• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RESHAT KRIPA I DERGON LETER TE HAPUR ISH PRESIDENTIT TOPI

December 28, 2012 by dgreca

I nderuar zoti Topi,/

Shkak për këtë letër të hapur u bë një shkrim në  “Gazeta Shqiptare” Nr.5860 datë 22 dhjetor 2012, mbi fjalimin që keni mbajtur  në prezantimin e degës së partisë tuaj në Tiranë. Në editorialin “Pushteti të konsumon” të kësaj gazetë, lexoj lajmin “Në qeverinë e Berishës, sa më i korruptuar, aq më lart ngjitesh”. I shtyrë nga kureshtja hap faqen pesë ku është ky shkrim dhe lexoj titullin: “Topi: Berisha, stalinisti i fundit, duhet ta heqim” dhe, midis të tjerash, në një shkrim të shkurtër, lexoj: “në qeverisjen e sotme të Sali Berishës, sa më i korruptuar të jesh aq më shumë ngjit shkallët e karrierës në qeveri, në administratë, në sistemin e drejtësisë e në listat për deputet të partisë”.

Ditët e fundit politikanët tanë i kanë mbërthyer ethet e zgjedhjeve. Të gjithë, të majtë dhe të djathtë, nuk lenë më vrer pa derdhur mbi kundërshtarët e tyre politikë. Nëpër faqet e shtypit të përditshëm lexon lloj-lloj epitetesh që këta politikanë përdorin në shërbim të linjës që ata përfaqësojnë. Një gjë e tillë është e natyrshme në një situatë të tillë. Por çudia qëndron në atë që disa politikanë harrojnë nga kanë ardhur dhe akuzat e tyre, po t’i analizosh me gjakftohtësi, bien mbi vetë ata. Një gjë e tillë ndodhi edhe me fjalën tuaj. Le ta analizojmë.

Natyrisht, kur dëgjon një fjalim të tillë një lexues i zakonshëm thotë me veten e tij: Bobo, të mjerët ne, në çfarë bote jetojmë! Një nga këta lexues jam edhe unë. Edhe mua, për një çast, më duket sikur jetoj në një botë ku nuk të sheh syri veçse politikanë dallaveraxhinj dhe servilë, gjykatës dhe punonjës administrate të korruptuar deri në fyt dhe vetëm fare pak individë të ndershëm. Por kur kthjellohem, në mendje më lindin mendime të tjera të cilat nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. Ndaj do të doja t’ju pyesja :

-Kur është bërë e tillë qeveria e Berishës, pasi jeni larguar ju nga posti i Presidentit të Republikës apo ka qenë edhe më parë e tillë?

Në rast se do të ishte varianti i parë, do të kisha qenë dhe unë dakord me ju. Por një gjë e tillë më duket e pamundur pasi, si ka mundësi që një qeveri që ka qenë model, dhe kjo sipas vetë deklaratave tuaja të asaj periudhe, të korruptohet brenda një kohe kaq të shkurtër prej jo më shumë se gjashtë muajsh. Kështu që mbetet varianti i dytë kur kjo qeveri paska qenë përbërë nga element të korruptuar. Atëherë më lindin mendime të tjera dhe këto dua t’i shpreh.

Ju zoti Topi karrierën tuaj në Partinë Demokratike e nisët si shumë të tjerë, si një anëtar i zakonshëm i saj dhe me kohë filluat ngritjen tuaj në përgjegjësi të ndryshme si Ministër, Nënkryetar i partisë, Kryetar i grupit parlamentar për të përfunduar si President i Republikës. Si mundët t’i kalonit këto shkallë të karrierës tuaj? Mos vallë edhe ju paskeni qenë i korruptuar? Një gjë të tillë ju e pohoni vetë kur thoni se në qeverinë e Berishës rruga e vetme për t’u ngjitur ishte korrupsioni. Po zoti Oketa, mos vallë ishte i korruptuar kur arriti deri në postin e Zëvendëskryeministrir të Shqipërisë? Po zoti Biberaj që arriti deri Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, mos ishte i tillë?  Mund të vazhdoja edhe më tej por besoj se mjafton vetëm me këto tre shembuj për sot.

Ajo që më tërheq më tepër vëmendjen në fjalën tuaj, të cituar më sipër, është fakti se edhe në sistemin e drejtësisë, gjithmonë sipas jush, duhet të jesh i korruptuar që të bësh karrierë. Por ju, mor zotni, keni qenë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ishit ju së bashku me Nënkryetarin tuaj që sot drejton Aleancën Kuq e Zi, që propozonit se kush do të emërohej në gjykatat e rretheve, ato të Apelit apo Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në këto gjykata edhe sot e kësaj dite janë pothuajse po ata gjyqtarë që i keni emëruar juve. Si e lejuat ju, drejtuesi kryesor i tyre që  në krye të gjykatave të të gjitha shkallëve të ishin njerëz të korruptuar?  Një logjikë e tillë të shpie në atë që edhe ju paskeni qenë të korruptuar.

Në partinë tuaj, kam marrë vesh se janë edhe disa ish-të përndjekur politikë. Unë nuk i përkas atyre njerëzve që vjellin vrerë karshi të tjerëve që, ndonse janë të shtresës së tyre, kanë mendime të ndryshme me ta. Unë nuk mund të them se ata nuk janë të përndjekur pasi kjo do të ishte e barabartë sikur të thoja edhe për veten time. Por di, gjithashtu, se në gjirin e të përndjekurve politikë ka patur edhe nga ata që  bënin “Hosana Baraba”, siç shkruante Noli i madh. E pra disa nga këta tipa  mundën të mbaronin shkollat e larta dhe, madje, të shkonin edhe për specializim në Romë apo vende të tjera në një kohë kur ati i tyre kishte qenë i dënuar politikë. Përse kjo mundësi nuk ju dha fëmijve të mi, pikërisht vajzës time të vogël, nxënëse me rezultate të shkëlqyera që, kur u paraqit në konkursin për shkollën e baletit, nuk e fitoi vetëm e vetën pse ishte bija e një të dënuari politik? A mund të ma jepni përgjigjen e kësaj pyetje?

Për të thënë të vërtetën kam patur gjithmonë besim te personaliteti juaj. Për këtë mund të bindeni nëse do të lexoni shkrimin tim të datës 18 korrik 2007, botuar në gazetën “Tema” Nr. 2134 me titull “Besoj te Bamiri”. Po ju citoj vetëm një frazë nga ky shkrim:

“Bamir Topi ka krijuar një ndjenjë besimi dhe respekti me veprimtarinë e tij politike të deritanishme. Kam besimin gjithashtu se ai do të dijë të manovrojë me zgjuarsi në marrëdhëniet  midis  dy  krahëve  të  politikës, duke u bërë një gjykatës i denjë në raportet ndërmjet tyre”.

Por, nuk ndodhi kështu. Veprimtaria juaj si President i Republikës nuk e justifikoi besimin tim. Kjo u duk që kur nuk pranuat të nënshkruani ligjin e lustracionit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ligj i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga gjykatës të cilët ndëshkoheshin pikërisht nga ky ligj. Në rast se e shihni të arsyeshme lexoni shkrimin tjetër timin me titull “Jemi edhe ne, i nderuar zoti President”, botuar në gazetat “Metropol” Nr. 2224 dhe “55” Nr. 330 (4395) datë 30 nëntor 2010, për të cilin ju as që denjuat të përgjigjeshit. Më lejoni të citoj disa fragmente nga ky shkrim:

Vitin e kaluar ish kryetari ynë pati një takim me ju, ku ju kërkoi që në listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë të përfshiheshin edhe propozimet tona. Ne atëherë ju propozuam pesë kandidatura, të gjitha të goditura dhe sipas kritereve të caktuara. Keni bërë shumë propozime, por  kandidaturat tona nuk paskan patur vend. Në të kundërt, kandidatura të tilla si ajo e Vangjel Kostës, që në ndërgjegjen e tij mban dënimin politik të Agron Ficos, Adnan Ballës dhe Kastriot Marës apo të tjerëve që Kuvendi i Shqipërisë i hodhi poshtë, dërgoheshin nga ana juaj për emërim.                 

Ne jua themi hapur, i nderuar zoti President, nuk kemi qenë dakord me ju edhe kur dekoronit ata që na vranë dhe na masakruan. Më lejoni të përmend këtu prokurorin Skënder Breca (paçka se më vonë e anulluat atë vendim) apo gjykatësit Njazi Jaho dhe Fatmira Laskaj.  Nuk kemi qenë dakord edhe kur dekoratën e akorduar martirit Havzi Nela, me rekomandimin e cilit të ashtuquajtur të përndjekur politikë,  ia dorëzuat ish gruas së tij, që ligjërisht e kishte ndarë disa vjet më  parë  se  ai  të ekzekutohej, duke lënë në hije vëllezërit  që kishin sakrifikuar.

Para disa muajve lexuam në median elektronike një njoftim se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Lidhur me sa më lart është ngritur komisioni i hetimit të krimeve të komunizmit. Ne mendojmë se duhet ta ndihmojmë këtë komision me të gjitha mundësitë tona.  Por ndihma nuk mund të bëhet kur në organet e drejtësisë vazhdojnë të qëndrojnë ende ish persekutorët tanë. Mos harroni!                                          Dua t’ju pyes, i nderuar zotni, si nuk ju drodh dora kur nënshkruat dekorimin e kriminelëve që kishin çuar në ekzekutimin e martirëve të Spaçit, Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho  apo Qafës së Barit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, njëlloj si paraardhësi juaj me dekorimin e vrasësit të poetit Havzi Nela? Si nuk pyetët, të paktën, ndonjerën nga shoqatat e të përndjekurve politik më parë? Ju thoni se i përkisni shtresës së të përndjekurve politikë. Atëherë si i kryet këto veprime? Edhe për këto, po patët kurajo duhet të përgjigjeni.                                                                                                             Këto mendime më lindën kur lexova fjalët tuaja në shkrimin e botuar në “Gazeta Shqiptare”. Ndaj dua t’ju bëj edhe disa pyetje të  tjera:

-Përse  u larguat nga partia që ju ngriti në majat më të larta të hirarkisë shtetërore dhe partiake? Mos vallë do të kishte qenë më e arsyeshme, më dinjitoze dhe më e ndershme të kishit qëndruar në gjirin e saj dhe atje ta zhvillonit luftën për demokratizimin e mëtejshëm të kësaj partie? A e dini se jeni i vetmi ish-President Republike që themeloni një parti tjetër politike, rivale të partisë së cilës i përkisnit deri atëherë, qysh disa muaj më parë se të mbaronit mandatin e presidentit?

Përgjigjen këtyre pyetjeve, po mundët, jepjani juve.

 

Me sinqeritet

 

Reshat   Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste

të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: i shkruan, presidentit, reshat kripa, Topi

CILA ËSHTË DITA E ÇLIRIMIT?

December 5, 2012 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Në këto ditë festive të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dëgjojmë edhe disa zëra korbash të zinj që, për ta errësuar këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, nxjerrin në plan të parë një datë tjetër, një datë të turpshme për t’u përmendur, atë të 29 nëntorit, njëlloj si në vitet e errëta të sundimit të diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën e disa individëve të indoktrinuar nga propaganda jashtë kohe e atyre që i shërbyen me servilizëm diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të denjoja të bëja një shkrim apo t’u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim janë ata individë apo, më mirë, personalitete të politikës dhe jetës shoqërore në vendin tonë që ende i bëjnë elozhe kësaj date. Por të mos zgjatemi me llafe dhe le të shtrohemi në rrugën e argumentave.

Çfarë është 29 nëntori? Për idhujt e kësaj date është çlirimi i Shqipërisë. Por a është e vërtetë kjo? Personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ i kombit tënd. A ndodhi kjo pas këaj date? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste më kujtohet një kënga popullore që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së bashku me disa luftëtar të tjerë të lirisë dhe demokracisë:

 

Shqipëri e vogël, plot një milion,

                                                Buzë Adriatikut edhe detit Jon,

                                                Seç hoqi e ç’vuan mjaft nga të huajt,

                                                Por dhe vetja jonë!

 

            Po, ne nuk vuanim nga të huajt se ata, me të vërtetë, ishin shporur nga vendi ynë por në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte  disa herë atij të pushtuesit. E pra ishin këta shqiptarë të atij shteti që na rrëmbyen mua dhe qindra fëmijë të tjerë,  të moshës 14-16, vjeç për të na përplasur në qelitë e errëta të ish sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e tmerrshme të punës së detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të jetuarit. Ju mund të thoni se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju e keni harruar atë kohë, apo bëni sikur e keni harruar, kur thërrisnit “kriminelët në litar” për ne, vetëm e vetëm pse luftonim “Për Liri, Për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një “supermen” dhe çdo ballist apo zogist si Sali Protopapa i filmit tuaj “I teti në bronx”, apo ballistët e filmit tjetër “Kur zbardhte një ditë”. Por, fatmirësisht, hyra në burg. Them fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij kombi. Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t’i vijnë më këtij vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në zë të botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh e Kudret Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të tjerë. Këta burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita e zisë për kombin shqiptar.

Po, ajo nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Është e tillë pasi personifikon mbi 6.000 martirët e rënë në luftën për demokraci. Simbolizon mbi 17.000 të dënuarit politik nga regjimi i urryer. Simbolizon mbi 22.000 familjet e internuara nëpër kampet e tmerrshme, ku një pjesë e tyre gjetën  edhe  vdekjen. Nje datë  e  tillë  nuk  mund  të  jetë  data  e çlirimit të  Shqipërisë. Ajo është  data  e  një  robërimi  të  ri  të  saj dhe, për fat të keq, kësaj radhe, nga vetë shqiptarët.

Çfarë solli ky “çlirim”? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar. Ekzekutime burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja ishte shpëtimi prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të regjimit, gjë që bëri që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër që, po të kishin mundësi, t’i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli “çlirimi” i 29 nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë të nderuar lexues.

Para disa ditësh dëgjuam një lider të një partie që thoshte se duheshin vlerësuar meritat e diktatorit Hoxha. Dua ta pyes zotninë:

–          A ka ndonjë meritë diktatori Hoxha?

Nuk e di se për çfarë merite flet zotnia në fjalë, por unë diktatorit i njoh vetëm vrasjet prapa shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend këtu Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te Kadri Hazbiun dhe të tjerë me të cilët kishte qenë “shok armësh”.

Kjo është vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë nga e gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto janë merita që duhet t’i vishen diktatorit? Një gazetë e këtyre ditëve shkruante se një gjë e tillë ishte thënë për të fituar votat e spektrit të majtë. Unë do ta quaja një gjë të tillë flirtim me djallin. Në rast se një veprim do të gjykohej me “moralin e lartë” të një lideri, atëherë edhe unë do ta pranoja një “lajthitje” timen një veprim të tillë.

Përse ndodhën fenomene të tilla pikërisht në këto ditë historike të kombit tonë? Mendoj se shkaku kryesor ëshër shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të popullit shqiptar në këtë përvjetor të madhërishëm, ndjenjë që kishte munguar për vite të tëra. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve të tyre të përmbysura nga mbarë populli shqiptar. Këtë e vërtetoi qysh njëzetetre vjet më parë përmbysja e përmendores së diktatorit dhe nuk mund ta ngjallë më askush sado të mundohet. Kjo është edhe një kërkesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.

Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një datë të shënuar të historisë së tij. Kjo datë është 28 nëntori 1912. Ajo është data e pavarësisë, është data e çlirimit kombëtar, është data që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm.

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: dita e Clirimit, reshat kripa

REQUIEM PER IZET SHEHUN

November 26, 2012 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Ike Izet i dashur! Ike dhe na le vetëm në rrugën tonë. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri. Çfarë të të kujtoj o vëlla? Ishe ende i ri kur u detyrove të përballeshe me përndjekjen më mizore të sistemit totalitar. Por ti kishe genin fisnik të fisit tënd. Ishte ky gen që të udhëhoqi në çdo hap të jetës tënde. Ndaj nuk u përule asnjëherë. Dallgët e jetës i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Izet i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku dhe ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e atij sistemi.. Për këtë arsye ata të zgjodhën si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk u gabuan. Ti e justifikove plotësisht besimin që të dhanë. Ti ishe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha forcat e tua për demokratizimin e vendit dhe luftën kundër mentalitetit të përmbysur totalitar që ende sundonte në vendin tonë. Ti ishe gjithmonë përkrah shtresës tënde nacionaliste, së cilës i përkisje. Ne nuk do të harrojmë kurrë për tërë këta vite që do të jetojmë.

          Kush ishe ti, Izet Shehu? Ishe poeti, ishe shkrimtari, ishe publicisti, ishe politikani. Këtë ti na e ke treguar nëpërmjet vargjeve të tua të arta        :

 

                                      Jam zjarri i zjarrit tim,

                                      Më i hershëm se Prometeu,

                                      Mos më shihni si hutinë!

                                      U ndeza

                                      Kur u ngjiz dheu.

 

                                      Jam ushtari,

                                      Që i binte bririt

                                      Rrotull zjarreve pagane,

                                      Me Teutën verë kam pirë,

                                      Vallen hoqa mes taulntëve.

 

          Ky ishe ti, i dashur Izet. Por të tilla vargje ne nuk do t’i dëgjojmë më.

 

                                      Pushuan tingujt e magjepsur,

                                      Ato nuk do t’i dëgjojmë më.

 

          Shkruante dikur poeti i madh i madh Lermontov dhe mua sot më duken sikur këto vargje të kushtohen ty, Izet.

          Ngriheni kokën lart e nderuar zonja Shehu! Ngriheni kokën lart të nderuar Agur  Shehu, vajza, nipër e mbesa! Qëndroni krenarë. Ju keni me se mburreni. Krenaria, fisnikëria dhe dinjiteti i burrit dhe babajt tuaj ju bënë edhe juve krenarë si ai. Për njerëzit e mëdhenj nuk derdhen lot. Për ta thurren vargje dhe ngrihen këngë. Izeti ishte njeri prej tyre..

          Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim në krahun tonë. Ne sot po i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e tij e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes tonë Izetin tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

          Qoftë i lehtë dheu që i ka rënë përsipër!

 

NGUSHELLIM I GAZETES DIELLI

 

Shpirti ne paqe Mesuesi im i dashur!

 Lajm i dhimbshem per ikjen e ish Deputetit Izet Shehu. I ndjeri ishte mesuesi im dhe ndjehem shume krenar per te si mesues, si njeri, si krijues. Marrdheniet me te kane qene njerezore, edhe pse ne vitet e Demokracise ishim dy here perballe njeri-tjetrit ne kandidimin per Deputete(PD-PR- 31 mars 1991- ; 22 Mars 1992) une ruajta respektin bdhe marredheniet korrekte me Mesesin tim te dashur.

 Edhe kur punoja per gazeten Illyria, edhe tani tek DIELLI, i kam ruajtur marrdheniet dhe kam botuar artikujt e tij. Mesuesi im ishte njeri i drejte dhe nuk bente kompromis me ndergjegjen; ishte kritik ne dukurite qe i vleresonte negative, edhe kur ato shfaqeshin ne krahun e tij politik. Ndersa krijimtaria e tij letrare, ishte shpreheje e perjetimve jetesore.

Shpirti ne Paqe Mesesi im i dashur!

 

DALIP GRECA

Editor i DIELLIT

 

JETA DHE KRIJIMTARIA

Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 djetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare.

Ka botuar këto libra :

“Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike

“Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike

“Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike

“Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela

“Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike

“Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime

“Fatkeqja e bukur”, novelë

“Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime

“Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi

“Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Izet Shehu, reshat kripa

NJE DITE E SHENUAR- FLAMURIN DUHET TA NGREJNE DUAR TE PANJOLLOSURA ME GJAKUN E KETIJ POPULLI…

November 23, 2012 by dgreca

Në prag të 100 vjetorit/

NGA RESHAT KRIPA/

Nëntori erdhi. Për datën më të shënuar të tij, 28 nëntorin, në periudhën e sundimit komunist  flitej fare pak, sa për të mos harruar se ekzistonte edhe një datë e tillë. Madje, një datë tjetër, 29 nëntori, dita e vendosjes së diktaturës komuniste, i bënte hije kësaj date historike.Nëntori i vitit 1991. Po afronte dita e shenjtë  e  flamurit. Por ajo  nuk ishte si ditët e  tjerat.  Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në ato ditë në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh,  cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë  ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.Diskutime te mëdha zhvilloheshin nëpër tryezat e bisedimeve. Mendimet përplaseshin  njëri me tjetrin.  Një pjesë fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945,  mbronin tezën se duhej ngritur flamuri me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të ruajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar   disa   muaj   më   parë  në  qytetin  demokrat  të Shkodrës, ku kishin vrarë katër martirë.

            A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër  e ndienin ata që  i  provuan  mbi  shpatullat  e  tyre gjëmbat vdekjeprurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Rrethit. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë dhe disa të ftuar të tjerë. Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga Shoqata Kombëtare,  Viktor Dosti.

Ai hodhi i pari mendimin se ditën e flamurit duhej të ngrihej me çdo kusht ai pa yll. Një gjë të tillë duhej ta realizonin të përndjekurit politikë, ata që ishin  sakrifikuar  më  shumë  se kushdo për atë flamur. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“. Ato e përshëndetën një vendim të tillë.

Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët i  tyre.  Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një  peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare ishin në pakicë. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në   këtë    komitet,  socialistët  refuzuan.   Të   njëjtin   qendrim   mbajti   edhe Byroja e Rrethit e   Partisë Socialiste.

            Por të përndjekurit politikë nuk u tërhoqën nga kjo pengesë. Më 26 Nëntor me një mesazh, të cilin e transmetoi edhe Radiotelevizioni  “Zëri i Amerikës“, ata deklaronin se nuk do të lejonin ngritjen e flamurit me yll dhe i bënin thirrje gjithë qytetarëve të merrnin pjesë në manifestimin e madh të pavarësisë.

27 Nëntor  –  prologu   i   ndeshjes   së   madhe.  Në  shtizën  e  flamurit,  me  urdhër  të kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, për të provuar vendosmërinë e të përndjekurve  politikë, u  vendos flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë që nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. Xhemal Mustafaraj, një ish i burgosur politik, së bashku me të lindurin në internim, Fadil Ndreu, duke hipur mbi shpinat e shokëve të tyre,  u ngjitën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën  dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit  Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë, Komiteti   Ekzekutiv Pluralist  u  detyrua  të pranojë ngritjen e flamurit pa yll

Po atë mbrëmje, në mbledhjen e grupit të shoqatave  dhe partive politike opozitare, diskutohej se kush duhej ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Një i burgosur politik tha se atë duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi  u ngrit dentist Avdulla Iljazi, një demokrat i orëve të para, dhe propozoi:

– Unë mendoj se duhet të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare, një pasardhësi të familjeve që e ngritën në Vlorë më 1912.

Dikush propozoi që ky të ishte Altini, 17 vjeçar,biri i Burim Kokoshit, ish i burgosur politikë dhe nipi i njërit nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësise, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist.

Atëherë   u   ngrit më i vjetri i grupit, Kryetari i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për Vlorën, Hysni Alimerko  dhe  shprehu  mendimin  e rrezikut që paraqiste një vendim  i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte ende në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ai ishte i vetmi i familjes së tij.

Heshtja   mbuloi  fjalët  e  Hysniut.  Të  gjithë  prisnin vendimin e Burimit. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Burimi u ngrit  dhe me një zë të vendosur tha:

            – Në rast se për djalin tim është vendosur të  shkojë te Zoti,  kjo  është dita më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtojë. Gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për   të  kryer  detyrat  e caktuara.

28 Nëntor –  Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy flamurë pa yll që ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël, gjithashtu pa yll.

 Ora 10.00.  Kryetari socialist  i  Komitetit  Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti u drejtua për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Para portës së lulishtes qendrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Shumica ishin  ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis pjesëmarrësve edhe një dërgatë e të përndjekurve të Beratit me në krye kryetarin e tyre, Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj  diktature.  Në krye kryesia e degës së shoqatës.  Aty,   në   këmbët   e obeliskut mbi të cilin ngrihej shtiza e  flamurit, u zhvillua dialogu i mëposhtëm:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe popullit të këtij  qyteti,  ju  nuk  do ta  ngrini flamurin.

            -Kushdo ta ngrejë atëherë?

            – Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

            Kryetari shtriu përpara duart dhe foli:

–          Duart e mia  nuk janë të  përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

            Kjo përgjigje u ngjalli shumë kujtime të paharruara të pranishmëve. Para syve u dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. U dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.

– Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë.  Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq,   ndërsa   qëndra   e   zërit   transmetonte Himnin   e  Flamurit   duart  e  njoma   dhe  të  pastra  të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

            Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime. Këngët patriotike pushtuan sheshin. Një vizitë në varrin e Plakut të Pavarësisë dhe një mori kurorash dhe lulesh zbukuruan atë varr historik. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para përmendores së  Pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar të flisnin dhe të mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën   me   dëshirën   e   tyre   për   të  shprehur  atë  që mendonin prej vitesh. Në Sheshin Historik të Flamurit gjëmuan zërat e tyre:

            – Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit,  festa jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtatë vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

            Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por këtë radhë po valon flamuri i Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetëmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.         

            Në sytë e pjesëmarrësve shiheshin gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishin vite që e ëndërronin. Zëri vazhdonte të buçiste:

            – Ka kohë  që  nga  vatrat  tona  ka  ikur  gazi  dhe hareja. Vendin e tyre e kanë zënë brengat dhe lotët. Regjimi e katandisi vendin në një gjendje të tillë që asnjë   mendje   e  shëndoshë  nuk  mund  ta  përfytyrojë. Njerëzit janë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa mbrojtje.

            Kasta e përmbysur përpiqet me të gjitha mjetet, që ende janë në dorën e saj, të fusë vendin në një rrugë pa krye. Në krye të kësaj kaste qëndron Presidenti i vendit, hija e diktatorit të përmbysur. Dora e tij është ndjerë kudo. Është ndjerë gjatë viteve të sundimit komunist.   Është   ndjerë   në   dhjetorin   e   kaluar,   kur  urdhëronte goditjen e studentëve. Është ndjerë  në  shkurt  kur rrëzohej shtatorja e  diktatorit.

– Qindra flamuj kuq e zi pa yllin e kuq të komunizmit  po valëviten në këtë ditë të shënuar  përmbi të gjitha po ushtojnë vargjet e himnit tonë kombëtar,  të harruara qëllimisht nga regjimi i kaluar:

 

                                                Se Zoti vetë e tha me gojë,

                                                Që kombet shuhen përmbi dhe,

                                                Por Shqipëria do të rrojë,

                                                Për të, për të jetojmë ne!

 

Fjalët u shoqëruan me brohoritje të mëdha. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.

            Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike që për  pjesëmarrësit e saj do të  mbetet  një

nga ditët më të paharruara të jetës së tyre

 

Filed Under: Histori Tagged With: e popullit, Flamurin, me gjakun, reshat kripa, ta ngrene duar, te panjollosura

KLITHMA E SHPIRTIT

November 16, 2012 by dgreca

NGA RESHA KRIPA/

Para tre ditësh në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë organizoi promovimin e librit “Klithma shpirti” të ish-të burgosurit politikë nga regjimi komunist, që ka bërë 23 vite burg në atë regjim,  poetit dhe prozatorit Luan Burimi. Takimi u zhvillua në mënyrë të përsosur. Atë e hapi sekretarja e përgjithshme e shoqatës zonja Lili Ndoci e cila ia dha fjalën për përshëndetjen e rastit kryetarit të shoqatës zotit Simon Mirakaj. Për jetën dhe aktivitetin e poetit foli shoku i tij i burgjeve, edhe ky me 22 vite burg, Bedri Çoku. Poeti Uran Kostreci, një i dënuar politikë që ka kryer 20 vite burg, foli për poezitë e tij plot ndjenjë. Për prozën e autorit foli shkruesi i këtyre rradhëve. Pastaj folën edhe anëtari i Bordit Drejtues të Komisionit Shtetëror të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. zoti Uran Butka dhe drejtori i këtij instituti, zoti Agron Tufa. Së fundi përshëndeti dhe deklamoi një nga poezitë e tij më të bukura zoti Luan Burimi.

Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e të ftuarve nga institucionet kryesore të vendit, Presidenca dhe Kuvendi . Jemi të ndërgjegjshëm se drejtuesit e tyre mund të kenë qenë të angazhuar në objektiva të tjera më të rëndësishme por, sidoqoftë, një përfaqësues të tyrin duhej ta kishin dërguar. Megjithatë ajo që ra më tepër në sy ishte mungesa e disa të përndjekurve në institucionet e Presidencës dhe Kuvendit, të cilëve nuk dua t’ua përmend emrat vetëm për hir të besimit që kam patur për korrektësinë e tyre. Kur iu dërguam ftesat menduam se ata do të ishin të parët që duhej të kishin ardhur dhe kjo pasi ata janë ose ish të burgosur, ose ish të internuar, madje ndonjëri edhe i lindur në internim, ose bij të pushkatuarish, të burgosurish apo të internuarish. Mungesa e tyre na la një shije të hidhur dhe kjo u shfaq edhe në fjalët e oratorve. Si ta quajmë një veprim të tillë, mospërfillje, neglizhencë apo nënvleftësim. Cilado prej këtyre të ketë qenë nuk është në nderin e tyre një veprim i tillë.                                       Por le t’ia lemë ndërgjegjes së tyre ta gjykojë këtë veprim dhe le të kthehemi tek tema për të cilën u zhvillua takimi.

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë formulën e të ashtuquajturit   “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Këtu ia vlen të përmendim emrat e paharruar të martirëve Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela e të tjerë.

Të tjerë provuan prangat e hekurta në  vend  të  nënshtrimit. Ata  nuk  bënë  kurrë  art  të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në rradhën e këtyre më lejoni të përmend Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin,  Pirro Kuqin, Frederik Reshpen, Pano Taçin, Astrit Delvinen e të tjerë.

Por kishte edhe një kategori tjetër që shkruanin. Dora e tyre i hidhte këto në  letër. Autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Kishte edhe nga ata që shkruanin nëpër qelitë e burgjeve apo  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.

Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë që të shpërthenin lirisht. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë  servile

dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri.

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë.

Midis plejadës së madhe të atyre të përndjekurve politikë, që kanë shkruar në qelitë e burgjeve ishte edhe Luan Burimi. Ai i përket asaj plejade që kishte dëshirë për të mësuar por nuk e linin të mësonte, pasi edhe shkolla ishte pronë e “bijve të Stalinit”, kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin të punonte përveç në ndonjë kanal apo bujqësi, kishte dëshirë të jetonte por nuk e linin as të jetonte dhe, për këtë e përplasën, për gati nje çerek shekulli, në humnerat më të thella të burgjeve komuniste.                         Megjithatë ai shkroi. I regjistroi këto shkrime në trurin e tij dhe ja ku na i serviri tani në librin me titull “Klithma shpirti”. Poezit dhe prozat e paraqitura në këtë libër janë me të vërtetë klithma të një shpirti të brengosur për miqtë dhe shokët e vuajtjeve, për ata që janë dhe për ata që s’janë më në këtë botë. Ja ç’thotë autori në fillim të tregimit “46 shekuj më parë”:                                                                                                                                                                                   Unë as nuk mundem as nuk duhet të flas për vitet 40-të, sepse kam qenë fëmijë atëherë. Po për ata vite të lodhur me kufoma bij e bijash, diçka do të flas dhe unë. Se jo më kot atë periudhë të papërshkruar ende ashtu siç duhet, e veçanërisht te ne, disa shkrimtarë e kanë quajtur “epoka e degradimit njerëzor”, disa “epoka e pasigurisë totale” e disa të tjerë “epoka e hibrideve të stepës”. Po unë, natyrisht, duke mos qenë i aftë të përqasja një epitet timin, përballë këtyre epiteteve aq të gjetur, po ndjek bëmat e “hibridëve të stepës”. Me ta zë fill edhe tregimi im, që s’është imagjinatë, por një realitet i zhveshuir, i frikshëm e qesharak.

                            

          Para syve tanë shfaqen, si në ekranin e një televizori, pamjet makabre të dhunës komuniste, të asaj dhune që e shndërroi një popull të tërë në skllav të bindur ndaj kupolës më të egër që ka parë bota, kur, siç shkruan autori, kur gdhiheshe në mëngjes e shihje fshatin në flakë nga shtëpitë e nacionalistëve që digjeshin, apo kur një ditë ngryseshe në Shkodër, Durrës apo Tiranë, të nesërmen gdhiheshe si i deklasuar në ndonjë kamp të punës së detyruar.

Shfaqjet ndjekin njëra-tjetrën. Ja ku na shfaqet N. Pjetri nga Postriba që tregon historinë e tij. Ngjarja kishte ndodhur pas kryengritjes së famshme. Hienat kishin ardhur në mes të natës. Pasi kishin kapërxyer gardhin ishin derdhur brenda në shtëpi me armët e ngrehura. Kundërshtimi i të zotërve të shtëpisë kishte sjellë shkrehjen e armëve. Dy të vrarë, i ati dhe një kushëri. Dy vëllezër të arrestuar dhe kjo vetëm në një familje. Po në gjithë Postribën? Nuk gjen penë që ta përshkruaj.                                          21 maj 1973. Në oborin e kampit të Spaçit kthehet Zef Pali i përgjakur nga goditjet e shkopinjve të gomës mbi trupin lakuriq. Atë e ndjekin një turmë hienash. Por grumbulli i të burgosurve u pret rrugën. Në mbrëmje dy persona i shoqërojnë në komandë. Kthehen të lidhur dhe shoqërohen në birucën e izolimit. Kërkohen dy të tjerë por turma nuk i dorëzon. Kështu fillon revolta e madhe e cila do të zgjaste tre dite dhe ku për të parën herë në historinë e kampeve të diktaturës atje do të valonte flamuri pa yllin e komunizmit i ngjyer me gjakun e të torturuarve dhe me zhgabën dykrenore të vizatuar nga i paharruari Mersin Vlashi. 39 makina me ushtarët e Korpusit të Burrelit, 3 autoblinda dhe 1 makinë gazi, të komanduara nga krimineli Fiçor Shehu, i cili më vonë do binte pre e vet  satërit komunist, bën që revolta të shtypej me gjak. Katër heronj të pushkatuar: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Zef Pali. Dhjetra të tjerë të ridënuar me burgime të rënda. Midis tyre autori i librit dhe bashkë me të edhe Sami Dangëllia, Mersin Vlashi, Luan Koka, Bedri dhe Caush Çoku, Gëzim Medolli, Gjergj Kadeli, Napolon Kaleci, Ylber Merdani, Demir Pojani e të tjerë.

Me mikun dhe shokun tim të klasës, Luan Kokën, autori ishte njohur në kampin e punës së detyruar në Skrofotinë. Qysh prej asaj dite u bën miq të ngushtë. Luani i tregoi historinë absurde të burgimit të tij. Kishte një kushëririn e tij të arratisur. Një natë të vitit 1960 ai kthehet fshehurazi në familje. Përqafon nënën dhe motrën dhe pasi çmallet për disa orë largohet për të kryer misionin e ngarkuar. Me vete mer disa fotografi të tyre dhe një revistë Hosteni që Luani e kishte lënë kur kishte qenë për vizitë te nëna e të arratisurit. Pas disa ditësh bie në pritën e sigurimit të shtetit dhe vritet. I gjejnë revistën Hosteni ku, në një cep, ishin shkruar inicialet L.K. Kjo mjaftoi që sigurimi të arrestonte Luanin dhe megjithse ai nuk pranoi kurrë që revista i përkiste atij, të dënohej me 15 vjet burg, dënim që iu shtua edhe me 25 të tjera pas revoltës së Spaçit. U lirua pas 29 vjetësh burg. U burgos në moshën 25 vjeç dhe u lirua në atë 54 vjeçare. Sot jeton i sëmurë, pa fëmijë dhe pa asnjë të ardhur tjetër përveç dy pensioneve, së bashku me bashkëshorten me të cilën u lidh pas lirimit nga burgu.                                                                 Përveç këtyre ngjarjeve të dhimbshme dhe reale në libër  pasqyrohen  edhe  çaste  të  tjera historike të ndodhura në tokën shqiptare siç janë masakra e tmerrshme e Cërrikut,  ku  mbetën  të djegur të gjallë nga bandat komuniste gjashtë gardistë në atë vit të zi 1997. Përshkruhen tetë vitet e asaj “anarkie të çmendur” të sundimit socialist pas “Revolucionit të vonuar” të Rexhep Qoses dhe skafet e drejtuar nga trafikantë dhe të mbushur me fatkeqë që në më të shumtin e rasteve gjenin vdekjen në ujrat e Adriatikut.             Të gjitha këto përshkruhen me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Lexuesi duket sikur jeton me ngjarjet. Duke lexuar tregimet nëpërmjet përshkrimeve të holla të penës së tij, ndjen një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë e mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. Duke parë gjuhën dhe stilin e sigurtë, të lind mendimi se ke të bësh me një autor të vërtetë.                                                                                                                   Duke lexuar veprën e Luan Burimit dhe ato të autorëve të tjerë si ai në zemër të lindin ndjenja të forta, ndjenja që të mbushin me krenari. Në zemrat e tyre ata ruajnë po ato ndjenja për të cilat u sakrifikuan. Në atë kohë ata nuk mendonin as për fron dhe as për pasuri. Ndjenja e tyre kryesore ishte “Për liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Pikërisht kjo ndjenjë vazhdon edhe sot të vlojë në zemrat e tyre. Luan Burimi është i detyruar të jetojë larg atdheut të tij të shtrenjtë për të cilin e sakrifikua. Luan Koka jeton vetem me dy pensione të zakonshme. Si këta ka edhe qindra të tjerë. Por asnjëherë nuk iu është ndier zëri i tyre për këto çështje. Atyre iu vjen rëndë të venë në plan të parë kërkesa të tilla. Meraku kryesor i tyre është “A do të bëhet Shqipëria?”                                                                         Për këtë ata dhe të gjithë ne kërkojmë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për zhdukjen e pasojave të regjimit komunist”. Në bazë të kësaj rezolute kërkojmë dënimin ligjor të diktatorit Enver Hoxha. Kërkojmë ligjin e lustracionit për të gjithë bashkëpuntorët e sigurimit dhe organeve të tjera të diktaturës. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe përpilimin e teksteve të reja shkollore të mbushura deri më sot me propagandën komuniste. Kërkojmë ngritjen e muzeve nëpër qëndrat kryesore të përndjekjes si në Tepelenë, Burrel dhe Spaç. Kërkojmë ndërtimin sa më parë të memorialit të viktimave të komunizmit në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Së fundi kërkojmë ngritjen dhe financimin e një komisioni shtetëror për gjetjen dhe rivarrosjen e martirëve të rënë në luftën kundër komnuizmit.  Këto kërkesa i bëjmë sepse duam një Shqipëri të pastër dhe demokratike ashtu siç kemi ëndërruar dhe luftuar për dyzetegjashtë vjet me rradhë.

Duke përfunduar dhe duke u kthyer edhe nje herë tek libri i Luan Burimit natyrshëm të lind pyetja: Ku do të ishte vendi i tij sot, në rast se sundimi totalitar nuk do t’ia priste me shpatën e Damokleut dëshirën për jetuar i lirë? Përgjigjen kësaj pyetje, ju lutem, jepjani juve të nderuar lexues!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Klithma, Luan Burimi, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT