Nga R.Gurakuqi, nipi i Karl Gurakuqit/
Sot, nga Kryeministri i Republikes se Shqiperise u perkujtue 95 vjetori i themelimit te Bibliotekes Kombetare. Publiku priste qe me kete rast te njoftohej nje projekt mbi ndertimin e nje Biblioteke te vertete Kombetare. Sot në 95 vjetorin e themelimit, nga ana tjeter askush nuk u kujtua per themeluesin e Bibliotekes Kombetare, Profesor Karl Gurakuqin, njeriun aq të dashur të familjes sime, që e çoi një jetë të tërë në shërbim të arsimit kombëtar, gjuhësisë shqiptare, nxënësve shqiptar, në veri dhe në jug të Shqipërisë, dhe mes arbëreshëve të Siçilisë dhe Kalabrisë. Pavarësisht se Kryeministri dhe shpura e tij e antikulturës nuk u kujtua për axhen tonë, për t’i bërë një nderim, unë jam i bindur që shqiptarët e nderojnë vepren e Karl Gurakuqit per Shqiperinë dhe shqiptarët. Shkodranët, Tironsit, Vlonjatët, Arbëreshët e Siçilisë dhe Kalabrisë, bota shkencore do ta nderojë përjetë vepren e tij. Lavdi Vepres se Punetoreve te Ndershem te Kombit, Arsimit, Kultures dhe Shkences”. Ata s‘kane nevoje per nderimin e politikaneve te sodit. Ato i nderon populli thelle ne zemren e vet. Pac Drite gjithmone axha Karlo! Themelimi i Bibliotekes Kombetare dhe Muzeut Histori Kombetar. Nga Karl Gurakuqi Shkëputur nga ditari i tij. Qi mos të harrohen. Ditár.Themeloj Bibljotheken Kombtare-28 nanduer 1922 Mbasi asht kthye në Tiranë nga Salzburgu ku kishte qene per vizite, Karl Gurakuqi, „ Me 10 nânduer 1920, u vûna me shtrue relacjonin mbí misjonin t’em n’Austrí të pjekjes me prof. Patsch-in ashtu edhe rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme), e cila në vjetin 1922 (shif mâ tutje) vlefti si bazë për krijimin e Bibljothekës Kombtare. Sikurse u tha në f. 413 të këtij ditari, unë shkova n’Austrí në vjetin 1920 (korrik) për të studjue organizimin e bibljothakavet mbassi i kishim vû themelet bibljothekës së ministrís me librat e ish-komisis letrare të Shkodrës, qi unë i solla prej Shkodre në Tiranë. Rexhep Mitrovica, ministri i arsimit ishte njerí i kuptueshëm, puntuer i palodhëshëm; e kishte shum për zemër përparimin e vendit me anë veprash kulturore, me hapje shkollash, me botim librash dhe rivístash. Nën dikasterin e tij i u dha rrugë botimit t’organit të ministrís s’arsimit me titullin “Revista Pedagogjike”, numri i parë i së cilës doli me 1 shtatuer 1922, nën drejtimin e Salih Çekës, e mbas këtij, për nji kohë të shkurtë, nën atë të Nebil Çikës. Në vjetin 1925 e mora unë drejtimin, të cilin e mbajta për tre vjetë deri në fundin e vjetit 1927. Rexhep Mitrovica e shpërnguli ministrín e arsimit nga shtëpija e Selim Stërmasit, e pa-dêjë për nji ministrí, në shtëpin e Abdi Toptanit, në Rrugën “Pjetër Bogdani”, të cilën mâ vonë e bleu italjani Viansone, qi e shendrroi në hotel-restaurant “Hotel Continental”, e qi mâ vonë në vjetin 1943, u vendos komanda e ushtrís gjermane, ku e kishte zyrën komandanti i ushtrivet SS, gjeneral Fitztum. Shtëpija ishte e gjânë, me shum oda poshtë e nalt, me nji kopësht të madh përpara. Në pjesën përdhese ishte nji salon i madh nga ana e rrugës. Këtu patëm vendosë librat e bibljothekës s’arsimit, nji bibljothekë e vogël, por mjaft e pasun, për atëherë, me botime shqipe, sidomos me ato të botueme në Shkodër nga të trí shtypshkrojat e qytetit: “E Papërlyemja”, “Françeskanja” e”Nikja”; këto botime i kishem pasë mbledhë unë në Shkodër. Ndër këto bâjshim pjesë kolekcjonet e plota të revistavet “Elçija e Zemrës së Krishtit” dhe Zâni i Shna Ndout”. Me ministrin e poqëm mendimin qi kjo bibljothekë të bahej botore e të pagzohej “Bibljothaka kombtare”. Mbassi u pasunue edhe me vepra tjera, të cilat shkojshem tue i lypë andej e këndej nepër privatë(Unë vetë i dhurova dyqind libra nga bibljotheka e eme private.)e nepër zyra, me 28 nânduer 1922 u bá inaugurimi zyrtár, ku muerën pjesë të gjitha auktoritetet, tue nisë prej ministravet, e nji shumicë populli. Fjalimin e rasës e bâni Rexhep Mitrovica e, fill, mbas tij, fola unë, tue theksue rândsin qi kanë bibljothekat për kulturën e njij populli. Drejtimin e bibjothekës e mbajta unë përkohësisht derisá u êmnue Visko Babatasi. Prof. Karl Patsch në Tiranë- Themelimi i muzeut kombtar. Nji veprimtarí e gjallë vijon në ministrín e arsimit. Ministrija e arsimit, nën drejtimin e Rexhep Mitrovicës, shkroi fletë të paharrueshme në historínë kulturore të Shqipnís, Sikurse u tha në fqq. 4115-417 të këtij ditari, në vjetin 1920 ishem takue në Vjenë me prof. Karl Patsch-in, i cilí proponimit qi i bâna për krijimin e njij muzeu kombtár në Tiranë, i pat përgjegjë “se nuk i kishte ardhë ende koha”; me gjith këtê, do ta studjonte çâshtjen e do të rrînte në marrëdhânje me ministrín e arsimit të Tiranës. Në fundin e vjetit 1922 ministrija thirri në Tiranë prof. Patsch-in për të bisedue gojarisht çâshtjen e krijimit të muzeut. Në Ministrí vetëm unë flitshem gjermanisht, kështu qi krejt barra e ndërmjetsimit dhe e punimit me tê rá mbí mue, përveç përkthimit të raportevet, qi ai gadi çdo ditë i parashtronte ministrís; më duhej prá me punue edhe natën.”
Për një Republikë të Pestë të Shqipërisë
Nga Prof. Romeo Gurakuqi*/
Funksionimi i sistemit të qeverisjes, performanca, përgjegjshmëria dhe shpjegueshmëria e sistemit politik në Shqipëri, nuk mund të kuptohet pa analizuar marrëdhëniet që ekzistojnë në mes agjentëve kryesore institucionalë të Shtetit, që e kanë çuar vendin në prag të kolapsit funksional dhe krejt larg parametrave të një demokracie të mirëfilltë liberale. Shqipëria ndodhet prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh nën menaxhimin e një bashkësie politike shumë komplekse, me thelbe qytetarie e intelektualizmi të paplota, të cilës i rrjedhin pranë e pranë lumi punist, orientalist e ballkanik dhe një përrua i tharë liberal. E dallueshme për uncommon sense e vet, mungesën e përgjegjësisë për të respektuar balancat krahinore dhe religjioze, bashkësia e ka çuar vendin në pragun e një ballafaqimi civil, të cilin vetëm ajo nuk e shikojnë në derën e Shqipërisë së rrënuar tërësisht në shpirtin e saj, në unitetin e saj të brendshëm.
Shqipëria është një demokraci elektorale, por që nuk ka arritur të bëhet një demokraci liberale, seose nuk garanton respektimin e lirive civile, nuk mbron dot jetën, një operim të fuqishem të sundimit të ligjit dhe rendit, një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, nuk ka bërë një proces dekomunistizues dhe të transparencës së dosjeve të diktaturës, një shkëputje të plotë nga nepotizmi, klientelizmi e korrupsioni. Shteti shqiptar sot gjendet nën veprimin e kastave sunduese dhe kontrolluese të institucioneve, të ekonomisë dhe strukturave të padukshme, nën një kontroll të plotë të jetës së brendshme politike nga parti që janë ose klienteliste, ose jo demokratike.
Përveçse rezultat i trashëgimisë së sipërpërmendur dhe e veçorive që mban të ndrydhuna bota e prapambetur sociale e kulturore shqiptare, ajo është ndër të tjera rezultat i një kushtetute të mangët të vitit 1998, të cunguar më tej në vitin 2008. Pra, jeta politike shqiptare është prodhim edhe i sistemit të ngritur pamjaftueshmërisht. Ajo kushtetutë e ka vendosur jetën e brendshme politike para tronditjeve të thella, të cilat riciklohen, sa herë që lind nevoja e zgjidhjeve institucionale të radhës, sa herë që afrohen zgjedhje e duhet të bëhen emërime. Vendi ndodhet para nevojës për një kushtetutë të re, të detajuar, të hollësishme dhe korigjuese të sëmundjeve që po e bëjnë të vuajë Shtetin e Shqipërinë, një kushtetute që rindërton unitetin tone të brendshëm nacional dhe kulturorë.
Kësisoj, jo kthimi në kornizën konstitucionale të vitit 1998, që do i mbajë gjallë serish padrinot e së keqës në Shqipëri, pronarët e paligjshëm të pronave të Publikut, por reformimi në disa prej kapitujve themeltarë të Kushtetutës (Rolin e Kreut të Shtetit, rindërtimi i sistemit të Drejtësisë, një kapitull të gjërë shtesë mbi Krahinat dhe grupimet kulturore, përfaqësimin e tyre dhe një kapitull mbi mënyrën e krijimit të një qeverie të balancuar kulturalisht dhe krahinarisht) siç bëri Italia në vitin 2001, ose reformimi tërësor i sistemit Kushtetues nepërmjet transformimi të Republikës së pastër Parlamentare në Republikë Gjysëm-Presidenciale (President Parlamentary), do të ishte qasja më e arsyeshme. Vetëm kështu Shqipëria do të hyjë realisht në fazën e Republikës së saj të Pestë (këtë reformim e kanë bërë përgjithësisht disa prej vendeve postkomuniste që kanë synuar përforcimin e veprimit reformativ në rrugën integruese dhe kanë dashur njimendësisht vendosjen e veprimit të shtetit ligjor dhe integrimin serioz europian. Ky transformim në këto vende është kryer nën shembullin e Francës së 1958-ës që iu desh të minimizonte rolin e partive politike viktima të klientelizmit dhe korrupsionit).
Hapi i parë që do i duhet të zgjidhë shumica e re, jo pa pjesmarrjen e opozitës, mendoj se mund të jetë Reforma Konstitucionale, që do i hapë rrugën me tej reformës institucionale, reformës së sistemit gjyqësor, reformës administrative të ndarjes së re të qarqeve, bazuar në veçoritë krahinore dhe kulturore. Madje, nuk mendoj se mund të përfundohet një reformë administrative territoriale, pa kryer një reformë kushtetuese. Klasës politike shqiptare, ndihmar prej forcave të kualifikuara intelektuale të fushës së konstitucionalizmit, do i duhet të bëjë zgjidhjen në mes transformimit të Republikës, në Parlamentare me President Korrektiv (Parlamentary with President), apo transformimit të plotë të Republikës drejt Gjysëm Presidencializmit (President Parlamentary).
Në qoftë se parimisht do të mendohet që të ruhet Republika Parlamentare, ajo do të mund të transformohet së paku në Parlamentary with President, sepse kështu siç është, ndodhet në impasse të rëndë dhe në pamjaftueshmëri totale vepruese. Në këtë rast, ndryshimi kryesor që mund të bëhet në sistemin tonë është zhvendosja e pozicionit të Kreut të Shtetit, nga një institucion i dobët, në një institucion në mënyrë të moderuar i fuqishëm, ose krejt i fuqishëm, gjë që është e mundur edhe për sistemet parlamentare me mjaft shembuj në Europë. Rasti më tipik është ai i Republikës Italiane ku Presidenti i Republikës është një organ monokratik, i paanshëm, apolitik, që nuk ushtron funksione aktive të qeverisë, por ka detyren e rëndësishme për të vëzhguar nga sipër të gjitha pushtetet dhe për të respektuar ekuilibrat e parashikuara nga Kushtetuta, në mes organeve të ndryshme të shtetit. Synimi vëzhgues është që presidenti të kontrollojë që asnjë institucion të mos mbivendoset mbi të tjerët dhe të verifikojë që janë të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga vetë themeli i shtetit. Në rast se do të vendoset që Republika jonë të mbetet edhe në vijim një Republikë Parlamentare, ajo duhet të behët edhe me një institucion Presidencial të fuqishëm (Parlamentary with President), rolit i Kreut të Shtetit do të duhet të ridimensionohet; atij do të duhet t’i artikulohen dhe shtohen qartë pushtete të rëndësishme që lidhen me funksionet legjislative, ekzekutive, perveç atyre juridike që i ka, dhe njëkohësisht pushtetet ndërmjetësuese e të vëzhgimit të interesave të Publikut, që më situacionin aktual juridiko-konstitucional janë munguese (Shqipëria ka një kushtetutë Pure Parlamentary).
Palët politike shqiptare, pikërisht për këtë mungesë, kanë luajtur të qeta, pa asnjë arbiter të brendshëm dhe janë ballafaquar mes vehtes egërsisht dhe me kosto destabilizuese, sa herë interesat e tyre, jo publike e jo parimore, janë vënë përballë. Institucionit të Kreut të Shtetit do t’i duhet t’i forcohen kompetencat e nxjerrjes së akteve me drejtim presidencial, sidomos ato që kanë të bëjnë me emergjencat politike në vend. Por, sa më sipër, a është e gjitha çfarë ofron një Republikë Parlamentare me President Korrektiv?
Unë mendoj se transfomimi i sipërshënuar do të përmirësonte ndjeshëm Rolin e Kreut të Shtetit si arbitër ndër-institucional, shprehes i interesave të Publikut në tanësi dhe si garant i rendit, por se nuk do të zgjidhte një sëri sëmundjesh të rënda të Shtetit, të politikës shqiptare, nuk do të ndalonte kontrollin e politikës nga krimi i organizuar dhe monopolet dhe mbi të gjitha do ruante edhe më tutje kontrollin partiak mbi kompozimin e ekzekutivit, ndërhyrjen e partizave të vogla e simpatizantëve të tyre në rrjepjen e Ekzekutivit të Shqipërisë, e për rrjedhojë vendi do të gjendej edhe më tutje nëm një destabilitet në vijimësi, nën një transformizëm politik permanent, kapluar nga një sistem i drejtësisë nën kontrollin e ekzekutivave, të interesave të domenit antiligj të Juridikut, apo nën një trafik të dhimbshëm interesash klienteliste dhe nepotike mes individëve të institucioneve.
Në qoftë se një reformë e thellë e sistemit nuk do të ndërmerret, unë mendoj se Principal-Agency Problem do të jetë një fenomen që do ta shoqërojë edhe qeverisjen e ardhshme, pasi është kjo kornizë konstitucionale parlamentare që e prodhon.
Kësisoj unë mendoj se një reformë rrënjësore konstitucionale, që do të ndërmerrte plotësimin e të gjitha boshlleqeve ligjore dhe njëkohësisht do të parashikonte mekanizmat ligjore konstitucionale për shamngien e ligësive të sistemit politik dhe sëmundjeve të lindura nga sistemi, do të ishte një prej mënyrave të shpëtimit dhe Shërimit të Republikës, Shpetimit të Shtetit dhe institucioneve të tija tashmë shumë të kompromentuara dhe të padenja për të qenë pjesë e familjes europiane.
Unë mendoj se Republika e Pestë e Shqipërisë do të duhet të jetë një Republikë Gjysëm Presidenciale, e kuotuar teorikisht si: President-Parlamentary.
Nevoja per një republike gjysëm-presidenciale është e lidhur me kërkesat në rritje të opinionit të shëndoshë të këtij vendit për pjesmarrjen e forcave intelektuale jo partizane në qeveri, me domosdoshmërinë e një shkëputjeje më të madhe të interesave partiake nga drejtimi qeveritar, me reduktimin e incentivave për politikanet e zgjedhur në kontrollin e portofoleve ministeriale dhe departamentale. Në qoftë se do të duhet të rreshtojmë disa arsye për këtë transformim, unë do të vendosja:
1. Zvogëlimi në mos zerimi i ndërhyrjes së partive politike mbi portofolet qeveritare; kodifikimi i mënyrës dhe forcës së kontrollit të partive mbi të njejtat; 2. Nevoja e ndërhyrjes së faktorit unitet i kombit dhe institucionit përfaqësues i interesave të Publikut në kompozimin e qeverisë. Në sistemin gjysëm-presidencial kabineti do të jetë produkt i negociatave në mes Presidentit dhe Kryeministrit, e për rrjedhojë ky komponent i dytë do jetë më aktiv; 3. Dobësimi i marrëdhënieve parti-qeveri, që përbën një domosdoshmëri në sistemin shqiptar, mbasi përdorimi partizan i qeverisjes, po rrënon qendrueshmërinë administrative, performancen dhe ekspertizën e administrates, sjelljen e përgjegjshme ndaj publikut që kjo administrate duhej të mbajë; 4. Nevoja për sigurimin e kontrollit të disa portofoleve të rëndësishme nga ana të besuarve të Kreut të Shtetit dhe këtu kam parasysh, së pari, vetë Kryeministrin, që nuk mund të jetë më një sfidant i Presidentit, por një bashkëpunëtor në të mirë të interesave publike; ministrin e financave, atë të jashtem, ministrin e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë. Të gjithë këto tagra kushtetues i japin Presidentit të Republikës, një ndikim më të madh mbi politiken dhe më shumë patronazh pushtetesh, duke reduktuar rolin e partive politike, klientelave partiake dhe atyre familjare, që në këtë vend janë bërë tmerr për njërëzit e thjeshtë që duan të kenë shpresë në të ardhmen. Ky hap, mendoj unë, është një mekanizem kushtetues që mund të ulë ndikimin e partive në ndërtimin e qeverive, sidomos mbi dikasteret kryesore të tij, minimizon kthimin e dikastereve të akorduara partive në koalicion, në domene grabitjeje partiake dhe hap rrugën drejt depolitizimit real të administrates së lartë të Shtetit. 5) Sistemi gjysmëpresidencial i formatit President-Parlamentary, hap rrugën për përfshirjen në qeveri të një përqindjeje të spikatur ministrash teknicienë, të cilët tipikisht kanë një përgatitje të caktuar administrative, janë jopartiakë dhe janë të caktuar për shkak të ekspertizës së tyre teknike. Formati i lartpërmendur hap rrugën edhe për emërimin e teknicienëve nga bashkësitë fetare minoritare, të harruara nën ombrellat partiake, madje edhe të përsekutuara në heshtjen e një shteti pa vetëdije, nga individët me paragjykime të trashëgueme nga e kaluemja. Rasti më tipik është goditja sistematike që po kryhet aktualisht ndaj qytetarëve të Shkodrës në administratën qendrore, veçanërisht në administratën e Parlamentit dhe në disa prej dikastereve kryesore. Ky është një zhvillim për t’u shënuar nga ndërkombëtarët para vendimit mbi dhënien e statusit Shqipërisë. Pozita aktuale do të duhet të kuptojë se Shqipëria është edhe atdheu i atyre që nuk aderojnë në asnjë parti politike dhe që kanë madje alergji për ato dhe për prerjet e tyre antidemokratike dhe klienteliste. Formati aktual kushtetues u mundëson partive të shmangin përgjegjësitë, përndryshe reforma në kuptimin e përshkruar më sipër i përfshin shqiptarët pa dallim në sistemin politik dhe administrativ. Ndjehem shume i shqetesuar qe administrata e re e ketij vendi nuk e kupton se Parlamenti Shqiptar eshte nje Parlament Pluralist, nuk eshte Kuvendi i RPSSH, ku punesoheshin vetem te besuarit e PPSH. Parlamenti i Republikes se Shqiperise eshte nje Parlament Pluralist dhe per rrjedhoje edhe administrata e ketij intsitucioni, pervecse pluraliste eshte edhe nje administrate e depolitizuar, ne te cilen ka vend edhe per nejrezit pa parti, te cilet perbejne shumicen e qytetareve dhe jane ata qe e respektojne me se shumti Shqiperine, Qytetarin dhe Shtetin. Shqiperia eshte edhe e atyre .Nuk e mendoja kurre qe nen justifikimin e heqjes se te paafteve, te mirenjohurve te kotesise se administrates se djeshme, senksereve dhe injoranteve te administrates se djeshme, do te goditeshin , vetem dhe vetem, qytetaret e denje e te pambrojtur te ketij vendi, te shkolluarit ne universitetet me te mira perendimore, pinjollet e atyre familjeve qe e krijuan Shqiperine, arsimin shqiptar dhe administraten shqiptare, ata qe i sherbyen me devotshmeri qytetareve dhe qe i bene te flasin sot gjuhen shqipe. Mbi te gjitha, nuk e mendoja se nen administraten e kryministrit Edir Rama, do te ndermerrej nje gjueti e paskrupull kunder qytetareve normale te Shkodres, nga ekipet banditeske te dy partive pozitare. 6. Një element tjetër shumë i rëndësishëm që do të duhet të korigjohet në rastin shqiptar është shmangia e kontrollit politik të qeverisë nga partitë që vendosen në bashkëpunim dhe kalimi nën një kontroll të dyfishtë institucional i qeverisë, nga më shumë se një institucion i zgjedhur. Në republikën gjysëm-presidenciale karakteristike është përgjegjshmëria duale politike e qeverisë ndaj Parlamentit dhe ndaj Presidentit, gjë që përbën karakteristiken përkufizuese të sistemit miks parlamentar dhe presidencial.
Republika gjysem-presidenciale e implementuar për herë të parë me kushtetutën franceze të vitit 1958, është konceptualizuar për herë të parë teorikisht prej Maurice Duverger në vitet 1970’ (Alan Siaroff, Comparative presindencies: The inadequancy of presidential, semi-presidential and parliamentary distinction, in European Journal of Political Researche, 42, 287-312, 2003). Ky tip regjimi politik përmban tre karakteristika themelore, secila ndertuar për një funksionalitet të caktuar korigjues të sistemit parlamentar: (a) Presidenti i zgjedhur me votim të përgjithshëm, (b) zotëron pushtete të konsiderueshme dhe (c) ka përballë një kryeministër e ministra të cilët zotërojnë pushtete ekzekutive dhe qeverisëse dhe mund të qendrojnë në detyrë vetëm në qoftë se parlamenti nuk shfaq opozicion ndaj qeverisë. Nga ana e tij Giovanni Sartori, regjimeve gjysëm-presidenciale u mvesh pesë karakteristika:1. Kryetari i Shtetit (Presidenti) zgjidhet me votë popullore, për një mandat të caktuar; 2. Ai e ndan pushtetin ekzekutiv me Kryeministrin, duke krijuar kështu një strukturë autoriteti dual, strukturë, e cila përmban këto tre kritere vijuese: 3. Presidenti është i pavarur nga Parlamenti, por nuk mund të qeverisë vetëm ose drejtëpërdrejtë dhe prandaj vullneti i tij duhet të përcillet përmes qeverisë së tij; 4 në mënyrë të përkundërt, Kryeministri dhe Kabineti i tij janë të pavarur nga Presidenti për sa kohë ato janë të varur nga Parlamenti: Kryeministri dhe Qeveria janë subjekte të votëbesimit dhe mosbesimit të parlamentit dhe në të dyja rastet është e nevojshme mbështetja e një shumice parlamentare; 5 Struktura duale e autoritetit të gjysem-presidencializmit jep mundësi për balanca të ndryshme dhe zhvendosje në mbizotërimin e pushtetetit në mes ekzekutivit, nën kushtin strikt që ‘autonomia potenciale e seciles njësi përbërëse të ekzekutivit mbahet në jetë”. (G. Sartory, Semi-presidentialism: A political model at work, in European Journal of Political Researche, 31, 1994, faqe 128-137).
Nga pikpamja sistematike dhe përmbajtësore, më precise, është për mendimin tim, ndarja e Matthew Shugart, që sugjeron këto katër tipe regjimesh politike, të cilat ne, jo rastësisht i përdorëm në tekstin pararëndës: 1. Regjim të pastër Presidencial; 2. Premier- Presidencial; 3. President-Parlamentary; 4 Parliamentary with President dhe 5 pure Parliamentary (Shugart, M.S. (1993) Of Presidents and Parliaments, East European Consitutional Review 2, faqe 30-32).
Duke e konsideruar Republikën e Shqipërisë një republikë të pastër parlamentare, (tashmë të dalë mode e të dekompozueme nga funksionaliteti e efikasiteti), vëmendja jonë për reformën, nëqoftëse ajo do të vendoset për t’u kryer, do të duhet të përqendrohet në transformimin e Republikës sot drejt gjysem-presidencializmit, që në vetvehte përmban dy kategori kryesore:, atë Premier-President dhe atë President-Parlamentary. Një vend i vuajtur ky i yni, nën tiranë të vjetër e të rinj, nën korrupsionistë dhe gangsterë politikë, besoj se nuk e ka të këshillueshme të kopjojë modelin rus të një republike gjysëm-presidenciale, të tipit Premier-President. Presidenti i fuqishëm edhe konstitucionalisht në një vend si i yni, do të ishte një kondicion katastrofal i gatuar me duar e popullit dhe votën e tij. Një vend i prapambetur dhe me një traditë politike liberale të kufizuar si Shqipëria, do të pësonte kështu një dëm shumë të madh në aspektet e lirisë e ruajtjes së përgjegjshmërisë shtetërore. Shqipëria mbase do të duhej të përqendrohej më së shumti në rastin francez të gjysëm-presidencializmit, ose atë çfarë mund të konsiderohet kategoria President-Parliamentary, në të cilen Presidenti nuk ka pushtete formale për të shkarkue një qeveri që mbështetet në një maxhorancë, por ka pushtete të mjaftueshme për të ndarë me këtë qeveri pushtete ekzekutive dhe për të ndikuar në formimin e një qeverie të tillë të bazuar edhe në teknicienë. Në një rast të tillë do kishim një President që do të bashkëjetonte edhe me një Qeveri opozitare me atë shumicë me të cilën ai zgjidhet. Pozicioni i Presidentit dhe pushtetet e tij për shkarkimin e qeverisë, ndryshojnë varësisht trendit politik dhe vendosjes në linjë politike të Presidentit, Kryeministrit dhe Parlamentit. Edhe një gjë tjetër për t’u saktësuar: pushtetet e presidentit në një republikë gjysëm-presidenciale të tipit President-Parliamentary, për të shkarkuar qeverinë vertetë ekzistojnë, por ato janë vetëm një aspekt i pushtetit të presidentit dhe përdorimi i këtij pushteti në praktikë nga kushtetuta imponohet në mënyrë logjike dhe jo në mënyrë autoritare. Gjithashtu ndikimi i Presidentit bëhet krjetësisht i dallueshëm në dikasterin e punëve të jashtme, në të cilin kontrolli i çdo partie fituese duhet të zhduket plotësisht dhe pjesmarrja e teknicienëve në diplomaci duhet të jetë i vetmi kriter përzgjedhjeje. Shqipëria ka vuajtur dhe po e vuan ende këtë. Mjafton të shikosh vetëm projektimet e papërshtatshme të realizuara nga ekzekutivi aktual në muajin e fundit në diplomaci, për të kuptuar se jemi në një rreth vicioz ripërsëritjeje të kotësisë, injorancës, tarafit, borxhit dhe afinitetit politik me të djeshmen diktatoriale.
Në fund duhet të theksojmë se në rastin e përzgjedhjes së Presidentit, duhen kuotuar edhe dy parametra plotësues: a. kriteret intelektuale, qytetare dhe gjithpërfshirëse të statures presidenciale; dhe b) ndërtimi i Institutit të Impeachment-it.
Publiku dhe ndergjegja e dlirët qytetare e intelektuale e këtij vendi, janë të interesuar që sistemi të ndryshojë, të bëhet më kompatibël, më demokratik, më i kontrollueshëm nga masa e gjërë e zgjedhësve. Mendoj që situacioni aktual i sistemit me një regjim parlamentar kaq të dobët sikurse është ai i krijuar nga kushtetuta shqiptare e 1998, nuk e plotëson këtë deshirë të përhapur në shoqëri. Janë vetëm partitë e mykura shqiptare, me demokraci të brendshme të shkatërruar, ata që e ruajnë këtë status quo kushtetuese dhe ligjore, mbasi fatet e tyre janë të lidhura reciprokisht në ruajtjen e kësaj kornize, të këtij kontrolli, të këtij fuzioni anarkik ekzekutiv-legjislativ dhe kësaj përgjegjshmërie foshnjërake në zgjedhjet parlamentare. Por Shqipëria nuk është e tyre.
*Romeo Gurakuqi
Universiteti Europian i Tiranës, Instituti iHistorisë Bashkëkohore
Tiranë, 11.12.2013
Dy memorandume të Fan Stilian Nolit në “Somerset Record Office”
Materialet janë gjetur nga eksperti shqiptar i arkivave britanike, Dr. Bejtullah Destani, “Kosova Information Center, London”, nga Repulika e Kosovës /
Çështja shqiptare/
prej Rev. Fan Stilian Noli/
Një paraqitje e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Konferencen e Kombeve të Shtypura dhe të Varura në Washington D.C. 1918 (?)./Sipas Somerset Record Office, DD/DEU/35, 1919/
Të gjitha kombet ndërluftuese të Europës, menduan se ishte e nevojshme të dërgonin në SHBA misionarë për të paraqitur kauzat e tyre përpara opinionit publik amerikan. Ata kanë bërë të njëjtën gjë në të gjitha vendet e tjera asnjanëse, por këtu në Amerikë, për me tepër, ata kanë organizuar edhe sistemet e tyre propagandistike në një shkallë aq të gjërë, saqë ky vend u bë një fushëbetejë aq e rëndësishme për t’u fituar, sa edhe çdo fushëbetejë tjetër reale në Europë. Unë mendoj se arsyeja është e qartë: Ata kanë kuptuar se mbështetja morale dhe materiale e këtij vendi është e një rëndësie aq të madhe sot dhe mund të ketë një karakter përcaktues në të ardhmen, mbasi SH.BA mund të marrin përsipër rolin e arbitrit të Botës. Kjo luftë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të përfundojë me një fitore shkatërrimtare të ndonjërit grup të kombeve ndërluftuese. Bismark-u, duke folur dikur rreth mundësisë dhe rezultatit të një lufte në mes Anglisë dhe Gjermanisë bëri vërejtjen e mëposhtme: “Anglia është një balenë dhe Gjermania një kalë. Si mendoni ju që një balenë do të mundë një kalë? Ose, si mendoni ju, se një kalë do të mundë një balenë”? Ne mund të kemi atëherë dy fuqi fituese: Anglinë dhe Gjermaninë, ose dy fuqi të mundura, por asnjëra prej tyre nuk do të jetë në gjendje të marrë një dëmshpërblim lufte. Madje, edhe duke korrur një fitore vendimtare mbi kundërshtarin, pa dyshim, finaciarisht, fitimtarët, ashtu sikurse edhe të mundurit, do të jenë plotësisht të rraskapitur. Kjo gjë është pranuar nga autoritetet financiare si të Gjermanisë ashtu edhe të Anglisë.
Në çdo rast rezultati i kësaj lufte do të jetë pak a shumë i njejtë për të gjithë ndërluftuesit: Taksa të rënda në planin e brendshëm dhe hua të mëdha të jashtme nga vendet e huaja, për të mbuluar shpenzimet e luftës. Tani, SHBA do të jenë i vetmi vend që mund të marrë cilësinë e një huadhënësi të madh të jashtëm. Ky fakt shpjegon pse të gjithë shtetet ndërluftuese kanë zgjedhur Amerikën si hapësirë të lojës së tyre politike dhe propagandistike. Sipas të gjitha fakteve, zëri i Amerikës do të jetë më i fuqishmi në Konferencën e ardhshme të Paqes. Asnjë fuqi, në fund të kësaj lufte, nuk mund të ketë kurajon të sfidojë thesarmbajtësin e botës, fuqitë më të pacipëta dhe krenare ndërluftuese do të përulen para Uncle Sam aq poshtë për parâ, saqë ju do të keni kënaqësinë të shikoni nga prapa majat e hundëve në mes këmbëve të tyre. Le të aplikojë Amerika këtë moto: “Asnjë parâ për shtypësit e kombeve të dobëta dhe të pambrojtura”! atëherë drejtësia, paqa dhe liria do të mbretërojnë mbi të gjithë Botën. Prandaj unë kam kënaqësinë të apeloj ndaj opinionit publik amerikan dhe qeverisë, në emër të Shqipërisë, si përfaqësues i 60000 shqiptarëve të SHBA, përpara audiencës së shquar të kësaj Konference, të organizuar nga zonjat më të mira të tokës më të mirë, në kryeqytetin më të mirë të botës së qytetëruar.
Shqipëria është një vend i vogël dhe një problem i madh ndërkombëtar. Edhe pse e panjohur për opinionin e përgjithshëm publik amerikan, ajo është një prej vendeve më të lakmuara të luftës në të gjithë Europën. Austria, Italia, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia janë duke luftuar për atë rrip të ngushtë toke që shtrihet përgjatë bregut lindor të Detit Adriatik. Në të vërtetë, krijimi i shtetit të pavarur shqiptar prej Konferencës së Londrës, më 1912, është një nga shkaqet e konfliktit aktual europian. Princi trashëgimtar i fronit austriak ,Franc Ferdinandi, u vra nga një student serb në Sarajevë, pikërisht sepse ai konsiderohej si njeriu që detyroi Europën për të krijuar shtetin e ri shqiptar, duke ndaluar kështu Serbinë nga fitimi i një daljeje të lirë në bregdetin e Adriatikut.
Rëndësia ndërkombëtare e Shqipërisë është e përcaktuar nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria shtrihet përgjatë bregdetit lindor të Detit Adriatik, përballë Italisë, duke pasur në Veri Malin e Zi, Serbinë në Lindje dhe Greqinë në Jug. Ajo zotëron dy porte të mrekullueshme, Durrësin dhe Vlorën, vlerat ushtarake dhe tregtare të të cilëve nuk mund të mos mbivlerësohen. Vlora është konsideruar prej specialistëve ushtarakë si çelësi i Detit Adriatik. Kontrolli i bregdetit shqiptar është i një interesi jetësor për të dy fuqitë e mëdha të Adriatikut, Austrinë dhe Italinë. Të dyja këto janë të etshme për ta mbajtur Shqipërinë me qëllim që të përmirësojnë situatat e tyre ushtarake dhe tregtare, dhe, në pamundësi të kësaj, të pengojnë njëra tjetrën, ose ndonjë shtet tjetër nga marrja në zotërim e saj.
Përveç Austrisë dhe Italisë, shtetet fqinje ballkanike, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, pretendojnë nga një pjesë të Shqipërisë secila. Gjatë luftrave Ballkanike të vitit 1912, këto tre shtete vunë në zotërim Shqipërinë, e cila deri në atë kohë ishte një provincë turke, dhe shpallën solemnisht qëllimet e tyre për të qëndruar atje. Megjithëse ata patën deklaruar në fillimin e kësaj lufte se objektivi i tyre ishte ai i çlirimit të racave ballkanike nga zgjedha turke, ato ende e mendojnë si në përputhje me rolin e tyre prej çlirimtarësh, veprimin shkatërrimtar ndaj shqiptarëve dhe proçesin e ndarjes së tokave të tyre. Por kjo zgjidhje nuk i pëlqeu Austrisë dhe Italisë, të cilat ishin aleate atëherë dhe e dëshironin njëra-tjetrën në mënyrë pasionante. Një gjë e tillë nënkuptonte që Serbia, pararoja e Rusisë, të mund të kishte një pjesë të kontrollit të Detit Adriatik, dhe do të bëhej një kërcënim i vazhdueshëm për të dyja këto. Prandaj, Austria, e mbështetur nga Italia, mobilizoi dhe propozoi krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, si e vetmja zgjidhje e pranueshme e çështjes ballkanike. Rusia u kundërmobilizua, dhe në këtë mënyrë një konflagracion europian ishte i mundshëm. Një gjë e tillë u shmang nga Konferenca e Ambasadorëve e mbajtur në Londër nën kryesinë e Sir Edward Grey-t, e cila zgjidhi çështjen ballkanike dhe vendosi që Shqipëria duhej të bëhej një shtet i pavarur nën një prijës europian dhe nën mbrojtjen e përbashkët të Fuqive të Mëdha të Europës.
Shqipëria doli nga dhomat e errëta të diplomacisë europiane e gjymtuar pas një operacioni të vështirë nëntëmujor. Zona të mëdha të territorit të vlefshëm shqiptar me dy milion banorë shqiptarë iu prenë dhe iu dhuruan Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, si fryti i fitoreve të tyre kundër turqve. Çfarë mbeti, me rreth një milion banorë, të gjithë shqiptarë të pastër etnikisht, u vendosen në atë që quhet shtet i pavarur i Shqipërisë dhe Princi Wilhelm Wied u zgjodh prej Fuqive europiane për të mbretëruar këtë vend. Dhe ky ishte vetëm fillimi i tragjedisë, mbasi shtetet ballkanike refuzuan të evakuojnë territorin e caktuar për shtetin e ri. U deshën dy ultimatume dhe një demonstrim ndërkombëtar detar për të imponuar evakuimin e Shqipërisë Veriore dhe Qendrore prej trupave serbe dhe malazeze. Edhe Greqia i dredhoi problemit. Ajo tërhoqi ushtritë e saj vetëm pas dekretimit të komedisë së përgjakshme të së ashtuquajturës qeveri revolucionare e Epirit, Shqipërisë Jugore, të cilën ajo e mbështeti me armë, municion, topa, parâ, ushtarë dhe oficierë grekë.
Kur Princi Wilhelm Wied arriti në Durrës për t’u vendosur në krye të shtetit të ri, ai u detyrua fillimisht të vinte nën kontroll këto kryengritës të shtirë të Jugut, të cilët vepronin nën urdhërat e drejtëpërdrejta të qeverisë greke. Pothuajse në të njëjtën kohë, një tjetër revolucion, i nxitur dhe i financuar prej fuqive të huaja shpërtheu në Shqipërinë Qendrore. Princi Wilhelm Wied nuk kishte ushtri për të shtypur këto revolucione të importuara, as parâ për të krijuar një ushtri dhe të mbajë në funksion të vazhdueshëm makinen qeveritare. Fuqitë e Mëdha, në kundërshtim me premtimet e tyre solemne, refuzuan t’i jepnin shtetit të ri shqiptar një hua. Për më tepër, Princi Wilhelm u detyrua të merrej me ndërthurjen e intrigave të Austrisë, Italisë e të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku të gjashtë Fuqitë e Mëdha ishin të përfaqësuara. Ky Komision u mendua të vendosej në Shqipëri me synimin e përpilimit të Kushtetutës së shtetit të ri, për të organizuar financat dhe administratën e tij. Por ky nuk bëri asgjë të tillë: çdo masë e propozuar nga përfaqësuesi i Austrisë hidhej poshtë nga pëfaqësuesi i Italisë dhe anasjelltas; ose çdo masë e propozuar prej përfaqësuesve të Aleancës Trepalëshe hidhej poshtë prej përfaqësuesve të Bllokut të Antantës e anasjelltas. Për më tepër, Austria dhe Italia i vendosën Princit dy këshilltarë privatë, të cilët ishin në të vërtetë rojet e tij, që e tërhoqën ate dhe qeverinë e tij në drejtime të përkundërta. Pas shpërthimit të luftës europiane (Fjala është për Luftën e Parë Botërore shënim i përkthyesit), Princi Wilhelm Wied u largua nga Durrësi, më 3 shtator 1914, pas një mbretërimi të shkurtë prej gjashtë muajsh, duke e lënë Shqipërinë pa qeveri.
Menjëherë pas nisjes së Princ Wilhelm Wied-it, grekët pushtuan përsëri Shqipërinë e Jugut nën pretekstin e rivendosjes së rendit; Italia mbërtheu portin shumë të lakmuar të Vlorës “me qëllim që të sigurojë asnjanësinë dhe pavarësinë e shtetit shqiptar” dhe, me hyrjen e saj në luftën europiane, deklaroi një bllokadë të bregdetit shqiptar; malazezët dhe serbët bënë të njëjtën gjë dhe pushtuan Shqipërinë Qendrore dhe Veriore; gjatë vjeshtës së vitit 1915 austriakët dhe bullgarët pushtuan Shqipërinë Veriore dhe Qendrore, duke përzënë serbët, malazezët dhe italianët; dhe, së fundi, një muaj më vonë, italianët pushtuan Shqipërinë Jugore duke përzënë grekët. Gjatë këtyre serive pushtimesh, mijëra shqiptarë u përzunë prej shtëpive të tyre, fshatrat dhe fermat e tyre u dogjën, vendi u shkatërrua sa nuk njihej dot më dhe qindra mijëra vdiqën ose janë duke vdekur nga uria, nga mbetja në mes katër rrugëve, apo nga sëmundjet e sjella nga pushtuesit. Asnjë anije ndihmash nuk udhëton për në Shqipëri dhe asnjë punonjës i Kryqit Kuq nuk kujdeset për të sëmurët. Të varfërit dhe nevojtarët duhet thjeshtë të vdesin nga uria, dhe të sëmurët duhet thjeshtë të vdesin.
Rasti i Shqipërisë ka disa ngjashmëri me atë të Belgjikës, me ndryshimin se i pari është më tragjik dhe më me pak shpresa. Traktati ndërkombëtar që garantoi pavarësinë dhe asnjanësinë e Shqipërisë ishte po aq solemn sa ai i Belgjikës. Belgjika ka qenë e pushtuar vetëm prej Gjermanisë. Shqipëria ka qenë e pushtuar me radhë prej grekëve, malazezëve, serbëve, austriakëve, bullgarëve dhe italianëve. Shqiptarët nuk i provokuan sulmuesit e tyre as edhe i ftuan ata; ata janë fajtorë vetëm se ndodhen në zotërim të një toke dhe të një bregdeti të lakmuar prej fqinjëve të tyre. Vuajtjet e belgëve zbehën kur krahasohen me martirizimin e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe të errët pushtimesh. Belgët mund të luftojnë kundër pushtuesve teutonë, mbasi ata kanë ende një ushtri dhe janë të mbështetur prej aleatësh të fuqishëm; shqiptarët janë të pashpresë mbasi ata nuk kanë ushtri për të mbrojtur veten e tyre. Belgët mund të protestojnë edhe pse fuqitë jo asnjanëse mund të jenë indiferente ndaj apeleve të tyre, ndërsa shqiptarët duhet të durojnë agoninë e tyre në qetësi, mbasi nuk kanë as miq dhe as mbrojtës, dhe për ta mund të aplikohet vargu i famshëm i Alfred de Vigny-së: “Souffre et meurs sans parler“! Belgët mund të shpresojnë të rifitojnë pavarësinë pas një fitoreje të forcave Aleate dhe racat e tjera të shtypura mund të kenë të njejtën shpresë pas një fitoreje mbi Teutonët. Shqiptarët nuk mund të ushqejnë shpresa të tilla. Në qoftë se Aleatët fitojnë luftën, Shqipëria mund të aneksohet nga Italia; në qoftë se gjermanët fitojnë, Shqipëria mund të aneksohet nga Austria. Prandaj ne shqiptaret jemi rreptësisht dhe absolutisht asnjanës dhe shpresojmë se kjo luftë do të përfundojë me një barazim ose tërheqje, dhe se asnjëra palë ndërluftuese nuk do ta mposhtë tërësisht palën tjetër.
Shqiptarët janë duke vuajtur jo prej gabimeve të tyre. Ata janë viktima të intrigave dhe agresioneve të huaja. Diplomacia europiane krijoi një Shqipëri të pavarur, duke e vendosur këtë shtet nën tutelën e vet; por kjo diplomaci bëri gjithçka që mundej për të shkatërruar veprën e krijuar. Shqiptarët nuk e provuan dot paaftësinë për me qeverisë veten e tyre, mbasi atyre nuk u është dhënë ndonjë rast për të provuar se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata. Të sulmuar nga të gjitha anët ata u detyruan të dorëzoheshin. Ata tani presin nga sensi i drejtësisë e i ndershmërisë europiane dhe nga simpatia morale e mbështetja amerikane, një shans të drejtë dhe të ndershëm. Çështja e tyre është e drejtë dhe ata meritojnë simpatinë e botës së qytetëruar. Ata kërkojnë vetëm të jetojnë në paqë dhe liri, kërkojnë të zotërojnë tokën që u përket, një tokë që atyre u takon qysh nga një periudhë mjaft e hershme, mjaft përpara se grekët dhe sllavët të vinin në Gadishullin Ballkanik.
Shqiptarët janë raca më e vjetër e Europës. Ata janë pasardhës të ilirëve të vjetër dhe maqedonasve që pushtuan Lindjen nën Aleksandrin e Madh dhe mundën Romën nën Pirron, mbretin e Epirit. Kjo racë luftëtarësh ka ngulur këmbë qëndrueshmërisht në Gadishullin Ballkanik, ndërsa të gjithhë popujt e tjerë u helenizuan, latinizuan apo sllavizuan. Me trupin e tyre mbi shkrepa të zhveshur, ata luftuan kundër ushtrive të panumërta të romakëve, të sllavëve, të gotëve, të venecianëve dhe të turqëve, pa u ndier përmes shekujve, të pamposhtur deri në arritjen e ndonjë armëpushimi, pa miq ose me protektorë të painteres, me mbështetje jo dashamirëse nga ndonjë anë, të pathyeshëm dhe të paasimiluar mbi skenën e Europës njëzet shekullore. Ata qenë të fundit që iu dorëzuan turqëve në Gadishullin Ballkanik, dhe ky dorëzim ishte vetëm nominal. Ata kurrë nuk e njohën regjimin turk dhe kurrë nuk iu nënshtruan atij. Lord Byron-i i ka bërë homazh besnikërisë dhe trimërisë së tyre në poemat e tij.
Miku dhe simpatizanti ynë fisnik, zoti George Fred Williams, ish ambasadori amerikan në Athinë, në pamfletin e tij të titulluar ” The Shkypetars”, i përshkruan në këtë mënyrë ata: “Shqiptarët janë një popull krenar, i papëkulur, që e mbajnë kokën përherë lart. Natyrisht nuk është një racë që mund të frigohet apo thyhet. Trimëria e tyre është e pakufishme; ata përballen me vdekjen e torturën pa u tërhequr; fjala që ata të japin është më e shenjtë se betimi i popujve të qytetruar para Zotit; mikpritja e tyre vazhdon deri sa atyre nuk u mbetet asgjë në shtëpi; ndershmëria e grave të tyre është tradicionale”; askund në botë nuk është një grua më e sigurtë nga ofendimet se në Shqipëri; gruaja mund të udhëtojë nga një cep i Shqipërisë në tjetrin me një siguri absolute dhe burri që e shoqëron atë është në këtë mënyrë i mbrojtur”.
Raca shqiptare i dhuroi botës tre burra të mëdhenj, emrat e të cilëve shënuan epoka në historinë njerëzore. Konstantini i Madh, mbreti i parë kristian, i cili pati kurajon ta shpallë Krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake, ishte shqiptar. Shën Jeronini, që përktheu Biblën në latinisht ishte shqiptar. Përkthimi i tij ndihmoi në një shkallë të gjërë të kristianizojë Europën dhe është ende në shërbim të Kishës Katolike Romane. Heroi kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skanderbeg, mbreti ynë i fundit e njëkohësisht një prej mbrojtësve më të mëdhenj të Krishtërimit, luftoi në mënyrë ngadhënjimtare kundër turqëve për më se një çerek shekulli, nga 1443 deri më 1468, dhe shpëtoi Europën nga tmerret e invazionit turk. Heroit tonë të madh shqiptar i këndoi poeti i madh amerikan Henry Longfellow në veprën e tij “Tales of a Wayside Inn”. Raca shqiptare mund të sfidojë mirë çdo komb të madh ose të vogël, në qoftë se do të krahasojmë ndihmesën e njerëzve të tyre të shquar për Krishtërimin me atë të këtyre tre shqiptarëve.
Shqiptarët e meritojnë pavarësinë. Ata kanë luftuar për vite me radhë për ta shkëputur Shqipërinë nga Turqia. Lufta Ballkanike u parapri prej katër revolucionesh shqiptare, të cilat, në vitin 1912, e detyruan Turqinë t’i jepte autonominë Shqipërisë.
Fuqitë Europiane njohën pretendimet e shqiptarëve pikërisht në traktatin solemn ndërkombëtar të Londrës, më 1913. Dhe, në interes të paqes ata duhet të respektojnë detyrimisht traktatin e tyre dhe të mos ta trajtojnë atë si një copë të thjeshtë letre. Nuk do të ketë paqë në Ballkan dhe në Europë derisa Shqipëria të mos jetë e lirë, ndërsa një Shqipëri e pavarur do të përmbajë Austrinë, Italinë dhe shtetet e tjera ballkanike nga grindjet me njëri-tjetrin. Prandaj shqiptarët i bëjnë thirrje botës së qytetruar për pavarësi në emër të paqes, drejtësisë dhe moralitetit ndërkombëtar; këto fjalë nuk nënkuptojnë shumë tek kjo Europë e marrosur nga lufta sot, por ato mund të peshojnë thellësisht mbi te nesër, kur këto shtete ndërluftuese do të jenë nën peshën e rezultateve shkatërrimtare të kësaj gjakderdhjeje mjaft të kushtueshme, dhe kur këto fjalë do të jenë çmuar para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet ky asnjanës, paqedashës, drejtësidashës dhe drejtësibërës.
Përktheu nga anglishtja Romeo Gurakuqi.
Shumë të nderuarit D. Lloyd George, M.P., K.C.
I nderuar Zotëri,
Ne të nënshkruarit, anëtarë te Komitetit Kombëtar Shqiptar të Gjenevës, si zëdhënës besnikë të vullnetit të popullit shqiptar, kemi nderin të shprehim mirënjohjen tonë ndaj Qeverisë së Madhërisë së Tij Britanike, dhe veçanërisht ndaj anëtarëve të Dhomës së Lordëve dhe Dhomës së Komuneve, për interesin dashamirës që ata kanë treguar kohët e fundit për sa i përket Shqipërisë.
Ne marrim guximin të deklarojmë që në këtë rrugë, kombi fisnik që ju përfaqësoni gjatë kësaj lufte, nuk ka qenë kurrë i pasinqertë ndaj traditave të tij dhe ndaj përgjegjësisë së tij të edukimit të popujve të Lindjes, pas çlirimit të tyre nga barbarizmi. Dhe kjo përgjegjësi, duke kaluar nga një brezni në tjetrën në Kombin Britanik, u shenjtërua duke u shndërruar në ligj prej fitores e triumfit të drejtësisë dhe të drejtave të kombeve, të cilat ju, i nderuar Zotëri, po shkoni t’i mbroni në Konferencën e Paqes.
Populli shqiptar besnikërisht e bashkon veten me gëzimin e njerëzimit dhe, përmes nesh, dëshiron të shprehë gëzimin e tij të sinqertë mbi këtë triumf, mbi det dhe mbi tokë të ushtrive të Perandorisë Britanike, të cilat ju keni qenë i aftë t’i udhëhiqni drejt fitores, i udhëhequr nga Hyu i gjithëpushtetshëm.
Shqipëria, një prej shumë kombeve të vogla, tek të cilët fitorja juaj frymëzon shpresa të ligjshme, Ju drejtohet si Juve, ashtu edhe Presidentit Wilson, si dy burra shteti që Hyu ju ka emëruar si shpëtimtarë të kombeve; ajo ju kërkon të përkrahni të drejtat e saja, të dhunuara nga fqinjët e vet ballkanikë, ju lutet t’i dëgjoni me simpati ankesat e popullit të vet.
Të drejtat dhe kërkesat e popullit shqiptar janë më legjitime duke pasur parasysh faktin se shqiptarët kurrë nuk kanë shkelur mbi tokën e fqinjve të tyre; ndërsa këto të fundit, për shekuj me radhë, nuk kanë pushuar së invaduari nëpërmjet inkursioneve të tyre të përjetshme, propagandës dhe diplomacisë së tyre intensive, në territorin e pellazgëve të lashtë ose të kombit ilirian, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët.
Profesori i ditur i gjeografisë në Universitetin e Beogradit, serbi Jovan Cvijic, në “The Geographical Reviev of New York“, të muajit maj 1918, në artikullin e tij, “Shpërndarja gjeografike e popujve ballkanikë”, shkruan: “Shqiptarët, ashtu sikur është e mirënjohur, janë Ilirët antikë. Përpara invazionit të sllavëve të Jugut, ilirët zotëronin pjesën përendimore të Gadishullit, nga Danubi i Mesëm deri në Epir…. Epirotasit dhe maqedonasit qenë gjithashtu ilirë….. Të gjithë ilirët e tjerë, me përjashtim të Shqiptarëve (Albanëve) të sotëm, u sllavizuan gjatë Mesjetës”.
Pas luftrave të vazhdueshme kundër bullgarëve sllavë, princërit shqiptarë të Epirit dhe të Maqedonisë formuan Republikën Shqiptare ose Republikën Epirote, aq mirë të përshkruar prej dijetarit francez Duplessis, në historinë e tij mbi mbretin shqiptar Gjergj Kastrioti, Skanderbeg, të mbiquajtur “Princ i Epirit dhe i Maqedonisë”.
Në këtë vepër të gjithë dijetarët, poetët dhe fisnikët francezë, pranojnë që “Shqiptarët ose Epirotasit (dy emra sinonimë, flisnin shqipen ose gjuhën epirotase, gjuhë që nuk ishte as greke dhe as sllave), pasardhës të Pirros dhe Aleksandrit, sikurse edhe stërgjyshërit e tyre, kanë luftuar për më se 30 vjet kundër invadorëve turq, ndërsa serbo-bullgarët, nën udhëheqjen e princit të përbuzshëm serb, George Vicovich, tradhëtuan shqiptarët dhe u bashkuan me Sulltan Muratin”.
Në këtë mënyrë, Republika Shqiptare, e vetme në të gjithë Gadishullin Ballkanik, “pati ndalur,- sipas akademikut francez Xavier Monnier- sulmin e vrullshëm të turqve” dhe shpëtoi Europën Përëndimore dhe Krishtërimin nga barbarizmi.
Por kjo republikë konfederative, pas vdekjes së udhëheqësit heroik, ushtarit të madh Skanderbeg, u përfshi me forcë në Perandorinë Otomane, nën emrin turk Arnamtlau (vendi i shqiptarëve), me të njejtët kufij që respektivisht ishin, Adriatiku në Perëndim, rrjedha e Vardarit në Lindje, Dalmacia dhe Bosnja në Veri (Mali i Zi nuk ekzistonte) dhe Gjiri i Artës e kufiri klasik i Greqisë në Jug, duke pasur Janinën kryeqytet të Shqipërisë së Jugut. Kjo shtrirje territoriale përfaqëson katër provincat shqiptare të ditëve tona, që janë: provinca (vilayet-et) e Monastirit, e Kosovës (Shkupi), e Shkodrës dhe Janinës, territore këto ku shqiptarët kanë qenë në gjendje të ruajnë të pacënuar tipin e tyre kombëtar e gjuhën e tyre, dhe disa privilegje të respektuara prej turqëve, falë kryengritjeve të vazhdueshme që bënë grupe të caktuara të këtyre luftëtarëve trima kundër despotizmit të pashallarëve otomanë.
Karakteri i pastër shqiptar i këtyre katër vilajeteve (provincave) është plotësisht i njohur nga të gjithë historianët modernë, nga të gjitha raportet konsullore dhe diplomatike, dhe zyrtarisht prej Kongresit të Berlinit (1878) kur Anglia frenoi oreksin e bullgarëve, e së fundi prej Komisionit Ndërkombëtar (1880) nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Lord Fitz Maurice, i cili është ende gjallë dhe mund të dëshmojë për këtë.
Mes autorëve sllavo-bullgarë ne do të përmendim këtë: Profesori Schircoff përmend faktin historik të mëposhtëm në librin e tij mbi Maqedoninë: “Në vitin 1689 shqiptari Mustafa Pasha Kaprula, nxori përjashta trupat austriake të gjeneralit Piccolomini nga Kosova në drejtim të Veriut. Patriarku Arsen mblodhi të gjithë objektet e tij të vlefshme dhe i ndjekur prej një numri të madh arqipeshkësh, ipeshkvësh e murgjish, e drejtoi eksodin e turmave të serbëve dhe bullgarëve të tij, përtej Moravës dhe kufijve të Maqedonisë, drejt Beogradit dhe Bosnjës. Ky rrëfim i treguar tek Ambasadori rus është krejt i qartë”.
Kleri katolik i Kosovës dhe Ohrit e konfirmon këtë fakt në të përkohshmen “Pro fide” të Romës (1703), ku thuhet se të gjitha këto rajone të Maqedonisë janë shqiptare. Fancezët Ami Boné dhe Caboge de Regouse pohojnë se atje, në provincat e Shkupit dhe të Kosovës , kishte, në vitin 1706, vetëm pak kasolle bullgarësh jashtë qytetit; dhe se shqiptarët luftëtarë të luginës së Toplicës, të Mëzisë (Moesie) së Epërme dhe të Shqipërisë së Epërme, vazhdimisht i ndalonin serbët dhe i shtypnin bullgarët.
Dy shkrimtarët anglezë, Mackenzie dhe Ivy, të cilët vizituan Shqipërinë rreth vitit 1838, shkruajnë: “Sipas raporteve konsullore, në mes Serbisë së Jugut dhe Maqedonisë është Serbia e Vjetër, përfshirë në Shqipërinë e Veriut”.
Serbi Dimitri Daridovitch, gjithashtu pohon se; “Në jug të Serbisë. Prishtina dhe Novi-Bazari janë jashtë tokave të banuara prej serbëve, pra në Shqipëri”.
Murgu Paissis shton: “Prishtina, Gjakova, Elbasani dhe Shkodra i përkasin Shqipërisë etj.etj.”
Pavarësisht nga ekzistenca e këtyre provave të qarta, fqinjët ballkanikë dëshiruan, me ndihmën e sistemeve të tyre të pacipa arsimore dhe propagandistike, të depërtonin përmes këtyre rajoneve shqiptare të katër vilajeteve të lartpërmendura dhe. në këtë veprimtari, ato patën si bashkëpunëtore qeverinë turke e cila e pengoi me të gjitha mënyrat arsimimin e shqiptarëve, dhe duke ia lejuar këtë të drejtë turqve, grekëve, serbëve dhe bullgarëve. Lidhja Liberale Shqiptare e Prizrenit, me qëllim që të rregullojë këtë gjendje shkatërrimtare të problemeve, organizoi revolucionin shqiptar të vitit 1908, kundër Sulltan Hamitit…. Shqiptarët, përmes Kushtetutës, realizuan me shpejtësi, në hapësirën e pak viteve, evolucionin e tyre kombëtar me anën e shkollave dhe klubeve me një shtrirje të gjërë, të cilat shovinistët xhonturqë donin t’i shtypnin. Më pas vijuan revolucioni shqiptar në Kosovë dhe disfata e Turqëve të Rinj në Shkup, falë të cilave liberalët shqiptarë garantuan institucionet liberale të të gjithë kombësive të tjera ballkanike dhe mbështetën politikën anglo-franceze të kabinetit të Qamil Pashës me të gjitha energjitë e tyre.
Fatkeqësisht, kjo ringjallje kombëtare shqiptare, duke shkatërruar planet ziliqare të miqve tanë fqinjë, i nxiti ato, nën pretekstin e luftës kundër Turqisë, të pushtonin katër provincat shqiptare të përmendura paraprakisht, të cilat i plaçkitën dhe i shkatërruan. Komisioni Rockfeller në raportin e tij përmendi metodat e shfarosjes të zbatuara prej pushtuesve të palavdishëm ndaj popullsisë së çarmatosur dhe të varfër shqiptare të kapur në befasi.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), serbët dhe malazezët, në sajë të veprimtarisë imperialiste cariste, aneksuan më shumë se gjysmën e territorit shqiptar dhe të gjitha këto vende të pasura dhe luftëtare të cilat, sipas shkrimtarit francez Hanoteaux, “jetojnë vetëm në liri dhe në pavarësi”. Mbreti Constantine, nga ana e tij, aneksoi Janinën, “kryeqytetin e Shqipërisë së Jugut”, për arsyen e thjeshtë se atje kishte banorë që flisnin greqisht, madje mund të thuhet se gjysma e Greqisë së sotme është thjeshtë një koloni shqiptare.
Kjo Shqipëri e vogël e krijuar në Londër, ndërsa e bënte jetën kombëtare shqiptare të pasigurtë, kënaqte oreksin e pangopur të ringjallur të fqinjve ballkanikë, të cilët, nën pretekstin e ndihmës ndaj udhëheqësit shqiptar Essad Pasha, i flakur tej tani prej të gjithë shqiptarëve, pushtuan Shqipërinë përsëri dhe e martirizuan atë. Dhe mania e këtyre shteteve ballkanike për të pushtuar Shqipërinë ishte e tillë saqë gjatë luftës së tanishme, si Constantini, ashtu edhe Nikolla (i Malit të Zi) e Pjetri (i Serbisë) nuk i lëshuan zotërimet e tyre në këtë vend, madje as kur armiqtë e tyre depërtuan brenda vendeve të tyre.
Tërheqja serbe përmes Shqipërisë (që u lejua nga shqiptarët mbasi ishte në pajtim me traditat e tyre mikpritëse), i solli këtij vendi epidemi të tmerrshme nga Serbia. Pushtimet e vazhdueshme armike të territorit shqiptar, epidemitë që e shoqëruan, përfunduan shkatërrimin e Shqipërisë në të njëjtën shkallë, madje mos më shumë se sa Serbia dhe Belgjika.
Shqiptarët, me ndihmën e tyre, i shërbyen edhe çështjes së shenjtë të vendeve aleate, p.sh. duke lehtësuar mjaft detyrën e trupave franceze,…ndihmuan në mënyrë të konsiderueshme proçesin e përzënies së austriakëve, dhe gjithashtu në Kosovë, me anë të revoltës së tyre kundër bullgarëve dhe gjermanëve, ata penguan çdo orvatje për rekrutim. Ne, këtu në Zvicër, kemi dhënë të gjithë mbështetjen tonë morale me të gjithë fuqinë tonë, dukë bërë të njëjtën marrëveshje për të njëjtin objekt, ashtu sikurse bashkatdhetarët tanë të Amerikës dhe të Rumanisë, ku kolonia shqiptare ofroi koefiçentin e vet të nevojshëm në ushtrinë rumune.
Dhe tani që fitorja, më së fundi, ka kurorëzuar punën e ushtrive aleate dhe imperializmi është përmbysur, ne marrim guximin të shpresojmë se kombet ballkanike të nxitura prej realizmit të aspiratave të tyre të verteta nacionale mbi parimin e të drejtave të kombeve, do të njohin të drejtat tona personale, dhe do të jenë të gatshëm të rikthejnë territoret shqiptare të shkëputura aq padrejtësisht nga Shqipëria.
Eshtë kjo arsyeja që ne kemi ardhur, i nderuar shkelqësi, të apelojmë tek ju, si njeri i drejtësisë, dhe tek qeveria britanike, duke Ju lutur të mbështesni të drejtat dhe pretendimet e popullit shqiptar të trajtuara aq padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Vetëm me një zgjidhje të tillë, Konferenca e Paqes do të bëjë një veprim të dobishëm dhe do të shmangë, për vendet ballkanike, trazirat të cilat do të jenë të pashmangshme në qoftë se drejtësia nuk do të bëhet dhe shqiptarëve nuk do t’u njihet autoktonia e tyre në trojet ku jetojnë në Ballkan.
Me këtë shpresë, ne kërkojmë të mbesim, i nderuar Shkelqësi,
Shërbëtorët tuaj të bindur dhe të përvuejtun
Për Komitetin
F. S. Noli, Ipeshkëv.
Përktheu nga anglishtja Mirela Kamsi Gurakuqi
Marrë nga revista “Phoenix”, nr. 1 (9), Shkodër, 1999(Dielli Arkiv)
Romeo Gurakuqi: Hapi i parë,reformatimi i shtetit prej konstitucionalistëve
Ndërrimin e partive politike në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit shumëkush po e sheh si një zhvillim pozitiv. Edhe profesor Romeo Gurakuqi mendon se rotacioni politik është shumë pozitiv për shëndetin e demokracisë së vendit, por ai këtë ngjarje e sheh edhe si një mundësi të madhe për të zhdukur shumë difekte të demokracisë dhe të institucioneve shtetërore, ndryshime që, sipas tij, nuk do të vijnë shpejt.
Profesori i historisë bashkëohore në Universitetin Europian të Tiranës thotë se ndryshimet që kanë ndodhur deri tani duhet të vlerësohen me seriozitetin e nevojshëm për të forcuar liritë njerëzore drejtësinë, parlamentarizmin, për të forcuar shtetin dhe sundimin e ligjit, përndryshe perspektiva e Shqipërisë nuk do të jetë ajo që gjithë publiku pret.
“Në gjirin e pozitës së re ka forca liberale dhe social-demokrate, të cilat janë të interesuar për vendosjen e shtetit. Por zbatimi i premtimeve është sfida e vërtetë”, thotë ai.
Sipas profesor Gurakuqit, mbetet të shihet reagimi i parë i shumicës së re se si do të ndajë pushtetin midis aleatëve të majtë, veprime që tek paraardhësit ka lënë shumë për të dëshiruar dhe shumë pasoja mbi administratën. Profesori i Universitetit Europian të Tiranës, Romeo Gurakuqi, thotë se situata është e vështirë dhe e ngarkuar me shumë pikëpyejte; tani mbetet që shumica e re dhe kryeministri i ri të zbatojë premtimet e veta, të shprehura në fjalime shumë të rëndësishme, që ka mbajtur.
Zoti Guqakuqi thotë se edhe presidenti i Republikës ka një rol të rëndësishëm për të paqtuar jetën politike shqiptare. Në bazë të kushtetutës ai ka tagrin për të ndërmjetësuar, për t’i bërë thirrje paqes mes grupimeve politike, që e kanë lodhur shoqërinë. Hapi i parë dhe para së gjithash, mendon profesor Gurakuqi, duhet ngritur një tryezë e ekspertëve konstitucionalistë, për të rregulluar deformimet e sistemit, i cili ka nevojë të riformatohet nga e para në shtyllat e veta kryesore, prej nga dalin edhe akte të shtrembëruara.
“Këtë reformë institucionale nuk duhet ta bëjnë politikanët për shkak të mungesës së vullnetit politik, për ta bërë në kornizat e duhura, për shkak të padijenisë së thellë të tyre mbi teorinë e shtetit. Fjalimet e zotit Rama zbatimin e parë e kanë tek hapja e rrugës së teoricienëve të shtetit dhe konstitucionalistëve për të riformatuar shtetin në shtyllat dhe hallkat e veta kryesore. Ky është hapi i parë dhe më dobishëm, që duhet bërë më së fundi shqipërisë pas 23 vitesh tranzicion shumë të vështirë me kahe të përkundërta politikanët e periudhës aktuale”, thotë ai.
Profesor Gurakuqi vlerëson se në përpjekje të përbashkëta për reforma nuk ka vend për nihiliëm, se reformat nuk bëhet duke fshirë cdo gjë të mirë të bërë në periudhat e mëparshme. Sipas tij, edhe në mandatin e fundit ka patur zhvillime shumë të rëndësishme, disa segmente të shoqërisë shqiptare kanë përparuar në liri, disa hapësira kanë patur prosperitet ekonomik dhe ato duhet të zhvillohen më tutje.(Ilirian Agolli “Zeri i Amerikes)