• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKTORËT SHQIPTARË

October 6, 2021 by s p


ROBERT BUDINA


Aktori është fytyra e karakterit që ndërton, e veprës ku intepreton, e ideve që një autor apo regjisor do të përcjellë. Shpesh si rezultat i pamundësisë për të punuar në shesh xhirim apo skenë, me apo pa dashje kemi ushqyer idenë se ne nuk kemi aktorë dhe jo vetëm, regjisorë, skenaristë, dramaturgë, kompozitorë, drejtorë fotografie, producentë dhe lista bëhet e gjatë…Në fakt ne më së shumti, kemi shumë pak mundësi shprehjeje, shfaqje teatrale, filma apo serialë shqip ku të gjithë të kenë mundësi të shpërfaqin fuqinë e tyre krijuese e intepretuese. Por kujdes, nuk e kam fjalën që dikush duhet të na bëjë ndonjë dhuratë të çmuar. Mundësia jote duhet kërkuar. Nëse nuk përpiqesh ajo nuk vjen. E kur të vjen ajo mundësi, kurrsesi nuk duhet shpërdoruar.Aktorët tek ne e kanë vuajtur mbase më shumë se të tjerët pamundësinë për të që nën dritat e skenës apo të sheshxhirimit si rezultat i mungesës së veprave, thjesht për faktin se ata janë më të shumtë në numër se krijuesit e tjerë në teatër dhe kinema.Tek seriali ynë KATRORI I PUSHTETIT nuk duheshin pak, por rreth 50 aktorë të moshave nga 7-70 vjeç dhe mundësisht pjesa më e madhe profesionistë.Një sfidë në dukje shumë e vështirë për regjinë dhe produksionin, aq më tepër duke pasur parasysh kohën në dispozicion dhe mundësitë financiare krahasuar me dëshirën dhe kërkesat. Seriali sot në industrinë e audiovizuali, po shpërthen audiencën botërore dhe po mbërthen miliona shikues para ekranit. Cilësia në ide, skenar, stil, intepretim është e niveleve shumë të larta. Nisur nga të gjitha këto kërkesa sfida e realizimit të këtij seriali dukej utopi. Edhe për faktin që përmbajtja e serialit është shumë kërkuese, e bazuar më së shumti në problemet e përditshme që përballet çdo individ në shoqërinë tonë, por me peshë dramatike të madhe. Thelbi është përqëndruar tek përballja e Medias me pushtetet e tjera, Politikën, Biznesin dhe Krimin.Dhe natyrisht gjithçka ishte e bazuar si thuajse në çdo serial në botë, tek aktorët.Personalisht kam vlerësuar gjithmonë punën e aktorëve shqiptarë dhe në përgjithësi i kam parë me pozitivitet punët e tyre.Nuk kisha pritshmëri të mëdha kur bëmë përzgjedhjen e tyre në një proces shumë të gjatë pune. Në këtë proces, fillmisht zbulova një diapazon të madh mundësish përzgjedhjeje dhe mbi të gjitha në dilemë të madhe për të ndarë rolet finale. Kuptova se edhe unë me apo pa dashje isha ndikuar nga paragjykimi se nuk kemi aktorë. Por gjatë punës, çudia nuk përfundonte. Përveç potencialit intepretues të aktorëve që përzgjodhëm, zbulova dhe aftësinë e tyre krijuese në pjesën më të madhe, të cilën unë e çmoj shumë. Aq sa për disa prej tyre, falë gjetjeve që sollën modifikuam dhe pasuruam rolet e tyre.Puna ishte shumë intensive, ditët e punës ishin të gjata dhe isha përgatitur edhe për momente krizash si rezultat i ngarkesës së madhe. Krizat si kudo ndodhën, por ato u kthyen realisht në forcë dhe e çuan në një stad edhe më të lartë krijimin. Ndodhi sepse në ajër kishte shumë energji pozitive e mbi të gjitha besim.Çuditërisht koha kaloi shpejt dhe xhirimet mbaruan pa ndjerë peshën e ryre. Si përfundim pas pesë muajve montazh në përpjekje për të nxjerë më të mirën, mund ta them me bindje se në Shqipëri kemi aktorë me potencial të madh me gamë të gjërë intepretimi, fantazi, freski, gjetje në karakter. Shkurt ajo me të cilin e nisa këtë rrëfim, nuk qëndron. Realisht kemi aktorë që mund të luanin kudo, edhe në filmat apo serialet më të sukseshëm në botë. Dhe këtë e them pasi punova pesë muaj rrjesht në montazh me fytyrat e tyre dhe nuk u lodha kurrë, çdo ditë zbuloja gjëra të reja prej tyre, që më jepnin mundësi të zbuloja nuanca, që kur e shkruam dhe ideuam serialin nuk i kishim menduar.Ishim ne me fat që zgjodhëm ata aktorë, apo ishin ata me fat ata që punuan me ne? E sigurt është, që ishim me fat që gjetëm njëri tjetrin.Tani montazhi përfundoi, ngelet procesi i miksazhit të zërit dhe color correction, apo rregullimi i ngjyrave në varësi të stilit që duam të ndërtojmë.Ngelet që ndjesinë që përjetova unë për shumë kohë përgjatë punës, ta përjetojë edhe publiku. Jam shpresëplotë që kjo ka për të ndodhur. Jam shpresëplotë që seriali si koncept është një mundësi e artë të të zhbllokuar shumë energji krijuese në Shqipëri, se ai do të hapë një epokë të re në industrinë e audiovizualit.Jam shpresëplotë se aktorët tanë, do marrin rëndësinë që u takon dhe do të konkurojnë bindshëm me shumë produkte të tjera televizive, jo rrallë tejet vanitoze që kanë pushtuar ekranet tona.Nuk më ngelet veç ti falenderoj të gjithë aktorët që ishin pjesë e KATRORIT TË PUSHTETIT, për realizimin e roleve të tyre.Elva- Ema Andrea Gentaiana – Dasara Xhangolli Nina – Sara Smaja Artani- Neritan Liçaj Kujtimi – Romir Zalla Ylli- Gentian ZenelajBerti – Orli Shuke Vasjani – Eni Shehu Kristaqi – Myzafer Zifla Drejtoresha e Policisë – Adriana TolkaBabai i Ninës- Arben Spahija Anxhela – Xhulia MusagalliuVioleta – Nijada SaliasiZhaklinë – Ilirda BejleriEksperti i policisë – Mateo Cingu Prokurori – Marvin Tafaj Rigela – Joel DudushiFatma- Suela Bako Hana – Helena KolaBlerimi- Albano ProdaniFatmiri – Margent Caushi Operatori – Urim Aliaj Shoferi – Erion Hinaj Mirela – Eva Murati Xhevdeti – Pëllumb DervishiNëna (Red Construction) – Natasha Sela Fadili – Naun Shundi Drejtori i burgut – Kastriot RamollariDrejtori i urbanistikës – Ledio Ledio Te Lutem Topalli Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës – Medi Gurra Kaciqi Drejtoresha e shkollës – Flonja KabaMjeku – Rudi KoçibelliMjeku ligjor – Florian Kokona Mjekja e spitalit privat – Nigda Dako Arkitekti i bashkisë – Leandër Leander Leo Ljarja Shoku i Bertit – Klejdi MetaEfektivi i plocisë rrugore – Lorenc Kaja Gazetarja – Frenki Veshi Gjyqtari – Selajdin MyftarajMjeku i ekspertizës – Marin PepkolaMe shumë respekt për të gjithë aktorët e serialit KATRORI I PUSHTETIT
Robert Budina

Filed Under: Kulture Tagged With: Katrori i pushtetit, Robert Budina

TIRANA, “VRASJA” E NJË KRYEQYTETI

September 7, 2021 by s p

Regjizori Robert Budina në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon shkatërrimin e identitetit kulturor, historik, arkitekturor dhe urbanistik të Tiranës, lejet kriminale të ndërtimit në funksion të mafjes së betonit, asgjësimi i trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimin e memories institucionale të Tiranës.

SHKATËRRIMI I IDENTITETIT KULTUROR, HISTORIK, ARKITEKTUROR DHE URBANISTIK TË TIRANËS

Shqipëria është  i vetmi vend në Europë ku trashëgimia kulturore nuk ka asnjë rëndësi. Institucionet që duhej ta ta zhvillonin, mirëmbanin, rijetëzonin si Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve janë ineksizstente, ose dhe më keq, ato janë vënë në funksion të interesave të pushtetit që gllabëron çdo ditë pronën publike, madje ç’është më e keqja edhe atë ku ndodhen godinat të shpallura në kohë monument kulture. Këto institucione, shpesh kanë shërbyer për të justifikuar me dokumenta e shkresa të ndryshme shembjen e monumenteve të Kulturës, për t’i hapur hapur rrugën ndërtimit në vend të tyre, të kullave të pastrimit të parave, të krimit të organizuar, ku shpesh sipas raporteve ndërkombëtare, është e përfshirë vetë qeveria shqiptare. Tirana është shembulli më i qartë i shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore. Rastet janë të shumta: stadiumi, vilat e viteve 1920-1944, sheshi Skënderbej, Sahati, Teatri Kombëtar. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur për BE, ku Shqipëria aspiron të futet, ruajtja dhe rijetëzimi i trashëgimisë kulturore është primare. Ky shkatërrim ka qënë i vazhdueshëm në kohë dhe lulzimin e tij e pati kur Tirana u drejtua nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj. I pari edhe pse vinte nga fusha e Kulturës dhe karrierën e tij, si ministër kulture e filloi me kthim në identitet të ministrive, shpejt u kuptua se e bëri këtë thjesht dhe vetëm për propogandë. Jo vetëm që nuk u kujdes për trashëgiminë kulturore, por shpejt filloi sulmet ndaj saj. Shembulli konkret ishte kur ideoi shembjen e Teatrit Kombëtar, që në kohën kur ishte ministër kulture dhe nuk hoqi dorë kurrë, deri sa ia mbërriti pas 20 vjetësh si kryeministër duke përdorur 1500 forca policie natën e 17 majit 2020. Për mënyrën se si qeveritë e majta janë sjellë me Trashëgiminë Kulturore tregon se ka një strategji të qartë për të zhdukur rrënjët e saj, për të krijuar njeriun e ri modern globalist pa identitet, sepse ai në këtë formë është më lehtësisht i dominueshëm. Në kohën e qeverisjes së Erjon Velisë në bashkinë e Tiranës ka një rekord të lejeve të ndërtimit dhe atij do t’i ngelet përjetësisht damka si njeriu që sulmoi për interesat e kryeministrit dhe oligarkëve trashëgiminë kulturore. Në kohën e tij u tjetërsua sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, u zhduk stadiumi, Qemal Stafa, u shemb Teatri Kombëtar dhe thuajse të gjitha vilat e një shekulli më parë. Në asnjë vend tjetër qoftë edhe të rajonit nuk ka ndodhur kjo batërdi me trashëgiminë kulturore. Përkundrazi fqinjët tanë jo vetëm e kanë zhvilluar atë, por edhe e kanë krijuar nga hiçi, siç ishte rasti i Maqedonisë së Veriut me projektin Shkupi 2014 ku u ndërtuan statuja në qendër të qytetit për të revokuar të kaluarën e tyre historike, sepse ata e dinë shumë mirë që trashëgimia kulturore, arti, kultura janë mjetet për të pasur dominimin në rajon. 

TIRANA NËN THUNDRËN E BETONIT VRASTAR, NJË ASFIKSI E PANDALSHME

Sipas një studimi të BE betoni e ka rritur ngrohjen globale me 8% në planet. Kjo ishte arsyeja pse në qytetet europiane ai duhet të ulë ndjeshëm përdorimin dhe theksi i zhvillimit ekonomik duhet të jetë rijetëzimi i trashëgimisë kulturore dhe mirëmbajtja e saj. Për këtë arsye vendet europiane kanë firmosur marreveshjen e gjelbër që të marrin përgjegjësitë e mbarëvajtjes së klimës jo vetëm të vendeve të tyre, por të gjithë planetit. Në kohën e vështirë të pandemisë BE ka vënë theksin që trashëgimia kulturore, arti dhe kultura janë mjetet themelore që ndihmojnë njeriun shiprtërisht për të kaluar vështirësitë e kohëve që jetojmë. Përkundrazi në Shqipëri betoni është mjeti kryesor, për të përfituar, ruajtur pushtetin ekonomik dhe politik, eliminuar demokracinë me blerjen e votave. Tirana me kullat që po ngrihen kudo në hapsira shumë të ngushta pa strategji dhe plan urbanistik, po e çon Tiranën në asfiksi totale.

NDËRTIMET NË TIRANË SI TEJZGJATJE E KRIMIT, TRAFIQEVE NDËRKOMBËTARE, PASTRIMIT TË PARAVE DHE LIDHJEN E POLITIKËS ME MAFJEN E BETONIT

Para një viti nga raportet e antimafias italiane doli që Ndrangheta një organizatë mafjoze që zhvillon aktivitetin e saj në Kalabri përmes disa biznesmenëve kishte lidhje direkte me ndërtimet e kullave në qendër që po ndodhin së fundmi në Tiranë. Në përgjimet e saj del se këta njerëz kanë pasur lidhje direkte me kryetarin e bashkisë së Tiranës. Tenderat në përgjithësi nuk kanë garë fare dhe janë thuajse të njejtat kompani që i fitojnë. Madje së fundmi bashkia Tiranë ka krijuar një shoqëri aksionere Tirana Dc, e cila mund të ndërtojë vetë pa pasur nevojën e kontraktimit të kompanive private. Kjo shoqëri bie ndesh me ligjet shqiptare, sepse shoqëritë aksionere ku merr pjesë shteti mund të ofrojnë vetëm shërbime dhe jo të përodren për prodhim. Pra vjedhja e fondve publike tashmë kryhet me ligje antikushtetuese.

“RIJETEZIMI” MODERN I KRYEQYTETIT SI KAOS VETËSHKATËRRUES

Që në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie në Tiranë nuk ka pasur kurrë plane urbanistike, kjo për faktin e thjeshtë që në këtë menyrë mund të ndërtohet kudo dhe kurdoherë pa qënë peng i rregullave. Në këtë mënyrë shtohet sipërfaqja ndërtimore dhe fitimet janë më të mëdha. Ndaj Tirana sot është peng i kaosit urbanistik dhe ndërtimeve të improvizuara. Plani urbanistik do të ulte shumë normën e fitimit të pushterëve që lëshojnë lejet e ndërtimit. Ndaj dhe densiteti i tyre është më i madh në qendër, sepse aty metri katror i sipërfaqes ndërtimore kushton më shumë.

TIRANA DHE VDEKJA E AUTENTICITETIT TË NJË KRYEQYTETI

Që të ruhet trashegimia kulturore nuk mjaftojnë politikat qeveritare, duhet patjetër që të ketë edhe një ndjeshmëri qytetare, një ndërgjegjësim për vlerat dhe dobitë e saj. Fatkeqsisht kjo ka ndodhur rrallë në Shqipëri, dhe pushteti e ka pasur të lehtë t’a shkatërrojë trashëgiminë për qëllime fitimi. Nuk janë të rralla kur vetë pronarë ku ka pasur trashëgimi kulturore e kanë dorëzuar tek pushteti në këmbim të interesit, kur specialistë të saj kanë gjetur mënyrat për t’i hapur rrugën atij për qëllime fitimi. Shkalla e ulët e këtij formimi tek njerzit dhe përdorimi i kësaj mjeshtërisht nga pushteti ka sjellë një trasformim të tillë të pandalshëm të Trashëgimisë Kulturore.

TIRANA LUNDRON MES NDOTJES SË LARTË DHE KAOSIT URBAN

Ndërtimet e pandalshme kanë rritur shumë shkallën e ndotjes në Tiranë. Por krimi qëndron në mënyrën se si pushteti propogandon, se ai  po shton hapsirat e gjelbërta me skeçe mbjelljesh të pemëve, apo të disa shkurreve në sheshin Skënderbej për mbulimin e ndërtimit të dhjetra kullave.

TIRANA NËN THUNDRËN E KULLAVE E GRADAÇELAVE HIJERENDA

Janë zhdukur të gjitha fushat sportive, lulishtet ku luanin fëmijët dhe janë zëvëndësuar me ndërtime dhe për të mbuluar këtë para tyre vendosen disa lodra fëmijësh siç ishte rasti i kullës tek shtatë xhuxhat ku parku i lojrave u zëvëndësua me disa lodra plastike para kullës të vendosura në beton.

PARIA POLITIKE E TIRANËS DHE NOSTALGJIA PËR KOMUNIZMIN

Strategjia e qeverive të majta ka qënë e qartë, asgjësimin e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, për të zhdukur simbolet dhe eliminuar kundërshtarët e tyre ideologjikë. Përkundrazi kanë ruajtur ndërtimet e simboleve të diktaturës siç ishte rasti i piramidës, e cila nuk ka pasur fare histori nëse e krahason me teatrin apo vilat e shekullit të kaluar. Pra shembjet e trashegimisë kanë qënë selektive dhe me qëllime politiko-ideologjike. Ajo që e bën edhe më të rëndë, është metoda se si pushteti i majtë në Shqipëri e realizon këtë ide diabolike. Fillimisht përdhos historinë e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, siç ishte rasti i Teatrit Kombëtar që e cilësuan si dopo lavoro, apo stallë kuajsh për t’i ulur vlerën.

SHKATERRIMI I MEMORIES INSTITUCIONALE TË TIRANËS

Tirana është 102 vjet kryeqytet. Identitein e saj të metropolit e mori në vitet 30 me ndërtimet italiane të shëtitores Dëshmorët e Kombit, kompleksit të ministrive, kompleksit të miqsisë shqiptaro-italiane Skanderbeg pjesë e të cilit ishte dhe teatri kombëtar. Ideimin e tyre e bënë arkitektë që kanë bërë histori në Europë si Bosio dhe Bertè. Këto ndërtime u bënë në përshtatje me atë që ishte Tirana e atyre viteve duke i dhënë një frymë më moderne krahasuar me të kaluarën otomane të saj. Sot të gjitha simbolet që bënë Tiranën e 100 viteve të fundit dhe historinë e saj nuk ekzistojnë më. Në vend të tyre janë kulla pa të kaluar dhe histori si simbol i pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe përçudnimit të shpirtit njerzor që ka humbur ndërgjegjen e vet: trashëgiminë Kulturore.

Filed Under: Featured Tagged With: Robert Budina, Teatri Kombetar, tirana

“Agon” fiton çmimin “Filmi më i Mirë” në festivalin amerikan

March 22, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta, Ph.D., New   York/

 Filmi Agon u shtua në listën e filmave më të mirë për vitin 2013, realizim i përkryer i regjizorit të shquar Robert Budina. Filmi luhet me mjeshtëri nga aktori i ri Guljem Kotori i cili u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë” (Best Actor Award) në Festivalin e Filmit “Bloody Hero International Film Festival” në Arizonë, SH.B.A. Festivali u mbajt në shkurt 2013 dhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve ishte me 10 shkurt. Filmi Agon fitoi çmimin “Filmi më i Mirë” (Best of Fest) me produksion të Era Film, Shqipëri.

“Ky çmim duket sikur erdhi nga hiçi sepse ishte fare i papritur dhe nuk e prisja që filmi të vlersohej maksimalisht me çmimet më të mëdha të festivalit. Kam parë në garë ishin pjesa më e madhe filma amerikanë dhe shpresat për një çmim dukeshin fare të vogla. Anëtarët e jurisë dhanë të gjithë votën maksimale dhe kjo më ka bërë të ndihem shumë mirë dhe të rihap edhe njëherë projektet për të ardhmen. Mendoj se Guljem Kotori që fitoi çmimin si Aktori më i Mirë është një talent i ri që dhe në filma të tjerë do të tregojë se ky çmim nuk ishte aspak rastësi për të. Edhe në raste të tjera ai është vlerësuar nga njerëz të ndryshëm të industrisë së filmit që kanë parë filmin Agon,” tha regjizori i njohur Robert Budina.     

“Ishte e pa pritur dhe një surprizë shumë bukur për mua. Ky vlerësim më bëri të ndihem mirë për atë çka unë kam bërë në filmin Agon. Gjithashtu ky çmim më ka bërë të jem këmbëngulës akoma më shumë në karierën time si aktor dhe pse nuk kam bërë një shkollë për aktrin dhe nuk po e bëj momentalisht,” u shpreh aktori i talentuar Guljem Kotori.

 “Eksperienca në filmin Agon ishte më e bukura ekzperiencë që unë kam pasur deri tani në jetë, në shumë aspekte. Kjo eksperiencë ka qenë si një shkollë për mua, më ka mësuar shumë gjera mbi filmin, mbi aktrimin. Falë aktorëve profesionistë që unë kisha në krahë, me në krye regjizorin Robert Budina dhe falë punës parapregatitore që ne kemi bërë, më  kanë mësuar shumë rreth aktrimit dhe filmit,” shtoi Guljem Kotori.Filmi u realizua në Selanik dhe në Kapshticë të Korçës. Rolet kryesore luhen nga aktorët e talentuar: Antonis Kafetzopulos, Guljem Kotori, Isabella Kogevina, Xhevdet Jashari, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili dhe Marvin Tafaj (www.agonfilm.com).

 Filmi Agon ishte përzgjedhje zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cikago (Chicago International Festival Film). Gjithashtu, filmi Agon është përzgjedhur në garën zyrtare të festivalit Bifest të Barit, një nga festivalet më të rëndësishme në Itali. Filmi u shfaq me 20 mars 2013 në orën 18:30 në teatrin Petruzelli. Menjëherë pas tij, në orën 20:30, Adriano Çelentano, këngëtari i njohur italian mori çmimin e karrierës si aktor. Njëkohësisht, filmi Agon është zgjedhur në festivalin South East European Film Festival, në Los Angeles, Sh.B.A., një festival shumë i rëndësishëm për Hollivudin dhe industrinë e filmit amerikan, që fillon në maj 2013.

“Ndërkohë po presim përgjigje nga shumë festivale të tjera ku kemi aplikuar. Njëkohesisht filmi u shfaq në kinematë greke ku u prit shumë mirë, kam marrë shumë mesazhe nga publiku grek që e ka pëlqyer filmin. Filmi në pjesën më të madhe është pritur me shumë entuziazëm por nuk kanë munguar rastet kur ka pasur edhe reagime të forta kundër tij. Mendoj se kjo ndodh për faktin që filmi është shumë provokativ. Shumë festivale që kanë dashur të marrin fillimisht më pas kanë hequr dorë sepse filmi ka skena të forta dhune dhe nuk është i lehtë të “përtypet” nga audienca sidomos ajo europiane. I jemi afruar shumë festivaleve të mëdha si Kane, Venecia, Berlin dhe Tribeca por jemi eliminuar gjithmonë në çastet e fundit të perzgjdhjes,” tregon regjizori i filmit Agon, Robert Budina.

INTERVISTA- Eksklusive: Intervistë me regjizorin Robert Budina

Bisedoi Ermira Babamusta

  Çfarë ju bën më shumë krenar për filmin Agon?  

 Robert Budina: Fakti që Shqipëria ishte vendi lider i produksionit dhe që udhëhoqi një projekt ku ishin vende si Rumania, Greqia dhe Franca dhe që në këtë projket kishim dy Palma të Arta të Kanes, producentin rumun Daniel Burlac që fitoi në 2007 me filmin e Mungiut 4 Javë, 3 ditë e 2 net, dhe drejtorin e fotografisë, Marius Panduri, i cili ka fituar Palmën e Artë me filmin  12.08 Bukuresh me 2006. Jam krenar që dhe ne mund të realizojmë projekte me një rëndësi të tillë.

Personalisht ishte maksimumi që mund të arrij, të punoj në grup më bën të shprehem në maksimumin tim dhe natyrisht më pasuron eksperienca të reja jete. Profesonalisht arritja e përfundimit të një projekti të tillë relativisht të madh më ka hapur horizonte të reja që më parë nuk njihja. Por për mua të kem mundësi të punoj me kameraman dhe aktorët dhe të realizoj idetë e mija me anë të tyre dhe trupës është maksimumi që një krijues mund të ëndërrojë.

Cili është mesazhi për audiencat që shikojnë filmin Agon?

Robert Budina: Që shqiptarët nuk janë kriminelë, janë njerëz të sakrificave, të cilët kanë energji shumë pozitive brenda tyre; që kanë guxim të përballen edhe me fenomenet negative për të cilat kombe të tjera mbase me të drejtë i paragjykojnë; që familja për ta është gjëja më e shtrenjtë dhe për të cilën ata do të bënin sakrificat më të mëdha.

 Filmi Agon tregon historinë e një familje shqiptare që integrohet në shoqërinë greke. Si e paraqesin kulturën shqiptare dy karakteret kryesore të filmit, Saimiri dhe Vini për grekët ?

 Robert Budina: Saimiri ka trashëguar nga familja e tij kujdesin që prindërit kanë për fëmijët, që vëllezërit dhe motrat e mëdhenj kanë për ata më të vegjël, kujdesin që pjestarët e saj kanë ndaj njëri-tjetrit. Dikur familja shqiptare ka qenë shumë e fortë dhe e lidhur, vlera të cilat sot mungojnë në familjen perëndimore, ku shumë më tepër rëndësi merr individi se sa forca e familjes.

 Duke qenë se babai i tyre ( i Saimirit dhe Vinit) ka vdekur, shpejt Saimirit i është dashur të bëhet babai i vëllait të vogël dhe të kujdeset gjithmonë për të. Janë pikërisht këto veti të tij që kanë bërë përshtypje tek e dashura greke e Saimirt, Elektra, dhe babai i saj, Niko, i cili sheh tek Saimiri strehën e sigurtë të vajzës së tij. Ndaj dhe Saimiri jo vetëm është integruar shpejt në Greqi, por edhe mjaft i vlerësuar nga të gjithë shokët e miqtë që ka atje. Nuk është e njejta gjë për Vinin, i cili duke qenë artist dhe adoleshent, pasi i vëllai ka ikur në Greqi ku po përpiqet të ndërtojë familjen e tij të re, ndihet i lënë pas dore. Ai mendon se vjerri i tij grek e tërheq prej hunde dhe i kontrollon jetën dhe që Saimiri për shkak të fejuarës se tij është servil ndaj vjerrit dhe grekërve në përgjithësi. Këto e bëjnë të jetë i ftohtë ndaj familjes së re të Saimirit në Greqi dhe për rrjedhojë refuzon të integrohet në realitetin e tij të ri në Greqi.

 Shpesh të gjendur vetëm mes një realiteti të ftohtë për familjet e emigruara dalin në pah edhe më shumë tradita dhe zakonet e vendit të tyre të origjinës. Nëse do të merrja shembull familjet e shqiptarëve për mua ato janë objekt sutdimi në botë sepse arrijnë me një lehtësi të jashtëzakonisht të madhe të integrohen pa harruar për asnjë çast kulturën e tyre. Mjafton të përmendësh familjet arbëreshe që jetojnë në Itali sot të emigruara para rreth 500  vjetësh.

Sa mirë pranohet familja shqiptare në Greqi? A ështe e natyrale trazicioni apo i vështirë për të gjetur balancin midis dy kulturave?

Robert Budina: Saimiri është pranuar më së miri, madje ai mund të ishte modeli i çdo babai grek për t’i besuar bijën, pasi ishte i përgjegjshëm, i sakrificës, i dashur, punvtor, i respektueshëm. Ndërsa Vini duke paragjykuar pjesën greke të realitetit të vëllait tëtij, refuzohet dhe paragjykohet nga vetë pjesa greke. Duke u ndjerë i lënë pas dore ai do të përpiqet t’i tregojë vëllait se sai  zoti është të bëjë vetë në jetë, pa ndihmën e tij. Për Simirin, integrimi është shumë natyral dhe i natyrshëm, pasi ai është kokëulur dhe bën gjithçka të nxjerrë në pah vlerat më pozitive të shoqërisë shqiptare. Ndërsa Vini, si rezultat i ndjeshmërisë së tij të lart prej artisti dhe moshës adoleshtente, ka nxjerr në pa temperamentin dhe energjinë e papërmbajtshme të një të riu në autovërtetim, dhe përpiqet të ngrihet mbi realitetin e vendit ku ka shkuar të jetojë. Shqiptarët janë shumë mendje hapur dhe në pjesën më të madhe kanë arritur shumë mirë të integrohen. Mendoj se në origjinë shqiptarët janë një popull emigrant në vazhdimësi, sepse kane qenë të pritur ta shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit të origjinës. Kjo ka ndodhur që në kohët e lashta dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, por mrekullia qëndron në faktin që ata nuk i kanë humbur kurrë kontaktet me kulturën dhe traditat e tyre. Në këtë pikë mendoj se janë unikale në historinë botërore.

Në këtë lloj situate, si e ruan njeriu identitetin, por arrin të integrojë në kulturën e re, pa harruar se kush janë?

 Robert Budina: Saimiri përpiqet të mbajë një ekuilibër ndërmjet familjes së re greke që përfaqëson të ardhmen e tij, dhe familjes së tij shqiptare që përfaqëson tashmë të shkuarën e tij ose më së miri rrënjët e ij. Ky ekulibër nuk është i thjeshtë, pasi për t’u martuar me një greke i duhet të ndërrojë fenë dhe emrin në mënyrë që të pranohet nga komuniteti grek. Ai bën ç’është e mundur që t’ja arrijë kësaj ndaj edhe kur mbërrin nga Shqipëria familja e xhaxhait në hall për operacionin e tij, ai bëhet copë për ta ndihmuar, duke u futur në konflikt me vjerrin e tij grek. Ky i fundit nuk do t’i hapen probleme me klandestinë shqiptarë në shtëpinë e tij. Në këtë pikë Saimiri ndihet i plagosur, por megjithatë përpiqet përsëri t’i kalojë vështirësitë dhe të mos lerë pas dore asnjërën nga dy familjet e tij.

 Si e ruajnë këtë ekulibër Saimiri dhe Vini në filmin Agon?  

Robert Budina: Saimiri përpiqet të mbajë ekulibrin duke u kujdesur si për familjen e xhaxhait, ashtu edhe duke u dhënë pas të fejuarës së tij greke, pa harruar punën e vështirë që bën si mekanik në oficinën e vjerrit të tij grek. Pra ai përpiqet të përballojë si pjesën fizike të problemit por edhe atë psikologjike të tij. Ndërsa Vini mendon se integrimi i tij do të jetë shsumë më i shpejtë nëse ai bëhet zot i vetes nga ana fianciare ndaj dhe kërkon të bejë lek në mënyrë të shpejtë dhe të paligjshme duke u marrv me trafik dokumentash me ndihmën e Benit, një trafikant shqiptar që e bën prej vitesh këtë punë. Ai mendon se pamvarësia ekonomike do ti japë shansin të ndërtojë jetën ashtu si ka dëshrië dhe njëkohësisht të mos lerë pas dore pasionin e madh që ka për pikturën.

Nga pikpamja e regjizorit cilat paragjykime doni të rrëzoni me këtë film?

 Robert Budina: Që nuk ka kombe të kategorisë së parë e të dytë, që pavarësisht diferencimeve kulturore midis vendeve me zhvillim të ndryshëm ekonomik e social, qënja njeri është kudo njëlloj dhe duhet të trajtohet e tillë. Që krimi nuk ka kombësi, që krimi nuk ka shihet në mënyrë sipërfaqësore, që për ta kuptuar atv duhet një vështrim më i tellë mbi fenomenin; që një kriminel duhet kuptuar në veprimet e tij në mënyrë që të kesh mundësi ta parashikosh, që shpesh njerës në vështirësi të mëdha jetese në mënyrë të papritur mund të kthehen në kriminelë.

Çfarë tregon filmi Agon për vështirësitë në jetë?

Robert Budina: Zgjidhja e çdo vështirësie është një familje e shëndoshë, pavarësisht kontradiktave.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Agon, Ermira Babamusta, filmi me i mire, fiton cmimin, Robert Budina

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT