• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Notre-Dame de Paris : Kujtime personale

April 22, 2019 by dgreca

                                                           Shkruan: Sami Repishti, Ph.D/

.Ridgefield, CT.- Në mbramjen e datës 16 prill 2019, agjensitë botënore të lajmeve njoftuen se Kathedralja Notre-Dame de Paris ishte mbulue nga flakët që digjnin pa mëshirë gjithçka dhe rrezikojshin me shkatërrue definitivisht këte ndertesë madhështore, e historike, njikohësisht, Pamja ishte e dhimbëshme, dhe jam i sigurtë se qindra miljonë qytetarë të botës mbar shikojshin në ekranet e televizonit këte katastrofë dhe vuejshin nga pamundësia me ndërhye. Nji fat i tërbuem u vërsul mbi nji kryevepër të mendjes dhe punës së njeriut ndertues.

   Gjithçka varej nga çapkunlleku i nji fati mizor. Do të shpëtonte, apo do të rrenohej për tokë ky monument i racës sonë? Me padurim pritshim lajmet zyrtare.

    I pari erdhi lajmi i Presidentit francez Emmanuel Macron i cili i drejtohej Francës dhe të gjithë botës me mesazhin inkurajues se Franca do të durojë me dinjitet këte fatkeqsi, dhe do të ndërmarrë punën gjigande dhe ndërtuese të ripërtrimjes së Kathedrales. Pak ma vonë, u njoftue se dy kullat e përparëme dhe nji pjesë e altarit, bashkë me shumë objekte arti kishin shpëtue në saj të sakrificës së ma shumë se 500 zjarrfikësve. Dy ditë ma vonë u njoftue se zjarri ishte shkaktue nga nji shkëndi elektrike e padiktueme në kohë dhe që u përhap me përpjestime madhore. Nji lehtësim: nuk ka qenë nji akt kriminal çmendurie njerëzore…..

     Profesor Nora Neimann, e Universitetit Katolik dhe drejtoreshë e Departmentit për Artin deklaroi:”Ne e shohim këte si një simbol të guximit, të ripërtritjes njerëzore, e inovacionit. Për ata në mesin e bashkësisë, si besimtarë katolikë, ajo është simbol i qëndresës së besimit ndaj të gjitha pengesave” raportonte Zëri i Amerikës. Për shqiptarët, sidomos për shqiptarët katolikë, katastrofa aksidentale e Notre-Dame de Paris rikujton aktin kriminal të nji çmendurie anti-njerë zore , dinamitizimin, në vitin 1967, të Kishës së Gomsiqes, ndertue në shekullin 13, tempullin historik ku u kunorëzue në martesë heroj i jonë kombëtar Gjergj Kastrioti, Skenderbeu, me Zonjushen fisnike Donika Arianiti!

    Sa ndryshim rranjësor në mes të qytetnimit europian dhe egërsisë primitive të komunizmit shqiptar…!

    Në orët e para të mbramjes u hap lajmi se kontributet për rindërtimin e Kathedrales kishin arrijtë shumën 700 miljonë euros, që ma vonë u rrit në 1 miljard euros. Si do te rindertohet Kathedralja e re: nji vazhdimësi e kulturës tradicionale apo nji manifesim i modernitetit?

    Zemrat e ndaluna nga trishtimi e dhimbja filluen me rrahë përsëri me shpresë të ringjallun. Kathedralja do të rindërtohet; francezët dhe miqtë e tyne të shumtë në të gjithë botën do të rindërtojnë Kathedralen pa dyshim. Sikur të ishte hapun qielli…!

                      ***

     Besimi i fortë në Francën katolike, krynaltësia e justikueme e nji historie kombëtare franceze, ndihma e pamohueshme e përgjithëshme nga miljonat që janë prekë nga kjo humbje e madhe do të rindërtojnë Kathedralen e djegun; nga hini i saj do të rilindë, si nji feniks i antikitetit, Kathedralja e re.

     Për nji student shqiptar që vuen në mërgim e që arriti me studjue në bankat e Sorbonnës, problemi ashtë ma i komplikuem: ashtë shqetësimi i madh që e frikëson se në vendin e tij të lindjes, katastrofa të këtilla priten me nji farë kënaqsie si nji grusht i randë kundër fesë katolike…sikur feja të ishte nji gur, nji mur apo nji kathedrale që prishet nga zjarri. Shkreti shpirtnore dhe morale! Vorfëni frikësuese mendore që nënvleftëson krenarinë e qenies njeri, krijesë që mendon e ndjen, që gëzon e vajton, por nuk dorëzohet. Shpifjet e “ingjinjerëve të shpirtit” nga ata që nuk njohin shpirtin dhe përqafojnë pashpirtësinë në mendimet e aktet e tyne, nuk janë në gjendje me kuptue randësinë e prishjes së nji nga monumentevet të artit dhe të qytetnimit botënor. Arsyeja? Sepse në thelb ka karakter fetar…anathema e tyne e përditëshme.

     Për nji student shqiptar që vuejti që në moshën 20 vjeçare të zezën e ullinit, me familje të persekutueme, dhe me nji atdhe të shtypun e të poshtënuem nga bijtë e bijat e vet, Kathedralja zinte vendin e nderit në mendime dhe përfaqësonte kështjellin e bindjeve të tia, pavarësisht nga forma e lutjeve që ai i drejtonte Krijuesit, të vetmit Krijues i Gjithësisë – nji dhe për të gjithë…

      Gjatë viteve të mia në New York, kam ushtrue nji traditë: vizitën e herëmbasherëshme të Kathedrales Shën Patriku (Fifth Avenue) ku gjunjësohesha me përultësi të pafund në këte tempull kushtue Krijuesit nga krijesa e Tij, ndizëshe nji qiri në kujtim të prindëve të vdekun e të gjallë, shokëve dhe të gjithë shqiptarëve që vuejshin pa shkak në atë gropë mjerimi që ishte Shqipëria komuniste, dhe në mënyrë të paevitueshme derdhshe pika loti të nxehtë.

   Rreth e rrotull meje kishte të tjerë të ulun në bankët e drujta të Kathedrales që luteshin. Njerëz të thjeshtë që kërkojshin ndihmë dhe  ndoshta edhe falje për transgresionet e tyne nga nji Hyjni që ishte gati me falë….edhe ata që e kryqëzojshin për së gjalli! Këte rit ia kalova edhe fëmijve të mi.

     Në qershor të vitit 1970, Ambasada franceze në Amerikë më njoftoi se Qeveria franceze më akordonte nji bursë studimi nji vjeçare pranë Universitetit të Parisit, “La Sorbonne”-n e famëshme. Gëzimi i im nuk njihte kufi. Vendosa të marr edhe familjen në këte udhëtim premtues. I mbushun me entuziasëm udhëtova, dhe fillova studimet.

    Landa ishte e randë, kërkesat e shkollës ishin të gjana, dhe unë u zhyta në këte botë akademike që jepte dritë për të gjithë botën. Natyrisht, ndërtesa e parë mbas universitetit, vinte La Bibliothèque Nationale de Paris. Nga aty në Kathedralen Notre-Dame distanca ishte e shkurtë. Nji ditë vendosa të rifilloj “traditën” time të vizitës. Pamja e mbrendëshme ishte edhe ma mahnitëse se ajo e jashtëme dhe qendrimi në këte ndertesë tetë herë shekullore me impononte nji sens serioziteti së bashku me respektin që meritonte për sherbimin që ofronte: nji çast të qetë, nji atmosferë frymëzuese, nji lehtësim shpirtnor që më ringjallëte, dhe nji meditim të thellë për veten dhe për të tjerët që më mungojshin. Pyetjet ekzistenciale që na shtrohen çdo ditë, vijshin të natyrëshme për mue në atë vend. Dhe, ajo që më mbante të gozhduem në bankat e fundit ku uleshin ata që nuk luteshin formalisht, ishte muzika fetare e koreve të vazhdueshme që me tingullin e tyne sikur më naltësojshin mbi të zakonshmen e jetës sime të përditëshme.

     Altari, i nji bukurie magjepse, ndriste me kryqin e madh florini dhe merrte kuptimin e tij të plotë nga statujat e Nanës Shen Marie që mbante në prehën trupin e shtrimë pa jetë të të Birit, kryqëzue pa faj. E vështirë me gjetë nji pamje ma të dhimbëshme se ajo, e që kishe pa edhe në Bazilikën e Shen Pjetrit, Romë, për së afërmi. Zemër nane, dhimbje nanë, pafajni nane e “kryqëzueme” pa faj….

     E kam përjetue këte fenomen në qelitë e burgut të Shkodrës, sidomos në prezencën masive të klerikëve katolikë shqiptarë, viktima të terrorit të kuq. Para syve më vijshin fëtyrat e atyne që pata nderin me njohë e me kujtue me dhimbje zemre. At Çiprian Nikaj, i pushkatuem, viktimë e nji akuze të gënjeshtërt, që shqetësohej jo për jetën e vet por për sulmet kundër Kishës. At Donat Kurti, që punonte ditë e natë në përkthimin shqip të Testamentin të Ri nga frengjishtja, pa folë nji fjalë, dhe që nuk u ankue kurr. At Aleks Baçli që në kampet e punës kalonte orët e lira tue gdhenë në nji copë druni te forte, bustin e nji fetari, jo ma të madhe se nji kokërr orizi…e që buzëqeshte sa herë që fliste, e me të gjithë. Të gjithë të pafajshëm….

     E vështirë me besue, por gjendja e vertetë që ilustron marrëzinë e egërsisë komuniste: me shkatërrue fenë, dhe me kambëngulje Kishën Katolike Shqiptare si grupi ma i organizuem fetar …dhe përjetësisht anti-komunist. Sot, ata janë kufoma të tretuna nen dhe…por në kujtesën time të gjithë janë dëshmorë të nji ideali mbijetësor në sherbim të nevojave të krijesës së Zotit, instrumentë të vullnetit të Zotit…..

    Fjala e tyne? “Jam i pafaj” Dhe: “Fiat voluntas Dei” (U baftë vullneti i Tënzot)….nji  qendrim i paarrijtshëm për qeniet e thjeshta!

     Me sy të ngulun në atë kryq dhe në atë statujë mermeri, ishte e pamundun me evitue kujtimin e fëtyrës së nanës sime të internueme në Veliqot të Tepelenës. Arsyeja? Nji djal në burg, nji tjetër i arratisun, dhe përgjegjse për dy fëmijtë e internuem: motrën 14 vjeçare që shërbente në kamp tue tërheqë karron e bukës së policëve, në vend të kafshës…..dhe vëllaun 11 vjeçar që ngushëllonte nanën e pangushëllueshme në ato ditë të veshtira!

    Lidhja me statujën prej mermeri? E pazgjidhëshme!  

    Aty më vijshin para syve fëtyrat e familjarëve, nanës sime, të vëllaut dhe motrave që u përndoqën sepse ishin motrat e mia, shokët që kishin vuejtë me mue, të afërmit, të tjerët, i gjithë nji populi i nënshtruem çizmes së ndytë të policit të kuq që më turbullojshin mendjen sa herë që më dilnin para në kujtesë….

    Aty, për çudinë time të madhe, mbrenda vehtes ndiejshe nji prirje me falë, sikur nji za i mbrendshëm me këshillonte me thanë: “Fali o Zot, se nuk dinë çka bajnë!”, dhe sikur lutesha që Krijuesi të çlironte nga kjo gjendje miljonat në botë që vuejshin nga shtypja, smundja, uria e të këqiat tjera që mundojnë njerëzimin. Kathedralja Notre-Dame e Parisit, në këto momente, transformohej në mbrendinë time, në nji qendër spitalore ku kuroheshin zemrat e miljonëvet të smurë e viktimët e padrejtësisë së pameritueme.

    Mbas ditës së parë, çdo herë që shkojshe në Bibliotekë, përfundojshe me nji vizitë në Kathedrale, ku më dukej se lodhja fizike shkrihej nga naltësia e mendimit që këshillon falje edhe për kriminelin. Në këte frymë naltësuese me dukej sikur shihshe shpëtimin tim shpirtnor, sikur pranojshe jetën e përkohëshme mbi tokë e nuk i lejojshe vehtes me u shnjerëzue. Zoti e din sa miljona të tjerë, edhe ma të damtuem se unë dhe familja e ime, kanë kalue përvoja të këtilla dhe ringjallje shpirtnore si ajo e imja.

    Nji vjet ma vonë, u largova nga Parisi, por përvoja e ime në atë “qytet të dritës” erdhi me mue, dhe vazhdoi të më shoqënojë edhe në New York. Nji nga vizitat e para në qytetin metropolitan ku banojshe ishte Kathedralja e Shen Patrikut, që e gjeta ashtu si e lashë: nji vend lutjesh, qetësi shpirtnore, lehtësim i vuejtjeve tona të përditëshme, dhe pasunimi i jonë me frymën e faljes së fajit. Nga këto ndërtesa prej guri të ftohtë dilte ngrohtësia e madhe shpirtnore që i jep jetës sonë kuptim….!

    Per gwzimin tone të pa kufi, ka fillue puna e ri-ndwrtimit të Kathedrales. Ingjiniere dhe arkitekte kane ofrue shkencen dhe artin e tyne ne sherbim te Kathedrales: njeriu krijon, digjet, dhe rikrijon. Une pres me padurim -sepse mosha nuk me lejon shume vite tjera,- te shoh perseri Kathedralen Notre-Dame de Paris te rindertueme aq sa te mundesoje vizitimin e saj, dhe mundesisht une te rigezoj minutat e pafund te lehteimit tim shpirtnor ne kete faltore te te Madhit Zot, ndertue me tregue adhurimin tone per Krijuesin, dhe me ofrue çaste ringjallje shpirtnore per miljonat qe e kerkojne. Ashtu qofte!     

     Të lumtun janë ata që besojnë! Të lumtun janë ata që falin fajin e kryem kundër tyne, të gjithë ata që përbuzin urrejtjen, këte kancer që konsumon fatkeqët që e ushqejnë!

      =====================================================

* Ish bursist i Qeverisë franceze (1970-71)  

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami Repishti-Notre Dame

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT