• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjeneral * Piro Ahmetaj, Replike mirënjohëse me Profesor Sami Repishtin…

April 1, 2021 by dgreca

Gjeneral * Piro Ahmetaj, Replike mirënjohëse me Profesor Sami Repishtin: “Mbas 26 Prillit, bashkë në betejën për të çliruar Shqipërinë e pushtuar nga politikanët zullumqarë” !

Fort i nderuar  Profesor i mirënjohur dhe atdhetar i përkushtuar Sami REPISHTI!

Së pari,  nuk do të mjaftonin fjalët për t’Ju shprehur nderimin ndaj citimit (bashkëlidhur)  që Ju keni publikuar rreth qëndrimit tim për zgjedhjet e 25 Prillit (https://gazetadielli.com/ne-pritje-me-shprese-te-votimeve-parlamentare-te-25-prillit-2021/):

“Tue folë për zgjedhjet Gjenerali Piro Ahmetaj në nji intervistë me Zërin e Amerikës theksonte se: “… të gjithë jemi fajtorë, pasi të drejtën sovrane të votës e kemi shitur për nji thes miell, ose lejuar të na e vjedhin dhe ia kemi nxirë faqen Shqipërisë… ! Shqipëria është në udhë-kryq, të gjithë janë të hutuar, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kane rënë. Shpresat e demokracis funksionale dhe harmonia e pushteteve jane vrarë.  Shqiptarët mbas 25 Prillit duhet të marrin të marrin fuqinë e kontrollit të pushtetit në duart e tyre… “(15.III.’21)!

Së dyti,  në respektin Tuaj, por jo vetëm, dëshiroj ta përsëris edhe më fortë se Shqipëria-2021, pra për 30 vitet e fundit, si asnjë vend tjetër lindor është sunduar nga platfomma e Kotovicës,  ku institucionet e larta shtetërore janë pushtuar nga politikan zullumqarë, ku shteti dhe opozita janë të shitura ose të kapura nga oligarkë të emëruar dhe “rambo-sekserë zuzarë” !

Së treti, për edhe më qartë dhe siç jam i sigurt Ju e dini fortë më mirë se mua, Atdheu ynë i përbashkët, Shqipëria jonë e dashur, mbetet i vetmi vend ndër jo vetëm 30 vendet e NATO-s, por edhe Kosova Serbia, Bosnje-Hecegovina, që për 30 vite me radhë (faqe e zezë ..)  kemi “dështuar me sukses” të bejmë zgjedhje si gjithe Europa ?!

Për pasojë vendi ynë i bekuar nga natyra, pasuritë, deti dhe perëndia është më i varfëri në Europë, ku vlerat demokratike janë të përdhosura, ku shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni, ku opozita është e shitur nga interesat e oligarkëve dhe “sekserëve të sukseshëm”, ndërsa qindra mijëra shqiptarët e zhgënjyer dhe intelektualë të dëshpëruar ja mbathin nga sytë këmbët, sikur (apo ndoshta …) të jemi të nëmur !!

I dashur mik, i nderuar Profesor REPISHTI,

Siç e keni provuar shumë rëndë në lekurën Tuaj: “Mjaft është mjaft = Enough is enough”! 

Së katerti, do isha shumë i lumtur dhe sigurisht do të lutesha në gjynjë të isha gabim, por zgjedhjet e 25 prillit nuk do prodhojnë as rotacion politik, as zgjidhje për Kombin tonë, as stabilitet demokratik, as harmoni sociale dhe as shpresë për shqiptarët, përveçse fatëkeqësisht do thellojnë krizën e rëndë të riciklimit të listës së politikanëve dhe shtetarëve zullumqarë, oligarkëve fuqiplotë dhe sekserëve të gjithëpushteteve që jo vetëm kanë pushtuar vlerat e të djathtës moderne, por edhe vjedhin si kusarë dhe sundojnë Shqipërinë për 30 vitet e fundit.

Së pesti, po Ju e dini, mësimin që na vjen nga Presidenti i SHBA Thomas  Jefferson (1801- 1809): “Ajo qe Tiranitë kanë nevoj për të mbijetuar, është që njerzit me vetëdije të lartë të heshtin”. 

Por si Gjeneral i nga përkëtej Atlantikut, lutem më besoni Profesor, se shtetet e dështuara si RSH-2021 dhe oligarkitë digitale janë edhe më të vështira se diktaturat  për tu tejkaluar. 

Prandaj e kemi për detyrë ndaj Kombit të mos heshtim për asnjë arsye dhe për çdo kosto. 

Së fundmi, si mesazh përmbledhës i një ushtari të vlerave të djathta Euriatlantike: “për Shqipërinë e pas 26 Prillit, nuk gjej opision tjetër, ose të luftojmë të privalojnë vlerat demokrake si gjithe Europa ose të shuhemi, d.m.th ose t’ja mbathim nga sytë kembët të tërë, siç ju dhe gjenerata Juaj fisnike morët arratinë mbas pushtimit komunist të 29 Nëndorit 1944”!

Duke ju uruar shëndet, dhe me konsideratat më të larta Piro AHMETAJ (Gjeneral)

Gjeneral ® Piro AHMETAJ, Ekpert i Lartë për Sigurinë Kombëtare & NATO,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut,

Ish- Këshilltar i Sigurisë Kombëtare -PD, 

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSH, 

Zv/SHSHPFA & Përfaqësues i RSH në NATO.

Filed Under: Komente Tagged With: Gjeneral Piro Ahmetaj, Prof. Sami Repishti, Replike

Një replikë për hamendësimet mbi vepren e Kolë Idromenos, Motra Tone

June 9, 2018 by dgreca

Nga Pjerin Sheldija/*1 PjerinShënim paraprijës:Jemi afër nji vjetorit të artilullit, në “Gazeten Shqiptare”, të z. Mustafa Arapi. Të them të drejten, prita se për këtë problem do të pergjigjej dikush tjetër, por deri tash, HESHTJE. (E kjo e damshme). E kam lexue disa herë pergjigjen të cilen e kam shkrue nji ditë mbas shkrimit në Gazeten Shqiptare të datës 1 qeshor 2017 (pra 2 qeshor 2017), e tue e peshue me njiqind kandarë, e tue e diskutue edhe me kolegë, shoh se s´jam gabim e s´mundem me heshtë, pa i dalë Zot me këtë shkrim Kolë Idromenos e së vërtetës artistike të punës së tij madhore.

1 Motra Tone

MOTRA TONE

  1. Mustafa Arapi, të më falish për pergjigjen që s´po mund të rrij pa ta dhanë.

Jam Pjerin Sheldija, piktor nga Shkodra, plak, por faleminders Zotit, punoj ende.

Lexova, natyrisht, me kureshtje shkrimin apo intervisten tande në Gazeten Shqiptare të datës 1.6.2017. Ishte diçka, jo vetëm e papritun, absurde dhe dashakeqe që në titull, por mbasi e lexova deri në fund, mbeta ngusht, se gjithçka që ti mbron, janë fyemje për figurën e Kolë Idromenos, për artin shkodran e shqiptar e për historinë e tij.

Pashë në atë faqe gazete, nji perçmim për figuren e madhe e të parë të pikturës realiste shqiptare, sikur ti nuk don që ti mbetet  vendi i parë këtij autori, që ti ja zhdukë atë me nji të ramun lapsi.

E PARA: … don apo s´don ti, merita asht e tija, që, në atë kohë, në këtë qytet të lashtë, u hap një epokë e re në pikturë. Nuk mund t´i ikim nji të vertetës që këtu, në Shkodër, zanë fill plot „të para“ si : ndeshja e parë e futbollit, mjeshtri i parë i „jareve“ të vueme në pentagram (P. Kurti), banda e parë, çfaqja e parë teatrale, shtyllat e para të letersisë shqiptare (4 B-të e mëdha), opera e parë, ekspozita e parë, çfaqja e parë filmike, fotografia e parë, etj….etj…

Më fal, do të ma quesh për mendjemadhësi, sigurisht.

Mendjemadhësi jo, por krenari po, se për këto gjana, Shkodra e ka ballin nalt. Dielli me shoshë nuk mbulohet e Kolë Idromeno me të mirat e të mbetat, si çdo njeri, asht nji diell në pikturen tonë. Vetë fakti që ti e krahason me dy vepra tjera, jo të njëjtës gjini, asht jo pa qëllim, e percaktimi i tyre si „pa mjeshtri“ e „naive“, flet për qëllimin jo të mirë, aq ma tepër prej nji piktori, rastauratori e studiuesi të artit (ose, kjoftë larg, nga padija).  Por gjithçka asht kjartësisht e dukëshme, në të kundërten e tezave tueja, hamendjeve tueja apo dëshirave tueja.

Ndër të tjera, ti thue nji budallallek: „Kolë Idromenon….ta krahasojmë me kolegët bashkëkohorë në Itali…“

A thue edhe Italia ka ndejë pesë shekuj në terr, …. që ne na u zhduk çdo gjurmë kulture?

Çka prite ti, që Kolë Idromeno të përqafonte, menjiherë artin modern që po lulëzonte n´Europë?

Duhej të vehej themeli me realizmin, se ishim „tha“ për te, e Idromeno, në kohën e tij, ishte i pari e i vetmi që edhe temat religjioze i trajtoj me frymë dhe elemente kombëtarë dhe realistë.

Çuditem: Si nuk ke pritue me ”lodhë trunin” e me gjetë hamendsime si: „Duhet të jetë bërë nga një mjeshter; OSE: i kanë çuar foton në Itali, OSE: ka shkuar e motra atje, OSE: ka ardhë mjeshtri në Shqipëri.“

Pyes: A thue, as me e kopjue prej fotografisë, nuk paska kenë në gjendje (i ngrati Kolë) sa me çue foton jashtë?

A MUND TË HIDHET POSHTË IDROMENO, ME TRI PSE?

Jam me ty, kur thue se s´asht „MIT“; por ama asht nji e vertetë historike dhe konfrontimi, që ti mundohesh t´i bajsh të trija veprave, hedh poshtë, vetë pretendimet tueja. Me këtë “sensacion”, ti ulë vehten se, si duket, drita e këtij dielli „të vret sytë“ dhe e sheh me gjyslykë të zez, të mendjes. Nuk po flas për pasaktësinë e Luvrit, (përsëri një budallallek): „ U bë në Luver restaurimi, por ka ndryshue vepra“.

Pyes: Pse fuen Luvrin? Si mundet Luvri me tjetërsue nji vepër, cilado kjoftë?

Atëherë, çka paska pritë me ba Luvri mbi ata mijra e mijra vepra që ka në gji??? Edhe këtë e mbron?

Skjaroj: Se në Akademinë e Venecies ka ndejë pak muej dhe tri vjetë pranë nji studios private. Për këtë shih çka kanë shkrue të tjerët (monografi apo artikuj). Ti nuk njeh jeten shkodrane të asaj kohe, driten e diellin që gjallnon këtë qytet, zakonet, …e sado pak, si piktor, nder dy veprat edhe pse të gjinive të ndryshme, duhej të binte në sy se përshkohen nga drita karakteristike e qytetit e bile, duken sikur edhe portreti asht  pjesë e “Darsmës”.

Nji i huej, si ç´pretendon ti, nuk mund ti japë kurrsesi këtë frymë, ashtu si ç´nuk mund tia japin atë dritën karakteristike të Korçës, si ç´ia ka dhanë „Mio“ i madh. Nji të huejit, as që i shkon mendja për zakonet shkodrane të kohës: Motra Tone, (Pse quhet motër? E nji të hueji? Si e mori këtë titull? Me…ose…ose?), me atë gjest levizje të dorës, me cep të degermisë (rrexë transparente e qendisun) mbulon fytyren, para nji kalimtari, që na nuk e shohim, por e ndjejmë. Shih edhe mënyren e punimit të dekorimeve e të kostumeve, në të dyja veprat.

I ashtuquejtuni „Naiviteti“ i yt, i famshëm, asht si puna e asaj fjalës së urtë: Pështyj përpjetë e bie mbi fetyrë tande. Darsma Shkodrane, nuk asht „naive“, asht nji realitet i persosun i ritit të darsmës në qytetin tonë, tue iu pershtatë ligjeve të kompozicionit, ambientit, kostumeve dhe tipave, që ti i sheh të barabartë. Çuditem për sytë e nji piktori (po i lamë të tjerat). Tashti për këtë vepër, po të skjaroj me thanjet e mikut, shokut të ahengjeve dhe kojshisë së Kolë Idromenos, Kolë Gurashit (jam i sigurtë se, kur nuk njeh Kolë Idromenon, nuk ke se si njeh Kolë Gurashin). Unë, personalisht, jam mik i ngushtë i të birit, piktorit Ndoc Gurashi;  e Kolë Gurashi, kur ishte gjallë, më asht drejtue: “Kolë Idromeno ka punue nji variant të darsmës, atë të shtresave të ulëta (fukarejve), që e kanë marrë nusen në kambë. I kam tregue edhe Nardit (asht fjala për piktorin Ferdinand Paci) dhe eja edhe ti, që ti spjegoj zakonet e shtresave të mesme e të nalta (të pasunve), që i kanë marrë nuset në kalë e ma vonë me karrocë. Për dhetë vjet, Kola, „Darsmen“ e ka mbajtë, të pa mbarueme, të vjerrun në mur, e me shtymje të herë mbas herëshme, dikur, e kapi në dorë dhe më thërret …e ….surprizë, e kishte perfundue”.

Tashti po kthehem te „Motra Tone“.

Të pyes, z. Mustafa: pse nuk e krahason me portretin tjetër, po të Motres Tone, por me veshje „allafranga“?

Çuditem që nji piktor, të mos vërejë të njajtin pozicion të kokës, të njejtin drejtim të syve, të njëjtat dritë hije etj. (Shih albumin: „Mjeshtrit e pikturës shqiptare“, faqe 118 dhe 119 ku të dy portretet janë riprodhue përballë njeni tjetrit, ku çdo gja asht e kjartë).

Në lidhje me veshjen shkodrane, bahet nji gabim jo i vogël edhe prej ndonjenit, ma perpara. Termi „Velaturë“ perdoret se ka punue „Velin transparent“ (degerminë). Asht ma shumë mjeshtria e tij, për këtë arritje se sa teknika e velaturës rrembrandeske. Nejse! Nuk po futem në teknikat. Përballja që i ban „Motres Tone“ me autoportret, asht sa absurde, aq edhe „naive“, sepse i pari asht punue në fillim të krijimtarisë së tij, ku sapo ishte kthye prej përshtypjeve të artit botnor, kurse i dyti, kah fundi i jetës së tij. Edhe ky me shtytjen e Kolë Gurashit. Asht zor ti unifikosh, se edhe Leonardi s´i ka pasë të gjitha veprat si “Xhokonda”. E tham përsëri: Sielli sytë tek piktorët tonë, mbas Idromenos, e më difto se, cili i ka të gjitha veprat të nji  niveli?

Për “Dy rrugët”

Për qëllim për të cilin asht krijue kjo vepër, asht plotësisht e arritun (edhe këtë, ti, nuk ke se si me e dijtë). E porositun për të shoqnue “Misionin shëtitës” që në mungesë të meshtarëve, nëpër famullitë, jezuitët kishin krijue grupin që shkonte nëpër malësitë e thella, në rrugë kambësore, për të krye ritet fetare. Nuk do të hyj me spjegue permbajtjen e të gjithë skenave e grupeve të tabllosë, por “Dy rrugët” ndahen në atë të virtyteve dhe atë të veseve. Çdo figurë apo grup, asht nji tabllo në vehte. Në planet e para jepen veset e mëkatet që shoqnohen prej djemsh, nëpër deren e gjanë e drejtohen kah flakët e ferrit, ndërsa, në të ngushten naltohen kah qiella, virtytet, ku çdo grup shoqnohet prej engjullit rojtar, që i drejton drejt naltësisë qiellore ku gjindet trinia e shejtë: Zoti (pak e zorshme ta kuptosh).

Në grupin e ahengut, krahas figurave të shokëve ka vendosë në kambë, vehten, në profil. Nuk e kuptoj, se si të shkon mendja që këtë vepër ta quejsh “Naive”, kur jo vetëm nuk njeh arsyen e krijimit të saj, por hjedh poshtë e nuk vlerëson, se mbi këtë tabllo të madhe (170 x 200 cm) të vitit 1896, gjinden dhjetra tabllo të vogla (të përmasave të minjaturës) e që shkrihen me natyren shkambore gjatë dy rrugëve, ku përshkohen. (V.O. Shkambijtë janë plotësisht si të kodrës së Rozafës). Nejse! S´ke se si t´i njohësh!

Pyes vehten, përsëri, se si ka mundësi që ky piktor e studiues arti, nuk i ven afër edhe nji (krye) vepër siç asht „Të ikunit e Zojës së Shkodres“? Asht injorue prej komunizmit, për tematikën e s´asht përmendë kurr, por për fat të mirë, ka shpëtue (me damtime të lehta) dhe gjindet në Muzeun Dioçezan. Asht gjithçka (si në Darsmen) shqiptare. Peisazhi: Rozafa, Ura mbi Drinazë, Lagja rranxë kalasë, në orët e natës, kur dy shkodranët përcjellin figuren e „Zojës“. Këtu, do të skjaroj diçka, po prej bisedave me të ndjerin Kolë Gurashi: Veshja e dy personave asht e priftenve në kohë të turkut, jo pse ata kanë kenë priften, por për të ba dallimin nga njerzit e zakonëshëm. Asht nji lëshim që i lejohet piktorit, për arsyet e veta.

Çka do të thoshe ti për „Ferret“ e shumta që për fat të keq janë zhdukë e s´dihet fati i tyne, ku, nder ta, në fytyrat e djemve ka vue portretet e komikëve të kohës, gja që e pohon aktori e gaztori i njoftun (jo nga ti, natyrisht), Zef Hilgega, në nji bejtë: Në më kërkojshi, më gjeni nën kambë të Shën Mëhillit… Kjo don me thanë se Zefi i ka pozue Idromenos për djallin.

Tashti, të kthehem te nji kryevepër (nuk e teproj me këtë perkufizim) që i ka pështue fatit të keq të asgjësimit, si statujat e tjera të shejtenve dhe sot, gjindet në Katedralen e Shkodrës, tek ajo e „Shën Mëhillit“. Asht me të vertetë, kryevepër, kjoftë për kompozimin, kjoftë për përshtatjen, kjoftë për realizimin perfekt të figurave, kjoftë për ngjyrosjen. Ka një histori tepër interesante, që për ta trajtue, meriton nji temë në vehte e do të shkojshe tepër gjatë. Edhe këtë përsëri, e kam të thanun nga Kolë Gurashi.

Të këshilloj që, kur të kesh kohë, ec e shihe këtë vepër e bindu se sa i rrin përball „Motres Tone“, bindu se asht dora e Idromenos që i ka ba të dyja, bindu se Idromeno ka ba edhe kryevepra tjera (edhe pse ti s´i njeh) dhe pendohu për blasfeminë që ban kundrejt nji kolosi dhe për damin që i ban artit shqiptar, tue vjellë helm, në menyrën ma te ultë.

Në mbyllje:

Kolë Idromeno nuk ka kenë as vagabond as batakçi që me përvetësue punen e tjerëve, e, sidomos të nji të huejit, e nuk do ta kishte pranue kurrë nji gja të tillë. Nuk ka pasë nevojë për emen se e ka krijue atë me punë dhe ka gëzue rrespektin e të gjithë bashkëqytetarëve të dy besimeve, aq sa janë mjaft shtëpi të projektueme prej tij, në lagjet myslimane e katolike.

Interesant! Gjatë historisë njerzore, diktatorët thonë: „Historinë e baj unë“. Si duket, edhe ty të pelqen me i imitue dhe thue me vehte: „Historinë e pikturës shqiptare e baj unë“.

Hiqe mendësh!

Përsëri: Më fal, por, ma detyrove vetë!

Të faltë Zoti!

Pjerin Sheldija

Shkodër, me 2 qeshor 2017

  • E sergio per Diellin Pjeter Logoreci

Filed Under: Analiza Tagged With: Motra Tone, Mustafa Arapi, Pjerin Sheldia, Replike

REPLIKË ME SYMBYL AGEN (IZET HAXHIA)

October 30, 2017 by dgreca

1-azganhaklajNga Azgan HAKLAJ/

 Ti nuk ke lavdi as sa Frati në Btoshë në Lekbibaj./

Boll má !/

Keni mëshirë për shpifësit e mashtruesit, thoshte Seneka, sepse ata janë skllevërit e vërtetë të shoqërisë dhe njerëzimit. E citova këtë sentencë të filozofit të madh të Romës, sepse në qoftë se ka njeri për të cilin vlen më së shumti mëshira e lutja ky është Izet Haxhia.

Peng i mëkatit, skllav i shërbimeve sekrete i Klosit e sojit të tij, siç dëshmoj edhe vet si bashkëpuntor i ish shikasit të Gazidedes, një kukuvajkë e zëdhenës i ish-sigurimit të shtetit dhe pse jo i shërbimeve sekrete të huaja serbo-greko-turke. Qëllimi final i platformës së tyre është destabilizimi i Shqipërisë, përçarja e lufta civile mes bashkëkombasve, e më në fund coptimi i trojeve etnike për t’i kthyer në plaçkë tregu për orekset e këtyre shteteve ish-perandori të dikurshme, armike shekullore të Shqipërisë.

Shumë miqë më këshilluan të mos merrem me ty Izet, sepse më thanë se ky interpret konspiracionesh, ky Rasputin i vogël, ka përgenjeshtruar vehten duke i kërkuar falje Dritan Zaganit, të akuzuar në fakt për një periudhë që ti dole bllof, sepse për në atë kohë që ti zotëri bën fjalë i bie që ai të ketë qenë student (shih ditëlindjen). Por unë vendosa t’iu përgjigjem tutorëve e mentorëve tuaj që të udhëheqin në sulmet e paprincipta ndaj çdokujt që nuk është në vathen e tyre.

Këto ditë ju zgjodhët të sulmoni një çift ekselentë juristësh me shpifje e intriga për shkak të detyrës, znj Elisabeta Imeraj dhe z Agron Bajri, por dhe grupin e prokurorëve në bllok, duke u bërë pjesë e ansamblit të korbave të zi Mero Baze – çorapes dhe Muç (t) Nanos që dirigjojnë frontin antimalësorian edhe pse urrejtja krahinore është krim.

Izeti iu erdhi në ndihmë qeverisë narkotrafikante në krye të të cilës janë trinomi Rama, Tahiri, Xhafa e të tjerë.Ai sulmoi një zyrtar që kishte zbuluar oktapodin e zullumit të Tahirit dhe po mundohej të këpuste këto tentakula kriminale, konkretisht Dritan Zaganin duke e lidhur me mua, por që shpejt përgënjeshtroj vehten duke i kërkuar falje.Shpifësi i përdorur duhet të më kërkonte falje mua, sepse Dritan Zagani këtij mashtruesi publik i duhej për të më goditur moralisht mua, i xhelozuar nga aktiviteti im në shërbim të demokracisë dhe kontributi ndaj Kombit Shqiptar.

Por, si padashje, ai, Izet Haxhia, zbulon skenarin e përplasjeve, si dhe tentativën për eleminimin fizik të Zaganit dhe faturën për ta lanë tek Haklajt, pse jo tek unë, me argumentumin e fshehjes së gjurmëve, natyrisht për të fshehur skenaristët, regjizorët dhe aktorët e vërtetë të ekzekutimit, si gjithmonë.

Ka 20 vjet që organizatori, skenaristi, regjizori i vrasjes së Tribunit të Demokracisë Azem Hajdari, i dënuar tashmë nga gjykata në tre nivelet, është strehuar me përkujdesjen e Fatos Klosit e miqëve të tij serbo-grekë në një katund tē Turqisë për t‘i shpëtuar drejtësisë duke u kthyer në instrument përgojues deri në jargavitje për këdo që e urdhërojnë ustallarët e tij.

Prej aty, ky Symbyl Agë i oborrit të Klosit, firmos, vulos e çertifikon pa u menduar dy herë enqiklikat e gatshme të cilat ia servir padroni Klosi.

Bodiguardi Izet gjatë viteve që ka shërbyer ka intriguar me mjeshtri të lartë artistike për Haklajt tek Berisha dhe Azemi dhe të njëjtën gjë për te dy tek Haklajt në vitet  ‘97-2000 për interesat e tij utilitare, që tashmë dihen kur dhe humbi pavarësinë dhe u ba instrument në platformën anti-PD në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ju sugjeroj Izet të lexoni librin e vëllait tuaj, Ismetit, që thotë për këto vite: Më thirri ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe më tha do të emëroj shef komisariati në Tropojë dhe detyra kryesore që ke është arrestimi i Kryetarit të PD-së Tropojës, Azgan Haklaj.

Nē fakt arrestimi im ndodhi, por më vonë.

Partia Demokratike me kandidoi për deputet. Populli i Tropojës më votoi për faktin se shpirtërisht përfaqësoja familjen blu, Partinë Demokratike, më votoj për AND-në familjare Haklaj që i ka dhanë katër dëshmorë Atdheut në betejat për liri dhe pavarësi të Kombit Shqiptar, si dhe nē mbrojtje tē institucioneve të shtetit demokratik. Partia Demokratike më kandidoi për kontributin tim në mbrojtje të vlerave të demokracisē, për asgjë të pamoralshme në shërbim të dikujt dhe në dëm të dikujt tjetër, siç aludoni ju me gjuhën tuaj tē helmtë si të nëperkës

Filozofi i madh Niçe na mëson se: “Liria e juaj është deri në kufirin e fillimit të lirisë sē tjetrit”. Shtetari i moçëm, arkitekti i Spartës aristokratike, Likurgu, thotë: “Kur mbaron liria jote fillon liria e tjetrit”.

Gjatë jetës tuaj, ju Izet, i shkelët këto parime duke intriguar për të gjithë.

Ju intriguat për Azem Hajdarin derisa ia arritët qëllimit, ekzekutimin e tij.

Sigurisht që thonë se ke marrë pjesë dhe në ngjarje të tjera të dhimbshme, edhe tek Haklajt, e tani bën sikur të dhimbsen shumë.

Se sa të dhimbsen e tregon fakti i tentativës tuaj për kurbanizimin e Zaganit dhe faturën t’ua kaloni me lehtësi Haklajve pas interpretimit mjeshtëror tē konspiracionit të rradhēs qē ta servirin mendjet diabolike që të kanē skllavëruar.

Ti zgjodhe pikërisht ditët e inaugurimit të Shtatores së Azem Hajdarit në Tropojē për të ndërmarrë këtë fushatë shpifjesh.

Nē fakt zhveshe karakterin tënd tē vërtetë. Veshja e mantelit të Pejgamerit për të hapē 7 vulat e librit “Zbulesa” tē Shēn Gjonit për t’u treguar shqiptarëve të vërtetat e mëdha, të cilat ti i dinë, ështē përpjekja jote dëshpëruese dhe dështimi juaj i turpshēm i rradhës dhe përfundimtar.

Por Haxhia nuk ngopet me vrasjen e Azem Hajdarit, me përgjakjen e Tropojës dhe vrasjen e qindra djemve të saj. Ai është peng i betimit solemn para Fatos Klosit se do ta zhdukë PD-në e Tropojës.

A i mbani mend Izet deklaratat që ju bënit gjatë Referendumit të Kushtetutës në vitin 1998?!

Sigurisht, kori që drejtonit në të cilin bënte pjesë edhe autori i atentatit ndaj meje që do merrte pjesë dhe në atentatet ndaj Azemit, Hidajet Gjeçi: “Sa të jemi gjallë ne nuk ka PD në Tropojë”. Dhe unë ju përgjigjesha vendosmërisht: “Sa tē jem gjallë unë ka PD në Tropojë”. Po i pate harruar rilexoj gazetat e asaj kohe. Natyrisht Tropoja votonte në Referendum sistematikisht kundër padronēve tuaj dhe PD e udhëhequr nga unë ka fituar edhe me rezultate spektakolare duke i marrë të gjitha njësitë administrative të Tropojës, 8 me 0.

Para 500 vjetësh Sulltan Mehmeti ekzekutoi të gjithë vëllezërit e tij për të hypur në fronin e Stambollit. Izeti është i gatshēm tē firmosē ekzekutimin e tē gjithē personazheve të demokracisë e të patriotizmit shqiptar: Azem Hajdarin ta rivrasë; të vrasë Berishën; tē nxjerrë nga varri e të vrasë Rugovën, Ismail Qemalin e Isa Buletinin; ta zhdukē Gjergj Kastriotin nga Sheshi për tē mbajtë nē Fron Trinjakët, bijtë e Eskobarit: Tahirin, Xhafën, Edi Ramën.

Izet Haxhia, ju keni lindur në Gash tē Malësisë të Gjakovës, por në damarët e tu nuk rrjedh asnjë pikë gjaku e këtij fisi të lavdishëm, i cili u shndërrua në shekuj në parzmore të Atdheut, në simbol shekullor të betejave historike për liri e pavarësi.

Linde në Tropojë dhe u bane dirigjent i përgjakjes së saj.

Ishe badiguard i Berishës dhe thure intriga, artikulove akuza e shpifje, sa do ta kishte zili vetë Nastradin Hoxha.

Mburreshe si mik e bashkëpuntor i Azemit, si protagonist i Dhjetorit ‘90 dhe udhëhoqe ekzekutimin pa mëshirë të Heroit të Demokracisë, ashtu si Bruti para 2000 vjetësh Jul Qezarin.

Haxhia, ky senator i krimit, është i tërbuar ditët e fundit ngaqë me dt. 27 tetor 2017 u inaugurua Shtatorja e Azem Hajdarit. Ai nuk guxon ta shohë as me dylbi vendlindjen e tij dhe monumentin e studentit liberator, tribunit të demokracisë, Azem Hajdari.

Ështē tërbuar nga frika e burgosjes së Sajmir Tahirit dhe si dem i harbuar sulmon këdo e shpif gjithçka e për gjithkënd që e urdhërojnë, në mënyrë të padrejtë e cinike.

Si sharlatan që është sulmon prokuroren Imeraj, bashkëshortin e saj Agron Bajri, pinjoll i familjes atdhetare e nacionaliste të legjendarëve Kadri dhe Deli Bajri, grupin e prokurorëve të Çështjes Tahiri, familjen Lushaj, Pishtarët e Demokracisë Saliun dhe Ukën e shumē djemë të Partisë Demokratike, deputetin Hysen Osmanaj, madje përsëri Azemin, dhe iu hakërrehet tē gjithë Tropojanëve.

Haxhiaj është tërbuar sepse e din mirë se Gashi, Tropoja e kanë leçitë (shlyer nga defteri) sipas gjuhës së tij turke.

Për Tropojën Izeti nuk ekziston.

Ai, Izeti, e shiti Tropojën për 30 aspra si Juda ndaj Jezu Krishtit.
Tropoja e Shqipërisë dhe e Flamurit Kuqezi nuk i bjen kurrë në gjunjë trekolorit serb, kryqit grek, gjysëm-hanës turke, koktejet më tē hidhur me të cilët ngre dolli Izeti.

Si përfundim, për ty Izet, kam zgjedhur një histori të vërtetë të ndodhur në bjeshkët e Btoshës (të Gashit) në Lekbibaj (Tropojē) para shumē kohësh: Njē çoban i thotë Fratit (qenit të tij) kujdes tufën e deleve. Ikën çobani për punēt e tij dhe e lenë fratin e lidhur, por vjen ujku dhe e mbytë gjithë tufën. Frati i këputë vargonjtë e hekurtë dhe e mbytë ujkun, të cilin e mbulon me delet e mbytura. Kur vjen çobani e sheh çfarë ka ndodhur, çmendet nga zemërimi dhe e vret Fratin. Pasi pastron vendin nga delet e ngordhura dhe e gjen ujkun, çobani nga dëshpërimi tenton të vrasë edhe vetvehten. Ndërhyjnë familjarët e të tjerēt dhe nuk e lejojnë. Çobani i mërzitur thërret të gjithë fshatin dhe e varrosi Fratin në bjeshkët e Btoshës me gjamën e burrave të Lekbibajve. Edhe sot e kësaj dite i thonë:  tek Varri i Fratit”.

Ti, me shpifjet e tua, kërkon përfitime e lavdi Izet, por të siguroj se ke humbë gjithçka. Nuk do të kesh lavdi as sa Frati !

Boll má !

Filed Under: Komente Tagged With: Azgan haklaj, me Izet Haxhine, Replike

THEMBRA E AKILIT E Prof. PËLLUMB XHUFIT

March 4, 2017 by dgreca

2 Thanas-GjikaReplike nga Thanas L. Gjika/

Profesor Pëllumb Xhufi është një historian i mirëformuar, autor i disa veprave dhe i shumë artikujve dinjitozë për historinë e Shqipërisë Mesjetare dhe të para Rilindjes. Ai është një nga kuadrot e pakta të formuar brenda dhe jashtë shtetit gjatë kohës së diktaturës. Në vitin 1973 përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin Histori Filologji dega Histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Për shkak të rezultateve të larta në mësime u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Akademisë së Shencave të Shqipërisë. Më tej për shkak të aftësive dhe të lidhjes martesore me vajzën e Profesor Luan Omarit, nip i Enver Hoxhës dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, u dërgua për plotësimin e studimeve në Universitetin e Romës ku kreu studime për histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Në vitin 1991 iu dha bursa Humbold dhe u dërgua dy vjet në Gjermani për studime të thelluara në Universitetin e Këlnit. Ka punuar shumë vjet në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe disa vjet në Ministrinë e Jashtme si funksionar ose ambasador i Shqipërisë në Romë. Me kontributin shkencor që ka sjellë në fushën e historisë, Pëllumb Xhufi meriton prej kohësh të jetë akademik, por nuk e ka këtë titull, sepse mesa duket ai nuk e synon.

Si shumë intelektualë të formuar gjatë kohës së partisë shtet, kohë kur ata shijuan shumë të mira, si studimet jashtë shtetit, zgjidhja e strehimit parakohe dhe me apartamente më të mira se kolegët e tjerë, etj; Pëllumb Xhufi e ka një dobësi, e ka Thembrën e Akilit në mendësinë e tij. Ashtu si profesori Arben Puto, poeti Dritëro Agolli dhe shumë artistë e shkencëtarë të tjerë edhe ky historian, ndonëse i aftë dhe i mirëformuar, e ndjen veten borxhli ndaj diktaturës e diktatorit dhe ruan për ta respekt të veçantë dhe nuk përpiqet të evoluojë mendimet e veta ndaj atij sistemi dhe atij diktatori. Në shkrimin e tij kushtuar Enver Hoxhës si komunist dhe nacionalist, botuar në Gazeta Express 3 janar 2016, Xhufi vlerëson zhvillimin e arsimit, të industrisë, bujqësisë, shëndetësisë, etj që arriti Shqipëria në kohën e tij, por nuk përmend dobësitë, gabimet dhe krimet e atij sistemi shoqëror e të diktatorit Hoxha. Në vend që t’i vlerësojë, i quan me përbuzje “lukuni” ata që kanë përmendur gjatë këtyre 26 vjetëve këto krime.

Unë e lexova këto ditë artikullin e Prof. Xhufit mbasi lexova replikën e Prof. Shinasi Ramës për të, e cila mu duk e paplotë. Politologu Rama ndalej në faktin se Enver Hoxha ishte një burrë shteti që punoi kundër kombëtarizmit dhe si i tillë i solli dëme të mëdha çështjes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar, por nuk ndalej në shpalosjen e krimeve të këtij pushtetari komunist.

Që nga viti 1992 e deri sot kam lexuar shkrime e studime të shumta prej Tomor Alikos, Pjetër Pepës, Uran Butkës, Lek Pervizit, Eugjen Merlikës, Mërgim Korçës, Sami Repishtit, Pëllumb Kullës, Visar Zhitit, Kastriot Dervishit, Agron Tufës, Muharrem Dezhgiut, Lazër dhe Jozef Radit e shumë të tjerëve për bëmat e partisë shtet dhe të diktatorit tonë. Kjo literaturë më ka ndihmuar t’i afrohem së vërtetës, pra të evoluoj mendësinë time të formuar gjatë viteve të diktaturës, kur politizimi i skajshëm më kishte penguar për t’u bërë një punonjës shkencorë i aftë. Kjo dobësi shfaqej në përpjekjen që arritjet e mia t’i përputhja me mësimet e partisë e të shokut Enver ashtu si bënin gjithë kolegët. Politizimi kishte krijuar tek unë dhe kolegët e mij, si dhe te shumica e studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve autocensurën që na topiste forcat krijuese. Politizimi ishte Thembra e Akilit në formimin tonë mendor.

Fitorja e pluralizmit në Shqipëri më 1991, botimi i një literature të re mbi konceptet demokraci, shoqëri e hapur, të drejtat e njeriut, etj ishin si shiringa shëruese për botëkuptimin tim dhe të shumë kolegëve. Politizimin, që ishte një dukuri e moralshme gjatë jetës nën diktaturë e konsideruam një dukuri të pamoralshme, një kornizë penguese. Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992 e përforcoi optimizmin dhe ecujen drejt çlirimit prej mendësisë vrastare. Këtë e dëshmon fakti se gjatë 22 vjetëve (1970-1992) kur punoja si studiues i punësuar prej shtetit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë munda të hartoja e botoja vetëm disa dhjetra artikuj shkencorë e kumtesa dhe një studim monografik, kurse gjatë 16 vjetëve (2000-2016) në ShBA, krahas punës për të mbijetuar e përpjekjeve për të mësuar anglishten, arrita të shkruaj e botoj si studiues i lirë në gazetat Dielli, Illyria, etj shumë më tepër artikuj, tre studime monografike dhe dy përmbledhje me artikuj, ese, potrete, etj, të vlerësuar prej studiuesve seriozë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

U ula për ta shkruar këtë artikull, si vijim e plotësim të replikës së Prof. Sh. Ramës, duke shpresuar se mund ta ndihmoj kolegun tim të vjetër, Prof. P. Xhufin, që dhe ai të luftojë për ta shëruar Thembrën e Akilit (politizimin) në mendësinë e tij dhe të japë ndihmesën e vet të vyer për vlerësimin sa më objektiv për kohën e diktaturës dhe për figurën e Enver Hoxhës, natyrisht larg sharjeve pa fakte, por edhe larg himnizimit dhe heroizimit.

* * *

E pranoj shprehjen e Prof. Xhufit me të cilën ai hap shkrimin e vet: “Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithëpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë”, por nuk pranoj që ky mision është “i parakohshëm”, si e quan ai. Për rëndësinë që ka për botën shqiptare studimi dhe sqarimi i vlerave dhe kundërvlerave të pushtetarit Enver Hoxha dhe i sistemit të diktaturës komuniste që ai instaloi tek ne, ky mision duhet kryer sa më parë. Duhet kryer sa më parë sepse jemi shumë mbrapa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të cilat i kanë dënuar me kohë diktatorët e tyre dhe krimet e kohës së komunizmit. Për turpin tonë tek ne ka ende nostalgji për diktatorin si e ka treguar raporti i OSCE-së (OSBE-së) i vitit 2016.

Që edhe ne shqiptarët të ecim përpara si popuj të qytetëruar dhe të hyjmë me dinjitet në Bashkimin Europian na duhet të arrijmë pjekurinë politiko-shoqërore sipas së cilës t’i dënojmë gabimet dhe krimet që na janë bërë këto shekujt e fundit. Si ka theksuar Prof. Sami Repishti në një intervistë në Gazeta Shqiptare, duhen dënuar si dukuri “imorale dhe antinjerëzore” pushtimi osman, sundimi i të ashtuquarturve “pashallarë” shqiptarë që i shërbyen atij pushtimi, sundimi i latifondistëve (bejlerëve) shqiptarë që varfëroi fshatarin shqiptar, dhe i klikave sunduese para e pas Pavarësisë sonë të 28 Nëndorit 1912, që përpiqeshin të përjetësonin privilegjet që u favorizonin të huajt për shërbimet që u bënin. E mbi të gjitha këto dukuri, Profesor Repishti vendos Diktaturën e Proletariatit si dukurinë “më imorale dhe antinjerëzore”, si skllavërimin total të popullit shqiptar për 47 vjet.

Në mbështetje të mendimit të Prof. Repishtit kisha hasur vite më parë dhe disa mendime të ashpra kritike ndaj diktaturës së proletariatit në Shqipëri prej ish partizanësh e ish komunistësh të ndershëm si Zef Mala, Selfixhe Broja (Ciu), Viktor Stratobërda, etj të cilët ishin penduar thellë mbasi vuajtën vite burgu e internimi prej asaj diktature që ata kishin ndihmuar të instalohej në Shqipëri.   

Unë, duke qenë studiues i krijuar në inkubatorin e diktaturës së proletariatit, i njoh atij regjimi si dhe Prof. Xhufi disa merita për arritje në fushat e arsimit, mjekësisë, bujqësisë, industrisë, mineralogjisë, metalurgjisë, organizimit dhe përgatitjes së ushtrisë dhe policisë, si dhe në fushën e grumbullimit dhe studimit të gjuhës shqipe, stabilizimit të gjuhës letrare të përbashkët, zhvillimit të letërsisë dhe arteve, etj. Por në këto vlerësime unë nuk mund të le pa përmendur faktin se ka pasur shumë dhunë, shpenzime të tepërta, politizim të skajshëm shumë të dëmshëm, varfërim të fshatarëve e punëtorëve të cilët punonin në kushte të rënda dhe paguheshin me rroga minimale. Po ashtu nuk i anashkaloj dhe e dënoj dhunën e tepruar ndaj popullit për ta mbajtur gojën kyçur, mungesën e lirisë së lëvizjes brenda atdheut, izolimin e tmerrshëm të banorëve të Shqipërisë nga bota, etj, etj. Gjithashtu pas vitit 1992 e këtej unë përulem me respekt ndaj gjithë atyre që kanë shkruar e shkruajnë për vuajtjet e tyre nën diktaturë duke sjellë sejcili ndihmesën personale për sqarimin e së vërtetës së hidhur e vrastare që na ishte fshehur djallëzisht.

Midis studimeve të fundit për krimet e kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vlen të përmend këtu studimin e thukët të zotërinjve Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, respektivisht drejtori dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në këtë studim Enver Hoxha është cilësuar kriminel lufte mbështetur në vetë ligjislacionin e Qeverisë Shqiptare aprovuar në janar 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, ku neni 14 e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”. Këta autorë mbështetur në ky ligj kanë nxjerrë në dukje më shumë se 15 fakte kur Enver Hoxha ka urdhëruar, ose është vënë në dijeni për vrasje masive, plaçkitje pasurish pa shkak të fshatarëve e qytetarëve të ndryshëm dhe nuk i ka dënuar këto krime të kryera prej vartësve të tij. Të dhënat e nxjerra prej tyre në arkiva, dëshmojnë se Enver Hoxha “nuk ka qenë aspak një hero i Luftës Antifashiste” si vlerësohet nga disa avokatë të së Keqes dhe se gjatë Luftës Antifashiste “roli i tij nuk ka qenë aspak vendimtar”, prandaj nxjerrja në festimet e 29 Nëntorit 2013 tek Vorrezt e Dëshmorëve e potretit të tij dhe organizimi i sesioneve shkencore në Akademinë e Shkencave në përvjetorin e tij, konsiderohen me të drejtë akte të dënueshme në një kohë kur Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.

Për ta ndihmuar kolegun timXhufi, listës së krimeve që kanë përmendur studiuesit Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, të kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste, unë po i shtoj dhe disa krime të tjera të kryera gjatë dhe mbas asaj lufte:

  1. Hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes, me shtytjen e Miladin Popoviçit, e cila ishte arritja më e rëndësishme pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe Konferencës së Pezës (1942).
  2. Shpallja e Ballit Kombëtar më 10 shtator 1943 me shkresën sekrete të firmosur prej Shpatit (pseudonim i Enver Hoxhës) si organizatë tradhëtare dhe urdhëri për ta luftuar këtë organizatë e pjesëtarët e saj si armik, kur dihet se kjo organizatë ishte krijuar e kishte luftuar krahas forcave partizane kundër pushtuesve italianë dhe nuk kishte shpallur ndonjë vijë të re politike për bashkëpunim me pushtuesit e rinj gjermanë.
  3. Atentatet ndaj atdhetarëve e intelektualëve gjatë Luftës duke i shpallur armiq, pa asnjë akt gjyqësor.
  4. Vrasjet pas shpine të shumë partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj që guxuan të shprehnin ndonjë mendim jo në përputhje me mendimet e komandantit ose komisarit të brigadës a të batalionit partizan.
  5. Sekuestrimi (grabitja) me dhunë në vitet 1945-1947 e më vonë i pasurive të pronarëve pa pasur ndonjë ligj të veçantë për këtë veprim.
  6. Vjedhja e thesarit të shtetit në shumën prej 320 ton e përbërë nga 43.816.682 copë monedha floriri, të cilat në tregun e numizmatikës kushtonin shumë miliarda dollarë më tepër sesa vlera e tyre si peshë floriri. Këtë grabitje të thesarit të shtetit e ka përmendur qytetari Nuri Mehmeti, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në artikullin “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”, botuar në revisën “Në Shërbim të Popullit”, organ i Ministrisë së P.B. në rubrikën “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh në Gusht 1984, f. 14-15. Këtë të dhënë e verifikoi komisioni i posaçëm i krijuar në vitet 1992-1993 prej deputetësh të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste me kryetar Blerim Çelën. Po ky komision verifikoi dhe grabitjen e një shume tjetër prej 200 miljon dollarësh të përbërë prej 17.265 kilogram argjend të nxjerra nga thesari i shtetit për të mbuluar gjoja humbjet në kambizëm ndërkombëtar prej agjentit Dhimitër Gazhda në Greqi gjatë viteve 1988-1989.
  7. Politizimi i skajshëm i letërsisë, arteve dhe shkencave shoqërore, proces që futi në rrugë të gabuar studiuesit dhe krijuesit e viteve 1946-1991, të cilët me veprat e tyre të politizuara shtrembëruan të vërtetën historike, hymnizuan diktaturën dhe diktatorin dhe ndërdorën (manipuluan) popullin, pra e verbuan atë.
  8. Lufta e tepruar e klasave, dënimi pa gjyq, ose me gjyq të sajuar i gjithë atyre intelektualëve dhe klerikëve, që ishin formuar në Europë dhe shpalleshin armiq të pushtetit, pa bërë asnjë veprim kundërligjor.
  9. Internimi dhe mbajtja në internim me breza të familjeve të shpallura armiq pa bërë vepra armiqësore, etj.
  10. Keqtrajtimi, burgosja, internimi pa shkak i shqiptarëve që arratiseshin nga ish Jugosllavia për të shpëtuar nga përndjekja sërbe dhe vinin tek nëna Shqipëri, ku gjenin njerkën e pashpirt, e cila me anën e organeve të Sigurimit i torturonte si agjentë e spiunë të qeverisë jugosllave, etj.
  11. Shtytja për vetvrasje e Nako Spirut për t’i bërë qejfin Marshallit Tito. Shpallja armik dhe arrestimi, gjykimi e vrasja e Koçi Xoxes për t’i bërë qejfin baba Stalinit. Arrestimi, torturimi dhe vdekja në torturë e gjaneral Teme Sejkos për t’i treguar Nikita Hrushovit se kuadrot e formuar në Bashkimin Sovjetik tek të cilët Hrushovi mund të shpresonte ndonjë lëvizje për ta përmbysur Enver Hoxhën, ky do t’i mbyste si miza, etj.
  12. Vrasja natën, që u shpall vetvrasje, e Mehmet Shehut kryeministrit dhe arrestimi, torturimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut, ministrit të P. B., bashkëpunëtorëve më të afërt në krimet e tij, me qëllim që t’ia linte të qetë pushtetin Ramiz Alisë dhe Nexhmie Hoxhës (që kjo ta sundonte Byronë Politike pa qenë anëtare e saj), etj.

Lidhur me interesimin e Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën, të cilin Pëllumb Xhufi e quan “thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX”, dhe që e konsideron si punë e kryer me mençuri e nacionalizëm, duhet thënë troç se ky pushtetdashës i lindur e diktator i ardhshëm, duke qenë i shitur tek të dërguarit e Titos, luajti me fatin e Kosovës që gjatë Luftës Antifashiste. Këtë dukuri e ka vënë në dukje z. Sadik Elshani në një polemikë me Pëllumb Xhufin te gazeta Illyria NY 10 Janar 2016.

Ing. Mërgim Korça pas kërkimesh në Arkivin Qendror të Shtetit të R. Sh. ka sqaruar se Enver Hoxha pati tradhëtuar në vitet e para të pas luftë jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “… tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…” Deklaratë më antikombëtare e më antinacionaliste se kjo nuk mund të gjendet. Edhe heshtja 70-vjeçare ndaj kësaj deklarate përbën krim në vetvete.

Kurse mbas vitit 1966, kur vetë populli shqiptar i Jugosllavisë, sidomos ai i Kosovës u hodh hapur në luftë për të fituar të drejtat e tij, Enver Hoxha, për të mos u turpëruar nisi të tregojë interesim dhe të lozë kartën e një nacionalisti. Ai shkroi, ose nxiti disa punonjës për të shkruar e botuar disa artikuj në përkrahje të asaj levizjeje…

Studimi dhe sqarimi i arritjeve, dështimeve dhe krimeve të shtetarit Enver Hoxha dhe shtetit diktatorial që ai instaloi me bashkëpunëtorët e vet duhet kryer sa më parë përmes sesionesh shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtar. Vlerësimi objektiv i këtij problemi do të ndihmojë në kthjellimin e shumë shqiptarëve që ende e admirojnë pa të drejtë diktatorin dhe diktaturën komuniste.

Mungesa e vlerësimeve shkencore objektive për figurën e Enver Hoxhës, mosdënimi i krimeve të komuniszmit, si dhe qeverisja e keqe e qeverive të tranzicionit derisot, kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një nostalgjie për kohën e diktaturës dhe për vetë diktatorin. Kjo atmosferë social-psikilogjike, në mos dhe pare të marra nëndorë prej qarqeve antishqiptare, kanë shtyrë disa historianë, si dhe vetë kryeministrin tonë, Z. Edi Rama, që për të justifikuar bëmat e këtij diktatori, lëvdojnë Ali Pashë Tepelenën, një diktator më primitiv, të cilin guxojnë dhe e quajnë “shqiptar atdhetar” e “me gjenialitet”. Mirëpo Ali Pasha nuk e kishte idene e shtetit kombëtar shqiptar dhe nuk punoi për këtë ide. Në gati 40 vjet sundim ai punoi me psikologjinë e një pashai osman për interesat e tij si një besnik i sulltanit duke vrarë jo turq po shqiptarë, duke i shkatërruar fshatrat dhe krahinat e qëndresës antiosmane. Po të ushqente ide kombëtare ky pasha, pra po të synonte krijimin e një Shqipërie të lirë, ai do të kishte nxitur shkrimin e gjuhës shqipe, do të kishte hapur të paktën një shkollë fillore në shqip, do të kishte treguar sadopak interes për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe flamurin e tij, do të kishte krijuar lidhje me Bushatllinjtë e Shkodrës për realizimin e asaj ideje. Nëse Ali Pasha do të kishte ushqyer ndonjë ide për krijimin e një Shqipërie të pavarur, atëhere Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të kishte filluar në kohën e sundimit të tij dhe nuk kishte pse të vonohej dhe 50-60 vjet mbas vrasjes së tij.

Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, pavarësisht se jetuan në kohë të ndryshme, kanë pasur karaktere të ngjashëm. Ishin të dy gjakatarë, mashtrues dhe adhurues të floririt. Ata sakrifikuan gjithçka për të arritur marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, të cilin e shfrytëzuan kryesisht për interesat e tyre. Pushtetin e morrën me gjak dhe e mbajtën me gjak duke vrarë vetëm shqiptarë dhe asnjë pushtues të huaj. Kur iu dukej se dikush i pengonte ose i konkuronte në realizimin e synimeve të tyre, e zhduknin edhe po të ishte i afërm i familes, mik e bashkëpunëtor i tyre i vjetër. Dalloheshin për servilizëm ndaj eprorëve, Aliu me Sulltanin, Enveri me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin. Mbaheshin për njerëz me kulturë dhe silleshin mirë me të huajt që u vinin për vizita, por në fakt ishin pa shkollimin e duhur për postin që uzurpuan. Në fakt që të dy kishin aftësi aktoreske dhe të bënin për vete me aftësinë e të folurit dhe me pamjen e tyre të bukur fizike.

Me të drejtë analisti Mërgim Korça e ka quajtur Enver Hoxhën për periudhën 1944-1976 në marrëdheniet e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Josif Visarionoviç Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce dunit, kolaboracionist për interesa personale. Kolaboracionizmi i tij për periudhën dhjetravjeçare në kushte kur Shqipëria nuk ishte e pushtuar nga këmba e pushtuesit të huaj ishte shumë më i ulët se kolaboracionizmi 1 ose 2-vjeçar i atdhetarëve si Mustafa Merlika, Lef Nosi, Pater Anton Arapi me shokë, të cilët në kohën e pushtimit të huaj pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit për të shpëtuar ato që mund të shpëtoheshin për të mirën e atdheut.

Vlerësimi i bëmave të Enver Hoxhës duhet bërë edhe duke pasur parasysh pasojat e sundimit të tij, si shkatërrimin e moralit tradicional shqiptar, shkatërrimin e besimit fetar me dhunë, krjimim e njeriut gënjeshtar që ndryshe mendonte e ndryshe shprehej / shkruante nga frika. Enver Hoxha ashtu si mësuesit e tij të Kremlinit, punoi fshehurazi dhe për ta përjetësuar sundimin e tij. Këtë e dëshmojnë jo vetëm vrasjet e ndryshme, vjedhjet e shumave marramendëse, por edhe puna e Ramiz Alisë për të realizuar trashëgimin e pushtetit dhe të pasurive të popullit prej kupolës komuniste dhe shërbëtorëve të saj besnikë. Për këtë arsye ky pasardhës i Enver Hoxhës zbatoi një variant të planit Katovica për vendin tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës së proletariatit. Jo rastësisht mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste erdhën në pushtet ish komunistë dhe ish sigurimsa, shërbëtorë besnikë të ish kupolës komuniste dhe jo nacionalistë, kombëtaristë të përndjekur e të shpronësuar, që përbënin pjesën më të ndershme dhe më atdhetare të shoqërisë sonë.

Studiuesi Pëllumb Xhufi formimin e tij shkencor e ka fituar në saje të aftësive të veta individuale, kurse mundësitë që i dha partia shtet ishin të një rëndësie dorëdytë, prandaj nuk ka pse të ndjehet borxhli ndaj diktaturës e diktatorit. Kam bindjen se, pasi të njihet më nga afër me krimet e kryera gjatë Luftës Antifashiste dhe kohës së diktaturës, do të çlirohet prej politizimit, pra do ta shërojë dhe ai “Thembrën e Akilit”, për nderin e vet dhe të pasardhësve…

1-        Gjatë 26 vjetëve të punës në Institut botova studimin monografik Mihal Gramenoja publicist demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSh Tiranë 1980 277 f. Kurse gjatë viteve 2000-2016 kam botuar studimet Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR 2007, 504 f., Mihal Grameno jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 505 f., Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 505 f. dhe përmbledhjet Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS Durrës  2011, 308 f. dhe Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA Tiranë 2016, 450 f.

2- Intervistë e Profesor Sami Repishtit për nostalgjinë e popullit shqiptar ndaj figurës së Enver Hoxhës, Gazeta Shqiptare, Tiranë 29 Dhjetor 2016.

3- Gazeta Zyrtare, Tiranë 23 janar 1945, nr 3-bis.

4- Agron Tufa, Çelo Hoxha 15 fakte pse Enver Hoxha është një kriminel lufte në faqja Postbllok

5- Ilir Bushi Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës, Agjensia e Lajmeve SOT, 14 prill 2012.

6- Mërgim Korça. Çështja Kolaboracionizëm e të tjera T’i Gjykojmë, Detroit MI. 2014, f. 16-61.

Filed Under: Komente Tagged With: pellumb xhufi, Replike, Thanas L Gjika

MOS HIDHNI BALTË MBI FORMACIONIN E RI POLITIK “ALEANCA POPULLORE PËR DEMOKRACI”!

February 25, 2017 by dgreca

REPLIKË PËR NJË SHKRIM BOTUAR NE GAZETEN”DIELLI” ME 18 SHKURT 2017, QË PËRMBAN HELMIN E DIZINFORMIMIT- ADRESUAR ZOTIT RESHAT KRIPA /

Nga Artan Lleshi Gjonmarkaj/
Anetar i Keshillit Kombetar te APD/

Në gazetën Dielli të datës 18 Shkurt 2017  lexova shkrimin me titull “Jehona e Protesës” shkruar nga zoti Reshat Kripa. Bëhet fjalë për protestën e organizuar dhe drejtuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë. Nga ky shkrim kundërshtoj me forcë të paktën dy rrjeshta 1Partia-Aleanca-Popullore-per-Demokraci-300x200

Ne Foto: Nga takimi i promovues i  Aleancës Popullore për Demokraci/

për të cilat ndjej detyrimin moral të bëj këtë përgjigje personale për autorin por njëkohesisht për të sqaruar opininin publik, të emigracionit tonë atdhetar në SHBA si dhe shumë shqiptarë të tjerë që e lexojnë me kënaqësi  “Diellin”, një burim informacioni pa çensurë politike që i shërben mendimit të lirë dhe demokracisë..

Zoti Reshat Kripa, abuzon me lirinë e medias dhe dizinformon publikun lidhur me Aleancën Popullore për Demikraci kur deklaron gjera të pavërteta se kameleoni Edi Rama …  “krijon edhe një parti me të ashtuquajtur të përndjekur politikë në krye të së cilës emërohet një renegat i kësaj shtrese që ka mohuar edhe paraarsdhësit e tij.”  Reshat: Ku e gjeni të drejtën të  dizinformoni dhe të na fyeni të gjithëve.Unë nuk mendoj se Reshati, është i detyruar apo i komanduar, por  nuk po ja them të gjitha pasi mendoj me keqardhje se me ato që mund të ka kaluar nëpër burgje dhe internime,psikologjia dhe mentaliteti i këtij personi ka pësuar dëme që nuk e lejojnë të arsyetojë . Unë e di që Reshat Kripa është anëtar i Partise Demokratike dhe kjo nuk e bën atë aspak mëkatar si drejtuesit e saj, por Reshati nuk duhet të lejojë të përdoret pasi  nuk është kandari i demokracisë dhe as padroni i të përndjekurve dhe nuk ka asnjë të drejtë të hedhi baltë mbi formacionin e ri politik të Aleancës Popullore për Demokraci, e themeluar në 28 Janar 2017. Pranoj që ne presim shpifje, thashetheme dhe dizinformime, por nga veglat e sigurimit të shtetit dhe jo nga një njeri i ndershëm, pavarësisht se cilës forcë politike ai i përket dhe aq më shumë nga një i përndjekur.Reshat Kripa shumicën e atyre qe thotë në gazetën Dielli i shkruan bukur dhe fare mirë por jo aq bukur, do ti thoja unë dhe çdo i përndjekur i regjimit sllavokomunist. Unë i gjithë rrethi im familjar dhe të përndjekurit që citon zoti Reshat Kripa nuk e harrojmë diktaturën e Enver Hoxhës që shkatërroi psikologjikisht, shpirtërisht dhe fizikisht të gjithë popullin shqiptar për 45 vjet nga 1945 deri në 1991, por dihet se ne që ishim antikomunistë u përndoqëm patëm fatin më të keq nga gjithë shqiptarët e kohes së diktaturës 45 vjeçare dhe u pushkatuam, u burgosëm , u intrenuam ne në atdheun socialist. Zoti Reshat është i saktë kur thotë: “Para syve më dalin figurat e mbi 6.000 të vrarëve me dhe pa gjyq. Më dalin figurat e mbi 10.000 të vdekurve nëpër burgje dhe kampe internimi.  Më dalin  figurat e mbi 17.000 të burgosurve politikë dhe mbi 100.000 të internuarve nëpër kampet e vdekjes. Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Tamam për këtë arsye zoti Reshat ne krijuam këtë formacion të ri politik. Do ishte një kontribut i çmuar çdo vërejtje dhe sugjerim nga ana juaj zoti Reshat Kripa por parprakisht lexoni dhe analizoni programin e APD dhe kauzën e saj, njihuni gjithashtu me Kryetarin, i lindur dhe i rritur në internim por sot është jurist i diplomuar në Angli. Njihuni gjithashtu me kryesinë dhe antarësinë e saj. Në programin tonë ne kemi Kujtesën.

Në shkrimin botuar në  Dielli me titull “Jehonën e protestës” zoti Reshat thotë “Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi ata dhe pinjollët e tyre janë sot në krye të shtetit dhe një nga këta është edhe Kryetministri Edi Rama. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot po përpiqen t’i bëjnë varrin demokracisë. Zoti Kripa unë ju pyes ku e ke demokracinë por është e drejta juaj të mendoni ndryshe dhe të shkruani në Dielli dhe kudo për jehonën e protestës së PD, ështe e drejta juaj ti shërbeni programit të PD, por nuk ju nderon të dizinformoni ndaj nesh.  Ne të përndjekurit që formuam APD u shkëputëm nga tutela mashtruese e PD sepse për 25 vjet Sali Berisha  na mashtroi si  të përndjekurit dhe pronarët parti që nuk e ka pasur fare në konsideratë diasporën.

Në  programin tonë përcaktohet qartë se APD është Parti e të përndjekurve, e pronarëve dhe e diasporës dhe synon të zbatojmë parimet themelore të demokracisë. A mund të na thoni z. Kripa pse PD për 25 vjet na mashtroi nuk i realizoi premtimet e saj ? .

Programi ynë nuk parashikon që ne të përndjekurit të marrim kallashin kundër bijve të komunistëve, por jemi të vendosur të dënojmë komunizmin dhe të bëjmë politikën e pajtimit, nëpërmjet kujtesës së të keqes, ku bën pjesë edhe zyra e dizinformimit të ish sigurimit të shtetit dhe 25 vjet tranzicion pseudodemokratik. Kujtesa për kalimin  nga totalitarizmi dhe tranzicionin e shëmtuar që kultivoi korrupsion  shtetëror kriminalitet, drogë dhe banditizëm , në shtet demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut është e rëndësishme për ne dhe ajo realizohet me : Hapjen e arkivave, rehabilitimi dhe kompensimin e viktimave, kthimin e pronave të grabitura siç përcakton neni 181 i Kushtetutës, për të përndjekurit, ish kulakët dhe ata që vazhdojnë të persekutohen me termin e Katovicës “ish pronarë“  por që janë pronarët e vërtetë. Këto  janë objektivi i programit të APD, për të cilën PD nuk ka vepruar për 25 vjet dhe ju dizinformoni.

Ne u shkëputëm nga PD se nuk duam të vazhdojmë të trajtohemi si bujkrobër të PD. Ju dhe PD për 25 vjet po mjafoheni me sharjen e komunizmit dhe të diktatorit Enver Hoxha vetëm me deklarata ne ekrane dhe nëpër gazeta dhe në praktikë të zbatohet platforma e Katovicës. A mund të na thon ipse PD ka qene ne ballë të fushatës  që të përndjekurve dhe pronarëve të mos ju kthehet prona e trashëguar. Banditizmi shtetëror na thotë sot themeluesi i PD Sali Berisha në miting, por kush e instaloi, kur filloi banditizmi, kush e mbrojti dhe kush vazhdon t’a mbrojë ? Askush nuk mund të thotë se gjatë  këtyre 25 viteve të paktën një i perndjekur eshte rehabilituar e shpërblyer totalisht dhe i është kthyer prona e grabitur. Po ashtu dhe pronarët që pritën që që shteti (PD-PS) tu kthente pronën pane se si të dy krahet miratuan ligje per të mos kthyer pronën tek pronari. Atehere pse shtresa e te persekutuarve dhe e pronarëve duhet ta degjojne thirrjen e z. Reshat Kripa, kur ne tribunen e protestës  jane persekutoret e djathtë, me përjashtim të “Kaçit” që është edhe i majtë edhe i djathtë, që shet e blen mjafton ne jetë në karrike të deputetit   .
Zoti Kripa. E djathta sapo ka lindur, ajo quhet Aleanca Popullore për Drejtësi dhe  ka marrë përsipër të mbrojë dhe përfaqësojë të përndjekurit dhe të shpronësuarit që kërkojnë pronat e tyre Unë ju sugjeroj se është më mirë qe ju si anëtar i PD nëpërmjet artikujve sensibilizoni që Partia Demokratike , dje Sali Berisha dhe sot Lulzim Basha të përpiqen të korigjojnë gabimet e PD, apo fushatë dizinformimi  ndaj nesh që shkëputemi nga PD sepse duam ti mbrojmë vetë të drejtat tona? Besoj se ky reflektim personal i imi do ndihmojë të reflektoni ju zoti Reshat por dhe shumë të tjerë që kanë plotësisht të drejtë që pas mashtrimit 26 vjeçar PD-PS, tani në fillim  të tregohen skeptikë dhe mosbesues ndaj APD.

Besoj se do të takohemi në mbledhjet tona.

 

Artan Lleshi Gjonmarkaj.
Anetar i Keshillit Kombetar te APD.

Filed Under: Komente Tagged With: Artan Lleshi Gjonmarkaj, me Reshat Kripa, Replike

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT