• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, DASHURIA IME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Me serbët ne jemi fqinjë. Në kohë paqeje i japim bukë njëri tjetrit. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, shprehet Ali Tahir Aliu, nga Bardhyli ( Bradashi ) i Besianës, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët kundër tyre! Toka denbabaden shqiptare, as s´ jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën nga pretendimet e Serbisë!../

Ne që trupin e mërguam nëpër botë si pasojë të shtypjes së egër dhe  luftës, jo pak jetën e dhënë nga prëndia po e harxhojmë nëpër vende të huaja, dhe për të huajtë. Unë kujtoj thotë Ali Tahir Aliu, nga fshati Bardhyl ( Bradashi ) i Podujevës, se është çasti që t´i trokasim vetes, dhe t´ia bashkangjesim trupit, mendjen, shpirtin dhe mençurinë, dhe të kthehemi në atdhé. Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne do të kishim as emër dhe as mbiemër, po vetëm një popull i shkrirë në një populli tjetër. Rruste, më thotë Aliu, shqiptarët janë prindërit të mirë, i duan fëmijët, i duan vëllëzërit dhe motrat, i duan nipërit dhe xhaxhallarët, tetet dhe dajat, fushat dhe malet, krojet dhe lumenjtë, vajzat dhe gratë e bukura, dhe mbi të gjitha e duan gjuhën dhe vendin e tyre ku janë lindur. Unë nuk jam në mërgim se kam dashur të aventuroj këtej, apo se më ka thërritur mërgimi, shprehet Aliu. Mërgimi për të pamërguarin është botë e panjohur, e veshur me para të premtuara, dhe drejtësi të ekzagjeruar. Jeta ime e veshur me mërgim jo herë-herë është, e ëmbël. Mërgimi për atë që është atdhetar, ka shije të thartë dhe gërryese. Ali Tahir Aliu, u lind më 17.03. 1968, në Bardhyl të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Besianë. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Kryengritjet e Kosovës aso kohe ishin të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. Nën pushtimin e jugosllavëve, dhe të diktatorit Tito, shqiptarët përjetuam burgun më të rëndë. Të drejtat tona në Jugosllavi, shkileshin vazhdimisht. Në Kosovë, aso kohe vrisnin shumë faktorë. Vriste varfëria, niveli ulët i arsimit, burgosjet dhe shpërnguljet, ndalimi i festive kombëtare, gjakmarrja, ndalimi i flamurit, pabarazia në punësim, dhe diferencimet e pareshtura të kuadrove, bënin që jeta e shqiptarit nën pushtimin serb të ishte jetë e të shtypurit dhe e të burgosurit. Populli ynë nuk e ka thënë kot; “zullumi këputet prej s´trashi”!Rruste më thotë Aliu, një patriot i devotshëm, një atdhetar i formuar, dhe një UÇK-ist që nga ditët e para të luftës. Aliu tregon se e tërë familja e tij 50 anëtarëshe, me prindër dhe xhaxhallarë, u vunë në radhët e UÇK-së, që në ditët e para. Babai im, Tahir Aliu, me profesion murator, UÇK-së i afroi tërë ekonominë familjare dhe njerëzore, për çlirimin e Kosovës. Babi im, Tahir Aliu, që në ditët e para të luftës për liri të Kosovës dhe pavarësi, iu përgjigj thirrjes së UÇK-së, dhe u rreshtu me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. Liria çmimin e ka të lartë na thoshte babai, por, ne duhet të jemi gati për çdo sakrificë. Divorci me Serbinë dhe ish Jugosllavinë, Kosovës do t´i kushtoj një det gjaku. Që nga viti 1945, e deri me shpalljen e pavarsisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova u përgjak s´i asnjë vend tjetër në Evropë. Komunistët e Titos, e veçmas ata serbë, të Milosheviqit, vranë , prenë rreth 55 mijë shqiptarë. Mirëpo, shtypja Serbe nuk ndalon në vitin 1956, as në vitin 1968 e këtej. Politika gjakatare serbe, vullnetin e Kosovës për Republikë të pamvarme, e quajti armiqësore, dhe çdo kërkesë në drejtim të pavarësisë, Serbia përgjigjej me vrasje dhe burgosje. Ndërsa, dënimet ishin të përditshme. Rreth 800 mijë qytetar të Kosovës ( para se të nis lufta ) u rrahën, u dënuan dhe u persekutuan nga pushtuesi serb. Lufta në Kosovë ishte e pritshme. Zullumi këputet prej s´trashi! Mirëpo, heroi popull, u kryengrit, që lirinë e shkelur, ta fitoj me çdo çmim.  Familja Jashari këtë e dëshmoi më së miri. Thyerja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe Lufta me Serbinë, Kosovës i kushtoi me  13 mijë të vrarë, 4500 të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura, një million të përzënë në 5 kontinentet, 25 mijë gra e vajza të dhunuara, dhe me një ekonomi familjare tërësisht të shkatërruar. Ky çmimi i gjakut dhe i pasurisë, dhënë luftës sonë për liri, bëri që SHBA-të, NATO, dhe e gjithë bota t´i vehet në ndihmë, Luftës për liri të Kosovës. Në atë luftë të pabarabartë Amerika na bëri me shumë duar, dhe fizikisht Kosovën e shpëtoi nga shuarja. Unë dhe familja ime, më thotë Ali Tahiri, një burrë fjalë pak e i guximshëm, lirisë së së Kosovës i kemi dhënë mjaft për kohën. Fal organizimit të mirë, dhe përgatitjes për luftë, Llapi dhe Anamorava, nuk lejuam që të ndodhë Tivari dhe Srebërnica. Babai im Tahiri  ishte i veshur dhe në front të luftës, që nga ditët e para. Tek shqiptarët, kur babai është në luftë me dike, edhe familjarët atë e ndjekin, dhe janë luftëtarë të tij. Bashkim Aliu, im vëlla, i lindur me 2.01. 1983 në Bardhyl të Llapit. Ai në moshë fare të re (18 vjeç ) u radhit në radhët e UÇK-së. Bashkimi bashkë me prindërit, Mëmën, babain, vëllëzërit, motrat dhe xhaxhallarët dhe familjet e gjerë, kontribuan shumë në bartjen e ushqimeve, armatimit, dhe ndihmë të plagosurve. Ne jemi fqinjë me serbët, më thotë Aliu, një biznesmen i sukseshëm në Dortmund të Gjermanisë, i cili në në kohën më të vështirë, Luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me 3o mijë marka gjermane. Ne shprehet Aliu, në kohë paqe fqinjëve serbë u kemi dhënë bukë, kur kanë qenë në nevojë. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët njëri-tjetrit! Toka e gjyshit dhe e stërgjyshit, nuk jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën. Jo njëherë, por disa herë i kam kafshuar lotët që të mos m´i shohin prindërit, vëllëzërit, motrat, miqtë,  shprehet Aliu, se para nënës nuk kam të drejtë të qajë!..Rruste, Kosovën e kam zemër, e kam shpirt, e kam atdhe. Kosova për mua është kuptimi i jetës sime!..

 

Filed Under: Komente Tagged With: dashuria ime, Dortmund, kosova, Rrustem Geci

LISA TË MËDHENJË

December 12, 2013 by dgreca

Jo njëherë, por disa herë më ka thënë i madhi Metush Krasniqi, se kombet e vogla nuk zhbëhen nga lufta, por nga heshtja dhe mosbërja gjë. Ne duhet ta mbajmë ekuilibrin me realitetin thoshte mësuesi i lirisë, Metush Krasniqi, amanetin e të cilit e mbaj edhe sot në zemër, rrëfen Ramiz Arifi, një atdhetar i çështjes kombëtare. /

Nga Rrustem GECI/

Luftëtari i gjallë i lirisë së Kosovës, Ramiz Arifi, u lind më 2. 02.1955 në Breznicë të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Roganë, ndërsa të mesmen në Gjilan. Pas disa burgosjeve të shkurta, Ramizi s’e ndal veprimtarinë e tij dhe njëherit, studion në SHL në Pejë. Veprimtaria atdhetare e Ramiz Arifit është veprimtari e luftëtarit të mirfilltë të lirisë. Që i ri Ramizi inkuadrohet në Lëvizjen e të rinjëve të Kosovës, kundër pushtuesit serb. Ai bashkë me grupin e tij të ilegales, shpërndan trakte dhe shkruan parulla. Grupi tregon Ramizi kishte për detyrë leximin e librave, shpërndarjen e literaturës, dhe shumëzimin e grupeve të reja. Unë kam pasur dy mësues lirie më thotë Ramizi: një, të madhin Metush Krasniqin, dhe dy librin. Si sot më kujtohet një poezi e Brehtit, / Gjeneral, njeriu është shumë i dobishëm/ mund të vrasë, mund të luftojë, mund të pilotojë/ por ka një mangësi…mund të mendojë!..Jo njëherë, por, disa herë e kam bluar në mendje këtë poezi të shkrimtarit gjermanë, Brehtit. Çdo betejë në jetë ka bremdinë e saj. Ekuacion fiks për luftën nuk ekziston. Unë që fëmijë kam qenë natyrë impulsive. Guximin tim, shprehet Ramizi e kam treguar në të gjitha betejat për lirinë. Ujin me shkop, jo njëherë por disa herë e kam rrahur tek lumi i fshatit tim. Në odën e Kadri Arifit në Breznicë, tema e lirisë dhe shkëputja nga Serbia qe shtruar disa herë, nga ata që lirinë e kishin në zemër. Në odën e babait tim tregon Ramizi, e kam mësuar që i vogël, se dielli vjen prej zjarrit, dhe uji që buron në tokë është shi i disa stinëve më parë. Gjyshja dhe nëna ime dinin shumë nga gojëdhënat, dhe tregime të prindërve të tyre. Edhe fshati ynë thoshte babai nuk është i përjashtuar nga dashuria për lirinë, dhe ëndrra për të bukurën, mirëpo, për të fituar lirinë, bëmë luftë për ta fituar atë. Vullneti i Luginës, që edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja të jenë pjesë e Kosovës, vazhdon të jetë e gjallë në mes të qytetarëve atje. Në Lëvizjen për Bashkimin të trojeve Shqiptare, të udhëhequr nga atdhetari Metush Krasniqi, unë kam 18 vjet veprimtari atdhetarie. E thashë në fillim të këtij shkrimi, se jam natyrë impulsive dhe guximi kurrë s’më ka munguar. Të jesh luftëtarë i lirisë tregon Ramiz Arifi, nuk është aq e lehtë. Lufta për liri ka vuajtjet dhe sakrificat e saj. Jam krenar që isha veprimtar dhe pjesëmarrës i UÇK-së. Figura e UÇK-së, nga ditë në ditë po bëhet më e plotë dhe më historike. Në ngjarjet e vitit 1981 e më vonë, unë dhe grupi im i ilegales bëmë detyrat për lirinë. Më 1981 unë kam ngrënë një burg prej gjashtë muajsh, nga gjyqi serb i Gjilanit. Pranvera e madhe e ’81 ishte një sprovë e madhe për gjithë brezin tim. Serbia atë kohë nuk jepej, por ishte shndërruar në vrasës të tërbuar. Më të guximshmit thoshte i madhi Metush Krasniqi, bëjnë historinë, dhe ashtu vërtetë ndodhi. Në vitin 1975 Emin Kraniqi, Ramiz Arifi dhe Besnik Krasniqi  formojnë grupin „Albanikos“ që ishte  goditja më e rëndë kundër një regjimi që po jepte shpirt. Me „Albanikosin“ u hoqën shumë parulla ideologjike të „marksizëm- leninizmit“. Dora e bërë grusht nga „Albanikosi“ bëri që gjërat të ecin përpara. Me „Albanikosin“ u pa se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk kishte rrugë tjetër, pos të kalojë në armatosjen e popullit, dhe lufta ishte e pritshme.Vitet rrjedhnin njëri pas tjetrës, dhe Kosova përgjakej nga dita në ditë. Pas ndjekjes disa vjeçare nga udbashët e serbisë, në vitin 1983, kreu i „Albanikosit“, Emin Krasniqi, Besnik Krasniqi dhe Ramiz Arifi bien në burg. Në burg bien edhe 11 shokë të tyre, veprimtarë të „Albanikosit“.Emin Krasniqi dënohet me15 vjet burg, Ramizi Arifi me 11 vjet burg, Bajram Dërmaku me 11 vjet burg, Salih Biçku me 5 vjet burg, Ahmet Isufi me 8 vjet burg, Besnik Krasniqi dënohet në mungesë, me 9 vjet burg,  Isa Dërmaku me 6 vjet burg, Qëfsere Mala me 5 vjet burg, Nijazi Biçku me 5 vjet burg, Sadri Ramabaja me 4 vjet burg, Shyhrete Malaj 4 vjet burg, Shyqri Emini 2, 5 vjet burg, Taip Malaj 1 vit burg e të tjerë, gjithsejt 110 vjet e 5 muaj burg. Rroli i luftëtarëve të lirisë në kohën e luftës ishte dhe mbetet i pa mohueshëm. Në luftën 1996- 1999 unë kam luftuar në zonën e Karadakut. Unë nuk dua të përmendi emra të pjesëmarrësve në luftë kundër serbit, spse janë shumë, dhe të panumërt. I madhi Metush Krasniqi ishte kryeheroi ynë, nga ai ne merrnim shumë detyra. Liria është gjak i të gjithëve. Në gjallje të tij, çlirimitari e ka për detyrë prangat t´i thyej. Shpejtësia e kohës që po jetojmë nuk pranon vonesa. Liria e përditshme është liri e nevojshme, liri e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Luftën që bëmë ne, qe luftë e vërtetë, lirinë që fituam edhe ajo është e vërtetë. Lirinë që po e jetoj sot më thotë Ramizi, s’ është ëndërr, po realitet i fituar me grykën e pushkës.

Rrustem Geci – fragment nga libri „Atdhetarët“

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Lisa te medhenj, Rrustem Geci

BASHKËBISEDIM ME LIBRIN

December 6, 2013 by dgreca

Libër i nderuar, e dashura ime është shumër e bukur, por atdheu më i dashur. Jam lindur në një vend ku qielli lahet me të bëra, dhe toka që rrotullohet me ne, nuk është pa ré dhe ditë të bukura. Poeti gjerman, Fridrih Hëlderlin, shkruan;„Njeriu poetikisht banon në këtë botë“, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin./

Nga Rrustem Geci – Dortmund/ Gjermani/

Libër i dashur, jam lindur me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Në vendlindje u mësova të shkruaj, ndërsa mësimet e tjera në Gjilan, Dardanë, dhe Prishtinë. Për të ardhur t´i në jetë, kam kaluar shtigje të gjata kulturimi. Në këtë tokë të atdheut tonë, unë e ti u rritëm nga çarjet e dhimbjeve, nga tufani i erërave, nga ashku i puthjeve, nga drithmat e dashurisë. Prandaj, përderisa të përbashkët të kemi fjalën, gjuhën, frymën dhe stinët, do të ketë botë, do të ketë libra dhe letërsi. I dashur libër, të vura emrin “Kanuni poetik”, nga një motiv krejt i thjeshtë: të kesh një emër. Dhe të kesh një fat. Fatin që të mos jetosh kurrë kohë të përndjekjeve dhe djegieve si shumë pararendës dhe bashkërendës të kohës që po jetojmë. Libër i dashur, ti ndoshta mund të ankohesh se të kam vënë barrë e mision të vështirë, por ti mos u shqetëso, një libër është më vështirë të shkruhet sesa të lexohet, pra, s´ke përse të mërzitesh, lexuesit herët a vonë do të trokasin tek ti… do të hapin portat e mëdha të zemrës sate, për të marrë nektarin e dashurisë, hiret e madhshtisë dhe të bukurën e betejave të jetës. Dhe të gjitha bashkë, mesazhin e kohës që po jetojmë. I dashur libër, e di që s´e kam të lehtë të kremtoj ardhjen tënde në jetë, por, ja, kjo paskësh qenë ekzistenca jonë e parathënë. Frymëzimi dhe mundi krijues, me sa duket, është një urdhër qiejsh. I pashmangshëm, dhe i pakundërshtueshëm. Poezia në shpirt ka diellin, ajrin, ujin, të ngrohtën e kohës. Prandaj, për të lindur ti, i kam lexuar të gjitha kohët, dhe fjalës së shkruar, ia kam fshirë lotët dhe gjakun sa herë është përgjakur me cenzorë shërbestarë. Libër i dashur, me artin e bukur të poezisë kam rënë në dashuri, që moshë të hershme, me poezinë “Vjershën që s´desha ta shkruaj”, fillimisht drojshëm e më pas ballas e marrëzishëm. Më vonë, si dëshmon dhe ti, do të doja e guxoja të shprehem, se dashuria nis me njëshin dhe mbaron me shumësin. Libër I dashur, me mëndje e flijim elitar vëhen gurët e mëdhenj… Ndaj ti dukesh i paqtë e i prajshëm si lumenjtë e thellë që brenda kanë rropamën, vrullin, dhe trazimin…Atdheu nis tek zemra, tek vetëdija e gjithsecilit prej nesh. Libër i dashur, u bën 40 vjet që unë e ti bashkëjetojmë dhe dihatim me të njëjtin ritëm gjallimi, duke shijuar së toku orët e vona të shpirtërave të zgjuar dhe këngën e zogjëve herakë. Letërsia jonë o Libër, çdo ditë po bëhet më e pasur, dhe më e bukur. I nderuar, „Kanuni poetik“, në fletët tua lexuesi mund të gjej poezi e motive nga më të ndryshmet. „Shiu qe vetëm një miqësi / Fëmijë shiu ishim të tjerët / Jeta s´kthehet mbrapshtë / Në pika shiu shumëzohet!.. Libër i nderuar, një dëshmi e kësaj toke të vogël, është ajri, uji, drita, mjegullat dhe retë të shndëruara në zogj. / Ngrihu populli im, ngrihu /Pse rri aq i qetë, pse heshtë / bëje dorën grusht / Pushtuesi kudo të ndjek. Libër i nderuar, prej shpirtit më vjen që ta them dhe këtë; zoti s´mund të jetë i pranishëm në dhimbjet që tash i kemi mësuar. E dashura ime është tepër e bukur, por atdheu më i dashur. Libër i nderuar, koha për t´u ndarë po afron. Sido që të jetë e ardhmja, ti do bësh udhën tënde. Shqiptarët e duan poezinë, frymën e saj, të bukurën në jetën e përditshme. Udha deri te lexuesi nuk është aq e lehtë. Takimi i librit me lexuesin i gjason një çifti të dashuruar, një çifti me fjalë pak e shtrëngime shumë. Libër i nderuar, këtë bashkëbisedim para botimit për publikun, po e mbylli me një varg të poetit gjerman, Hëlderlin, ku thotë; Njeriu poetikisht banon në këtë botë, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin. I dashur libër, mesazhet tua për të mos e vrarë jetën, për të mos e braktisur dashurinë, për të mos e përbuzur vuajtjen dhe dhimbjen, janë në themelet tua. I dashur, „Kanuni poetik“, në mars të vitit 2014 ti me vete do t´i kesh 23 vargje, dhe brenda 23 mijë vargjeve do kesh 25 poema, dhuratë të një jete jo dhe aq të lumtur. Libër i nderuar, unë e ti tani tani duhet të ndahemi; ti tek lexuesi, e unë tek poezitë e pashkruara. Kanuni im poetik,unë  të uroj fat të mbarë, udhës së të palindurve!..

Filed Under: Kulture Tagged With: bashkebisedim me librin, Dortmund, Rrustem Geci

Gjenocidi serb në Gjilan, Kamenicë (Dardanë) e Viti

December 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/*

Vrasja e qëllimshme ndaj shqiptarëve, nga pakica serbe, e ndihmuar nga Ushtria serbe, dhe paramilitarët e saj, gjatë bombardimit të NATO-s, dhe më herët, përbën gjenocid të pastër të serbëve mbi shqiptarët. Gjenocidi serb, në komunat; Gjilan, Dardanë dhe Viti, edhe pas 14 vjetësh, vazhdon të jetë i padënuar. Heshtjet e Prokurorisë së Kosovës, dhe e Gjykatave të Kosovës, janë të pa falshme. Prokuroria dhe Gjykatat, ende bëjnë gjumë, mbi një dosje të gjenocidit të gjerë. Shumë janë lotët e nënave në dritare. Ato presin t´i bëhet gjyq, gjenocidit serb në Kosovë. Prandaj,  pyesin prindërit, nuset e veja, fëmijët jetim, kur do të ndodhë një gjyq i tillë?

Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, është dëshmues për vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet  e mëdha që kanë ndodhur në Komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, në periudhën mars-qershor, 1999. Rrëfimet nga dëshmitarët e librit „Vrasje dhe dëshmi“, për 147 të vrarë e të masakruar nga pakica serbe, për 75 të plagosur, 950 shtëpi të djegura tërësisht, dhe 452 shtëpi të djegura pjesërisht, dhe 7321 shtëpi të plaçkitura po nga pakica serbe e Kosovës, si dhe qindra gra e vajza të dhunuara, nga Ushtria Serbe, dhe paramilitarët e saj, janë trishtuese. Dëmet materiale të gjenocidistëve serb, për shkatërrimin e ekonomisë familjare në komunat, Gjilan, Dardanë dhe Viti, kapin shifrën 177 milion e 201 mijë marka gjermane.

Duart e përgjakura të gjenocidistëve serb, mbi shqiptarët kundërshtues të regjimit të gjenocidistëve, ( ende të pa dënuar ) janë të pafalshme. Krimi i bërë serb mbi shqiptarët ( i lënë në heshtje qe 14 vjet ) është për alarm, dhe për t´i rënë të gjitha kambanave, që të dilet nga heshtja e panevojshme. Hej, duhet t´i thërras ndërgjegjes institucionale në Kosovë, më thotë vetja ime, se kriminelët që përgjakën Kosovën, janë të lirë, dhe shëtisin pa druajtje nëpër qytetet tona. Kriminelët që bën gjenocid në Kosovë, Kosova duhet t´i arrestojë dhe t´i çarmatosë sa më parë.

Prokuroria e Kosovës, nuk guxon të heshtë. Ndryshe, serbët që gjenociduan Gjilanin, Dardanën dhe Vitinë, dhe gjithandej Kosovës, armët i kanë gati për krime të reja. Në librin e Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, lexuesi, shkrimtari, artisti, dramaturgu, kompozitori, gazetari dhe tragjediani, mund të marrin informacione të mjaftueshme për veprat e tyre artistike, si bie fjala, reportazhe, romane, dokumentarë filmash, balet dhe operë.

Krimet kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës, në Anamoravë, pavarësisht vonesave, s´mund të varrosen as në puse të thella, dhe as nëpër varre harresash. Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje e dëshmi“ është dokument i pashkatërrueshëm i kujtesës sonë historike, dhe adresa e kryesve të gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare, në periudhën, mars-qershor 1999, por, edhe më herët. Goja më merret, më thotë Arbi, një miku im, tek po e lexoja librin, „Vrasje dhe dëshmi“, të Musa Sabedinit.

Plagët e dhëna në libër, vazhdon miku, mbrëmë s´më kanë lënë fare të bëjë gjumë, mbase, vet e kam jetuar atë kohë në burg, dhe torturat e pushtuesit serb. Gjenocidistët serbë në komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, dhe gjithandej Kosovës, vrisnin dhe masakronin, fëmijë, nxënës, studentë, mësues, bujq, bujkesha, profesor, drejtor shkollash, minator, amvise, taksist, jurist, inxhinier, kamarier, zjarrfikës, rojtar, imam, shurdhmemecë, dhe kafshë shtëpiake të shqiptarëve.

Harta e krimeve është edhe më e gjerë. Frika e serbëve nga liria dhe pavarësia e Kosovës, shpërtheu në urrejtje nga më të përtejmet. Fshati Zhegër, Lashticë dhe Llovcë, ishin fshatrat nga më të plagosurat në Anamoravë. Në Zhegër, Gjenocidistët serbë vranë 13 shqiptarë, dhe plagosën 7 shqiptarë.

Krimi i kriminelëve serb nuk mbyllet me kaq. Në Zhegër gjenocidistët vetëm për shkak të përkatësisë etnike, djegën dhe plaçkitën 410 shtëpi, 104 traktorë, tre kamionë, 200 vetura, 96 kultivatorë, 322 lopë, 140 tonë miell, 5 furgon, sipas komisionit të fshatit, dëmi ekonomik në zhegër kap shumën 19 milion e 320 mijë euro.

Mirëpo, egërsia e kriminelëve serbë, s´mbaron me kaq, ajo vazhdon edhe në fshatin Lashticë, një fshat i kamur ekonomikisht dhe i arsimuar. Aty gjenocidistët serbë, me datën 30 prill 1999, i pushkatojnë, i djegin dhe i karbonizojnë 13 kufoma, ndërsa mbeten të plagosur 5 qytetar të Llashticës.

Gjenocidistët serbë në atë kohë kudo ishin në panik, dhe frikoheshin shumë nga Kosova e pavarur. Ata në çastet e fundit të humbjes së luftës, ju rrjedhën të gjitha trutë, dhe zgjodhën krimin më gjenocidistë kundër „Kosovës së lirë“,dhe „Kosovës shtet“.

Libri i Musa Sabedinit, është libër i krimeve serbe të bëra në Anamoravë. Varret dhe të gjallët e atyre varreve, qoftë përmes grimcave të kujtesës, qoftë përmes vesës së barit, nuk më lënë të harroj atë kohë të krimeve barbare, më thotë Refik Kryeziu.

Edhe i palinduri i asaj kohe, Nevzadi, ( tash më fëmijë i rritur ) i cili trashëgon emrin e gjyshit të tij, i rënë nga llava e gjenocidistëve serb, në Roganë, e lexon për çdo ditë atë kohë.

Lufta e Kosovës e 1999-tës, do të jetoj gjatë, nëpër të gjitha mileniumet e ardhshme të njerëzimit. Në Luftë e Kosovës, të vitin 1999,  u shkatërruan 100.589 shtëpi, 358 shkolla, 71 Zyra të vendit, 30 Shtëpi të kulturës, 93 Biblioteka publike, dhe  123 Objekte shkollore, 215 Objekte shëndetësore ( Xhami, teqe, tyrbe ) , Kisha katolike 5, ndërsa Objekte ndihmëse përcjellëse, 88.101. Në periudhën 1998 – 12 qershor 1999, janë vrarë dhe  masakruar 11.848 qytetarë nga Kosova, prej tyre 1. 392 fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Ndërsa, 296 fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Në Luftën e Kosovës të vitit 1999,  janë vrarë 1739 femra, vajza dhe gra të reja. Ndërsa gra të moshuara mbi moshën 65 vjeç, janë vrarë 1882 gra. Ndërsa, 1450 qytetarë të Republikës së Kosovës, ende janë të pagjetur. Në Luftën e Kosovës janë dhunuar nga Ushtria dhe paramiliutarët serb, 20. 400 femra shqiptare, ndërsa janë dëbuar nga vatrat stërgjyshore, rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës. Prej tyre 443 300 në Shqipëri, 247. 800 në Maqedoni, 69. 300 në Mal të Zi, 21. 700, në Bosne, 13. 639 në Gjermani, 7. 581 në Turqi, 5829 në Itali, 5.730 në SHBA, 13 në Alaskë,pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani, Poloni, Spanjë,Portugali, Finlandë, Zvicërr, Australi, Izrael, Kanada, etj.

Prandaj, është e padrejtë që të harrohen dëshmitë e gjalla të Vlora Shabanit nga Llashtica e cila humbi më të dashurit e saj në luftë, apo dëshmia e Deli Hysenit i cili ndodhet diku në Francë për shërim, por që kurrë nuk iu dha ndihma e shtetit.

Janë të pafalshme nga ana e shoqërisë kosovare harresat e grave e vajzave të dhunuara. Krimi i dytë dhe më i rëndë do të ishte nëse ato përbuzen dhe lihen në harresë.

Libri i Musa Sabedinit andaj është një përkujtues historik që nuk na lenë të harrojmë për asnjë qastë atë dhunë të shfrenuar dhe atë krim e gjenocid që bëri ushtria e policia zyrtare serbe në Kosovë.

Në libër ka shumë fakte, prova, dëshmi, procesverbale, analiza, dokumente serbe, të cilat vërtetojnë krimet e kryera.

Në libër gjithashtu ka emra dhe regjistra të të gjithë paramilitarëve serbe të Anamoravës të cilët në vende të caktuara kanë vrarë e masakruar shqiptarë. Për të gjitha këto heshtje dikush duhet të japi llogari e përgjegjësi, sidomos përgjegjësia është e madhe e hetuesve shqiptarë, e prokurorëve dhe e gjykatësve që kanë heshtur e vazhdojnë të heshtin akoma.

Musa Sabedini edhe pse nuk e kishte obligim, ai me guximin e tij, me mençurinë e tij doli fshat për fshat, familje për familje, fotografoi, mori dëshmi e deklarata të njerëzve të gjallë se çfarë u kishte ndodhë atyre gjatë luftës.

Dëshmitë ishin origjinale dhe si të tilla janë autentike për kohën. Me të drejtë për këtë libër vlerësime shumë pozitive kanë dhënë recensentët e njohur Pajazit Nushi e Behxhet Shala.

Autori i librit, „Vrasje dhe Dëshmi“, Musa Sabedini, u  lind në Stublinë të Gjilanit, me 8 maj 1971. Me gazetari dhe publicistikë merret që nga viti 1990. Për disa vite ka udhëhequr gazetën studentore, „Bota e re“.

Gjatë studimeve në Universitet, Musa Sabedini ka qenë nënkryetar i UPS-së, të UP-së, korrespondent i gazetave ditore: “Dita”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, Kosova Live” dhe „Lajm“.

Musa Sabedini, për 14 vite, ka udhëhequr Klubin e gazetarëve „Beqir Musliu“, në Gjilan. Vlen të theksohet se Musa Sabedini, është fitues i katërfishtë „Korrespondent i vitit“, në Kosovë, në vitet ( 2003, 2006, 2007, dhe 2008 ).

Musa Sabedini ka ndjekur trajnime dhe është kulturuar në fushën e gazetarisë hulumtuese, në Kolumbia Misuri të SHBA-ve. Musa Sabedini është themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress.

Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi“ është libri i tij i dytë. Vetëm një dorë mjeshtërore do të dinte të bënte këtë libër-dëshmi për të gjitha kohët.

Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi” nuk të lë të heshtësh. Bari mbi varreza ka kohë që nuk shkelet. Liria është mundësi e madhe. Edhe i rëni e ndien aromën e të gjallëve të lirë. Varrezat e të rënëve të luftës për liri kudo janë zbukuruar. Fotografitë dhe datëlindjet e të rënëve nëpër varreza nuk janë më frikë. Gati tek çdo i rënë ka lule të freskëta dhe kujtime të freskëta, dhe nga një varg kënge për gjithsecilin.

* Lexim i librit të Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“

Filed Under: Kulture Tagged With: Dortmund, genocidi serb ne Viti, Musa sabedini, Rrustem Geci

FJALA, TOKA DHE GJUHA

August 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Jeta është lum i pavarur për të gjithë lumejtë, për të gjithë detërat, për gjithë tokën ku mbjellim e jetojmë. Kot më del përpara me hijen tënde, jam vetja, vetvetja, fjala e parë e fjalës, fjala e bukur e jetës. Këtë ese më nxiti të shkruaj poema e botuar dje, në „Zërin e shqiptarëve“ me titull, „Ne e lamë fjalën të humbë“.
Nuk është e ndaluar të mos ëndrrojmë, të mos ndryshojmë, apo të mos dëshirojmë. „Mikja ime, Hije; ji e lirë me veten tënde. O e uruar, mos më dil përpara, shkruan Elida Buçpapaj, se fjalën e kam brenda, ajo është e zemëruar dhe mund të godas. Poezia e Elida Buçpapajt është poezi e pasionit, poezi e dalë nga shpirti, poezi e shkrimit të mirëfilltë shqip. Ujqit e fjalës, armiqtë e fjalës, horrat e së keqes, kudo janë shumëzuar, të bëjnë zap fjalën, të shkërmoqin fjalën ma të bukur, fjalën e shkruar. Po, po, ata duan fjalës t´ia marrin frymën dhe ta lënë pa afshin e frymëmarrjes.
Krijimtaria e shkrimtares, publicistes dhe kolumnistes, Elida Buçpapaj, është e gjerë dhe e thellë. Shkrimet e para Elida i bëri para 30 vjetësh. Ajo deri më tash ka botuar këto libra; 1. Vij , 2. Unë nuk jam e përjetshme 3. Rapsodia e Golgotës së Tranzicionit 4. Hiperbola dhe paralelizmi në Ciklin e Kreshnikvë 5. Tirania e tranzicioni 6. 7 .Traumat e tranzicionit, si dhe analiza e polemika. Njëherit, Elida Buçpapaj bën punë heroinash, duke përkthyer shkrimtarët më të vlerësuar të Elitës Botërore.
Elida, bijë e shkrimtarit të njohur, Vebi Skënderit, njëherit edhe bashkëshorte e shkrimtarit të njohur, Skënder Buçpapajt, përbëjnë një treshe shkrimtarësh të mirfilltë në letërsinë shqipe. Shkrimtarja Elida Buçpapaj nuk vjen në Letërsinë tonë të bukur, përmes librave të lexuar, por, përmes talentit dhe leximit të jetës. Shpërthimet e saj në poezi, publicistikë, në polemika dhe analiza, janë mënyra e shkrimtares Buçpapaj, për të bërë letërsi, O vetja ime e trazuar; Shqipëria është diell / është ëndërr / zgjandërr / është shi, breshër e borë / është furtunë e stuhi / është stuhi në gotë… Këto dhe qindra vargje të tjera, tregojnë për shtrirjen e saj në letërsi, dhe të bukurën e saj në poezi.
Motivet me Kosovës janë të pranishme tek kjo treshe shkrimtarësh. Fjala, toka dhe gjuha amë, lulëzojnë në qënien e vargjeve të shkrimtares. Në poezinë e Elida Buçpapajt, por edhe në poezinë e babait të saj , si dhe të bashkëshortit, Skënderit, janë së brendshmi tharmi i të bërit letërsi. Kosovë, shkruan shkrimtarja; Unë vij në Prekaz / mbi kalin e pikëllimit / prej plagosjes së natës /..këtu fjalët i ka zënë gjumi i madh / i tokës së skuqur / si flamuri nga gjaku/ … Unë vij në Prekaz / dhe ngrij palëvizur / si mermeri i varreve / nën harkune violinave të vajit / e të fijeve të barit që qajnë…
Harta poetike e Elida Buçpapajt është plotë maja poezish. Ngjyrat në krijimtarinë e Elidës janë nga ma të bukurat. Temat e saj shprehin çastin dhe kohën; Mirëmëngjez Paris / sot jemi gëdhirë në një shtrat / të dy të përgjumur nga mosfjetja /..Në një kafene buzë Senës / porosis një kafe me qumësht/..dhe filloj me llogaritë / Paris, unë banorja jote efemer / ndërsa ti dhe Sena eternel… Shkrimtarja Elida Buçpapaj, e lindur dhe e rritur në Tiranë, bashkë me prindërit, përjetoi gjenocidin e diktaturës Hoxha, kundër zërit të shkrimtarëve dhe inteleltualve. Idetë në letërsi shprehej Vebi Skënderi, (në një bisedë që pata me të dhe Agim Gjakovën, në vitin 1994 ) kontrolloheshin që në embrion të krijimit. Diktatura e Hoxhës e kishte bezdi zërin e shkrimtarëve. Në tërë ato rrethana ç´njerëzore, poezia e pati shumë të vështirë ta heq ujkun nga fjala.
Cenzorët në Shqipëri aso kohe, shprehej poeti Vebi Skënderi, ishin shndërruar në kafshë të këqija, dhe masakronin vargjet tona. Por, bija e shkrimtarit, shkrimtarja, Elida Buçpapaj, e di s´e është e ndaluar të mos krijosh; Jam shi në Tiranë / shi që bie rrëke / nëpër rrugët mbi pluhurin e harresës / janë shkërmoqur grimca-grimca / si fosile antike / ditët e mia…
Mbi këtë peisazh jete, kujtoj se fshihet bardhësia e ngjyrave të Tiranës, vetullat dhe balli saj, buzët pa të kuq të Onufrit. Jeta e shkrimtarëve më thotë Elida Buçpapaj, është kjo që e bëjmë. Mirëpo, poeti e ndien atë që s´shihet, dhe shkrimtari s´heq dorë nga asnjë ditë e kësaj jete. Mbushjet e mëdha shpirtërore janë burimet të artit të pashterrshëm. Jam Zana / Tanusha / jam dhi e egër / e pakapshme /shkreptimë…
Nuk ka titull më të lartë në jetën e një njeriu, shkruan Elida Buçpapaj, se sa të jesh, shkrimtare, nënë, bashkëshorte dhe gazetare. Poezia është në qenien time, dhe rron në qenien time!..Me këtë ese të shkurtër, i uroj shëndet dhe vepra të reja shkrimtares dhe gazetares, Elida Buçpapajt!..

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Bucpaj, Fjala, gjuha, Rrustem Geci, toka

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT