku t’i shtrohet pyetja popullit: “A pranoni ju që nga taksat që paguani, një pjesë të merret dhe me të të financohen partitë politike?” Apo, “A pranoni ju që deputetet e Kuvendit të caktojnë vetë pagat dhe privilegjet e tyre?” Referendume të tilla janë shumë të dobishme, por ata që kanë në dorë të vendosin për bërjen e referendumeve, nuk kanë interes për kësi referendumesh dhe nuk i bëjnë.

“Njeriu eshte kontrapedal, priret te thote : jo” – thotë Z. Fuga, se përse? – vetëm ai mund ta dijë se përse populli qenka i prirë të thotë “Jo”, dhe jo “Po”.

Ne referendum, thotë Z. Fuga “une votoj pa e ditur sesi do te votojne te tjeret, pra votoj qorrazi”.  Të votosh duke ditur si do të votojnë të tjerët, do të thoka, sipas Z. Fuga, të votosh me mend. Të shkosh pas rrymës, të shkosh pas berihajt, të shkosh pa mendim individual, na qenka gjë e mirë dhe veprim i drejtë! Kur në komunizëm secili e dinte se si do të votonte tjetri dhe të gjithë votonin njëlloj nga halli, votuesit votonin me mend, sipas Z. Fuga.

“Ne referendum vendos pakica prandaj eshte anti demokratik”, thotë Z. Fuga. Sesi vendoska pakica, kur në referendum ftohet i gjithë populli të marrë pjesë, edhe këtë vetëm Fuga mund ta dijë.

Shkrime të tilla të habisin jo aq për absurditetet që përmbajnë, sepse ne shoqërinë  tonë gjëra të tilla janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme në pjesë të shtypit tonë, por, sidomos, për mënyrën se si paraqiten dhe për popullaritetin që u jepet.

 

Nju Jork, korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, krejtësisht demokratike, Referendumi, si procedurë

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT